❌

Normal view

Organizatat vendase dhe ndërkombëtare reagojnë ndaj dhunës policore në protestë

15 October 2026 at 14:01

Organizatat vendase dhe ndërkombëtare kanë reaguar pas përplasjeve gjatë protestave studentore në Tiranë, që po vijojnë prej tre ditësh. Ato ngrenë shqetësime për përdorimin e forcës nga policia, respektimin e së drejtës për tubim dhe bëjnë thirrje për ndalimin e dhunën ndaj gazetarëve që raportojnë nga terreni.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shprehu shqetësim për dhunën gjatë protestave dhe u bëri thirrje palëve të tregojnë përmbajtje për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Organizata theksoi rëndësinë e respektimit të së drejtës për tubim paqësor dhe lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënoi dhunën, kërcënimet dhe pengimin e gazetarëve gjatë protestave të 13 dhe 14 tetorit.

Sipas organizatës, gjatë këtyre dy ditëve u dokumentuan të paktën 10 incidente që prekën 12 gazetarë, operatorë dhe ekipe mediatike. Rastet përfshijnë sulme fizike, dëmtime, kërcënime dhe pengim të raportimit.

Mes gazetarëve të prekur janë Izmir Akulli i Dosja.al, Anesti Bajramemaj dhe operatori Heri Simota të A2 CNN, Vjolanda Peca e Citizens.al, si dhe Fatime Halmusaj. AGSH raportoi gjithashtu për kërcënime ndaj gazetarit Xhoi Malësia të Top News.

Organizata u kërkoi Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë të hetojnë incidentet dhe të identifikojnë përgjegjësit.

Rrjeti rajonal SafeJournalists dënoi dhunën e raportuar ndaj gazetarëve dhe ngriti shqetësime për përdorimin e forcës nga policia gjatë mbulimit të protestave. Rrjeti theksoi se ruajtja e rendit publik nuk justifikon dhunën ndaj gazetarëve apo pengimin e punës së tyre.

Ndërkohë, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) dhe organizata të tjera kërkuan masa institucionale, hetime të pavarura dhe llogaridhënie për rastet e raportuara. Në letrën e tyre të përbashkët, ato kërkuan gjithashtu forcimin e mekanizmave që garantojnë sigurinë e gazetarëve gjatë protestave.

Këshilli Shqiptar i Medias (KShM) dënoi dhunën e raportuar ndaj gazetarëve gjatë protestave, duke iu referuar rasteve të dokumentuara nga AGSH. Këshilli i cilësoi sulmet dhe kërcënimet si të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet europiane për lirinë e shtypit dhe mbrojtjen e gazetarëve.

Avokati i Popullit njoftoi më 13 tetor nisjen kryesisht të një hetimi administrativ për të vlerësuar nëse përdorimi i forcës nga policia gjatë protestës ishte i nevojshëm dhe proporcional.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri shprehu shqetësim për dhunën dhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Në reagimin e publikuar më 14 tetor, delegacioni theksoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe kërkoi që rastet e raportuara të hetohen me përparësi. 

Reagimet e organizatave nënvizojnë nevojën për hetimin e rasteve të raportuara, respektimin e të drejtave themelore dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve gjatë protestave. 

Dhuna policore ka vazhduar edhe ditën e tretë të protestës së studentëve, ku me dhjetra minorenë dhe studentë janë dhunaur nga policia dhej anë arrestuar.

The post Organizatat vendase dhe ndërkombëtare reagojnë ndaj dhunës policore në protestë appeared first on Citizens.al.

Protesta e studenteve, orë pas ore

15 October 2026 at 12:33

Protesta studentore në Shqipëri, ndiqni zhvillimet dhe dinamikën e protestave dhe reagimeve institucionale në këtë mbulim të përditësuar.

20:05, 15.10.2026

Aktivistja Eva Pango është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa një efektiv policie nga Shkodra po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. QSUT raporton 26 persona të trajtuar dhe dy efektivë ende nën kujdes mjekësor. Ndërkohë, Avokati i Popullit konfirmon 30 të shoqëruar në Korçë dhe Shkodër, mes tyre 16 të mitur.

Ora 18:51 15.10.2026 – Protestuesit vijojnë të qëndrojnë të përqendruar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa forcat e policisë, të pozicionuara pranë Kryeministrisë, po përdorin gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.

Ndërkohë, studentja Eva Pango është transportuar drejt Spitalit të Traumës në gjendje të rënduar, pasi raportohet se është goditur gjatë protestës.

Ora 17:20, 15.10.2026

Dhjetëra persona janë shoqëruar nga policia, ndërsa në terren vihet re prani e shtuar e forcave të rendit. Sipas protestuesve, disa pjesëmarrës janë dërguar menjëherë në spital pasi janë dëmtuar nga granatat e gazit lotsjellës të hedhura nga policia. Pas disa shpërndarjesh dhe djegiesh të kioskave dhe shkatërrimit të bankave te nivelit të dyte, protestuesit janë mbledhur sërish para Kryeministrisë, ku vijojnë protestën prej më shumë se tetë orësh.

Ora 16:10, 15.10.2026

Protestuesit janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku janë përplasur me policinë, e cila ka përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Në një deklaratë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se janë lënduar mbi 71 efektivë, por nuk përmendi numrin e qytetarëve të lënduar apo të shoqëruar në komisariat.

Ora 15:15, 15.10.2026

Protestuesit janë shpërndarë përgjatë Unazës së Vogël, pasi dëmtuan një bankë të nivelit të dytë, ndërsa në disa pika të kryeqytetit janë ndezur zjarre. Ndërkohë, biznese të vogla kanë vendosur në dyert e tyre postera me mesazhin: “Mos na dëmtoni, jemi me protestën”.

Ora 14:20, 15.10.2026

Organizatat vendase dhe ndërkombëtare kanë reaguar pas përplasjeve gjatë protestave studentore në Tiranë, që po vijojnë prej tre ditësh. Ato ngrenë shqetësime për përdorimin e forcës nga policia, respektimin e së drejtës për tubim dhe bëjnë thirrje për ndalimin e dhunën ndaj gazetarëve që raportojnë nga terreni.

Ora 14:11, 15.10.2026

Protestuesit janë zhvendosur drejt Bashkisë së Tiranës, ku disa prej tyre kanë hedhur gurë dhe kapsolla në drejtim të godinës dhe forcave të policisë. Një pjesë tjetër e protestuesve është mbledhur në sheshin “Skënderbej”. Prani e shtuar e efektivëve është vënë re edhe pranë selisë së Partisë Socialiste.

Ora 12:52, 15.10.2026

Policia e Shtetit reagoi duke deklaruar se është në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike. Ndërkohë, protestuesit kanë publikuar pamje ku efektivët e policisë shfaqen duke ndaluar, dhunuar dhe shoqëruar në komisariat të mitur.


Ora 12:45, 15.10.2026

Nxënësit e gjimnazeve në Korçë, Vlorë, Elbasan, Divjakë, Shkodër dhe Kamëz kanë dalë në protestë ditën e sotme dhe kanë bojkotuar mësimin.

Në ditën e tretë të protestës, mijëra studentë dhe nxënës të gjimnazeve të Tiranës kanë mbushur rrugët e qytetit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protesta, e thirrur për orën 10:00 përpara Kuvendit, nisi më herët, ndërsa deputetët u larguan nga salla pas anulimit të seancës plenare. Në një intervistë, kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk do të japë dorëheqjen.

The post Protesta e studenteve, orë pas ore appeared first on Citizens.al.

Protesta e studentëve nis me bojkot

14 October 2026 at 11:19

Mëngjesi i sotëm ka nisur me protesta dhe bojkot të mësimit në disa universitete dhe gjimnaze në vend, në shenjë kundërshtimi ndaj qeverisë.

Ashtu siç kishin paralajmëruar, studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, ku protesta është thirrur të mbahet në orën 14:00. 

Me thirrjet “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “E ardhmja është e jona”, të rinjtë po marshojnë në kryeqytet, ndërsa gjatë rrugës u janë bashkuar edhe studentë të tjerë.

Bojkotit i janë bashkuar edhe studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës, të Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe të Universitetit të Drejtësisë. Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë dhe ai i Ekonomikut gjithashtu janë duke marshuar, pasi kane bojkotuar mësimin. Po ashtu, mësimi është bojkotuar edhe në gjimnazin “Partizani” në Tiranë.

Protesta e sotme vjen një ditë pas përplasjeve të dhunshme mes studentëve dhe policisë në Tiranë, gjatë protestës së thirrur më 13 tetor para Ministrisë së Arsimit. Gjatë tubimit pati përplasje fizike, ndërhyrje me shkopinj gome dhe përdorim të autobotit me ujë për shpërndarjen e turmës. Protestuesit hodhën vezë në drejtim të institucionit, ndërsa policia shoqëroi të paktën 10 persona. Përplasjet u shoqëruan me të lënduar dhe pamje të studentëve të gjakosur.

The post Protesta e studentëve nis me bojkot appeared first on Citizens.al.

Studentët rizgjojnë protestën, policia përgjigjet me dhunë

13 October 2026 at 20:40

Qindra studentë dhe qytetarë protestuan sot para Ministrisë së Arsimit, ndërsa kërkuan arsim cilësor, kushte më të mira në konvikte dhe universitete dhe dorëheqje të qeverisë Rama.

Protesta e thirrur në orën 14:00 nisi me thirrje për dorëheqje, por pasoi me përplasje të dhunshme, hedhje gurësh dhe kangjellash drejt godinës së ministrisë dhe përdorim të gazit lotsjellës, shkopave të gomës dhe sprejit djegës nga policia.

Mesazhi kryesor i protestuesve ishte se të rinjtë nuk pranojnë të heshtin përballë problemeve që, sipas tyre, po i detyrojnë të largohen nga Shqipëria.

“Ne jemi këtu për të treguar që rinia nuk bën mbrapa, jemi këtu për të treguar që rinia nuk hesht, dhe mbi të gjitha jemi këtu për të treguar se ne jemi e ardhmja dhe këtu vendosim ne dhe askush tjetër”, u shpreh studenti Redjan Shkëmbi.

Ai ngriti shqetësimin për kushtet në konvikte dhe cilësinë e arsimit, duke e lidhur gjendjen e universiteteve me mungesën e perspektivës për të rinjtë.

“Konviktet janë skandaloze, nuk ka kushte, nuk ka asnjë lloj shërbimi arsimor që ne nesër apo pasnesër të na garantojë të ardhmen. Diplomat që ne marrim nëpër universitete nuk janë asgjë më tepër veçse një pasaportë emigrimi”, tha Shkëmbi.

Përtej kushteve infrastrukturore dhe cilësisë së mësimdhënies, studentët kërkuan një sistem arsimor më meritokratik, ku rezultatet të përcaktojnë mundësitë për studime dhe punësim.

“Ne duam kushte më të mira në sistemin arsimor, kushte më të mira nëpër konvikte, kushte më të mira nëpër auditore, por dhe një sistem më meritokratik”, u shpreh studentja Laura Kërtalli.

Ajo tha se studentët kërkojnë që të rinjtë me rezultate të larta të kenë mundësi të përfitojnë kuota studimi, si në universitetet shqiptare, ashtu edhe në ato jashtë vendit, si dhe të kenë mundësi më të mira punësimi.

Kërtalli theksoi se, ndryshe nga protestat studentore të vitit 2018, kësaj here nuk duhet të ketë negociata me qeverinë.

“Ndryshe nga protesta e 2018-ës, pa negociata me qeverisjen, sepse ne e dimë që nuk mund të bësh dot negociata me këtë sistem dhe me klanin mbipartiak Rama-Berisha”, tha ajo.

Një tjetër protestuese, Albina Ruko, e lidhi gjendjen e arsimit me largimin e të rinjve nga vendi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Arsyeja kryesore pse jemi sot bashkë me studentët te Ministria e Arsimit është sepse kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës, pasi ai është fajtor për ikjen masive të të rinjve nga vendi, duke zbrazur dyert e universitetit, duke mos u dhënë njerëzve dhe të rinjve një mundësi jetese në vendin e tyre”, u shpreh Ruko.

Në protestë morën pjesë edhe qytetarë që mbështetën studentët, duke rikujtuar kërkesat e lëvizjeve të mëparshme studentore dhe duke kërkuar më shumë investime në arsim.

“Jam protestuese e 2018-ës dhe jam sot në 2026 të mbështes studentët. Ne besojmë se e ardhmja janë rinia dhe për rininë duhet të ketë më shumë investim, më shumë prioritet. Qeveria e këtyre 36 viteve nuk e ka prioritizuar kurrë arsimin”, tha Megi Marku.

Sipas saj, të rinjtë duhet të kenë mundësi të ndërtojnë jetën në Shqipëri, pa u detyruar të emigrojnë për të gjetur mundësi më të mira.

Edhe Megi Mustafaraj ngriti shqetësimin për kostot e arsimit të lartë, duke treguar përvojën e saj pas përfundimit të një masteri të dytë në Shqipëri.

“Unë sapo kam mbyllur një master të dytë në vendin tim dhe për të cilin m’u desh të paguaja dyfishin, për shkak se ligji i arsimit të lartë, i miratuar në 2015, mua më trajton si kliente dhe jo si studente”, u shpreh ajo.

Mustafaraj kundërshtoi tarifat më të larta për studentët që ndjekin një master të dytë, duke kërkuar një sistem arsimor që garanton akses më të barabartë në studime.

“Dua arsim cilësor dhe publik falas, jo një universitet i cili mua më trajton si biznes edhe si kliente”, tha ajo.

Ndërkohë, Kristi Gjoni, student, argumentoi se pakënaqësia e të rinjve shkon përtej arsimit dhe lidhet me koston e jetesës, pabarazinë dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Protestat normalisht janë në forma të ndryshme, mund të jetë paqësore, mund të jetë edhe më shumë agresive, por besoj se çdo gjë i shkon”, u shpreh ai.

Gjoni tha se kauzat që i shtyjnë të rinjtë të reagojnë lidhen drejtpërdrejt me jetën e tyre dhe të ardhmen që duan të ndërtojnë në vend.

Protesta e 13 tetorit riktheu në vëmendje pakënaqësitë e studentëve për kushtet e arsimit të lartë dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë, ndërsa përshkallëzimi i saj në përplasje me policinë e zhvendosi vëmendjen edhe te dhuna gjatë tubimit.

Gjatë protestës shumë qytetarë mbetën të lënduar për shkak të gazit lotsjellës dhe sprejit, duke iu vështirësuar frymëmarrja, ndërsa u shoqëruan në spital për të marrë ndihmën e parë.

Sipas Policisë së Shtetit, deri më tani janë shoqëruar 23 qytetarë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa janë lënduar gjashtë punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe dy gazetarë, Vjolanda Peca nga redaksia jonë e Citizens.al dhe Fatime Halmusa nga Fax News.

The post Studentët rizgjojnë protestën, policia përgjigjet me dhunë appeared first on Citizens.al.

Fqijnët ulin taksimin dhe fitimet, Shqipëria hap një faqe interneti me oferta

12 October 2026 at 16:54

Sot, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit lançoi “Pasqyra e Çmimeve”, një platformë ku qytetarët krahasojnë çmimet e produkteve bazë në pesë zinxhirë supermarketesh. Bashkë me të nisi “KURSE”, një listë me 325 produkte me çmim të zbritur deri më 12 janar.

Kryeministri Edi Rama foli për një ulje mesatare prej 13,3% dhe për ulje “deri në 40%”. Uljet prej 40% aktualisht janë dy, një paketë kripë dhe një vezë e vetme te Spar, secila nga 25 në 15 lekë. Për secilën, qytetari kursen 10 lekë.

Çmimet në platformë i deklarojnë vetë supermarketet. Dyqanet e lagjes dhe tregjet nuk përfshihen. Gati gjysma e produkteve të “KURSE” janë higjienë dhe pastrim, ndërsa fruta ka dy dhe perime një.

Megi Gashi nuk ka nevojë për platformë për ta ditur këtë. Familja e saj e përbërë nga pesë anëtarë, bashkëshorti Iliri dhe tre fëmijët me të cilët ka qenë pjesë e protestave të përditshme përballë Kryeministrisë që nga dita e parë. Çmimet e larta dhe pagat e ulëta janë ndër arsyet kryesore që i shtyjnë të protestojnë.

“Shpenzimet janë bërë të papërballueshme. Fëmijët në shkollë kanë shpenzimet e veta, ushqimet, pampersat. Çmimet çdo herë rriten, sa herë shkon në supermarket nuk është se i gjen me ulje, gjithmonë i ke çmimet më të larta”, thotë Megi.

Atë që thotë Megi e konfirmon edhe INSTAT. Sipas Anketës së Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare për vitin 2025, të publikuar më 6 tetor, një familje shqiptare shpenzon mesatarisht rreth 38 mijë lekë në muaj për ushqime dhe pije joalkoolike. Kjo është rreth 40% e gjithçkaje që shpenzon për konsum. Shpenzimet totale mujore të një familjeje për konsum arritën në rreth 95 mijë lekë.

Ushqimi nuk është shpenzim që bëhet një herë në muaj, paratë për këto shpenzime dalin nga buxheti i familjeve pothuajse çdo ditë.

Anketa nuk tregon vetë nëse familjet blejnë më shumë apo paguan më shumë për të njëjtat gjëra. Por çmimet vijojnë të rriten, sipas indeksit të harmonizuar të INSTAT-it, në korrik 2026 ushqimet në Shqipëri u shtrenjtuan 3,2% krahasuar me një vit më parë.

Kjo ndodhi ndërsa ushqimet e importuara po liroheshin. Sipas përllogaritjeve të “Monitor” mbi të dhënat e INSTAT-it, çmimi mesatar i importeve të ushqimeve ra 6,5% në shtatë muajt e parë të 2026. Ky tregues, vjen dhe për shkak të forcimit të lekut, por nga ana tjetër sugjeron se faktorët e rritjes po krijohen brenda vendit.

Në 2025, sipas të dhënave të Eurostat, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ishte 103,8  me mesataren e BE-së për 100. PBB për frymë, sipas fuqisë blerëse, është rreth 43% e asaj mesatareje.

Dy mjete që Shqipëria nuk i përdor

Taksimi mbi produktet dhe rregullimi i normës së fitimit janë dy mjete me të cilat qeveria mund të kontrollojë çmimin e asaj që qytetarët blejnë në rafte. Aktualisht, qeveria nuk e përdor asnjërin për të ulur çmimet e shportës.

E para është TVSH-ja. Buka, qumështi, vaji dhe mielli tatohen me normën standarde, 20%, ndërkohë që akomodimi turistik përfiton normë të reduktuar 6%.

Në rajon, ushqimet bazë tatohen me 10% në Serbi, 8% në Kosovë, 7% në Mal të Zi dhe 5% në Maqedoninë e Veriut. Në Bashkimin Europian, shumica e vendeve aplikojnë normë të reduktuar: Gjermania 7%, Franca 5,5%, Italia dhe Spanja 4% për ushqimet më bazë. Suedia e përgjysmoi TVSH-në mbi ushqimet në prill 2026, nga 12% në 6%.

Direktiva e BE-së ku Shqipëria synon të antarësohet, lejon deri në dy norma të reduktuara, madje edhe norma nën 5% për një listë të kufizuar produktesh bazë.

Faktori i dytë janë marzhet, ku fqinjët tanë kanë vendosur kufij mbi sa mund të fitojë tregtari nga produktet bazë.

Mali i Zi ka kufizuar marzhet në 5% për shitjen me shumicë dhe 7% për pakicën te mielli, sheqeri, vaji dhe kripa, një masë e shtyrë disa herë që nga 2024, së fundmi deri në mars 2026. Republika Srpska në Bosnjë aplikon kufij prej 6% dhe 8% për bukën, miellin, qumështin, kosin, vajin dhe kripën deri në fund të 2026. Maqedonia e Veriut ka kufizuar disa herë marzhet; masa e fundit përfshinte 73 produkte ushqimore bazë me marzh bruto deri në 10%.

Serbia është rasti më i afërt me “Pasqyrën”. Edhe ajo ka një portal që krahason çmimet, por raportimi është i detyrueshëm, me barkod dhe çmim për njësi. Portali erdhi bashkë me një dekret që kufizoi marzhet e tregtarëve të mëdhenj në 20%, nga shtatori 2025 deri në mars 2026, dhe me një ligj kundër praktikave të padrejta tregtare, miratuar në prill 2026.

Asnjë nga këto masa nuk ka kaluar pa kritika, e megjithatë shtetet kanë ndërhyrë në taksim, në kontrollin e marzhit ose në të dyja. Askund nuk janë mjaftuar vetëm me një pasqyrë.

