Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 December 2025Main stream

Greqia e ‘paralizuar’ nga protestat

By: Fax Web
26 December 2025 at 09:15

Për shkak të protestës që zhvillojnë fermerët në Greqi, aksi rrugor Kakavijë-Janinë nuk do të jetë funksional për qarkullimin e automjeteve nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën shqiptare).

Policia e kufitare e Kakavijës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore”, njoftoi sot policia.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

Greqia është “paralizuar” prej katër javësh nga protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni.

Ata janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria.

Maqedonia e Veriut shpall gjendje krize për energjinë elektrike

26 December 2025 at 09:13

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli të martën gjendje krize shtatë-ditore për furnizimin me energji elektrike, për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me naftë nga Greqia.

Masa i lejon kompanisë shtetërore të energjisë elektrike, ESM, të përdorë rezervat e detyrueshme shtetërore të naftës pa kompensim, njoftoi qeveria në një deklaratë.

“Ky vendim vjen si pasojë e pamundësisë për t’u furnizuar me naftë, e cila është thelbësore për prodhimin e energjisë. Rezervat shtetërore të naftës do të transferohen pa kompensim dhe ESM është e detyruar t’i raportojë qeverisë dhe Ministrisë së Financave mbi konsumin e karburantit”, thuhet në deklaratën e qeverisë në Shkup, pas mbledhjes së kabinetit të hënën.

ESM i kishte kërkuar qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës për shkak të vështirësive në furnizimin me linjit dhe naftë nga Greqia. Kompania ia atribuoi këto ndërprerje bllokadave të vendosura nga fermerët grekë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë ndikuar në furnizimin me burime kryesore të energjisë për prodhimin e energjisë elektrike.

Sipas ESM, shpallja e krizës ishte e nevojshme për të mundësuar përdorimin e rezervave shtetërore dhe për të siguruar energji të mjaftueshme derisa pikat kufitare të rifillojnë funksionimin normal, shkruan klankosova.

Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prodhohet nga termocentralet e ESM-së, të cilat përdorin linjit dhe naftë.

Bullgaria ofroi furnizime emergjente me naftë për Maqedoninë e Veriut pas shpalljes së krizës, sipas shërbimit informativ të qeverisë bullgare.

Oferta u komunikua gjatë një telefonate mes ministrit të Jashtëm bullgar, Georg Georgiev dhe homologut të tij maqedonas, Timço Mucunski, sipas raportimeve.

Before yesterdayMain stream

Të përfundosh në burg padrejtësisht

24 December 2025 at 11:00

Autorë: Elira Kadriu, Alex Young | OBCT

Sistemi i drejtësisë, në Evropën Juglindore, përdor masat e paraburgimit me shumë lehtësi, ku nuk mungojnë abuzimet, diskriminimet dhe histori të ndalimit të padrejtë. Kompensimet për këto raste janë shumë të vogla.

B. Shytaj, në 2020, përgjatë protestave masive për vrasjen e Klodian Rashës, nga një konflikt verbal me Policinë e Shtetit, u arrestua dhe qëndroi 30 ditë në paraburgim. Edhe pse u shpall i pafajshëm në fund të procesit gjyqësor, ai humbi punën në Aeroportin e Tiranës.

“Nuk i interesonte që unë përpiqesha të provoja pafajësinë time, më thanë thjesht që isha nën hetim dhe më pushuan nga puna,” tregon Shytaj për OBCT (Observatori Transeuropian për Ballkanin dhe Kaukazin).

Rasti i Shqipërisë

Ligji shqiptar garanton dëmshpërblim për këdo që është mbajtur padrejtësisht në burg. Kompensimet vendosen sipas shifrave fikse, pavarësisht nga rasti specifik.

Aktualisht, dëmshpërblimi është 2,000 lekë (rreth 20 euro) për çdo ditë të kaluar në burg, 3,000 lekë për çdo ditë në paraburgim, dhe 1,000 lekë për çdo ditë në arrest shtëpie.

Gjykata e Apelit të Shqipërisë po vlerëson një rishikim të këtyre shumave.

“Çfarë do të thotë 2 mijë lekë dita? 2 mijë lekëshi, në 2005 kur është bërë ai ligj, nuk ka më të njëjtën vlerë dhe dëmet në raste të caktuara janë aq të mëdha që s’mund të kompensohen me aq,” analizon avokati Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i organizatës “Res Publica”, qendër shqiptare për të drejtat e njeriut që punon në mbrojtjen juridike.

Sipas Matlijës, pavarësisht nga vlefshmëria e akuzës, që nga momenti kur një person vihet në paraburgim, prokuroria dhe gjykata janë më të prirura ta konsiderojnë fajtor.

Shumë gjyqtarë preferojnë të shmangin pranimin e gabimit të tyre dhe për rrjedhojë të mos kenë nevojë të njohin një dëmshpërblim për njerëzit që rezultojnë të pafajshëm.

“Pak njerëz dalin të pafajshëm, 1% ose më pak,” përmbyll Matlija.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë dhjetë viteve të fundit në Shqipëri, 736 persona kanë marrë dëmshpërblim për kohën që kanë kaluar padrejtësisht në paraburgim.

Sipas Nosiana Burnazit, juriste në Klinikën Juridike Falas dhe asistente projekti në Komitetin Helsinki të Shqipërisë, organizatat joqeveritare (OJQ) i inkurajojnë dhe i asistojnë qytetarët e privuar nga liria që të kërkojnë dëmshpërblim kur janë mbajtur padrejtësisht ose përtej afateve ligjore.

Megjithatë, shumë persona janë demotivuar dhe nuk paraqesin kërkesë. Sipas Burnazit, vonesat e gjata në proceset gjyqësore dhe gjendja e vështirë e sistemit gjyqësor ndikojnë në mosbesimin e publikut shqiptar te drejtësia.

Rasti i Bullgarisë

Në Bullgari, paraburgimi konsiderohet masë e jashtëzakonshme, që duhet përdorur vetëm kur është e nevojshme për të parandaluar ndonjë arratisje të mundshme ose pengim të hetimeve.

Megjithatë, në praktikë, kjo masë shpesh zgjatet përtej kufijve të arsyeshëm, sidomos në rastet e politizuara.

Rasti më i fundit është ai i Blagomir Kotsevit, kryetarit të Varnës (qytet në lindje, njohur ndryshe si kryeqyteti bregdetar i Bullgarisë) dhe përfaqësues i opozitës liberale “We Continue the Change – Democratic Bulgaria” (“Ne Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike”; PP-DB).

Kotsev u arrestua më 8 korrik 2025 me akuza të keqpërdorimit të fondeve publike. Arrestimi i tij shkaktoi protesta të gjera dhe nxori në pah mungesën e një mbrojtjeje efektive gjyqësore në Bullgari, ku paraburgimi përdoret shpesh për të ushtruar presion politik ose ekonomik.

