Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

Në 2025, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni”

27 December 2025 at 09:59

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Gjatë vitit 2025, në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” kanë ardhur në jetë 3 767 foshnje, ndërsa institucioni ka shënuar edhe zhvillime të rëndësishme strukturore dhe organizative.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndau një videokartolinë të veçantë urimi për festat e fundvitit nga stafi i Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, ku pjesë e saj është edhe Soreja, tashmë njëvjeçare, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në strukturat spitalore publike në Shqipëri.

Mjeku Petrit Cami teksa shprehu urimin për festën e Vitit të Ri, vuri theksin në punën e stafit shëndetësor dhe kontributin e spitalit në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

Ndërsa kryeinfermierja Nineta Nasyfaga vlerësoi rolin e spitalit si simbol i shpresës, jetës së re dhe përkushtimit të stafit mjekësor ndaj nënave dhe fëmijëve.

Gjatë vitit 2025, në këtë spital është krijuar Qendra Mjekësore për Riprodhim të Asistuar, duke zgjeruar shërbimet publike në fushën e fertilitetit, si dhe spitali ka marrë statusin e Autonomisë Menaxheriale Spitalore. /j.p/

The post Në 2025, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 26 December 2025Main stream

Nga ‘burrat e pathyeshëm’ te madhësia, andrologu zbardh besimet e gabuara të meshkujve

By: A R
26 December 2025 at 19:46

Meshkujve iu mësohet qysh në fëmijëri se duhet të jenë të fortë, të durojnë dhe të mos thyhen. Është një skript që përsëritet nga familja dhe përforcohet nga media, për t’u përthithur më pas në mënyrë të pavetëdijshme.

I ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, Dr. Marsid Sinai – mjek androlog dhe kirurg – shpjegon se kjo ide e “burrit të pathyeshëm” është miti i parë dhe më i dëmshëm që meshkujt bartin nga fëmijëria në burrëri. Miti i dytë, sipas tij ka të bëjë me lidhjen që shumica e meshkujve bëjnë mes përmasave të organit gjenital dhe potencës seksuale – një mit ky i përfocuar nga pornografia dhe krahasimet, që shpesh e kthejnë pasigurinë në shqetësim shnëndetësor edhe kur nuk është aspak një problem shëndetësor.

Miti i tretë, sipas Dr. Sinanit, është ideja se problemet tona janë të dukshme ndaj të tjerëve, kur në të vërtetë shumica e njerëzve janë tepër të zënë me problemet e tyre dhe trupat e tyre për të vërejtur ankthet tona.

Ai shton se shpesh, shumë meshkuj nuk vuajnë domosdoshmërisht sepse trupat e tyre kanë probleme shëndetësore, por për shkak të historive që iu janë treguar dhe besojnë në lidhje me atë se çfarë trupat e tyre duhet të jenë.

“Shqiptarët, jo të vëmendshëm ndaj shëndetit oral”, stomatologët: Kariesi dhe dhëmbët e prishur, rastet më të shpeshta

By: A R
26 December 2025 at 19:13

Tek dentisti, një pjesë e mirë e shqiptarëve shkojnë vetëm kur kanë dhimbje. Shëndeti oral nuk është pjesë e kontrolleve dhe pastrimeve periodike.

Kjo mungesë i çon jo rrallë herë drejt infeksioneve që lidhen me shumë sëmundje, që nga infeksionet në mishrat e dhëmbëve e deri te sëmundjet kardiovaskulare.

Ndërsa një pjesë tjetër nuk shkojnë jo nga padija, por për shkak të kostove të larta që kanë klinikat private.

“Problematika më e shpeshtë është kariesi ose dhëmbët e prishur. Pavarësisht se ka një rritje të ndërgjegjësimit për t’u kujdesur, një pjesë e mirë e popullatës nuk paraqitet për të adresuar problematikat”, tha Belisa Kaleci, drejtoreshë e Klinikës Stomatologjike Universitare.

Klinika Stomatologjike Universitare në QSUT ofron shërbime falas për qytetarët që nuk kanë mundësi financiare, ku pensionistët janë përfituesit më të mëdhenj.

“Ne ofrojmë shërbime për moshat 0–18 vjeç, për pensionistët, familjet në nevojë, për çdo qytetar të Shqipërisë dhe për të huaj rezidentë”, tha ajo.

Në këtë strukturë universitare, ekipi i stomatologëve aplikon protokolle sipas standardeve ndërkombëtare për një gamë të gjerë shërbimesh.

“Ne ofrojmë jo vetëm shërbime bazike, por edhe ndërhyrje kirurgjikale me lazer kirurgjikal. Së fundmi jemi pajisur edhe me skaner 3D”, nënvizoi Kaleci.

Shërbimet, një herë në javë, ofrohen edhe për fëmijët romë dhe egjiptianë, ndërsa për personat me aftësi të kufizuara janë falas. Klinika ofron mundësi të ushtrimit të profesionit edhe për studentët dhe specializantët.

Fluks virozash në spitale, mjekët: Mos përdorni atibiotikë pa u konsultuar me specialistin

By: A R
26 December 2025 at 17:33

Periudha e festave është shoqëruar me një fluks të virozave, megjithatë sipas mjekëve situata nuk paraqitet alarmante. Virozat e rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes janë ato që dominojnë më tepër gjatë kësaj periudhe.

Bluzat e bardha apelojnë qe antibiotiket te mos perdoren pa kriter dhe pa konsultë me specialistin. Asnjë trajtim që nuk rekomandohet nga mjeku specialist nuk duhet marrë nga të vegjlit.

Mjekët japin disa këshilla për më shumë kujdes gjatë këtyre ditëve të festave me qëllim parandalimin e qarkullimit të virozave.

