Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rrugët drejt destinacioneve turistike dimërore, lehtësisht të kalueshme me goma dimri

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Edi Rama (@ediramaal)

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Bujtina Trojani në Lëpushë është “ftesë” për të shijuar bukuritë e Alpeve shqiptare në dimër.

Mes petkut të bardhë të dëborës, sportit të skive, bukurive të natyrës alpine dhe ushqimit tradicional, ky investim i familjes Trojani mikpret vizitorët që shkojnë në Lepushë dhe Këlmend.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale videon e guesthousetrojani, ku vajza 11- vjeçare me emrin Suela, së bashku me familjen e saj mikpresin mes traditës dhe bukurive natyrore.

“Aty ku mrekullia e natyrës dhe e shqiptarit jetojnë më bukur se kudo. Këto vende jetojnë me turizëm në të 4 stinët. Rrugët janë lehtësisht të kalueshme me goma dimri për Lepushë dhe Këlmend”, shkruan Rama.

Ndërkohë, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u shpreh se destinacionet turistike malore vijojnë të jenë të aksesueshme.

Sipas tij, “edhe pse ka pasur reshje të dendura dëbore, falë punës së koordinuar në terren nga bashkitë dhe autoritetet përkatëse, akset rrugore që lidhin pikat turistike janë pastruar dhe funksionale, duke mundësuar lëvizje të sigurt për vizitorët dhe operatorët turistikë”.

“Fundjavat në zonat malore po kthehen në një alternativë ndryshe pushimi për familjet dhe të rinjtë, duke kombinuar natyrën, sportet dimërore dhe mikpritjen lokale, si një mundësi e mirë për zhvillim dhe promovim të turizmit gjatë gjithë vitit”, tha Gonxhja.

Gonxhja shtoi se “në disa raste trafiku dhe numri i lartë i mjeteve rrugore në të njëjtën kohë, drejt destinacioneve fundore, ka krijuar ngadalësim lëvizjeje e radhë pritjeje por kërkohet mirëkuptimi i qytetarëve, ndërsa policia dhe autoritetet rrugore vijojnë monitorimin dhe informimin”.

/e.i/j.p/

The post Rrugët drejt destinacioneve turistike dimërore, lehtësisht të kalueshme me goma dimri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Procedim penal 33-vjeçares në Durrës, braktisi 3 fëmijët e mitur

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Tri fëmijë të mitur në Durrës janë marrë në mbrojtje nga Shërbimi Social, pas denoncimit nga gjyshja se ish-nusja e djalit i kishte lënë vetëm.

Policia Durrës njofton se specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Sipas Policisë, procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.

Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

MSHMS: Grupi Teknik Ndërsektorial do të vendosë mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve

Pas sinjalizimit nga media ditën e sotme, mbi braktisjen e mundshme të tre fëmijëve nga nëna e tyre, Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit mori deklaratat përkatëse nga nëna, fëmijët dhe gjyshja e tyre.

Sipas një njoftimi nga MSHMS, tre fëmijët u dërguan në Spitalin Rajonal Durrës, ku po qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe veshmbathja e nevojshme.

Në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve.

/e.i/j.p/

The post Procedim penal 33-vjeçares në Durrës, braktisi 3 fëmijët e mitur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trafik i rënduar në rrugën e Dajtit

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e borës të orëve të fundit kanë qenë një arsye më shumë që qytetarët t’i drejtohen Parkut Kombëtar të Dajtit për një aventurë mes natyrës dhe borës.

Por, e gjithë situatë ka sjellë trafik të rënduar dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve në aksin që lidh Tiranën me Dajtin.

Fluksi i lartë i qytetarëve që kanë zgjedhur Dajtin për të shijuar dëborën, ka krijuar radhë të gjata automjetesh dhe lëvizje të ngadaltë në këtë zonë.

Më herët, drejtuesja e komanduar e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani u shpreh se aksi rrugor Qafë Priskë – Shëngjergj, i cili ishte i mbuluar nga bora, është pastruar dhe është trajtuar me kripë për të mundësuar qarkullimin e automjeteve.

