Punime në Spitalin Universitar të Traumës, ndërhyrjet kirurgjikale vijojnë normalisht
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Korpusi i Spitalit Universitar po modernizohet, por edhe pse disa hapësira spitalore janë në proces rikonstruksioni, sistemi shëndetësor operon me kapacitete të plota, pa ndërprerje të kujdesit ndaj pacientëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njofton se ndërhyrjet kirurgjikale vijojnë normalisht, sallat operatore funksionojnë me dy turne, ndërsa sallat operatore të rasteve urgjente vijojnë në gatishmëri të plotë 24 orë për të garantuar reagim të menjëhershëm në çdo situatë emergjente.
Sipas MSHMS, stafi mjekësor dhe teknik po punon në koordinim të plotë për të siguruar vazhdimësinë, efikasitetin dhe cilësinë më të lartë të kujdesit shëndetësor, për të përmbushur nevojat e çdo pacienti që kërkon trajtim.
Prof.Asc. Vilson Ruci, shef shërbimi i Ortopedisë pranë SUT-së tha se këtë vit puna ka nisur plot intensitet dhe me ngarkesë maksimale që në ditët e para të vitit në shërbim të pacientëve, të komunitetit dhe gjithë njerëzve që kanë nevojë për shërbim.
“Struktura jonë është elitare, pasi ne jemi qendër traume në nivel terciar që përballon me sukses politraumën muskolo-skeletike neurokirurgjikale, të rasteve të rënda në të gjithë Shqipërinë në bashkëpunim me spitalet e mëdha rajonale dhe bashkiake”, tha Ruci.
“Jemi gjithmonë në koordinim të përsosur për menaxhimin e pacientëve të traumatizuar, aksidentuar dhe atyre që kanë nevojë për shërbimet tona. Megjithëse spitali filloi një fazë të re rikonstruksioni, i cili do të rrisë cilësisht shumë shërbime që i ofrohen pacientëve, sigurojmë të gjithë komunitetin, opinionin publik, familjarët që do i ofrojmë shërbimin tonë”, vijoi ai.
Dr. Ruci shtoi se është organizuar një plan masash që ekipet dhe strukturat e SUT-së të jenë në gjendje gatishmërie, nga puna me dy turne dhe orare të zgjatura në mënyrë që të gjithë pacientët në kohën minimale të mundshme të marrin shërbim maksimal.
Ndërsa, Dr. Alfred Cake, shef shërbimi i bllokut operator në SUT, tha se ndërhyrjet kirurgjikale vijojnë normalisht.
“Jemi duke punuar me dy salla, me dy turne për të mbuluar nevojat e pacientëve, ndërkohë që sallat urgjencës vijojnë të jenë në punë 24 orë për të mbuluar shërbimin e traumës. Në SUT zhvillohen ndërhyrjet për të gjitha gamat e nevojave dhe pa asnjë ndërprerje vazhdojmë me të njëjtin intensitet në koordinim me stafin mjekësor dhe stafet e tjera ndihmëse”, pohoi Cake.
/e.i/j.p/
The post Punime në Spitalin Universitar të Traumës, ndërhyrjet kirurgjikale vijojnë normalisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.