Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 9 February 2026Main stream

Sala në forumin WHX Dubai 2026: Sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve

9 February 2026 at 15:51

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala mori pjesë në WHX Dubai 2026, një nga forumet më të rëndësishme globale për shëndetësinë dhe inovacionin.

Ministrja Sala prezantoi rrugëtimin e Shqipërisë në shëndetësinë digjitale, nga një sistem i bazuar kryesisht në dokumente letre, drejt platformave kombëtare digjitale që sot përdoren çdo ditë nga mjekët dhe institucionet shëndetësore.

Ajo theksoi se, pavarësisht progresit të bërë, sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve, në mënyrë që informacioni shëndetësor të qarkullojë më lehtë, të shmangen përsëritjet e panevojshme dhe të lehtësohet puna e profesionistëve të shëndetit.

Ministrja nënvizoi gjithashtu se teknologjia ka vlerë vetëm kur përmirëson realisht kujdesin për pacientin dhe se hapi i radhës për Shqipërinë është ndërtimi i sistemeve të lidhura, të sigurta dhe të besueshme, në përputhje me standardet europiane.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala në WHX Dubai 2026
1 nga 4

/e.i/j.p/

The post Sala në forumin WHX Dubai 2026: Sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK, 51 incidente kibernetike të menaxhuara gjatë vitit të kaluar

9 February 2026 at 15:42

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike bëri me dije se gjatë vitit 2025, ka menaxhuar 51 incidente kibernetike në infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, duke garantuar monitorim dhe reagim të vazhdueshëm ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.

Sipas AKSK-së, incidentet e tipit DDoS kanë qenë më të shpeshtat, me 16 raste, ndërsa janë evidentuar edhe 9 raste të kompromentimit të aplikacioneve.

Sipas sektorëve, numri më i lartë i incidenteve është regjistruar në Infrastrukturën Digjitale (24 raste), e ndjekur nga Sektori Energjetik (6 raste) dhe Sektori i Telekomunikimit (5 raste).

Gjatë gjithë vitit, ekipi i Drejtorisë së Analizës së Sigurisë Kibernetike në AKSK kanë ofruar monitorim të vazhdueshëm, analizë teknike, koordinim institucional dhe mbështetje operacionale, duke siguruar izolimin, rikuperimin dhe rikthimin në funksion të shërbimeve.

AKSK thekson se “menaxhimi i incidenteve gjatë vitit 2025 tregon se shumica e rasteve kanë pasur impakt të ulët ose mesatar, falë reagimit të shpejtë dhe mbështetjes së vazhdueshme të ofruar për infrastrukturat digjitale publike”.

/e.i/j.p/

The post AKSK, 51 incidente kibernetike të menaxhuara gjatë vitit të kaluar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pagat e shëndetësisë, nga indeksimi 2.5% tek shtesat për vjetërsi pune dhe kompensimet mujore

9 February 2026 at 14:44

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Prej 1 janarit 2026 ka hyrë në fuqi skema e re e pagave për personelin e sistemit shëndetësor në vend.

Agjencia për Media dhe Informim (MIA) bëri me dije se në këtë skemë përfshihet rritje page bazë, shtesa më të larta për vjetërsi, urgjenca dhe shërbime kritike, si dhe mbështetje për punën në zona të largëta.

MIA informon se shtesat për vjetërsi në punë llogariten mbi pagën e pozicionit, ndërsa do të ketë një rritje progresive sipas viteve të shërbimit. Rritja do të jetë 0.6% për çdo vit (10 vitet e para), 0.8% për 20 vite pune dhe 1% për 30 vite shërbimi.

Gjithashtu, do të ketë shtesa për shërbimet kritike, të cilat llogariten, +18,000 lekë / muaj për mjekët në Urgjencë, Reanimacion, Hemodinamikë, Njësi AVC (Njësia e Aksidentit Vaskular Cerebral) dhe Neonatologji.

Sipas MIA-s, do të ketë shtesë +12,000 lekë / muaj për infermierë, teknikë imazherie dhe laboratori, urgjenca paraspitalore, urgjenca. Do të ketë pagesa të rritura dhe të diferencuara 2,700 lekë në ditë normale, 3,200 lekë në ditët e diela dhe festa dhe tarifa të veçanta për shërbime 24 orë, 16 orë dhe 12 orë.