Fluksi i virozave është i pranishëm në të gjithë vendin. Vetëm në pediatrine  e Vlorës, kryhen rreth 40 vizita në ditë ndërsa rreth 30 është numri i pacientëve të vegjël që aktualisht janë të hospitalizuar,për shkak të komplikacioneve. Megjithate sipas bluzave të bardha, fluksi pritet të shtohet më shumë në ditët në vijim.

Shtohet numri i rasteve me grip, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen

26 December 2025 at 15:45

Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), gjatë javëve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e rasteve të gripit dhe infeksioneve respiratore, e shoqëruar me rritje të numrit të personave që kërkojnë ndihmë mjekësore, si dhe të rasteve që përfundojnë me hospitalizim.

IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të vaksinohen kundër gripit sezonal, duke e cilësuar vaksinimin si masën më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe komplikimeve të saj.

“Edhe pse sezona e gripit ka filluar, vaksinimi është ende i dobishëm, pasi pritet që përhapja e gripit të intensifikohet gjatë muajve të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Sipas IKSHPK-së, vaksinimi ndihmon në uljen e rrezikut të zhvillimit të formave të rënda të sëmundjes, si dhe në mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara, përfshirë të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike, si dhe të gjithë personat nga mosha 6 muaj e lart që dëshirojnë të mbrohen nga gripi dhe komplikimet e tij.

“IKShPK u bën thirrje qytetarëve që, së bashku me familjarët e tyre, të drejtohen pranë qendrave të mjekësisë familjare për t’u vaksinuar”, thuhet në thirrjen e Institutit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Shtohet numri i rasteve me grip, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen appeared first on Sinjali.

Fëmija 3 vjeç konfirmohet me fruth, Toçi për ATSH: Situata, jo alarmante

26 December 2025 at 20:17

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Një fëmijë është konfirmuar me fruth në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Burime pranë MSHMS, konfirmuan se ky rast është paraqitur që në datën 22 dhjetor në spitalin e Pediatrisë, me temperaturë shumë të lartë dhe i pavaksinuar, por rasti është hetuar epidemiologjikisht dhe ndjekur nga ISHP.

Sipas MSHMS-së, nga dy raste me simptoma, vetëm njëri rast është fruth, ndërsa rasti tjetër nuk është konfirmuar i tillë.

Hetimi epidemiologjik i ndjekur nga ISHP ka konfirmuar diagnozën e fruthit për këtë fëmijë që është i moshës 3 vjeç.

Prof. Asoc. Dorina Toçi, drejtoreshë e Përgjithshme e ISHP-së, tha sot për ATSH-në se situata e fruthit në vend nuk është aspak alarmante dhe nuk ka vend për panik. Sipas Toçit, raste të konfirmuara me fruth ka pasur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, madje në 2025 ka pasur më pak raste se vitet e kaluara.

Deputeti i PS,  Erjon  Braçe u bën thirrje prindërve që të mos e ndërpresin kalendarin e vaksinimit kundër fruthit, ndërsa thekson se rrymat antivaksinë në media apo rrjetet sociale duhet të braktisen.

“Fëmijët janë të pavaksinuar, për fruthin po e po, por edhe për sëmundje të tjera; Është tre vjeç por kalendari i vaksinimit të tyre është ndërprerë që në muajin e gjashtë, prindërit nuk e kanë ndjekur më kalendarin e vaksinimit të tyre. Fruthi është pasoja e parë. Unë nuk e di sa i gjerë është fenomeni, po kam frikë se pas pandemisë dhe fushatës agresive kundër vaksinimit me konotacion të gjerë, ndalja nga prindërit të kalendarit të vaksinimit ka marrë përmasë“, tha Braçe.

Vatra më e fundit me fruth në Shqipëri ishte ajo e këtij fillimviti në Fier me 10 fëmijë nga mosha 4-9 vjeç  ndërsa tre të tjerë u identifikuan në Vaun e Dejës, Lezhë dhe Tiranë ku ISHP konfirmoi gjithsej 12 raste, të gjithë të pavaksinuar. Mbulesa vaksinale me dozën e parë të vaksinës ndaj fruthit gjatë kësaj periudhe ra në 73% ndërsa me dy doza në  87% në shkallë vendi.

/e.i/j.p/

The post Fëmija 3 vjeç konfirmohet me fruth, Toçi për ATSH: Situata, jo alarmante appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shëndeti në QKUK pret, pavarësisht investimeve milionëshe

26 December 2025 at 13:10

Në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, aktualisht, janë rreth 2 mijë pacientë në pritje për koronarografi dhe vendosjen e stentave.

Gjatë viteve të fundit, janë realizuar investime në QKUK, përfshirë rinovime, shtretër të rinj dhe aparatura të avancuara, por ato duket se nuk kanë ulur ndjeshëm listat e pritjes.

Problemet thuhet se nuk burojnë vetëm nga mungesa e resurseve, por kryesisht nga menaxhimi joefikas i kapaciteteve ekzistuese.

Dy ditë në javë, korridoret e Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mbushen me dhjetëra pacientë që presin një vendim mjekësor me rëndësi jetike për ta – nëse do t’u kryhet koronarografia apo do t’u vendoset stenti.

Përpara tyre është një komision i përbërë nga mjekë dhe infermierë, i cili shqyrton dokumentacionin mjekësor, analizat dhe, kur është e nevojshme, kërkon ekzaminime shtesë, para se pacientët të përfshihen në listat e pritjes.

Koronarografia shërben për të identifikuar ngushtimet ose bllokimet në arteriet që furnizojnë zemrën me gjak, ndërsa stenti është një tub i vogël metalik që vendoset për të mbajtur arteriet e hapura dhe për të rikthyer qarkullimin normal të gjakut.

Sipas stafit të Klinikës së Kardiologjisë, aktualisht janë rreth 2 mijë pacientë që presin për këto shërbime, përfshirë edhe raste të regjistruara në muajt e parë të vitit 2024.