Megjithatë, për shkak të temperaturave të ulëta dhe mundësisë së ngricave, u është bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ulin shpejtësinë gjatë lëvizjes dhe të sigurohen që automjetet të jenë të pajisura me zinxhirë dëbore për gomat, me qëllim shmangien e aksidenteve.

/e.i/j.p/

The post Trafik i rënduar në rrugën e Dajtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Situata nga reshjet në Fier e qëndrueshme, hidrovorët në punë

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Pas reshjeve të ditëve të fundit, situata në territorin e bashkisë Fier është e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse dhe specialistët e terrenit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla u shpreh sot nga inspektimi në hidrovorët Hoxhara 1 dhe 3 në Darzezë të Fierit, se situata është në monitorim të plotë.

Salla tha se hidrovorët Hoxhara 1 dhe Hoxhara 3, ashtu si të gjithë hidrovorët në të gjithë territorin e Shqipërisë, kanë qenë në punë pa ndërprerje gjatë reshjeve intensive, për menaxhimin e prurjeve të larta dhe lehtësimin e situatës në zonat bujqësore.

Ministri Salla u shpreh se ekipet kanë monitoruar në terren 24/7 gjithë situatën e shkaktuar për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Salla falënderoi të gjithë ekipet që kanë qenë në gatishmëri të plotë ndaj këtyre ditëve të vështira, por shtoi se duhet akoma vigjilencë.

/e.i/j.p/

The post Salla: Situata nga reshjet në Fier e qëndrueshme, hidrovorët në punë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spitali Rajonal Shkodër, në gatishmëri për çdo shërbim shëndetësor në kushte të vështira të motit

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut dhe borës dhe përkeqësimi i motit të këtyre ditëve ka nxjerrë në gatishmëri të gjitha ekipet shëndetësore dhe emergjencat në të gjithë vendin.

Spitali Rajonal Shkodër, ka funksionuar pa asnjë ndërprerje 24/7, përmes masave të menjëhershme organizative dhe operacionale të ndërmarra.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi se falë këtyre masave, nuk është cenuar në asnjë moment shërbimi ndaj shëndetit të qytetarëve.

Stafi mjekësor me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim ka përballuar me sukses situatën dhe duke garantuar vijimësinë e çdo shërbimi.

Sipas MSHMS, spitali Rajonal Shkodër mbetet i angazhuar e në gatishmëri të plotë duke dhënë shërbim shëndetësor 24/7 dhe duke qenë pranë çdo qytetari edhe në kushte të jashtëzakonshme.

Koordinimi i vazhdueshëm me spitalet rajonale, 36 njësitë vendore të kujdesit shëndetësor dhe katër drejtoritë rajonale vazhdon në të gjithë vendin. MSHMS bëri me dije se përmes raportimeve të përditësuara dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, me qëllim garantimin e një reagimi të shpejtë, është ndërtuar një sistem shëndetësor efektiv për çdo situatë.

/e.i/j.p/

The post Spitali Rajonal Shkodër, në gatishmëri për çdo shërbim shëndetësor në kushte të vështira të motit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zyliha Miloti feston 80-vjetorin e lindjes

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Artistja ikonë e humorit shqiptar, Zyliha Miloti feston sot 80-vjetorin e lindjes.

E lindur dhe e rritur në Shkodër, Miloti i ka dhënë skenës së artit dhe humorit shqiptar, qindra role dhe personazhe në teatër dhe kinema. Figura e saj ka shoqëruar breza të tërë artdashësish duke sjellë humor të spikatur dhe të qeshura.

Zyliha Miloti, është vlerësuar me titullin Mjeshtre e Madhe dhe tituj të tjerë të shumtë, për kontributi e saj të çmuar në artin dhe kulturën shkodrane dhe më gjerë.

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së saj, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci përcolli urimet e tij.

“Që në moshën 14-vjeçare, ajo u ngjit për herë të parë në skenë dhe 66 vite më pas, vazhdon ende të dhurojë humor të pakrahasueshëm. Me personazhe që na kanë bërë të qeshim e të reflektojmë, dhe batuta që kanë kaluar nga një brez te tjetri, Zyliha Miloti ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat e humorit shqiptar”, tha Beci.