Kotsev u mbajt në paraburgim pavarësisht mungesës së provave të drejtpërdrejta të korrupsionit. Një dëshmitar kyç pranoi se dëshmia e tij ishte nxjerrë me detyrim nga zyrtarë të komisionit anti-korrupsion, por ajo deklaratë vazhdon të përdoret kundër Kotsevit, i cili u lirua nga burgu vetëm më 28 nëntor 2025, kundrejt një garancie pasurore.

Në Bullgari, çdo qytetar që akuzohet dhe mbahet padrejtësisht në burg mund të padisë institucionet shtetërore për dëmshpërblim. Prokuroria e Përgjithshme shpenzon çdo vit rreth 3-4 milionë euro për kompensime, të cilat në disa raste arrijnë deri në 200 mijë euro.

Rasti i Serbisë

Rasti i Blagomir Kotsevit është ndjekur me vëmendje në Serbi. Nëse diçka e tillë ndodh në një vend të Bashkimit Evropian, lind pyetja se çfarë mund ta pengojë që të ndodhë edhe në një vend si Serbia, e kritikuar për lëkundje në raport me përparimin drejt standardeve të një shteti të së drejtës.

Çështja e paraburgimit është kthyer në qendër të vëmendjes në Serbi pas protestave masive që pasuan incidentin në stacionin e Novi Sadit në nëntor 2024.

Me afrimin e zgjedhjeve (mundësisht brenda vitit 2026), ka shqetësime serioze se paraburgimi mund të përdoret për të goditur protestuesit dhe politikanët e opozitës. OJQ si “Serbian Monitoring Initiative” (“Nisma Serbe e Monitorimit”) kanë denoncuar zbatimin selektiv të procedurave për këtë masë.

Në Serbi, zbatimi i masave të paraburgimit shoqërohet, sipas kritikëve, me probleme serioze diskriminimi.

Një studim i Qendrës Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) dhe “Fair Trials” (“Gjyqeve të drejta”) ka dokumentuar diskriminim sistematik ndaj komunitetit rom, përfshirë përdorimin e shpeshtë të paraburgimit, që në disa raste zgjat deri në katër vjet.

Në teori, paraburgimi vendoset vetëm kur ekziston rreziku i arratisjes ose ndikimit mbi dëshmitarët dhe provat.

Por, sipas avokatit serb Miloš Janković, vendimet e gjykatave shpesh nuk arsyetohen. Si pasojë, shumë persona kalojnë muaj apo edhe vite në burg pa një motivim të qartë, ndërsa gjyqtarët nuk mbajnë përgjegjësi për vendime që më pas rezultojnë të pabazuara.

Situata përkeqësohet edhe më shumë nga zvarritja e hetimeve dhe proceseve gjyqësore, të cilat mund të zgjasin 10 vjet ose më shumë, në shkelje të së drejtës për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm.

Personat e mbajtur padrejtësisht në paraburgim kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim, i cili përcaktohet rast pas rasti.

Kompensimi llogaritet rreth 120 euro në ditë dhe merr parasysh humbjen e të ardhurave, vuajtjet, shpenzimet ligjore dhe faktorë të tjerë.

Parashikohen gjithashtu masa rehabilitimi, si falje zyrtare dhe njoftime publike. Por edhe këto procese për dëmshpërblime janë të ndikuara nga vonesat e gjata të sistemit gjyqësor dhe shumat e kompensimit ndryshojnë shumë nga rasti në rast.

Rasti i Greqisë

Edhe në Greqi, paraburgimi është një masë e jashtëzakonshme, e aplikuar vetëm kur ka rrezik arratie ose përsëritje të krimit.

Kohëzgjatja maksimale është 12 muaj për krimet më të lehta dhe 18 muaj për ato më të rënda, me mundësi zgjatjeje deri në 24 muaj në rastet më serioze.

Ekzistojnë edhe masa alternative ndaj paraburgimit, si garancia pasurore, ndalimi i daljes jashtë vendit, prezantimi i rregullt në polici, ose arresti në shtëpi me monitorim elektronik.

Rasti më i fundit përfshin dy të rinj 21 dhe 25 vjeç nga Patra (Patras, qyteti i tretë më i madh në Greqi), të arrestuar për një zjarr pranë një qendre për të moshuar ndodhur më 13 gusht 2025.

Avokatët e tyre argumentuan se paraburgimi ishte i padrejtë: njëri nga të rinjtë ishte paraqitur vullnetarisht si dëshmitar dhe nuk kishte rekorde të mëparshme penale, ndërsa tjetri kishte ndihmuar si vullnetar për shuarjen e zjarrit.

Pas paraqitjes së provave të reja, prokuroria propozoi lirimin e tyre, por gjykata vendosi ndalim të daljes jashtë vendit, detyrim për t’u paraqitur rregullisht në polici dhe garanci pasurore.

Gjykatat priren të përdorin paraburgimin edhe ndaj të rinjve ose personave pa rekorde penale.

Sa i përket dëmshpërblimeve, ligji grek parashikon që ato nuk janë automatike dhe mund të kërkohen vetëm pas një aktgjykimi përfundimtar të pafajësisë.

Shumat zakonisht variojnë nga 10 deri në 60 euro për çdo ditë paraburgimi, me një kufi (që rrallë arrihet) midis 2,000 dhe 5,000 eurove. Vetëm rastet jashtëzakonisht të rënda mund të çojnë në kompensime më të larta.

*Krasen Nikolov (Mediapool, Bullgari) dhe Giota Tessi (EfSyn, Greqi) kanë kontribuar në realizimin e këtij artikulli.

**Ky artikull u prodhua si pjesë e PULSE, një iniciativë evropiane e koordinuar nga OBCT që promovon bashkëpunimet gazetareske transnacionale.

Lexoni gjithashtu:

The post Të përfundosh në burg padrejtësisht appeared first on Citizens.al.

Varianti K/ Shtohen rastet me grip në Shqipëri, mjekët: Vendosni maskat!

By: Elva
24 December 2025 at 17:43

Ndërsa Italia, Greqia dhe vende të tjera në Evropë janë të alarmuara nga varianti K i virusit të gripit AH3N2, edhe në Shqipëri vijon të shihet një rritje e numrit të infeksioneve respiratorë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, gjatë javës së fundit janë raportuar 13,500 raste, por numri i të infektuarve pritet të jetë më […]

The post Varianti K/ Shtohen rastet me grip në Shqipëri, mjekët: Vendosni maskat! appeared first on BoldNews.al.

Cilat vende evropiane po shqyrtojnë ndalimin e mediave sociale për fëmijët?

23 December 2025 at 23:52


Vende evropiane si Franca, Spanja, Italia, Greqia dhe Gjermania po shqyrtojnë kufizime mbi ndalimet e mediave sociale për fëmijët.

