MOLDAVI – Presidentja Sandu pro ribashkimit me Rumaninë
KISHINEV, 12 janar /ATSH-AFP/ – Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu deklaroi se do të votonte pro nëse do të mbahej një referendum për ribashkimin me Rumaninë, anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, në një intervistë të publikuar sot në një portal britanik.
Liderja pro evropiane denoncon rregullisht ndërhyrjet e Rusisë në këtë republikë të vogël, kryesisht folëse e gjuhës rumune, me 2,4 milionë banorë, ish-republikë sovjetike e vendosur midis Rumanisë dhe Ukrainës.
Ajo tha në një intervistë për podcastin britanik ”The rest is politics” se po bëhet ”më e vështirë për një vend të vogël si Moldavia të mbijetojë si demokraci, vend sovran, dhe sigurisht të rezistojë ndaj Rusisë”.
”Nëse do të kishim një referendum, unë do të votoja për ribashkimin me Rumaninë”, shtoi ajo duke theksuar megjithatë se sipas sondazheve ”nuk ka sot një shumicë që mbështet bashkimin e Moldavisë me Rumaninë”.
Nën presidencën e Sandusë, Moldavia ka paraqitur kandidaturën për t’u anëtarësuar në BE, një objektiv që ajo e përshkroi në këtë intervistë si realist.
Negociatat për anëtarësim kanë filluar në vitin 2025.
Partia e Sandusë fitoi zgjedhjet legjislative në shtator, duke ruajtur kursin pro evropian të Moldavisë.
Ajo u zgjodh për një mandat të dytë në vitin 2024.
Moldavia ishte e bashkuar me Rumaninë midis dy luftërave botërore, para se të aneksohej nga Bashkimi Sovjetik.
Ajo shpalli pavarësinë gjatë shpërbërjes së BS në vitin 1991./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post MOLDAVI – Presidentja Sandu pro ribashkimit me Rumaninë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.