TIRANË, 21 janar /ATSh/ Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi sot në parim dhe nen për nen projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe projektligjin për “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Nisma ligjore për disa ndryshime në ligjin për “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” ka në fokus garantimin e pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së magjistratëve, me qëllim ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, profesional, të besueshëm dhe të orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarit.
Projektligji është hartuar në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë për periudhën 2021-2025 dhe udhërrëfyesin për shtetin e së drejtës, duke synuar përmbushjen e piketave të ndërmjetme të Kapitullit 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.
Ndryshimet e propozuara adresojnë problematika të konstatuara gjatë zbatimit të ligjit aktual, veçanërisht mungesën e drejtuesve të përhershëm në gjykata dhe prokurori, nevojën për rritjen e transparencës së vendimmarrjes së Këshillave, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të integritetit të kandidatëve për magjistratë.
Gjithashtu ndryshimet e propozuara parashikojnë dispozitë tranzitore për drejtuesit aktualë të gjykatave dhe prokurorive, që parashikon qëndrimin e tyre në detyrë deri më 31 dhjetor 2028, me kusht kalimin e vetingut dhe vlerësim pozitiv të performancës.
Po ashtu në ndryshime parashikohet rritje të transparencës në lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë, përmes detyrimit për publikimin e vendimeve të KLGj-së dhe KLP-së, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Përfshirje të opinionit të Prokurorit të Përgjithshëm në procesin e përzgjedhjes dhe rizgjedhjes së kryetarëve të prokurorive, si dhe përjashtimin nga kandidimi të magjistratëve me masa disiplinore në fuqi.
Gjithashtu ndryshime parashikohen edhe në rregullat e komandimit të magjistratëve pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, duke zgjatur afatin maksimal të komandimit deri në 15 vjet dhe duke krijuar stimuj për rritjen e aplikimeve, përfshirë njohjen e përvojës si vlerë e shtuar në karrierë.
Nga ana tjetër projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, synon korrigjimin e paqartësive ligjore dhe plotësimin e boshllëqeve normative të evidentuara gjatë zbatimit të reformës në drejtësi, duke rritur efektivitetin, transparencën dhe integritetin në qeverisjen e sistemit të drejtësisë.
Projektligji, i cili përbëhet nga 38 nene, parashikon që edhe anëtarët jomagjistratë, qoftë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, po ashtu edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të kalojnë nëpër filtra të thelluar verifikimi, të ngjashëm me procesin e vetingut të magjistratëve.
Ky mekanizëm synon krijimin e një barazie mes anëtarëve magjistratë dhe atyre jomagjistratë dhe garantimin e integritetit institucional.
Sipas projektligjit procedura për përzgjedhjen e kandidatëve nga fusha e avokatisë, fillon nga Avokati i Popullit, vijon me një verifikim të detajuar nga Komisioni i Pavarur Ad hoc, i cili ka kompetenca të zgjeruara për akses në të gjitha institucionet shtetërore dhe subjekte private, për të kontrolluar kriteret e pasurisë dhe figurës. Bazë e këtij verifikimi janë raportet e ILDKPKI-së dhe AKSIK-së.
Pas përfundimit të këtij procesi, kandidatët e kalifikuar ose të skualifikuar shqyrtohen në një filtër të dytë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, i cili kontrollon përputhshmërinë e raportit me dokumentacionin e dosjes.
E njëjta procedurë zbatohet për kandidatët që vijnë nga fusha e pedagogëve, ku kompetenca të zgjeruara marrin Dekani dhe Këshilli i Shkollës së Magjistraturës, si dhe Komisioni Ad hoc, i cili kryen verifikime të detajuara dhe administron raportet përfundimtare të ILDKPKI-së dhe AKSIK-së.
Në rastin e kandidatëve nga shoqëria civile, dokumentacioni grumbullohet nga Avokati i Popullit, ndërsa Komisioni i Shoqërisë Civile ka kompetenca për verifikim dhe ka akses në institucione shtetërore dhe subjekte private, duke përfunduar me një raport përfundimtar.
Ndryshimet ligjore synojnë të rrisin besueshmërinë, transparencën dhe standardet e integritetit për të gjithë anëtarët jomagjistratë të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
/m.q/r.e/a.f/
The post Ndryshimet ligjore – Kryegjyqtarët në detyrë deri në 2028-ën, veting anëtarëve jomagjistratë në KLP e KLGJ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.