TIRANË, 17 janar /ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri, djemtë janë përfshirë në programin kombëtar të vaksinimit kundër HPV-së (virusi i Papilomës humane), duke shënuar një hap të rëndësishëm në politikat e parandalimit të sëmundjeve infektive dhe onkologjike.
Nisja e fushatës së vaksinimit për djemtë që në ditët e para të janarit vjen në një kohë kur infeksioni HPV mbetet një nga viruset më të përhapura, që prek si vajzat, ashtu edhe djemtë, shpesh pa shenja të dukshme, por me pasoja serioze për shëndetin në afatgjatë.
Në një intervistë për ATSH, Rovena Daja – drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP) – shpjegon arsyet pse vaksinimi i djemve konsiderohet i domosdoshëm, përfitimet që sjell kjo masë jo vetëm për individin, por edhe për komunitetin, si dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit të prindërve për të siguruar mbulim sa më të gjerë të vaksinimit në këtë grupmoshë, si te vajzat ashtu edhe te djemtë.
Daja shprehet se infeksioni nga HPV-ja është infeksioni viral më i shpeshtë i traktit riprodhues dhe shkakton një sërë sëmundjesh dhe gjendjesh si te femrat, dhe te meshkujt, duke përfshirë këtu lezionet prekanceroze, të cilat mund të shndërrohen në kancer.
“Megjithëse shumica e infeksioneve nga HPV-ja nuk shkaktojnë shenja klinike dhe pastrohen në mënyrë spontane, infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me HPV mund të çojë në sëmundje serioze te femrat, por edhe te meshkujt. Infeksionet e vazhdueshme me një ose më shumë tipa të HPV-së me “risk të lartë” (ose onkogjenikë) mund të çojë drejt lezioneve prekanceroze, të cilat në rast se nuk trajtohen mund të shpien drejt kancerit të qafës së mitrës apo të cerviksit apo kancere të tjerë gjenitalë”, tha ajo.
Sipas Dajës, përfshirja e djemve në programet e vaksinimit ndaj HPV-së është një masë thelbësore e shëndetit publik, e mbështetur gjerësisht nga evidenca shkencore dhe praktikat ndërkombëtare.
Daja shprehet se “infeksioni me HPV te meshkujt mund të çojë në lytha gjenitalë, kancer të anusit, kancer të penisit dhe kancer të gojës dhe fytit (orofaringeal). Këto kancere janë në rritje, veçanërisht te meshkujt, dhe për shumicën e tyre nuk ekzistojnë programe depistimi, gjë që i bën masat parandaluese edhe më të rëndësishme”.
“Vaksinimi i meshkujve ul ndjeshëm transmetimin e virusit në popullatë. Duke reduktuar qarkullimin e HPV-së, mbrohen edhe partneret seksuale dhe kontribuohet në krijimin e imunitetit të popullatës. Vetëm vaksinimi i vajzave nuk është i mjaftueshëm për të frenuar plotësisht përhapjen e virusit, sidomos në popullata me lëvizje të larta dhe sjellje të ndryshme seksuale”, nënvizon Daja.
Drejtuesja e programit të vaksinimit pranë IShP-së, thekson se vaksina HPV te djemtë dhe vajzat ka efekte të lehta anësore, si dhimbje të lehta deri në mesatare të zgjatura, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit, dhimbje e kokës, ethe, nauze, etj.
Daja tha se “sipas të dhënave të regjistruara në Sistemin Informativ të Vaksinimit (SIV), deri më tani janë aplikuar 16 doza të vaksinës kundër HPV-së te djemtë 13-vjeçarë në rang kombëtar. Pritet që numri i vaksinimeve të rritet progresivisht në vijim, paralelisht me forcimin e informimit, sensibilizimit të prindërve dhe përfshirjen aktive të profesionistëve të shëndetit në komunitet”.
“Vaksinimi i djemve ul ndjeshëm qarkullimin e virusit HPV në popullatë, pasi redukton numrin e personave që mund të infektohen dhe ta transmetojnë virusin te partnerët e tyre. Duke përfshirë të dyja gjinitë në vaksinim, krijohet imunitet i popullatës i cili mbron edhe individët e pavaksinuar. Përvoja ndërkombëtare tregon se vaksinimi çon në ulje të ndjeshme të infeksioneve HPV dhe të lythave gjenitalë brenda pak vitesh nga zbatimi dhe më tej në reduktimin dhe eliminimin e kancerit të qafës së mitrës”, vijon Daja.
Daja pohoi se janë zhvilluar dhe po vijojnë fushata informuese dhe sensibilizuese për vaksinimin kundër HPV-së, të cilat tashmë janë zgjeruar edhe për djemtë, në përputhje me përfshirjen e tyre në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit. Këto fushata përfshijnë shpërndarje materialesh informuese, komunikim në media dhe rrjete sociale, si dhe angazhim të profesionistëve të shëndetit në komunitet.
Daja ndalet edhe të një mesazh i rëndësishëm për të gjithë prindërit, që hezitojnë të shtyjnë fëmijët e tyre drejt kryerjes së vaksinës HPV.
Ajo shprehet se “ky është një investim për shëndetin e fëmijëve të tyre në të ardhmen”.
“Vaksina është e sigurt, e studiuar gjerësisht dhe përdoret prej vitesh në shumë vende të botës. Ajo nuk lidhet me sjelljen seksuale, por me parandalimin e sëmundjeve serioze, përfshirë kanceret. Duke vaksinuar djemtë sot, prindërit i mbrojnë ata ndaj kancereve dhe kontribuojnë në mbrojtjen e shëndetit të gjithë shoqërisë nesër”, përfundon Daja.
Nga të dhënat zyrtare të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OShKSh), gjatë vitit 2025 janë kryer në të gjithë vendin rreth 9363 vaksina HPV, ndërsa nga muaji janar i këtij viti për herë të parë ka nisur vaksinimi edhe te djemtë.
/e.i/r.e/a.f/
The post Shqipëria nis për herë të parë vaksinimin kundër HPV-së edhe te djemtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.