Rama: SPAK është bërë si sportel ku lihen letrat e popullit, lali Eri në burg pa gjyq
TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në Kuvend, kur iu drejtua opozitës, se SPAK është bërë stacioni i fundit i shpresës për pushtet nga ana e tyre.
“Mos e ulni vigjilencën, që të jeni brenda çojeni në SPAK Bordin e Paqes për praninë time aty. Se SPAK tani është bërë si një sportel. Ka qenë një sportel prapa Kryeministrisë, kur ne bënim stërvitje basketbolli tek fusha e zezë, ishte një sportel ku shkruhej “letra nga populli”. Kështu është bërë SPAK-u. Çojeni dhe këtë letër dhe meqë e çuat një herë se këta, e dini, kanë çuar Tony Blair në SPAK dhe nuk doli gjë. Tani çojeni prapë Tony Blair se kushedi del ndonjë provë, si ato që mbajnë në burg pa gjyq lali Erin, për të cilin deri tani janë shkruar 3 volume të një romani policor, por provë për korrupsion për kryebashkiakun e Tiranës nuk ka”, tha Rama.
“Prandaj juve as mos e vrisni mendjen fare. Punë e madhe shumë se Tony Blair s’ka marrë kurrë një qindarkë nga shteti shqiptar. Punë e madhe shumë se pa Tony Blair nuk do kishte ndodhur bombardimi i Beogradit dhe futja e NATO-s në Kosovë – që ju e doni aq shumë atë Kosovë – dhe prandaj nuk ndaluat së çuari naftë te Sllobodani dhe nuk latë gur pa luajtur të sabotonit Rambujenë dhe nuk latë fjalë të poshtër pa thënë për UÇK-në, nga dashuria për Kosovën e kishit. Çojeni në SPAK se tani që ushtria amerikane e anuloi hyrjen me helikopter në Kryeministri, SPAK-u është stacioni i fundit i rrugës së shpresës suaj për pushtet”, vijoi ai.
Rama iu përgjigj opozitës dhe për lajmin se palestinezët do vijnë në Shqipëri, duke nënvizuar se një gjië e tillë nuk do të ndodh.
“Ju fituat edhe për një arsye tjetër, “ndalët pushtimin e Shqipërisë nga palestinezët”, se denoncuat një komplot në kurriz të popullit shqiptar, që bashkë me 1 miliard që do merrja unë nga taksat për të shkuar atje tek Bordi i Paqes, se ju mendoni se Amerika blihet, siç doni ta blini ju me ato milionat tuaja që ua japin patriotët. Janë ca patriotë atje që shesin hamburger dhe paguajnë që juve të shpëlani atë që nuk shpëlahet dot”, tha Rama.
Rama tha se “palestinezët nuk do vijnë, nuk do vijnë nga Gaza në Shqipëri”. Por, duke iu drejtuar sërish opozitës, ai me ironi u kërkoi atyre që këtë çështje ta çojnë në SPAK.
“Projektin e kampusit të Universitetit të Durrësit, se e di si thanë apo jo? Po bëhet kampus në Universitetin e Durrësit për të sjellë palestinezët. Një kokë e madhe nga radhët tuaja tha: dy milionë palestinezë do vendoseshin tek kampusi i Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Se Luli iku, po 7×7 mbeti, aritmetika, edhe kur bëni llogari të eksporteve, ajo është”, tha ai.
“Tani çojani SPAK-ut dhe kërkojini menjëherë urgjent atyre që paguajnë në Amerikë. Ore, Latif magjistarin, ku e keni aman? Mos e lëshoni atë, se ai ja u merr humbjen fitimtare dhe në magji ia u bën më thellë dhe thuajini Latifit direkt gjithë këto denoncimet t’ia çojë atij kongresmenit, se e kanë në xhep atë kongresmenin që i merr nga ju dhe del i lexon atje, që Kongresi amerikan…”, pohoi Rama.
/e.i/r.e/a.f/
The post Rama: SPAK është bërë si sportel ku lihen letrat e popullit, lali Eri në burg pa gjyq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.