Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Dita e parë e 2026-ës në Korçë

1 January 2026 at 17:00

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Në ditën e parë të vitit 2026, Korça është mbushur nga gjallëria e turistëve, qytetarëve vendas dhe atyre të huaj që kanë zgjedhur këtë qytet për të kaluar natën e ndërrimit të viteve.

Korça vazhdon të mbetet destinacioni i preferuar i qindra qytetarëve që zgjedhin këtë qytet për të kaluar festat e fundvitit.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Korça, plot me turistë të huaj e qytetarë të shumtë.

Dekori shumëngjyrësh i shtrirë në lagjet kryesore të qytetit, shtëpizat e drurit, pista e patinazhit për fëmijët dhe të rinjtë, janë vetëm disa prej atraksioneve që ofron Korça për festa.

Qytetarët kanë zgjedhur Pazarin e Vjetër, Pedonalen e qytetit si dhe zonën përreth Katedrales, për të shijuar bukuritë magjepsëse të Korçës për festat e fundvitit.

/e.i/j.p/

The post Dita e parë e 2026-ës në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Proda uron festat: Qytetarët, aleati kryesor i Policisë

31 December 2025 at 12:07

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Në prag të ndërrimit të viteve, drejtuesi i Policisë së Shtetit, Ilir Proda uroi festa të mbara.

Proda shprehu mirënjohjen e tij për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e treguar çdo ditë, duke vënë shpesh në plan të dytë familjen dhe sigurinë e tyre.

Proda tha se “viti që po lëmë pas nuk ka qenë i thjeshtë, ka qenë sfidues, një vit përgjegjësish të mëdha dhe sakrificash, të cilat na kanë lidhur më fort me njëri-tjetrin, me qytetarët dhe me partnerët, na kanë forcuar dhe na kanë bërë më të qartë se si duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë, për të qenë të denjë për misionin tonë”.

“Me përzemërsi të thellë uroj familjarët e Dëshmorëve të Policisë, të cilët kanë në tryezë një pjesëtar më pak, por në historinë e kombit, një hero më shumë”, u shpreh Proda.

Po ashtu, ai përcolli falënderim dhe urim të sinqertë për qytetarët, për rolin e tyre të rëndësishëm, të cilët, nëpërmjet besimit dhe bashkëpunimit, kanë përforcuar pozitën e tyre si aleat kryesor për Policinë. “Për gazetarët dhe mediat, për rolin e tyre të rëndësishëm në informimin e publikut dhe forcimin e transparencës; si dhe për partnerët tanë kombëtarë e ndërkombëtarë, bashkëpunimi me të cilët ka qenë sinergji kapacitetesh, investimesh, angazhimi dhe profesionalizmi, në funksion të garantimit të sigurisë”, vijoi Proda.

Proda nënvizoi se Policia e Shtetit është në gatishmëri për përmbushjen e detyrave, në çdo cep të vendit, për të garantuar një ndërrim vitesh të sigurt dhe të qetë.

Në fund, Proda uroi një Vit të Ri të gëzuar, shëndet, paqe dhe mbarësi!

“Bashkë, me përgjegjësi dhe besim, për të ndërtuar përgjatë vitit 2026, një vend edhe më të sigurt”, tha ai.

/e.i/j.p/

The post Proda uron festat: Qytetarët, aleati kryesor i Policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duka uron Vitin e Ri 2026: Mirënjohje për të gjithë kontributorët e zhvillimit të futbollit

31 December 2025 at 10:01

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, në prag të festës së ndërrimit të viteve uron të gjithë komunitetin shqiptar të futbollit përmes një video-mesazhi për një vit sa më të mbarë.

Në një video-urim, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kontribuojnë çdo ditë që futbolli shqiptar të zhvillohet, ndërsa vlerëson vitin 2025 si historik për lojën tonë të bukur.

Në mesazhin e tij, Presidenti Duka përmend organizimet e suksesshme të FSHF-së, finalet e Euro U-17 dhe mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, si edhe kualifikimin historik të Kombëtares shqiptare në fazën play-off të Botërorit 2026.

“Në prag të ndërrimit të viteve, dua t’i drejtohem të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar për të shprehur mirënjohjen time të sinqertë për një vit që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.

Viti që po lëmë pas ka qenë një vit historik për futbollin shqiptar. Një vit ku puna, vizioni dhe përkushtimi u kthyen në rezultate konkrete. Në fushë, në organizim dhe në rritjen e gjithë sistemit tonë futbollistik”, tha ai.

“Shqipëria u konfirmua si një vend dhe partner i besueshëm për futbollin europian, duke pritur me sukses finalet e Kampionatit Europian U-17 dhe duke mikpritur për herë të parë në Tiranë Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Këto ngjarje treguan se futbolli ynë ka arritur një nivel të ri profesionalizmi dhe organizimi”, u shpreh Duka.

Duka nënvizoi se emocionet më të forta i dhuroi Kombëtarja, e cila për herë të parë në histori siguroi kualifikimin në fazën play-off të Botërorit 2026.

“Një arritje që na bëri krenarë dhe që dëshmon se ëndrrat e mëdha janë të arritshme kur punohet me seriozitet dhe besim. Uroj shumë që ky rrugëtim i bukur të kurorëzohet me kualifikimin për herë të parë në finalet e Botërorit”, tha Duka.

Presidenti i FSHF-së shtoi se “gjatë këtij viti kemi vijuar të investojmë në bazat e së ardhmes: në fëmijët dhe të rinjtë, në futbollin e vajzave, në infrastrukturë dhe në mbështetjen e klubeve. Futbolli shqiptar po rritet në numra, në cilësi dhe në ndikim shoqëror”.

“Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që kontribuojnë çdo ditë në këtë rrugëtim: futbollistët, trajnerët, arbitrat, drejtuesit e klubeve, stafet teknike, administratën e FSHF-së, partnerët tanë, institucionet shtetërore, qeverinë shqiptare për ndihmën e madhe dhe mbështetjen e tyre”, tha Duka.