Pas ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç në Australi, i cili u lansua më parë këtë muaj, vendet evropiane po përpiqen të vendosin kufizime të ngjashme.

Që nga 10 dhjetori, fëmijët australianë nën 16 vjeç nuk mund të krijonin ose të mbanin më llogari në mediat sociale në platforma të tilla si Facebook, X, Threads, Snapchat, Instagram, TikTok, Twitch, Reddit dhe YouTube në pronësi të Google.

Nëse këto platforma zbulohen se shkelin ligjin, ato mund të përballen me gjoba të ashpra prej 50 milionë dollarësh australianë (28 milionë euro), shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Pra, çfarë po bëjnë vendet evropiane për të kufizuar mediat sociale për fëmijët në internet?

Danimarka

Në nëntor, qeveria daneze tha se kishte siguruar një marrëveshje nga të gjitha partitë politike për të ndaluar qasjen në disa faqe të mediave sociale për ata nën moshën 15 vjeç.

Masa është për të "mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë në botën dixhitale", nga platformat që mund t'i ekspozojnë ata ndaj përmbajtjes ose karakteristikave të dëmshme, sipas një njoftimi për shtyp të nëntorit.

"Fëmijëve dhe të rinjve u prishet gjumi, humbasin qetësinë dhe përqendrimin dhe përjetojnë presion në rritje nga marrëdhëniet dixhitale ku të rriturit nuk janë gjithmonë të pranishëm", thuhej në deklaratë.

Masa do t'u jepte prindërve të drejtën t'u lejojnë fëmijëve të tyre të hyjnë në mediat sociale pasi të mbushin 13 vjeç.

Caroline Stage, ministrja e Danimarkës për çështjet dixhitale, i tha Associated Press se ligjvënësve ka të ngjarë t'u duhen muaj për të miratuar legjislacionin përkatës për një ndalim.

Danimarka ka një sistem kombëtar elektronik identifikimi dhe planifikon të krijojë një aplikacion për verifikimin e moshës, tha Stage, por nuk specifikoi se si do të zbatohej një ndalim i mundshëm.

Vendi gjithashtu caktoi 160 milionë korona (21.4 milionë euro) për 14 nisma për sigurinë online të fëmijëve.

Franca

Anne Le Hénanff, ministrja franceze e çështjeve dixhitale, i tha gazetës franceze La Dépèche se departamenti i saj dëshiron të paraqesë një projektligj për të kufizuar mediat sociale për ata nën moshën 15 vjeç në muajt e parë të vitit 2026.

Ky veprim vjen pasi një komision parlamentar francez publikoi një raport në shtator që rekomandoi ndalimin e drejtpërdrejtë të mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç dhe sugjeroi një shtetrrethim dixhital për ata nën 18 vjeç.

Raporti i komisionit u publikua në fillim të këtij viti pasi shtatë familje franceze paditën TikTok në vitin 2024, duke akuzuar platformën se i ekspozonte fëmijët e tyre ndaj përmbajtjes që inkurajon vetëvrasjen.

Një ndalim i mundshëm është në përputhje me atë që presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë muajt e fundit, se nëse Bashkimi Evropian nuk ndjek një masë në të gjithë BE-në, qeveria e tij do të ndërmarrë veprime në vend të kësaj.

"Platformat mund të verifikojnë moshën, bëjeni", shkroi ai në X në qershor.

Në Francë, fëmijët nën 15 vjeç tashmë kanë nevojë për pëlqimin e qartë prindëror për të hapur një llogari në mediat sociale. Prindërit gjithashtu mund të kërkojnë që llogaria e fëmijës së tyre të mbyllet.

Spanja

Një projektligj që po studiohet nga ligjvënësit spanjollë sugjeron që fëmijët nën 16 vjeç nuk duhet të jenë në gjendje të hyjnë në rrjetet sociale, forumet, platformat e komunikimit ose "çdo hapësirë virtuale që përfshin inteligjencën artificiale gjeneruese (GenAI)", pa pëlqimin e qartë të prindërve.

Në "raste të tjera", mosha minimale do të jetë 14 vjeç, thuhet në projektligj, me qëllim "parandalimin e rreziqeve që lidhen me ekspozimin e hershëm ndaj përmbajtjes së papërshtatshme, ngacmimin kibernetik ose shfrytëzimin dixhital të të dhënave personale".

Ligji nuk specifikon se cilat mund të jenë këto raste të tjera.

Fëmijët midis moshës 16 dhe 18 vjeç do të jenë në gjendje të hyjnë në mediat sociale me pëlqimin e tyre.

Nëse miratohet, ligji do t'i detyrojë gjithashtu ofruesit e dyqaneve të aplikacioneve t'u japin prindërve të drejtën për të verifikuar se cilat aplikacione duan të shkarkojnë fëmijët e tyre.

Një sondazh i kohëve të fundit nga YouGov zbuloi se 79 përqind e prindërve spanjollë pajtohen me një kufizim moshe në stilin australian për mediat sociale.

Megjithatë, një në tre të anketuar thanë se një kufizim moshe do të ishte i vështirë për t'u zbatuar në Spanjë.

Italia

Majin e kaluar, parlamenti italian prezantoi një projektligj që mund të vendosë kufizime në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç.

Ligji, i cili po studiohet nga Senati italian, përfshin gjithashtu ligje për të kufizuar "kidfluencers" nën moshën 15 vjeç në platformat e mediave sociale, përcjell Telegrafi.

Projektligji gjithashtu kërkon që platformat të verifikojnë moshën e përdoruesit duke përdorur një "mini portafoglio nazionale", të përkthyer si një portofol identiteti dixhital, i cili është i lidhur me sistemin e ardhshëm të verifikimit të moshës në BE.

Ministri i arsimit i Italisë, Giuseppe Valditara, i tha gazetës italiane Il Foglio se vendi duhet të ndjekë modelin australian.

Që nga nëntori, Italia ka pasur gjithashtu një legjislacion për verifikimin e moshës për faqet e të rriturve.

Kufizimet në Itali mund të vijnë potencialisht nga një padi kolektive në pritje e ngjashme me atë franceze, ku një grup familjesh italiane paditën TikTok dhe platformat Meta Facebook dhe Instagram.

Padia pretendon se më shumë se 3.5 milionë fëmijë midis moshës shtatë dhe 14 vjeç përdorin platformat e mediave sociale pavarësisht se janë shumë të vegjël. Çështja do të dëgjohet në shkurt.

Një nga qëllimet e padisë është të detyrojë kompanitë e teknologjisë të zbatojnë praktika më të rrepta të verifikimit të moshës për t'u siguruar që më pak fëmijë nën 14 vjeç të jenë në gjendje të hyjnë në platformat e tyre, sipas një deklarate nga firma ligjore Ambrosio e Commodo.

Greqia

Në shtator, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se vendi po shqyrton një ndalim të mediave sociale të ngjashëm me modelin australian.

