Kryeministri Edi Rama deklaroi se mandati i ri qeverisës është më i vështiri për nga pesha e sfidave, por i lehtësuar nga mbështetja e qytetarëve, të cilët, siç tha ai i kanë dhënë shumicën prej 83 mandatesh për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit në BE.
Gjatë një takimi me fermerët në Elbasan Rama theksoi se qeveria ka arritur rezultate të prekshme në zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e eksporteve.
“Sot jemi në një moment të rëndësishëm, ku sapo kemi nisur një mandat të ri, ndërsa shqiptarët na kanë besuar përgjegjësinë për të përmbyllur negociatat me BE dhe për t’i dhënë vulën evropiane reformave të ndërmarra,” u shpreh ai.
Në fokus të fjalës së tij ishte edhe buxheti për vitin e ardhshëm, i cili do të jetë dukshëm më i lartë krahasuar me vitin aktual. Sipas Ramës, buxheti i skemës kombëtare do të jetë dyfish, ndërsa pagesat direkte për fermerët do të mbyllen 100% brenda këtij viti.
Rama: Është vërtet me rëndësi që takohemi këtu sot në një moment kur sapo kemi nisur një mandat të ri, i cili për nga pesha e sfidave është mandati më i vështirë i qeverisjes së vendit, por fatmirësisht këtë peshë na i kanë bërë më të lehtë shqiptarët, ju dhe të gjithë ata që si ju na kanë dhënë 83 mandate që të kryejmë negociatat për anëtarësim me BE dhe ti vendosim vulën evropiane transformimit të nisur 3 mandate më parë.
Tre mandate më parë nga ku sot kemi trefishuar prodhimin e serave, kemi rritur ndjeshëm konkurrueshmërinë në një sipërfaqe serash që sot ka prekur 2200 ha.
Tre mandate nga kur kemi arritur të rrisim prodhimin e perimeve që i është afruar 1500 milionë tonëve.
Tre mandatet kur eksportet kanë filluar të rriten duke kapur një vlerë që ketë vit vetëm në 9 mujorin e parë është me e lartë sesa vlera e vitit të shkuar, duke u afruar të përmbushim gjysmë miliard euro eksporte.
Kemi përmbysur raportin e eksporteve me importet, e kemi gjetur 1 eksport 7 import. Sot jemi 1 me 3, duke vazhduar të shkojmë drejt tendencës ulëse edhe të treshit. Synimi është 1 eksport dhe dy import kur vjen puna tek prodhimi bujqësoer.
Është me shumë rëndësi që kemi sot një buxhet për vitin e ardhshëm, jo më të lartë, por shumë më të lartë krahasuar me buxhetin e këtij viti. Vetëm në skemën kombëtarë shkojmë me një buxhet që është dyfishi i vitit që po përfundon. Sa i takon skemës direkte, të gjitha pagesat do të mbyllen brenda këtij viti 100%.
Çka na intereson sot është cka duhet të bëjmë në vitet që kemi përpara. Duhet ta bëjmë bashkërisht, sepse bujqësia ka nevojë për këtë partneritet me qeverinë, me pushtetin vendos për të përballuar sfidat e veta që janë komplekse dhe varen nga faktorë që janë ndonjëherë jashtë mundësive të njeriut për ti kontrolluar.
Ajo që ka më shumë rëndësi në bilancin e këtyre viteve është dija e fituar në këto vite nga vetë ju. Dija e fituar në një sektor ku gjerat lëvizin me vështirësi, por në mënyrë të vazhdueshme dhe në botën që jetojmë teknologjia sjell mundësi të paimagjinueshme deri dje.