Në mbyllje të mesazhit, Duka shtoi se me këtë frymë pozitive, hyhet në vitin 2026 me ambicie të forta për të bërë akoma më shumë, për ta çuar më përpara futbollin shqiptar dhe me një ëndërr të madhe për të qenë pjesë Botërorit 2026.

/e.i/j.p/

The post Duka uron Vitin e Ri 2026: Mirënjohje për të gjithë kontributorët e zhvillimit të futbollit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fundviti gjen Vlorën pa ujë, bashkia shmang përgjegjësinë

29 December 2025 at 14:02

Prej së dielës banorët e Vlorës janë në protestë për mungesën e ujit të pijshëm. Qyteti hyri të hënën në ditën e katërt pa furnizim, për shkak të një problemi teknik.

Të hënën dhjetëra qytetarë u grumbulluan para bashkisë, ku hodhën vezë dhe letra higjienike, teksa një mbrëmje më parë ata mësynë teatrin “Petro Marko” duke prishur eventin e fundvitit që organizohej nga bashkia.

Revolta erdhi si përgjigje ndaj mungesës së përgjegjësisë dhe rrugëzgjidhjes. Nën zhurmën e bidonëve, ata kërkuan zgjidhje urgjente dhe paralajmëruan rrezik shëndetësor nga mungesa e higjienës.

Uji u ndërpre në qytetin e Vlorës pas një defekti në linjën kryesore të furnizimit. Defekti ndodhi në tubacionin e gjerë, 1 metër, që furnizon depot. Linja ishte investuar në vitet 2009-2010.

Ekipet e Ujësjellës-Kanalizimeve punuan në terren për rregullimin e avarisë, por si duket problemi ishte më serioz se sa u pandeh në fillim duke kërkuar më shumë kohë.

Gjatë punës për rregullimin e avarisë Burimi: Ujësjellës Kanalizime Vlorë

Edhe kryebashkiakja Brunilda Mersini ishte në vendin ku po kryheshin punimet. Ajo e quajti situatën “fatkeqësi natyrore” dhe shmangu debatin për përgjegjësitë, megjithëse përmendi faktin se ujësjellësi prej dy vitesh administrohet nga qeveria dhe jo bashkia.

Sipas Mersinit, testet e fundit dhanë rezultat pozitiv. Zona e Lungomares pritet të furnizohet me presion minimal. Ndërkohë zgjidhja për furnizimin në qytet është dhënë me 15 autobote ujë, ku përparësi u është dhënë institucioneve.

Ndarja e përgjegjësive administrative për shërbimet kryesore të qytetit, mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore, kanë qenë problem i vazhdueshëm në Vlorë.

Në vitin 2024, kriza e mbetjeve, zjarri në fushën e depozitimit dhe përmbytjet rritën pakënaqësinë publike dhe paraprinë dorëheqjen e kryebashkiakut Ermal Dredha.

Ndërkohë, furnizimi me ujë mbetet premtim i përsëritur politik prej vitit 2013.

Kryeministri Edi Rama premtoi asokohe furnizim 24 orë si “shenjë qytetërimi”. Në 2021, ai garantoi 100% furnizim në mandatin e tretë.

Në vitin 2025, gjatë një diskutimi online, Rama relativizoi problemin duke kujtuar se as komunizmi nuk kishte pasur ujë 24 orë. Kështu, premtimet ndryshojnë, por realiteti mbetet i njëjtë për qytetarët.

Sipas raportit vjetor 2024 të Entit Rregullator të Ujit, furnizimi mbulon 77.2% të popullsisë. Rritja është vetëm 1.9% krahasuar me vitin 2023.

Raporti thekson ndikimin e kompanive më të mëdha të ujësjellësit, mes tyre Tirana, Durrësi dhe Vlora. Megjithatë, statistikat mbeten larg premtimit për furnizim të qëndrueshëm 24 orë.

Kriza në Vlorë ekspozoi kështu brishtësinë e menaxhimit të sistemit të ujësjellësave dhe mungesën e përgjegjësive të qarta. Ndërsa qytetarët kërkojnë jo vetëm zgjidhje emergjente, por transparencë dhe plan afatgjatë për një shërbim bazë.

The post Fundviti gjen Vlorën pa ujë, bashkia shmang përgjegjësinë appeared first on Citizens.al.

Pikat e kalimit kufitar, masa të shtuara për të përballuar lëvizjet gjatë festave

28 December 2025 at 15:02

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Pikat e kalimit kufitar kanë shtuar masat dhe personelin për të siguruar lëvizje të shpejtë e pa probleme të qytetarëve dhe mjeteve gjatë festave të fundvitit.

Drejtorët e departamenteve për Kufirin dhe Migracionin dhe për Sigurinë Publike, Saimir Muçaj dhe Dhimitraq Ziu, zhvilluan sot një inspektim në Kakavijë për të verifikuar zbatimin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe krijimin e lehtësirave në pikat e kalimit kufitar gjatë periudhës së fundvitit dhe ditëve  të para të Vitit të Ri 2026.

Sipas drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, janë intensifikuar masat për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjetet inteligjente dhe patrullat e lëvizshme, dhe në këtë kuadër dua t’u bëj një apel gjithë drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit: stop shpejtësisë, alkoolit në timon, parakalimeve të gabuara. Ai kishte edhe një apel për prindërit: mos u jepni automjetet fëmijëve që s’kanë mbushur moshën dhe s’janë pajisur me leje drejtimi.

“Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat vijojnë patrullimet në çdo lagje, shesh e rrugë, dhe natën festive do të koordinojmë veprimet edhe me Policitë Bashkiake përkatëse, në sheshet ku do të kryhen ceremoni festive gjatë ndërrimit të viteve”, tha Ziu, ndërsa në gadishmëri janë edhe Forca Kombëtare e Sigurisë dhe RENEA.