Edhe Shqipëria e ka tentuar më parë këtë ndërhyrjen. Në mars 2022, në mes të protestave kundër rritjes së çmimeve, qeveria krijoi me akt normativ Bordin e Transparencës për produktet ushqimore bazë, me të drejtë të vendoste marzhin e fitimit. Bordi vendosi çmime tavan. Në shtator 2022, sheqeri nuk mund të shitej mbi 118 lekë kilogrami dhe mielli mbi 83 lekë.

Katër vjet më vonë, me qytetarë sërish në protestë poshtë Kryeministrisë, përgjigjja është një tabelë ku supermarketet deklarojnë vetë çmimet dhe një listë uljesh vullnetare. Shqipëria nuk ka sot një mekanizëm të gjerë aktiv për kufizimin e marzhit të fitimit dhe taksimit në ushqime. TVSH-ja mbi bukën mbetet 20%.

The post Fqijnët ulin taksimin dhe fitimet, Shqipëria hap një faqe interneti me oferta appeared first on Citizens.al.

Nga ferma në tavolinë, Shqipëria ende larg Evropës për sigurinë ushqimore

12 October 2026 at 14:31

Në kuzhinën e saj, Laura Rama, 67 vjeç, thotë se i “beson vetëm vetes”. Prej kohësh ajo përdor një pajisje të vogël që pretendon të tregojë nëse frutat dhe perimet që blen janë “të pastra” apo “me histori kimike”. Pajisja nuk ka bazë shkencore, por Laura preferon t’i besojë asaj, pasi thotë se besimin te institucionet e ka humbur prej vitesh.

“Gjithmonë jam kujdesur për ushqimin. Kam mbi 20 vjet që ushqimet i marr në Maqedoni dhe janë të sigurta,” thotë ajo, ndërsa shpjegon se prej kohësh zgjedh të blejë produkte jashtë Shqipërisë, sepse sipas saj aty ndihet më e sigurt për cilësinë dhe kontrollin ushqimor.

Ajo shprehet skeptike për cilësinë e produkteve në tregjet lokale, duke përmendur fruta dhe perime si patatet, panxharin apo pjeprin, të cilat sipas saj janë “skandal”.

Në një rast konkret, Laura tregon se ka përdorur metoda shtëpiake për të testuar dyshimet mbi pesticidet në patate. “I futa në sodë dhe uthull, i lashë gjithë natën dhe rezultati tregoi se kishte shumë mbetje. I hodha poshtë sepse ishin vetëm pesticid,” thotë ajo. “Ka humbur besimi në çdo gjë këtu te ne.”

Ashtu si pajisja, edhe ky test shtëpiak nuk mund të zbulojë mbetje pesticidesh. Soda dhe uthulla reagojnë me njëra-tjetrën, pavarësisht nga ajo që përmban perimja. Por fakti që qytetarët u drejtohen metodave të tilla tregon sa i thellë është mosbesimi te sistemi i kontrollit ushqimor.

Në tregjet që Laura shmang, qytetarë të tjerë raportojnë përvoja më të zakonshme, por jo më pak shqetësuese.

“Kam pasur disa herë ushqime të skaduara. I kthej në dyqan, por thjesht i zëvendësojnë,” thotë Stela Hoxha.

Ajo thotë se tashmë është “dorëzuar” dhe se minimumi që bën është kontrolli i datës së skadencës, ndërsa për mishin, bulmetin apo perimet ndjen se nuk ka asnjë mënyrë reale verifikimi.

“Nuk dimë çfarë hamë. Nuk kontrollojmë dot çdo gjë dhe bëhet stresuese,” thotë ajo.

Sipas një raporti të UNDP-së për konsumin në Shqipëri, qytetarët nuk i zgjedhin ushqimet vetëm nga çmimi apo shija, por edhe nga frika nëse janë të sigurta për shëndetin. Raporti tregon se mungesa e besimit te institucionet dhe te informacioni në etiketat e produkteve ndikon shumë në zgjedhjet që bëjnë konsumatorët. Në shumë raste, njerëzit ndryshojnë mënyrën e blerjes jo sepse janë më të informuar, por sepse duan të shmangin rreziqet që mendojnë se ekzistojnë në treg.

Teksa realiteti i konsumatorit është ky, qeveria flet për një realitet tjetër, atë të integrimit evropian, ku siguria ushqimore konsiderohet një nga shtyllat kryesore të negociatave.

Në muajt e fundit, qeveria shqiptare e ka vendosur sigurinë ushqimore në qendër të diskursit për integrimin evropian. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në disa raste se standardet e Bashkimit Evropian në këtë fushë janë “të panegociueshme” dhe se Shqipëria duhet të përafrojë plotësisht sistemin e kontrollit ushqimor me atë evropian.

Në deklarata publike, ai ka theksuar gjithashtu se produktet që nuk përmbushin standardet do të bllokohen, duke e paraqitur këtë si pjesë të reformës së madhe drejt anëtarësimit në BE.

Por pavarësisht retorikës politike dhe reformave të shpallura, siguria ushqimore vijon të mbetet ndër sfidat më të mëdha të qeverisë dhe ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve.

Në vitet e fundit, disa produkte shqiptare janë ndaluar ose kthyer nga tregjet evropiane për shkak të mbetjeve të pesticideve ose problemeve të tjera të sigurisë ushqimore. Raportime të ndryshme kanë evidentuar raste të frutave dhe perimeve të refuzuara në kufi dhe sinjalizime për tejkalim të normave të lejuara të substancave kimike.

Helmimet në Akademinë e Sigurisë

Debati mbi sigurinë ushqimore u rikthye së fundmi edhe pas dy incidenteve të njëpasnjëshme në Akademinë e Sigurisë në Sauk, ku dhjetëra kursantë u paraqitën me simptoma helmimi pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit.

Në më pak se dy muaj, 60 kursantë u helmuan. Shkaku i dyshuar ishte sërish ushqimi i kateringut, i cili vijoi të shërbehej edhe pas incidentit të parë, kur kompania u gjobit me 1.5 milionë lekë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) deklaroi se janë kryer kontrolle dhe analiza laboratorike, por se nuk është identifikuar një shkak i vetëm i qartë që ta lidhë incidentin me një produkt specifik.

Në një përgjigje zyrtare për Citizens.al, AKU tha se në rastet e helmimeve ushqimore procedurat përfshijnë marrjen e mostrave, analizat laboratorike dhe bashkëpunimin me Institutin e Shëndetit Publik, ndërsa masat administrative merren vetëm pas rezultateve të konfirmuara.

Institucioni konfirmoi se gjatë kontrolleve është identifikuar një produkt jokonform, “makarona të gatuara”, për të cilin janë marrë masa administrative dhe aktiviteti është pezulluar deri në përmbushjen e kushteve higjieno-sanitare. Pas analizave të mëtejshme, aktiviteti u rihap.

Por mungesa e një shkaku të vetëm dhe mungesa e transparencës së plotë mbi rezultatet e analizave ka lënë hapësirë për interpretime dhe për debat mbi kufijtë e gjurmueshmërisë në sistemin shqiptar të kontrollit ushqimor.

Zinxhiri nis në stalla dhe përfundon në tavolinë

Mungesa e sigurisë ushqimore nuk është vetëm një perceptim i konsumatorëve, si në rastin e Laurës, apo një rast i izoluar. Ekspertët dhe vetë institucionet pranojnë se problemi është strukturor dhe prek të gjithë zinxhirin ushqimor, nga fermat dhe stallat ku rriten kafshët, te raftet e supermarketeve.

Të dhënat e AKU-së, të siguruara nga Citizens.al, tregojnë se mbi 1 mijë ton produkte ushqimore janë bllokuar vetëm gjatë vitit 2025, ndërsa qindra biznese janë gjobitur për tregtim ushqimesh të pasigurta, mungesë higjiene dhe shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore.

AKU i tha Citizens.al se gjatë vitit 2023 janë vendosur 4,817 paralajmërime, 504 gjoba dhe 338 raste bllokimi produktesh. Në vitin 2024 janë regjistruar 3,510 paralajmërime dhe 294 gjoba, ndërsa gjatë vitit 2025 numri i bllokimeve të produkteve është rritur në 475 raste.

Në një përgjigje me shkrim për Citizens.al, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural argumenton se gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë reforma për forcimin e sistemit të sigurisë ushqimore. Sipas ministrisë, kontrollet tashmë bazohen në analizën e riskut, janë miratuar plane kombëtare monitorimi dhe po avancon një reformë për bashkimin e institucioneve kryesore të kontrollit ushqimor në një strukturë të vetme.

Ministria pranon gjithashtu se mungesa e një sistemi të integruar të shkëmbimit të informacionit mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit dhe thotë se po punohet për krijimin e një platforme të përbashkët ndërinstitucionale.

Të dhënat e siguruara nga Citizens.al tregojnë se gjatë viteve 2023–2025, AKU ka regjistruar 715 ankesa nga konsumatorët, nga të cilat 156 kanë sjellë masa administrative. Shkeljet më të zakonshme lidhen me kushtet higjieno-sanitare, mungesën e gjurmueshmërisë, moszbatimin e sistemit HACCP, etiketimin e parregullt dhe tregtimin e mishit pa dokumentacionin veterinar përkatës.

Edhe Qendra ALERT raporton se vetëm në pesë muajt e parë të vitit janë regjistruar 324 ankesa për sigurinë ushqimore. Eksperti Granit Sokolaj thotë se kjo është vetëm një pjesë e realitetit.

“Problemi është se shumica e rasteve nuk provohen dot. Pesticidet dhe ndotjet kimike nuk dokumentohen lehtë,” thotë ai.

Sipas tij, një problem edhe më i madh mbetet mungesa e komunikimit të riskut nga institucionet.

“Konsumatori nuk di çfarë është kontrolluar dhe çfarë jo. Edhe kur ka produkte të pasigurta, njoftimi vjen vonë,” shton ai.

Ndërkohë, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) deklaron se operon me 38 laboratorë dhe se një pjesë e analizave të specializuara vazhdojnë të kryhen jashtë vendit.

Sipas institucionit, rreth 1.88 milionë euro janë shpenzuar gjatë viteve 2022–2024 për analiza laboratorike në laboratorë partnerë, pasi ngritja e kapaciteteve të caktuara në vend nuk konsiderohet ekonomikisht e justifikuar. Megjithatë, ISUV nuk dha të dhëna konkrete mbi numrin e mostrave jokonforme për pesticide, mbetje kimike apo toksina gjatë viteve 2024–2025, duke ia referuar këtë informacion institucioneve që administrojnë programet e monitorimit.

Boshllëqet nisin që në fermë

Por në terren, sipas specialistëve, problemet nisin shumë më herët se raftet e marketeve.

Një burim pranë Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), i cili foli në kushte anonimiteti, përshkruan një zinxhir ushqimor me boshllëqe serioze që fillojnë që në fermë.

“Problemi nis që në burim. Kushtet në shumë stalla janë jashtë standardeve: ambiente të papastra, të amortizuara dhe pa kushte higjieno-sanitare, duke i ekspozuar kafshët ndaj sëmundjeve dhe parazitëve, si në dimër ashtu edhe në verë. Në disa raste, mungesa e ndërhyrjes në kohë çon edhe në ngordhje,” tha burimi për Citizens.al.

Ai ngre shqetësime edhe për transportin e qumështit dhe për mënyrën e marrjes së mostrave laboratorike. “Ka raste kur kontrolli bëhet formal, jo real,” thotë ai.

Sipas tij, vaksinimi i kafshëve mbetet një tjetër problematikë serioze.

“Shpesh nuk kryhet në kohën e duhur ose nuk realizohet fare, çka ul efektivitetin e trajtimeve mjekësore dhe rrit riskun për përhapjen e sëmundjeve,” shpjegon burimi.

Një nga shkeljet më të rënda, sipas tij, lidhet me rastet kur kafshët që rezultojnë me sëmundje infektive duhet të mbahen në karantinë deri në daljen negative të analizave, por megjithatë futen në treg për konsum.

Burimi ngre shqetësime edhe për mënyrën e transportimit të mostrave biologjike drejt laboratorëve.

“Mostrat duhet të transportohen në enë të posaçme, por në praktikë improvizohen me mjete të papërshtatshme,” thotë ai.

Sipas tij, mungesa e transparencës në kontrollet laboratorike mbetet gjithashtu problem.

“Në disa raste analizat e gjakut kryhen vetëm te kafshët që konsiderohen të shëndetshme, ndërsa fermat e dyshuara shmangen nga kontrollet e plota,” shton burimi.

Eksperti i mbrojtjes së konsumatorit Hasan Stafa thotë se pjesa më e madhe e problematikave lidhet me produktet me origjinë shtazore dhe mënyrën si tregtohen ato.

Sipas tij, ankesat më të shpeshta lidhen me qumësht të tregtuar në mënyrë informale, vezë të shitura pa kushte higjieno-sanitare, produkte mishi të ruajtura jashtë temperaturave frigoriferike dhe ushqime artizanale pa standarde kontrolli.

“Janë raste që rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e konsumatorëve,” thotë Stafa.

Kjo konfirmohet edhe nga një burim pranë AKU-së, i cili i tha Citizens.al në kushte anonimiteti se bulmeti mbetet produkti më problematik në treg.

“Nga vetë fakti që është produkt me risk të lartë prodhimi, bulmeti është më problematiku. Qumështi që del në treg ka shumë probleme, që nisin që tek ajo çfarë hanë kafshët në fermë, gjë që nuk e kemi plotësisht në kontroll,” tha burimi.

Stafa thekson se gjurmueshmëria funksionon më mirë në industrinë e përpunimit, por mbetet problematike në tregjet ambulante dhe në therjet jashtë kontrollit veterinar.

“Problemi më i madh është informaliteti dhe mungesa e koordinimit mes institucioneve,” shton ai.

Edhe burime pranë AKU-së nënvizojnë se informaliteti dhe korrupsioni në terren mbeten të larta.

Sipas Stafës, strukturat e AKU-së, të shëndetit publik dhe të mbrojtjes së konsumatorit nuk bashkëpunojnë në nivelin e duhur për monitorim të vazhdueshëm të tregut. Ai ngre shqetësime edhe për mënyrën si trajtohen ankesat e konsumatorëve dhe për mungesën e transparencës në treg, përfshirë produktet me etiketa në gjuhë të huaj dhe ofertat pa informacion të qartë mbi origjinën apo cilësinë.

Ndërkohë që qeveria premton standarde evropiane “të panegociueshme”, për konsumatorë si Laura dhe Stela zgjidhja mbetet individuale. Njëra i blen ushqimet përtej kufirit. Tjetra mjaftohet me kontrollin e datës së skadencës.

The post Nga ferma në tavolinë, Shqipëria ende larg Evropës për sigurinë ushqimore appeared first on Citizens.al.

Entuziazmi teatral i një projektligji

12 October 2026 at 13:32

Çfarë mund të bëjmë më shumë për gazetarët dhe aktivistët? Duket se Ministria e Drejtësisë e ka një përgjigje, deri diku interesante: çdo padi kundër tyre, mund të rrëzohet në fazë të hershme të procesit gjyqësor. Kjo me sa duket do të realizohet përmes projektligjit të sapo hartuar për të ashtuquajturat “Padi SLAPP” – paditë ku “të fuqishmit” kërcënojnë me padi, gjoja për të mbrojtur reputacionin e tyre, individë dhe organizata të angazhuar në pjesëmarrje publike. Pra, kemi të bëjmë gjithmonë me dy palë: individë me pushtet, korporata, grupe lobimi, politikanë dhe agjenci shtetërore përballë gazetarëve, blogerëve, aktivistëve, sinjalizuesve, si dhe të tjerë të përfshirë në debatin publik.

Projektligji nuk ka dalë ende në platformën publike ku diskutohen projektaktet, por javët e fundit janë kryer konsultime paraprake me disa organizata dhe grupe mbështetëse të lirisë së shprehjes. Duhet pranuar se nuk u tregua ndonjë interes i spikatur, veçanërisht nga gazetarët.

Projektligji u nxit nga Direktiva 2024/1069 (anti-SLAPP), e miratuar nga Parlamenti Evropian në fillim të 2024. Ajo duhet zbatuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian brenda dy viteve. Në këtë kontekst, Shqipëria, si vend kandidat (në vigjilje të pranimit), është në kohë. Një tjetër dokument ligjor (orientues) për mbrojtjen e pjesëmarrjes publike është Rekomandimi CM/Rec(2024)2 i Këshillit të Evropës dhe, së bashku, synojnë mbrojtjen e personave fizikë dhe juridikë që veprojnë në favor të çështjeve me interes publik, kundër padive dhe procedurave gjyqësore të iniciuara ndaj tyre, për të penguar veprimin në fjalë.

Pra, fjala është për padi, të cilat në projektligj konsiderohen “haptazi të pabazuara” dhe konkretisht (Pika 3/neni 9) kërkon që gjykata të rrëzojë padinë, nëse vlerëson se ajo është haptazi e pabazuar. Po çfarë ndodh nëse nuk janë haptazi të tilla, a nuk duhen rrëzuar edhe ato? Në fakt, abuzimi fillon me titullin e projektligjit (“Për masat procedurale dhe mbrojtjen e personave…nga paditë haptazi të pabazuara…”). Këtu theksi bie te karakteri i padisë, jo te abuzimi me të drejtat gjatë procesit. Edhe sot, në Kodin e Procedurës Civile (KPC) ekziston një kontekst pranimi me ligj i padive të pabazuara (Neni 34), të cilat, kur vërtetohen, rrëzohen. Mirëpo pabazueshmëria është rezultat i konstatimit të veprimeve abuzive, të cilat rëndojnë, jo padinë, as paditësin, por procesin.

Megjithatë, edhe nëse kërkesa për rrëzimin e hershëm të padisë pranohet, vendimi është i ankimueshëm në shkallët e tjera të gjykimit (Neni 10). Pa dyshim që për paditësin kjo është një mundësi e artë për ta mbajtur dhe për ta zvarritur gazetarin brenda shqyrtimit gjyqësor me vite.

Pak më tej (Neni 12) parashikohet edhe gjobitja e paditësit, në masën 50,000 lekë deri në 300,000 lekë, në rast pranimi të kërkesës së hershme mbi pabazueshmërinë e padisë. Por paditësit janë persona me pushtet të madh politik dhe financiar, kështu që gjobat e caktuara, shpesh, janë të pandjeshme për ta. Vlera e gjobave është e barabartë me vlerën e një fature restoranti të një dreke pune, e cila përbën një grimcë në xhepin e rënduar të pushtetarëve.

Duhet kuptuar se anti-SLAPP nuk e përjashton gazetarin, aktivistin etj. nga përgjegjësia, por krijon mundësi për ta rrëzuar padinë në fazë të hershme, ende pa u çelur hetimi gjyqësor. Sipas projektligjit, për shqyrtimin e kërkesave (Neni 5) gjykata vendos brenda 60 ditëve nga paraqitja e tyre. Vihet re se kjo dispozitë përmbush nenin 7 të Direktivës, e cila u kërkon shteteve përshpejtimin e kërkesave për rrëzim të padive abuzive. A nuk janë shumë 60 ditë, veçanërisht në punën e një gazetari? Këtu nuk është rasti që të bëj një përllogaritje të angazhimit të një gazetari (hulumtues) për grumbullimin, verifikimin, klasifikimin, interpretimin, analizimin e përditshëm të informacionit, por mund të pohoj me siguri se 60 ditë, janë të mjaftueshme që paditësi të shpërqendrojë suksesshëm gazetarët e paditur nga çështjet me interes publik. A mundej të përshpejtohej ankimimi gjyqësor në të gjitha shkallët e gjykimit, brenda të njëjtit afat? Kjo po, do të ishte një mbrojtje efektive.

Në vitin 2017 dhe 2023 ndaj meje janë ngritur dy padi, gjerësisht të vlerësuara si SLAPP, respektivisht, nga një kompani ndërtimi (pjesë e një grupi të gjerë investimesh) dhe tjetra, nga e vetmja kompani përpunimi të integruar të mbetjeve urbane në vend, turnover-i i të cilave arrinte në qindra milionë euro secila. Problemi nuk qëndronte vetëm  te pabazueshmëria, por edhe me kostot gjyqësore që u përballa në SLAPP.

Mbrojtja e pjesëmarrjes publike në projektligj shtrihet edhe në garancitë për mbulimin e shpenzimeve gjyqësore, në mënyrë që procedurat e gjata dhe presioni financiar të mos intimidojnë dhe të heshtin zërat kritikë në shoqëri. Por sërish barra e arsyetimit bie mbi gazetarin apo aktivistin (Neni 8/pika 2). Kërkesa e të paditurit për caktimin e një garancie financiare për mbulimin e shpenzimeve gjyqësore, për shkak të pamundësisë financiare dhe mungesës së të ardhurave për të përballuar shpenzimet gjyqësore është, në thelb, një barrë prove. Ajo çka nis me mbrojtje, përfundon me caktimin e një barre, madje, kur nuk është e mjaftueshme, mund të paraqitet një kërkesë e re – një barrë e re. Për më tepër, nuk është e qartë se çfarë dhe se sa garanci duhet të kërkojë i padituri. Sepse nëse paditësi nuk bie dakord me garancinë dhe ankohet në apel, kjo mund të zgjasë pa fund. Por nëse duam të ruajmë avantazhin që na jep një kërkesë e hershme, cili është kuptimi i ankimit në të gjitha nivelet, aq më tepër që në Shqipëri këto procese zgjasin me vite?!

