Autorë: Arbjona Çibuku dhe Jeta Kasemi | Citizens.al
Rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike duket se kanë kufizuar ndjeshëm mundësinë për pushime për qytetarët shqiptarë. Një pyetësor online i publikuar nga Citizens.al nxori në pah realitetin e zymtë: shumica thanë se këtë vit i kanë kaluar pushimet brenda vendit, ndërsa pak prej tyre thanë se ka udhëtuar jashtë, kryesisht falë të ardhurave më të larta.
Pushime të shkurtra dhe kosto të kufizuara
Bazuar në përgjigjet e pyetësorit, periudha prej 4-7 ditë pushime ishte më e zakonshmja këtë vit, por pati dhe përgjigje me pushime të kufizuara në më pak se 3 ditë, kjo për arsye ekonomike. Të paktë ishin ata që u shprehën se e kanë pasur të mundur të kalojnë pushime më të gjata se një javë.
Akomodimi, veçanërisht gjatë fluksit të sezonit veror, u raportua si zëri më i kushtueshëm i pushimeve.
“Dhomat ditore me qira janë tmerr, mbi 60euro nata me kushte si në mesjetë, pa dritare, zhul dhe pronarë të parregullt. Çmimet për fjetje më të shtrenjta se në Itali”, u shpreh për Citizens.al një qytetar përmes platformës ECR (Engaged Citizen Reporting/Raportim i Angazhuar Qytetar).
“Çmimet rriten vazhdimisht pa asnjë logjikë tregu. Produktet e shportës pranë vendeve turistike janë 50% më të shtrenjta, ndërsa nëpër restorante përveç çmimeve të fryra shërbimi lë për të dëshiruar”, vijoi ai më tej.
Shqyrtimi i përgjigjeve nga Citizens.al tregoi se shpenzimet mesatare, për person, varionin nga 100 deri në 300 euro për pushime të shkurtra tre ditore brenda vendit, 300 deri në 600 euro për pushime javore dhe mbi 1,000 euro për ata që zgjodhën periudha më të gjata apo pushime jashtë Shqipërisë.
Në përgjithësi, si shpenzim, transporti përmendet më pak, por nuk mungon si faktor shtesë, sidomos për ata që udhëtojnë në zona të largëta apo jashtë vendit.
Pensionistët: Pushimet, një luks i paarritshëm
Dhjetëra qytetarë thanë për Citizens.al se i përballojnë me vështirësi pushimet në Shqipëri. Por ndryshe paraqitet situata për pensionistët. Për ta pushimet mbeten luks i paarritshëm.
Qani Shino, një pensionist aktivist, pohon se mund të pushojë vetëm falë mbështetjes familjare, kryesisht të nipërve dhe mbesave. Edhe pse ka një shtëpi të vogël në plazh, ai tregon për problemet serioze me infrastrukturën, ndotjen dhe çmimet e larta e bëjnë përvojën të vështirë.
“Pensionistët në Shqipëri janë shtresë e nëpërkëmbur, pushimet për ne janë të papërballueshme,” thotë Shino teksa thekson se shumica e pensionistëve nuk mund të bëjnë pushime.
Edhe pse vetë, akomodimin e ka të mbuluar, Shino, thotë se sërish nuk e ka të thjeshtë të bëjë pushime. Ai tregon se në plazh del me ushqim me vete dhe me çadrën e tij, por has në plazhe private dhe shpesh detyrohet të shkojë në zona që janë të ndotura.
“Aty në plazh, jo në jug, se aty as që afrohemi dot, derdhen ujërat e zeza, cilësia është skandaloze,” thekson ai teksa nënvizon se ushqimi është aspekt tjetër i kushtueshëm që pensionistëve ua bën të papërballueshme pushimet.
“[Pensionistët] Me bukë me djathë nga shtëpia, hanë ndonjë sufllaqe dhe këto janë pushimet tona dhe çfarë na dërgojnë nipër e mbesa ndonjë lekë, se me pensionin që marr unë për shembull, nuk mbuloj dot asgjë, se e harxhoj për ilaçe,” shprehet Shino.