"Ne po kryejmë eksperimentin më të madh të pakontrolluar ndonjëherë në mendjet e fëmijëve tanë. Nuk e dimë se cilat do të jenë pasojat, por jemi pothuajse të sigurt se ato nuk do të jenë pozitive", cituan mediat lokale të ketë thënë Mitsotakis.

Greqia tashmë ka ndaluar telefonat inteligjentë nga klasa, të cilën Mitsotakis tha se ka pasur një efekt transformues tek fëmijët.

Qeveria gjithashtu lansoi një faqe interneti vitin e kaluar që u jep prindërve udhëzime se si të aktivizojnë kontrollet prindërore në telefonat celularë iOS dhe Android.

Portofoli i Fëmijëve i Greqisë, një mjet kontrolli prindëror që mund të kufizojë ose bllokojë qasjen në aplikacione dhe shërbime online, thuhet se do të përdoret si një verifikues moshe për të rinjtë.

Aplikacioni u jep prindërve mundësinë të kufizojnë ose bllokojnë aksesin në aplikacione dhe shërbime online.

Pajisja që përdor portofolin mund të ruajë identitetin e të miturit dhe ta paraqesë atë te autoriteti kompetent i vërtetimit.

Gjermania

Nuk ka kufizime për fëmijët nën 16 vjeç në mediat sociale në Gjermani - të paktën, jo ende, sipas Parlamentit Gjerman.

Qeveria tha në nëntor se i kishte kërkuar një komisioni të studionte nëse një ndalim mund të zbatohej në Gjermani, së bashku me mënyrën se si mediat sociale ndikojnë tek adoleshentët e Gjermanisë në një kuptim më të gjerë. Ajo do të paraqesë një raport përfundimtar mbi të në vjeshtën e vitit 2026.

Gjermania po studion një ndalim që zbatohet për çdo fëmijë nën moshë dhe nuk do të lejojë që disa fëmijë të përjashtohen sepse ata marrin pëlqimin nga prindërit e tyre.

Nëse parlamenti gjerman vazhdon me një ndalim, ai thotë se kjo do t'i pengojë fëmijët të kenë llogari në mediat sociale siç bëri Australia, kështu që fëmijët do të jenë ende në gjendje të hyjnë në faqet e internetit pa qenë të kyçur.

Një peticion që bën thirrje për një moshë minimale ligjore prej 16 vjeç për faqet e mediave sociale mori mbi 34,000 nënshkrime dhe po shqyrtohet nga qeveria. /Telegrafi/

Greqia godet një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës

17 December 2025 at 23:04

Policia greke njoftoi sot se ka asgjësuar një rrjet të rëndësishëm të trafikut të kokainës drejt Evropës duke arrestuar 10 persona, pas ndalimit të një anijeje fundjavën e kaluar në brigjet franceze.

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrisochoidis u tha gazetarëve se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane për Luftën Kundër Drogës (DEA) dhe marinën franceze.

”Sasia e kokainës së sekuestruar të dielën në një anije peshkimi greke vlerësohet nga 3,4 deri në 4,7 tonë”, bëri të ditur policia greke.

”Droga ishte ngarkuar në anije në fillim të dhjetorit, në ujërat pranë ishullit Martinikë, në Antilet franceze”, shtoi policia.

Autoritetet po e ndiqnin këtë çështje që nga tetori i vitit 2024.

Rrjeti, i përbërë kryesisht nga shtetas grekë, përdorte anije peshkimi që dukeshin se ushtronin aktivitet tregtar të ligjshëm në ujërat ndërkombëtare.

Një anije “mëmë” transportonte drogën, e cila fillimisht ngarkohej në anijet e peshkimit dhe më pas transferohej në jahte.

Në disa raste, ngarkesa hidhej në det pranë brigjeve evropiane dhe më pas merrej nga zhytës.

Policia greke shtoi se po kërkohen edhe të dyshuar të tjerë në Amerikën Latine, Afrikë dhe në Bashkimin Evropian. Fitimet e këtij rrjeti kriminal vlerësohen në mbi 100 milionë euro.

Përleshje midis fermerëve dhe policisë në Greqi mes protestave për vonesat e subvencioneve dhe rritjes së kostove të prodhimit

9 December 2025 at 09:48


Tensionet u ndezën të hënën jashtë Aeroportit Ndërkombëtar Nikos Kazantzakis në Iraklio, Kretë, ndërsa fermerët dhe blegtorët protestues u përpoqën të bllokonin hyrjen kryesore.

Demonstruesit ishin nisur nga stadiumi Pankritio i qytetit në një konvoj traktorësh, duke synuar të arrinin në aeroport si pjesë e përshkallëzimit të protestave mbarëkombëtare për shkak të vonesave të subvencioneve dhe rritjes së kostove të prodhimit.

Policia kishte rrethuar rrugët e hyrjes në terminal, duke penguar konvojin të arrinte në ambientet e aeroportit.

Dhe përleshjet shpërthyen kur protestuesit shtynë përpara, duke bërë që policia të përdorte gaz lotsjellës dhe “granata zhurmuese”.

- YouTube www.youtube.com

Demonstruesit hodhën gurë në përgjigje.

Nuk u raportuan menjëherë lëndime serioze.

Fermerët në të gjithë Greqinë kanë intensifikuar bllokadat rrugore në ditët e fundit.

Më shumë se 20 pika proteste janë ngritur në të gjithë vendin, me mijëra traktorë të rreshtuar përgjatë autostradave kryesore. /Telegrafi/

Anija me emigrantë fundoset në Kretë, 18 të vdekur

6 December 2025 at 23:30


Një anije me emigrantë është fundosur në Kretë.

Sipas një përditësimi nga autoritetet greke, anije dhe helikopterë nxituan menjëherë në vendngjarje.

Bëhet e ditur se dy banorë u shpëtuan, por 18 persona janë gjetur të vdekur.

Nuk ka persona të tjerë të zhdukur, pasi operacioni i kërkim-shpëtimit ka përfunduar dhe nuk ka dalë asnjë provë për banorë të tjerë.

Rrethanat në të cilat anija u përmbys ose u fundos mbeten të paqarta.

Ndryshe, Greqia është një pikë hyrëse kryesore në Bashkimin Evropian për njerëzit që ikin nga konflikti dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi dhe aksidentet fatale janë një dukuri e zakonshme.

Në muajt e fundit, mbërritjet nga Libia në Kretë janë rritur ndjeshëm. /Telegrafi/

Tërmet i fuqishëm në Greqi

6 December 2025 at 22:43


Një tërmet me magnitudë 6.36 ka goditur Greqinë.

Këtë e ka bërë të ditur Qendra Gjermane e Kërkimeve për Gjeoshkencat (GFZ).

Tërmeti ishte në një thellësi prej 10 kilometrash, sipas GFZ.