Ziu theksoi se po ushtrohen kontrolle për parandalimin e tregtimit të kapsollave dhe fishekzjarreve dhe u bëri thirrje prindërve që të mos i lejojnë fëmijët të përdorin lëndë piroteknike, por as ata vetë, pasi përdorimi pa kriter i tyre është i ndaluar.

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj u shpreh në një prononcim për mediet se ky inspektim zhvillohet në kuadër të një turi inspektimi të masave të marra nga Policia e Shtetit për përballimin e flukseve të shtuara të qarkullimit ndërkufitar në Pikat e Kalimit Kufitar dhe për garantimin e sigurisë publike gjatë festave të fundvitit.

“Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, që në fillim të muajit, ka miratuar dhe po zbaton një plan masash me detyra konkrete, në zbatim të planit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërkohë që të gjitha shërbimet janë në shërbim të përforcuar”, tha Muçaj.

Muçaj cilësoi se janë shtuar sportelet dhe numri i punonjësve të Policisë, veçanërisht në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë dhe në pikat e tjera me fluks të lartë, ku prej dy javësh punohet me kapacitet të plotë logjistik dhe njerëzor.

“Po ashtu, është intensifikuar bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit me vendet fqinje, në mënyrë të veçantë me Policinë Kufitare greke, si dhe është aplikuar procedura e lehtësuar e kalimit kufitar aty ku ka qenë e nevojshme.

Qendrat e Bashkëpunimit Policor janë në shërbim të pandërprerë për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, ndërsa personel shtesë është angazhuar për monitorimin e situatës dhe mbështetjen e strukturave vendore”, vijoi ai.

Gjatë kësaj periudhe është shënuar një rritje e qarkullimit ndërkufitar rreth 10,5% krahasuar me vitin e kaluar, jo vetëm të shtetasve shqiptarë, por edhe të vizitorëve të huaj.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Migracionit janë të përkushtuara për të garantuar një kalim sa më të lehtë dhe të sigurt për bashkëkombasit tanë dhe vizitorët e huaj, si dhe për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit ndërkufitar gjatë kësaj periudhe festive.

/e.i/r.e/

The post Pikat e kalimit kufitar, masa të shtuara për të përballuar lëvizjet gjatë festave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e fundvitit në Elbasan, fluks prenotimesh në Gjinar dhe Funar

27 December 2025 at 08:32

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Atmosfera e festave të fundvitit ka gjallëruar rrugët dhe sheshet e qytetit të Elbasanit.

Në zemër të qytetit, mes mureve shekullore të kalasë dhe portës së saj simbolike, sheshi “Hans Ditrih Gensher” është kthyer në epiqendrën e festimeve.

Në këtë shesh janë të shumta fotografitë e shkrepura mes dekoreve festive, ku banorë të moshave të ndryshme fiksojnë në fotografi momente nga vizita e tyre, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha për ATSH-në se atmosfera festive ka nisur që në fillim të dhjetorit, me një kalendar të pasur aktivitetesh për të gjitha moshat, duke e bërë qytetin gjithnjë e më të gjallë, veçanërisht në orët e mbrëmjes.

Artistë vendas dhe të huaj, grupe vallëzimi, DJ dhe këngëtarë të njohur ngjiten në skenën e improvizuar në shesh, duke krijuar një atmosferë që e kthen qytetin në një festë të hapur për të gjithë.

Këto festa janë kthyer në një mundësi mjaft të mirë për gjallërimin e Elbasanit dhe nxitjen e turizmit. Qytetarë të shumtë elbasanas kanë vendosur ta festojnë ndërrimin e viteve në pika turistike, por edhe në lokalet e njohura të qytetit.

Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në bashkinë Elbasan, Artur Guni, pohon se Gjinarin këtë fundvit e karakterizon një fluks i shtuar prenotimesh, falë kushteve komode që ofron për pushuesit.

Sipas tij, bujtinat e hapura së fundmi, lokalet e shumta dhe investimet në shërbime kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit për të kaluar ndërrimin e viteve në këtë zonë turistike piktoreske.

Kërkesa të larta janë regjistruar gjithashtu edhe për zonat e tjera turistike të bashkisë, si Funari, por edhe brenda qytetit të Elbasanit, ku turistë vendas dhe të huaj kanë kryer prenotime për të shijuar natyrën, qetësinë dhe ofertën festive të fundvitit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat hoteliere, agjencitë turistike dhe operatorët e turizmit në bashkinë Elbasan, numri i turistëve nga gushti deri tani arrin rreth 11 mijë vizitorë.

Në këto ditë festash, Elbasani ndryshon ritëm. Çdo ditë që kalon, qyteti gjallërohet më shumë, duke treguar se Elbasani di të festojë, të ruajë traditat dhe të krijojë një atmosferë të ngrohtë mikpritëse.

/k.s/j.p/r.e/

The post Festat e fundvitit në Elbasan, fluks prenotimesh në Gjinar dhe Funar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodra, qyteti që di të festojë

27 December 2025 at 15:30

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH–Ermira Isufaj/

Dritat e fundvitit kanë ndezur Shkodrën dhe bashkë me to edhe ritmin e qytetit. Në sheshin para bashkisë, ku muzika dëgjohet deri në rrugicat përreth, turistë dhe qytetarë ndalen, fotografojnë dhe bëhen pjesë e festës që këtë fundvit e ka kthyer Shkodrën në një nga destinacionet më të kërkuara në vend.

Sheshi është epiqendra e festimeve, ku çdo mbrëmje ngjiten artistë të njohur, duke e shndërruar qytetin në një skenë të hapur. Kalendari festiv do të kulmojë në natën e ndërrimit të viteve me performanca nga Arilena Ara, Noizy, Elvana Gjata, Sidrit Bejleri dhe spektaklin e fishekzjarreve.