Zyliha Miloti nderohet jo vetëm si një artiste e spikatur, por edhe si një figurë që ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e parodisë shkodrane dhe artit shqiptar.


/e.i/j.p/

The post Zyliha Miloti feston 80-vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi: “Durana” si inceneratorët, parku teknologjik nuk ekziston

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh sot nga Xhafzotaj e Durrësit se “Durana Tech Park”, një qendër ku operojnë një numër i madh biznesesh në fushën e teknologjisë dhe të Start-up-eve, është thjesht dhe vetëm një livadh.

“Kjo zonë gëzon status të veçantë, dhe është një parajsë fiskale për zhvillimin ekonomik dhe ku operojnë, të paktën, 46 kompani në fushën e teknologjisë, por numri i tyre, në fakt, llogaritet të jetë mbi 100. E ngjashme me skemën kriminale të inceneratorëve, nuk ka një tullë të vendosur e jo më të flitet për një park Teknologjik.  Parku ekziston vetëm në këtë projekt 3D të Edi Ramës”, u shpeh Blushi.

Sipas Blushit, “Durana Tech Park” rezulton e regjistruar në 20 shkurt të vitit të kaluar, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku kompanitë përfitojnë 0% tatim mbi fitimin për një periudhë 15-vjeçare për të gjitha të ardhurat që gjenerojnë nga veprimtari.

“Përjashtim nga TVSH-ja për mallrat dhe shërbimet e përdorura për qëllime kërkimi dhe zhvillimi. Lehtësime në sigurimet shoqërore, ku kontributet mund të paguhen mbi bazën e pagës minimale për një periudhë të caktuar. Përjashtim nga të gjitha taksat për një periudhë 10-vjeçare për pagat e personelit që punon në kërkim-zhvillim në këtë park inekzistent”, tha Blushi.

Sekretari i Përgjitshëm i PL-së, i bëri ftesë SPAK-ut që të vizitojë livadhin dhe të tregojë godinën e “Durana Tech Park”, për të cilën sipas Blushit u dhanë edhe certifikatat e para dhe u njoftua se të paktën 40 rezidentë ndodheshin në këtë godinë.

/e.i/j.p/

The post Blushi: “Durana” si inceneratorët, parku teknologjik nuk ekziston appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët shijojnë Qafë Thanën e “zbardhur” nga bora

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e borës të rëna gjatë orëve të fundit në Qafë Thanë kanë krijuar një panoramë të jashtëzakonshme dimërore.

E “veshur” tërësisht nga petku i bardhë i borës, Qafë Thana ka tërhequr qytetarë dhe vizitorë që kanë zgjedhur këtë vend për të kaluar momente çlodhjeje dhe argëtimi në natyrë.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale, pamje të qytetarëve, mes tyre familje e fëmijë përgjatë përgjatë segmentit të Qafë Thanës që shijojnë momente të bukura të lojës me borë.

Vizitorët kanë shfrytëzuar reshjet për të luajtur me borë, për të bërë fotografi, duke gjallëruar këtë pikë turistike edhe gjatë muajit të parë të vitit.

Autoritetet rrugore kanë bërë të ditur se qarkullimi i automjeteve vijon normalisht, megjithatë drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, të përdorin goma dimërore dhe të respektojnë udhëzimet e Policisë Rrugore, për shkak të rrugës së rrëshqitshme.

Pika në Qafë Thanë po shndërrohet në një alternativë ideale për turizmin dimëror, duke ofruar pamje unike për vizitorët vendas dhe ata të huaj.

/e.i/j.p/

The post Qytetarët shijojnë Qafë Thanën e “zbardhur” nga bora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacion kërkim-shpëtimi për gjetjen e të riut pas aksidentit në Klos

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Polumbarët e Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar në një operacion kërkim-shpëtimi për gjetjen e të riut që dyshohet se u mor nga rrjedhja e lumit Mat në Klos ditën e djeshme.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh se polumbarët e Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe 22 efektivë të Forcave të Armatosura po vijojnë pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e të riut që dyshohet se u mor nga rrjedha e lumit Mat pas një aksidenti me makinë.