Po bëhen përpjekje për të vlerësuar ndikimin dhe për të garantuar sigurinë në zonat e prekura.

Detaje tjera ende nuk janë bërë publike. /Telegrafi/

Mbyllet sërish pika kufitare në mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë

5 December 2025 at 15:20


Rreth orës 14:00 sipas orës lokale, fermerët grekë mbyllën përsëri pikën kufitare Evzoni për hyrje dhe dalje nga Greqia në për në Maqedoninë e Veriut, ndërsa bllokada pritet të zgjasë deri në orën 22:00.

Mbi 300 traktorë janë parkuar në anën greke të kufirit, ndërsa pati bllokadë gjatë orëve të mëngjesit të djeshëm, si dhe nga ora 18:00 deri në orën 22:30, pas së cilës trafiku u normalizua dhe vazhdoi pa ndërprerje deri në orën 14:00.

Në të gjithë Greqinë, fermerët kanë ngritur gjithsej 14 blloqe me mbi 6,000 traktorë, dy prej të cilëve janë në pikat kufitare Evzoni (Bogorodica) dhe Niki (Mexhitlija).

Në Niki, bllokada sot zgjati shkurt, njësoj si dje dhe kishte të bënte vetëm me automjete mallrash, jo me makina. Praktika e fermerëve, si në vitet e kaluara gjatë protestave të tyre, është të mos njoftojnë bllokimet, duke pasur parasysh se traktorët dhe automjetet bujqësore janë të parkuara në pikën kufitare dhe qëndrojnë atje, ndërsa në takimet e përditshme, komisionet kompetente bujqësore vendosin se kur dhe për sa kohë do të bllokojnë.

Kalimi kufitar i Dojranit mbetet i vetmi në të cilin nuk ka bllokada dhe trafiku që hyn dhe del nga Greqia po zhvillohet pa probleme.
Sot, fermerët nga Selaniku u përpoqën të arrinin në aeroportin e Selanikut me traktorët e tyre dhe të vendosnin bllokadë të re atje, por u penguan nga policia, pas së cilës ndodhën incidente me përdorimin e gazit lotsjellës.

Në brendësi të Greqisë, në zonën e Nikeas pranë Larisës ka rreth 1,800 traktorë dhe autostrada Selanik-Athinë është e mbyllur, pranë qytetit të Karditës mbi 2,000 traktorë po marrin pjesë në bllokadë, dhe ka edhe një bllokadë në dalje nga Selaniku drejt Athinës.

Në disa vende ku ka bllokada, fermerët kanë vendosur edhe pemë Krishtlindjesh, gjë që në Greqi interpretohet si një mesazh se nuk do të dorëzohen dhe, nëse është e nevojshme, do t'i kalojnë festat në rrugë.

Fermerët grekë, të cilët filluan protestat e tyre të dielën, kanë njoftuar një intensifikim gradual deri më 5 dhjetor, dhe deri më tani nuk ka informacion se sa do të zgjasin ato.

Fermerët grekë bllokojnë autostradën e Athinës ndërsa vazhdojnë pasojat e mashtrimit me subvencionet

1 December 2025 at 18:18


Fermerët grekë kanë bllokuar rrugët kryesore kombëtare me traktorë, duke ndarë në mënyrë efektive autostradën kryesore veri-jug të vendit në shenjë proteste kundër kostos së rritur të prodhimit, çmimeve të ulëta dhe vonesave në pagesa nga qeveria.

Bllokimi vjen pasi disa persona u arrestuan javën e kaluar në një rast mashtrimi në bujqësi që zbuloi se miliona euro u paguan në subvencione të paligjshme nga OPEKEPE, organizata përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve bujqësore të BE-së, një skandal që ka provokuar fermerët dhe ka sjellë shqyrtim shtesë mbi pagesat e subvencioneve në vend.

Gjatë hetimit paraprak, rreth 324 persona u gjetën si përfitues të subvencioneve me vlerë 19.6 milionë euro, sipas Zyrës së Prokurorit Publik Europian (EPPO), shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Kështu, fermerët dhe shoqatat bujqësore po organizojnë demonstrata në autostradën kritike Athinë-Selanik, duke sjellë më shumë makineri bujqësore dhe traktorë për të përforcuar bllokadën e tyre.

- YouTube www.youtube.com

Më herët të hënën, autostrada Athinë-Selanik mbeti e mbyllur rreth Nikaias në Larisa, kryeqyteti dhe qyteti më i madh i rajonit veriperëndimor të Thesalisë, ku traktorët ishin rreshtuar ndërsa policia e trafikut vazhdoi të devijonte trafikun përmes rrugëve alternative për të shmangur ndërprerjet e mëdha.

Përpara një takimi të planifikuar midis sindikatave të hënën, fermerët kanë paralajmëruar se do të zgjasin mbylljet nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Sipas një njoftimi të Federatës së Shoqatave Bujqësore, "një bllokadë në kryqëzimin, Megalochori, do të vazhdojë dhe fermerët e Trikalës do të protestojnë të mërkurën e ardhshme". Një bllokadë pritet gjithashtu në Selanikun lindor.

Dhe dita e parë e mobilizimit filloi të dielën dhe u shoqërua me incidente në fshatrat Nikaia dhe Platykambos në Larisa, kur fermerët u përpoqën t'i afroheshin autostradës dhe u përleshën me policinë e trazirave.

Pa asnjë garanci apo deklaratë nga qeveria ende, protestat pritet të përhapen në të gjithë Greqinë deri më 5 dhjetor, me më shumë bllokada rrugore, një taktikë e përdorur shpesh nga fermerët për të ushtruar presion mbi autoritetet. /Telegrafi/

Ambasadorja amerikane në Greqi shkaktoi reagime me fustanin e tejdukshëm

28 November 2025 at 20:01


Ambasadorja e re amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, u bë një yll i paparashikuar i ngjarjes për Ditën e Falënderimeve, të organizuar nga Dhomë Tregtare Amerikano-Hellene.

Fokusi nuk ishte tek fjala e saj, por tek veshja e saj, pasi shumë e konsideruan tepër provokuese për një tubim zyrtar diplomatik.

Për këtë rast, ajo zgjodhi një fustan të gjatë të zi të tejdukshëm me dantella dhe shkëlqim. Fustani nxirrte në pah figurën e saj të hollë, dhe për kombinimin ajo kompletoi pamjen me një ‘make-up’ të thjeshtë dhe flokë lehtë të kthyer.

US Ambassador in Athens sparks a stir with a sheer dress

The new US Ambassador to Greece, Kimberly Guilfoyle, became the unexpected star of a Thanksgiving event hosted by the American-Hellenic Chamber of Commerce. The focus wasn’t on her speech but on her outfit — a sheer… pic.twitter.com/XPmsi8yYXg
— NEXTA (@nexta_tv) November 27, 2025

Komentet mbi pamjen e saj janë të ndara: disa vlerësojnë vetëbesimin dhe stilin e saj, ndërsa të tjerë mendojnë se Guilfoyle nuk duhej të shfaqej me një veshje të tillë në ngjarje formale, duke e quajtur shkelje të protokollit.

