Rama: Duhet rritur diplomacia parlamentare dhe forcuar administrata e Kuvendit për negociatat
TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se, procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian kërkon një rritje të ndjeshme të aktivitetit diplomatik parlamentar, si dhe një administratë më cilësore dhe më të specializuar të Kuvendit.
Duke iu referuar konkluzioneve të diskutuara, Rama theksoi se diplomacia parlamentare duhet të jetë në fokusin e Kryetarit të Kuvendit, por jo vetëm.
Sipas tij, ky angazhim duhet të përfshijë të gjithë deputetët, veçanërisht ata që janë pjesë e grupeve të miqësisë me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, dhe në mënyrë të posaçme me ato parlamente ku nevoja për më shumë komunikim, prani dhe shpjegime është më e madhe.
Nga ana tjetër, Kryeministri nënvizoi se ky proces kërkon domosdoshmërisht edhe një shërbim administrativ më cilësor të Kuvendit.
Ai kujtoi se prej vitesh është folur për një reformë të brendshme në Kuvend dhe se janë hedhur disa hapa, por sipas tij mbeten ende sfida të rëndësishme.
“Kuvendi ka rreth 350 punonjës, nga të cilët rreth 300 janë nëpunës civilë. Megjithatë, barra reale e punës mbështetëse për komisionet parlamentare, deputetët dhe Kryetarin e Kuvendit bie mbi një numër shumë më të vogël”, u shpreh Rama, duke theksuar se kjo situatë kërkon vëmendje të veçantë.
Ai shtoi se, duke pasur parasysh edhe çështjet që lidhen me sigurinë juridike të punonjësve aktualë, mund të lindë nevoja për shtimin e forcave të reja dhe për rritjen e ekspertizës, veçanërisht në funksion të komisioneve parlamentare që trajtojnë çështjet e negociatave me BE-në.
Në këtë kuadër, Rama theksoi se për të funksionuar siç duhet mekanizmi i koordinimit mes qeverisë dhe grupit parlamentar, është e domosdoshme që skuadra negociatore, përfshirë Kryenegociatoren dhe Zëvendëskryenegociatoren, të ketë një kundërpalë në Kuvend me ekspertizën e nevojshme.
“Vetëm kështu koordinimi mes qeverisë dhe Kuvendit do të jetë efektiv dhe në funksion të përmbushjes me sukses të detyrimeve të procesit të negociatave”, përfundoi Kryeministri.
/gj.m/r.e/
The post Rama: Duhet rritur diplomacia parlamentare dhe forcuar administrata e Kuvendit për negociatat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.