Vengu tha se “me ndihmën e dronëve dhe pajisjeve të specializuara, çdo metër terreni po kontrollohet, nga ura e Darsës në Klos deri në bashkinë e Matit”.

Ngjarja e rëndë u shënua gjatë natës së djeshme në Klos, ku një automjet tip “Audi” me targa angleze doli nga rruga dhe ra në përroin e fshatit Dars.

Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit, 24-vjeçari me iniciale A. L., u largua nga vendngjarja pa njoftuar policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej me të në makinë.

Policia arriti ta identifikonte dhe ta arrestonte të riun pak kohë pas ngjarjes.

Situata mbetet kritike për pasagjerin e mjetit, shtetasin J. K., 30 vjeç, për të cilin vijojnë prej orësh kërkimet e specializuara.

/e.i/j.p/

The post Operacion kërkim-shpëtimi për gjetjen e të riut pas aksidentit në Klos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pastrim i vijës bregdetare në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Punonjës të shërbimeve publike janë angazhuar për largimin e mbetjeve urbane dhe pastrimin e vijës bregdetare në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë.

Për shkak të motit të keq dhe dallgëve të forta, deti në Plazhin e Vjetër të Vlorës ka nxjerrë në breg mbetje të ndryshme. Ndaj, këtë fundjavë, aksioni u përqendrua në këtë pikë të vijës bregdetare për pastrimin e zonës dhe rikthimin në gjendjen e duhur.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje të këtij aksioni, ku grupet e punës së Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike Vlorë me mjetet e punës pastruan vijën bregdetare në Plazhin e Vjetër.

Aksionet për pastrimin dhe mbajtjen pastër të vijës bregdetare do të intensifikohen gjatë muajve në vijim, në prag të sezonit veror, për të garantuar një vijë bregdetare të pastër dhe mikpritëse për qytetarët vendas dhe turistët e huaj.

/e.i/j.p/

The post Pastrim i vijës bregdetare në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama sulmoi drejtësinë për interesat e veta

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi në rrjetet sociale pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim” lidhur me nevojën për reflektim serioz ndaj politikës penale në vend.

Berisha tha se Kryeministri Rama sulmoi drejtësinë për të mbrojtur interesat e veta dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Kjo dëshmon se ai nuk pranon dhe nuk do të pranojë vendimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, meqë sipas tij ata nuk janë të paanshëm dhe janë injorantë, jo cilësorë”, tha Berisha, ndërsa theksoi se me këtë qëndrim, Rama sërish pranon fajësinë e tij.

“Ky qëndrim është një apel për çdo shqiptar të ngrihet për largimin e tij nga pushteti, një ditë e më pare”, vijoi Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe te situata në vend për shkak të motit të keq të ditëve të fundit, ku u shpreh se “Rama sot nuk foli për hallin e dhjetëra mijëra qytetarëve që nga Gjirokastra në Shkodër që kanë banesat të përmbytura”.

“Me këtë, ai mirë bëri, sepse përveç motit, shkak tjetër madhor i gjendjes së tyre të vështirë është vetë ai dhe ministrat e tij që, të pangopur, kanë vjedhur fondet e investimeve në infrastrukturën mbrojtëse nga përmbytjet”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama i cili ka bllokuar nëpërmjet 83 mandateve heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, përsëri sulmoi drejtësinë si të paanshme dhe jo cilësore.

/e.i/j.p/

The post Berisha: Rama sulmoi drejtësinë për interesat e veta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq, shërbimet e Policisë në gatishmëri të shtuar në terren

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Strukturat e Policisë së Shtetit janë gatishmëri të shtuar në terren për shkak të motit të keq.

Policia njofton se vijojnë patrullimet, monitorimi i zonave urbane dhe rurale për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës dhe qytetarëve në rast nevoje, si dhe për parandalimin e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Rreth 5500 punonjës të Policisë së Shtetit kanë qenë të angazhuar në territor duke mbështetur të gjitha strukturat për shkak të motit të keq. Ndërsa, janë 700 mjete të Policisë së Shtetit të cilat janë vendosur në dispozicion për të mbështetur dhe ndihmuar qytetarët në të gjithë vendin.