Drejtoresha e Kulturës në Bashkinë Shkodër, Sara Smaja, thotë për ATSH-në se ky fundvit ka ardhur ndryshe, jo vetëm për shkodranët, por edhe për turistët e shumtë që kanë zgjedhur qytetin për të festuar. Risia e këtij viti është shtrirja e atmosferës festive në disa pika kryesore të qytetit.

Për fëmijët është krijuar një hapësirë e posaçme pranë lulishtes së bashkisë, ndërsa përgjatë pedonales “Kolë Idromeno” rinia ka ngritur shtëpizat e saj festive. Të menaxhuara nga të rinjtë e “Act4Shkodra”, këto hapësira nuk janë vetëm festive, por edhe solidarizuese, pasi të ardhurat e mbledhura shkojnë për bamirësi për shtresat në nevojë.

Smaja thekson se ky është viti i tretë që bashkia e ka çuar festën në një tjetër dimension, duke dyfishuar numrin e turistëve. Strukturat akomoduese janë pothuajse të mbushura dhe gjetja e vendeve të lira për ditët e fundvitit është gjithnjë e më e vështirë.

Atmosfera festive shtrihet edhe në institucionet kulturore të qytetit. Teatri “Migjeni” ka sjellë premiera dhe varietetin e humorit dhe këngës “Kartolinën ta dërgova”, ndërsa Orkestra Simfonike ka mbajtur koncert me të ftuar sopranon e njohur ndërkombëtare Marigona Qerkezi. Muzeu Historik dhe Galeria e Arteve ofrojnë ekspozita dhe veprimtari që pasqyrojnë trashëgiminë dhe krijimtarinë bashkëkohore të Shkodrës.

Krahas festës, bashkia ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë. Policia Bashkiake dhe ajo e Rendit janë të pranishme në sheshe dhe në akset kryesore për menaxhimin e trafikut dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve.

Përtej muzikës dhe dritave, turistët po shfrytëzojnë edhe atraksionet historike dhe natyrore të qarkut Shkodër. Kalaja e Rozafës, liqeni i Shkodrës, Buna, Thethi, Valbona dhe malet përreth mbeten pjesë e itinerarit edhe në dimër.

Në këto ditë festash, Shkodra jo vetëm feston, por edhe mirëpret, duke i dhënë kuptim ftesës së saj tradicionale për vizitorët: “Ardhshi të bardhë”.

Festat në Shkodër; Foto: Florjan Abazaj
1 nga 27

/e.i/r.e/

The post Shkodra, qyteti që di të festojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Familja apo zgjedhjet, çka i shtyri mërgimtarët të vijnë në Kosovë?

22 December 2025 at 22:54


Për dikë familja e për dikë zgjedhjet e 28 dhjetorit, janë arsye për të ardhur në Kosovë këtë fundvit. Për dallim prej ditëve të kaluara kur pritjet në pika kufitare ishin të gjata, këtë të hënë, në disa pika kufitare pritjet shkuan deri në 1 orë.Për dallim nga ditët e kaluara, kur pritjet në pikat kufitare shkuan deri në 10 orë, këtë të hënë situata ishte më e qetë.

Në pikën kufitare e cila vazhdimisht është më e frekuentuar nga mërgimtarët që vijnë në Kosovë, atë të Merdares pritjet ishin deri në 15 minuta.

Sipas zyrtarëve policor në këtë pikë, fluksi më i madh ishte gjatë së premtes e të shtunën. Ata që erdhën në Kosovë, thanë se nuk kanë pritur gjatë as në pika kufitare të tjera.

“Mirë kemi kaluar shumë mire pa probleme pritje s’ka pas kërku, jashtëzakonisht mirë..Vendlindja thotë shumë neve edhe për atë arsye çdo herë vijmë, jo vetëm për festa por edhe tjera herë..”, ka thënë Besim Bahtiri, qytetar.

“Rruga, udhëtimi u kanë shumë mirë, nuk kemi pas pengesa asgjë as kolona, perfekt.. I kam pas do familjar që kanë prit shumë por tash puna është tyre, do janë nis më herët menxi kanë prit, për fat s’ka pas..”, ka thënë një qytetar, Kristjan Raja.

Ndërkohë që disa nga ata patën ankesa për mungesë të energjisë elektrike.

“Tash bisedova me vllaun për me nxe shpin nuk kemi rrymë, prej dje.. Nuk ka prej Prizreni një fshat afër kufirit me Shqipërinë, gjithmonë ka edhe verës ka por është më pak se njerëzit harxhojnë më pak rrymë, dimrit është katastrofë..”, ka thënë Hashim Vejza, qytetar.

Meqë javën tjetër në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për disa nga mërgimtarët kjo ishte arsyeja e ardhjes në Kosovë.

“Rrugës kemi kaluar mirë kemi ardhur prej Gjermanisë, jo s’ka pasur kolonë është krejt hapur… Po do të votojmë për atë kemi ardhur”, ka thënë Lavdim Gashi.

Sipas qendrës për menaxhimin kufitar gjatë së hënës, më së shumti pritje deri në 1 orë ka pasur tek pika kufitare Dheu i Bardhë./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be


Policia e Shtetit, plan të posaçëm masash për festat e fundvitit

22 December 2025 at 10:27

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Policia e Shtetit ka hyrë në gatishmëri të plotë dhe ka përforcuar shërbimet policore në të gjithë territorin e vendit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, me detyra të qarta për të gjitha strukturat policore vendore dhe qendrore, i cili synon parandalimin e incidenteve, ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

Sipas Policisë, masat përfshijnë shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe të Policisë Kriminale në terren, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale.

