Zvarritja e çështjes Balluku rikthen protestat përpara Kuvendit
Zvarritja e vendimmarrjes për imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku riktheu sot protestat qytetare përpara Kuvendit.
Këshilli i Mandateve shtyu sërish mbledhjen, edhe pse ishte paralajmëruar se do të merrte një vendim këtë javë.
Ndërkohë, edhe Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi pezullimin Ballukut, e cila mban njëherësh edhe postin e ministres së Infrastrukturës.
Aktivistë dhe qytetarë e cilësuan këtë situatë si një zvarritje të qëllimshme të procesit.
Të indinjuar nga mungesa e ndëshkimit për korrupsionin e pretenduar nga hetimet e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), dhjetëra protestues u mblodhën sot përpara hyrjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ata shpalosën një banderolë me mesazhin: “Për drejtësi deri në fund!”.
“Kërkojmë në mënyrë të menjëhershme ndërprerjen e këtij procesi farsë, mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve dhe trajtimin e çështjes me transparencë të plotë,” theksoi Sidorela Vatnikaj, nga organizata “Drejtësi Sociale”.
Sipas saj, çdo shtyrje tjetër përbën një akt të vetëdijshëm kundër demokracisë dhe vullnetit qytetar.
Gjatë protestës, aktivistët hodhën dhjetëra çelësa përpara hyrjes së Kryesisë si shenjë simbolike e një prej pretendimeve të ngritura, sipas së cilave dyshohet se numri dy i qeverisë ka kapitalizuar pasuri të majme nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.
“A ka hall më të madh për qytetarin, kur prokuroria thotë se një ministër është duke vjedhur?” drejtoi si pyetje retorike Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, teksa akuzoi disa deputetë se po bllokojnë qëllimisht procesin.
Qiraxhi përmendi me emra Niko Peleshin, Taulant Ballën, Blendi Çuçin, Ulsi Manjën dhe Blendi Çomon, duke i cilësuar si pengues të drejtësisë.
“Kudo në botë shqiptarët mund të blejnë një shtëpi. I vetmi vend ku nuk munden, është Shqipëria,” tha ai në përmbyllje.
Aktivisti Andi Tepelena solli në vëmendje edhe pasojat sociale të qeverisjes. Ai theksoi emigrimin masiv të të rinjve duke referuar si shifër se 79% e studentëve synojnë të largohen nga vendi.
Kjo ishte protesta e dytë e këtij grupimi. Në dhjetor 2025, ata protestuan bashkë me Partinë Mundësia me moton “Peshku qelbet nga koka”.
Çfarë dimë deri më tani?
Që prej vjeshtës së vitit 2025, zëvendëskryeministrja Balluku është në qendër të një procesi hetimor dhe politik, që përfshin akuzat penale të SPAK, vendimet e gjykatave, si dhe ndërhyrjen institucionale të nivelit të lartë.
Në nëntor 2025, SPAK i bëri ballafaqim Ballukut dhe ish-drejtorëve të ARRSH-së, nën varësi të saj, me akuzat për shkelje të procedurave të prokurimit në projekte të mëdha, përfshirë tenderët për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës, me vlerë qindra miliona euro.
Hetimi përfshinte pretendime se një grup zyrtarësh kishte favorizuar kompani të caktuara në shkelje të ligjit të prokurimeve. SPAK kërkoi më pas pezullimin nga detyra dhe një ndalim të daljes nga vendi për Ballukun, si masa sigurie.
Më 20 nëntor 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i miratoi masat e kërkuara.
Kryeministri Edi Rama reagoi publikisht kundër vendimit të GJKKO-s, duke e cilësuar ndërhyrje të paprecedentë të sistemit të drejtësisë në funksionimin e ekzekutivit dhe e çoi çështjen para Gjykata Kushtetuese.
Kjo solli një konflikt kompetencash mes institucioneve, duke reflektuar tensione rreth ndarjes së pushteteve.
Më 12 dhjetor, me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi ta rikthejë në detyrë Ballukun, duke pezulluar përkohësisht efektet e vendimit të GJKKO-s deri në shqyrtim të mëtejshëm.
Vendimi u arrit pas një ankimi të Kryeministrit dhe u argumentua se masa e pezullimit nga detyra kishte krijuar mosmarrëveshje kompetencash në interpretimin e ligjit kushtetues mbi imunitetin dhe funksionimin e përgjithshëm të ekzekutivit, pra qeverisë.
Pas kësaj lëvizjeje, SPAK kërkoi zyrtarisht heqjen e imunitetit të Ballukut me synimin për të vendosur ndaj saj një masë më të fortë sigurie, çka nënkupton arrestimin.
Më 17 dhjetor, Kuvendi i mohoi anëtarëve të Këshillit të Mandateve dosjen hetimore duke e argumentuar këtë si informacion “sekret hetimor”. Ekspertët e quajtën vendimin absurd.
Gjykata Kushtetuese njoftoi të martën se i nevojitej më shumë kohë për t’u shprehur për çështjen e pezullimit nga GJKKO-ja, qëndrim që u përdor nga shumica socialiste si argument për të frenuar procesin e shqyrtimit të imunitetit të Ballukut.
Lexoni gjithashtu:
- Kushtetuesja dëgjon palët për çështjen Balluku, pritet vendimi
- Gjykata Kushtetuese rikthen Belinda Ballukun në detyrë
- “Numrat dy” para drejtësisë: Lëkundje apo konsolidim i pushtetit të Ramës?
The post Zvarritja e çështjes Balluku rikthen protestat përpara Kuvendit appeared first on Citizens.al.