Akoma, drafti anti-SLAPP zhgënjen edhe aty ku nuk pritej. Ku? Unë do të thoja te aleati i tij më i fortë: organizatat e Shoqërisë Civile, së paku të njohura si të tilla. Duke qenë se organizatat janë, shpesh, objekt i padive SLAPP, roli i tyre në projektligj supozohej të ishte i drejtpërdrejtë dhe i pakushtëzuar, kjo edhe për shkak të interesit të tyre të ligjshëm për të mbrojtur individët apo organizatat që angazhoheshin në pjesëmarrjen publike.

Ndërkohë vetë Direktiva (Direktiva 2024/1069) e dikton rolin mbështetës të organizatave, ndërsa Rekomandimi (CM/Rec(2024)2) shkon më thellë, duke sugjeruar ofrimin e ndihmës ligjore falas, por edhe mbështetje financiare dhe psikologjike për viktimat e SLAPP-it.

Projektligji nuk njeh asgjë nga këto të fundit, madje le të kuptohet (Neni 7/pika 1) se gjykatat edhe mund ta refuzojnë ofertën e shoqatave për mbrojtjen e të paditurve, por, cinikisht, mund të pranojnë (Pika 2) të lexojnë mendimin e tyre, të ardhur me shkrim. Nëse një shoqate i jepej e drejta për t’u shprehur me shkrim, lidhur me çështjen në shqyrtim, ç’vlerë do të kishte leximi i saj në sallë, për aq kohë sa shoqata nuk do të gëzonte as cilësinë e palës?!

Dispozita pështjellohet edhe më shumë për shkak të kontradiktave që lindin mes pikave 1 dhe 2 me parashikimet e pikës 3, e cila, kjo e fundit, i referohet pjesëmarrjes së personave të tretë në procesin civil. Duket një rrethanë vërtet lehtësuese, pasi me persona të tretë nënkuptojmë edhe “ndërhyrësit dytësorë”, të cilët, sipas KPC, paraqiten në gjykatë me vullnetin e tyre për të mbështetur një palë të caktuar. A nuk do ta bënte më të fortë pozicionin e të paditurit kjo rrethanë? – Po! Por vetëm, nëse pika 3 nuk do të përbënte rast përjashtimor në çështjet procedurale, sepse projektligji zbaton rregullat e KPC, për aq sa në të nuk parashikohet ndryshe (Neni 2/pika 4), çka nënkupton se zbatueshmëria e pikës 3, në ndryshim nga pikat 1 dhe 2, mbetet në thelb plotësuese, e kufizuar në veprim vetëm për çështje procedurale të parregulluara në këtë projektligj. Rrjedhimisht, duke konsideruar se në aspektin procedural, pikat 1 dhe 2, përbëjnë rregull të përgjithshëm, favorizimi i këtyre të fundit, kundrejt pikës 3, e shndërron dispozitën në fjalë në një instrument të dobët për një mbrojtje efektive.

Avantazhi i dispozitave anti-SLAPP qëndron në mundësinë për të rrëzuar padinë në fazë të hershme, një rrethanë e ngjashme me kërkesat paraprake në KPC. Sidoqoftë, kjo mundësi duhet vlerësuar në më shumë se një situatë. Bie fjala, në rast se gjykata e refuzon kërkesën e të paditurit për rrëzimin e një padie haptazi të pabazuar, a nuk do të parashtrojë, i padituri, le të themi gazetari, të njëjtat argumente edhe gjatë shqyrtimit të çështjes në themel? Por, a nuk foli gjyqtari (Neni 9)? Si  mundet që i njëjti të vazhdojë procesin?! Çfarë garancie ka gazetari në vijim të procesit, se e ashtuquajtura “padi haptazi abuzive” nuk do të pranohet?

Pra, sa të suksesshme mund të jenë dispozitat në fjalë? Nuk dua të përgjigjem në mënyrë shkurajuese, pasi vazhdoj të jem optimist mbi dobinë e pjesëmarrjes publike dhe mbrojtjes që ajo, realisht, meriton. Duket se hartimi i një drafti të posaçëm rrezikon të krijojë përplasje normash ligjore dhe mbivendosje ndaj njëra-tjetrës, si dhe jo garanci absolute. Vetë Direktiva nuk propozon, specifikisht, hartimin e një ligji të posaçëm, por u kërkon shteteve anëtare marrjen e masave për adresimin e kërcënimeve ndaj pjesëmarrjes publike.

Atëherë, le të ngremë një pyetje! A mund të përfshihet kjo dyzinë dispozitash brenda dispozitave të KPC? Kështu, “paaftësia për të zgjedhur gjykatën e duhur”, “sjelljet kërcënuese të paditësit”, “paditë e shumta nga i njëjti subjekt”, apo “joproporcionaliteti i padisë”, janë rrethana të cilat mund të trajtohen (siç vijojnë të trajtohen edhe sot) suksesshëm brenda krerëve të KPC.

Përfshirja e dispozitave kyçe anti-SLAPP brenda Titullit “Gjykimet e Posaçme” të KPC, mund të ishte një zgjidhje më e pranueshme. Në këtë rast, edhe shqetësimi për mungesën e objektivitetit në gjykim do të binte, pasi gjyqtari do të shprehej në fund të procesit. Kësisoj, paketa anti-SLAPP do të harmonizohej natyrshëm me mekanizmat e Kodit (KPC). Edhe sot, asgjë nuk e pengon të paditurin për të bërë një kërkesë që në fazë të hershme. Bie fjala, i padituri mund ta nisë mbrojtjen duke thënë: Kjo është një padi abuzive… dhe gjyqtari, bazuar në nenin 34 të KPC, pasi të konstatonte zvarritje, keqdashje, apo procedura gjyqësore abuzive nga ana e paditësit, mund ta gjobiste këtë të fundit, por vetëm në fund të procesit, çka do të shmangte dyshimin legjitim mbi anësinë e gjyqtarit.

Itinerari i mëtejshëm i konsultimit nuk dihet. Ndonëse fjala është për masa procedurale, apo për rrëzimin e padive haptazi të pabazuara, qysh në fazë të hershme të gjykimit, gjyqtarët nuk janë përfshirë ende në konsultime. Çështja është se për ministrinë ky nuk është problem – është zgjidhje.

Platforma e dialogut, një platformë bashkëpunimi mes gazetarëve, komunitetit mediatik dhe përfaqësuesve të qeverisë, pati privilegjin të njihej me projektligjin, por numri i gazetarëve pjesëmarrës ishte pranë zeros. Vetë Platforma e ka humbur autoritetin për të folur në emër të tyre qysh në janar, kur qeveria e shpërfilli, duke imponuar draftin e saj të dekriminalizimit të shpifjes, i kritikuar masivisht nga komuniteti mediatik si jo i mjaftueshëm. Ajo është ngushtuar në një platformë projekti me ekspertë të Këshillit të Evropës, duke e humbur sovranitetin, për shkak të mospjesëmarrjes në të të gazetarëve.

Autoriteti mund të kërkojë mbylljen e draftimit të projektligjit dhe të përdorë Platformën për t’i veshur procesit një kostum evropian. Por këtu qëndron problemi. Çështja nuk është dakordësia, e cila gabimisht perceptohet gjithmonë si konsensus, por është kundërshtia mes palëve që prodhon progres. Ministria mund të ketë shpresuar se një draft për mbrojtjen e gazetarëve, përfshirë edhe aktivistët, do të merrte duartrokitje publike. Përtej kësaj, unë vazhdoj të besoj se pikëtakimi mes gazetarisë dhe aktivizmit nuk është një pikëtakim harmonik, veçanërisht në shqyrtimet gjyqësore, ku liria e shprehjes dhe aksesi në gjykatë mund të përplasen me njëra-tjetrën.

Ligji dhe zbatimi i tij nuk duhet t’i dorëzohet teatralitetit që buron dhe ushqehet prej aktivizmit politik, përndryshe, në një tjetër rrethanë jo të largët, politizimi i rregullatorëve  mund të rezultojë njësoj i kërcënueshëm me kërcënimin nga paditë SLAPP.

The post Entuziazmi teatral i një projektligji appeared first on Citizens.al.

Pasqyra e Flamingos dështon në testin “BESA”

9 October 2026 at 18:36

Vijim i artikullit: “Dosjet e KKT-së” zbulojnë kush e zotëron bregdetin shqiptar“

Në seksionin e pyetjeve dhe përgjigjeve të “Pasqyrës së Flamingos”, qeveria shkruan se makineritë në Zvërnec ishin vendosur “si rezultat i një veprimi të paautorizuar nga ana e investitorëve” dhe se investitorët “i hoqën menjëherë nga zona”. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i tha Citizens.al më 11 gusht se rrethimi i pronës “ishte hequr vullnetarisht nga subjekti”. Për këtë arsye, sipas IKMT-së, “nuk mund të vijohej me procedurat e mëtejshme ligjore të inspektimit”. Më 9 tetor, koordinatorja e platformës dhe këshilltare e Kryeministrit, Jonida Shehu, na shkroi se ekziston një praktikë “për rrethimin, kantierin dhe shkeljet e lejes”, e cila “pret skadimin e afateve të ankimit”.

Tre burime zyrtare, tre versione të ndryshme për të njëjtën ngjarje. Në Pasqyrë nuk ka asnjë dokument për këtë praktikë.

Më 27 korrik, në fund të hulumtimit “Dosjet e KKT-së”, i shtruam “BESËS” së Kryeministrit disa pyetje. Kush vendos çfarë është “e publikueshme”? A do të ndalet makineria e lejeve gjatë “testit të besimit”? Më 3 tetor u hap Pasqyra. E lexuam të gjithën dhe e krahasuam me përgjigjet që kemi marrë nga institucionet. Ja çfarë gjetëm.

Kush vendos çfarë publikohet?

Më 12 gusht, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) iu përgjigj ankesës sonë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Procesverbalet e mbledhjeve të KKTU-së për Zvërnecin, shkruante AZHT-ja, “nuk përbëjnë akte administrative”. Për këtë arsye, ky informacion na u mohua.

Më 3 tetor, të njëjtat procesverbale u bënë publike në Pasqyrë.

Koordinatorët e Pasqyrës thonë se ato u publikuan sipas kriterit të “interesit të lartë publik”. Më 12 gusht, kur protestat masive kishin mbushur 74 ditë, ky interes nuk u gjykua mjaftueshëm i lartë që AZHT-ja të na i vinte materialet në dispozicion.

Por interesi i lartë publik u ndal te procesverbalet. Sot, në ditën e 132-të të protestës, vendimet e KKTU-së nuk janë në platformë, sepse AZHT-ja nuk ka arritur ende t’i “zbardhë”. Mungon edhe projekti. Më 3 tetor, Kryeministri tha se dosja nuk ka projektin, “sepse projekti ende nuk ka ardhur”. Por AZHT-ja na kishte shkruar në gusht se “projektin arkitektonik dhe hartat e planvendosjes së strukturave” mund t’i japë “vetëm pas zbardhjes së vendimit”. Pra projekti është në AZHT. Thjesht nuk jepet.

Nga 42 dokumentet e Pasqyrës, katër janë vetëm tituj: projekti arkitektonik, VNM-ja e thelluar, deklarata mjedisore dhe studimi mjedisor. Pikërisht dokumentet për të cilat protestohet që nga 30 maji. Nga 38 dokumentet e tjera, gjashtë janë publikuar nga dy herë, me tituj të ndryshëm.

Çfarë tregojnë procesverbalet?

Procesverbalet e publikuara zbulojnë atë që u diskutua në katër mbledhje të Këshillit Kombëtar të Territorit për Zvërnecin, nga tetori 2024 deri në prill 2026. Dy të parat u kryesuan nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, dy të mëvonshmet nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu. Të katërta u mbajtën me drejtoreshën e AZHT-së, Adelajda Roka, në rolin e sekretares. Nga materialet, duket se diskutimi zgjat aq pak sa përmblidhet në një-dy paragrafë. Të katërta herët, Këshilli debaton kërkesat e investitorit, por nuk refuzon. Vetëm miraton “me kusht”.

Më 4 tetor 2024, ministrja e atëhershme e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u thotë investitorëve: “Në lagunë nuk duhet të ndërtohet asgjë” dhe “Referuar materialit nuk jemi të qartë se ku do të ndërtohet dhe ku jo”. Leja e zhvillimit “miratohet sipas kushteve dhe udhëzimeve”. Platforma shkruan se propozimi i 25 shtatorit 2024 “nuk u miratua në formën e paraqitur”. Nuk shkruan se nëntë ditë më vonë u miratua.

Më 28 janar 2025, KKT-ja miraton lejen e ndërtimit për tre blloqe banimi. Më 27 mars 2025, investitori e tërheq aplikimin. Këtë na e tregoi AZHT-ja, jo platforma. Pasqyra publikon miratimin, por jo tërheqjen.

Më 30 mars 2026, vetëm dy muaj para protestës së parë, sekretariati konstaton në aplikimin e ri “zgjerim i liqenit dhe ndërtim brënda liqenit” dhe “lidhje me lagunën dhe marinë”. Leja e mëparshme shfuqizohet “për moslikujdim brënda afatit”. Leja e re e zhvillimit miratohet pesë ditë pasi është depozituar aplikimi. Në listën e miratimeve, platforma e daton këtë vendim më 30 qershor 2026.

Leja për “punimet e rrethimit” vjen më 29 prill 2026. Miratohet një ditë pas aplikimit, me kushtin “vetëm rehabilitim” për rrugë-kalime që do të shërbenin për studimet mjedisore. Pas kësaj, inspektorët e IKMT-së gjetën në terren “një gardh rrethimi”, “punime sistemimi të territorit” dhe “ndërtimin e dy rrugëve të aksesit brenda pronës”. Më 10 qershor, AZHT-ja pranon se dokumenti i lejes “nuk është lëshuar”.

Pasqyra s’ka ende asnjë përgjigje për pyetjet e qytetarëve

Gjatë lançimit të platformës, Kryeministri tha se pyetjet “janë produkt i hulumtimit me inteligjencë artificiale” dhe “nuk janë pyetje të përzgjedhura”. Në platformë janë 27 pyetje. Sipas të dhënave të vetë sistemit, ato u ngarkuan nga vetë platforma më 16 shtator, brenda gjysmë minute, më shumë se dy javë para hapjes. Kur platforma u hap, të gjitha kishin përgjigje.

Ne dërguam dy pyetje, më 4 dhe 5 tetor. Asnjëra nuk shfaqet ende në platformë. Koordinatorja e platformës na tha se pyetjet do të publikohen “periodikisht dhe të grupuara”, dhe se përgjigje do të marrin ato “që kërkojnë përgjigje të re”.

Asnjë nga 27 përgjigjet nuk ka autor apo institucion përgjegjës. Shumë pyetje mungojnë, dhe 13 nga ato që janë publikuar nuk lidhen me asnjë dokument. Pikërisht ato për të cilat ka më shumë debat.

Pyetjes “A ka aktualisht leje ndërtimi për projektin në Sazan ose në Zvërnec?” platforma i përgjigjet me një rresht: “Jo. Nuk ka sot leje ndërtimi për projektet.” Përgjigjja nuk thotë që një leje ndërtimi u miratua në janar 2025 dhe u tërhoq nga investitori dy muaj më vonë. Nuk thotë as që lejet e marsit dhe të prillit 2026 janë miratuar, por nuk janë zbardhur.

Te pyetja “Çfarë është miratuar deri tani”, historia e Zvërnecit nis në vitin 2026. Mungojnë leja e zhvillimit e tetorit 2024 dhe leja e ndërtimit e janarit 2025. Leja e zhvillimit e 30 marsit 2026 shënohet gabimisht me datën 30 qershor.

Pyetjes “Çfarë do të analizojë Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis?” platforma i përgjigjet thatë, me një fjali: “habitatet, ujërat, toka, klima, peizazhi, komuniteti, dhe ndikimet”. Në një përgjigje tjetër pranon atë që protestuesit kanë thënë prej muajsh: ekspertët që hartojnë VNM-në “nuk janë ‘ekspertë të pavarur’”, sepse paguhen nga investitori.

Po aq domethënëse janë emrat dhe pyetjet që mungojnë. Në 27 përgjigjet, emri i kompanisë që zhvillon Zvërnecin, “Zvërnec South Adriatic Development”, nuk përmendet asnjëherë. Nuk ka asnjë pyetje për pronarët e tokës në Zvërnec, as për shitjet e aksioneve të kompanive. Fjala “protestë” nuk përmendet në asnjë nga 27 përgjigjet.

“Pasqyra e Sazanit”

Urdhri i Kryeministrit nr. 6, i 10 janarit 2025, i ngarkon AIDA-s “hartimin e administrimin e të gjitha procesverbaleve” të negociatave për Sazanin. Në Pasqyrë nuk është publikuar asnjë procesverbal. Ka vetëm një tabelë një-faqëshe që rendit datat dhe temat e dhjetë mbledhjeve. Sipas platformës, për Sazanin “nuk ka asnjë marrëveshje/kontratë përfundimtare”.

Ajo që publikohet nuk përputhet me përgjigjet e platformës. Platforma thotë se shteti vë në dispozicion “më pak se 10% e pronës”. Vendimi nr. 23 i Komitetit të Investimeve Strategjike parashikon kalimin e pronave shtetërore të ishullit “në pronësi të Korporatës Shqiptare së Investimeve”, me përjashtim të strukturave ushtarake, monumenteve të natyrës dhe stacioneve të plazhit. Platforma thotë edhe se shteti “nuk qëndron në pozitën e një lehtësuesi që subvencionon projektin”. Në dhjetor 2024, kostot e pastrimit piroteknik të ishullit “do të mbulohen nga investitori”. Në dhjetor 2025, “do të mbulohen nga vetë ministria”.

Për ligjin e zonave të mbrojtura, platforma shkruan se “interesi formal për investimin në Sazan u paraqit në prill 2024, pra pas miratimit të ligjit”. Dokumentet tregojnë një kronologji tjetër. Më 13 dhjetor 2023, Komisioni parlamentar i Mjedisit nisi shqyrtimin e ndryshimeve në ligj. Dy javë më vonë, më 27 dhjetor 2023, “Atlantic Incubator Partners LLC” i paraqiti AIDA-s shprehjen e interesit për Sazanin. Këtë na e konfirmoi vetë AIDA në prill 2024. Më 19 shkurt 2024, Komisioni miratoi tekstin përfundimtar të ligjit. Tri ditë më vonë, më 22 shkurt, e votoi Kuvendi.

Pikërisht në atë tekst shfaqet klauzola që i hap rrugë projektit. Ajo lejon në zonat e mbrojtura struktura akomoduese “5 yje ose më shumë pavarësisht nëse kjo përcaktohet në VKM-në e shpalljes së zonës së mbrojtur”. Kjo klauzolë nuk ekzistonte as në projektligjin e deputetëve, as në letrën e kryetarëve të bashkive që platforma e paraqet si nismën e ndryshimeve. U shfaq 54 ditë pasi investitori kishte trokitur në derën e AIDA-s. Të tre dokumentet janë publikuar në vetë Pasqyrën.

A u mbajtën katër zotimet e “BESËS”?

Katër zotimet që i kërkuam “BESËS” më 27 korrik nuk kërkonin asgjë të re, veç se transparencës mbi dokumente që ekzistojnë dhe që institucionet na i kishin refuzuar. Gjashtë ditë pas hapjes së Pasqyrës, asnjëri nuk është përmbushur plotësisht.

  1. Vendimet e KKTU-së për Vjosë-Nartën: pjesërisht. Kemi procesverbalet, jo vendimet.
  2. Leja e 30 marsit dhe vendimi i 29 prillit: pjesërisht. Aktet nuk janë zbardhur. Platforma gabon edhe datën e njërit.
  3. Procesverbalet e negociatave për Sazanin: e pambajtur. Ka vetëm një faqe përmbledhëse.
  4. Përgjigje për kërkesat e refuzuara për informacion: pjesërisht. Procesverbalet u publikuan. Vendimet dhe projekti jo.

Nisma “BESA” mbyllej me fjalinë: “Të dyja janë fitore, sepse të dyja janë të vërteta.” Pasqyra na tregoi një të vërtetë të tretë: qeveria publikon vetëm atë që zgjedh vetë.

Lexo edhe:

Dokumentet e quajtura “Sazan” zbulojnë “masterplanin e fshehtë” të Zvërnecit

Premtimet boshe të Ramës për transparencë

Dita Ndërkombëtare e së Drejtës për Informim…

The post Pasqyra e Flamingos dështon në testin “BESA” appeared first on Citizens.al.

