TIRANË, 3 janar/ATSH/ Nga menaxhimi i territorit dhe investimet infrastrukturore, te përballimi i fluksit turistik dhe përmirësimi i shërbimeve publike, Durrësi mbetet një hapësirë ku vendimmarrja lokale ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Kryebashkiakja e qytetit bregdetar, Emiriana Sako, ndan në një intervistë për ATSH-në, vizionin e saj për drejtimin e qytetit, prioritetet e institucionit që ajo drejton dhe politikat e ndjekura për një zhvillim të qëndrueshëm.
Në një bisedë që prek dimensionin ekonomik, social dhe urban, Sako flet për projektet strategjike në zbatim, sfidat e administrimit të një qyteti të madh si Durrësi, dhe përgjegjësinë për shërbime cilësore për komunitetin.
Sako u shpreh se prioritetet janë të ndërtuara mbi vizionin për ta shndërruar Durrësin në një qytet modern, dhe plotësisht të harmonizuar me standardet bashkëkohore dhe një qytet turistik evropian. Në thelb të këtij vizioni qëndrojnë disa shtylla kryesore si zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i bizneseve lokale, turizëm gjithëvjetor, fuqizimi dhe integrim i të rinjve në ekonominë e qytetit, mbështetje sociale për familjet në nevojë, një qytet modern, të qëndrueshëm dhe me standarde bashkëkohore.
“Durrësi është një qytet me potencial të jashtëzakonshëm urban, ekonomik dhe social, dhe kjo na motivon çdo ditë të punojmë më fort për ta zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme. Sot, situata urbane paraqet një përzierje progresi dhe sfidash. Ne kemi realizuar ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturë dhe kemi rikualifikuar disa zona që kishin nevojë për vëmendje. Po realizojmë projekte të rëndësishme infrastrukturore që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës, forcimin e lidhjeve brenda qytetit dhe rritjen e hapësirave publike”, tha Sako.
“Në aspektin social, jemi të fokusuar te rritja e shërbimeve komunitare, përfshirja e të rinjve dhe mbështetja e shtresave në nevojë. Gjithsej janë 400 familje që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Ne kemi 7 qendra që ofrojnë shërbime ditore, shërbime të specializuara dhe qendra multifunksionale për moshën e tretë, për fëmijë etj. Janë mesatarisht 1700 qytetarë çdo vit që marrin shërbime nga të gjitha këto qendra”, shtoi ajo.
Sipas Sakos, Durrësi është qendra e investimeve strategjike kombëtare, një destinacion për investitorët e huaj, sidomos në aspektin e investimeve infrastrukturore, industriale, turistike dhe kulturore.
Sako u shpreh se aktualisht po zhvillohen projekte të rëndësishme, me rëndësi strategjike për infrastrukturën dhe qarkullimin rrugor si, dy unazat e qytetit: unaza Spital-Currila dhe ajo Spitallë-Currila, përfundimi i shëtitores së plazhit, duke filluar nga Ura e Dajlanit deri tek Konvaleshenca, rikonstruksioni i pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, rikonstruksioni i “Mauzoleut të Dëshmorëve” etj.
Durrësi, si qyteti i dytë më i madh pas Tiranës, po merr gjithnjë e më shumë vëmendjen e Qeverisë në aspektin e investimeve dhe projekteve të ndryshme, si Akademia Sportive e Manchester City dhe akademia e Rafael Nadal.
Sipas Sakos, tërheqja e investimeve sportive vjen pasi Durrësi ofron një kombinim faktorësh strategjikë që pak zona të tjera në vend i kanë, si qyteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe porta kryesore detare e vendit.
Sako e cilësoi Durrësin kryeqytet të turizmit dhe shpjegoi vizionin për rritjen e cilësisë së shërbimeve turistike si edhe promovimin e destinacioneve apo atraksioneve turistike. Sipas saj, edhe sezoni i fundit veror i tejkaloi pritshmëritë.
“Vitin e kaluar ishin mbi 1 milion turistë që e kanë vizituar qytetin tonë, ndërsa këtë vit duke parë fluksin e lartë mendojmë se ky numër mund të arrijë deri në 1 milion e 500 mijë vizitorë”, tha Sako.
Në Portin e Durrësit vetëm për 9-mujorin e vitit 2025 numërohen 403.554 hyrje në total, rreth 7% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Mbështetja vit pas viti e qeverisë së kryeministrit Rama me projekte madhore që e kanë transformuar dhe do të vijojnë ta transformojnë qytetin krijon një klimë të favorshme për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, që është motori ekonomik i Durrësit. Kemi filluar një investim të rëndësishëm siç është projekti i hyrjes së Durrësit e cila do të jetë një hyrje e denjë për një qytet turistik”, pohoi Sako.
Investime të tjera janë faza e dytë e shëtitores së plazhit, zgjerimi i brezit të rërës si dhe ndërtimi i dy unazave në qytet.
“Të tjera investime në infrastrukturë do të kryhen gjatë vitit 2026 me synim sektorin turistik. Durrësin e pret një zhvillim i mëtejshëm falë projekteve madhore si projekti i Marinës Turistike, projekti i Portit Tregtar në Porto Romano, projekti i Amfiteatrit dhe rivitalizimi i gjithë qendrës historike, rijetësimi i monumenteve të kulturës, akademia e Manchester City dhe ajo e tenisit Rafael Nadal”, vijoi ajo.
Ndërkaq, vetëm gjatë 10 muajve të vitit 2025, numri i vizitorëve vetëm në Amfiteatër dhe tek Torra Veneciane ishte 50.129 vizitorë, nga ku shënohet një rritje prej 39% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Sako informoi se bashkia ka ndërmarrë hartimin e Planit Vendor të Menaxhimit të Mbetjeve Urbane, në kuadër të angazhimit si anëtarë të Konventës së Bashkive të Ballkanit Perëndimor.
“Një risi e rëndësishme është procesi pilot i evadimit në burim, ku mbetjet zbrazen direkt nga koshat familjarë në disa lagje, me synimin për të rritur efikasitetin dhe për të eliminuar pikat problematike. Paralelisht, kryejmë kontroll të rregullt të pajisjeve dhe zëvendësim të kontejnerëve të dëmtuar, si dhe vendosje të koshave shtesë në zonat që e kërkojnë. Nëpërmjet këtyre masave dhe zbatimit të planit vendor, Durrësi po ndërton një sistem më efikas, më të pastër dhe më të orientuar drejt standardeve moderne të menaxhimit të mbetjeve, duke garantuar shërbim më cilësor për çdo lagje dhe çdo banor të qytetit”, tha Sako.
Kryetarja e bashkisë Durrës, në fund u shpreh se “vizioni ynë është të ndërtojmë një qytet modern, të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë”.
“Ne po investojmë në infrastrukturë më moderne, në hapësira publike më cilësore, në një urbanistikë që respekton historinë dhe mbron të ardhmen, shërbime më të mira, investime që sjellin zhvillim afatgjatë, si dhe në projekte që rrisin mirëqenien e qytetarëve”, përfundoi Sako.
Foto nga aktivitete ku e pranishme është edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako
/e.i/j.p/r.e/
The post Sako për ATSH: Investimet që po e transformojnë Durrësin në qytet turistik evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.