Tabaku: Dekriminalizimi i shpifjes duhet të jetë i plotë
TIRANË/ 23 janar /ATSh/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, prezantoi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme ndryshimet në Kodin Penal për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku tha se grupi i ekspertëve, në konsultim me organizatat e shoqërisë civile dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian, ka propozuar dekriminalizimin e plotë të fyerjes dhe shpifjes, përmes shfuqizimit të neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal.
Tabaku nënvizoi se qeveria shqiptare është ndalur vetëm në ndryshime të pjesshme dhe ka lënë të paprekur nenin 119, që lidhet me fyerjen.
“Unë kam propozuara ashtu siç grupi i ekspertëve i ka sjellë komisionit, ashtu siç është konsultuar me organizata të shoqërisë civile, ashtu siç edhe Komisioni Evropian thotë, dekriminalizmin e plotë, pra shfuqizimin e nenit 119 dhe nëntit 120, për sa i përket fyerjes dhe shpifjes dhe këtu ndahemi me propozimin që ka sjellë qeveria shqiptare. Qeveria shqiptare mendon se mund t’i fyeje gazetarët dhe ka lënë nenin 119 ashtu të paprekur”, tha Tabaku.
Duke iu referuar ndryshimeve të propozuara për nenin 120, Tabaku theksoi se ato janë praktikisht të pazbatueshme.
“Qeveria ka shkruar për nenin 120 disa ndryshime të pjesshme, ku referohet, kur një gazetar për shkak të detyrës çohet në gjykatë dhe ka padi ndaj tij për shpifje, qeveria shqiptare ka sjellë një propozim dhe këtu ndahemi, i cili thotë për të gjitha ato organizata që janë të regjistruara dhe sot ka 0 të regjistruara. Propozimi që ka sjellë qeveria shqiptare nuk zbatohet. Kur ke 0 të regjistruar, ligji nuk zbatohet. Ju jeni në dijeni edhe për vendimet dhe rekomandimet që ka marrë Këshilli i Evropës. Është vendosur dekriminalizimi i shpifjes, jo vetëm për gazetarët, por ndaj çdo qytetari, si pjesë e lirisë së shprehjes”, tha Tabaku.
Tabaku theksoi se Shqipëria mbetet pas vendeve të rajonit në këtë drejtim dhe se procesi i integrimit evropian kërkon reforma reale dhe jo thjesht ligje formale.
Deputetja theksoi se ndryshimet ligjore duhet të shoqërohen me masa konkrete për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve.
“Mendoj se këto sugjerime që ka sjellë Komisioni Evropian të grupit të punës që ne kemi punuar bashkërisht, i cili thotë, përjashtimi plotë i dënimit për të gjithë qytetarët, si një e drejtë bazë dhe element bazë dhe si një detyrim, jo vetëm në procesin e integrimit, por edhe detyrime që ne kemi si anëtarë të Këshillit të Evropës. Jemi pas të gjithë vendeve të rajonit. Nuk mund të bëjmë ndryshime gjysmake. Procesi i integrimit nuk është për të bërë ligje në letër, por është për të sjellë ndryshime reale për të gjithë qytetarë. Duhet miratuar kuadri ligjor dhe rregullator shoqërues.
Këto janë propozime fillestare, duhet të punojmë dhe për paditë kundër gazetarëve. Duhet të punojmë dhe për sigurinë e gazetarëve. Është pjesë e një kuadri të gjerë”, tha Tabaku.
Në fund të shqyrtimit, Komosioni për Evropën dhe Punët e Jashtme rrëzoi projektligjin e propozuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
/m.q/a.f/
The post Tabaku: Dekriminalizimi i shpifjes duhet të jetë i plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
