Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë, është bllokuar sërish rreth orës 02:00 të ditës së sotme, si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe rënies së masiveve të gurëve në trupin e rrugës.
Sipas informacioneve paraprake, punimet jashtë standarteve dhe reshjet e fundit kanë shkaktuar destabilizim të terrenit, duke sjellë sërish probleme këtë të dielë në këtë segment rrugor, i cili prej kohësh mbetet një zonë problematike për qarkullimin.
Për pasojë, qarkullimi i mjeteve është ndërprerë, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative deri në njoftimin e radhës.
Pritet ndërhyrja e strukturave përkatëse për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit, ndërkohë që situata po monitorohet për shkak të rrezikut nga rrëshqitje të tjera
Policia rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos gjatë orëve të natës dhe në kushte të pafavorshme atmosferike.
TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi mbrëmjen e sotme se rruga në segmentin Qafë Thore-Theth është aktualisht e hapur.
Sipas ARRSH po vijon puna për pastrimin e borës, ndërkohë që kontraktori i mirëmbajtjes së rrugës ndodhet në terren me mjete dhe punëtorë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment nëse do të jetë e nevojshme.
ARRSH bën me dije se ndërkohë vijon monitorimi i situatës për shkak të rrezikut të mundshëm nga ortekët.
ARRSH thekson se “reshjet e borës po vazhdojnë dhe, nëse shtohen gjatë natës, ekziston rreziku i riaktivizimit të ortekëve”.
Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë aks, duke ndjekur udhëzimet e strukturave përgjegjëse dhe duke respektuar rregullat e sigurisë rrugore.
Rruga Qafë Thore-Theth u bllokua sot paradite plotësisht si pasojë e rënies së ortekëve në zonën pranë tuneleve panoramike. Për shkak të rrezikut të lartë, qarkullimi u ndalua për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese.
Gjatë orëve të natës, i gjithë qarku i Kukësit është përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar, të shoqëruara herë pas here edhe me erë, duke krijuar vështirësi në disa segmente rrugore.
Reshjet kanë vijuar deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, kur janë ndërprerë gradualisht.
Si pasojë e motit të paqëndrueshëm, në disa akse rrugore të qarkut janë shënuar rënie gurësh dhe inertesh nga shpatet malore, veçanërisht në zonat me terren të thyer.
Problematika më e theksuar është evidentuar në segmentin rrugor Kukës–Bushtricë, ku në orët e para të ditës së sotme janë regjistruar rënie gurësh dhe masash dherash, duke vështirësuar përkohësisht lëvizjen e automjeteve.
Aktualisht, ky aks kombëtar që lidh Kukësin me Peshkopinë është i qarkullueshëm normalisht, megjithatë drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve në vijim.
Sipas raportimeve nga strukturat vendore, në bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has, nuk janë konstatuar dëme në banesa apo infrastrukturë tjetër publike dhe nuk ka pasur situata emergjente që të kërkojnë ndërhyrje shtesë.
Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht në të gjithë territorin e qarkut, pa ndërprerje. Autoritetet vendore dhe shërbimet emergjente mbeten në gatishmëri për të monitoruar situatën, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të ndjekin informacionet zyrtare dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, sidomos në akset malore.
Mëngjesin e sotëm rreth orës 09:15, një aksident automobilistik është regjistruar në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë.
Në aksident janë përfshirë një automjet tip BMW dhe një automjet tip Renault Clio. Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur.
Forcat e shërbimit zjarrfikës kanë ndërhyrë në vendngjarje për nxjerrjen e drejtuesit të automjetit Renault Clio, në pronësi të shtetasit Klevant Vasi, i cili është transportuar me ambulancë drejt spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore.
Sipas informacionit paraprak, personat e plagosur ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shkaqet e aksidentit po hetohen nga policia.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka postuar një video nga paralizimi i aksit Përrenjas – Librazhd, e cila mbetur bllokuar prej rreth 8 orësh, pas rrëshqitjes së dherave dhe gurëve nga mali.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan: “Arsyeja? – janë – Vjedhjet kolosale të Rama-Balluku!”.
Mijëra qytetarë mbetën të bllokuar në trafik pas bllokimit të qarkullimit të mjeteve në të dy kahet e rrugës, në temperature të ulëta.
TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës bëri me dije se kompania kontraktore e mirëmbajtjes së aksit rrugor Librazhd-Qafë Thanë dhe ARRSh janë angazhuar për zhbollikimin e pjesës së bllokuar në fshatin Dragostunjë.
