RTSH larg transparencës dhe përdorimit etik të Inteligjencës Artificiale
Radio Televizioni Shqiptarë (RTSH) është vlerësuar mbi mesataren, por me boshllëqe domethënëse për përdorimin etik të inteligjencës artificiale dhe transparencën institucionale. 60 nga 100 pikë ka qenë vlerësimi që i është dhënë Televizionit Publik Shqiptar, nga një raport i cili ka monitoruar shtatë transmetues publik në Ballkanin Perëndimor.
Pikëzimi që ka përdorur “NarativAI” nxjerr në pah sa shpejt po përshtaten mediat publike në rajon me transformimet e menjëhershme që ka sjellë Inteligjenca Artificiale në raportim, ndryshimin e algoritmeve dhe manipulimin digjital.
Më të vlerësuarit në rajon janë BHRT i Bosnje-Hercegovinës dhe RTK i Kosovës, me nga 65 pikë, ndërsa në fund të renditjes qëndrojnë MRTV e Maqedonisë së Veriut dhe HRT e Kroacisë, me nga 50 pikë.
RTSH e Shqipërisë dhe RTCG e Malit të Zi renditen në nivel të mesëm me 60 pikë, duke reflektuar mangësi në transparencë dhe në politikat për inteligjencën artificiale.
Transparencë e kufizuar në RTSH
Në aspektin e transparencës, RTSH ka marrë vetëm 25 nga 50 pikë. Ndërsa në fushën e inteligjencës artificiale, RTSH vlerësohet disi më mirë, me 35 nga 50 pikë.
Raporti shpjegon se monitoruesit kanë tentuar më shumë se 20 herë për të aksesuar Kodin e Etikës, në seksionin e “Transparencës” në uebin online të televizionit, por ka qenë e pamundur.
“Kodi u sigurua përfundimisht përmes faqeve të palëve të treta që monitorojnë median dhe gazetarinë në Shqipëri, dhe jo përmes vetë faqes së internetit të RTSH-së”, citohet në përmbledhjen e publikuar.
Kodi i Etikës i RTSH-së u miratua më 23 nëntor 2016 dhe është një nga dokumentet etike më të gjata në rajon, me gjithsej 55 faqe. Pavarësisht nivelit të detajimit, Kodi nuk është përditësuar për të përfshirë referenca ndaj inteligjencës artificiale, algoritmeve apo medias sintetike, kështu që nuk ka rregulla për përdorimin etik të AI-së në prodhim, verifikim apo vendimmarrje editoriale.
Kodi përfshin rregulla digjitale, duke kërkuar verifikimin e informacionit nga burime jozyrtare para publikimit dhe kontrollimin e fakteve përpara shpërndarjes online. Gjithashtu punonjësve të televizionit nuk u lejohet që të postojnë opinione që dëmtojnë RTSH-në dhe duhet të tregojnë kur postimet janë personale.
“Edhe pse këto elemente digjitale janë të vlefshme, ato nuk janë të mjaftueshme dhe nuk zëvendësojnë nevojën për standarde moderne mbi inteligjencën artificiale, algoritmet ose verifikimin e medias sintetike”, thekson raporti.
Por pikëzimi relativisht i lartë i RTSH-së për gatishmërinë digjitale/AI vjen kryesisht nga rregullat strikte kundër manipulimit teknologjik dhe verifikimit online, jo nga përdorimi i vërtetë i inteligjencës artificiale.
Raporti e paraqet RTSH-në si një institucion që nuk është ndër më problematikët në rajon, por që mbetet larg standardeve më të avancuara të transparencës dhe inovacionit etik. Për të forcuar rolin e tij si transmetues publik, raporti sugjeron nevojën për më shumë hapje ndaj publikut, publikim të qartë të dokumenteve kyçe dhe hartim të politikave të posaçme për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Sipas rekomandimeve të “NarativAI” RTSH duhet të bëjë të aksesueshëm Kodine e Etikës në seksionin e Transparencës. Ky kod duhet të përditësohet për të përfshirë standarde moderne për inteligjencën artificiale, algoritmet dhe median sintetike, si dhe të forcojë rregullat për verifikimin e informacionit online. Gjithashtu duhet të krijojë një politikë për përdorimin e inteligjencës artificiale që tregon qartë se çfarë përdorimesh janë të lejueshme, të kufizuara dhe të ndaluara në prodhim dhe punë editoriale.
Citizens ka raportuar në vazhdimësi për procesin e zgjedhjes të drejtuesve të televizionit publik, por edhe krizën financiare në këtë institucion, ngërç i cili ka sjellë që dhjetëra gazetarë e bashkëpunëtorë të mbesin pa paga.
The post RTSH larg transparencës dhe përdorimit etik të Inteligjencës Artificiale appeared first on Citizens.al.