Pensioni mesatar në Shqipëri gjatë vitit 2024 ishte rreth 165 euro në muaj, që sipas përgjigjeve në anketa mbulojnë maksimumi 3 ditë pushime.
Paralajmërimi i ekspertëve, turizmi po bëhet elitist
Zef Preçi, ekspert i ekonomisë, thekson se struktura e të ardhurave në Shqipëri dhe politikat publike të dobëta e kanë bërë turizmin të paarritshëm për shumë qytetarë. Ai shprehet se me këtë dinamikë, vetëm një pjesë e vogël e popullsisë, ajo me të ardhura mbi mesataren, ka mundësi reale për të planifikuar pushime.
“Sipas statistikave, familjet shqiptare shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave vetëm për ushqim, 9-10% për strehim dhe shërbime, 6-7% për transport, dhe vetëm 7-8% për restorante dhe hotele, ku futen edhe pushimet. Kjo tregon se hapësira për turizëm është shumë e kufizuar,” analizon Preçi.
Sipas Preçit, inflacioni dhe rritja e çmimeve, kanë ndikuar direkt në shkurtimin e ditëve të pushimit dhe zgjedhjen e zonave më të lira.
“Nëse kjo tendencë vazhdon, polarizimi i shoqërisë do të thellohet edhe më shumë,” paralajmëron Preçi.
Eva Kushova, eksperte turizmi, pohon se çmimet po i afrohen gjithmonë e më shumë nivelin e vendeve evropiane, ndërsa të ardhurat mbeten shumë më të ulëta. Sipas saj, vetëm disa zona si Durrësi, Lezha apo Shkodra ofrojnë alternativa më ekonomike për pushime.
“Për pensionistët pushimet janë të pamundura pa ndihmën e familjes apo fëmijëve jashtë vendit. Familjet me të ardhura mesatare bëjnë maksimumi pesë ditë pushime, studentët edhe më pak,” komentoi ajo.
Kushova dhe Preçi theksojnë se mungesa e strategjisë shtetërore për turizmin dhe dominimi i interesave private në bregdet kanë çuar në përjashtimin e shtresave të mesme dhe të varfra nga mundësia për pushime. Ata propozojnë uljen e TVSH-së për ushqimet bazë, rritjen e transportit publik dhe vendosjen e çmimeve tavan për shërbimet në bregdet.
“Absolutisht nuk ka asnjë strategji. Ka vetëm disa plazhe publike ku qytetarët nuk paguajnë shezlongë. Qeveria duhet të monitorojë çmimet, të ulë TVSH-në për ushqimet e shportës dhe të mundësojë transport publik të rregullt. Por kjo nuk po ndodh,” vijon Kushova.
“Duhet të ndalohet pushtimi i çdo metri katror nga segmentet e lidhura me krimin dhe oligarkët. Në plazhet e dhëna me qira për operatorë turistikë, qeveria mund të vendosë çmime tavan për shezlongët dhe të lejojë konkurrencën për uljen e tyre, siç ndodh në Greqi,” sugjeron Preçi.
Për Kushovën marrja në konsideratë nga qytetarët shqiptarë për të kaluar pushimet në Mal të Zi apo Greqi ndodh, jo se atje çmimet janë më të lira, por ka më shumë organizim.
“Në Greqi nuk paguan për çadër, por për dy pije, plazhi është publik, transporti dinjitoz dhe paketat e integruara lehtësojnë turistët,” analizoi ajo teksa shtoi se në Shqipëri “nuk e di kurrë se sa do të të shkojnë pushimet”.
Kushova dhe Preçi bien dakord për një fakt: nëse kjo tendencë vijon, pushimet do të mbeten privilegj vetëm për të pasurit, duke përforcuar më tej pabarazitë ekonomike dhe sociale në vend.
Lexoni gjithashtu:
The post Shqiptarët e përjashtuar nga bregdeti appeared first on Citizens.al.