Ndryshimet në ligjin për narkotikët, Balla: Shqipëria në krah të SHBA-së në luftën globale kundër fentanilit
TIRANË, 21 janar /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot ndryshimet ligjore të propzouara nga qeveria në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, si dhe ndryshimet ligjore në ligjin për “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”.
Deputetja e Partisë Socialiste, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, në fjalën e saj tha se përparësia e këtij projektligji është krijimi i një mekanizmi më të fortë dhe të efektshëm ligjor për të kontrolluar lëndët narkotike dhe psikotrope, në përputhje me standardet ndërkombëtare e në funksion të rritjes së sigurisë publike.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, në fjalën e saj, duke prezantuar ndryshimet ligjore në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”, tha se ky përmirësim, vjen si nevojë për përputhje me legjislacionin ndërkombëtar dhe atë të Bashkimit Evropian, si dhe për forcimin e mekanizmave të parandalimit e të kontrollit, në kuadër të luftës kundër trafikut të paligjshëm të drogës. Objektivi specifik, që synohet të arrihet me këtë projektligj, është përditësimi i listës së lëndëve që përdoren në mënyrë të paligjshme për prodhimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë diskutimit për projektligjin që lidhet me barnat narkotike dhe lëndët psikotrope, me fokus të veçantë luftën kundër opioideve sintetike, përfshirë fentanilin deklaroi se Shqipëria është përkrah presidentit të SHBA, Donald Trump në luftën kundër drogave.
Ai theksoi se përveç fentanilit, në listën që po miratohet janë përfshirë edhe katër opioidë të tjerë sintetikë edhe më të fortë se fentanili, duke i cilësuar si jashtëzakonisht të rrezikshëm për jetën e njeriut.
Në fjalën e tij, Balla solli shifra tronditëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e quajtur fentanilin një kërcënim global.
“Nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2024, në SHBA kanë humbur jetën 262 mijë persona për shkaqe të lidhura me përdorimin e fentanilit. Më shumë amerikanë kanë vdekur nga fentanili sesa nga Lufta e Dytë Botërore, në vetëm katër vite.”
Sipas tij, edhe për vitin 2025 priten shifra shumë të larta, rreth 76 mijë viktima, çka justifikon qëndrimin e fortë të presidentit Trump ndaj kësaj çështjeje.
Balla rikujtoi se më 14 mars 2024 Shqipëria u anëtarësua në Koalicionin Global Kundër Drogave Sintetike, një iniciativë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
“Drogat sintetike, dhe në mënyrë të veçantë fentanili, janë armë të shkatërrimit në masë që vrasin dhjetëra-mijëra njerëz çdo vit”, theksoi ai, duke paralajmëruar se Europa ende nuk është plotësisht e vetëdijshme për rrezikun që ky fenomen përbën.
Sipas Ballës, një sasi më e vogël se një kokërr kripe e fentanilit mund të marrë jetën e një njeriu, duke nënvizuar se kjo është pasojë e rrjeteve kriminale të organizuara, kufijve të dobët dhe zbatimit të pamjaftueshëm të ligjit.
“Kufijtë e fortë shpëtojnë jetë”, deklaroi ai, duke shtuar se Shqipëria duhet të rrisë kontrollet kufitare dhe të forcojë politikat e sigurisë në shkolla për të parandaluar që fëmijët dhe të rinjtë të bien pre e shpërndarësve të drogës.
Në përmbyllje, Taulant Balla vlerësoi qasjen proaktive të qeverisë shqiptare për përditësimin e listës së lëndëve narkotike dhe kërkoi më shumë vëmendje për qendrat e rehabilitimit dhe trajtimit të personave me varësi.
“Detyra e shtetit është jo vetëm të parandalojë përdorimin e drogës, por edhe të kujdeset që viktimat e saj të shpëtojnë nga varësia”, tha Balla, duke bërë thirrje që edhe opozita të mbështesë projektligjin dhe ai të miratohet sa më shpejt në seancë plenare.
Në fund të punimeve, komsioni miratoi në parim, Nen për Nen dhe në tërësi ndryshimet ligjore, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike nuk morën pjesë në votim.
/gj.m/r.e/a.f/
The post Ndryshimet në ligjin për narkotikët, Balla: Shqipëria në krah të SHBA-së në luftën globale kundër fentanilit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.