Njëherësh, do të ketë kompensim mujor të rikonfirmuar për bluzat e bardha që ushtrojnë profesionin larg vendbanimit. Në këtë kategori përfshihen, mjekë dhe personel teknik. Kjo politikë e re pagash do të zbatohet në të gjitha institucionet shëndetësore publike, Ministria e Shëndetësisë, Forcat e Armatosura, Burgjet dhe Policia e Shtetit.

Me indeksim +2.5% dhe pagesa të diferencuara për roje e shërbime 24-orëshe, kjo paketë synon motivim, stabilitet dhe forcim të shëndetësisë publike.

/e.i/j.p/

The post Pagat e shëndetësisë, nga indeksimi 2.5% tek shtesat për vjetërsi pune dhe kompensimet mujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hetues e prokurorë shqiptarë, trajnim nga FBI për krimin kibernetik

9 February 2026 at 14:39

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Teknologjia dhe interneti janë bërë pjesë e jetës së përditshme, por mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet online mbetet një ndër përgjegjësitë më të mëdha të shoqërisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë shprehet se “ekspozimi i të miturve ndaj shfrytëzimit dhe kërcënimeve kibernetike po rritet me ritme shqetësuese, duke kërkuar reagim të koordinuar dhe rritje të kapaciteteve profesionale të institucioneve të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit”.

Nisur nga kjo qasje, ambasada e SHBA-ve pohon në një njoftim se ka mbështetur pjesëmarrjen e gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve dhe policisë gjyqësore të Shqipërisë në një trajnim të udhëhequr nga FBI-ja mbi Krimin Kibernetik dhe Hetimet e Shfrytëzimit të Fëmijëve në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara në Budapest.

Sipas ambasadës së SHBA-ve, këta zyrtarë iu bashkuan ekspertëve të tjerë nga e gjithë Europa për të diskutuar përhapjen e materialeve të shfrytëzimit të fëmijëve në internet, për të mësuar se si shpërndahet materiali i dëmshëm dhe si të identifikohen zhvillimet në internet në ndjekjen kibernetike, identifikimin e viktimave, shfrytëzimin kibernetik dhe shkelje të tjera.

Ambasada amerikane bën me dije se “këto aftësi do të ndihmojnë në përgatitjen e ekspertëve të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit në Shqipëri për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht ata që do të përdorin internetin për të dëmtuar fëmijët tanë”.

Ky angazhim dëshmon rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik dhe thekson se mbrojtja e fëmijëve mbetet një prioritet i përbashkët që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm dhe veprim të koordinuar.

Grupi i hetuesve dhe prokurorëve shqiptarë gjatë trajnimit nga FBI
1 nga 3

/e.i/j.p/

The post Hetues e prokurorë shqiptarë, trajnim nga FBI për krimin kibernetik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rama ndan pamje nga Vlora: Pasditet e dimrit, si pranverë

7 February 2026 at 19:26

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Moti i ngrohtë dhe temperaturat jo tipike për muajin shkurt, kanë bërë që qytetarë dhe turistë të shumtë të shijojnë ndryshe pasditen e sotme në Vlorë.

Të rinj që luajë basketboll buzë detit, të moshuar, prindër e fëmijë të grupmoshave të ndryshme shijojnë aktivitetet mes shëtitjeve, lojës në rërë, peshkimit etj.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga qyteti i Vlorës, duke i etiketuar “pasditet e dimrit në Vlorë, si pranverë”.

Në videon e publikuara shfaqet bregdeti dhe shëtitorja e qytetit nën rrezet e diellit, me qytetarë dhe vizitorë që shijojnë temperaturat e larta dhe motin e kthjellët.

Vlora vazhdon të tërheqë vizitorë të shumtë, duke u kthyer në një ndër destinacionet gjithëvjetore më të kërkuara.

/e.i/j.p/

The post Rama ndan pamje nga Vlora: Pasditet e dimrit, si pranverë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt

7 February 2026 at 19:10

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me demokratët sot në Kamzë në turin e Foltores u ndal te protesta kombëtare e paralajmëruar që do të zhvillohet në 10 shkurt.

Berisha tha se 10 shkurti është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Partinë Demokratike.

“Ju garantoj se Europa dhe çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt. Ai është mesazhi i të gjitha mesazheve. Dy protestat tona kanë qenë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë. Sepse kur të tjerët lexojnë për ato që s’kanë ndodhur kurrë, se nuk mundet kurrë një kryeministër t’i imagjinojë se nuk do i heqë imunitetin ministrit apo vetes së tij, në qoftë se kërkon drejtësia”, tha ai.

