As Veliera, as tenderët publikë, s’e shpëtuan Durrësin nga përmbytjet
Durrësi u përball sërish me përmbytje të mëdha, pavarësisht investimeve të shumta në emër të “modernizimit urban”. “Kryevepra” e këtij transformimi, projekti “Veliera”, u zhyt për të disatën herë nën ujë bashkë me qendrën e qytetit.
Reshjet e dendura bllokuan qarkullimin dhe ekspozuan dobësitë strukturore të menaxhimit të ujërave dhe planifikimit urban. Pjesa e poshtme e monumentit, e promovuar si atraksion arkitektonik, u kthye në një pishinë.
Ndryshe nga përmbytjet e 10-11 shtatorit 2025, ajo e datave 5-6 janar 2026, nuk pa ndonjë fatkeq që mbeti me makinë i zhytur nën ujë, megjithatë skenat e njerëzve që lundronin me kanoe bënë xhiron e rrjetit.
Përmbytjet e Durrësit prekën ish-Kënetën, Shkozetin dhe Currilat, duke dëmtuar qindra shtëpi, biznese dhe tokë bujqësore. Qytetarët raportuan dëme të përsëritura, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e rrjetit kullues.
Bashkia deklaroi se po punonte për stabilizimin e situatës. Por urbanistë dhe ekspertë paralajmëruan se sistemi i menaxhimit të ujërave ka dështuar në mënyrë strukturore.
Një dekadë beton, “Veliera” mbeti një pishinë
“Veliera” nisi të ndërtohej në vitin 2016. Zyrtarisht nuk ka pasur kurrë një ceremoni përurimi pavarësisht se tashmë bëhen rreth 10 vite nga punimet.

Fillimisht projekti u financua me 4.7 milionë euro dhe u zbatua nga bashkëpunimi i kompanive Fusha-Everest. Por kostot u shtuan dhe vlera mendohet të jetë rritur pasi janë kryer vazhdimisht investime të tjera.
Në një raportim të mëparshëm, në janar 2024, Bashkia Durrës konfirmoi për Citizens.al se kostoja kishte arritur 8.5 milionë euro.
Qytetarë, aktivistë dhe ekspertët të trashëgimisë kulturore e kundërshtuan projektin me protesta dhe padi gjyqësore duke theksuar se punimet dëmtonin zonën historike dhe shtresat arkeologjike.
Por pas 13 seancash gjyqësore, Gjykata Administrative pezulloi çështjen dhe në shkurt 2019, Gjykata e Apelit e mbylli përfundimisht atë duke i hapur rrugën përfundimit të projektit.
Më 22 prill 2021, çështja u kthye për hetim në Prokurorinë e Durrësit, por edhe pse parashikohej përfundimi i hetimeve brenda tre muajsh, ende nuk ka vendim përfundimtar për dëmet.
“Bllokimi i kanaleve shkarkuese”
Urbanisti Artan Kacani argumentoi me disa denoncime në rrjet se përmbytjet në Durrës shkaktohen kryesisht nga keqmenaxhimi i kanaleve kulluese. Ai u përqendrua kryesisht në zonën veriore të qytetit duke pretenduar për bllokimin e kanalit shkarkues në Porto-Romano.
Kacani analizon se duhet të jetë më vete kanali i kullimit të kodrës, më vete hidrovori dhe njëjtë kanali i Shën Vlashit, e të trija duhet të kishin dalje në grykën e Porto – Romanos. Por sipas tij , koncesionari i portit MBM, që zotërohet në aksione shumice nga grupi Kastrati, ka devijuar kanalin kullues të kodrës.
“Nuk mund të futet kanali i kullimit të kodrës nëpër tuba privatë,” tha Kacani për Citizens.al
Banorët, sipas tij, kanë improvizuar rrugë alternative për ta çuar ujin aty ku shkonte gjithmonë, pasi bashkia i ka mbyllur kalimet e vjetra të ujit. Nga ana tjetër është ndërtuar një kanal betoni, i cili sipas Kacanit quhet “hidrovor i dytë”. Por ai thekson se ky nuk funksionon si i tillë.
“Kanali betonit është zgjidhja qe ka dhëne bashkia për devijimin e ujit dhe institucionet përkatëse, e cilësojnë si hidrovor të dytë, që është e pavërtetë, sepse ka vetëm një hidrovor funksional,” përmbylli urbanisti.
Qëndrimi i Kacanit u mbështet nga Lëvizja Bashkë, e cila më vonë shpërndau në rrjet edhe një paraqitje grafike të hartës së supozuar nga ku shkaktohet përmbytja.
Grupi Kastrati mohoi të ketë pasur ndikim në situatën e përmbytjeve. Znj. Ornela Bego, Drejtore e Marketingut dhe Komunimit theksoi se nuk ka asnjë bllokim kanalesh dhe se porti nuk ka ndikuar asnjëherë te funksioni i tyre apo i hidrovorit.

“Hidrovori ekzistues, dhe ai i vjetër, funksionojnë krejtësisht në mënyrë të pavarur nga porti MBM. Funksioni i tyre nuk është cenuar në asnjë moment nga aktiviteti portual,” u shpreh Bego duke theksuar se kjo është “lehtësisht e vërtetueshme në terren”.
Tenderi 20 milionë euro nuk i zgjidhi problemet
Në nëntor 2021, Bashkia hapi tenderin “Rehabilitimi i infrastrukturës së rrjetit në zonën Porto Romano-Kënetë”. Projekti, pjesë e programit të rindërtimit, kishte vlerë rreth 20 milionë euro dhe përfshinte edhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut.
Fitues u shpall një konsorcium me tre kompani: 2T-Vëllezërit Hysa-Adriatik. Megjithatë, përmbytjet e fundit tregojnë se rrjeti i ujërave të shiut duket të ketë mbetur i paplotë.
Citizens.al kërkoi koment nga Bashkia Durrës në lidhje me situatën dhe nëse ka pasur efekt nga investimet e fundit. Institucioni tha se përgjegjëse për situatën ishte struktura e Shtabit të Emergjencave, e cila ishte e paarritshme nga Citizens.al deri në botimin e artikullit.
Prof. Dr. Zydi Teqja, profesor i “Arkitekturës së Peizazhit” në Universitetin Bujqësor të Tiranës, kujtoi përmes një postimi në rrjetet sociale se strategjitë moderne të BE-së synojnë të mbajnë ujin në terren, ta ngadalësojnë dhe ta shpërndajnë. Në Durrës, tha ai, uji tentohet të shtyhet me forcë jashtë qytetit.
Sipas tij, përmbytja është rikthim i natyrshëm i një realiteti hidrologjik që planifikimi urban ka zgjedhur ta injorojë. Në një postim tjetër ai theksoi se kishte vite që shkruante për përmbytjet në Shqipëri dhe se kishte bërë propozime në nivele të ndryshme të qeverisë, por që “si duket askush nuk do t’ia dijë”.
Ndërsa intensiteti i reshjeve ra të mërkurën, shumë qytetarë kërkuan ndihmë dhe dëmshpërblim. Të njëjtat kërkesa u dëgjuan edhe në qytete të tjera, ku banorët akuzojnë mungesën e reagimit shtetëror.
Lexoni gjithashtu:
- Përmbytjet nxjerrin në pah krizën me emergjencat dhe zhvillimin urban
- Shqipëria përballë krizave klimatike pa sistem të besueshëm monitorimi
- Shqipëria e pambrojtur mes flakëve
The post As Veliera, as tenderët publikë, s’e shpëtuan Durrësin nga përmbytjet appeared first on Citizens.al.