Paralelisht, do të forcohet menaxhimi i fluksit në pikat e kalimit kufitar, përmes shtimit të sporteleve dhe burimeve njerëzore, si dhe përmes intensifikimit të bashkëpunimit me autoritetet homologe, me synim shmangien e radhëve dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

Policia njofton gjithashtu se do të rriten kontrollet në pikat kufitare dhe patrullimet në kufirin e gjelbër, për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe sigurisë rrugore, përmes monitorimit të shtuar të qarkullimit, përdorimit të mjeteve inteligjente shpejtësimatëse, dronëve, alkooltestuesve dhe shtimit të patrullave të Policisë Rrugore në të gjitha akset urbane dhe interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

Në deklaratë, Policia e Shtetit gjithashtu përgënjeshtron kategorikisht pretendimet e bëra nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, lidhur me ekzistencën e urdhrave për plotësimin e një numri të caktuar masash administrative.

Sipas Policisë, një urdhër i tillë nuk ekziston dhe masat administrative përdoren vetëm si instrument ligjor për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Gjithashtu, Policia e Shtetit thekson se, do të ketë bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor, institucionet fetare dhe Policitë Bashkiake për mbarëvajtjen e ceremonive festive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Shërbimet policore do të jenë të shtuara në shëtitore, zona pedonale, sheshe publike, objekte kulti, restorante, lokale dhe qendra tregtare, për të parandaluar konfliktet dhe ngjarjet kriminale.

Policia njofton se do të intensifikohen kontrollet ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike, në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe do të rritet gatishmëria në banka, zyra këmbimi valutor dhe objekte ku administrohen vlera monetare.

Ndërkohë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri të vazhdueshme për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat policore dhe të denoncojnë çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte në numrin pa pagesë 112, gjatë gjithë periudhës festive.

/gj.m/a.f/

The post Policia e Shtetit, plan të posaçëm masash për festat e fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria shpërndan shpërblime për fundvit, ja cilat kategori përfitojnë

By: V K
22 December 2025 at 10:16

Këshilli i Ministrave, ka miratuar Aktin Normativ të Fundvitit për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025. Nga ky akt normativ, do të shperndahet një bonus prej 15 mijë lekësh të reja për familje që përfitojnë ndihmë ekonomike, si edhe personat me aftësi ndryshe apo kujdestarët e tyre.

Në total nga kjo nismë do të përfitojnë rreth 148 500 qytetarë me një fond total prej rreth 2.2 miliardë lekësh.

“Disa nga çështjet kryesore që miratuam nëpërmjet këtij akti normativ janë: mbështetje financiare për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike si dhe për personat me aftësi të kufizuar, apo dhe kujdestarët e tyre.

Masa e mbështetjes financiare, në formën e bonusit të fundvitit do të jetë 15 mijë lekë, apo 150 euro. Në total nga kjo nismë do të përfitojnë rreth 148 mijë e 500 qytetarë”, tha Petrit Malaj.

The post Qeveria shpërndan shpërblime për fundvit, ja cilat kategori përfitojnë appeared first on Albeu.com.

AP përzgjedh edhe sheshin ”Skënderbej” nga atmosfera globale e festave të fundvitit

19 December 2025 at 21:44

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ – Agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve, Associated Press ka publikuar sot një galeri me foto nga më pikantet nga e gjithë bota, ku përcjell festimet e këtij fundviti.

Mes tyre spikat edhe atmosfera në kryeqytetin shqiptar.

Associated Press ka përzgjedhur momentin kur qytetarë të shumtë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për koncertin festiv dhe ceremoninë e ndezjes së dritave të pemës së madhe, më 6 dhjetor.

Përveç Tiranës, Associated Press sjell foto nga Londra, Shën Petërsburgu, Nju Jorku, Parisi, Berlini, Seuli apo Dakari./ a.jor.

The post AP përzgjedh edhe sheshin ”Skënderbej” nga atmosfera globale e festave të fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e fundvitit, dhurata për 138 fëmijë pa kujdes prindëror

18 December 2025 at 09:33

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ “Një dëshirë, një arsye për të buzëqeshur” është nisma e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për festat e fundvitit për fëmijët pa kujdes prindëror.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se nisma përfshin 138 fëmijë pa kujdes prindëror, që janë të akomoduar në 6 shtëpitë e foshnjës dhe fëmijës në të gjithë Shqipërinë.

Fëmijët kanë shprehur dëshirat e tyre në letra drejtuar Babagjyshit, dhe dhuratat për ta nuk kanë munguar. Çdo kuti me emrin e një prej fëmijëve mban brenda një dëshirë, një përqafim simbolik dhe një arsye më shumë për të buzëqeshur.

Kjo nismë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u mbështet nga deputetët e Partisë Socialiste në Kuvend për përmbushjen e dëshirës së çdo fëmije.

“Sepse kur bashkohemi, mund të bëjmë ndryshimin – një fëmijë, një dëshirë, një buzëqeshje në një kohë”, vuri në dukje MSHMS.

/k.s/j.p/

The post Festat e fundvitit, dhurata për 138 fëmijë pa kujdes prindëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Elbasani shkëlqen në dritat e festave të fundvitit

17 December 2025 at 20:33

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Dekoret dhe dritat shumëngjyrëshe i kanë dhënë një tjetër pamje qytetit të Elbasanit, i cili është zbukuruar për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Qendra e qytetit me muret e lashta të kalasë dhe portën madhështore të saj është shndërruar në një pikë tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga qendra e qytetit dhe atmosfera festive në qytet.

Dekorimi i qytetit dhe ndezja e dritave ka sjellë gëzim dhe shpresë për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për fëmijët, të cilët i shijojnë më shumë këto festa.

Sheshi kryesor i qytetit është mbushur me lodra për fëmijët, shtëpiza festive që ofrojnë pije e ëmbëlsira për të gjitha moshat, dhe një pemë e madhe e Vitit të Ri që ngrihet si simbol i kësaj feste, duke ftuar këdo të bashkohet në atmosferën e gëzueshme.