Jared Kushner flet për projektin e Zvërnecit 

9 October 2026 at 18:34

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ka publikuar më 8 tetor një përgjigje ndaj revistës amerikane The New Yorker, ku kundërshton raportimet për interesat e tij të biznesit dhe projektin turistik të planifikuar në Zvërnec të Vlorës.

Kushner thotë se partneriteti i tij e bleu tokën nga një palë private për 230 milionë euro, një çmim që e përshkruan ndër më të lartët në rajon për një transaksion të kësaj përmase. Ai pretendon se dokumentacioni i pronësisë u shqyrtua nga këshilltarët ligjorë dhe u verifikua.

Ai e vlerëson projektin si një investim që mund të arrijë rreth 4 miliardë euro dhe të krijojë vende pune e aktivitet ekonomik. Por dokumentet e analizuara dhe të raportuara më parë nga Citizens.al ngrenë pyetje mbi transaksionet e tokës, strukturën e kompanive që zotërojnë asetet dhe kontrollojnë zhvillimin, si dhe transparencën e pronësisë. Ndërkohë, The New Yorker e vendos projektin në kontekstin e marrëdhënies së Kushnerit me kryeministrin Edi Rama dhe interesave të tij private. Sakaq, SPAK-u ka nisur hetimet për transaksionet e tokës dhe çështjet që lidhen me përfitimin e titujve të pronësisë.

Investimet në Shqipëri 

Në reagimin e tij, Kushner thotë se interesi për Shqipërinë nisi në verën e vitit 2021, kur ishte “qytetar privat”, pra Trump nuk ishte më president. Ai argumenton se projekti nuk u krijua për t’i bërë favore politike Donald Trumpit, pasi interesi i tij nisi shumë përpara se Trump të shpallte kandidimin për zgjedhjet e 2024-s.

Megjithatë, raportimi i Citizens.al i publikuar më 16 janar 2025, dokumenton një kronologji konkrete të zhvillimit të projektit. Në fund të korrikut 2023, kryeministri Edi Rama shoqëroi Jared Kushnerin, Ivanka Trump dhe ish-ambasadorin amerikan Richard Grenell gjatë një vizite në Tiranë.

Pesë muaj më vonë, më 27 dhjetor 2023, përmes kompanisë Atlantic Incubator Partners, Kushner i paraqiti qeverisë shqiptare një propozim për zhvillimin e dy projekteve turistike, në Sazan dhe Zvërnec. Në mars 2024, ai e bëri publik planin në një intervistë për Bloomberg. Ndërsa më 30 dhjetor 2024, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha projektit në Sazan statusin e investitorit strategjik për dhjetë vjet. Kjo kronologji tregon se, pavarësisht se kur nisi interesimi personal i Kushnerit për Shqipërinë, projekti ishte kthyer në një propozim konkret drejtuar qeverisë shqiptare që në dhjetor 2023, ndërsa më pas përfitoi status dhe lehtësi të parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike.

Në artikullin e publikuar më 21 shtator, The New Yorker e vendos projektin në kontekstin e marrëdhënies së Kushnerit me Ramën dhe të interesave të tij private. Revista shkruan se Rama e shihte projektin si një mundësi për të sjellë një zhvillim të veçantë turistik në Shqipëri, ndërsa kritikat publike u përqendruan te mungesa e transparencës dhe te vendimet që mundësuan ndërhyrjen në zonën e mbrojtur.

Nga ana tjetër, një artikull i Citizens.al, publikuar më 8 qershor, dokumenton se grupi i biznesmenëve nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, ka marrë kontroll më të drejtpërdrejtë mbi kompanitë që zotërojnë asetet dhe zhvillojnë projektet në Zvërnec dhe Sazan.

Dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se, më 7 maj 2026, aksionet e Universal Properties Projects B.V., pronarit zyrtar të kompanisë zhvilluese Zvërnec South Adriatic Development, kaluan te Sazan Development Holding, me seli në Doha të Katarit dhe pjesë e grupit Al-Khayyat. Sipas Citizens.al, transaksioni u krye për 306 mijë euro.

Ndërkohë, në nëntor 2025, Albania Land Development, kompania që sipas investigimit zotëron rreth 120 hektarë troje dhe marrëveshje me persona që pretendojnë pronësi mbi toka në Zvërnec, kaloi te Sazan Operations Holding për 10 mijë euro.

Të dhënat tregojnë një strukturë ku i njëjti grup biznesi po merr kontroll si mbi kompaninë që disponon asetet dhe marrëveshjet e pronësisë, ashtu edhe mbi kompaninë që do të zhvillojë resortin.

Më tej, Kushner shkruan se “familja Kastrati, një familje e njohur biznesi shqiptare me rrënjë të thella dhe krenari të madhe për vendin e tyre”, ishte ajo që fillimisht i solli në vëmendje mundësinë për të investuar në tokën në Zvërnec.

Emri i Kastratit u shfaq më vonë në projektin e Sazanit. Projekti fillimisht u bë publik si investim i Kushnerit, por pas nisjes së protestave raportimet treguan se pas projektit fshihej një grup sipërmarrësish me të shkuar të dyshimtë, mes tyre edhe Kastrati, një nga investitorët me përfitimet më të mëdha publike në Shqipëri.

Kushner përmend edhe Ramez dhe Moutaz Al-Khayyat, me të cilët thotë se u takua për herë të parë në Doha gjatë Kupës së Botës 2022. Ai shprehet se u impresionua nga historia dhe përvoja e tyre në ndërtim, duke përshkruar largimin e tyre nga Siria dhe rindërtimin e bizneseve në Katar. Sipas tij, përvoja e tyre në zhvillimin e Dohas i bëri partnerë të përshtatshëm për projektin shqiptar.

Për rolin e vet, Kushner thotë se është “partner në pakicë” dhe se nuk merret me menaxhimin e përditshëm. Ai ia atribuon këtë përgjegjësi Asher Abehserës, të cilin e përshkruan si partner biznesi dhe CEO të projektit gjatë katër viteve të fundit. Kushner thotë se kontributi i tij personal është përqendruar kryesisht te vizioni, dizajni dhe përzgjedhja e partnerëve.

Hetimi i SPAK-ut dhe pyetjet në Holandë

Ndërsa Kushner e paraqet blerjen si një transaksion privat, çështja e pronësisë së tokës në Zvërnec është objekt i hetimeve paraprake të SPAK-ut. Dokumentet gjyqësore të raportuara më parë tregojnë se transaksionet e lidhura me tokën kanë arritur në rreth 211 milionë euro. Hetimi lidhet me dyshime për parregullsi në përfitimin dhe kalimin e titujve të pronësisë, si dhe me mënyrën si janë kryer transaksionet.

Mbi 128 milionë euro nga kontratat e shitjes së tokës u sekuestruan me vendim gjykate. Autoritetet po shqyrtojnë transaksionet e tokës dhe dyshimet për parregullsi; hetimi paraprak nuk përbën përfundim mbi fajësinë e personave apo kompanive të përfshira.

Çështja ka kaluar edhe përtej Shqipërisë. Siç raportoi Citizens.al më 9 korrik, deputetët holandezë Luc Stultiens dhe Julian Bushoff, nga partia PRO, i drejtuan pyetje parlamentare ministrit të Financave dhe sekretarit të shtetit për financat, duke kërkuar shpjegime mbi rolin e kompanive holandeze në projekt dhe mundësinë që strukturat e pronësisë të përdoren për të fshehur pronarët përfitues.

Aeroporti dhe zona e mbrojtur

Kushner kundërshton gjithashtu pretendimin se zyrtarët shqiptarë miratuan Aeroportin e Vlorës me kërkesën e tij. “Aeroporti ishte miratuar tashmë kur unë e pashë projektin për herë të parë”, shkruan ai, duke shtuar se infrastruktura aeroportuale ishte një nga faktorët që e tërhoqën drejt investimit dhe ndikuan në vizionin e tij për zhvillimin e rajonit.

Megjithatë, Aeroporti i Vlorës ka qenë prej vitesh objekt debatesh për mënyrën e dhënies së koncesionit dhe ndikimin e tij mjedisor. Qeveria ia dha projektin me koncesion 35-vjeçar në dhjetor 2019, ndërsa punimet nisën në nëntor 2021, pranë lagunës së Nartës, një zonë e mbrojtur me rëndësi për biodiversitetin dhe shpendët migratorë. Organizatat mjedisore kanë kundërshtuar projektin për ndikimin e mundshëm mbi ekosistemin, ndërsa gjatë procedurës së koncesionit janë ngritur edhe pretendime për favorizime.

Në korrik 2025, Citizens.al raportoi se SPAK kishte regjistruar një procedim penal për kontratën koncesionare të aeroportit, i cili ndodhej në fazën e hetimeve paraprake. Ky hetim lidhet me kontratën e aeroportit dhe nuk përbën, në vetvete, provë për ndonjë lidhje të paligjshme mes tij dhe investimit të Kushnerit. Megjithatë, aeroporti është pjesë e kontekstit më të gjerë të zhvillimeve turistike të planifikuara në këtë zonë të bregdetit, ku përfshihen edhe projektet në Zvërnec dhe Sazan.

Kushner deklaron se projekti në Zvërnec do t’u nënshtrohet kërkesave rregullatore dhe mjedisore të Shqipërisë dhe se synon ta bëjë zonën më të gjelbër e më të pasur në biodiversitet. “Nëse miratohet, shpresoj të krijojmë diçka për të cilën shqiptarët do të ndihen krenarë dhe që familjet nga Shqipëria dhe nga e gjithë bota do ta shijojnë për breza me radhë”, përfundon ai.

Ndërkohë, pyetjet mbi historikun e pronësisë së tokës, transaksionet nën hetim dhe strukturën e kompanive që kontrollojnë projektin mbeten për t’u sqaruar nga dokumentet dhe autoritetet kompetente.

The post Jared Kushner flet për projektin e Zvërnecit  appeared first on Citizens.al.

“S’duam HEC-e, duam ujë”: Vukli në protestë, kompania: “Banorët s’kanë nevojë të informohen”

9 October 2026 at 18:31

Shiu binte pa ndërprerje në Vukël të Malësisë së Madhe, por kjo nuk i ndali banorët të mblidheshin të enjten, më 8 tetor, për të protestuar kundër ndërhyrjeve në lumin Cem. Në një zonë ku uji lidhet ngushtë me jetën, nga vaditja e tokave te peizazhi që rrethon fshatin, frika se lumi mund të ndryshojë përgjithmonë i nxori njerëzit nga shtëpitë.

“S’duam HEC-e, duam ujë!”, thërrisnin banorët, ndërsa kërkonin që punimet të ndalen dhe institucionet t’u japin shpjegime për atë që po ndodh në lumin e tyre.

Banorët e Vuklit në protestë kundër HEC-eve në lumin Cem.

Në shtratin e lumit janë shfaqur makineri, të cilat, sipas banorëve, kanë nisur ndërhyrjet për ndërtimin e pritave. Ata thonë se fillimisht kishin dijeni për tre hidrocentrale, përkatësisht Kozhnjë 1, Kozhnjë 2 dhe Tamara, por së fundmi dëgjuan se në zonë po ndërtohet edhe një i katërt, punimet e të cilit kanë nisur tanimë në terren.

Përtej numrit të veprave që parashikohen, shqetësimi i tyre është se projektet po ecin përpara pa një proces të qartë informimi dhe konsultimi me komunitetin.

“Përveç kësaj masakre natyrore, këtu po bëhet edhe masakër me shtëpitë tona, me tokat tona, me banesat tona. Asnjë konsultim nuk është bërë me banorët, as me komunitetin. Thjesht kanë ardhur këtu dhe kanë thënë që do të vazhdojnë punimet”, thotë Niko Gjelaj, një prej banorëve nismëtarë të protestës.

Për të, ajo që po ndodh nuk është thjesht një ndërhyrje në lumë, por një kërcënim për të gjithë zonën.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për një HEC që do të ndërtohet këtu, bëhet fjalë për një zinxhir që do të shkojë nga këtu deri në Tamarë. S’do të ketë më troftë, s’do të ketë më Cem, s’do të ketë më banorë, s’do të ketë më ujë. Nuk jemi mbledhur vetëm nga zemërimi, por nga dashuria që kemi për vendin tonë, për lumin”, u shpreh ai para bashkëfshatarëve të tjerë.

Për banorët, lumi Cem nuk është vetëm një element i peizazhit malor. Uji i tij lidhet drejtpërdrejt me tokat bujqësore dhe mundësinë për të vazhduar jetën në fshat.

“Këtu bëhet një HEC që nuk është në shërbim të zonës, as të kurrkujt, përveç një personi, ku do të marrin ujin tonë. Lagjet këtu nuk do të kenë as ujë për të vaditur, asnjë lloj gjëje, kur uji të hyjë në tuba”, thotë Gëzim Gjelaj, një tjetër banor i Vuklit.

Makineritë dhe nisja e punimeve në shtratin e lumit Cem të Vuklit
Makineritë dhe nisja e punimeve në shtratin e lumit Cem të Vuklit

Sipas tij, hidrocentrali nuk do të jetë në shërbim të komunitetit, ndërsa ndërhyrjet do të dëmtojnë natyrën e zonës. Shqetësimi nuk lidhet vetëm me mungesën e ujit. Banorët druhen se punimet dhe ndryshimet në rrjedhën e lumit mund të shtojnë rrezikun e përmbytjeve, duke dëmtuar tokat dhe banesat.

“Këtu përmbyten shtëpitë, ashtu siç është përmbytur edhe toka tjetër aty”, thotë Mark Gjelaj, i cili kërkon që dokumentacioni i projektit të bëhet publik përpara se të vazhdojnë punimet.

Edhe Prende Gjelaj e sheh ndërhyrjen si një kërcënim të drejtpërdrejtë për banesat dhe pronat e komunitetit.

“Këtu është vendi ynë, këtu është toka jonë. Ne na mbyt tokën, na mbyt shtëpinë, na mbyt gjithçka”, thotë ajo. Për Prenden, problemi është se banorët nuk dinë se kush po ndërhyn në zonë dhe çfarë pasojash mund të kenë projektet për jetën e tyre.

“Këta nuk dinë më gjatë, vetëm vijnë për interesat e tyre, për të bërë çfarë u intereson atyre. Se çfarë bëhet me ne nuk mendojnë aspak”, shton ajo.

Cemi buron në lartësitë alpine të Kelmendit. Në Tamarë, Cemi i Vuklit bashkohet me atë të Selcës dhe së bashku rrjedhin drejt Malit të Zi.

Komunitetet, të fundit që e marrin vesh

Mungesa e informacionit është një nga shqetësimet kryesore të ngritura gjatë protestës. Banorët thonë se nuk kanë marrë shpjegime të qarta për numrin e hidrocentraleve, shtrirjen e punimeve dhe ndikimin që mund të kenë ato në ujë, tokë e banesa.

Besjana Guri, nga Qendra LUMI, thotë se kjo mënyrë veprimi nuk është e pazakontë në projektet që prekin burimet natyrore: vendimmarrja bëhet larg komuniteteve, ndërsa njerëzit mësojnë për të vetëm kur shohin makineritë në terren.

“Kontratat, planet bëhen nëpër zyra dhe komunitetet që preken janë të fundit që e marrin vesh. Vetëm kur shohin makineritë, ose nga gojëdhënat, dhe asnjëherë nuk kanë informacion konkret”, thotë Guri.

Sipas saj, në zonë mungon edhe një tabelë informuese që të tregojë se çfarë po ndërtohet, ndërsa banorët nuk kanë pasur një dëgjesë publike të mirëfilltë ku të njihen me projektin dhe të shprehin shqetësimet e tyre.

“As çfarë do të bëhet, as nuk kanë një tabelë informacioni, as nuk kanë një dëgjesë të mirëfilltë”, thekson Guri.

Shqetësimit për ujin dhe banesat i shtohet edhe ai për ndikimin mjedisor. Guri thotë se zona ku janë shfaqur makineritë ndodhet brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, status që e bën të domosdoshëm verifikimin e përputhshmërisë së ndërhyrjeve me rregullat e zonës së mbrojtur.

Nga protesta e zhvilluar më 8 tetor 2026 në Vukël të Malësisë së Madhe
Nga protesta e zhvilluar më 8 tetor 2026 në Vukël të Malësisë së Madhe

“Këtu ku jemi sot, jemi në Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë. Park Kombëtar, ligjërisht do të thotë mbrojtja më e lartë që mund të ketë një zonë e mbrojtur”, thotë Besjana Guri.

Sipas Gurit, prania e makinerive në lumë ngre pikëpyetje për lejueshmërinë e punimeve dhe për mënyrën se si po zbatohet legjislacioni për mbrojtjen e natyrës.

“Në qoftë se brenda një parku kombëtar shohim makineritë në lumë, nuk e di se çfarë mund të mendojmë për një zonë që nuk është e mbrojtur ligjërisht”, shprehet ajo, duke shtuar se, sipas vlerësimit të saj, në këtë zonë nuk mund të ndërtohet digë.

Dokumentet që Citizens.al disponon për hidrocentralet në Vukël tregojnë se përdorimi i ujit për prodhim energjie është autorizuar edhe më herët. Një leje e Këshillit të Basenit Ujëmbledhës Drin-Bunë, e datës 10 qershor 2013, i është dhënë shoqërisë “VVTS Energji” sh.p.k. për hidrocentralin “Vuklit”, në përroin e Dershës. Dokumenti parashikon shfrytëzimin e një prurjeje prej 1.2 metra kub ujë në sekondë dhe përcakton se leja është e vlefshme deri më 9 qershor 2043.

Në këtë leje, përdorimi i ujit për prodhim energjie kushtëzohet shprehimisht me faktin që të mos kufizohen furnizimi me ujë të pijshëm dhe nevojat e bujqësisë në zonë.

Një autorizim i posaçëm i datës 6 prill 2010, për hidrocentralin “Vukel”, i është dhënë shoqërisë “WTS Energji” sh.p.k. për përdorimin e ujit të lumit Cem të Vuklit. Dokumenti parashikon shfrytëzimin e katër metrave kub ujë në sekondë dhe përcakton se autorizimi është i vlefshëm deri më 5 prill 2040, gjithashtu me kushtin që të mos kufizohen furnizimi me ujë të pijshëm dhe nevojat e bujqësisë.

Citizens.al kontaktoi një përfaqësues të kompanisë “WTS Energji”. Sipas tij, hidrocentrali “Vukel” është një HEC i vogël, i ndërtuar në kohën e Partisë së Punës, të cilin kompania e ka blerë nga shteti shqiptar rreth vitit 2003, përmes privatizimit.

“E kam me licencë gjithçka. Kam blerë të drejtën me përdor ujin”, tha ai, duke shtuar se kompania ka blerë edhe godinën dhe digën dhe se synimi tani është ta riparojë hidrocentralin e ta vërë sërish në punë.

I pyetur pse banorët nuk janë informuar për punimet, përfaqësuesi i kompanisë u përgjigj se nuk ka nevojë që ata të kenë informacion, pasi lumi është pronë e shtetit. Ai refuzoi të jepte detaje të tjera dhe e mbylli bisedën me fyerje dhe një ton të ashpër.

Makineritë dhe nisja e punimeve në shtratin e lumit Cem të Vuklit
Makineritë dhe nisja e punimeve në shtratin e lumit Cem të Vuklit

Një fshat që po tkurret

Nga protesta e zhvilluar më 8 tetor 2026 në Vukël të Malësisë së Madhe

Nga protesta e zhvilluar më 8 tetor 2026 në Vukël të Malësisë së Madhe

Përtej dëmit të mundshëm mjedisor, banorët e lidhin të ardhmen e hidrocentraleve me një problem që Kelmendi e njeh prej vitesh: largimin e popullsisë. Ata druhen se humbja e aksesit në ujë dhe dëmtimi i tokave do ta bëjnë edhe më të vështirë qëndrimin në zonë.

“Njësia Kelmend në vitin 2000 kishte 5 mijë banorë. Aktualisht ka 1.400 banorë. Po shpopullohet vendi, po ikin të gjithë, për arsye se kur të merr ujin, të merr çdo gjë. Kur të merr tokën, të merr çdo gjë”, thotë Martin Markvukaj.

Ai e lidh këtë largim jo vetëm me mungesën e shërbimeve, por edhe me vështirësinë për të siguruar kushtet bazë të jetesës në një zonë ku bujqësia dhe burimet natyrore janë të rëndësishme për komunitetin.

“Kur nuk ke shërbime shëndetësore, qendra shëndetësore e të gjitha, domethënë që ti detyrohesh të emigrosh”, shton Markvukaj.

Për banorët e mbledhur në shi, protesta nuk ishte vetëm kundërshtim ndaj makinerive që kanë hyrë në lumë. Ishte edhe një kërkesë që vendimet për territorin ku jetojnë të mos merren pa dijeninë e tyre dhe pa u shpjeguar pasojat që mund të sjellin.