Në një njoftim për mediet, MIE informon se në segmentin Librazhd-Përrenjas, rreth 3 km larg Librazhdit, në fshatin Dragostunjë, si rezultat i rreshjeve të dendura është shkëputur një masiv dherash dhe shkëmbinjsh nga shpati i sipërm i hekurudhës duke bllokuar totalisht hekurudhën dhe rrugën poshtë saj.
Sipas MIE-s, menjëherë kontraktorët janë angazhuar me 6 ekskavatorë, 2 fadroma dhe punonjës për hapjen e rrugës sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Arsyet e kësaj situate lidhen me reshjet e dendura te javëve të fundit dhe erozionin e theksuar të shpatit mbi rrugë”, thuhet në njoftim.
MIE informon se paralelisht me pastrimin e materialit të rënë po bëhet edhe çmontimi i masivit që ka lëvizur dhe që është i paqëndrueshëm, duke shmangur një rrezik të mundshëm për rënie të mëtejshme.
Ndërsa, ARRSH kërkon mirëkuptimin e të gjithë përdorueseve të mjeteve për vonesat e shkaktuar nga kjo ndërhyrje e domosdoshme për zhbllokimin e rrugës.
Prej tri orësh, aksi rrugor Librazhd – Qafë Thanë ishte i bllokuar për shkak të rrëshqitjes të masivit të dherave, duke penguar qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet.
Kompania ANK shpk e cila po punon për ndërtimin e segmentit rrugor, pjesë e Korridorit Tetë, ka nisur punimet për shembjen e pjesës së rrezikshme në zonën e njohur si Kthesat e Dragostunjës, në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, pas situatës së krijuar nga rrëshqitja e gurëve që solli bllokimin e qarkullimit.
Ndërhyrja e fadromave të ANK kanë nisur hedhjen në rrugë të masivëve të gurëve e dherave, ndërsa aksi drejt juglindjes mbetet i bllokuar për shkak të shembjes së sotme.
Si pasojë e punimeve, qarkullimi në këtë aks vijon të jetë i kufizuar, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve në terren, deri në normalizimin e plotë të situatës.
Shembja e masivit të gurëve në aksin Librazhd-Qafë Thanë ka shkaktuar një situatë kaotike, ku automjetet prej orësh qëndrojnë të bllokuar.
Mes mjeteve ishte edhe një ambulancë, e cila po transportonte një pacient të sëmurë.
Gruaja po dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit, ndërsa stafi mjekësor ka ndërhyrë duke e nxjerrë me barelë nga ambulanca dhe duke e kaluar në anën tjetër të rrugës përmes lumit pranë aksit, për të vazhduar transportin dhe për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.
Policia Rrugore e Elbasanit, apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.
Mëngjesin e sotëm rreth orës 07:30, një aksident i rëndë rrugor u regjistrua në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Elbasan. Ngjarja ndodhi në vendin e njohur si “Kthesa e Murrashit”.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti i përfshirë në aksident dyshohet se po lëvizte me shpejtësi.
Gjatë tentativës për të shmangur gurë dhe dhera të rënë mbi rrugë, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit. Automjeti është përplasur me mbrojtëset metalike dhe më pas është përmbysur, duke rënë sërish në trasenë e rrugës.
Fatmirësisht, mjeti nuk ka përfunduar në rrjedhën e lumit Shkumbin, çka do të kishte sjellë pasoja shumë më të rënda.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit dhe një person tjetër kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa automjeti ka pësuar dëmtime të konsiderueshme.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe autoambulanca, të cilat bënë të mundur normalizimin e qarkullimit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd -Prrenjas duhet të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në segmentet problematike te “Kthesat e Murrashit”. “kthesat e Dragostunjës dhe Kthesat e Pishkashit ” ku rrëshqitjet e dherave përbëjnë rrezik real për sigurinë rrugore.
Prej dy ditësh, mjegulla ka mbuluar aksin rrugor Korçë–Pogradec, duke kufizuar ndjeshëm dukshmërinë dhe vështirësuar lëvizjen e mjeteve.
Sipas raportimeve, përqendrimi më i madh i mjegullës vërehet në segmentet që kalojnë në territorin e Maliqit dhe zonat përreth fshatrave, ku dukshmëria në disa momente zbret në nivele të ulëta.
Autoritetet rrugore u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të përdorin dritat e përshtatshme gjatë lëvizjes.
