Gratë me aftësi të kufizuara, pa akses në institucionet e raportimit të dhunës
Në Shqipërinë e vitit 2026 flitet shpesh për barazi gjinore dhe për krijimin e mekanizmave mbrojtës ndaj dhunës kundrejt vajzave dhe grave. Në praktikë, situata paraqitet ndryshe dhe më pak e diskutuar mbetet dhuna me bazë gjinore ndaj vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara.
Ato mbeten në një hapësirë të padukshme mes dhunës dhe mungesës së aksesit në institucionet ku ajo duhet të denoncohet.
Në një vëzhgim të kryer nga Fondacioni “Së Bashku” në Tiranë, Dibër dhe Vlorë, vihet re se sistemet e ndërtuara për të mbrojtur vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara janë të pamjaftueshme, të paaksesueshme, të pakoordinuara dhe fizikisht të papërshtatshme.
Sipas Suela Lalës, drejtuese e fondacionit, përzgjedhja e tre qyteteve është bërë për të krijuar një panoramë të situatës nga veriu në jug të vendit.
Në Tiranë janë vëzhguar 48 institucione që janë pjesë e zinxhirit të reagimit ndaj dhunës me bazë gjinore, si Policia e Shtetit, prokuroria, gjykatat, qendrat shëndetësore, strehëzat, qendrat e ndihmës juridike falas dhe bashkitë.
Sipas raportit të Fondacionit “Së Bashku”, asnjë prej këtyre institucioneve nuk është plotësisht i aksesueshëm: 35.4% qasen pjesërisht, ndërsa 64.6% janë të paaksesueshme.
“Në disa institucione u konstatuan elementë të izoluar të aksesueshmërisë, si rampa hyrëse, por mungonin komponentë të tjerë, si tualetet e përshtatura për personat me aftësi të kufizuara, parkimet e rezervuara dhe të sinjalizuara, elementët taktilë orientues, ashensorët dhe sportelet në lartësi të arritshme”, thuhet në raport.
Vëzhgimi përfshin edhe aksesin në komunikim dhe informacion, përfshirë komunikimin përmes platformave online. Sipas raportit, aksesueshmëria në informacion dhe komunikim në Bashkinë e Tiranës mbetet sporadike dhe jo e standardizuar.
“Vetëm 20.8% e institucioneve të monitoruara ofrojnë një minimum aksesi në komunikim dhe informacion, por shumë bazik, ndërsa 79.2% nuk ofrojnë asnjë formë informacioni apo komunikimi të aksesueshëm”, nënvizon raporti.
Këto mungesa lidhen me mangësinë në materialet Braille, versioneve audio, udhëzimeve vizuale, interpretimit në gjuhën e shenjave, si dhe me mungesën e kontrastit dhe madhësisë së përshtatshme të tekstit.
Sipas Suela Lalës, një nga pengesat kryesore është fakti se shpesh dhuna nuk arrin të identifikohet si e tillë, ndërsa një tjetër problem lidhet me varësinë e personave me aftësi të kufizuara nga njerëzit që kujdesen për ta.
“Çështja e ndihmësit personal mbetet problematike. Pagesat janë minimale dhe personat me aftësi të kufizuara shpesh mbijetojnë falë mbështetjes së familjarëve, ndërkohë që dhuna në shumë raste vjen pikërisht nga njerëzit më të afërt”, tregoi Lala për Citizens.al.
Sipas saj, edhe në strehëzat për gratë dhe vajzat e dhunuara mungon aksesi për gratë me aftësi të kufizuara.
“Në raportimin e dhunës ndaj grave me aftësi të kufizuara, ato janë të padukshme pikërisht për shkak të këtyre barrierave, të cilat gjenden në të gjithë zinxhirin e institucioneve dhe në mënyrën se si është organizuar shoqëria jonë,” shtoi Lala.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e kapaciteteve të stafit në këto institucione. Asnjë prej (48) institucioneve nuk kishte zhvilluar gjatë vitit të fundit trajnime mbi këtë kategori apo mbi dhunën me bazë gjinore ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Sipas tij, institucione si Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit (SHKP) ofrojnë kryesisht informacione teknike, jo në gjuhë të thjeshtë apo në formate alternative, si video apo materiale audio.