Lexo gjithashtu:

Tre hidrocentrale i marrin shtratin lumit të Cemit në Malësi të Madhe

The post “S’duam HEC-e, duam ujë”: Vukli në protestë, kompania: “Banorët s’kanë nevojë të informohen” appeared first on Citizens.al.

“Zero çështje nuk do të thotë zero raste”: gjykatat nuk gjejnë dot vendimet mbi personat LGBTI+

9 October 2026 at 16:29

Çështja e dy nënave kaloi në tri shkallë gjykimi. Kur u pyetën zyrtarisht, asnjëra nga tri gjykatat nuk e gjeti.

“Zero raste nuk do të thotë zero çështje.” Me këtë fjali e përmblodhi avokatja për të drejtat e njeriut Dea Nini gjetjen kryesore të një studimi të ri, të prezantuar sot në Tiranë. Studimi tregon se gjykatat shqiptare nuk arrijnë të identifikojnë çështjet që lidhen me të drejtat e personave LGBTI+, edhe kur i kanë gjykuar vetë.

Shembulli më i qartë është çështja e dy nënave që kërkonin të regjistroheshin me të drejta të barabarta amësie për fëmijët e tyre. Çështja kaloi në tri shkallë gjykimi dhe përfundoi me vendim të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë në korrik 2024. Kur gjykatat u pyetën zyrtarisht për raste të tilla, asnjëra prej tyre nuk e identifikoi.

Studimi “Mes njohjes dhe padukshmërisë ligjore” është hartuar nga Sanela Lilaj dhe Dea Nini dhe është publikuar në shtator 2026 nga Aleanca kundër Diskriminimit LGBT. Ai analizon 45 vendime institucionale për çështje që lidhen me orientimin seksual, identitetin dhe shprehjen gjinore, si dhe karakteristikat e seksit. Prej tyre, 39, ose 86,7%, janë vendime të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD). Vetëm pesë janë vendime gjyqësore dhe një është vendim i prokurorisë.

Sipas autoreve, kjo nuk do të thotë se gjykatat trajtojnë më pak raste. KMD-ja i publikon vendimet dhe i ndan sipas shkakut të diskriminimit. Gjykatat nuk kanë asnjë mënyrë për t’i gjetur.

Aleanca u kërkoi gjykatave të dhëna për periudhën nga janari 2020 deri në shkurt 2026, në bazë të ligjit për të drejtën e informimit. Shumica u përgjigjën se nuk kishin asnjë rast. Disa shpjeguan arsyen.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u përgjigj se nuk ka motor kërkimi me fjalë kyçe. Sipas saj, gjetja e rasteve “do të kërkonte leximin dhe analizimin e çdo vendimi gjyqësor”, çka për gjykatën është “objektivisht e pamundur”. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës u përgjigj se sistemi ICMIS nuk gjeneron të dhëna sipas “statusit LGBTI+ të palëve”.

Me fjalë të tjera, kërkesën e lexoi si pyetje për identitetin e njerëzve dhe jo për natyrën e çështjes. Gjykata e Lartë sqaroi se kërkimi bëhet vetëm me numër çështjeje, numër vendimi ose emër palësh, por se synon ta përmirësojë sistemin.

Nini shpjegoi se problemi nis që në momentin kur çështja hyn në gjykatë. Ajo solli si shembull një rast që përfaqëson vetë: një person transgjinor që kërkon njohjen ligjore të gjinisë dhe ndryshimin e emrit. Në regjistrin e gjykatës, kjo çështje figuron thjesht si kërkesë për korrigjimin e pasaktësisë në aktin e lindjes, pa asnjë tregues që lidhet me identitetin gjinor.

Autoret e quajnë këtë paradoks: “i njëjti proces që e bën pretendimin të dëgjueshëm nga e drejta mund ta bëjë njëkohësisht të padukshme çështjen për sistemin”.

Vetëm 12 nga 43 vendime sollën një zgjidhje

Për analizën e arsyetimit, autoret përdorën 43 nga 45 aktet. Dy aktet e tjera u mbajtën si material krahasues. Nga 43 aktet, vetëm 22 arritën të shqyrtoheshin në themel. Vetëm 12, ose 27,9%, sollën një zgjidhje juridike, qoftë për personin e prekur, qoftë si masë për të parandaluar përsëritjen.

Një nga pengesat kryesore ishin procedurat. Në 17 nga 43 aktet u identifikuan probleme që lidhen me mënyrën e paraqitjes së ankesave, dorëzimin e provave apo kompetencat e institucioneve. Këto pengesa mund të bëjnë që një ankesë të mbyllet pa u shqyrtuar nëse ka pasur vërtet diskriminim.

Për shembull, në shtator 2025, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Aleanca paraqitën një ankesë ndaj disa figurave politike. Ankesa u nda në shtatë çështje të veçanta, por disa prej tyre u mbyllën pa u shqyrtuar plotësisht. Arsyeja ishte se organizatat kishin dërguar linket e deklaratave që denonconin, por jo provat në formën e kërkuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Autoret theksojnë se rregullat procedurale janë të domosdoshme, por paralajmërojnë për efektin e tyre: “Një çështje që shqyrtohet dhe rrëzohet në themel nuk është e njëjtë me një çështje në të cilën pyetja materiale nuk shtrohet fare.” Në statistikat zyrtare, të dyja numërohen njësoj.

Studimi gjen gjithashtu se vendimet citojnë shpesh Konventën Evropiane dhe Gjykatën e Strasburgut. Këto citohen në 24 nga 42 aktet që mund të vlerësoheshin, por vetëm në gjysmën e tyre zbatohen realisht mbi faktet e çështjes.

Rasti i volejbollistes Nayara Ferreira

Vetëm një vendim nga i gjithë korpusi i përdor standardet ndërkombëtare në atë mënyrë që, sipas autoreve, ndryshon vetë mënyrën si shtrohet problemi juridik. Është vendimi i KMD-së për volejbollisten braziliane Nayara Ferreira.

Ferreira luante për ekipin e femrave të Dinamos. Në vitin 2025 Federata Shqiptare e Volejbollit i kërkoi t’i nënshtrohej një procedure verifikimi që të vazhdonte të luante në kategorinë e femrave. Rasti shkaktoi reagime publike dhe Ferreira u largua nga Shqipëria.

KMD-ja e nisi procedurën me iniciativën e vet. Më 25 qershor 2026 konstatoi se Federata e kishte diskriminuar sportisten për shkak të gjinisë dhe të karakteristikave të seksit. Bëhej fjalë për diskriminim ndërsektorial, pra që vepronte njëkohësisht mbi disa shkaqe. Komisioneri iu referua vendimit të Gjykatës së Strasburgut në çështjen Semenya kundër Zvicrës. Ai nuk u ndal te pyetja nëse Ferreira i plotësonte kushtet për të luajtur, por shqyrtoi nëse vetë procedura e verifikimit ishte diskriminuese. Federatës iu kërkua të hartojë, brenda një afati të caktuar, një procedurë të qartë dhe jodiskriminuese për raste të ngjashme.

Gjatë prezantimit, Komisionerja Genta Tafa Bungo bëri të ditur se KMD-ja i ka vendosur Federatës edhe një masë administrative gjobë. Federata e ka ankimuar vendimin në gjykatë. Megjithatë, KMD-ja vijon të kërkojë zbatimin e saj, për sa kohë gjykata nuk e ka pezulluar.

“Pavarësisht se pala shkon në gjykatë, për aq kohë sa gjykata nuk është shprehur për sigurim padie, ne vazhdojmë të kërkojmë ekzekutimin”, tha Komisionerja.

Lexo më shumë:

The post “Zero çështje nuk do të thotë zero raste”: gjykatat nuk gjejnë dot vendimet mbi personat LGBTI+ appeared first on Citizens.al.

“Një krim pa emër në Kodin Penal”

9 October 2026 at 15:39

Publikimi i videove intime të disa grave të njohura në Shqipëri është pasuar nga shpërndarja masive e materialeve në rrjetet sociale dhe në faqe pornografike, duke nxitur komente fyese dhe stigmatizim ndaj grave të ekspozuara. Në vend që vëmendja të përqendrohej te cenimi i privatësisë dhe mungesa e pëlqimit, një pjesë e debatit publik është zhvendosur te identiteti dhe jeta intime e tyre. Turpi, si shpesh në raste të tilla, është zhvendosur nga ata që filmuan dhe shpërndanë, te ato që u filmuan.

Në qendër të çështjes është kompozitori Adrian Hila, në ambientet e të cilit janë regjistruar pamjet. Disa prej grave të përfshira kanë deklaruar se nuk kishin dijeni se po filmoheshin.

Aktorja Monika Lubonja i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për gjykim ndaj Hilës për veprat penale “Fyerja” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”. Për këto vepra, procedimi nis vetëm me kërkesë të viktimës, e cila duhet ta provojë vetë akuzën. Këngëtarja Eli Fara, e cila shfaqet gjithashtu në pamje, deklaroi në polici se nuk e dinte që kishte kamera, por denoncoi vetëm personin që i bëri publike pamjet, jo Hilën.

Policia e ka proceduar Hilën në gjendje të lirë për “Ndërhyrje të padrejtë në jetën private”, pasi kamerën e kishte vendosur vetë ai. Paralelisht hetohen vepra që lidhen me përgjimin e paligjshëm dhe ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike. Hila ka mohuar të ketë shpërndarë videot, duke pretenduar se sistemi i kamerave është hakeruar dhe se kamerat i kishte instaluar për t’u mbrojtur nga vjedhjet.

Rasti përmban, pra, dy pyetje që shpesh ngatërrohen: kush i regjistroi pamjet dhe me çfarë pëlqimi, dhe kush i shpërndau ato. Ligjërisht, janë vepra të ndryshme, që mund të kenë autorë të ndryshëm.

Përtej përgjegjësive individuale, të cilat mbeten për t’u përcaktuar nga drejtësia, rasti ngre një pyetje më të gjerë. Sa i plotë është legjislacioni shqiptar për të mbrojtur personat nga regjistrimi dhe shpërndarja pa pëlqim e materialeve intime?

Çfarë parashikon aktualisht ligji shqiptar?

Avokatja për të drejtat e njeriut, Dea Nini, shpjegon se neni 121 i Kodit Penal, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, e mbulon pikërisht regjistrimin pa pëlqim të aspekteve të jetës private. Regjistrimi i pamjeve të dikujt pa pëlqimin e tij dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Kur materialet e siguruara në këtë mënyrë shpërndahen apo publikohen, dënimi mund të shkojë deri në tre vjet burg.

Në letër, mbrojtja ekziston por në praktikë pak raste arrijnë të gjykohen. Sipas të dhënave të prokurorisë, në vitet 2021-2023 u regjistruan 42 procedime për ndërhyrje të padrejtë në jetën private, por vetëm 2 prej tyre u dërguan në gjykatë.

Sipas Ninit, problemi nuk është vetëm te zbatimi.

“Në opinionin tim, pasoja kryesore është fragmentimi i mbrojtjes ligjore dhe mungesa e sigurisë juridike”, shprehet Nini.

Neni 121 e lidh shpërndarjen me materialet e siguruara përmes ndërhyrjes në jetën private. Por çfarë ndodh kur një grua e ka realizuar vetë një fotografi intime apo ka pranuar të filmohet dhe ia ka dërguar materialin dikujt të cilit i besonte, ndërsa ky më pas e publikon pa pëlqimin e saj?

Kjo situatë, ndoshta më e zakonshmja, nuk parashikohet shprehimisht. Pëlqimi për t’u filmuar nuk është pëlqim për t’u shpërndarë, por ligji nuk e bën këtë dallim. Po kështu, sipas Ninit, dispozita nuk mbulon në mënyrë të posaçme kërcënimin për publikimin e materialeve intime, një mjet i zakonshëm shantazhi, apo krijimin dhe manipulimin e imazheve intime me inteligjencë artificiale për personat madhorë.

Problemi është evidentuar edhe më herët. Në një raport të DCAF të vitit 2025 mbi abuzimin seksual përmes imazheve online në Ballkanin Perëndimor, juristja Megi Reçi arrin në përfundimin se Kodi Penal shqiptar nuk ka një vepër të posaçme për këtë fenomen dhe se, në të gjithë rajonin, barra për të nisur procesin bie kryesisht mbi viktimat, gjë që çon në mosraportim për shkak të stigmës.

Ndërkohë, Shqipëria ka bërë një hap jashtë Kodit Penal. Ligji nr. 11/2026 “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje” njeh si dhunë të lehtësuar nga teknologjia prodhimin, manipulimin, përfshirë me inteligjencë artificiale, shpërndarjen dhe kërcënimin për shpërndarje të materialeve intime pa pëlqim. Ai parashikon që gjykata t’u urdhërojë platformave heqjen e përmbajtjes brenda 24 orëve dhe që, kur platformat nuk reagojnë, AKEP të lëshojë urdhër administrativ për heqjen ose bllokimin, me gjoba deri në 500 mijë lekë për çdo ditë vonesë.

Por, siç thekson Nini, ky ligj nuk është penal dhe nuk parashikon dënime për autorët. Ai mund ta heqë videon nga interneti; nuk mund ta dënojë atë që e hodhi atje.

Vende të tjera kanë zgjedhur një qasje më të drejtpërdrejtë. Italia, përmes nenit 612-ter të Kodit Penal, dënon me 1 deri në 6 vjet burg shpërndarjen pa pëlqim të imazheve apo videove seksualisht eksplicite që ishin destinuar të mbeteshin private, dhe që nga 2025 ka një vepër të veçantë për materialet e manipuluara me inteligjencë artificiale. Mali i Zi, në vitin 2023, miratoi një vepër të posaçme penale që përfshin jo vetëm shpërndarjen, por edhe krijimin ose ndryshimin e materialeve intime pa pëlqim. Kroacia e ka këtë vepër që nga 2021.

Për Shqipërinë, kjo nuk është vetëm çështje krahasimi. Si vend kandidat për në BE, ajo do të duhet të përafrohet me Direktivën 2024/1385 për luftën kundër dhunës ndaj grave, e cila kërkon kriminalizimin e shpërndarjes pa pëlqim të materialit intim ose të manipuluar. Ligji nr. 11/2026 e përafron këtë direktivë vetëm pjesërisht.

Për Ninin, zgjidhja është një dispozitë e posaçme në Kodin Penal që të përfshijë qartë regjistrimin pa pëlqim, shpërndarjen e materialit intim pavarësisht nëse ai është krijuar fillimisht me apo pa pëlqim, kërcënimin për shpërndarje, si dhe materialet e manipuluara ose të falsifikuara.

Rasti i fundit tregon se ligji shqiptar ka jo pak probleme. Shqipëria ka dispozita penale që mund të mbrojnë viktimat në disa situata, por që rrallë arrijnë në gjykatë; ka një ligj të ri që mund t’i heqë materialet nga interneti, por që nuk i dënon autorët; dhe ende nuk ka një vepër penale të posaçme që ta trajtojë abuzimin seksual përmes imazhit si fenomen të plotë. Në këtë rrethanë mbrojtja e viktimave mbetet objekt i guximit dhe vullnetit të tyre për të shkuar vetë në gjykatë.

Lexo më shumë:

The post “Një krim pa emër në Kodin Penal” appeared first on Citizens.al.

Harta e re kalon me 85 vota, PS injoron zërat kundër dhe protestat

9 October 2026 at 15:01

Pas rreth 15 orësh debat dhe një dite me zhvillime politike e protesta jashtë Kuvendit, reforma territoriale u miratua në orët e para të 9 tetorit, me 85 vota pro dhe 34 kundër. Për miratimin e saj nevojiteshin 84 vota.

Me këtë votim, Shqipëria nis një ndarje të re administrativo-territoriale. Reforma e propozuar nga Partia Socialiste parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 bashkive dhe bashkimit të tyre me njësi më të mëdha vendore.

Ndryshimi vjen më shumë se një dekadë pas reformës së vitit 2014, e cila e reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 373 në 61 bashki. Mazhoranca e argumenton riorganizimin me nevojën për bashki me më shumë kapacitete financiare dhe administrative, administrim më efikas të territorit dhe përmirësim të shërbimeve publike. Por reforma është kundërshtuar nga banorë të bashkive që preken prej saj, të cilët kanë protestuar nga frika se bashkimi mund t’i largojë shërbimet dhe institucionet vendore nga qytetarët.

Gjatë seancës plenare, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se reforma synon që 46 bashkitë e reja të ofrojnë shërbime më të mira dhe të marrin kompetenca që, sipas tij, disa prej bashkive aktuale nuk i ushtrojnë plotësisht.

“Ne i garantojmë qytetarëve të 46 bashkive të reja për shërbime më të mira publike”, deklaroi Balla, duke shtuar se reforma është ndërtuar për qytetarin dhe jo për kryetarët e bashkive.

Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u shpreh se edhe 46 bashki janë shumë dhe se në të ardhmen vendi mund të ketë një numër edhe më të vogël bashkish.

“Për mendimin tim, edhe 46 bashki janë shumë. Ne do të duhet të kemi një numër më të vogël bashkish duke ruajtur standardin e bashkive minoritare, që na bën krenar si shtet”, tha Manja.

Por propozimi i mazhorancës është kundërshtuar si nga opozita, ashtu edhe nga banorët e bashkive që humbin statusin e tyre.

Për banorët, bashkimi me qendra më të mëdha rrezikon t’i largojë institucionet dhe shërbimet nga qytetarët, duke e bërë më të vështirë aksesin në to. Në protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit, ata kanë ngritur edhe shqetësimin për dobësimin e përfaqësimit lokal, të identitetit dhe të mundësive për zhvillimin e qyteteve të tyre.

Kundërshtimi është shprehur në disa prej bashkive që preken nga harta e re. Banorë të Divjakës, Klosit, Belshit, Selenicës, Fushë-Arrëzit dhe bashkive të tjera kanë protestuar kundër shkrirjes së tyre. Vetëm më 5 tetor, banorë nga disa prej këtyre zonave u mblodhën para Kryesisë së Kuvendit, me pankarta si “Fushë-Arrëzi nuk dorëzohet”, “Mos e prekni Selenicën” dhe “Identiteti ynë nuk negociohet”.

Ndërkohë, kundërshtime pati edhe brenda vetë Partisë Socialiste. Siç ishte raportuar më parë, deputetët Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe shprehën rezerva ndaj hartës së re në mbledhjen e grupit parlamentar. Sinaj më pas ndryshoi qëndrim dhe mbështeti propozimin, ndërsa Braçe vijoi ta kundërshtojë reformën.

Gjatë seancës së 8 tetorit, Braçe e argumentoi kundërshtimin e tij duke iu referuar mënyrës se si po ndryshohet harta territoriale.

“Në territor janë bërë eksperimente… Edhe kjo hartë që me gjasë do ndryshojë do marrë fuqi nga 2031, këto mësova sot paradite. Qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga vota, por nga parimet. Parimet janë shkelur”, u shpreh Braçe. Fjalimi i tij u ndërpre pasi iu mbyll mikrofoni për shkak të tejkalimit të minutazhit.

Më pas, në një intervistë, Braçe konfirmoi se kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, e kishte kërcënuar me përjashtim nga grupi parlamentar nëse nuk do të votonte pro reformës territoriale.

“Ai tha: nëse ti voton kundër, je jashtë këtij grupi parlamentar”, deklaroi Braçe.

Pavarësisht kërcënimit, Braçe u shpreh i bindur se reforma nuk duhej të miratohej dhe se do të votonte kundër.

Por në fund, Braçe votoi pro. E njëjta gjë ndodhi me deputeten Elisa Spiropali, e cila në fjalën e saj në seancë kritikoi ashpër mënyrën si drejtohej grupi socialist, por votoi gjithashtu pro.

Teatrit politik i erdhi fundi në orët e para të mëngjesit, kur reforma u miratua me 85 vota pro. Në favor të saj votuan 82 deputetët e Partisë Socialiste, përfshirë Braçen dhe Spiropalin, si dhe tre deputetët e Partisë Socialdemokrate (PSD), të kryesuar nga Tom Doshi.

Pa tre votat e PSD-së, reforma nuk do të kishte arritur pragun e 84 votave.

Pas votimit, Rama shkroi në rrjetet sociale se votimi u kishte treguar të gjithë atyre që e kishin të nevojshme se nuk duhet të bëjnë kurrë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste.

Dy protesta paralele për të njëjtën çështje

Teksa në Kuvend reforma territoriale u diskutua për më shumë se 15 orë, qytetarët protestuan pa ndërprerje para dyerve të Parlamentit, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në mesnatë. Qindra qytetarë, aktivistë dhe banorë të bashkive të prekura nga harta e re u mblodhën për të kundërshtuar shkrirjen e njësive të tyre vendore.