Situata po monitorohet nga autoritetet, ndërsa qytetarët këshillohen të shmangin manovrat e rrezikshme dhe të ruajnë distancën e sigurisë për të parandaluar aksidentet.
Këtë të mërkurë, dy aksidente janë regjistruar brenda pak minutash në Juglindje të vendit për shkak të dëborës, fatmirësisht të dyja prej tyre me dëme materiale dhe pa lëndime në njerëz.
Ajo ç`ka bën përshtypje është se pavarësisht kushteve meteorologjike të parashikuara nga sinoptikanët, mungesa e borëpastrueseve dhe mungesa e kriposjes së aksit Korçë-Dardhë, ka bërë që ky aks të jenë i papërshkrueshëm nga turistët apo banorët.
Nga konstatimi në rrugë shihet qartë që askush nuk ka bërë hapjen e rrugës, duke rrezikuar edhe jetën e drejtuesve të mjeteve.
Ditën e sotme, një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Elbasan–Cërrik, ku shkak dyshohet të ketë qenë prania e baltës në rrugë.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë tre automjete, ndërsa si pasojë tre persona kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit janë transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Dëshmitarë nga vendngjarja bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur pranë një kantieri privat, ku po kryhen punime ngjitur me rrugën. Ata theksojnë se punimet vijojnë edhe gjatë natës dhe se rreth orës 00:00 rruga ishte pothuajse e pakalueshme për shkak të baltës së hedhur nga kamionët që lëviznin drejt lumit Shkumbin, duke krijuar rrezik serioz për sigurinë e qarkullimit rrugor.
Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse.
Reshjet e dëborës gjatë orëve të natës në Malësinë e Krujës, kanë sjellë probleme në qarkullim, duke bërë që niveli i dëborës të arrijë në mbi 25 centimetra.
Si pasojë, aksi rrugor Krujë–Qafë Shtamë është bllokuar, ndërsa disa fshatra të zonës kanë mbetur të izoluara.
Autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe pritet ndërhyrja e mjeteve borëpastruese për normalizimin e qarkullimit, sapo kushtet e motit ta lejojnë.
Deri më tani nuk raportohet për problematika të tjera, ndërsa banorët janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Waymo ka operuar një flotë robotaksi autonome për ca kohë tani, fillimisht në San Francisko dhe më pas duke u zgjeruar vitin e kaluar në Los Angeles, Phoenix, Austin dhe Atlanta.
Tani kompania në pronësi të Alphabet po përgatitet të përditësojë linjën e saj, duke plotësuar Jaguar I-Paces të modifikuar me një furgon të ri të ndërtuar nga prodhuesi kinez i makinave Zeekr.
Waymo konfirmoi lajmin për InsideEVs në CES 2026, duke dhënë detaje se si ndërtohen furgonët dhe si do të përshtaten në operacionet ekzistuese të Waymo.
Furgoni i ri autonom ishte shfaqur më parë si Zeekr C1Me dhe Zeekr RT, por tani mban një emër të ri: Waymo Ojai, transmeton Telegrafi.
I emëruar për një qytet kalifornian në veri të Los Angeles, zëdhënësi i Waymo Chris Bonelli i tha InsideEVs se emri u zgjodh sepse shoferët amerikanë nuk e njohin markën Zeekr, një degë e gjigantit të automobilave Geely.
Waymo planifikon ta shtojë Ojai në operacionet e saj në rritje më vonë këtë vit, megjithëse kompania nuk specifikoi se në cilat qytete do të shfaqet furgoni i ri.
I ndërtuar ekskluzivisht për Waymo, Zeeker ndërton karrocerinë e furgonit në Kinë përpara se ta dërgojë atë në SHBA, ku Waymo përshtat paketën e saj të softuerëve dhe gamën e sensorëve.
Bonelli tha se Ojai nuk preket nga rregulloret e qeverisë amerikane që synojnë të parandalojnë shitjen e makinave kineze te klientët në SHBA.
Një seri prej 13 kamerash, gjashtë sensorësh radari dhe katër sensorësh lidar janë të vendosur në pjesën e jashtme të Ojai, dhe janë të pajisur me ngrohës të integruar për të zvogëluar grumbullimin e akullit dhe fshirëse të vogla dhe lëng për të pastruar papastërtinë.