“Policia, Prokuroria dhe Gjykatat mbështeten kryesisht në komunikim verbal, por pa ofruar akses real në informacion dhe komunikim për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në raport.
Sipas Lalës, në disa raste mungesa e aksesit në strehëzat për gratë e dhunuara ka bërë që gratë me aftësi të kufizuara të mos mundin të vendosen në qendrat emergjente 24 apo 48-orëshe.
Si shembuj pozitivë përmenden Qendra Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, qendra multidisiplinare “Të qëndrojmë së bashku” dhe Qendra për Personat me Aftësi të Kufizuara në Shkozë, të cilat kanë një nivel më të mirë aksesueshmërie në informacion dhe komunikim.
Sipas Lalës, në shumicën e institucioneve, në rastin më të mirë ekziston vetëm një rampë hyrëse.
“Nuk ka elementë të tjerë aksesueshmërie brenda ndërtesave apo në shërbime të tjera. Nëse Tirana paraqet një situatë disi më të mirë në aksesueshmërinë fizike, në Vlorë dhe Dibër problemi është edhe më i theksuar”, argumenton ajo.
Aksesi në Dibër, minimal
Në 15 institucionet e monitoruara në Dibër, asnjë nuk rezultoi plotësisht i aksesueshëm. 26.7% janë pjesërisht të aksesueshme, ndërsa 73.3% janë të paaksesueshme.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër rezulton plotësisht e paaksesueshme, me shkallë të larta dhe pa rampë hyrëse. Policia e Shtetit, DRSSH, spitali rajonal dhe qendra shëndetësore disponojnë rampa hyrëse, por pa elementë të tjerë mbështetës të aksesueshmërisë”, thuhet në raport.
Sa i përket aksesit në informacion dhe komunikim, ai është thuajse inekzistent.
“Institucionet nuk ofrojnë materiale Braille, materiale audio, formate vizuale, interpretim në gjuhën e shenjave apo gjuhë të thjeshtë, ndërsa mungon sinjalistika orientuese e përshtatur për personat me aftësi të kufizuara”, citon raporti.
Po ashtu, kapacitetet e stafit mbeten të kufizuara dhe pa trajnime specifike.
“Nuk kanë kapacitetet për ta trajtuar një grua me aftësi të kufizuara siç duhet. Këtë e tregon edhe fakti që nuk mbajnë të dhëna për sa raste të tilla adresohen dhe arrijnë të dalin nga situata e dhunës”, tha Lala për Citizens.al.
Sipas saj, dhuna ndaj grave me aftësi të kufizuara është tre deri në katër herë më e lartë sesa ndaj grave të tjera.
Aksesi në Vlorë, i kufizuar
Në 31 institucionet e monitoruara në Vlorë, 19.4% rezultojnë pjesërisht të aksesueshme, ndërsa 80.6% janë të paaksesueshme. Asnjë prej tyre nuk ishte plotësisht i aksesueshëm.
“Edhe në rastet kur ekzistojnë elementë të pjesshëm të aksesueshmërisë, mungojnë komponentët thelbësorë, përfshirë tualetet e përshtatura, ashensorët për katet e sipërme dhe elementët taktilë për orientimin e personave me dëmtim të shikimit”, vë në dukje raporti.
Sipas tij, në asnjë nga institucionet e monitoruara nuk u identifikuan materiale të aksesueshme në komunikim dhe informacion.
“Stafi nuk ka marrë trajnime në komunikim gjithëpërfshirës dhe nuk zotëron njohuri për ofrimin e informacionit të përshtatur”, thekson raporti.
Fondacioni “Së Bashku” rekomandon marrjen e masave për përmirësimin e infrastrukturës fizike, përshtatjen e materialeve informuese në formate të aksesueshme dhe rritjen e kapaciteteve të stafit në institucionet që janë pjesë e zinxhirit të raportimit të dhunës me bazë gjinore.
Lexoni gjithashtu:
- Piramida e Tiranës “simbol i përjashtimit” për personat me aftësi të kufizuara
- Asistentët personalë: Shpresë për jetë të pavarur për personat me aftësi të kufizuara
- Mite dhe fakte për seksualitetin e personave me aftësi të kufizuara
The post Gratë me aftësi të kufizuara, pa akses në institucionet e raportimit të dhunës appeared first on Citizens.al.