“Të dalim në shesh për t’i dalë zot vendit”, vijoi Berisha, ndërsa theksoi se kjo është koha  e guximtarëve.

Nga Foltorja në Kamzë, kreu i PD-së tha se kjo forcë politike ka një mision të rëndësishëm, të shpëtojë Shqipërinë nga diktatura, nga një regjim që bazohet në përçmimin e qytetarëve.

“Çdo qeveri që shkelmon votën e qytetarëve duhet të rrëzuar një minutë e më parë. Çdo qeveri që del nga vota e lirë e qytetarëve, por i vjedh qytetarët, humbet çdo legjitimitet për të qëndruar në pushtet. Dhe duhet të largohet një minutë e më parë. Pra, këtu jemi. Në njërën anë jemi ne, njerëz me ideale, njerëz që e duan këtë vend, njerëz që i besojmë Shqipërisë, që ia njohim të gjithë problematikën”, pohoi Berisha.

Kreu i PD theksoi se secili demokrat ka kritikat dhe pakënaqësitë e veta, por gjykon se vetëm me Partinë Demokratike mund të realizohen idealet.

Duke u ndalur tek problematikat në bashkinë e Kamzës, Berisha tha se irinfrastruktura ndodhet në rrënim e sipër.

 

/e.i/j.p/

The post Berisha: Çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nxënësi Neevis Hasani fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të Karatesë

7 February 2026 at 17:54

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Neevis Hasani, nxënës i shkollës “4 Dëshmorët”, ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të Karatesë të zhvilluar në Qipro.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro informoi se nxënësi Hasani fitoi medaljen e bronztë në kategorinë Cadet 52 kg, duke sjellë një tjetër sukses për sportin shqiptar.

Kumbaro e cilësoi përpjekjen e nxënësit si një rrugëtim të vështirë, përmes fitoreve së njëpasnjëshme me disa shtete, por që e ktheu Neevisin me fitore për Shqipërinë duke shpërblyer mundin, vullnetin dhe përkushtimin e tij e familjes.

Ky rezultat vjen si një tjetër arritje e rëndësishme jo vetëm për sportistin e ri, por edhe për shkollën dhe komunitetin që e mbështet, duke dëshmuar potencialin e talenteve që rriten në shkollat shqiptare.

/e.i/j.p/

The post Nxënësi Neevis Hasani fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të Karatesë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Java e 23-të e “Abissnet Superiore”, fitojnë Vllaznia, AF Elbasani, Egnatia dhe Partizani

7 February 2026 at 16:49

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Java e 23-të e kampionatit “Abissnet Superiore” u zhvillua të premten dhe të shtunën, duke konfirmuar edhe një herë rivalitetin dhe intensitetin e lartë të këtij sezoni, me ndeshje të luftuara, përmbysje dhe rezultate që ndikojnë drejtpërdrejt në renditje.

Në “Adush Muçaj”, Partizani arriti një fitore me përmbysje ndaj Bylisit, duke triumfuar 2-1 në një përballje të fortë dhe të luftuar deri në fund.

Ndërkohë, Vllaznia vijoi ecurinë perfekte, duke mposhtur FK Vorën 1-0 dhe duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në kampionat. Skuadra shkodrane kryeson renditjen me 45 pikë, duke konfirmuar formën e shkëlqyer.

Në “Elbasan Arena”, AF Elbasani fitoi me përmbysje ndaj Teutës me rezultatin 2-1, në një ndeshje me ritëm dhe intensitet të lartë.

Mbrëmjen e së premtes, në Vlorë, Egnatia u rikthye te fitorja pas katër ndeshjesh, duke triumfuar 1-0 ndaj Flamurtarit dhe duke marrë tre pikë të rëndësishme në vazhdimësinë e kampionatit.

Java u mbyll të shtunën në “Selman Stërmasi”, ku Tirana barazoi me Dinamo City 1-1. Bardheblutë u ngjitën në vendin e tetë të renditjes me 21 pikë.

Kampionati “Abissnet Superiore” vijon të ofrojë garë, spektakël dhe emocione, ndërsa çdo javë mbetet vendimtare në rrugëtimin e skuadrave drejt objektivave të sezonit.