Ky fundvit sjell edhe një seri aktivitetesh festive dhe kulturore që zgjasin gjatë gjithë muajit dhjetor.

/k.s/a.f/

The post Elbasani shkëlqen në dritat e festave të fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shatërvani i Trevit drejt pagesës, masa për të frenuar mbipopullimin

By: gaze tare
16 December 2025 at 20:37

Vizita në një nga simbolet më ikonike të Romës mund të mos jetë më falas për turistët. Duke nisur nga 7 janari, autoritetet lokale po shqyrtojnë vendosjen e një bilete prej 2 eurosh për vizitorët që dëshirojnë të shohin nga afër Shatërvanin e Trevit, ndërsa banorët e kryeqytetit italian do të vazhdojnë të kenë akses falas.

Sipas Corriere della Sera, kjo masë synon të përballojë fluksin e jashtëzakonshëm të turistëve dhe pritet t’i sjellë arkës së qytetit rreth 20 milionë euro në vit. Prej rreth një viti, hyrja në zonën përreth shatërvanit është e kufizuar, duke lejuar një maksimum prej 400 personash njëkohësisht, si pjesë e masave kundër mbipopullimit.

Me nisjen e vitit të ri, parashikohet edhe organizimi i aksesit në dy korsi të ndara: një për banorët e Romës dhe një tjetër për turistët. Pagesa e biletës do të mund të kryhet edhe përmes kartës së kreditit, në përpjekje për ta bërë procesin sa më të shpejtë dhe funksional.

Vendimi mbështetet nga Këshilltari për Turizmin dhe Ngjarjet e Mëdha, Alessandro Onorato, si dhe nga administrata e qytetit, të cilët argumentojnë se masa është e domosdoshme për të mbrojtur Shatërvanin e Trevit një kryevepër e barokut të vonë, e projektuar nga arkitekti Nicola Salvi. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, monumenti u vizitua nga mbi 5.3 milionë persona, një shifër që tejkalon edhe vizitat vjetore të Panteonit gjatë gjithë vitit 2024.

Fondet e mbledhura nga biletat pritet të përdoren për përmirësimin e shërbimeve, mirëmbajtjen e monumentit dhe rritjen e cilësisë së ofertës turistike, duke garantuar një përvojë më të sigurt dhe më të organizuar për vizitorët.

Megjithatë, burime nga Bashkia e Romës sqarojnë se vendosja e tarifës mbetet ende një hipotezë pune. Deri më tani nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar dhe nuk janë caktuar data zyrtare për zbatimin e masës.

Ndërkohë, ideja ka hasur edhe kundërshtime. Shoqata e konsumatorëve Codacons është shprehur kundër asaj që e quan “monetizim të monumenteve dhe shesheve historike”, duke theksuar se bukuritë e Romës duhet të mbeten të aksesueshme falas për të gjithë. Po ashtu, Codacons ka ngritur dyshime mbi mënyrën se si do të përdoren fondet e mbledhura.

The post Shatërvani i Trevit drejt pagesës, masa për të frenuar mbipopullimin appeared first on iconstyle.al.

Teatri i Kukullave ndez dritat e festave dhe hap muzeun e trashëgimisë artistike

6 December 2025 at 19:47

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Teatri Kombëtar i Kukullave festoi dje 75-vjetorin e krijimit, një jubile që shënon historinë e një institucioni të dashur për breza të shumtë fëmijësh.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momentet nga ndezja e dritave të festave te Teatri i Kukullave i cili sipas tij u kthye në një moment magjik së bashku me vogëlushët e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.

Rama bëri të ditur se “në 75-vjetorin e teatrit u hapën edhe hapësirat muzeale të trashëgimisë artistike, me personazhet më të dashura e më të njohura të skenës”.

I themeluar më 6 dhjetor 1950, në godinën e ndërtuar në vitin 1925, e cila dikur ka qenë selia e parë e Parlamentit shqiptar, Teatri i Kukullave vijon të mbetet shtëpia më e dashur e artit për të vegjlit.

Artistët që i kanë dhënë jetë këtij institucioni ndër vite kujtojnë me emocion rrugëtimin e gjatë të teatrit.

Për të shënuar këtë 75-vjetor, Teatri i Kukullave ka përgatitur një program të gjerë festiv, ndriçimin e pemës së fundvitit, si dhe hapjen e ambienteve të reja muzeale për fëmijë dhe të rritur.

Deri më 30 dhjetor, fëmijët do të mund të ndjekin shfaqje falas, ndërsa vizitorët do të përfitojnë guida muzeale pa pagesë.

Me këtë rast kujtohen figurat e para që ngritën artin e kukullës në Shqipëri: Zija Grapshi, Xhavit Xhepa, Xhavit Sallaku, Lorenc Pepa, Mirketa Çobani, Zef Kurti, Eva Pëllumbi, Melpomeni Çobani, Bakie Baboçi, Shegushe Bebeti e shumë të tjerë.

Janë pikërisht këta artistë që kanë bërë të paharrueshme personazhe ikonike si Pinoku, Borëbardha, Ujku, Gjergj Elez Alia, Bardhoshja dhe Zana, duke lënë gjurmë të thella në kujtesën e publikut të vogël ndër vite.

Teatri fton të gjithë qytetarët të bashkohen në festimet e këtij viti jubilar, duke rikthyer emocionet e fëmijërisë dhe duke përjetuar magjinë që ka shoqëruar prej dekadash publikun më të pastër, fëmijët.