Këto karakteristika do të jenë kritike, ndërsa Waymo zgjerohet përtej qyteteve me mot të ngrohtë dhe në klima më të vështira në verilindje të Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë që nuk ka detaje zyrtare mbi sistemin e fuqisë, dokumentet e mëparshme të certifikimit nga Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada për Zeekr CM1e tregojnë një motor elektrik të vetëm të montuar në pjesën e pasme që prodhon 268 kuaj fuqi dhe 252 lb-ft çift rrotullues.
Dokumentet nga EPA tregojnë një bateri litium-jon fosfati prej 93 kWh, por nuk ka një shifër zyrtare të autonomisë. Ojai thuhet gjithashtu se ka një arkitekturë elektrike 800 volt, duke e lejuar atë të karikohet më shpejt se I-Pace.
Së bashku me Ojai, Waymo planifikon të shtojë në flotën e saj Hyundai Ioniq 5s të modifikuar, të cilët janë gjithashtu të pajisur me softuerin dhe harduerin më të ri të kompanisë.
Ioniqs dhe Ojai do të bashkëjetojnë me I-Paces për të paktën disa vite, pasi Jaguar kanë ende qindra mijëra milje të mbetura në ciklet e tyre të punës. /Telegrafi/
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, ka njoftuar se për shkak të kushteve të rënduara atmosferike me reshje të dendura shiu, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, ka ndodhur rrëshqitje e një masivi dheu dhe gurësh.
Si pasojë, qarkullimi i mjeteve në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, po zhvillohet vetëm me një sens lëvizjeje.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e Policisë së Gjirokastrës, në bashkëpunim me strukturat e Emergjencave Civile dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.
Ndërkohë, është rritur prezenca e shërbimeve policore në të gjitha akset e qarkut, me punonjës me uniformë dhe automjete të pajisura me fenelina, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ofrimin e ndihmës për drejtuesit e mjeteve, në rast nevoje.
Një tjetër skandal ka ndodhur në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, e cila ka kushtuar 260 mln euro dhe që u inaugurua disa muaj më parë nga ministrja Belinda Balluku, tashmë nën hetim nga SPAK për disa vepra penale.
Pas rreth një muaji nga shembja e një masivi dherash në këtë aks, situata është përsëritur, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Sot një rrëshqitje dherash ka goditur një automjet që po kalonte në atë zonë.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur të lënduar, ndërsa automjeti ka pësuar dëme materiale vetëm në pjesën e përparme.
Autoritetet ndërkohë po punojnë për pastrimin e zonës dhe rikthimin e qarkullimit normal.
Kujtojmë se një rrëshqitje masive e dheut dhe shkëmbinjsh u shënua në nëntor të 2024 në këtë aks, pranë tuneleve, si pasojë e shirave të shumtë.
Rrëshqitja shkaktoi bllokimin total të rrugës, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, ndërsa kompania kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e aksit, vendosi një baypass provizor për të lehtësuar kalimin e automjeteve.
Rruga Qukës-Qafë Plloçë që shmang Prrenjasin, Qafë-Thanën dhe Pogradecin, u inaugurua në muajin shtator nga ministrja e pezulluar nga detyra Belinda Balluku dhe ka kushtuar 260 milionë euro.
Aksi përfundoi pas 14 vitesh, por mjaftuan vetëm dy muaj përdorim që rruga të dalë jashtë funksioni.
Shembjet masive zbuluan se cilësia e punimeve ishte mjaft e dobët dhe në terren kanë munguar studimet e mirëfillta gjeologjike.
Këtë të martë, një aksident rrugor është regjistruar në aksin Elbasan–Shushicë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i një mjeti.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të fundit, në kushte të vështira për qarkullimin e automjeteve.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti dyshohet se është shkaktuar nga lagështira në rrugë, e kombinuar me shpejtësinë e lartë të lëvizjes së mjeteve.
Përplasja ka sjellë bllokimin e plotë të rrugës për gati një orë.
Si pasojë, janë krijuar radhë të gjata automjetesh dhe trafik i rënduar në të dy drejtimet.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca, ndërsa i plagosuri është transportuar për ndihmë mjekësore.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe apelon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në kushte moti të lagësht.
Nvidia zbuloi planet për të testuar një shërbim robotaksi me një partner që në vitin 2027, duke theksuar ambicien e prodhuesit të çipave për t'u bërë një lojtar i madh në botën e makinave vetë-drejtuese.
Shërbimi do të ofrohej me një partner dhe do të përdorte makina me drejtim "Niveli 4", që do të thotë se ato do të jenë të afta të drejtojnë pa ndërhyrjen njerëzore në rajone të paracaktuara, thanë zyrtarët e Nvidia në një demonstrim të vetë-drejtimit në San Francisko muajin e kaluar.