Protesta vijoi pavarësisht shiut të rrëmbyeshëm dhe të ftohtit, ndërsa deputetët brenda Kuvendit diskutonin projektligjin që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Për banorët e bashkive të prekura, kundërshtimi lidhet me frikën se bashkimi me qendra më të mëdha do t’i largojë institucionet dhe shërbimet publike nga qytetarët.

Gjatë protestës, situata u tensionua kur policia përdori spraj ndaj protestuesve, duke bërë që disa prej tyre të transportoheshin me ambulancë drejt spitalit.

Protesta e qytetarëve u zhvillua paralelisht me një tjetër tubim të thirrur nga Partia Demokratike, duke bërë që përballë Parlamentit të zhvilloheshin dy protesta të veçuara, të lidhura me të njëjtin zhvillim politik.

Kjo ngre pikëpyetje për raportin mes opozitës politike dhe protestës qytetare: pse Partia Demokratike zgjodhi të organizonte një protestë më vete, në vend që t’i bashkohej protestës së qytetarëve, pavarësisht se protestuesit e Revolucionit Flamingo janë shprehur se nuk duan të bashkohen me asnjë parti politike.

Ky qëndrim është konkretizuar gjatë 131 ditëve me parullën “Rama në burg, Berisha në burg”, pasi qytetarët kanë kërkuar ndryshim të sistemit politik dhe jo thjesht rrotacion, duke i konsideruar të dyja partitë e mëdha, PS-në dhe PD-në, përgjegjëse për problemet e vendit.

Edhe brenda Parlamentit, reforma u miratua pa konsensusin e opozitës. Drafti ishte miratuar më herët në Komisionin e Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita kishte bojkotuar shqyrtimin e tij.

Gjatë seancës, Taulant Balla i bëri thirrje opozitës të paraqiste propozimet e saj për hartën territoriale.

“Kjo sot do të votohet, deri të enjten tjetër mendohuni, bëni gati propozimet. Pas gati 50 ditësh do diskutojmë një propozim tjetër të bërë nga ju. Kjo sot do të votohet”, tha i vendosur Balla.

Reforma e re është në vazhdën e logjikës së ndarjes territoriale të vitit 2014: më pak njësi vendore dhe territore më të mëdha administrative. Por bilanci i reformës së kaluar mbetet pjesë e debatit. Kritikat ndaj modelit të vitit 2014 janë përqendruar te kapacitetet e pabarabarta të bashkive, aksesi në shërbime dhe përfaqësimi i komuniteteve lokale.

Me hartën e re, 15 bashki nuk do të ekzistojnë më si njësi të veçanta të vetëqeverisjes vendore: Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimal, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse harta e re do të sjellë bashki më të forta dhe shërbime më të mira, siç argumenton mazhoranca, apo nëse banorët e këtyre zonave do të përballen me më shumë distancë nga institucionet dhe me një dobësim të përfaqësimit lokal.

The post Harta e re kalon me 85 vota, PS injoron zërat kundër dhe protestat appeared first on Citizens.al.

Revolucioni Flamingo në Roterdam, protesta hyn aty ku dikur promovohej “Shqipëria e Resorteve”

7 October 2026 at 15:59

“Cancel the Project” (Anulo Projektin) ishte mesazhi që aktivistët dhe artistët shqiptarë çuan në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës së Roterdamit, duke përcjellë përtej kufijve të Shqipërisë një nga sloganet e protestës kundër zhvillimeve të planifikuara në bregdetin e jugut.

Në sallat e Bienales, krahas pankartës, janë vendosur flamingot prej kartoni të përdorura gjatë protestave, materiale të sjella nga sheshi dhe fotografi që dokumentojnë lëvizjen. Nuk bëhet fjalë për një projekt të ri arkitekturor, por për vetë protestën, të kthyer në një ndërhyrje brenda një prej ekspozitave më të rëndësishme ndërkombëtare të arkitekturës.

Ndërhyrja e artistëve dhe arkitektëve përfaqësues të Revolucionit Flamingo është pjesë e edicionit të 12-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës, që zhvillohet deri më 29 nëntor 2026. Tema e këtij edicioni fokusohet te “Systems of Support” (sisteme mbështetëse), që mund të përdoren në arkitekturë për të zbutur ndikimin që ajo ka në territor.

Për grupin shqiptar, megjithatë, “Systems of Support” mori një kuptim tjetër: çfarë mund ta mbështesë territorin kur zhvillimi kërcënon ta dëmtojë atë? Dhe a mund të jetë rezistenca qytetare një “sistem mbështetës” po aq i rëndësishëm sa një plan urbanistik apo një projekt arkitekturor?

“E vetmja që ishte ndryshe ka qenë kjo e jona”, thotë Kedis Burrja, një nga përfaqësuesit e grupit nga Shqipëria, planifikues urban dhe arkitekt peizazhi.

“E kemi sjellë me frymën e ‘Systems of Support’, por në një mënyrë që mund të jetë për të mbështetur arkitekturën që të jetë më pak e dëmshme dhe të kemi një mjedis më të mirë, që mund të jetë edhe rezistenca popullore, e ngjashme si e jona, me protesta”, rrëfen ai për Citizens.al.

Në Roterdam u ekspozuan objekte reale nga protestat. E vetmja gjë e prodhuar posaçërisht për Bienalen ishin kartolinat. Ato përmbajnë fotografi, mesazhe, meme dhe slogane nga Revolucioni Flamingo dhe u japin vizitorëve mundësinë t’ia drejtojnë mesazhin e tyre Parlamentit Evropian.

“Kartolinat nga pas kanë pasur një përshkrim të shkurtër të çështjes sonë dhe qytetarët evropianë kanë pasur mundësinë t’i firmosin, duke ia adresuar Parlamentit Evropian”, shpjegon Kedis Burrja.

Sipas tij, më shumë se 50 kartolina janë dërguar drejt Parlamentit Evropian.

Paradoksi i Roterdamit: protesta kthehet në skenën ku u promovua modeli shqiptar

Nëse pjesëmarrja në Roterdam ka një element që e bën atë veçanërisht domethënës, është pikërisht paradoksi i saj.

Dhjetë vite më parë, Roterdami ishte një nga hapësirat ku Shqipëria prezantohej përmes vizioneve të reja territoriale dhe bashkëpunimit me arkitektë ndërkombëtarë.

“Është ironike se para 10 vjetëve kanë qenë AKPT-ja, kanë qenë njerëz atje nga Tirana, me projekte, me vizion, me të huaj, se si do bëhej Shqipëria. Imagjino, mbas 10 vjetëve, po këto vizione, po këto gjëra që i kanë pasur atje para 10 vjetëve janë me shumë pikëpyetje, domethënë, janë rezultat i një sistemi shumë korruptiv, pa proces transparent, me dëmtime shumë të mëdha mjedisore”, shpjegon Dea Buza, arkitekte dhe dizajnuese urbane, si dhe një nga përfaqësueset e Shqipërisë në Bienale.

Ky paradoks u vu re edhe nga Kedis Burrja, i cili sjell në vëmendje sikletin që, sipas tij, mund të krijojë kjo pjesëmarrje për organizatorët, të cilët deri pak muaj më parë kanë qenë në mbështetje të programeve të qeverisë Rama në Tiranë.

“Roterdami është vendi ku është pritur Edi Rama para 10 vitesh, për promovimin e arkitekturës me studiot holandeze. Në Bienale është pritur edhe ai dhe ka rënë si paradoks kjo që, pas 10 vitesh, përfundoi Revolucioni i Flamingove në të”, ndan Kedis Burrja për Citizens.al.

Në Amsterdam, më 15 shtator, Kedis Burrja dhe Dea Buza u bënë pjesë edhe e një diskutimi publik të organizuar nga “School of Cities”. Aktiviteti u zhvillua në një moment kur në Holandë po diskutohej fort edhe roli i studiove arkitekturore holandeze në Shqipëri.

Sipas Burrjes, gjatë diskutimit u trajtuan edhe problemet me të cilat u përballën studiot e arkitekturës pas krizës së pasurive të paluajtshme në SHBA, e cila u ndje më pas edhe në Evropë. Në këtë kontekst, sipas tij, kompanitë holandeze nisën të orientoheshin gjithnjë e më shumë drejt tregjeve jashtë Holandës.

“Aty ka filluar ky binjakëzim dhe partneriteti i Edi Ramës me ta, që ka vazhduar me ligjet tona, reformën territoriale, me ligjin e territorit dhe atë për investitorët strategjikë, që u hap në 2015 dhe i parapriu ndërtimeve”, shprehet Kedis Burrja për Citizens.al.

Diskutimi nuk mbeti vetëm te arkitektura. Një gazetar investigativ foli për krizën që kishte prekur studiot holandeze pas krizës financiare të vitit 2008 dhe për orientimin e tyre drejt tregjeve të huaja. Sipas Burrjes, Shqipëria u bë një nga vendet ku ky zgjerim mori hov pas vitit 2013.

Në prezantimin e Dea Buzës, ky paradoks vendoset përballë zhvillimit të arkitekturës shqiptare dhe rolit të institucioneve e studiove ndërkombëtare.

Në vitin 2013, sipas saj, fokusi kaloi nga projektet e veçuara drejt një vizioni për transformimin e gjithë territorit shqiptar: “Albania itself became the project” (Shqipëria vetë u bë projekt).

Por pyetja e sotme është nëse ky vizion është ndërtuar përmes një procesi ku qytetarët kanë pasur realisht mundësi të vendosin.

“Kush e ka të drejtën për të imagjinuar Shqipërinë sot? A e ka Rama, a e kanë të huajt, a e kanë Architecture Army?”, pyet Buza.

Në prezantimin e saj, ajo argumenton se arkitektura nuk mund të shkëputet nga pyetjet se kush e porosit një projekt, cilat vendime politike e bëjnë të mundur dhe nëse komunitetet e prekura kanë ende ndikim mbi të ardhmen e territorit.

Kjo është edhe arsyeja pse ndërhyrja e Flamingo Revolution në Bienale nuk paraqet një projekt të ri arkitekturor, por konfliktin që lind përpara se një projekt të ndërtohet.

Dy periudha të zhvillimit të territorit dhe “fundi i tranzicionit”

Diskutimi vijoi më pas, më 17 shtator, me një aktivitet të organizuar me ftesë të Universitetit të Leidenit në Hagë. Në prezantimet e tyre, Burrja dhe Buza trajtuan mënyrën se si nisi Revolucioni Flamingo, periudhën e tranzicionit shqiptar dhe mënyrën se si hapësira publike dhe toka janë trajtuar në vizionet e zhvillimit dhe ndërtimit.

Në prezantimin e tij, Burrja nuk e trajtoi Revolucionin Flamingo si një ngjarje të shkëputur. Ai e vendosi atë brenda një historie që nis në vitin 1991 dhe e ndau tranzicionin shqiptar në dy sekuenca.

“Periudha 1991–2013 karakterizohet nga shkatërrimi në mungesë të ligjeve dhe planifikimit, me dëmtimin informal të habitateve, territoreve dhe zonave të planifikuara. Ndërsa nga viti 2013, me ardhjen e qeverisë Rama, ligjin e ri për planifikimin e territorit në 2014, reformën territoriale dhe ligjin për investimet strategjike në 2015, nis një fazë e re deri në vitin 2026, e karakterizuar nga ‘dhuna e justifikuar me ligj’”, argumenton Kedis Burrja.

Për të, Shqipëria tashmë e ka kaluar tranzicionin.

“Fillimi i tranzicionit është më 20 gusht 1991, kur anija Vlora mbërrin në Brindisi, edhe pse ishte nisur për në Bari. Pas dy-tri javësh udhëtimi, njerëzit përfunduan në stadium. Ky është fillimi i tranzicionit dhe gushti i 2026-ës shënon, sipas meje, fundin e tranzicionit, kur anija Flotila mori përsipër të shoqërojë pasardhësit e emigrantëve tanë atje, për t’u kthyer në Vlorë në mënyrë simbolike”, argumenton Burrja.

Të njëjtën ide ndan edhe Dea Buza, duke theksuar se rruga nuk është e lehtë dhe se procesi mbetet i dhimbshëm.

“Për herë të parë mund të themi që është fundi i tranzicionit 37-vjeçar të Shqipërisë. Shpresoj që të mos e artikulojmë kurrë fjalën tranzicion, sepse Shqipëria tashmë ka dalë nga tranzicioni dhe ky është hapi i parë drejt një demokratizimi dhe decentralizimi politik e territorial”, argumenton Buza.

Të qenurit në Hagë në të njëjtën ditë kur u dha vendimi për katër përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për Dean që vjen nga Kosova ishte veçanërisht emocionale.

“Biles bëra një parantezë, më shumë për të thënë se çfarë është liria edhe ndërlidha pak me lirinë e Kosovës, por edhe me lirinë, se edhe një lloj lirie po kërkojmë dhe ne këtej”, pëmbyll ajo.

Nga Narta në Roterdam: një protestë që kërkon të ndryshojë edhe mënyrën si flitet për Shqipërinë

Për Buzën, rëndësia e pjesëmarrjes në Bienale qëndron pikërisht te fakti se historia e protestës shqiptare ka dalë përtej kufijve të vendit.

“Është një diskurs dhe një artikulim global tashmë, nuk është vetëm tek ne, sepse e gjithë kjo po e sjell në pikëpyetje se çfarë është arkitektura dhe çfarë është arkitektura bashkëkohore.”

Ajo e sheh këtë pjesëmarrje si një mënyrë për të krijuar një debat ndërkombëtar që nuk kalon vetëm përmes lajmeve të ditës.

“Përmes mediave, gjithmonë mesazhi është diku i përciptë, është i manipuluar, normal është, momental, ka shumë arsye. Kështu që mendoj që është goxha një pikënisje e mirë.”

Sipas saj, kjo është gjithashtu një kritikë ndaj skenës kulturore ndërkombëtare, e cila shpesh e ka prezantuar Shqipërinë përmes projekteve arkitekturore, festivaleve dhe vizioneve për zhvillimin, pa artikuluar konfliktet që këto procese kanë prodhuar në territor.

“Është edhe një lloj proteste për gjithë situatën në Shqipëri, që shumë aktivitete sociale, kulturore, festivalet e arkitekturës, dizajnit, artit, nuk po e artikulojnë dhe nuk po sjellin në pah asgjë nga ajo që po ndodh. Sikur po jetojmë në dy paralele të botëve të ndryshme.”

Për Kedis Burrjan, ndërkohë, rëndësia e Revolucionit Flamingo nuk matet vetëm me ekspozimin ndërkombëtar. Ai sheh një ndryshim te vetë qytetarët: një protestë që nisi për një çështje konkrete është shndërruar në një hapësirë ku diskutohet për ligjin, territorin, institucionet dhe të ardhmen politike të vendit.

“Vetë sheshi i protestës është një ndër grupimet shoqërore ku ka numrin më të madh të takimeve mes njerëzve që mund të hasësh në republikë. Në asnjë vend tjetër nuk ke, për momentin, ku mundesh të marrësh pjesë lirisht dhe të takosh kaq njerëz.”

Ai e sheh këtë si një nga pasojat më të rëndësishme të lëvizjes.

“Ka krijuar një diskurs publik ku adresohen çështje politike të përbashkëta. Këtë po e bëjnë vetë qytetarët.”

Në fund, të dy e shohin Revolucionin Flamingo si një proces ende të hapur. Buza e konsideron pjesëmarrjen në Roterdam “hapin e parë” të një artikulimi ndërkombëtar të protestës, ndërsa Burrja e sheh lëvizjen si një proces që mund të prodhojë pasoja shumë më afatgjata se vetë protestat.

“Protesta ka nxjerrë më qartë në pah problemet politike të vendit, duke bërë që një pjesë e madhe e punës investigative të mos mbetet vetëm te gazetarët apo institucionet. Rreth saj është mobilizuar një rrjet shumë më i madh njerëzish nga diaspora dhe rrjetet sociale, që merren me hetime, padi, apelime dhe denoncime, duke vepruar paralelisht me protestën në shesh”, argumenton ai.

Buza, nga ana tjetër, e përshkruan situatën si një përplasje mes dy realiteteve që ecin paralelisht.

“Mendoj që kjo risjellje në aktivitete të njohura ndërkombëtare, domethënë, shumë prestigjioze siç është IABR-ja, mendoj që është një pikënisje shumë e mirë, që vëmendja tashmë ka dalë përtej Shqipërisë dhe mendoj që ky është hapi i parë dhe kjo është fitorja e parë.”

Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës së Roterdamit zhvillohet çdo dy vite dhe sjell në vëmendje çështje që lidhen me arkitekturën, hapësirën dhe mënyrën se si shoqëritë organizojnë mjedisin ku jetojnë.

The post Revolucioni Flamingo në Roterdam, protesta hyn aty ku dikur promovohej “Shqipëria e Resorteve” appeared first on Citizens.al.

“Shqipëria është biodiversitet”: 38 specie dhe një thirrje për të mbrojtur natyrën

5 October 2026 at 18:13

Në qendër të Tiranës, 38 specie të rralla dhe të kërcënuara të biodiversitetit shqiptar janë bërë bashkë në një mozaik nën emërtimin “Shqipëria është biodiversitet”.

Mozaiku i është përqasur një prej simboleve më të njohura që ndodhet në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Në vend të figurave njerëzore në qendër janë rrëqebulli i Ballkanit, pelikani kaçurrel, foka e Mesdheut, shpendë dhe specie të tjera që përbëjnë pasuritë natyrore të vendit.

Mozaiku është pjesë e fushatës “Shqipëria është biodiversitet”, e nisur në vitin 2023 nga Fondacioni Heinrich Boll (HBS) dhe organizata mjedisore për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), me synimin për ta sjellë biodiversitetin më pranë publikut dhe për të nxitur diskutimin mbi rëndësinë e mbrojtes së natyrës.

“Në qendër të fushatës “Shqipëria është biodiversitet” si të mozaikut, ashtu edhe të paneleve, të ekspozitës dhe gjithë informacioneve janë 38 lloje, një pjesë e madhe e të cilave janë të listuara në anekset e Natura 2000, Konventës së Bernës dhe për këtë arsye ato janë jo vetëm pjesë e përpjekjeve për të ruajtur natyrën, por edhe duhet të gjithë ne ti kuptojmë më mirë, ti njohim”, u shpreh për Citizens.al Klaudja Koçi, menaxhere e programeve pranë PPNEA-s.

Sipas të dhënave, në Shqipëri janë regjistruar më shumë se 350 lloje shpendësh, ndërsa në një territor si ky i yni, gjenden një shumëllojshmëri e jashtëzakonshme habitatesh, nga pyjet dhe peizazhet malore te lumenjtë, ligatinat dhe ekosistemet bregdetare.

“Shqipëria, edhe pse një vend i vogël në rajonin evropian, është një vend shumë i rëndësishëm për biodiversitetin që mbart”, thotë Koci. “Shumë nga habitatet dhe nga llojet që gjenden në vendin tonë janë të rëndësishme për strehimin e llojeve në rrezik zhdukjeje ndërkombëtarisht, globalisht.”

Rrëqebulli i Ballkanit, ariu i murrmë, dhia e egër, pelikani kaçurrel, kali i qyqes dhe foka e Mesdheut janë vetëm disa nga speciet që e bëjnë Shqipërinë të rëndësishme për ruajtjen e biodiversitetit. Por rëndësia e vendit nuk lidhet vetëm me numrin e specieve që gjenden brenda kufijve të tij.

Shqipëria ndodhet përgjatë korridorit të shtegtimit të Adriatikut, një rrjet ekologjik që lidh habitatet e rëndësishme përgjatë rrugëve të migrimit të shpendëve mes Evropës dhe Afrikës.

“Sidomos bregdeti. Të gjitha ligatinat detare janë rrugë shtegtimi të rëndësishme përgjatë Adriatikut për mijëra shpendë, të cilët e zgjedhin Shqipërinë përgjatë gjithë vitit, për t’u strehuar, për t’u ushqyer, ndaluar dhe për të lëvizur midis Evropës dhe Afrikës për të gjithë ciklin e tyre të jetës”, thotë Koci.

Nga mozaiku “Shqipëria” te speciet e rrezikuara

Ideja për ta sjellë këtë pasuri natyrore në një vepër arti nisi disa vite më parë.

Artisti vizual Kleidi Eski tregon se qëllimi ishte të krijohej një vepër që ta zhvendoste mënyrën se si shihet Shqipëria, përtej dimensionit njerëzor dhe ekonomik.

“Bëhet fjalë për një ndërhyrje artistike ku të përcjellim mesazhin që Shqipëria, krahas njerëzve që e banojnë, krahas ekonomisë që këta njerëz ndërtojnë, është thelbësore të njihet edhe si natyra që këtë vend përbën, pra speciet, habitatet, ekosistemet”, thotë Eski.

38 speciet e përzgjedhura u kthyen në bazën e një interpretimi të ri të mozaikut “Shqipëria”.

