RUMANI – Dan zotohet të hetojë akuzat për abuzime sistemike në gjyqësor
BUKURESHT, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti i Rumanisë, Nicuşor Dan u zotua se do të hetojë pretendimet për abuzime sistemike në gjyqësor, pasi u takua sot me gjyqtarë dhe prokurorë, duke thënë se integriteti i sistemit të drejtësisë ishte vënë në dyshim, sipas “Reuters”.
Dan tha se qindra magjistratë kishin përshkruar një klimë frike dhe ndikimin e tepruar të Këshillit të Lartë Gjyqësor, organi më i lartë mbikëqyrës i drejtësisë në vend, të cilin e akuzuan se po vepron në interes të një grupi të zgjedhur dhe jo të publikut.
“Situata në të cilën ndodhemi është serioze, pasi ekziston ky dyshim për integritetin e sistemit gjyqësor”, tha ai në një deklaratë, duke shtuar se pretendimet do të hetoheshin.
“Përfundimi … është se ekziston një kategori magjistratësh … gjyqtarë të lartë të gjykatave që nuk veprojnë në interes të publikut, por që veprojnë në interes të një grupi”, tha Dan.
Takimi pasoi ftesën e hapur të Dan për anëtarët e gjyqësorit për të paraqitur ankesa, pasi ai tha dje se kishte marrë afërsisht 2 000 faqe me shembuj të problemeve të integritetit që kërkonin hetim dhe veprime të mëtejshme.
Presidenti emëron kryetarët e gjyqtarëve dhe prokurorët dhe mund të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit të lartë gjyqësor, por nuk ka kompetencat ligjore për t’i zëvendësuar ata.
Megjithatë, ligjvënësit e ekstremit të djathtë kanë akuzuar Dan, për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe kanë kërkuar që ai të shkarkohet nga detyra.
Akuzat për abuzime në sistemin e drejtësisë erdhën pasi media e pavarur “Recorder” transmetoi një dokumentar që tregonte se si kryetarët e gjyqtarëve përdornin boshllëqet ligjore për praktika joetike, duke përfshirë lirime të dyshimta.
Mijëra njerëz protestuan në kryeqytetin Bukuresht dhe në të gjithë Rumaninë në fillim të dhjetorit kundër abuzimeve të dyshuara.
Rumania është një nga shtetet më të korruptuara të Bashkimit Evropian.
Brukseli e mbajti sistemin e drejtësisë të vendit nën monitorim të veçantë pasi u bashkua me BE-në në vitin 2007.
Që kur misioni i BE-së përfundoi në vitin 2023, ritmi i hetimeve kundër korrupsionit është ngadalësuar. //a.i/
The post RUMANI – Dan zotohet të hetojë akuzat për abuzime sistemike në gjyqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.