Për shkak të motit të keq dhe fushëpamjes së kufizuar gjatë natës, Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të moderojnë shpejtësinë dhe të telefonojnë në 112 në rast nevoje.

/e.i/r.e/

The post Moti i keq, shërbimet e Policisë në gatishmëri të shtuar në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët e prekur nga përmbytjet protestojnë sërish në Durrës

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Dhjetëra qytetarë të prekur nga përmbytjet kanë dalë sot sërish në protestë përpara bashkisë së Durrësit.

Me pankarta dhe megafonë në duar ata kanë kërkuar që të merren masa konkrete për të përmirësuar situatën në qytetin bregdetar.

Qytetarët kanë shprehur revoltim ndaj institucioneve pas përmbytjeve masive që kanë goditur zonat urbane dhe periferike të qytetit këtë javë. Reshjet masive të këtyre ditëve kanë shkaktuar dëme në banesa, toka bujqësore dhe infrastrukturë, ndërsa qytetarët në protestë përsëritën sot thirrjet për llogaridhënie dhe zgjidhje të situatës.

Në tubimin e ditës së sotme, të pranishëm ishin edhe eksponentë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.

Gjithashtu, në protestë morën pjesë banorë të zonës së ish-Kënetës dhe të tjera zona të përmbytura të Durrësit, të cilët vijojnë të përballen me pasojat në banesa, biznese dhe toka bujqësore.

Qytetarët kërkuan veprime më konkrete dhe të menjëhershme nga institucionet për të parandaluar dëmet në banesa dhe biznese.

Protestuesit kërkuan vlerësimin e saktë dhe të plotë të dëmeve që u janë shkaktuar nga përmbytjet dhe menjëherë pas këtij procesi, shpërndarjen e dëmshpërblimit të merituar. Shumë prej tyre pretenduan se nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet e humbjeve të shkaktuara nga moti i keq vitin e kaluar, por edhe më parë.

Ditën e djeshme gjatë qëndrimit para bashkisë Durrës, ka pasur edhe tensione me forcat e policisë, ndërsa qytetarët tentuan të hyjnë në ndërtesë për të kërkuar përgjegjësi direkte nga zyrtarët e këtij institucioni.

/e.i/r.e/

The post Qytetarët e prekur nga përmbytjet protestojnë sërish në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rihapet segmenti rrugor në njësinë administrative Dardhas

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Segmenti rrugor në njësinë administrative Dardhas, bashkia Pogradec, është rihapur pas dëmtimit për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole në një videomesazh, së bashku me deputetin e Pogradecit Bledi Çomo, ishin në njësinë administrative Dardhas për ta inspektuar këtë segment rrugor.

Bashkia e Pogradecit me mjetet e saj dhe me ndihmën e kompanive private – me kërkesë të institucionit të Prefektit – arriti të zhvendosë të gjithë masivin e shembur e të mbushë trupin e rrugës, duke mundësuar kështu kalimin e automjeteve drejt pesë fshatrave që janë pjesë e kësaj njësie administrative.

“Kemi marrë masat së bashku me strukturat e bashkisë së Pogradecit dhe jemi gjendur që në momentet e para në ndihmë të komunitetit për të administruar një situatë komplekse duke qenë se rrëshqitja ka qenë e konsiderueshme”, tha Jole.

“Bashkia ka organizuar struktura e veta vendore, ka siguruar lëndën e parë për të bërë rregullimin e segmentit rrugor. Interesi ka qenë maksimal që në momentet e para. Besojmë që shumë shpejt do krijohet shtrati i nevojshëm që të sigurohet qarkullimi për pesë fshatrat e njësisë administrative Dardhas”, vijoi ai.

Jole se tha se në kohën më të shpejtë të mundshme, u realizua rihapja e këtij segmenti rural pa një rrugë alternative, për t’i mundësuar banorëve qarkullimin, si një shërbim jetik për komunitetin e zonës.

/e.i/r.e/

The post Rihapet segmenti rrugor në njësinë administrative Dardhas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urgjenca e spitalit Memorial në gatishmëri për çdo qytetar

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Përkeqësimi i motit për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe borës ka vënë në gatishmëri të gjitha strukturat shëndetësore në vend.