Një nga arsyet kryesore të këtij grumbullimi, sipas mjekëve dhe infermierëve me të cilët bisedoi REL-i, është mosfunksionimi i disa aparaturave për së paku dy muaj gjatë këtij viti.

Ngarkesën e ka shtuar edhe fluksi i madh i pacientëve nga komunat e Kosovës, përfshirë ato ku më herët janë kryer ekzaminime të tilla, si dhe numri i madh i referimeve nga klinikat e tjera brenda QKUK-së.

Stafi, megjithatë, siguron se rastet urgjente trajtohen menjëherë dhe nuk mbeten në listat e pritjes.

Pacientët duke pritur në një nga korridoret e ndërtesës së klinikave interne në QKUK.

“Kam më shumë se një vit që pres”

R. Shala nga Mitrovica e Jugut ishte më 18 dhjetor në mesin e pacientëve që prisnin në korridoret e Kardiologjisë për një termin për vendosjen e stentit.

“I kam vendosur 12 stenta – njëherë katër, njëherë gjashtë dhe njëherë dy. Katër i kam vendosur në spital privat, të tjerat këtu, në QKUK. Terminin për koronarografi e kam bërë para më shumë se një viti dhe ende nuk më kanë thirrur. Erdha të interesohem, sepse kam probleme dhe nuk jam mirë”, tha Shala për Radion Evropa e Lirë, teksa mbante një grumbull dokumentesh në duar.

Edhe pacientë të tjerë thanë se nuk kishin marrë një datë të saktë për procedurën.

“Jo, nuk më caktuan datë. Vetëm më thanë se do të më thërrasin në telefon”, tha një burrë në të 40-at.

Në Klinikën e Kardiologjisë punojnë rreth 40 kardiologë, prej të cilëve afërsisht 12 janë kardiologë invazivë.

Ata kryejnë ekzaminime për identifikimin e ngushtimeve dhe bllokimeve në arteriet e zemrës, ndërhyrje për hapjen e arterieve të bllokuara, si dhe vendosjen e stentave.

Sipas të dhënave të klinikës, çdo ditë realizohen 10 deri në 13 koronarografi.

Këto procedura kryhen edhe në disa spitale private në Kosovë, por janë ndjeshëm më të kushtueshme krahasuar me sektorin publik.

Investime pa efekt në zvogëlimin e listave të pritjes

Gjatë viteve të fundit, në QKUK janë realizuar investime në disa klinika, përmes fondeve qeveritare dhe donacioneve.

Për shembull, në Klinikën e Kardiokirurgjisë, për renovim, shtretër dhe hapësira të reja janë investuar vitin e kaluar 750 mijë euro, ndërsa në Klinikën Emergjente rreth 800 mijë euro.

Janë siguruar edhe aparatura të reja, përfshirë skanerin PET/CT për herë të parë, për diagnostikimin dhe menaxhimin e llojeve të ndryshme të kancerit dhe disa sëmundjeve të tjera.

Në Klinikën e Kardiologjisë, sipas mjekëve, investimet kanë qenë kryesisht infrastrukturore, pa blerje të pajisjeve të reja.

Megjithatë, ata thonë se materialet dhe barnat janë të mjaftueshme dhe se pacientët nuk kanë nevojë t’i sigurojnë vetë.

Pritje të gjata edhe në klinika të tjera

Problemi i listave të pritjes nuk kufizohet vetëm në Kardiologji.

Në Klinikën e Ortopedisë, pavarësisht ndërtimit të një objekti të ri dhe renovimeve, pritja për një protezë gjuri mund të zgjasë mbi tre vjet.

Pacientët, ndërkohë, detyrohen të blejnë shumicën e barnave dhe implanteve.

“Nuk kemi asnjë nga protezat e nevojshme, prandaj kemi numër të madh pacientësh. Aktualisht, ky numër shkon mbi një mijë”, tha një ortoped për REL-in, në kushte anonimiteti.

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, pritja për trajtimin e problemeve me venat tejkalon dy vjet e gjysmë, për shkak të mungesës së anesteziologëve dhe vendeve për hospitalizim, ndonëse gjatë vitit janë kryer rreth 500 ndërhyrje.

Në maj të këtij viti është përuruar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, ku trajtohen pacientët me lloje të ndryshme të kancerit, por me vetëm 60 shtretër, edhe aty ka shpesh pritje të gjata, ose mjekim të pacientëve në salla të improvizuara.

Në Klinikën e Oftalmologjisë, pritja për ndërhyrje kirurgjikale mund të zgjasë deri në nëntë muaj, varësisht nga lloji i operacionit.

Haki Hoti nga Gjilani, që kreu një operacion për katarakt më 18 dhjetor, i tha REL-it se kishte pritur rreth pesë muaj për këtë intervenim.

Kritika dhe kërkesa për llogaridhënie

Në fillim të këtij muaji, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kërkoi një raport të detajuar për listat e pritjes.

Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, tha se tashmë ekzistojnë kushte, aparatura dhe medikamente për trajtimin e rasteve dhe se është caktuar një zyrë e veçantë për përpilimin e këtij raporti.

Për Bujar Vitinë, kryeredaktor i gazetës “Shneta”, që mbulon shëndetësinë në Kosovë, situata mbetet shqetësuese.

“Investimet milionëshe nuk i kanë ulur listat e pritjes. Duhet identifikim i pengesave reale dhe shpërndarje më e mirë e stafit, përfshirë orët shtesë të anesteziologëve”, tha ai për REL-in.

Sipas raportit të Zyrës së Auditorit Kombëtar, vitin e kaluar, QKUK-ja ka qenë e mbingarkuar me rreth 10 mijë pacientë në lista pritjeje, ndërsa pritja mesatare e tyre ka arritur në gati tre vjet.

