Fëmija 3 vjeç konfirmohet me fruth, Toçi për ATSH: Situata, jo alarmante
TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Një fëmijë është konfirmuar me fruth në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Burime pranë MSHMS, konfirmuan se ky rast është paraqitur që në datën 22 dhjetor në spitalin e Pediatrisë, me temperaturë shumë të lartë dhe i pavaksinuar, por rasti është hetuar epidemiologjikisht dhe ndjekur nga ISHP.
Sipas MSHMS-së, nga dy raste me simptoma, vetëm njëri rast është fruth, ndërsa rasti tjetër nuk është konfirmuar i tillë.
Hetimi epidemiologjik i ndjekur nga ISHP ka konfirmuar diagnozën e fruthit për këtë fëmijë që është i moshës 3 vjeç.
Prof. Asoc. Dorina Toçi, drejtoreshë e Përgjithshme e ISHP-së, tha sot për ATSH-në se situata e fruthit në vend nuk është aspak alarmante dhe nuk ka vend për panik. Sipas Toçit, raste të konfirmuara me fruth ka pasur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, madje në 2025 ka pasur më pak raste se vitet e kaluara.
Deputeti i PS, Erjon Braçe u bën thirrje prindërve që të mos e ndërpresin kalendarin e vaksinimit kundër fruthit, ndërsa thekson se rrymat antivaksinë në media apo rrjetet sociale duhet të braktisen.
“Fëmijët janë të pavaksinuar, për fruthin po e po, por edhe për sëmundje të tjera; Është tre vjeç por kalendari i vaksinimit të tyre është ndërprerë që në muajin e gjashtë, prindërit nuk e kanë ndjekur më kalendarin e vaksinimit të tyre. Fruthi është pasoja e parë. Unë nuk e di sa i gjerë është fenomeni, po kam frikë se pas pandemisë dhe fushatës agresive kundër vaksinimit me konotacion të gjerë, ndalja nga prindërit të kalendarit të vaksinimit ka marrë përmasë“, tha Braçe.
Vatra më e fundit me fruth në Shqipëri ishte ajo e këtij fillimviti në Fier me 10 fëmijë nga mosha 4-9 vjeç ndërsa tre të tjerë u identifikuan në Vaun e Dejës, Lezhë dhe Tiranë ku ISHP konfirmoi gjithsej 12 raste, të gjithë të pavaksinuar. Mbulesa vaksinale me dozën e parë të vaksinës ndaj fruthit gjatë kësaj periudhe ra në 73% ndërsa me dy doza në 87% në shkallë vendi.
/e.i/j.p/
The post Fëmija 3 vjeç konfirmohet me fruth, Toçi për ATSH: Situata, jo alarmante appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.