Guilfoyle është avokate, ish-moderatore e Fox News, si dhe ish-bashkëshorte e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, dhe ish-e fejuara e Donald Trump Jr.

Në dhjetor 2024, Donald Trump e nominoi për ambasadore në Greqi, dhe ajo mori zyrtarisht këtë detyrë në shtator 2025. /Telegrafi/

Greqia nuk do ta ekstradojë personin i cili kreu vrasje para 28 viteve në Maqedoni

27 November 2025 at 11:33


Shtetasi i Maqedonisë, i kërkuar me urdhër-arrest evropian për vrasje para 28 vjetësh dhe i arrestuar në fund të majit të këtij viti në qytetin grek të Katerinit, nuk do të ekstradohet në Maqedoni, për shkak të vjetërsimit të lëndës, ka vendosur gjykata në Selanik, raporton agjencia greke e lajmeve ANA-MPA.

Me refuzimin e kërkesës për ekstradim, gjykatësit kanë vendosur gjithashtu të lirojnë personin nga masa e paraburgimit.
Vrasja, për të cilën 60-vjeçari ishte i kërkuar me urdhër-arrest evropian, ka ndodhur në Maqedoni në nëntor të vitit 1997, dhe viktimë ishte një shtetas i Maqedonisë, 37-vjeçar. Kryerësi i veprës ishte dënuar atëherë me 15 vjet burg, por kishte ikur në Greqi. Para gjashtë muajsh, ai u arrestua në Katerini.

Sipas dokumenteve gjyqësore dhe materialeve të prokurorisë në Maqedoni, 60-vjeçari shkaktoi me qëllim një aksident trafiku. Kur viktima doli nga automjeti për të parë dëmet, ai qëlloi ndaj tij dhe e vrau. Një vit më pas u mbajt gjykimi dhe ai u dënua me 15 vjet burg.

Para gjykatës në Selanik, ai ka shpjeguar se pas lirimit nga paraburgimi iku dhe u vendos në Greqi, ku aktualisht ka një biznes me dhoma me qira në rajonin e Pierias.

“Non grata” nga Greqia, Hoxha: Dyshoj se ka të bëjë me Belerin, shteti të ndërhyjë

By: M C
25 November 2025 at 23:38

Gazetari Artan Hoxha ka folur në emisionin “Opinion” lidhur me shpalljen person “non grata” nga Greqia. Hoxha sqaroi me detaje momentin kur u njoh me këtë vendim, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë sinjal serioz më parë.

-Ore je shpallur non grata në Greqi?

Artan Hoxha: Edhe tragjike, edhe komike!

–Po ecje, kishe ulur kokën…(Shfaqet videoja nga pika kufitare)

Artan Hoxha: Ishte shi, koha s’ka qenë fort e mirë.

-Ti e kalove doganën shqiptare?

Artan Hoxha: Po, po! Oficeri i kufirit në vijë të parë e konstatoi, tha ke një problem serioz. Më bëri përshtypje kur foli shqip, i thashë jam gazetar, do kalosh në vijë të dytë tha nëse do të marrësh dokumentin. Në vijën e dytë, bëri një verifikim të atësisë, mëmësisë, profesionit, a je ti që ke bërë ca dokumentarë. Pastaj më tha që duhet të lësh gjurmët e gishtave dhe të bësh foto retinën e syrit. Unë i thashë nuk jam kriminel, nuk di të kem bërë vepër penale. Nuk ka lidhje me atë tha ka të bëjë me një vendim tjetër.

Ai që kishte vendimin në dorë, bënte sikur fliste me dikë, unë e kuptoj gjuhën se kam qenë emigrant. Erdhi dhe mbajti qëndrimin më të ftohtë e arrogant, tha ju jeni përjashtuar tha që të hyni përjetësisht në Greqi, për shkak të asaj që keni bërë në dëm të Greqisë dhe qytetarëve grekë. Nuk dhanë përgjigje. Bënë pyetje, si person i padëshiruar, ka një pikë tjetër që thotë përbën rrezik për rendin kushtetues dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe nuk jep shpjegim tjetër. Duhet ta firmosësh tha, më kërkoi me insistim të largohesha te automjeti. Vendimi ishte marrë vitin e kaluar.

-S’kishe asnjë informacion?

Artan Hoxha: Jo, s’kam qenë në Greqi për 1 vit, nga toka.

Më tej, pohoi se kur kishte udhëtuar për në Konicë së fundmi, ishte paralajmëruar se ishte nën monitorim.

“Në pasaportë kanë bërë një kryq dhe duhet ta shoh se çfarë do të ndodhë kur të hyj në vendet e tjera të BE-së. Koha kur është marrë vendimi përkon me zgjedhjet elektorale për në Parlamentin Europian”, deklaroi ai.

Sipas tij, duke marrë parasysh datën kur ka dalë ky vendim, dyshimet janë se ka të bëjë me qëndrimin e gazetarit ndaj eurodeputetit tanimë, Fredi Beleri. Ky i fundit u burgos në Shqipëri për korrupsion pasiv në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023 dhe nuk arriti të ushtrojë detyrën e tij si kryebashkiak i Himarës.

“Unë kam pasur procese gjyqësore me zotin Beleri. Këto procese nuk na mbyllën gojën, për më tepër faktet që nxora për masakrën e Peshkëpisë, përplasjet me Belerin nuk janë të sotmet. Kuptova se ky është shkaku kryesor”, tha Hoxha.

Gazetari tregoi se çfarë rrugësh ligjore do ndjekë sa i takon kësaj situate të papritur për të.

“Më thanë që mund të ndjek një rrugë në Bruksel, do e konsultoj me një avokat dhe të shohim sa mundësi kemi. Rruga më e mirë është të ndërhyjë shteti sepse unë jam si përfaqësues atje i medias shqiptare, mendoj se është një mënyrë për të trembur të tjerët. Unë jam atje se kam mbrojtur interesat e qytetarëve të Shqipërisë”, tha Hoxha, duke shtuar se ka komunikuar me Ministren e Jashtme, Elisa Spiropali. “Tha kemi ngritur një grup pune dhe do ta ndjekim situatën”, u shpreh gazetari.

“Ne i kemi marrëdhëniet mirë me Greqinë kur e ulim kokën ne”, përfundoi Hoxha.

The post “Non grata” nga Greqia, Hoxha: Dyshoj se ka të bëjë me Belerin, shteti të ndërhyjë appeared first on Albeu.com.