Auditorët kanë vlerësuar se situatës i ka kontribuar mungesa kritike e personelit mjekësor, sidomos e anesteziologëve, që ka çuar në shtyrjen e operacioneve.

Një problem kronik i sistemit shëndetësor

Me ankesat për kushtet e punës dhe pagat, mbi 100 mjekë largohen nga Kosova çdo vit, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë, e pyetur nga Radio Evropa e Lirë për listat e pritjes në QKUK, tha se menaxhimi i tyre është në kompetencë të SHSKUK-së.

Ndërkohë, tollovitë në QKUK nuk shkaktohen vetëm nga pacientët, por edhe nga shoqëruesit e tyre, të cilët shpesh, në mungesë të infermierëve, kryejnë edhe punë që nuk u takojnë.

Në disa reparte, mungesa e furnizimeve bazike – si sapunët apo çarçafët – mbetet gjithashtu e dukshme, duke nxjerrë në pah boshllëqe elementare në organizimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve.

E, këto probleme nuk janë të reja. Ato e shoqërojnë sistemin shëndetësor të Kosovës që nga paslufta, pavarësisht investimeve të herëpashershme, ndërrimit të qeverive dhe premtimeve të vazhdueshme për reforma.

Në vlerësimin e shumë profesionistëve të shëndetësisë, kjo nuk buron vetëm nga mungesa e resurseve, por edhe nga menaxhimi joefikas i kapaciteteve ekzistuese dhe planifikimi i dobët i shërbimeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Shëndeti në QKUK pret, pavarësisht investimeve milionëshe appeared first on Sinjali.

Konfirmohet rasti i parë i fruthit në Shqipëri, fëmija i prekur është i pavaksinuar

By: Fax Web
26 December 2025 at 13:01

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar rastin e parë të fruthit në Shqipëri. Një fëmijë i pavaksinuar është diagnostikuar me fruth më 22 dhjetor kur dhe është paraqitur në spital.

Rasti i tij është ndjekur nga Instituti i Shëndetit Publik ndërsa dhe është hetuar epidemiologjikisht. Rasti është i izoluar dhe deri më tani nuk rezulton të ketë fëmijë të tjerë të infektuar.

Aktualisht, fëmija po trajtohet në shërbimin e pediatrisë infektive ndërsa raportohet se nuk ka ardhur nga jashtë shtetit.

Në vitin 2026 nis funksionimi i Korpusit të Laboratorëve të ISHP-së

26 December 2025 at 09:00

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Korpusi i ri i Laboratorëve të Institutit të Shëndetit Publik, pritet të trefishojë kapacitetet laboratorike të këtij institucioni, me biosiguri sipas standardeve të BE-së.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi sot se “në vitin që po troket do të nisë funksionimi i Korpusit të Laboratorëve”.

Korpusi i laboratorëve të referencës kombëtare të Institutit të Shëndetit Publik është ndërtuar në një sipërfaqe prej 2900 metrash katrorë. Ky korpus do ketë nivelin më të lartë të biosigurisë sipas standardeve të BE-së, ku trajtimi i agjentëve biologjikë me rrezik të lartë, do të bëhet në nivele të larta mbrojtjeje për shëndetin e specialistëve.

Ky investim i buxhetit të shtetit përmirëson parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, rrit sigurinë shëndetësore kombëtare dhe forcon kërkimin shkencor në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.

Laboratorët do të pajisen edhe me aparatura të teknologjisë së fundit dhe me kushte bashkëkohore pune për ekspertët dhe stafin e ISHP-së duke garantuar përgjigje sa më efektive, në kohë dhe të sigurta për shëndetin publik.

Njëherësh, duke qenë në atmosferën festive të dhjetorit, specialistët dhe drejtuesit e disa departamenteve të ISHP-së përcollën në një video mesazhe urimi për të gjithë qytetarët, për një jetesë të shëndetshme, me më shumë aktivitet fizik, kujdes të shtuar për shëndetin mendor, ndërsa u bënë thirrje grave dhe vajzave për kryerjen e mamografive falas dhe testine HPV.

Prof. asoc. Dorina Toçi, drejtoreshë e përgjithshme e ISHP-së, u shpreh se “kujdesi për shëndetin është dhurata më e çmuar, për veten dhe familjen tonë”.

/e.i/r.e/a.f/

The post Në vitin 2026 nis funksionimi i Korpusit të Laboratorëve të ISHP-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Shëndetësia gjatë 2025-ës/ 5 përparimet mjekësore që japin shpresë

By: Fax Web
25 December 2025 at 20:11

Viti 2025 ka shënuar disa arritje të rëndësishme në shëndetësi. Shkencëtarët kanë bërë zbulime të reja, të cilat mund të jenë premtuese për trajtimin e shumë sëmundjeve.

Euronews Health” ka listuar pesë më të rëndësishmet.

Një nga zhvillimet më të bujshme ishte trajtimi i parë personalizuar në botë me redaktim gjenetik, i aplikuar te një foshnjë me një sëmundje të rrallë dhe shpesh fatale. Edhe pse foshnja do të duhet të monitorohet gjatë gjithë jetës, trajtimi përmirësoi ndjeshëm cilësinë e jetës së fëmijës, i cili tashmë ka nisur të ecë. Studiuesit thonë se suksesi i procedurës përbën një përparim madhor, duke treguar se edhe pacientë të tjerë me sëmundje gjenetike mund të përfitojnë nga kjo teknologji në të ardhmen.

Vaksinat që përdorën teknologjinë ARN dhe morën famë gjatë pandemisë së COVID-19 sot po testohen për gripin, HIV-in, sëmundje gjenetike dhe kancer. Studimet treguan se këto vaksina kundër HIV-it mund të nxisin prodhimin e antitrupave neutralizues.