/e.i/j.p/

The post Java e 23-të e “Abissnet Superiore”, fitojnë Vllaznia, AF Elbasani, Egnatia dhe Partizani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punohet për hapjen e rrugës Theth-Ndërlysaj, e bllokuar nga rrëshqitja e gurëve

7 February 2026 at 16:36


TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Moti i keq ka sjellë sërish rrëshqitje dherash në aksin rrugor Theth-Ndërlysaj.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci bëri me dije se pas këtij fenomeni, ekipet janë angazhuar në terren për hapjen e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.

Beci thekson se puna po vijon pa ndërprerje dhe do të vazhdojë edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes, pasi janë evidentuar edhe disa pika të tjera ku kërkohet ndërhyrje.

Sipas Becit, qëllimi kryesor është rikthimi sa më i shpejtë i qarkullimit dhe garantimi i sigurisë për banorët dhe udhëtarët.

“Për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj problematike, Bashkia Shkodër ka aplikuar për një projekt që parashikon ndërhyrje në pjesën anësore të rrugës, me ndërtimin e pritave mbrojtëse, për të parandaluar rrëshqitje të tjera dhe për të rritur sigurinë në këtë aks të rëndësishëm turistik dhe jetik për zonën”, tha Beci.

/e.i/j.p/

The post Punohet për hapjen e rrugës Theth-Ndërlysaj, e bllokuar nga rrëshqitja e gurëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Mallorca Diario” artikull për Shqipërinë, Gonxhja: Interes në rritje si destinacion autentik

7 February 2026 at 15:40

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Shqipëria si një destinacion i jashtëzakonshëm turistik vjen sërish në vëmendjen e medias ndërkombëtare, këtë herë përmes artikullit të publikuar në prestigjiozen “Mallorca Diario”.

Gazeta e njohur spanjolle i ka kushtuar një artikull të veçantë vendit tonë, pas takimit në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR në Madrid, duke theksuar rolin në rritje të Shqipërisë në hartën turistike ndërkombëtare.

Artikulli përfshin një intervistë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili paraqiti vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë.

“Ky vlerësim nga një media prestigjioze evropiane konfirmon interesin në rritje për Shqipërinë si një destinacion autentik, konkurrues dhe me potencial të jashtëzakonshëm për të ardhmen”, iu referua Gonxhja artikullit në median spanjolle.

Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, në Madrit, Spanjë, tërhoqi interes të lartë nga vizitorë dhe operatorë turistikë nga vende të ndryshme të botës, duke reflektuar rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj Shqipërisë si destinacion turistik.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në FITUR 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e turizmit shqiptar në tregjet ndërkombëtare, për forcimin e bashkëpunimit me operatorë turistikë dhe për rritjen e numrit të vizitorëve të huaj në vend.

Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit të kaluar. Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik po konsolidohet.

/e.i/j.p/

The post “Mallorca Diario” artikull për Shqipërinë, Gonxhja: Interes në rritje si destinacion autentik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi mbyll vizitën zyrtare në SHBA me takimin me kongresmenin John Moolenaar

7 February 2026 at 14:42

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në përmbyllje të takimeve zyrtare në Kongresin Amerikan, u takua me kryetarin e Komitetit për Konkurrencën Strategjike të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresmenin John Moolenaar.

Gjatë takimit, u diskutua forcimi i partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, zhvillimet gjeopolitike globale dhe zgjerimin e mundësive për investimet amerikane në Shqipëri dhe kujdesin për mbrojtjen nga investimet dhe ndikimet keqdashëse në sektorët strategjikë të ekonomisë dhe sigurisë.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe theksoi rolin e vendit tonë si një aleat i besueshëm në NATO dhe një faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit, thuhet se bisedimet u përqendruan gjithashtu në rritjen e dialogut parlamentar dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit Amerikan, me synim thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe përballimin e përbashkët të sfidave të sigurisë, përfshirë mbrojtjen kibernetike dhe luftën kundër ndikimeve joperëndimore në rajon.

Ky takim rikonfirmoi nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik.

/e.i/j.p/

The post Peleshi mbyll vizitën zyrtare në SHBA me takimin me kongresmenin John Moolenaar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sheshi për ATSH: Ligji i ri, mbrojtje ndaj të gjitha formave të dhunës gjinore, sistem më efektiv i urdhrave të mbrojtjes

7 February 2026 at 09:00

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Projektligji i ri “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje” synon të modernizojë kuadrin ligjor dhe të adresojë format e reja të dhunës me bazë gjinore, duke kaluar nga një qasje e kufizuar te dhuna brenda familjes, drejt një sistemi gjithëpërfshirës parandalimi, mbrojtjeje dhe ndërhyrjeje.