Stafet e mjekëve dhe infermierëve të urgjencave dhe qendrave shëndetësore po ofrojnë ndihmë të specializuar mjekësore për banorët në zonat e përmbytura, si edhe për qytetarët që kanë shfaqur problematika shëndetësore.

Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot se “Urgjenca e Spitalit Rajonal Memorial në Fier dhe të gjitha ekipet e urgjencës spitalore në qytetet e prekura nga moti i keq, vijojnë të jenë në gatishmëri 24/7 për çdo qytetar që ka nevojë për ndihmë mjekësore”.

Për të garantuar shërbim shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt, në këto ditë me mot të përkeqësuar në të gjithë vendin, e sidomos në zonën e jugut të vendit, ekipet e emergjencave dhe mjekët e Urgjencës së Spitalit Rajonal Memorial Fier janë në gatishmëri 24 orë në 7 ditët e javës.

“Po i përgjigjemi udhëzimeve dhe politikave të MSHMS duke pasur në urgjencën e spitalit çdo nevojë në medikamente dhe materiale. Mjekët dhe ekipet janë këtu në dispozicion të të gjithë qytetarëve që do kenë nevojë qoftë edhe për rastet kur ndjejnë një lloj ankthi apo stresi për gjithë situatën emergjente të krijuar”, tha Rudina Degjoni, drejtoreshë e Spitalit Rajonal Memorial Fier.

Në të gjithë vendin, vijon koordinimi i vazhdueshëm me spitalet rajonale, 36 njësitë vendore të kujdesit shëndetësor dhe katër drejtoritë rajonale, përmes raportimeve të përditësuara dhe komunikimit të drejtpërdrejtë.

Në zonat e prekura nga moti i keq dhe përmbytjet janë realizuar 174 misione për transportimin e pacientëve drejt strukturave spitalore dhe 243 misione për trajtim në vendngjarje.

/e.i/r.e/

The post Urgjenca e spitalit Memorial në gatishmëri për çdo qytetar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Evakuohet familja bashkë me qenushin në Vlorë

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe Policia e Shtetit po vazhdojnë operacionin e transportit të banorëve në zonat e rrethuara nga uji në Novoselë drejt konviktit të qytetit të Vlorës.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau pamje nga puna e strukturave të Emergjencave Civile në terren në Novoselë. Nga pamjet vihet re se strukturat kanë evakuuar, edhe një familje bashkë me qenin e tyre.

Familja mbeti e izoluar në banesë për shkak të rritjes së nivelit të ujit, i cili përmbyti rrugët dhe oborret përreth. Në ndihmë u angazhuan forcat e Emergjencave Civile, Policia dhe shërbimi zjarrfikës, të cilët ndërhynë me mjete lundruese për të nxjerrë anëtarët e familjes dhe katërputroshin e tyre.

Autoritetet lokale në Vlorë, apelojnë për kujdes të shtuar dhe shmangie të lëvizjeve në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë të jenë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme.

/e.i/r.e/a.f/

The post Evakuohet familja bashkë me qenushin në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Organizohet turneu “Futsal Junior”

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Nga data 16 janar deri në 1 shkurt, në Parkun Olimpik “Feti Borova” në kryeqytet do të zhvillohet “Futsal Junior”, një aktivitet futbolli për fëmijët.

Ky aktivitet zhvillohet nga Federata e Futbollit, Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë dhe Agjencia e Parqeve Rekreative (APR).

FSHF njofton se turneu do të zhvillohet në Parkun Olimpik “Feti Borova” dhe është i vlefshëm për grup-moshat U-9, U-11 dhe U-13.

Ky aktivitet synon të promovojë futbollin e sallës, futbollin e moshave, të inkurajojë pjesëmarrjen aktive të fëmijëve dhe të mbështesë organizimin e turneve si një element kyç në rritjen dhe zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

Sipas FSHF-së, gjatë turneut, çdo ekip do të zhvillojë nga 4 deri në 6 ndeshje. Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë, si organizatore e aktivitetit, do të garantojë për çdo ndeshje arbitra, delegatë, staf mjekësor, si edhe mjetet didaktike të nevojshme për mbarëvajtjen e aktivitetit.