Një tjetër hap i rëndësishëm ishte transplantimi i parë i një mëlçie derri të modifikuar gjenetikisht te një pacient i gjallë, i cili mbijetoi për 171 ditë, duke afruar më shumë realitetin e ksenotransplantimit.

Shkencëtarët përdorën gjithashtu ind të gjallë të trurit njerëzor për të studiuar fazat e hershme të demencës, një zhvillim që mund të ndihmojë në gjetjen e trajtimeve të reja.

Ndërkohë, barnat për humbje peshe kanë treguar potencial për trajtimin e sëmundjeve të tjera, megjithëse ekspertët theksojnë se ato nuk janë një zgjidhje universale.

Këto përparime ofrojnë shpresë për trajtime më efektive dhe një të ardhme më të mirë në shëndetësi.

OBSH: 1 në 3 vdekje me dëmtime vijnë nga alkooli

By: Fax Web
25 December 2025 at 18:57

Gjatë sezonit të festive shënohet një rritje e përdorimit të alkoolit, gjë që sipas ekspertëve mund të rrisë rrezikun e lëndimeve, duke përfshirë lëndimet si pasojë e aksidenteve rrugore, rrëzimet, djegiet, helmimet dhe dhunën.

Sipas OBSH në Europë, 1 në 3 vdekje me dëmtime fizike gjatë kësaj periudhe ka si shkak kryesor konsumin e alkoolit.

Në Rajonin Evropian afërsisht një në tre vdekje tek burrat dhe një në pesë vdekje tek gratë midis moshës 30 dhe 40 vjeç i atribuohen alkoolit thuhet ne raportin e OBSH. Midis njerëzve të moshës 20 deri në 24 vjeç, alkooli përbën 35% të të gjitha vdekjeve nga lëndimet.

Sipas OBSH, vdekjet ne Shqipëri për shkak të alkoolit kapin shifrën e 3 humbje jete për 100 mijë banorë, duke u renditur tek vendet me përqindje të ulët.

Shkalla e vdekshmërisë e standardizuar sipas moshës ishte më e larta në Evropën Lindore, veçanërisht në Letoni, Lituani dhe Federatën Ruse, ku vdekshmëria nga lëndimet që i atribuueshin alkoolit tejkaloi 22.6 për 100 mijë banorë, ndërsa vende të tilla si Azerbajxhani, Taxhikistani dhe Turqia dhe Shqipëria raportuan disa nga shkallët më të ulëta, shpesh nën 2.9 për 100 mijë banorë.

Një ndarje lindje-perëndim ishte e dukshme në përqindjen e të gjitha vdekjeve nga lëndimet që i atribuohen alkoolit, me shumë vende të Evropës Lindore që tejkalonin 60%, krahasuar me më pak se 20% në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore dhe Jugore.

OBSH: Një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen me alkoolin

24 December 2025 at 23:03

Sipas një raporti të Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen drejtpërdrejt me konsumin e alkoolit.

OBSH e cilëson këtë një problem serioz të shëndetit publik, pasi alkooli dëmton gjykimin dhe koordinimin, duke rritur rrezikun për aksidente, dhunë dhe dëmtime të tjera.

Të dhënat tregojnë se ndikimi i alkoolit është i përhapur në të gjitha vendet europiane dhe prek të gjitha grupmoshat. Megjithatë, të rinjtë dhe burrat rezultojnë të prekur në mënyrë disproporcionale nga vdekjet dhe lëndimet e lidhura me alkoolin.

Masat parandaluese të rekomanduara nga OBSH

OBSH nënvizon nevojën për ndërhyrje të forta dhe të qëndrueshme, mes tyre:

Kufizime më të rrepta për disponueshmërinë dhe shitjen e alkoolit;

Fushata informuese dhe ndërgjegjësuese për rreziqet e konsumit;

Ndërhyrje të synuara për grupet me rrezik të lartë;

Forcim të kontrollit rrugor dhe zbatimit të ligjit kundër drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

Kosto sociale dhe ekonomike

Raporti vë në dukje edhe kostot e larta sociale dhe ekonomike të keqpërdorimit të alkoolit. Lëndimet e lidhura me të rëndojnë sistemet shëndetësore, shërbimet e emergjencës, zbatimin e ligjit dhe shërbimet sociale.

Në përfundim, OBSH bën thirrje për politika të koordinuara në nivel kombëtar dhe rajonal, me qëllim uljen e dëmeve dhe parandalimin e humbjes së jetëve të shmangshme nga incidentet e lidhura me alkoolin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post OBSH: Një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen me alkoolin appeared first on Sinjali.

Rama në QSUNT: Shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe në rrethe

24 December 2025 at 21:04

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Në mbyllje të këtij viti dhe në vigjilje të festës së Krishtlindjes, siç është kthyer në traditë tashmë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala vizitoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet, për t’u përshëndetur me mjekë, dhe infermierë, por jo vetëm.

Pacientët e vegjël që trajtohen në shërbimin e Pediatrisë ishin të parët që u vizituan nga Kryeministri Rama, i cili shpërndau për ta dhurata me rastin e festave të fundvitit, duke iu uruar shërim të shpejtë dhe kthim sa më parë në shtëpi.

“Ne e bëjmë këtë çdo vit, kështu që kemi ardhur të sjellim dhuratat për ju që ta kaloni gëzuar Vitin e Ri bashkë me mamat dhe me babat, edhe që të shëroheni sa më shpejt që të ktheheni në shtëpi dhe në shkollë”, uroi Kryeministri vogëlushët që shoqëroheshin nga prindërit në mjediset spitalore.

Më tej, Kryeministri Rama, vijoi vizitën në Spitalin Onkologjik, i cili në muajt e fundit ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe ka rritur kapacitetet pritëse.