“Mbi bazën e këtyre 38 specieve vendosëm që të krijonim një homazh të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar ‘Shqiptarët’. Pra, kompozimi dhe gjithë ideimi artistik është qëllimisht i ngjashëm me atë mozaik”, shpjegon artisti.

Imazhi u prezantua për herë të parë në vitin 2023, si një ndërhyrje e përkohshme në sheshin “Skënderbej”. Në vitin 2026, ideja u rikthye në një formë të qëndrueshme: një mozaik monumental, i realizuar nën drejtimin artistik të Eskit, me Anna Paola Franceschi dhe me kontributin e mozaicistëve Małgorzata Matyla, Marta Matyla dhe Umberto Pepe.

Qindra mijëra copëza individuale janë bashkuar për të krijuar një imazh të vetëm. Vetë teknika e mozaikut shërben kështu edhe si metaforë për mënyrën se si funksionon një ekosistem: elemente të ndryshme që, të lidhura me njëra-tjetrën, formojnë një tërësi.

“Zhvillimi fillestar ka qenë dixhital. Gjatë këtij zhvillimi dixhital kuptuam që forma përfundimtare e këtij projekti do duhej të ishte një mozaik i vërtetë”, tregon Eski.

Një pasuri nën presion

Pas imazhit shumëngjyrësh të mozaikut fshihet një realitet më pak optimist. Biodiversiteti shqiptar përballet me humbjen e habitateve, dhe presionet e ndryshimeve klimatike.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, 81 për qind e habitateve të vlerësuara sipas legjislacionit evropian janë në gjendje të pafavorshme ose ruajtjeje të keqe. Në të gjithë kontinentin, përdorimi intensiv i tokës, urbanizimi dhe zhvillimi i infrastrukturës kanë fragmentuar gjithnjë e më shumë ekosistemet.

Në Shqipëri, sipas PPNEA-s, një nga presionet kryesore lidhet pikërisht me humbjen e hapësirave natyrore.

“Ndër kërcënimet më kryesorë për Shqipërinë, si për habitatet ashtu edhe për llojet e egra, janë humbja e habitateve, fragmentimi i habitateve, prerja dhe djegia e pyjeve, patjetër edhe rastet e gjuetisë së paligjshme”, thotë Koci.

Por ajo veçon një problem mbi të tjerat: “Humbja e habitatit, transformimi i habitatit për urbanizime, për ndërtim të infrastrukturave të ndryshme është ajo që ka edhe impaktin më të madh, për sa i përket biodiversitetit.”

Pikërisht këtu qëndron edhe një prej arsyeve pse fushata synon ta çojë diskutimin përtej hapësirave të specializuara mjedisore.

Ekspozita dhe programi publik në sheshin “Skënderbej” përfshijnë bashkëbisedime, punëtori, shfaqje filmash dhe aktivitete kulturore, duke e kthyer biodiversitetin në një temë diskutimi në një prej hapësirave më të frekuentuara të kryeqytetit.

‘Është e rëndësishme që kemi ardhur në një moment kur shoqëria është shumë e ndërgjegjësuar për biodiversitetin, për mjedisin, për çështjet mjedisore dhe të publikes, sikurse protestat që po ndodhin janë mjaft të integruara me grupe artistike të cilat punojnë me fëmijët, punojnë me artistët në terren”, rrëfen për Citizens.al Kleidi Eski.

Sipas tij, ky nuk është rasti i parë kur artistët angazhohen me natyrën.

“Lëvizjet në vitet 2015-2016 për Valbonën dhe Vjosën gjithashtu kanë qenë një precedent mjaft pozitiv. Nuk jam i sigurt nëse ka patur përpara kësaj periudhe lëvizje të ngjashme, por shpresoj të ketë qenë rasti”, sjell në vëmendje Eski.

Biodiversiteti si pjesë e identitetit evropian

Për PPNEA-n, mbrojtja e këtyre habitateve lidhet gjithashtu me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

“Ruajtja e këtyre habitateve dhe llojeve të shpendëve dhe gjitarëve që janë në fakt edhe pjesë e listës së Natura 2000, rrjetit të rëndësishëm të vendeve të Bashkimit Evropian, bëhet detyrim për ne dhe për të ardhmen që aderojmë”, thotë Klaudja Koçi.

Sipas saj, përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te ruajtja e asaj që ekziston.

“Është në fakt detyrim dhe përgjegjësi për t’i ruajtur, për t’i hartëzuar, për t’i inventarizuar, për t’i ruajtur në statusin që ato janë. Madje është detyrim edhe për t’i rimëkëmbur.”

Në këtë këndvështrim, Shqipëria nuk paraqitet thjesht si një vend që po përpiqet të përshtatet me standardet evropiane të mbrojtjes së mjedisit. Ajo shihet edhe si një vend që sjell me vete një pasuri natyrore që ka rëndësi për të gjithë kontinentin. Lumenjtë, pyjet, ligatinat, ekosistemet bregdetare dhe korridoret e shtegtimit janë pjesë e një sistemi ekologjik që nuk ndalet në kufijtë kombëtarë.

Për Eskin, zgjedhja e artit për të folur për biodiversitetin nuk është rastësore. Mozaiku synon të krijojë një lidhje emocionale me speciet që zakonisht shihen përmes gjuhës së statistikave, raporteve dhe dokumenteve shkencore.

“Shumë njerëz kanë thënë që mozaiku është tërheqës për ta, prej faktit që ka kafshë, ka sy, ka fytyra që drejtohen drejt tyre”, thotë ai.

Sipas artistit, pikërisht kjo ngjashmëri mes fytyrave njerëzore dhe atyre të kafshëve mund të krijojë një raport tjetër me natyrën.

“Nëse shohim që fytyrat e disa specieve të tjera, pra që nuk janë fytyra njerëzish, ngjallin të njëjtën lidhje dhe të njëjtin impakt emocional te njerëzit, sikurse edhe vetë fytyrat njerëzore që shohim në mozaikun e Muzeut Historik, për ne është e rëndësishme që të krijojmë një lidhje të fortë mes njeriut dhe natyrës.”

Për Eskin, angazhimi i artistëve në çështjet mjedisore mund të jetë edhe pjesë e një procesi më të gjerë shoqëror.

“Komunitetet artistike dhe intelektualët janë gjithmonë pararojë të disa lëvizjeve që më vonë zgjerohen dhe kthehen në lëvizje shoqërore”, thotë ai.

Dhe kjo është edhe shpresa që ai sheh pas një vepre që bashkon artin me mbrojtjen e natyrës: që biodiversiteti të mos mbetet vetëm një çështje e ekspertëve, por të kthehet në një pjesë të ndërgjegjësimit publik.

“Shpresa jonë në këtë moment ku jemi është që ndërgjegjësimi i publikut të gjerë ndaj çështjeve mjedisore të jetë po aq i fortë sa ndërgjegjësimi i tyre për çështje të tjera të rëndësisë politike.”

The post “Shqipëria është biodiversitet”: 38 specie dhe një thirrje për të mbrojtur natyrën appeared first on Citizens.al.

Nga Parku Rinia te kulla 78 metra: Si ndryshoi historia e truallit të ‘Tajvanit

5 October 2026 at 16:07

Në zemër të kryeqytetit, mes hapësirave të pakta të gjelbra që i kanë mbetur Tiranës pas dekadave të betonizimit, ndodhet Parku Rinia.

Historia e tij nis shumë më herët. Projekti i parë për këtë hapësirë daton në vitin 1923, ndërsa varianti më i suksesshëm i planit për qendrën e Tiranës u hartua në vitin 1931 nga arkitektët italianë Armando Brasini dhe Florestano Di Fausto. Sipas Bashkisë së Tiranës dhe Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, në këtë plan u përfshinë kompleksi i ministrive, Bashkia e Tiranës, Banka Kombëtare, lulishtja qendrore, sheshi “Skënderbej” dhe hapësira që sot njihet si Parku Rinia.

Ky peizazh ka ndryshuar ndjeshëm sot, me kullat që po ngrihen në qendër dhe përreth saj.

Më 28 nëntor 1949, përmes punës vullnetare, të rinjtë tiranas nisën pyllëzimin e kësaj hapësire, duke i dhënë parkut emrin që mban edhe sot. Për dekada, Parku Rinia shërbeu si një nga hapësirat kryesore publike dhe të gjelbra të qendrës së qytetit. Por historia e parkut ndryshoi pas viteve ’90.

Pas rënies së komunizmit, Parku Rinia u mbush me ndërtime informale. Kioska, bare dhe restorante u përhapën në hapësirën e parkut, duke transformuar një nga zonat publike qendrore të Tiranës. Sipas Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, gjatë ndërhyrjes për pastrimin e parkut në vitin 2000 u shembën rreth 130 objekte dhe u hoqën mbi 45 mijë metra kub mbetje.

Kjo ndërhyrje synonte rikthimin e parkut si hapësirë publike dhe e gjelbër. Por, në të njëjtën periudhë, një tjetër histori po merrte formë në njërën prej parcelave brenda tij.

Nga hapësira publike te kompleksi “Tajvan”

Në prezantimin e kullës 78 metra të lartë, që parashikohet të ngrihet në truallin ku sot ndodhet kompleksi “Tajvan”, duke i bërë hije parkut, kryeministri Edi Rama e justifikoi projektin duke përdorur argumentin e “tokës private”.

Por dokumentet që lidhen me pronën tregojnë një histori më të ndërlikuar sesa ajo e një godine të ngritur thjesht mbi një parcelë private.

Në vitin 2001 u themelua shoqëria “TAIWAN”, në pronësi të Besnik Sulajt.

Më 15 shtator 2003, Sulaj transferoi një pjesë të kuotave: 10% te Avni Braçaj, 5% te Apostol Goçi dhe 5% te Albano Aliko, duke mbajtur vetë 80% të shoqërisë. Në këtë periudhë shfaqet edhe një dokument kyç për historinë e ndërtimit.

Më 21 korrik 2001, KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës miratoi vendimin nr. 48. Vetë ky vendim nuk rezulton aktualisht i publikuar në faqen e AZHT-së dhe as në atë të Bashkisë Tiranë.

Ekzistenca dhe rëndësia e tij për historinë e kompleksit dokumentohen në një vendim të mëvonshëm të Këshillit Bashkiak. Në vitin 2005, Bashkia i referohet shprehimisht një “ndërtimi shtesë tej lejes së miratuar me vendimin nr. 48, datë 21.07.2001 të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës”.

Pa kopjen e plotë të vendimit nr. 48, nuk mund të përcaktohet me saktësi se çfarë sipërfaqeje, volumetrie apo objekti kishte miratuar fillimisht KRRT-ja. Dokumentet e mëvonshme provojnë megjithatë se në kompleks ishte realizuar një ndërtim shtesë përtej lejes së miratuar.

Më 17 shkurt 2005, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin nr. 2, me titullin: “Mbi shitblerjen për efekt legalizimi të truallit shtetëror të zënë me ndërtim shtesë tej lejes së miratuar me vendimin nr. 48, datë 21.07.2001 të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës”.

Përmes këtij vendimi, Këshilli Bashkiak miratoi shitjen e 1,310 m² truall shtetëror kompanisë “TAIWAN”, për efekt legalizimi të sipërfaqes së zënë nga ndërtimi shtesë tej lejes së miratuar.

Më 10 mars 2005, vetëm pak javë pas vendimit të Këshillit Bashkiak, u nënshkrua kontrata e shitjes mes Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë “Tajvan”, ku trualli u shit për 12 mijë lekë për metër katror, sipas vlerës së dhënë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.

Në total, për 1,310 metra katrorë, vlera e shitjes arrinte në 15.72 milionë lekë.

Kallëzimet dhe hetimet për shitjen e truallit

Por historia e pronës nuk nis dhe as përfundon me shitjen e truallit te “TAIWAN”. Në të njëjtën zonë kishte dalë edhe një tjetër pretendim pronësie.

Familja Hoxha pretendonte se një pjesë e tokës ku shtrihej kompleksi “Tajvan” ishte pronë e saj e trashëguar. Në dokumentet dhe raportimet e kohës bëhet fjalë për rreth 1,700 metra katrorë truall në pjesën jugore të kompleksit.

Fatime Hoxha pretendonte se prona e familjes ishte mbivendosur nga Bashkia e Tiranës dhe se më pas kjo sipërfaqe kishte përfunduar në përdorim të kompleksit “Tajvan”. Sipas dëshmisë së saj të publikuar në vitin 2008, familja kishte dokumente që e lidhnin pronën me babain e saj, Sejfulla Hoxha, ndërsa pretendonte se në Hipotekë prona ishte trajtuar ndryshe nga dokumentacioni i familjes.

Kjo çështje u shfaq paralelisht me kallëzimet dhe hetimet e ngritura për shitjen e tokës së “Tajvanit”.

Në nëntor 2009, Sokol Olldashi, në atë kohë ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, doli publikisht dhe prezantoi dokumentet e shitjes së truallit prej 1,310 m² dhe më pas kallëzoi penalisht Edi Ramën, asokohe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Funksioni i Olldashit në qeverinë e asaj kohe konfirmohet edhe nga historiku zyrtar i Këshillit të Ministrave.

Akuzat e ngritura nga Olldashi ishin:

  • shkelja e ligjit nr. 8744 për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit te njësitë e qeverisjes vendore, i cili parashikon procedurat ligjore dhe mënyrën e transferimit të pronave;
  • shkelja e ligjit nr. 7980 të vitit 1995, për shitblerjen e trojeve, i cili parashikonte kufizime deri në përfundimin e kompensimit fizik të ish-pronarëve.

Prokuroria e Tiranës e mbylli fillimisht çështjen për mungesë provash. Por më pas Gjykata e Tiranës vendosi rihapjen e saj, pas insistimit të Ministrisë së Transporteve.

Shkak për rihapjen e çështjes u bë fakti se vendimi i prokurorisë ishte marrë jashtë kompetencave të saj.

Në maj 2012, Gjykata e Tiranës e ktheu çështjen për hetim të mëtejshëm dhe vlerësoi se ajo duhej të trajtohej nga Prokuroria e Përgjithshme.

Nga toka e legalizuar te kompleksi i kazinosë

Ndryshimi i statusit të truallit nuk ishte fundi i historisë së “Tajvanit”. Në vitet që pasuan, kompleksi u lidh gjithnjë e më shumë me aktivitetin e kazinosë dhe me një seri ndryshimesh në strukturën e shoqërive që e zotëronin.

Licenca e parë e “Regency Casino” ishte dhënë në vitin 2005 për një periudhë 15-vjeçare dhe skadonte në qershor 2020. Për shkak të mbylljes së aktivitetit gjatë pandemisë COVID-19, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit i rekomandoi ministres së Financave shtyrjen e afatit të licencës deri në fund të shtatorit. Kërkesa u pranua nga ministrja Anila Denaj.

Ndërkohë, vetëm disa javë para përfundimit të kësaj shtyrjeje, Këshilli i Ministrave përcaktoi zonat me rëndësi kombëtare ku mund të jepej licencë për kazino dhe kriteret përkatëse. Sipas dokumenteve, zona e përcaktuar në Tiranë përfshinte edhe perimetrin ku ndodhej kompleksi “Tajvan”.

Më 22 shtator 2020, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit hapi garën për licencën e re të kategorisë “kazino”. Në garë rezultoi vetëm një ofertues: “Regency Casino”. Tre ditë më vonë, licenca e re për ushtrimin e aktivitetit të kazinosë për një periudhë 10-vjeçare u firmos nga drejtori i Autoritetit, Zhani Çakulli.

Rilicencimi u shoqërua edhe me një tjetër zhvillim financiar që lidhej drejtpërdrejt me shoqërinë “TAIWAN”.

Prej vitit 2012, 22% e aksioneve që “TAIWAN” zotëronte në “Regency Casino” ishin vendosur nën sekuestro për shkak të një detyrimi ndaj Alpha Bank. Sipas MediaLook, më 10 tetor 2020, rreth 20 ditë pas hapjes së garës për licencën e re, “TAIWAN” shlyeu detyrimin dhe përmbaruesi urdhëroi heqjen e sekuestros mbi këto aksione.

Kështu, historia e parcelës në Parkun Rinia nuk mbetet vetëm historia e një trualli shtetëror që në vitin 2005 iu shit për efekt legalizimi shoqërisë “TAIWAN”. Në vitet pasuese, e njëjta shoqëri u bë pjesë e strukturës së pronësisë së “Regency Casino”, ndërsa kompleksi siguroi një tjetër licencë 10-vjeçare për aktivitetin e kazinosë.

Sot, mbi këtë histori pronësie dhe zhvillimi, që përfshin një truall shtetëror të shitur për efekt legalizimi të një ndërtimi shtesë, propozohet një kullë 78 metra e lartë.

Debati i ri për kullën rikthen kështu një çështje të vjetër të “Tajvanit”: ku përfundon prona private dhe ku fillon hapësira publike në parkun qendror të kryeqytetit.

Lexo edhe: Kullë 78 metra mbi Parkun Rinia, Bjarke Ingels fiton konkursin

The post Nga Parku Rinia te kulla 78 metra: Si ndryshoi historia e truallit të ‘Tajvanit appeared first on Citizens.al.

Tre hidrocentrale i marrin shtratin lumit të Cemit në Malësi të Madhe

2 October 2026 at 18:26

Male me kreshta të thepisura dhe shpate të mbuluara me gjelbërim: kjo është ajo që të ofron rruga për në Malësi të Madhe.

Në një rrugë të zgjeruar së fundmi, por ende të paasfaltuar dhe aty-këtu me rrezik rënieje gurësh, marrim tatëpjetën për në Vukël. Në krah na shoqëron lumi i Cemit, aq i kulluar sa sheh tejpërtej.

Cemi buron në lartësitë alpine të Kelmendit. Në Tamarë, Cemi i Vuklit bashkohet me atë të Selcës dhe së bashku rrjedhin drejt Malit të Zi.

Në një zonë ku prania e shtetit është minimale, potenciali turistik është i madh. Por nuk është ky potencial që po shfrytëzohet. Në shënjestër është uji i Cemit.

Tre hidrocentrale, pjesë e kompleksit “Ura e Tamarës”, kanë nisur të ndërtohen nga kompania “Tamara Hydro Energy”.

Një projekt i vitit 2019, një dëgjesë gjashtë vite më vonë

Sipas Deklaratës Mjedisore të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) më 18 mars 2025, projekti “Ndërtimi i Hidrocentralit Ura e Tamarës” përfshin tre hidrocentrale: Kozhnjë 1 me kapacitet 1.900 kW, Kozhnjë 2 me 1.000 kW dhe Tamara me 12.088 kW. Në total, bëhet fjalë për rreth 15 MW kapacitet të instaluar.

Kontrata koncesionare është lidhur më 15 janar 2019, në formën BOT, mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë “Tamara Hydro Energy”. Dokumenti i AKM-së e cilëson vendimin e vitit 2025 si rinovim të Deklaratës Mjedisore të dhënë më 10 tetor 2022.

Shoqëria “Tamara Hydro Energy” është themeluar në janar 2019 dhe, sipas të dhënave të regjistrit tregtar të publikuara nga OpenCorporates, është në pronësi 100% të “Albavia”. Objekti i saj është financimi, projektimi, ndërtimi, administrimi dhe shfrytëzimi i hidrocentralit “Ura e Tamarës”.

Citizens.al i dërgoi pyetje kompanisë “Albavia” për lejet dhe VNM-në e projektit, pretendimin se punimet prekin Parkun Kombëtar, ruajtjen e prurjes ekologjike dhe ndikimin te tokat e banorëve. Deri në publikimin e këtij artikulli, kompania nuk është përgjigjur.

Lumi Cem në Malësi të Madhe/Citizens.al

Megjithëse kontrata daton në vitin 2019, konsultimi me publikun i përfshirë në Deklaratën Mjedisore është zhvilluar më 13 mars 2025, vetëm pesë ditë para se AKM të lëshonte vendimin.

Dokumenti zyrtar thotë se në dëgjesë morën pjesë përfaqësues të komunitetit, Bashkisë Malësi e Madhe, Agjencisë Rajonale të Mjedisit, administratori, përfaqësues të studios mjedisore dhe eksperti. Sipas të njëjtit dokument, projekti u prezantua dhe investitori u garantoi të pranishmëve se do të merrte masa për eliminimin e ndikimeve negative në mjedis.

Nga procesverbali i takimit konsultues rezulton se morën pjesë vetëm tetë banorë. Njëri prej tyre nuk ishte dakord me ndërtimin e HEC-eve “duke menduar se humbet uji, pasi ai do të ndërtojë një rezerva peshku”, shkruhet në procesverbal.

Banorë të tjerë u shprehën të shqetësuar për cënimin e ujit vaditës. Megjithatë, dokumenti mbyllet me shënimin: “Nuk pati ankesa nga banorët”.

