TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Pas fitores 0-1 në Leskovac ndaj Serbisë, Shqipëria do përballet me Jordaninë në miqësore të martën në “Air Albania”, në ndeshjen që fillon në orën 19.00.
Trajneri i kombërares, Silvinjo doli sot përpara kësaj sfide në një konferencë për shtyp.
Ai theksoi se në miqësoren ndaj Jordanisë do të aktivizohen edhe lojtarë që janë aktivizuar më pak.
“Nesër do të bëjmë pak nga gjithçka. Nuk është e thjeshtë. Nuk besoj te miqësoret, luajnë të gjithë për të fituar dhe nuk besoj se duhen futur 11 lojtarë që nuk kanë qenë kurrë bashkë. Sepse pastaj paraqitja nuk është, është e vështirë që të vlerësosh lojtarët. Por punojmë që sot, nesër e caktojmë 11-shen”, tha ai.
Megjithatë, shtoi Silvinjo, “nesër mund të shkojnë në fushë të gjithë, duhet ekuilibruar një skuadër që bën mirë, dhe vlerësojmë lojtarët që janë me ne. Ka lojtarë që kanë shumë muaj këtu dhe nuk kanë luajtur titullarë”.
“Ne i vlerësojmë të gjitha, stërvitjen, ushtrimet, padyshim më e rëndësishme është ndeshja. Cake dhe Gripshi janë lojtarë me personalitet. Tani nuk e di ende, nesër do të jetë një miks i gjithçkaje”, tha ai.
Për kthimin nga Serbia, Silvinjo tha se, “kthimi pas ndeshjes ishte i vështirë, erdhëm në 4, kishte shumë njerëz në aeroport, e dija që nuk ishte ndeshje normale, e bukur”.
“Lojtarët ishin të aftë. Na ndihmoi eksperienca e Europianit të menaxhonim ndeshjen ndaj Serbisë”.
Për mundësinë e arritjes së Botërorit, Silvinjo u shpreh se, “llogaritë tona janë ndeshjet tona, kemi dy ndeshje të rëndësishme në nëntor. Të lumtur po. Për herë të parë Shqipëria shkon të luajë dy ndeshjet e fundit me shanse që të luajë në play-off, është e bukur. Ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme, llogaritë janë për ndeshjet tona”.
I pyetur për të ardhmen e tij në pankinën e Kombëtares shqiptare, Silvinjo tha se, “nuk është koha të flasim për të ardhmen time”.
“E tillë është jeta e lojtarët dhe trajnerit. Kam luajtur 15 vite si lojtar dhe si trajner 5-6 vite. Jemi mësuar me të tilla ulje-ngritje”, tha ai.
“Shembull është Rey Manaj. E njoh nga Interi. Tani është shënuesi më i mirë. Në momente kur nuk shënon, të gjithë mund të thonin që nuk bën si lojtar, ndërsa tani është ndryshe”, u shpreh ai.
“Ne jemi mësuar me këtë jetë. Kështu është jeta e një trajneri dhe një lojtari. Për të ardhmen time mendoj vetëm unë. Nuk mendoj se duhet të flasim për këtë. Na presin hapa të tjerë për të ardhmen. Tani kemi një pjesë të rëndësishme në nëntor”, tha ai. /j.p/
The post Silvinjo: Kemi dy ndeshje të rëndësishme në nëntor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.