Drejtuesja e QSUNT Anxhela Paparizo, e cila shoqëronte Kryeministrin në këtë vizitë, informoi se është realizuar rikonstruksioni i një sërë ambienteve, mes të cilave sallat e kemioterapisë ditore, që janë pajisur edhe me aparatura të teknologjisë moderne.

Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala shtoi se është realizuar edhe rregullimi i fashave orare, duke i dhënë përparësi pacientëve të ardhur nga rrethet për kemioterapinë ditore, për të cilën është hapur dhe një sallë e dytë me kapacitet më të madh, me poltrone dhe sistem monitorimi bashkëkohor.

Nga ana e tij, kryeministri Rama u shpreh se synimi është që shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe nëpër rrethe, në mënyrë që të shmanget fluksi i shtuar në QSUNT.

Në vijim, Kryeministri Rama zhvilloi një takim të zgjeruar me personelin mjekësor, mjekë, infermierë, ekipe të urgjencës mjekësore dhe specializantë.

/k.s/j.p/

 

The post Rama në QSUNT: Shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe në rrethe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOTO/ Kujdes çfarë konsumoni! AKU bllokon 5 ton djathë dhe 944 kg fileto pule

By: Fax Web
24 December 2025 at 19:01

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se gjatë kontrolleve të ushtruara së fundmi nga Drejtoria Rajonale Tiranë, janë konstatuar shkelje ligjore në një subjekt ushqimor.

Inspektorët kanë bllokuar 5 ton djathë “Gouda” dhe 944 kg fileto pule për mungesë të kundraetiketës në gjuhën shqipe.

Subjekti mori gjobë dhe produktet mbeten të bllokuara deri në rregullimin e dokumentacionit dhe etiketimit.

“AKU garanton opinionin publik se do të vijojë kontrollet rigoroze në të gjithë zinxhirin ushqimor për të garantuar zbatimin e ligjit dhe informimin e saktë të konsumatorëve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të tyre”, thuhet në faqen zyrtare.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është kritikuar shpesh edhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Fatjon Pasholli dha dorëheqjen pas vetëm 4 muajsh në postin e drejtuesit të AKU. Vendin e tij e zuri Alketa Hoxha.

Viti 2025 numëron problematika në këtë fushë që në nisje, që me mandarinat me pesticide, tonelatat e mishit me salmonelë nga Brazili, luleshtrydhet greke apo specat dhe qumështin.

Rama: Indeksim vjetor i pagës së mjekëve dhe infermierëve mbi bazën e vjetërsisë në punë

24 December 2025 at 17:41

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë gjatë 2026 do të fillojë edhe indeksimi vjetor i pagës mbi bazën e vjetërsisë në punë.

Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin e sotëm me personelin shëndetësor në QSUNT u ndal edhe tek rritja e pagave për mjekët dhe infermierët.të cilët do të përfitojnë rritje të re përveç indeksimit vjetor.

“Do të vazhdojmë të rrisim pagat për mjekët, edhe patjetër do vazhdojmë të rrisim pagat edhe për infermierët. Faktikisht do të rritet 135 euro në muaj dhe në ndërkohë është vendosur edhe diçka tjetër për herë të parë, që nuk e kemi pasur mundësinë ta vendosim përpara, që do të bëjmë dhe një vlerësim në punë”, tha Rama.

Kryeministri Rama informoi se “do të bëhet faktikisht indeksimi vjetor i pagës mbi bazën e vjetërsisë në punë dhe kjo do të jetë një shtesë tjetër që do të vlejë, qoftë për mjekët, qoftë për infermierët apo për teknikët e shkencave mjekësore, gjë që shkon plus asaj rritjes për të cilën unë fola”.

Gjithashtu, shtoi Rama, do të rritet digjitalizimi, për të futur sa më shumë dhe sa më shpejt edhe inteligjencën artificiale në proceset e trajtimit të pacientëve nga ana e shërbimit shëndetësor.

/k.s/j.p/

The post Rama: Indeksim vjetor i pagës së mjekëve dhe infermierëve mbi bazën e vjetërsisë në punë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 15 milionë euro ekstra vetëm për barnat onkologjike

24 December 2025 at 17:22

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin e sotëm me personelin shëndetësor në QSUNT vuri në dukje se 15 milionë euro ekstra vetëm për barnat onkologjike janë parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Po ashtu, ndërsa informoi se shëndetësia në buxhetin 2026 ka marrë 50 milionë euro më shumë sesa këtë vit, Rama tha se kjo shumë nuk është pak për buxhetin.

Kreu i Qeverisë u ndal posaçërisht tek buxhetin për barnat onkologjike, duke theksuar se  15 milionë euro të tjera do të shtohen në mesin e vitit të ardhshëm për të pasur një rimbursim domethënës të barnave onkologjike, në shërbimin parësor dhe për ta siguruar mbulimin me barna në të gjithë sistemin onkologjik.

Rama u zotua për transformim të sistemit onkologjik në mënyrë që gjithë presioni i madh që vjen mbi onkologjikun në Tiranë, të shpërndahet me rijetësimin e sistemit në spitalet rajonale, duke garantuar që protokollet dhe i gjithë mbulimi me barna, të jenë garanci për pacientët në të gjithë territorin.

Faktikisht, vijoi Rama, kemi vendosur në buxhet kapacitet domethënës për të rimbursuar 400 mijë pacientë. “Flasin shumë njerëzit, “jo po kur është shëndetësia falas”, “jo ku është shëndetësia falas”, po faktikisht gjithë këto gjëra që ndodhin këtu janë pjesë e këtij vizioni edhe faktikisht janë krejt ndryshe nga si ndodh në vende të tjera”, u shpreh Kryeministri.