/m.q/a.f/

The post Teatri i Kukullave ndez dritat e festave dhe hap muzeun e trashëgimisë artistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ka nisur shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët në Elbasan

By: lindita
4 December 2025 at 10:47

Shpërndarja e bonusit të fundvitit ka nisur zyrtarisht në të gjitha zyrat postare të Bashkisë Elbasan dhe në mbarë vendin. Rreth 25,400 pensionistë në territorin e Bashkisë Elbasan kanë filluar tashmë të marrin shpërblimin e akorduar nga Qeveria Shqiptare për fundin e vitit. Procesi i shpërndarjes po vijon normalisht në të gjitha njësitë postare, duke garantuar që çdo përfitues ta marrë…

Source

Ibrahimaj: 762.740 pensionistë do të përfitojnë bonusin e fundvitit

26 November 2025 at 19:12

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se janë gjithsej 762.740 pensionistë dhe përfitues të tjerë që do të përfitojnë bonusin e fundvitit deri në 15 mijë lekë.

Nga këta, 640.325 janë pensionistë pleqërie, 2322 përfitues të pensionit social, 65.232 persona që marrin pension invaliditeti, 48.087 përfitues të pensionit familjar dhe 6774 persona me trajtime të veçanta financiare, përfshirë minatorë të nëntokës, punonjës të ish-ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarakë në pension të parakohshëm.

Ministrja bëri të ditur se bonusi do të jepet në dy nivele.

“Përfitojnë bonus 15 mijë lekë rreth 540.959 persona, përfshirë pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë, pensione invaliditeti, pensione familjare, pensione sociale, si dhe përfitues të trajtimeve të veçanta financiare, përfshirë veteranët e LANÇ-it dhe fëmijët në përkujdesje të Republikës. Bonus 10 mijë lekë përfitojnë rreth 221.781 persona, duke përfshirë pensionistët me pension mbi 20 mijë lekë dhe përfitues të trajtimeve të veçanta mbi këtë masë, përfshirë pensionet suplementare dhe trajtimet financiare për profesionet e vështira”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj theksoi se shpërblimi i fundvitit për pensionistët dhe përfituesit e trajtimeve sociale dhe financiare ka si qëllim të sjellë një mbështetje gjatë festave të fundvitit.

Pagesa e shpërblimit do të realizohet gjatë muajit dhjetor 2025. Përfituesit që nuk do ta tërheqin brenda këtij muaji, mund ta marrin deri më 30 qershor 2026. Pas kësaj date, shpërblimi parashkruhet dhe nuk mund të përfitohet më.

Zbatimi i këtij vendimi do të kryhet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare, për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent të shpërndarjes së shpërblimeve.

/r.e/

The post Ibrahimaj: 762.740 pensionistë do të përfitojnë bonusin e fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Orbanit i pëlqen zëdhënësja për media e Trumpit

8 November 2025 at 10:01


Kryeministri hungarez, Viktor Orban gjendet në një vizitë zyrtare në SHBA, ku gjatë ditës së djeshme është takuar me liderin amerikan, Trump.

“Vetëm shikoje atë! Duket se Orban ia ka vënë syrin Caroline Leavitt,” komentoi një nga bashkëpunëtorët e afërt të presidentit amerikan, Donald Trump.

Situata duket se ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve në skenën politike.

“Caroline, Kryeministri dëshiron që të punosh për të në Hungari. Të lutem, mos na lër, Caroline”, i tha presidenti amerikan, Donald Trump sekretarit të tij të shtypit, Caroline Leavitt. /Telegrafi/


Një vit nga tragjedia në Novi Sad, mijëra studentë bllokojnë rrugët në Serbi

By: V K
1 November 2025 at 12:56

Sot 1 nëntor, shënon përvjetorin e parë të shembjes së strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në Serbi, i cili nxiti valën e protestave që nuk po fashiten në vend, e që sot marrin hov sërish.

Me mijëra student mbërritën në Novi Sad që mbrëmjen e djeshme për të shënuar këtë ditë, e për të injektuar energji të re për atë që tashmë prej studentëve, protestuesve përshkruhet si “luftë për liri”.

Të rinjtë janë pritur në rrugë nga mijëra qytetarë me pishtarë, fishekzjarrë e brohoritje. Studentët në Beograd u bënë thirrje qytetarëve që nuk mund të jenë sonte në Novi Sad, që të mblidhen në kryeqytet.

Ata pritet të bllokojnë kryqëzimet pranë Fakultetit të Drejtësisë ose Fakultetit të Bujqësisë, për të shënuar një vjetorin e vdekjes së 16 vetëve që humbën jetën tragjikisht nga rënia e strehës prej betoni, episode ky që për tubuesit ishte pasojë e korrupsionit që fshihet pas shpërfilljes së rregullave të sigurisë dhe ndërtimit.

Nga protestat në rrugë dhe bllokadat e universiteteve, studentet janë zhvendosur drejt politikës tradicionale – dhe po kërkojnë zgjedhje të reja.

Presidenti Aleksandar Vuçiç deri më tani e ka hedhur poshtë këtë, por lë të kuptohet se kjo mund të ndodhë vitin e ardhshëm.

The post Një vit nga tragjedia në Novi Sad, mijëra studentë bllokojnë rrugët në Serbi appeared first on Albeu.com.

Tarifa e re për pasagjerët, kompanitë do paguajnë mbi 25 mln euro në vit për sistemin e Policisë

By: V K
27 October 2025 at 07:57

Një vendim i fundit i qeverisë i ngarkon kompanitë e transport ajror, tokësor dhe detar ndërkombëtar të pasagjerëve, me një tarifë prej 200 lekë për pasagjer për transmetimin e të dhënave të biletës në sistemin e Sektorit të Inteligjencës së Udhëtarëve (SIU), që do të menaxhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Duke marrë në konsideratë që, sipas INSTAT në vitin 2024 kanë hyrë dhe kanë dalë nga ajri dhe nga deti 12,3 mln pasagjerë vendas dhe të huaj, llogaritet që vetëm kompanitë ajrore dhe detare të pasagjerëve do të nisin t’i paguajnë shtetit shqiptar rreth 25 mln euro në vit apo gati 2.1 mln euro në muaj tarifë për transmetimin e të dhënave për pasagjerët.