14 vite non-grata nga Greqia/ Marin Mema: Nuk më lejojnë ta çojë në Strasburg, më trajtuan si terrorist

By: M C
24 November 2025 at 23:19

Gazetari Marin Mema, ka folur sa i përket non-gratës që i është vendosur nga Greqia në vitin 2012. I ftuar në “Top Story”, ai shprehet se nuk mund ta çojë dot këtë çështje deri në Strasburg, pasi në gjyqet greke nuk e lejojnë të kalojë shkallët përkatëse. Ai gjithashtu flet dhe për shumë persona të tjerë që janë non-grata nga Greqia për disa arsye që ai i përshkruan si absurde.

“Në 2026 hyj në vitin e 14-të. Jam përpjekur ta çoj në gjykatë. Kam kontaktuar një avokat, por nuk të lënë në Greqi të kalosh shkallët përkatëse që ta çosh deri në Strasburg, sepse e dinë që në Strasburg e humbin. Nuk futesh fare në procedurë për t’i kaluar këto shkallë. Duhet të kalosh shkallët në shtetin përkatës që ta kalosh në Strasburg.

Unë kam të njëjtin kryq. Në vendet e tjera qeshnin kur i thoja se lidhej me një qëndrim për Greqinë. Ajo që nuk kemi përmendur saç duhet është që kjo histori nuk është ndalur asnjëherë. Kur jam shpallur non-grata në vitin 2012, bashkë me mua në atë kohë janë shpallur non-grata edhe dy të tjerë që ishin me mua.

Pak muaj më parë është shpallur një aktivist non-grata se tha ‘Rroftë Çamëria’ kur erdhi Mitsotakis. Kjo gjë nuk është ndalur. Vazhdon. Një djalë kishte bërë foto në Çamëri me fëmijën e tij dhe bashkëshorten. E morën në komisariat dhe i thanë: ‘Të ka çuar Marin Mema’. Ai djalë nuk jetonte në Shqipëri. Jetonte në Suedi. I ka ndodhur shumë personave.

Mua kjo non-grata nuk më ka kushtuar asgjë, sepse kjo nuk e bllokon të vërtetën. Ti mund të bllokosh Marinin, por nuk bllokon të vërtetën të dalë në sipërfaqe. Kjo i ka dhënë më shumë zë zërit të së vërtetës. Unë habitem pse nuk ka një reagim të vërtetë. Asnjëherë nuk është mbajtur një qëndrim serioz për ta adresuar këtë çështje. Futem në vitin e 14-të. A thua se jam ky terrorist i madh që në vend të kallashnikovit kisha stilolapsin”, tha Mema.

The post 14 vite non-grata nga Greqia/ Marin Mema: Nuk më lejojnë ta çojë në Strasburg, më trajtuan si terrorist appeared first on Albeu.com.

“Zhduku nga këtu”/ U shpall non grata nga Greqia, Artan Hoxha tregon detajet: Çfarë më thanë policët

By: M C
24 November 2025 at 22:33

Gazetari Artan Hoxha, ka treguar detaje në lidhje me shpalljen non grata nga Greqia, e cila i ndaloi përgjithmonë futjen në shtetin helen.

Ai ka shpjeguar se në momentin e ndalimit i pyeti policët se pse po ndodh kjo, dhe këta të fundit i kanë thënë se ishte për shkak të qëndrimeve të mëparshme kundër Greqisë.

Hoxha shtoi se pasi i morën shenjat e gishtave dhe plotësoi formularin e shpalljes non grata, policët grekë i thanë: “Qërohu dhe zhduku nga toka greke”.

“Isha duke udhëtuar drejt Janinës, kisha kohë që nuk kisha kaluar nga Kakavija dhe sapo u paraqita në sportelin e policisë greke e kuptova që ka diçka nga vonesa. Fillova të komunikoj në greqisht. Sapo e futi pasaportën për skanim me tha ke një problem, I thash që edhe ë parë më ka ndodhur por di që është rregulluar. ‘Jo’ më tha dhe më tha kalo në vjen e dyte. Shkoj në vijën e dytë dhe një tjetër polic me bëri pyetjen për prindërit sepse ka shumë me emër Artan Hoxha në regjistrin shqiptar.

Që në fillim më tha që ke pasur disa qëndrime kundra Greqisë. Lash gjurmët e gishtave. I thash që po më trajtoni si kriminel, më tha është thjeshtë procedurë. U ngrit papritmas, bëri gati formularin dhe më tha do ta plotësosh këtë dhe do të largohesh nga territori grek sepse je person non grata. I pyeta për çfarë dhe më tha për ato që ke bërë dhe më tha që e di shumë mirë se çfarë kam bërë. Më tha qërohu dhe zhduku nga toka greke”, u shpreh Artan Hoxha në Top Story.

The post “Zhduku nga këtu”/ U shpall non grata nga Greqia, Artan Hoxha tregon detajet: Çfarë më thanë policët appeared first on Albeu.com.

Gazetari Artan Hoxha shpallet non-grata nga Greqia, reagime nga Shqipëria

24 November 2025 at 17:03


Gazetari Artan Hoxha është ndaluar orët e para të mëngjesit të sotëm të kaloj në tokën greke, pasi sipas informacioneve ai është shpallur person non-grata dhe i është dashur të kthehet pas.

Pas kësaj ngjarjeje, ka reaguar deputeti i PS Ardit Bido, i cili e cilëson këtë masë të papranueshme dhe si abuzimin më të madh me vlerat evropiane.

“Ndalimi i Artan Hoxhës në kufirin shqiptaro-grek përbën rastin e dytë në pak vite që gazetarët shqiptarë ndalohen në kufi për shkak të raportimit dhe të bindjeve të tyre.

Është e papranueshme që në shekullin e 21-të, autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit.

Kërkimi i të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, përballja me nacionalizmin politik të fenomeneve Agimi i Artë, Beleri etj., si dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, nuk janë opsion, por detyrim i çdo gazetari dhe i çdo shqiptari. Ndaj, sulmi ndaj tyre, përmes shpalljes “non grata” përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane”, shprehet ai.

Ky nuk është rasti i parë që Greqia merr një masë të tillë për gazetarët, pasi shumë vite më parë shteti grek ka shpallur si person të padëshirueshëm gazetarin e Top Channel, Marin Mema.

Integrimi i Shqipërisë, Athina gati për “OQI DAY 2”? Greqia bëhet gati për “rezistencë” ndaj Shqipërisë

By: xhir jeta
24 November 2025 at 15:06

Athina po bëhet gati për përballjen politike me Tiranën pas përmbylljes se negociatave teknike të anëtarësimit në 2027. Shefi i diplomacisë greke Jorgos Gerapetritis ka hartuar një plan të ri veprimi për marrëdhëniet me qeverinë shqiptare, që përmban disa nga cështjet më të ndjeshme të axhendës dy palëshe si kufinjtë detarë, lidhshmëria dhe bashkëpunimi infrastrukturor –energjitik dhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Udhërrëfyesi që do ti paraqitet ministres së jashtme Spiropali më 16 dhjetor në Athinë, rikthen bisedimet për cështjet e pazgjidhura mes dy shteteve, me në krye kufinjtë detare.