Kreu i qeverisë po ashtu garantoi se do të vijojë transformimi i QSUNT-së për të mbyllur edhe çfarë ka mbetur pa u mbyllur, ndërkohë që ambicia është për të ngritur Institutin Kombëtar të Tumoreve dhe për të pasur një rrjet kombëtar për të adresuar këtë problem që bëhet gjithmonë e më i madh, jo në Shqipëri, por kudo ku kanceri po prek gjithmonë e më shumë njerëz.

/k.s/j.p/

The post Rama: 15 milionë euro ekstra vetëm për barnat onkologjike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 95 mijë operacione të suksesshme në vit në shërbimin shëndetësor

24 December 2025 at 17:03

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me personelin mjekësor, mjekë, infermierë, ekipe të urgjencës mjekësore dhe specializantë, të cilët i vlerësoi për sakrificën dhe përkushtimin në shërbim të qytetarëve.

Në fjalën e tij, Rama tha se nuk duhet harruar sakrifica dhe përkushtimi i të gjithë mjekëve, infermierëve, punonjësve të Urgjencës Kombëtare, të gjithë stafit që mbështet për çdo orë e çdo ditë të vitit pa pushim, duke shpëtuar jetë, duke shëruar njerëz të sëmurë dhe duke kryer një shërbim jetik për shoqërinë dhe për vendin.

Kreu i qeverisë u shpreh se janë rreth 60 mijë operacione të suksesshme që bën shërbimi ynë shëndetësor në vit edhe plus 35 mijë ndërhyrjet mikro-kirurgjikale, që së bashku bëjnë 95 mijë ndërhyrje në trupin e njerëzve mesatarisht në vit dhe që janë të suksesshme.

“Përderisa nuk bëjnë lajm të keq – nuk bëjnë lajm të mirë dhe mjafton një operacion i dështuar, mjafton një tragjedi për t’u kthyer në të kundërt, për të gjithë, për të gjithë trupën e mjekëve, për të gjithë shërbimin tonë kombëtar shëndetësor”, vuri në dukje Kryeministri.

“Kur ndodh pastaj që brenda këtij shërbimi identifikohen individë apo veprimtari që e njollosin bluzën e bardhë, atëherë sigurisht që kostoja e reputacionit është shumë e lartë dhe pavarësisht se totalisht e pamerituar për të tjerët, janë të gjithë që paguhen. Por, në fund të ditës për të gjithë ata që e dinë se çfarë do të thotë të shërbesh në sistemin shëndetësor, për të gjithë ata që marrin shërbim, pjesa pozitive është pozitive, është ajo që dominon”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek Spitali Onkologjik dhe investimet që janë kryer aty.

“Përpara se të vinim këtu, vizituam Onkologjikun, që siç e dimë shumë mirë, u bë shkas në një moment të caktuar për të ulur kokën të gjithë së bashku përballë faktesh që nuk nderojnë askënd. Takuam disa pacientë, të cilët ishin shumë të kënaqur me shërbimin dhe që dukej që ishin tërësisht të sinqertë në fjalët e tyre dhe unë po i thosha drejtores dhe ministrit, që opinioni ushqehet me negativitet të madh për shërbimin shëndetësor nga ata dhe prej atyre, që fatmirësisht nuk kanë marrë ndonjëherë shërbim në spital. Sepse po të pyesësh ata që kanë marrë shërbim në spital, pjesa dërrmuese, jo të gjithë patjetër, pjesa dërrmuese kanë marrë një shërbim që e kujtojnë për mirë,  edhe i kujtojnë mjekët për mirë, nuk i kujtojnë për keq. Dhe ju këtë e dini shumë mirë, sepse keni pacientë që kanë kaluar në kujdesin tuaj dhe ju jam mirënjohës, edhe ju kujtoj për mirë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se gjithsesi, duhet vazhduar të adresohen problemet dhe të ngrihet niveli i shërbimeve.

Rama tha se ndërtesa e re e parkimit do të zgjidhë përfundimisht gjithë problematikën e lëvizjes së makinave dhe parkimit të makinave mbi lulishte, sepse do të akomodojë të gjitha makinat që hyjnë në territorin e QSUNT-së.

“Janë rreth 700 e ca makina që parkojnë gjatë ditës nëpër territor, ndërkohë që parkingu ka 1400 vende, kështu që do të akomodojë të gjitha makinat. Plus do të shërbejë edhe për komunitetin rreth e rrotull, duke krijuar të ardhura që do të ndahen midis QSUNT-së dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Dhe kjo do të bëjë që ndërkohë gjithë territori i QSUNT-së sot, që është faktikisht rreth 80 mijë metra katrorë territor i lirë, të bëhet parku më i madh urban i Tiranës, duke krijuar një atmosferë tërësisht tjetër, ku rrugët e makinave të ndahen midis rrugë këmbësorësh edhe rrugë për makinat e shërbimit”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: 95 mijë operacione të suksesshme në vit në shërbimin shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INTERVISTA/ Flet mjekja e njohur: Ja si ndikoi COVID-19 tek rritja e sëmundjeve të zemrës

By: Fax Web
24 December 2025 at 17:48

Edhe COVID-19 ka lënë pasoja sa i përket shëndetit të zemrës.

Kështu tha në një intervistë për Fax News mjekja e njohur kardiologe, Engjëllushe Hasani.

Sipas mjekes, përdorimi i shumtë i korizonikëve, ka çuar edhe në shtim të të sëmurëve me diabet.

“Absolutisht që, edhe sëmundjet virale kanë ndikimin e tyre në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Dhe një nga këto ishte COVID-19. Sepse një nga karakteristikat e kësaj viroze ishte që vetë COVID-i shkaktonte aritmi. Por edhe medikamentet që u përdorën mund të shkaktonin efekte anësore. 

Gjithashtu dihet që është përdorur shumë kortizonikë dhe kjo ka ndikuar edhe në shfaqjen e diabetit“, tha për Fax News mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani.

