Partia Socialiste mbron Belinda Ballukun: Imuniteti i paprekshëm
Shumica Socialiste e nisi mëngjesin e kësaj të hëne me një qëndrim përfundimtar kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Si anëtarë të mazhorancës në Këshillin e Mandateve arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, teksa prezantoi raportin mbi kërkesën e SPAK.
Sipas Manjës, është e vërtetë që në një shtet të së drejtës lufta kundër korrupsionit është një objektiv legjitim dhe i domosdoshëm, por këto objektiva duhet të realizohen në përputhje me Kushtetutën.
“Ne i rekomandojmë seancës plenare të rrëzojë kërkesën e SPAK për autorizimin e heqjes së lirisë së Ballukut,” tha Manja duke shtuar se nga shqyrtimi i materialeve shoqëruese “nuk rezulton domosdoshmëri për vendosjen e një mase të tillë.”
“Kjo nuk pengon SPAK të vazhdojë hetimet,” theksoi Manja.
Në fjalën e tij si kryetar i socialistëve, Kryeministri Edi Rama u mundua të relativizojë çështjen ndaj Ballukut. Ai argumentoi se ndaj ish-zëvendëskryeministres nuk janë ngritur akuza për vjedhje, korrupsion apo vepra të rënda penale të kryer në flagrancë.
“[…] por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se, në cilësinë e ish-ministres […] ka kryer veprën penale të pabarazisë në tendera publikë, gjashtë vite më parë”, u shpreh në fillim të fjalimit të tij Rama, duke shtuar se hetimi bazohet në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori.
“Si u marrkësha mbrapa hekurave kaq kollaj një njeri? Se folën dy veta në telefon dhe kjo është një provë e re që s’është as e re,” u shpreh Kryeministri.
“Kur mendoj që vihet me këtë kollajllëk në Kuvend për të kërkuar kokën e një të zgjedhuri, mbasi është bërë gjithçka për t’ia futur shtatë pashë jo nën dhe, por në llum!”, shtoi Rama.
Kryesocialisti e cilësoi gjithashtu diskursin publik ndaj Ballukut si një “gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politik dhe mediatik”, që sipas tij u krijua fillimisht me një “turravrap të pakuptueshëm” nga prokurori dhe gjykatësi i seancës paraprake.
Rama vlerësoi sërish figurën e Ballukut duke treguar se do ta mbajë me peshë të lartë politike. Ai renditi disa nga projektet infrastrukturore që sipas tij janë realizuar suksesshëm gjatë drejtimit të Ballukut, nga rrugët te projektet hekurudhore dhe ato ajrore, ndërsa theksoi se ajo do të drejtojë qarkun Fier në zgjedhjet vendore dhe nuk do të ketë më pushtet ekzekutiv.
Imuniteti i Ballukut dhe prova e shtetit të së drejtës
Vendimi i shumicës socialiste për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të – tashmë – deputetes Balluku nuk është vetëm një vendim në kuadrin e një procesi parlamentar.
Ai përbën edhe një provë politike dhe institucionale për mënyrën se si funksionon shteti i së drejtës në Shqipëri dhe për raportin mes pushtetit politik dhe atij të drejtësisë.
SPAK ka ngritur akuza ndaj ish-zëvendëskryeministres, e cila mbante dhe postin e ministres së Infrastrukturës për shkelje në procedurat e prokurimit publik, lidhur me tenderët për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme të Tiranës, me vlerë rreth 210 milionë euro.
Prokurorët pretendojnë se përmes komunikimeve dhe ndërhyrjeve në procesin e tenderimit janë krijuar avantazhe të padrejta për një konsorcium kompanish, akuzë që Balluku e ka mohuar.
Argumenti i paraqitur nga përfaqësuesit e mazhorancës ishte se Balluku nuk ushtron më funksion ekzekutiv dhe për këtë arsye nuk ekziston rreziku i prishjes së provave apo intimidimit të dëshmitarëve.
Megjithatë, përtej argumentit juridik, vendimi ka një dimension të fortë politik. Kryeministri Rama ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm publik, duke deklaruar se vendimi duhet të bazohet në raportin e Këshillit të Mandateve dhe se “mekanizmi i qeverisjes nuk mund të kurdiset dhe shkurdiset sa herë bëhet një akuzë”.
Në një sistem ku parlamenti kontrollohet nga shumica qeverisëse, çdo vendim për imunitetin e një figure të lartë politike rrezikon të shihet si një mbrojtje politike dhe jo si një vlerësim juridik.
“Ne nuk do të bëhemi pengesë për hetimin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të akuzuar nga drejtësia” dhe “kush ka probleme me drejtësinë të përballet vetë me të” janë disa nga deklaratat e mëparshme të Ramës në fillimet e përballjeve të zyrtarëve të rrethit të tij me drejtësinë.
Megjithatë, sipas një analize të Institutit të Studimeve Politike (ISP), qasja e qeverisë ndaj imunitetit të zyrtarëve të akuzuar ka ndryshuar me kalimin e viteve.
Në vitet 2023 dhe 2024, Kuvendi refuzoi kërkesën e opozitës për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj Artan Gaçi (ish-deputet i PS-së) ishte shpallur nga qeveria “investitor strategjik”.
Në mbrojtje u mor edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Në vitin 2017 u refuzua kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit, ndërsa në 2018 Tahiri dha dorëheqje nga mandati dhe më pas u dënua me burg.
Rastet kur Kuvendi ka miratuar heqjen e imunitetit kanë qenë kryesisht për figura më pak të fuqishme politikisht, si Tom Doshi dhe Mark Frroku në vitin 2015. Në të njëjtin vit, Kuvendi miratoi brenda dy ditësh edhe heqjen e imunitetit të Armando Prengës, figura që edhe pse nuk lidheshin direkt me Partinë Socialiste, ishin përkrahës të vazhdueshëm të saj në parlament.
Në vitin 2022, Alqi Bllako dha dorëheqje nga mandati pas akuzave të ngritura nga SPAK.
Ndërsa në vitin 2023, ndryshe nga rasti i Ballukut, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nuk mori të njëjtën mbrojtje politike. Brenda një jave nga kërkesa për heqjen e imunitetit, Kuvendi votoi në mbështetje të SPAK-ut.
Miratim të ngjashëm për heqjen e imunitetit pati edhe për kreun e opozitës Sali Berisha në dhjetor 2023. Ndërsa dorëheqje nga mandati pati në vitin 2024 nga Jurgis Çyrbja, për të cilin u deshën vetëm 8 ditë.
Në rastin e Belinda Ballukut, procesi ka nisur në dhjetor 2025 dhe pas më shumë se dy muajsh mazhoranca vendosi të refuzojë SPAK-un për heqjen e imunitetit.
Në demokracitë funksionale, heqja e imunitetit nuk është një dënim, por një hap procedural për t’i hapur rrugë drejtësisë të veprojë pa pengesa. Refuzimi i këtij procesi krijon perceptimin se pushteti politik mund t’i vendosë kufij drejtësisë.
Lexoni gjithashtu:
- Largimi i Ballukut, riorganizim kabineti apo menaxhim kostosh politike?
- Sekret hetimor apo bllokim politik? Kuvendi shtyn heqjen e imunitetit të Ballukut
- Zvarritja e çështjes Balluku rikthen protestat përpara Kuvendit
The post Partia Socialiste mbron Belinda Ballukun: Imuniteti i paprekshëm appeared first on Citizens.al.