Kompania nuk pranoi të emëronte se ku do të operonte dhe kush do të ishte partneri i saj, transmeton Telegrafi.
"Ne ndoshta do të fillojmë me një disponueshmëri të kufizuar, por do të punojmë me partnerin që ne të gjejmë ekuilibrin tonë", tha në këtë ngjarje Xinzhou Wu, nënkryetar i automobilave i Nvidia.
Që nga viti 2015, Nvidia ka ofruar çipa dhe teknologji të tjera për makinat nën emrin e markës Drive, por kjo mbetet një pjesë e vogël e biznesit të kompanisë.
Çipat e automobilave dhe robotikës përbënin vetëm 592 milionë dollarë në shitje në tremujorin që përfundoi në tetor, ose rreth 1% të të ardhurave totale të Nvidia. Nvidia njoftoi një partneritet robotaksi me Uber në tetor.
Prodhuesi i çipave tha në dhjetor se kishte zhvilluar një softuer që mund të fuqizojë një makinë vetë-drejtuese, dhe se modelet e Mercedes-Benz që do të dalin në fund të vitit 2026 do të jenë në gjendje të përdorin teknologjinë e Nvidia-s për të lundruar në qytete si San Francisco.
Makinat vetë-drejtuese mbeten një nga fushat kryesore ku Nvidia mund të tregojë rritje jashtë infrastrukturës së AI-së. Drejtori ekzekutiv Jensen Huang ka thënë se robotika - duke përfshirë makinat vetë-drejtuese - është kategoria e dytë më e rëndësishme e rritjes së kompanisë pas inteligjencës artificiale.
"Ne imagjinojmë se një ditë, një miliard makina në rrugë do të jenë të gjitha autonome", tha Huang në një event lansimi të hënën në konferencën CES në Las Vegas.
"Mund ta kesh një robotaksi që po e orkestron dhe po e merr me qira nga dikush, ose mund ta zotërosh atë", shtoi ai.
Përveç çipave që futen brenda makinave vetë-drejtuese, Nvidia u shet kompanive të automobilave qasje në çipat e saj të famshëm të AI-së, si dhe softuerin e saj të simulimit, në mënyrë që ato të mund të trajnojnë modelet vetë-drejtuese dhe të zhvillojnë teknologji.
Nvidia thotë se prodhuesit e makinave mund të përdorin kompjuterin e saj të automobilave Drive AGX Thor, i cili kushton rreth 3,500 dollarë për çip, për të kursyer në kostot e kërkimit dhe zhvillimit, dhe për të bërë që veçoritë e auto-drejtimit të dalin në treg më shpejt.
Nvidia tha se punon me prodhuesit e makinave për të përshtatur teknologjinë e saj, siç është përcaktimi se sa fort duhet të përshpejtojë makina, për automjete specifike. /Telegrafi/
Aksi rrugor Ura e Shtrejtë-Prekal, është bllokuar plotësisht për qarkullim, pas një shembjeje të konsiderueshme të trupit të rrugës, e cila dyshohet se është shkaktuar nga rrëshqitja e dherave, pas reshjeve intensive të 48 orëve të fundit.
Shembja është konstatuar në vendin e quajtur “Shkallë Logje”, një segment problematik i këtij aksi, ku masa të mëdha dheu kanë rrëshqitur drejt rrugës, duke e bërë atë të pakalueshme dhe potencialisht të rrezikshme për çdo mjet apo këmbësor.
Menjëherë pas sinjalizimit, në terren kanë ndërhyrë ekipet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Bashkisë Shkodër.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa pritet një vlerësim më i detajuar teknik për shkallën e dëmtimit dhe ndërhyrjet që do të nevojiten për rikthimin e qarkullimit normal.
Si pasojë e këtij bllokimi, banorët e zonës së Prekalit dhe fshatrave përreth kanë aktualisht vetëm një rrugë alternative për lëvizje, përmes kalimit nga ana tjetër, në drejtim të Qafës së Thores.
Ndërkohë, nga ana e Malit të Shoshit, qarkullimi mbetet i pamundur, pasi rruga është e bllokuar në zonën e Prekalit dhe nuk ofron asnjë mundësi kalimi.
Bashkia Shkodër u ka bërë thirrje banorëve dhe drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë zonë, deri në përmirësimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme për stabilizimin e rrëshqitjes.