BERLIN – Wadephul: Armëpushimi në Ukrainë nuk do t’i japë fund kërcënimit rus
BERLIN, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul beson se Rusia mund të shfrytëzojë një armëpushim të mundshëm në Ukrainë për të intensifikuar përgatitjet për një sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s, duke i kërkuar aleancës mbrojtëse të përgatitet për një skenar të tillë.
Duke theksuar se nuk dëshironte të spekulonte mbi gjasat që kjo të ndodhte, diplomati më i lartë i Gjermanisë tha: “Mund të na këshilloj vetëm të përgatitemi për mundësinë që kjo të ndodhë”.
Ai vuri në dukje se NATO po zgjeron strukturat e saj mbrojtëse, ndërsa Gjermania po rinovon forcat e saj të armatosura, duke rritur numrin e trupave dhe pajisjeve në pritje të një sulmi të mundshëm rus.
‘’Evropa nuk duhet të ulë vigjilencën e saj nëse përpjekjet për të arritur një armëpushim në Ukrainë janë të suksesshme, theksoi Wadephul.
Siguria në Evropë do të varet nga Rusia për një kohë të gjatë, tha ai, duke shtuar se Moska mund të mbahet larg vetëm “nga një pozicion force, uniteti brenda aleancës dhe forca të armatosura të afta”, shtoi ai.
“Nuk ka asnjë arsye pse ne duhet të zvogëlojmë përpjekjet tona. Përkundrazi. Mund të këshilloj fuqimisht kundër bërjes së lëshimeve në të gjitha këto projekte dhe plane, sepse vetëm një pozicion force do të çojë në siguri më të madhe për ne në NATO dhe gjithashtu për ne në Gjermani”, shtoi ai.
‘’Nëse ushtria ruse do të arrinte sukses të qëndrueshëm ushtarak në Ukrainë, kjo do të përbënte një kërcënim serioz për NATO-n”, paralajmëroi Wadephul.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, vlerësoi muajin e kaluar se Rusia mund të jetë në gjendje të sulmojë një vend të NATO-s në krahun lindor të aleancës deri në vitin 2029, pas rindërtimit të forcave të saj të armatosura. /os/
The post BERLIN – Wadephul: Armëpushimi në Ukrainë nuk do t’i japë fund kërcënimit rus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
