33 urdhër-arreste për kontrabandën e mbetjeve “Durrës-Tajlandë”
Prokuroria e Durrësit ka ndërmarrë një hap domethënës në hetimin e kontrabandës së mbetjeve të rrezikshme që kishin origjinë Shqipërinë rreth dy vite më parë, duke lëshuar 33 urdhër-arreste ndaj drejtuesve të kompanive të përfshira dhe zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen mjedisore dhe doganore.
Ky është zhvillimi më i rëndësishëm në skandalin me jehonën më të madhe ndërkombëtare që ka njohur ndonjëherë Shqipëria sa i takon çështjeve të mjedisit. Çështja në fjalë është ndjekur në vazhdimësi nga Citizens.al me raportime të zgjeruara dhe dëshminë e plotë se si u sinjalizua në fillim rasti.
Lexo: Dëshmia e plotë e Jim Puckett për mbetjet toksike
Hetimi, bazuar në ekspertimet që tashmë kanë konfirmuar natyrën e rrezikshme të mbetjeve industriale, zbuloi se sasia prej mbi 2,800 tonë mbetjeje e dërguar në mënyrë të dyshimtë përmes 102 kontejnerësh drejt Tajlandës u eksportua në shkelje të ligjit mjedisor dhe procedurave doganore.
Ekspertimi i kryer – me vonesa shqetësuese – në Itali i klasifikoi këto mbetje si pluhur me përmbajtje të lartë metalike dhe substancash të dëmshme të ardhura nga furrat industriale (kategoria EAFD).
Sipas njoftimit zyrtar, masat e sigurisë përfshijnë drejtues dhe punonjës të kompanive “Kürüm International” dhe “Sokolaj shpk”, zyrtarë publikë dhe përfaqësues të institucioneve që kishin detyrë kontrollin mjedisor dhe doganor në Portin e Durrësit.
Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuza për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh, transport të paligjshëm, kontrabandë dhe pastrim parash.
Nga alarmi ndërkombëtar te konkretizimi i hetimeve
Rasti u bë publik në vitin 2024, kur autoritetet tajlandeze refuzuan ngarkesën dhe kthyen mbetjet në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare për hetime transparente dhe të pavarura.
Citizens.al raportoi se mbetjet e kthyera përfunduan në Porto Romano, ndërsa institucionet shqiptare shmangën për muaj me radhë dhënien e informacionit mbi përbërjen e tyre dhe përgjegjësitë ligjore.
Në mars 2025, Citizens.al publikoi dëshminë e Jim Puckett, drejtues i Basel Action Network (BAN), i cili paralajmëroi se Shqipëria po shfaqte shenjat e një skeme trafiku mbetjesh, pasi ky mund të mos ishte një rast i izoluar.
Puckett akuzoi autoritetet shqiptare për zvarritje të hetimeve dhe mungesë vullneti për të ndjekur zinxhirin e plotë të përgjegjësisë, përfshirë aktorët shtetërorë.
Lexo: “Shqipëria po zvarrit hetimet për kontrabandën e mbetjeve toksike”
Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë, miratoi më 3 shkurt 2026, rreth dy vite më vonë, 33 masa sigurie: 26 me burg dhe 7 me arrest shtëpie.
Sipas prokurorisë, kontrabanda u mundësua përmes falsifikimit të dokumenteve, shmangies së kontrolleve mjedisore dhe doganore përmes lejeve të dhëna në shkelje të ligjit.
Në fokus të hetimit janë vënë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Doganës së Durrësit dhe struktura të përfshira në administrimin e portit.
Mes të arrestuarve janë drejtuesja aktuale e AKM-së, Marjeta Përlala, ish-drejtuesja Arta Dollani dhe tre punonjës nga sektori i lejeve të kësaj agjencie.
Gjithashtu janë arrestuar pesë punonjës të Doganës së Durrësit, dy inspektorë të Autoritetit Portual, administratori dhe dy punonjës të koncesionarit që operon terminalin lindor të portit.
Nga kompanitë e përfshira, është kërkuar arrestimi i administratorëve të Kürüm, Erdal Demir dhe Yusuf Sezai Kürüm, si dhe katër drejtorëve përgjegjës të sektorit të mjedisit, prodhimit, transportit dhe shitjeve të saj.
Nga “Sokolaj shpk” janë arrestuar pronarët Gjovana dhe Doni Sokolaj, si dhe kontabilistja e kompanisë. Paralelisht është kërkuar arrestimi edhe i zotëruesve, administratorëve dhe punonjësve të disa kompanive ndërmjetëse si “Bajrami N”, “Joti Spedition” dhe “Alliance Resource”.
Citizens.al pati raportuar më herët për heshtjen njëvjeçare të Prokurorisë së Durrësit, duke ngritur dyshime për mungesë transparence dhe llogaridhënie në një çështje me pasoja të rënda mjedisore dhe shëndetësore.
Argumenti kryesor lidhej me zvarritjen e kryerjes së analizave të ngarkesës së 102 kontejnerëve, të cilat ishin provuar më parë në Tajlandë se përmbanin lëndë të rrezikshme.
Lexo: Një vit heshtje nga Prokuroria për kontrabandën me mbetje të rrezikshme
Lëshimi i 33 urdhër-arresteve shënon zhvillimin më të rëndësishëm për zbardhjen e kësaj çështjeje, por ajo nuk i jep fund pikëpyetjeve mbi rastin, rolin e institucioneve, kontrollin real dhe mbi të gjitha propagandën.
Gjithashtu vë në diskutim një çështje tjetër: Çfarë do të bëhet me ngarkesën? Ku do të vendoset përfundimisht ajo dhe si do të veprohet me të, nëse do të duhet të asgjësohet?
Kujtojmë se qeveria e mohoi kategorikisht kontrabandën në fjalë dhe dha informacione për të vetëm pasi çështja mori jehonë ndërkombëtare.
Tashmë rasti mbetet një test për drejtësinë shqiptare, e cila ka bërë hapa të konsiderueshme me strukturat e reja – Struktura e Posacme Anti-Korrupsion – por që mbetet t’i tregojë konkretisht nëse i ka fituar të plota standardet e drejtësisë.
Lexoni gjithashtu:
- Shqipëria mbetet pas në mbrojtjen e mjedisit, BE kërkon veprime konkrete
- Fitime në kurriz të komuniteteve; mbi 200 hidrocentrale private në 15 vjet
- Bankers Petroleum nën hetim: Dyshohet se për 20 vite shmangu taksat
The post 33 urdhër-arreste për kontrabandën e mbetjeve “Durrës-Tajlandë” appeared first on Citizens.al.