Turneu do të zhvillohet në Parkun Olimpik “Feti Borova” sipas këtij kalendari:

16 deri më 18 janar: ekipet e moshës U-13

23 deri më 25 janar: ekipet e moshës U-11

30 janar deri më 1 shkurt: ekipet e moshës U-9

/e.i/r.e/a.f/

The post Organizohet turneu “Futsal Junior” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urdhërohet evakuimi i menjëhershëm i banorëve në Sukth dhe Katundin e Ri

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes dhe bashkia e Durrësit urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të banorëve në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri.

Në zbatim Ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të njësisë administrative Sukth dhe Katund i Ri, bashkia Durrës.

Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.

Në njoftim thuhet se prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara.

Bashkia Durrës njofton se rransporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) dhe Forcat e Armatosura.

Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Njësitë e kujdesit shëndetësor dhe trukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës.

Sipas Bashkisë, në kuadër të këtij procesi do të sigurohet regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm, administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore dhe ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim.

Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.

Për çdo situatë emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrin e emergjencave.

/e.i/a.f/r.e/

The post Urdhërohet evakuimi i menjëhershëm i banorëve në Sukth dhe Katundin e Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kompleksi “Shefqet Lamçja” në Elbasan drejt standardeve moderne

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Kompleksi sportiv “Shefqet Lamçja” në Elbasan është drejt përfundimit dhe pritet të ofrojë kushte funksionale dhe bashkëkohore për sportistët.

FSHF bën me dije se punimet për rikonstruksionin e fushës me bar natyral në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja” po shkojnë drejt fazës përmbyllëse. Tashmë ka përfunduar ndërtimi i bazamentit si edhe janë realizuar punimet për sistemin modern të drenazhimit, depos së ujit dhe sistemin e vaditjes.

Sipas FSHF-së, muaji mars konsiderohet periudha më e përshtatshme për hedhjen e farës dhe mbjelljen e barit natyral, çka do t’i japë fushës formën përfundimtare.

Paralelisht me rikonstruksionin e fushës, bashkia Elbasan ka investuar në përmirësimin e ambienteve të kompleksit, përfshirë dhomat e zhveshjes, të cilat tashmë ofrojnë kushte më funksionale dhe bashkëkohore për sportistët.

“Ky investim është pjesë e një strategjie më të gjerë të zhvillimit të infrastrukturës sportive në vend, ku po punohet njëkohësisht në disa terrene futbolli, si në ndërtimin e impianteve të reja ashtu edhe në modernizimin e atyre ekzistuese. Qëllimi është krijimi i kushteve sa më cilësore për futbollistët dhe zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar”, thuhet në njoftim.

/e.i/r.e/a.f/

The post Kompleksi “Shefqet Lamçja” në Elbasan drejt standardeve moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MSHMS: Mjekët dhe infermierët në shërbim të qytetarëve edhe gjatë orëve të natës

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut dhe përkeqësimi i motit, kanë vënë në gatishmëri strukturat shëndetësore në të gjithë vendin.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në një njoftim zyrtar bën me dije, se mjekët dhe infermierët kanë qenë gjatë orëve të natës në shërbim të qytetarëve, në zonat e prekura nga kushtet e vështira të motit.

Sipas MSHMS, strukturat shëndetësore në të gjithë vendin kanë marrë masat e nevojshme për të garantuar shërbim shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët.

MSHMS njofton se janë marrë të gjitha masat, si aktivizim i plotë i shërbimit të urgjencës, forcim i koordinimit operacional me OSHKSH-në, pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave, monitorim i situatës çdo 3 orë dhe kontroll i vazhdueshëm i infrastrukturës si dhe verifikim i rezervave kritike: medikamente, materiale mjekësore, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë dhe pajisje emergjente.

Më tej, MSHMS cilëson se ekipet shëndetësore dhe strukturat e emergjencës në të gjithë vendin janë të angazhuar me përkushtim, profesionalizëm dhe gatishmëri 24/7, duke garantuar kujdes e mbështetje pa ndërprerje.

/e.i/

The post MSHMS: Mjekët dhe infermierët në shërbim të qytetarëve edhe gjatë orëve të natës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