LEXO EDHE: Flet kardiologia: Si të dallojmë një shqetësim real kardiovaskular, ja shenjat e para

INTERVISTA E PLOTË:

Flet kardiologia: Si të dallojmë një shqetësim real kardiovaskular, ja shenjat e para

By: Fax Web
24 December 2025 at 17:14

E ftuar në Fax News, mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani ka folur lidhur me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shndërruar në një problem serioz për shëndetin publik, jo vetëm në botë por edhe në vendin tonë.

Specialistja i konsideroi sëmundjet e zemrës si “vrasës të heshtur”, ndërsa shtoi se ato janë rritur edhe tek moshat e reja.

Gjatë intervistës me gazetaren Eliana Hoxha, kardiologia shpjegoi me detaje se si të dallojmë një shqetësim real kardiovaskular dhe cilat janë shenjat, të cilat duhet të na shqetësojnë.

Si dallohet një shqetësim real kardiovaskular? Kur duhet të shqetësohemi?

Mjekja: Dhimbjet e zemrës janë dhimbje që nuk zgjasin shumë. Është një nga ato elementët që kur ne pyesim individin se si ankohet, sa zgjatën dhimbjet, çfarë intensiteti ka, në ç’pozicion shfaqet, në çfarë pozicioni shfaqet,  a shfaqet kur ai bën një aktivitet? Nëse dhimbjet janë të zgjatura dhe kanë lidhje me pozicionin, atëherë na orientojnë që këto dhimbje nuk janë kardiake.

Po shenjat e para, cilat janë?

Mjekja: Zakonisht nuk është një shenjë e vetme. Mund të kemi dhimbje të gjoksit, të cilat mund të përhapen në shpatullën e majtë. Mund të kemi mpirje të krahut… Këto elementë mund të shoqërohen me një rritje të tensionit. Mund të shoqërohen edhe me lëvizje të ritmit. Mund të shoqërohen me të vjella. Mjafton që individi ta vlerësojë ankesën që ka dhe ti drejtohet një mjeku. Qoftë edhe mjekut të familjes, i cili mund ta drejtojë tek një specialist kardiolog.

Ndiqni intervistën e plotë:

Asnjë bazë shkencore për mjekësinë kuantike të njeriut

24 December 2025 at 17:29

Pretendimi: Shërimi kuantik nxjerr jashtë loje spitalet, doktorët e farmacitë

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullojnë pretendime mbi të ashtuquajturin “shërim kuantik,” versioni më i fundit i kurave çudibërëse që parashikohet se do të nxjerrin mjekësinë dhe farmaceutikën jashtë loje.

Deepak Chopra e prezantoi termin “shërim kuantik” në librin e tij me të njëjtin emër, të botuar për herë të parë në vitin 1989. Ekspertiza e Chopras është vënë në pikëpyetje për shkak të nënkuptimit se metodat e tij bazohen në fizikën kuantike

Shërimi kuantik ka një numër mbështetësish të zëshëm, por komuniteti shkencor e konsideron gjerësisht si të pakuptimtë. Kritika kryesore ka të bëjë me keqinterpretimin sistematik të fizikës moderne, veçanërisht të faktit se objektet makroskopike (si trupi i njeriut ose qelizat individuale) janë shumë të mëdha për të shfaqur veti kuantike të natyrshme si interferenca dhe kolapsi i funksionit të valës.

Sipas encyclopedia.com, “premisa e tij themelore që postulon një lidhje të thellë midis ideve të fizikës kuantike dhe marrëdhënies mendje-trup është shumë e diskutueshme. Edhe më spekulative është hipoteza e tij se fizika kuantike ofron një shpjegim shkencor për mënyrën se si transformimet e thella në vetëdije prodhojnë forma të jashtëzakonshme shërimi në trup.”

Sadri Hassani, profesor emeritus i fizikës në Universitetin Shtetëror të Illinois, tha për Lead Stories: “Fizika moderne është abuzuar që nga fillimi. Meqenëse nuk i ndjejmë efektet e saj ‘të çuditshme’, ajo është shumë e prirur ndaj abuzimit mistik.

“Ajnshtajni u tërbua kur Arthur Eddington, fizikani britanik dhe mistik, e lidhi relativitetin me vetëdijen. Ai u tërbua gjithashtu kur Bohr dhe Heisenberg e lidhën fizikën kuantike me misticizmin lindor – po, edhe shkencëtarët e mëdhenj mund të ishin mistikë – nëpërmjet parimit të komplementaritetit, të cilin Ajnshtajni e quajti “feja Bohr-Heisenberg”. Për shkak të përfshirjes së fizikantëve të mëdhenj të fillimit të shekullit të 20-të në lidhjen e fizikës moderne – veçanërisht fizikës kuantike për shkak të shkallës së saj më të lartë të kundërintuitivitetit – me misticizmin, shkëputja e tyre ka rezultuar jashtëzakonisht e vështirë,” shpjegoi Hassani, i cili mban një doktoraturë në fizikë teorike nga Universiteti i Princetonit dhe është autor i disa librave, kryesisht mbi fizikën matematikore.

Fizikani dhe komunikuesi shkencor Brian Cox argumenton se keqpërdorimi i fjalës “kuantik”, siç është përdorimi i saj në frazën “shërim kuantik”, ka një efekt negativ në shoqëri pasi minon shkencën e vërtetë dhe i shkurajon njerëzit të angazhohen me mjekësinë. Ai pohon se “për disa shkencëtarë, shtrembërimi dhe përvetësimi i pafat i ideve shkencore që shpesh shoqëron integrimin e tyre në kulturën popullore është një çmim i papranueshëm për t’u paguar”.

The post Asnjë bazë shkencore për mjekësinë kuantike të njeriut appeared first on Faktoje.al.

❌
❌