Këtu nuk llogariten hyrjet e daljet në sistemin tokësor përmes linjave të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve.

Mbetet në dorë të kompanive, nëse këtë kosto shtesë prej 200 lekësh për pasagjer do e transferojnë në çmimin e biletave, apo do e mbajnë vetë.

Detyrimi për transmetimin e të dhënave përcaktohet në ligjin “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë” i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 26 Qershor 2025.

Ligji është përafruar me direktivën 2004/82 KE të Këshillit të Evropian të datës 29 prill 2004, “Për detyrimin e transmetimit të të dhënave të pasagjerit.

Sipas ligjit të miratuar të gjitha subjektet e licencuara për transport pasagjerësh në tokë, ajër dhe det do të çojnë të detajuar informacionet e pasagjerëve nga rezervimet e biletave në një sistem të unifikuar që quhet Sektori i Inteligjencës së Udhëtarëve (SIU). Sistemi do të menaxhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Ligji përcakton në mënyrë të detajuar se çdo transportues, që nënkupton operatorët e lincesuar për 3 llojet e transportit të udhëtarëve, përfshirë ata ajror, ujor dhe tokësor në SIU do të transmetojnë të paktën 3 herë në ditë të dhënat e udhëtimit të pasagjerëve.

Të dhënat e pasagjerit do të përmbajnë emër- mbiemër, datë rezervimi dhe lëshimi të biletës, adresë elektronike dhe numër telefoni, informacione për bagazhin, mënyrën si është bërë pagesa për biletën, statusin e check in-it, mosparaqitjen për check in-in ku është biletë pa rezervim etj.

Të gjitha këto të dhëna nga kompanitë ajrore, detare dhe ato të transportit rrugor të udhëtarëve do të dërgohen drejt Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimeve 24 deri 48 orë para nisjes së udhëtimit.

Më pas do të dërgohen të dhënat e pasagjerëve 60 dhe 180 minuta para nisjes së mjetit ajror, ndërsa mjetet ujore dhe rrugore do t’i nisin vetëm 60 minuta para nisjes.

Së treti të dhënat e pasagjerëve do të transmetohen, pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe nuk mund të ndryshojnë dokumentet e udhëtimit të pasagjerëve.

Ligji përcakton se transportuesi ose operatori ekonomik i tij, që dërgon të dhënat në sistemet e përpunimit të të dhënave të SIU-t, paguan një tarifë për këtë qëllim, që përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Këshilli i Ministrave me vendimin e miratuar në mbledhjen e fundit, që tashmë ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, ka përcaktuar se kjo tarifë do të jetë 200 lekë për pasagjer.

Pra do të jenë kompanitë private që do të paguajnë tarifë 200 lekë, për çdo pasagjer që kanë transportuar në hyrje dhe dalje të Shqipërisë në muajin paraardhës.

Tarifa për transmetimin e informacionit të udhëtimit, për një vit nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, është në vlerën 200 (dyqind) lekë për pasagjer. Pas vitit të parë, vlera e tarifës rishikohet dhe caktohet në vlerë fikse të rishikueshme çdo 3 (tre) vjet.

Monitor kontaktoi Ministrinë e Brendshme, për të sqaruar se nga kush do të paguhet kjo tarifë dhe arsyet e transmetimit të të dhënave.

Ministria e Brendshme shpjegoi se tarifa do të paguhet nga kompanitë dhe shërben për transmetimin dhe mirëmbajtjen e të dhënave në SIU, një sistem i domosdoshëm për shtetin shqiptar për të parandaluar fenomene kriminale.

“Tarifa për transmetimin e informacionit të pasagjerit, e parashikuar në ligjin 38/2025 “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”, paguhet nga transportuesit (kompanitë e transportit ajror, detar, tokësor) për çdo pasagjer, dhe i shërben mbulimit të kostove teknike për procesin e transmetimit të të dhënave, i cili është i domosdoshëm për shtetin shqiptar, pasi ndihmon në: Identifikimin e rreziqeve apo kërcënimeve ndaj sigurisë, të panjohura më parë; zbulimin apo ndjekjen e rrjeteve apo veprimtarive kriminale ndërkombëtare; rreziqe të tjera ndaj sigurisë kufitare; si dhe identifikimin dhe ndalimin e kriminelëve ndërkombëtarë dhe kërcënime të tjera, gjatë kalimeve kufitare”.

BE e mbulon vetë, Në Shqipëri a do të transferohet kjo kosto në çmimin e biletës

Të dhënat sipas përcaktimeve në ligj, do të ruhen deri në 5 vjet në sistemin SIU që menaxhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe shërben për çështje sigurie, por meqë kjo tarifë do të paguhet nga transportuesi, a do të këtë kosto shtesë te bileta e udhëtarëve?

Nëpërmjet këtij ligji qeveria synon të mbledhë në një server inteligjent të dhënat e biletave të udhëtareve në hyrje dhe dalje të Shqipërisë, në një sistem që kostoja e transmetimit do të mbulohet nga tarifa që do të paguajnë kompanitë për çdo pasagjer që kanë transportuar në dalje dhe hyrje të Shqipërisë.

Në Bashkimin Europian kompanitë e pasagjerëve kanë detyrimin e transmetimit të të dhënave, por transmetimi i të dhënave është detyrim pa tarifë, dhe kostot mbulohen nga shteti ose fondet e BE-së.

Përvoja ka treguar që çdo kosto shtesë që i vendoset kompanive normalisht këta të fundit e kalojnë në tarifa për pasagjerët./ Monitor

The post Tarifa e re për pasagjerët, kompanitë do paguajnë mbi 25 mln euro në vit për sistemin e Policisë appeared first on Albeu.com.

❌
❌