Banorët e ish-Kënetës: Përmbytje të përsëritura, dëme të pambuluara
“Dëmet kalojnë mbi 15 milionë lekë. Hajde shikoji vetë dhe le t’i vlerësojë kush të dojë.” Kështu e përshkruan situatën Aurel Mrroku, banor i ish-Kënetës në Durrës, i zhvendosur aty prej më shumë se 30 vitesh.
Edhe pse ka kaluar një javë nga reshjet e dendura që përmbytën disa zona të vendit, situata në terren mbetet problematike në Durrës.
Në ish-Kënetë, uji vijon të bllokojë hyrjet e shtëpive dhe jetën e përditshme të banorëve, disa prej të cilëve janë kthyer në banesa për të bërë llogaritë e dëmeve.
Citizens ishte pranë tyre dhe pa nga afër gjendjen e vështirë të shkaktuar nga përmbytja. Elektroshtëpiake, mobilje, krevate dhe veshje jashtë përdorimit, për të mos thënë pastaj për kushtet e banesave, shumica prej të cilave u ishin dëmtuar dyert.
Të dëshpëruar, banorët thanë se përmbytjet ishin kthyer në një rutinë vjetore pa zgjidhje afatgjatë. Por njëzëri ata konfirmuan se kjo ishte ndër përmbytjet më të mëdha që kishin pësuar.
Çdo vit të përmbytur, dëmshpërblimet mungojnë
Mrroku tregoi se shtëpia e tij ishte përmbytur për të tretin vit radhazi. Ai tha se nuk kishte marrë asnjëherë kompensim për dëmet, gjë e cila e kishte bërë shumë pesimist për përmbytjen e radhës.
Sipas tij, situata zor se do të ndryshojë. “Janë mësuar njerëzit. Përmbytu një herë, dy herë, tre herë. S’vjen njeri ta blejë shtëpinë, as ta falë,” thotë ai.
Gjendja e jashtëzakonshme nuk u shpall, edhe pasi kishte kaluar një javë nga përmbytja dhe qindra banorë ishin detyruar të shpërnguleshin. Shpallja do ta detyronte qeverinë të merrte më shumë përgjegjësi për ndihma dhe dëmshpërblim të të prekurve.
Në një postim në rrjetet sociale, kryetarja e Bashkisë Durrës Emiriana Sako tha se ishin verifikuar 1,314 banesa. Nga këto, për 527 raste ishin mbajtur aktet e konstatimit të dëmeve.
Megjithatë, banorët thonë se procesi mbetet i paqartë dhe pa transparencë. Askush nuk u ka shpjeguar se kur dhe si do të dëmshpërblehen.

Llesh Lleshaj, një tjetër banor i zonës, është shpërngulur nga banesa e tij. Aktualisht ai po qëndron në ambientet e Kavalishencës, rezidencë qeveritare për pritje zyrtare.
Lleshin e takova jashtë shtëpisë së tij, teksa kishte ardhur për të parë dëmet dhe punën e zjarrfikëseve që po përpiqeshin të hiqnin ujin me pompa.
Ai tregoi se natën e parë pas përmbytjes fjeti në makinë. Më pas u zhvendos, ndërsa uji kishte hyrë deri në 60 centimetra lartësi brenda shtëpisë.
“Të gjitha tubacionet janë të bllokuara,” tha Lleshaj. Sipas tij, punonjës të bashkisë erdhën vetëm simbolikisht dhe pa ndërhyrje reale, pavarësisht ankesave të banorëve të zonës.
“Erdhën një ditë ato të bashkisë, u ulën hëngrëm e pinë… A e mbaruat? Po, po e mbaruam! I thashë për njerëzillëk bëni, sikur punoni,” tregoi Lleshaj.
Familje të tjera ndodhen gjithashtu në kushte kritike dhe në limit të mbijetesës. Familja Sina tha se deri tani ishte ndihmuar vetëm nga shoqata “Fundjavë Ndryshe”.
Orenditë e shtëpisë i kishin nxjerrë në ballkon pasi ishin lagur dhe konsiderohen të pashfrytëzueshme.
“Për Vitin e Ri i blemë. Këtë vit i vendosëm. Na gjeti viti me copa,” tregoi Entela Sina teksa bashkëshorti i saj shtoi se përfaqësues të bashkisë u kishin thënë të përpilonin disa dokumente. Por ai nuk kishte asnjë informacion për procedurën e dëmshpërblimit.
Situata e përmbytjeve solli zemërim dhe protesta përpara bashkisë së qytetit. Qytetarët u mbështetën edhe nga forcat opozitare dhe partitë e reja si Lëvizja Bashkë, kërkuan shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Ndërkohë, banorë të ish-Kënetës tentuan dy herë të takonin kryetaren e bashkisë. Emriana Sako reagoi vetëm përmes rrjeteve sociale. Ajo nuk mbajti asnjë deklaratë publike dhe nuk u përball me protestuesit.
“Fondet janë, buxheti është, por administrata është shkatërruar,” u shpreh Flamur Balaj gjatë protestës.
Ai tha se protestat nuk do të ndalen pa largimin e përgjegjësve politikë.
Në protestë u bashkuan edhe grupe që kundërshtojnë projekte të tjera urbanistike në Durrës. Aktivistja Rita Kazazi kritikoi qeverinë për mungesë reagimi institucional.
“Pse nuk e shpall kryeministri emergjencën? Ka frikë se do t’i paguajë lekë kesh? Veshin çizmet për foto dhe ikin në shtëpi,” tha ajo. Sipas saj, emergjenca nuk shpallet për të shmangur pagesat e dëmshpërblimeve.
Dorina Prethi, nënkryetare e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, tha se qytetarët ndihen të shantazhuar.
Sipas saj, banorët kanë frikë se protesta do t’i penalizojë për dëmshpërblimin.
“E drejta e dëmshpërblimit ju takon të gjithëve,” tha Prethi teksa shtoi se fondet ekzistojnë, por mungon vullneti politik.
Ndërsa uji tërhiqet ngadalë, pasiguria mbetet. Banorët e ish-Kënetës thonë se përmbytjet janë bërë pjesë e jetës, ndërsa zgjidhja vazhdon të mungojë.
Lexoni gjithashtu:
- Përmbytjet nxjerrin në pah krizën me emergjencat dhe zhvillimin urban
- As Veliera, as tenderët publikë, s’e shpëtuan Durrësin nga përmbytjet
- Shqipëria përballë krizave klimatike pa sistem të besueshëm monitorimi
The post Banorët e ish-Kënetës: Përmbytje të përsëritura, dëme të pambuluara appeared first on Citizens.al.