Etleva Sheshi, drejtoreshë për Barazinë Gjinore pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shprehet në një intervistë për ATSh-në se “ligji aktual i vitit 2006 vlerësohet si një hap i rëndësishëm që krijoi mekanizma bazë, si urdhrat e mbrojtjes dhe ndërhyrjen e shtetit, por zhvillimet e dy dekadave të fundit kanë nxjerrë në pah nevojën për një kuadër të ri më të gjerë dhe më efektiv”.

“Ligji “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje” lidhet direkt me Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030, Programin e Qeverisë 2025-2030 si dhe me zbatimin e rekomandimeve që Komitetet e ekspertëve të Konventave CEDAW dhe Konventës së Stambollit kanë dhënë për shtetin shqiptar. Ligji i ri shënon një ndryshim thelbësor në trajtimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke kaluar nga një qasje e kufizuar te dhuna brenda familjes, në një kuadër gjithëpërfshirës për parandalimin, mbrojtjen dhe eliminimin e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore, në sferën private, publike dhe në mjedisin digjital”, tha Sheshi.

Sipas Sheshit, për herë të parë, dhuna ndaj grave njihet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe formë diskriminimi, e lidhur me pabarazitë strukturore gjinore.

“Ligji vendos në qendër mbrojtjen e menjëhershme të viktimës, me fokus të veçantë te gratë, vajzat, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Ky kuadër i ri ligjor synon jo vetëm reagimin ndaj dhunës, por parandalimin e saj dhe ndërtimin e një sistemi të integruar mbrojtjeje, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe realitetin bashkëkohor”, vijoi ajo.

Ligji vendos në qendër mbrojtjen e menjëhershme të viktimës dhe parashikon risi procedurale që e bëjnë mbrojtjen më të aksesueshme. Ndër to, Sheshi shprehet se dallon krijimi i urdhrit paraprak të Policisë, i cili mundëson masa të menjëhershme, si largimin e autorit nga banesa, ndalimin e kontaktit, strehimin emergjent dhe sekuestrim të armëve. Gjithashtu, vendoset një proces i vazhdueshëm vlerësimi të rrezikut, që udhëheq vendimmarrjen e gjykatave dhe përditësimin e masave mbrojtëse.

“Një risi thelbësore është institucionalizimi i një procesi të strukturuar të vlerësimit të rrezikut dhe indikatorëve të rrezikut të lartë, të cilët përdoren për të orientuar vendimmarrjen e gjykatës (p.sh. përsëritja, përdorimi i armëve, kontrolli ekstrem, përndjekja, abuzimi me autoritetin, rreziqet për fëmijët, varësia ekonomike, shtatzënia, aftësia e kufizuar). Ky vlerësim nuk është formal, ai rishikohet në vijimësi dhe shërben për përditësimin e masave mbrojtëse”, theksoi Sheshi.

Drejtoresha për Barazinë Gjinore pranë MShMS-së, nënvizon se ligji rikoncepton qasjen në drejtësi duke krijuar një sistem më të shpejtë dhe më efektiv të urdhrave të mbrojtjes.

“Për herë të parë, masat mbrojtëse nuk kufizohen vetëm te dhuna në familje, por zbatohen edhe për dhunën e lehtësuar nga teknologjia, dhunën ndaj grave në politikë dhe proceset zgjedhore, si dhe dhunën dhe ngacmimin seksual”, cilëson ajo.

Sipas Sheshit, ligji përcakton se autoriteti kryesor përgjegjës për zbatimin e ligjit është Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

“Autoriteti kryesor përgjegjës ushtron rol drejtues, koordinues dhe monitorues në bashkërendim me autoritetet përgjegjëse të linjës: Të gjitha ministritë dhe institucionet e tjetra të administratës publike në nivel qendror sipas kompetencave dhe fushës së përgjegjësisë dhe institucionet e tyre të varësisë; njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe subjekte me rëndësi në zbatimin e këtij ligji janë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokati i Popullit, organizatat jofitimprurëse të cilat ushtrojnë veprimtari në fushën e luftës ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje; profesionet e lira dhe urdhrat e psikologut dhe të punojësit social, media dhe subjektet private sipas detyrave të përcaktuara për zbatimin e këtij ligji”, tha Sheshi.