Në 2020, Shqipëria dhe Greqia ranë dakort që paraqisnin mosmarrëveshjen për delimitimin e zonave ekonomike detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende kjo cështje ka mbëtur pezull.

Në vizitën e tij të fundit në Athinë në qershor të 2025, ish ministri I jashtëm Igli Hasani tha se qeveria shqiptare mbetet e hapur dhe plotësisht e angazhuar për promovimin e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe që janë pezull. Në mënyrë që ato të adresohen në përputhje me rregullat ndërkombëtare.

Ndërsa në Athinë konsiderohet se situata rajonale, veçanërisht projektet energjetike të Adriatikut dhe Mesdheut, po i japin çështjes një shtysë të re për zgjidhje.

Plani i ri I veprimit I kushton një vemendje të posacme integrimit europian të Shqipërisë.  Ministri i jashtëm grek Gerapetritis i ka paraqitur homologëve në Bruksel qëllimin e vendit të tij për të ndërmarrë, në kuadër të presidencës greke, një iniciative që do të përshpejtonte rrugën e shteteve ballkanike drejt familjes europiane.

Athina merr presidencën e Bashkimit Europian në gjashtë mujorin e dytë të 2027, që përkon me objektivat e qeverisë shqiptare për mbylljen e të gjithë grupkapitujve të anëtarësimit, ose thënë ndryshe, mbylljen teknike të negociatave.  Me pas topi do të jetë në fushen e Italisë, e cila do të udheheqe procesin e zgjerimit, në gjysmën e parë të 2028, kur me gjasë do të nisin edhe bisedimet politike të Shqipërisë me shtetet anëtare për të marrë mbështetjen e parlamenteve respektive.

Dhe këtu, hyn në lojë Roma dhe kryeministrja Meloni, e cila ka deklaruar se nese cështjet e mbetura pezull me Athinën do bëhen pengesë për anëtarësimin e Tiranës në familjen europiane, italia do te negocioje. Dhe te negociatat politike, ku vendet anetare diskutojne dhe ceshtjet individuale qe kane me shqiperine, rritet rreziku I nje tjeter rezistence te athines, qe mund te kthehen  edhe ne kushte te saj para se ajo te miratoje futjen e shqiperise ne bashkimin europian./abcnews.al

Mot i keq në Greqi - ishulli turistik goditet rëndë

22 November 2025 at 11:38


Mot i keq me reshje të dendura shiu ka shkaktuar dëme në shumë vende në veriperëndim të Greqisë.

Bodrumet dhe katet e poshtme të shtëpive janë përmbytur, lumenjtë kanë marrë me vete automjete, dhe rrugët janë bllokuar nga rrëshqitjet e dheut.

Rreth 280 milimetra shi kanë rënë brenda disa orësh në zonën rreth qytetit Janina në veriperëndim të vendit, njoftoi shërbimi meteorologjik grek.

I goditur rëndë është edhe ishulli turistik Krf. “Fshati Karusades, ku jetojnë 2000 persona, është i izoluar nga pjesa tjetër e botës. Edhe stacioni i policisë është bllokuar nga tonelata balte”, tha kryetari i komunës së Veriut të Krfit për gazetën Katimerini.

Κέρκυρα: Εικόνες καταστροφής από την κακοκαιρία - Κλιμάκιο της ΕΜΑΚ στο νησί - Καστοριά: Υπερχείλισε ο Αλιάκμονας στο Νεστόριο #OPENnewe pic.twitter.com/dOrDKC1Ax4
— OPEN News (@OpenNewsGr) November 21, 2025

Ai shtoi se zyrtarët shpresojnë tani që të arrijnë makina pune nga pjesë të tjera të vendit për të larguar dheun.

Shumë rrugë në ishull janë të bllokuara ose të shkatërruara. Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura të hënën.

Parashikohet që edhe sot të vazhdojë të bjerë shi në rajonin e prekur, por jo me intensitet të madh.

Në veriun e Krfit, në vitin 2023 shpërtheu një zjarr i madh pyjor. Meteorologët besojnë se përmbytjet aktuale janë shumë më të rënda se më parë, sepse nuk ka më vegjetacion që të mbajë baltën dhe gurët. /Telegrafi/

Europol: 870 milionë euro vepra të vjedhura - shkatërrohet rrjeti kriminal, 35 të arrestuar

21 November 2025 at 15:58


Një operacion i përbashkët i autoriteteve nga gjashtë vende evropiane, i koordinuar nga Eurojust dhe Europol, ka goditur një nga grupet më të mëdha kriminale të trafikut të objekteve historike në kontinent.

Sipas agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, gjatë operacionit janë arrestuar 35 persona dhe janë kontrolluar mbi 125 lokacione, ku u sekuestruan më shumë se 3000 artefakte me vlerë mbi 100 milionë euro.

Vlera e përgjithshme e objekteve të dyshuara të trafikuara nga ky grup arrin 870 milionë euro.

Operacioni u zhvillua më 19 nëntor dhe përfshiu edhe Shqipërinë, ku SPAK bashkëpunoi me autoritetet evropiane për ekzekutimin e urdhrave të hetimit dhe kontrollit të disa lokacioneve të dyshuara. Kontrolli u krye paralelisht edhe në Bullgari, Francë, Gjermani dhe Greqi.

- YouTube www.youtube.com

Sipas EUROJUST, gjatë aksionit u sekuestruan mbi 3000 objekte, duke përfshirë monedha antike ari dhe argjendi, vepra arti dhe antikitete të tjera. Përveç tyre, autoritetet konfiskuan dokumente, pajisje elektronike, mbi 50 mijë dollarë në para të gatshme dhe ar për investime.

Hetimet kishin nisur pas zbulimit në vitin 2020 në Bullgari të më shumë se 7000 artefakteve të lashta, të dyshuara të vjedhura nga gërmime të paligjshme. Grupi kriminal ishte i specializuar në vjedhjen dhe trafikimin e objekteve kulturore, përfshirë maska, bizhuteri, armatura, monedha ari dhe argjendi, si dhe vepra arti, të cilat më pas shpërndaheshin nëpërmjet një rrjeti ndërkombëtar.

Mes të arrestuarve është edhe një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i cili dyshohet se financonte gërmime të paligjshme dhe kishte krijuar rrjete trafiku që shtriheshin në disa vende evropiane.

Operacioni vazhdon, ndërsa artefaktet e sekuestruara do t’i nënshtrohen verifikimeve për të përcaktuar origjinën dhe vendin e tyre të ligjshëm. Autoritetet evropiane njoftuan se hetimet do të zgjerohen për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë dhe rrugët e trafikut që mund të përfshijnë vende të tjera të rajonit. /Telegrafi/

❌
❌