Ndër sfidat e zbatimit të këtij ligji, Sheshi konsideron parandalimin dhe luftën ndaj formave të dhunës së lehtësuar nga teknologjia.

“Kjo jo vetëm se për herë të parë përfshihet si formë e re dhune, por gjithashtu kërkon ngritje dhe forcim të mekanizmave të specializuar për ta ndjekur, por edhe përgjigje sa më të shpejtë ndaj saj për vetë faktin se pasojat që kjo lloj dhune lë, janë më afatgjata”, pohoi ajo.

Në perspektivë afatgjatë, projektligji synon të forcojë sigurinë, dinjitetin dhe rolin e grave në shoqërinë shqiptare, duke vendosur themele të forta për një shoqëri ku dhuna nuk tolerohet dhe mbrojtja e viktimave garantohet përmes mekanizmave konkretë ligjorë dhe institucionalë.

/e.i/r.e/

The post Sheshi për ATSH: Ligji i ri, mbrojtje ndaj të gjitha formave të dhunës gjinore, sistem më efektiv i urdhrave të mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet amnistia penale, lirohen 447 të burgosur, ulje dënimi për 853 të dënuar

6 February 2026 at 15:10

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari informoi se qeveria miratoi sot amnistinë penale.

Përmes një deklarate për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Lamallari tha se “447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë”.

“Në mbledhjen e sotme të qeverisë miratuam amnistinë penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative”, tha Lamallari, ndërsa theksoi se duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta.

“Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe riintegrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, u shpreh ministri Lamallari.

Ministri i Drejtësisë tha më tej se pret që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që amnistia të fillojë efektet e saj.

“Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi. Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Nga kjo amnisi nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas kalon për miratim në seancë plenare.

/e.i/r.e/a.f/

The post Miratohet amnistia penale, lirohen 447 të burgosur, ulje dënimi për 853 të dënuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcat e Armatosura drejt standardeve të NATO-s, rritje pagash deri në 70% për nivelet bazë

6 February 2026 at 10:44

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se modernizimi i Forcave të Armatosura, përmirësimi i kushteve për personelin dhe rritja e pagave mbeten prioritetet kryesore të qeverisë, me synimin për të arritur mesataren e NATO-s deri në vitin 2029.

Ministri Vengu nënvizoi se “forcimi i kapaciteteve njerëzore nuk lidhet vetëm me trajnimin dhe profesionalizimin e vazhdueshëm, por edhe me krijimin e kushteve dinjitoze për shërbimin në Forcat e Armatosura, përmes një politike të qëndrueshme rritjeje pagash që reflekton përgjegjësinë dhe sakrificën e ushtarakëve”.

Në këtë kuadër, Vengu bëri të ditur se pagat në Forcat e Armatosura do të vijojnë trajektoren e rritjes në vitet në vijim.

Vengu tha se “rritja do të jetë 60–70% për nivelet bazë, ndërsa për nivelet e larta të komandimit parashikohet një rritje prej 30–40%”.

Ministri theksoi se kjo politikë synon rritjen e motivimit, forcimin e qëndrueshmërisë së burimeve njerëzore dhe afrimin e standardeve të Shqipërisë me ato të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një rritje të pagave për ushtarakët e Forcave të Armatosura, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe motivimin e efektivëve që shërbejnë në mbrojtjen e vendit.

/e.i/a.f/r.e/

The post Forcat e Armatosura drejt standardeve të NATO-s, rritje pagash deri në 70% për nivelet bazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i keq nesër në Durrës, bashkia apel qytetarëve për kujdes

5 February 2026 at 21:57

TIRANË, 5 shkurt /ATSh/ Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e nesërme Durrësi pritet të përballet me kushte të përkeqësuara atmosferike, të shoqëruara me reshje të dendura shiu, shtrëngata dhe erëra të forta.

Bashkia Durrës, në një njoftim paralajmëron se këto kushte mund të sjellin problematika në qarkullimin e mjeteve dhe në zonat urbane.

Bashkia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve dhe të marrin masa për sigurimin e objekteve në hapësirat e jashtme.

Bashkia e Durrësit informon se ndodhet në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate të mundshme.

Strukturat e ndërmarrjeve, shërbimet e emergjencave dhe Policia Bashkiake janë në terren dhe të angazhuara për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të tyre në çdo situatë problematike të mundshme.

/e.i/j.p/

The post Mot i keq nesër në Durrës, bashkia apel qytetarëve për kujdes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH: Hapet qarkullimi në Qafë Thore, ekziston rreziku i riaktivizimit të ortekëve

5 February 2026 at 20:00

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi mbrëmjen e sotme se rruga në segmentin Qafë Thore-Theth është aktualisht e hapur.

Sipas ARRSH po vijon puna për pastrimin e borës, ndërkohë që kontraktori i mirëmbajtjes së rrugës ndodhet në terren me mjete dhe punëtorë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment nëse do të jetë e nevojshme.

ARRSH bën me dije se ndërkohë vijon monitorimi i situatës për shkak të rrezikut të mundshëm nga ortekët.

ARRSH thekson se “reshjet e borës po vazhdojnë dhe, nëse shtohen gjatë natës, ekziston rreziku i riaktivizimit të ortekëve”.

Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë aks, duke ndjekur udhëzimet e strukturave përgjegjëse dhe duke respektuar rregullat e sigurisë rrugore.

Rruga Qafë Thore-Theth u bllokua sot paradite plotësisht si pasojë e rënies së ortekëve në zonën pranë tuneleve panoramike. Për shkak të rrezikut të lartë, qarkullimi u ndalua për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese.

/e.i/j.p/

The post ARRSH: Hapet qarkullimi në Qafë Thore, ekziston rreziku i riaktivizimit të ortekëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritja respektive e investimeve, AIDA memorandum mirëkuptimi me Spirit Slovenia

5 February 2026 at 17:27

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Në Forumin e Biznesit dhe Ekonomisë Shqipëri–Slloveni, i mbajtur ditën e sotme në Tiranë, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Forumi i Biznesit Shqipëri-Slloveni u organizua nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me SPIRIT Slovenia, Institute for Strategic Solutions (ISR) dhe ambasadën e Republikës së Sllovenisë në Tiranë, me fokus të veçantë në sektorët e ndërtimit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), industrisë ushqimore dhe të pijeve, inovacionit në bujqësi dhe turizmit.

Ky forum është një platformë kyçe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e partneriteteve të reja mes dy vendeve.

Sipas AIDA-s, Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar mes këtij institucioni dhe Spirit Slovenia ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit në drejtim të shkëmbimit të informacioneve, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe rritjes së investimeve në vendet respektive.

Gjatë forumit u mbajtën fjalime dhe prezantime nga zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, i cili ftoi bizneset sllovene të investojnë në Shqipëri, duke theksuar stabilitetin makroekonomik.

Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro, prezantoi potencialin e investimeve dhe rolin e agjencisë si partner i investitorëve gjatë gjithë procesit, me procedura të digjitalizuara dhe mbështetje institucionale të vazhdueshme.

Ambasadori i Sllovenisë Jakob Štunf dhe Tine Kračun, CEO i Institute for Strategic Solutions, theksuan rëndësinë e momentit për marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.

Ndërsa, Nataša Kos, përfaqësuese e SPIRIT Slovenia, gjatë fjalës së saj vendosi një fokus të veçantë te ekonomia sllovene, eksportet dhe inovacioni.

Forumi përfshiu dy panele diskutimi, “Më të Fortë së Bashku” dhe “Kur Tregjet Bashkohen”, shndërrim i sfidave globale në mundësi zhvillimi, me fokus te financat, sigurimet, logjistika, inovacioni dhe Inteligjenca Artificiale.

Forumi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri–Slloveni dhe mundësitë për zgjerim dhe investime afatgjata.

Në event morën pjesë përfaqësues institucionalë, liderë biznesi dhe investitorë nga Shqipëria dhe Sllovenia.

/e.i/j.p/

The post Rritja respektive e investimeve, AIDA memorandum mirëkuptimi me Spirit Slovenia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodra bëhet gati për Karnavalet nga 9-15 shkurt

5 February 2026 at 16:54

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Prej datës 9 deri në 15 shkurt, Shkodra pritet të kthehet në kryeqendrën e festimeve të Karnavaleve, që tashmë janë kthyer në një traditë të përvitshme artistike.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci zhvilloi sot në bashki një takim me strukturat organizative të këtij aktiviteti, ku u diskutua programi i zgjeruar i organizimeve artistike dhe kulturore.

“Po hyjmë në javën e fundit të përgatitjeve për një festë që e tejkalon të zakonshmen, një javë e tërë magjie, ngjyrash dhe fantazie, ku Shkodra vishet me shpirtin e karnavaleve dhe pulson ndryshe”, tha Beci.

Beci shtoi se do të ketë “butafori artistike, karro alegorike, parada plot energji, personazhe groteske dhe të animuara që dalin nga imagjinata, video mapping që e shndërrojnë qytetin në skenë, koncerte, performanca dhe shumë surpriza të tjera që do ta mbajnë publikun në lëvizje, ditë e natë”.

Karnavalet synojnë të tërheqin jo vetëm banorët e qytetit, por edhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.

Ky organizim ruan traditën e hershme të karnavaleve shkodrane, duke i dhënë qytetit një dimension më modern dhe spektakolar, me synimin për ta kthyer Shkodrën në një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe turistik gjatë kësaj periudhe.

Aktivitetet pritet të zhvillohen gjatë ditëve deri në mbrëmje, duke e vendosur qytetin në qendër të atmosferës festive për një javë.

/e.i/j.p/

The post Shkodra bëhet gati për Karnavalet nga 9-15 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projekti TID në Durrës, protestë e banorëve para bashkisë

5 February 2026 at 16:41

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Banorët që preken nga projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit (TID) i janë rikthyer protestave para bashkisë së qytetit, duke kërkuar transparencë dhe zgjidhje të qarta për strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre.

Qytetarë të zonave që përfshihen në projekt u mblodhën në orët e paradites së sotme përpara bashkisë, ku shprehën shqetësimin për procesin e shpronësimeve dhe ecurinë e programit të rindërtimit urban. Ata deklaruan për mediet se ende nuk kanë marrë përgjigje mbi afatet, vlerësimin e pronave dhe alternativat e strehimit për familjet që duhet të largohen nga banesat e tyre.

Qytetarët kërkuan që vendimmarrja për projektin të jetë gjithëpërfshirëse dhe të garantojë trajtim të drejtë për çdo familje të prekur.

Në pankartat e mbajtura gjatë protestës, banorët kërkuan transparencë, informim të vazhdueshëm dhe respektim të të drejtave të pronës. Disa prej tyre paralajmëruan se protestat do të vijojnë nëse nuk do të ketë reagim konkret nga institucionet përgjegjëse.

Projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit synon rigjenerimin urban të zonave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne, por procesi i zbatimit ka hasur në kundërshti dhe shqetësime nga komuniteti lokal.

/e.i/j.p/

The post Projekti TID në Durrës, protestë e banorëve para bashkisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaka: Siguria ushqimore është siguri kombëtare, zero kompromis me cilësinë

4 February 2026 at 14:54

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka u shpreh sot se duhet krijuar besim te konsumatori shqiptar, duke mos pasur asnjë kompromis me sigurinë ushqimore.

Në aktivitetin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jaka tha se “siguria ushqimore është siguri kombëtare”.

“Nëse i referohemi kësaj formule, rritet edhe shkalla e përgjegjësisë e secilit prej nesh, qoftë e politikbërjes, qoftë e operatorëve ekonomikë që janë në terren. Të përafrosh aktet nënligjore shqiptare me ato të BE-së është një detyrë e mbyllur tashmë përderisa 95% e popullit shqiptar e kërkon këtë gjë”, tha Jaka.

“Është e rëndësishme të bëhet një analizë në terren. Bujqësia dhe blegtoria janë ndër problemet më të mëdha që Shqipëria ka. Mund të ketë konkurrencë të pandershme, por ne duhet ta mbrojmë fermerin dhe produktet tona. Më shumë problematik është sektori i blegtorisë qoftë në industirnë e qumështit, mishit dhe nënprodukteve të tjera”, vijoi ai.

Jaka tha se çmimi i qumështit në Shqipëri është 50% më i shtrenjtë se në çdo vend tjetër të Ballkanit dhe Evropës.

“Që të krijomë besim te konsumatori shqiptar duhet të kemi institucione të përgjegjshme, laboratorë ekselentë që të mos kundërshtojmë përgjigjet që dalin nga laboratërët tanë dhe të mos kemi asnjë kompromis me sigurinë ushqimore”, theksoi Jaka.

/e.i/a.f/

The post Jaka: Siguria ushqimore është siguri kombëtare, zero kompromis me cilësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