Por Besjana Guri, drejtuese e qendrës LUMI, thotë se konsultimi ishte shumë i kufizuar.

“Një dëgjesë në fakt, për fat të keq, siç e kemi parë shpesh edhe në raste të tjera, përfshin një numër shumë të vogël banorësh. Janë vetëm tetë banorë, të cilët janë vetëm nga një zonë e prekur, ndërkohë që kemi të bëjmë me tre hidrocentrale në gjithë luginën, me katër-pesë fshatra që preken nga ky projekt”, thotë Guri.

Sipas saj, pjesa tjetër e komunitetit nuk është informuar mjaftueshëm.

“Jo vetëm nuk janë dëgjuar, por as nuk janë informuar. I vetmi moment kur kanë marrë vesh që këtu do të ndërtohen hidrocentrale është kur kanë parë punimet që kanë filluar”, shprehet ajo.

Banorët të paqartë për veprat energjetike

Lumi Cem në Malësi të Madhe/Citizens.al

Banorët shprehin shqetësim për ndikimin që këto vepra mund të kenë në ekosistem dhe në jetën e tyre të përditshme. Të tjerë ende nuk e dinë se ku do të ndërtohen veprat.

Gëzim Gjelaj, banor i Vuklit, tregon se pranë vendit ku planifikohet ndërhyrja ndodhen një sistem i vjetër vaditjeje dhe një mulli i trashëguar brez pas brezi.

“Këtu është shkëmbi i të parëve tanë, ka mullinj shekullorë, ku flitet se do t’u merret uji. Më lart kemi shtëpitë tona. Të parët tanë e kanë bërë me forcat e tyre jazin e mullirit për ta sjellë në tokat e tyre”, tregon Gjelaj.

Sipas tij, uji është përdorur ndër breza për vaditje dhe për funksionimin e mullirit.

“Tani flitet se do të merret ky ujë prapë, do të bëhet një digë para shtëpive tona, ku ngrihet 1 metër, 2 metra, 2 metra e gjysmë. Edhe do t’i merret uji mullirit”, thotë ai.

Gjelaj thotë se nuk është kundër zhvillimit, por kërkon garanci për shtëpitë dhe tokën.

“Unë personalisht nuk kam rënë dakord dhe nuk bie dakord. Ne si fis, as xhaxhallarët e mi, as kushërinjtë, as nipat, pa siguruar jetën e banorëve, jetën e personave që jetojnë në këto shtëpi ku do të bëhet diga dhe do të bëhet përmbytja”, shprehet ai.

Sipas tij, nëse toka duhet të merret, banorët duhet të kompensohen dhe të sigurohen me tokë apo banesa të tjera.

“Ose në qoftë se shteti e merr atë pjesë aty, të sigurojnë, ta marrin, të na gjejnë vend për shtëpi, tokë diku tjetër. Se ne nuk mund t’ia lëshojmë tokën e të parëve një personi që vjen dhe thotë ‘do ta bëj’ dhe nuk pyet kërkënd.”

Shqetësimi i tij kryesor është ndryshimi i territorit.

“Nuk dalim kundër ligjeve, kundër kërkujt, por dalim kundër përmbytjes”, thotë Gjelaj.

Disa banorë janë dakord me projektin, ndërsa të tjerë thonë se nuk kanë marrë informacion të mjaftueshëm për ndikimin që mund të ketë në tokat e tyre.

Besjana Guri thotë për Citizens.al se mungesa e informacionit e bën më të vështirë që komuniteti të kuptojë se çfarë humbet dhe çfarë përfiton.

“Kur banorët janë të painformuar dhe gjenden para faktit të kryer, e kanë shumë të vështirë në radhë të parë ta përtypin atë që po u ndodh. Dhe në radhë të dytë e kanë të vështirë të vlerësojnë realisht cilat janë të mirat apo të këqijat që do t’u sillte një projekt i caktuar”, thotë ajo.

Sipas Gurit, shpesh promovohet ideja që këto vepra sjellin të ardhura dhe punësim për banorët.

“E dimë shumë mirë që këto projekte sjellin një punësim shumë të kufizuar dhe gjithë të tjerët nuk do të jenë përfitues apo të përfshirë në projekt. Të gjitha këto kundërshti apo mosmarrëveshje mes banorëve sjellin pastaj edhe mungesën e një reagimi kompakt”, argumenton ajo.

Edhe Imeldi Sokoli, planifikues urban, tha në terren se dëgjesat janë thjesht formale.

“Kemi dëgjesa publike që rezultojnë thjesht në letër, janë formale dhe nuk shprehin idetë reale se çfarë do të ndërhyhet dhe si do të zhvillohet zona në kuadër të projekteve të ndryshme”, u shpreh Sokoli.

Parku Kombëtar dhe rrjedha e lumit

Zona e Vuklit është pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve, prej nga rrjedh edhe lumi.

Në Deklaratën Mjedisore, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) është shprehur se, bazuar në dokumentacionin dhe koordinatat e aplikimit, sipërfaqja ku do të zhvillohet projekti nuk ndodhet brenda rrjetit të zonave të mbrojtura.

Mjedisorët thonë se, edhe pse në dokumentacion projekti rezulton jashtë zonës së mbrojtur, në terren situata është ndryshe.

“Nga evidentimi në terren dhe nga biseda me banorët, ndodh krejt e kundërta. Punimet prekin zonën e mbrojtur dhe bëhen, ose do të bëhen, brenda zonës së mbrojtur”, shprehet Besjana Guri.

Sipas saj, edhe nëse projekti do të ishte jashtë parkut, ndikimi në biodiversitet shtrihet në gjithë zonën.

“Këtu kemi të bëjmë me një lumë. Ndikimi që këto projekte hidroenergjetike do të kenë në gjithë rrjedhën e lumit është i pakthyeshëm dhe i paevitueshëm, pra nuk mund të kufizohet vetëm në vendin ku ka ndërhyrje”, argumenton Guri.

Për Imeldi Sokolin, kjo përbën shkelje.

“Vepra e marrjes fillon që në fshatin Vukël dhe në brendësi të Parkut Kombëtar të Alpeve. Kjo përbën në fakt një shkelje të zonës së mbrojtur, por edhe të rregullave për ndërtimin e këtyre veprave, që dëmtojnë mjedisin dhe ndikojnë te speciet dhe habitatet që tashmë janë të mbrojtura”, argumenton Sokoli.

Banorët na rrëfejnë se deri më tani u është thënë që jetojnë brenda zonës së mbrojtur. Një tabelë e madhe në fshat jep të dhëna për Parkun Kombëtar dhe shërben si pikë ndalese për turistët.

Të tjerë tregojnë se janë gjobitur kur kanë tentuar të ndërtojnë një kotec të vogël pulash pranë shtëpisë, pa leje ndërtimi në zonë të mbrojtur. Dy realitete përballë njëri-tjetrit: në Vukël duket më e lehtë të marrësh leje për një hidrocentral, sesa për një kotec pulash.

“Na rezulton që në terren nuk janë të mbrojtura për të gjithë. Janë të mbrojtura për një pjesë, për banorët e thjeshtë”, thotë Imeldi Sokoli.

Ndikimi në peizazh dhe në zinxhirin ekologjik

Vukël, Malësi e Madhe/Citizens.al

Për biologen Aurora Piroviq, ndikimi i HEC-eve nuk kufizohet te pika ku ndërtohet vepra.

“Ndikimi mjedisor është jashtëzakonisht shkatërrues për vetë ekosistemin, habitatet, të gjitha gjallesat ujore, por edhe për ekosistemin përreth kësaj zone”, thotë ajo.

Sipas saj, ndërhyrja në rrjedhën e lumit prek migrimin e peshqve, makroinvertebrorët dhe florën e lumit.

“Ka ndikim jo vetëm në rrjedhjen e lirë të lumenjve, duke penguar migrimin e peshqve, por edhe te makroinvertebrorët apo flora e lumenjve”, thotë Piroviq.

Guri e lidh projektin edhe me troftën e malit, duke thënë se baseni i Cemit është një nga vendet e pakta ku ajo riprodhohet në Alpet shqiptare.

“Këtu kemi edhe troftën e malit, që është ndër vendet e pakta ku trofta shumohet në Alpet e Shqipërisë, pikërisht në basenin e Cemit”, thotë ajo.

Sipas saj, në pjesë të tjera të Cemit ku janë ndërtuar hidrocentrale, trofta nuk gjendet më, fakt që ajo e lidh me ndërhyrjet hidroenergjetike.

Vetë dokumenti i AKM-së e njeh nevojën për masa specifike për faunën ujore: kërkon ndërtimin e veprave për kalimin e peshqve dhe përcaktimin e prurjes ekologjike të nevojshme për ruajtjen e biodiversitetit.

Për Piroviq, ndërtimi i hidrocentraleve ndikon edhe në të ardhmen turistike të zonës.

“Nëse investohet në hidrocentrale, do të ketë prishje të peizazhit natyror. Pse do të vijnë turistët të vizitojnë një zonë ku ka hidrocentrale? Kjo zonë nuk do të jetë aspak e preferueshme për ta dhe lehtësisht do të braktiset edhe nga vetë komunitetet apo të rinjtë, kur nuk ka perspektivë zhvillimi”, argumenton Aurora Piroviq.

Imeldi Sokoli thotë se hidrocentralet prishin balancën që njeriu ka krijuar me natyrën.

“Duke prishur edhe balancën e vetë natyrës, duke shkatërruar habitatet dhe speciet, ku një ndër speciet më të rrezikuara tashmë është trofta e Cemit të Vuklit, që është edhe një ndër krenaritë e zonës dhe mund të kthehej në potencial turistik”, tregon Sokoli.

Sipas Piroviq, këto vepra ndikojnë edhe në bujqësinë dhe blegtorinë e zonës.

“Përveç prishjes së peizazhit, do të ketë edhe dëmtim të infrastrukturës dhe keqmenaxhim të burimeve natyrore, ku uji është jetik jo vetëm për banorët, por edhe për fermerët apo çobanët, aktiviteti kryesor i të cilëve është ky”, thotë ajo.

Në Shqipëri, ndërtimi i hidrocentraleve, veçanërisht i atyre të vegjël, ka sjellë pasoja për komunitetet, duke i detyruar në disa raste banorët të shpërngulen nga zonat ku jetojnë.

Në këtë zonë, hidrocentralet nuk janë të panjohura. Në degën që vjen nga Selca funksionojnë tre hidrocentrale, ndërsa një tjetër, mes fshatrave Mreg dhe Ostric, është kundërshtuar. Tre të tjerët e “Urës së Tamarës” pritet të ndërtohen në vijim.

“Në një kohë që Shqipëria ka humbur në rreth shtatë vite më shumë se 28% të rrjedhës lumore, ende përballemi me projekte të reja që planifikojnë ta fusin ujin nëpër tuba”, përfundon Besjana Guri.

The post Tre hidrocentrale i marrin shtratin lumit të Cemit në Malësi të Madhe appeared first on Citizens.al.

Pas zjarrit, turbinat: banorët e Pukës kundër parqeve eolike

2 October 2026 at 18:22

“Ti nuk ke ardhur asnjëherë për t’i takuar banorët”. Kështu i tha njëri nga banorët e Gojanit të Madh kryebashkiakut të Pukës, Rrok Dodaj, para rreth 60 bashkëfshatarëve të mbledhur në kafenenë më të frekuentuar të fshatit. Tensioni ishte i tillë, sa u duk diçka që banorët prej kohësh prisnin ta thonin me zë.

Takimi ishte thirrur për t’i konsultuar banorët për ndërtimin e turbinave të erës pranë fshatit. Por konsultimi erdhi vonë. Më 7 korrik 2026, Këshilli Bashkiak i Pukës kishte miratuar tashmë dhënien në përdorim të tokave pyjore për parqe eolike.

Rreth orës 10:00, banorët e Gojanit të Madh dhe të Gojanit të Vogël u mblodhën në kafene. Pritën deri në 12:00 përfaqësuesit e bashkisë, të cilët jashtë fushatave elektorale nuk kishin ardhur kurrë.

Kafeneja ishte plot me burra, kryesisht të moshuar. Tensioni ndihej që para se të mbërrinte kush. Banorët kishin diskutuar gjatë se si do ta shprehnin kundërshtimin, të bindur se asnjë investim nuk do të bëhej për të mirën e tyre.

Kjo bindje kishte një histori. Më parë, banorëve u ishin premtuar vende pune dhe përfitime, jo domosdoshmërisht në para, nga një hidrocentral që do të ndërtohej pranë fshatit. Ata ranë dakord në mirëbesim. Por në fund mbetën pa pikë uji.

“Erdhi kryetari”, u dëgjua nga fundi i lokalit. Të gjithë u ngritën në këmbë për ta përshëndetur. Pas disa minutash shtrëngimesh duarsh, banorët e thanë qartë: e dinin pse kishte ardhur bashkia dhe nuk ishin dakord me investimin.

Kundërshtimi shoqërohej herë-herë me akuza: “Na keni djegur”, “Nuk i keni shuar kastile zjarret”.

Në mes të gushtit, zjarret shkrumbuan dhjetëra hektarë në malet dhe pyjet e Pukës. Banorët u angazhuan vetë për t’i shuar, sepse sipas tyre bashkia nuk solli mjaftueshëm mjete zjarrfikëse dhe punonjës të emergjencave. Prej këtej lindi dyshimi se zjarret u lanë qëllimisht të digjnin, që më pas në ato toka të ndërtoheshin turbinat.

Vetë kryebashkiaku Dodaj tha se mendon që zjarret janë vënë qëllimisht. Por, sipas tij, bashkia bëri çmos për t’i shuar menjëherë.

Diskutimi zgjati rreth dy orë, me fjalë që shkonin e vinin mes dy palëve. Por në tavolinën përballë banorëve ishte ulur edhe dikush tjetër, i prezantuar si “pala e tretë e interesuar”.

Ishte kompania CWP Europe, e cila synon të ndërtojë një park eolik në Tërbun. Kompania kishte sjellë një broshurë me të dhënat kryesore të investimit dhe me atë që do të fitonin banorët. Sapo përfaqësuesit nisën t’i shpërndanin, u përballën me refuzimin e menjëhershëm të banorëve, të cilët nuk treguan asnjë interes për përfitimet e premtuara.

Sipas broshurës, investimi në Tërbun do të kalojë 400 milionë euro dhe do të përfshijë 49 turbina me kapacitet 6.1 MW secila. Kompania premton mbi 1,200 vende pune. Ndërtimi parashikohet të zgjasë rreth pesë vjet, ndërsa parku do të operojë për 35 vjet.

Bashkia Pukë jep me qira 28.5 hektarë për parqe eolike

Bashkia Pukë ka vënë në dispozicion të kompanive të energjisë së erës të paktën 28.5 hektarë tokë nga fondi pyjor dhe kullosor, në zonat Gojan-Shkozë, Kuzhnen, Livadh-Hamez dhe Tërbun.

Më 7 korrik 2026, Këshilli Bashkiak miratoi katër projektvendime për dhënien në përdorim të këtyre sipërfaqeve për infrastrukturën e parqeve eolike. Sipas llogarive të vetë bashkisë, qiratë e katër sipërfaqeve do të sjellin rreth 5 milionë lekë në vit. Nëse kontratat zbatohen për 10 vjet, siç përcaktohet në dokumentin e siguruar nga Citizens.al, të ardhurat e bashkisë do të arrijnë rreth 50.4 milionë lekë.

Një nga sipërfaqet e miratuara është ajo në Gojan-Shkozë, ku bashkia jep në përdorim 3.19 hektarë nga fondi pyjor dhe kullosor për vendosjen e aerogjeneratorëve.

Por relacioni shoqërues i vendimit nuk flet vetëm për përfitimin ekonomik. Ai pranon edhe disa nga ndikimet që mund të ketë ndërtimi i kullave.

Zona e Gojan-Shkozës kufizohet me malin e Tërbunit dhe ka reliev malor, me kurrize dhe kreshta të larta. Dokumenti i bashkisë pranon se turbinat mund të prekin bimësinë ekzistuese. Në zonat e ndërhyrjes ka, ndër të tjera, pishë të zezë dhe ah, që sektori i menaxhimit të pyjeve i konsideron material drusor.

Për ndërtimin e infrastrukturës dhe vendosjen e kullave mund të duhet të priten pemë. Sipas relacionit, vëllimi i drurit që do të largohet do të vlerësohet nga struktura përgjegjëse për pyjet, dhe kompania do të paguajë vlerën e materialit si pjesë e detyrimeve për dëmet mjedisore, vetëm në vitin e parë.

Relacioni përmend gjithashtu ndikimin e mundshëm të zhurmës së turbinave në habitatet e kafshëve të egra, ndër to ujku, ariu i murrmë dhe lepuri.

Bledi Hoxha, përfaqësues i PPNEA, shprehet se ndërtimi i infrastrukturës dhe hapja e sipërfaqeve të nevojshme për instalimin dhe funksionimin e turbinave do të kërkojnë heqjen e vegjetacionit dhe mund të pengojnë procesin e rigjenerimit të pyllit.

“Prania e vazhdueshme e infrastrukturës, zhurma, lëvizja e mjeteve dhe aktivitetet e mirëmbajtjes mund të krijojnë shqetësim të vazhdueshëm për gjitarët, shpendët dhe grupet e tjera të faunës, duke ndikuar në përdorimin e habitatit dhe në sjelljen e tyre.”, u shpreh eksperti mjedisor Hoxha.

Ndër të tjera, ai shton se hapja e rrugëve dhe sigurimi i aksesit gjatë gjithë vitit mund të rrisin ndjeshëm praninë dhe aktivitetin njerëzor në një zonë, e cila aktualisht mund të ketë akses më të kufizuar. Sipas tij, kjo mund të shtojë rrezikun për aktivitete të paligjshme ose të dëmshme për mjedisin, përfshirë prerjen e pyjeve dhe gjuetinë e paligjshme.

The post Pas zjarrit, turbinat: banorët e Pukës kundër parqeve eolike appeared first on Citizens.al.

“Portat e Hapura”, edhe një herë betoni fitoi mbi trashëgiminë

2 October 2026 at 15:05

“Elementi kryesor është që lagjen ne do ta kthejmë të komunikueshme, njerëzit të jenë bashkë, nuk do të ketë porta, nuk do të ketë mur, nuk do të ketë gardhe”, i tha Xhimi Begeja Citizens në vitin 2021.

Atëherë, në oborret e familjeve pranë Pazarit të Ri, u prezantua një vizion ndryshe për zhvillimin e kësaj pjese të Tiranës së vjetër. Nisma “Portat e Hapura” synonte ta rijetëzonte zonën duke ruajtur vilat, oborret dhe lidhjen mes tyre, në vend që t’i zëvendësonte me ndërtime të reja.

Në kuadër të nismës u zhvillua një konkurs me rreth 60 studentë pjesëmarrës. Katër ide u vlerësuan me çmime dhe me mundësinë për t’u zbatuar. Në aktivitet u përfshinë Ambasada e Francës, Universiteti Polis dhe organizata të tjera vendase e ndërkombëtare.

Pesë vite më vonë, projekti i propozuar nga banorët nuk është realizuar. Ndërkohë, në rrugën e Saraçëve, pranë Pazarit të Ri, kanë nisur punimet për një godinë të re 9-katëshe. Projektin e ka hartuar Atelier 4, e njëjta studio që rikonstruktoi vetë Pazarin e Ri.

Projekti që Bashkia nuk e njeh

Në një përgjigje zyrtare për Citizens, Bashkia e Tiranës thotë se nuk ka mbështetur financiarisht asnjë projekt me emrin “Portat e Hapura”. Megjithatë, përfaqësues të Bashkisë ishin të pranishëm në prezantimin e nismës në vitin 2021.

Mateo Begeja, inxhinier konstruktor dhe autor i projektit fitues, thotë se nisma nuk gjeti më pas asnjë mbështetje institucionale.

“Nuk u mirëprit, nuk është se na është bërë një kërkesë që ne të vinim ta prezantonim në nivel bashkiak. Bashkia mbeti joekzistente në këtë drejtim, nuk funksionoi fare”, thotë ai.

Mateo Begeja e lidh mosrealizimin e projektit edhe me interesin e madh për ndërtim në zonë. Sipas tij, çdo godinë e re me intensitet më të lartë ndërtimi i shtyn pronarët përreth t’i zhvillojnë pronat e tyre në të njëjtën mënyrë.

“Kur ndërton një kullë ose një godinë x kate, ajo merr një lloj koeficienti dhe je i detyruar që ti ta kundërshtosh atë lloj koeficienti me një zhvillim tjetër”, shpjegon ai.

Pazari i Ri ka kaluar më herët nëpër një transformim të madh. Në vitin 2017 ai u rihap pas një projekti rivitalizimi me kosto totale rreth 9.5 milionë dollarë, të realizuar nga Atelier 4.

Sipas urbanistes Doriana Musai, ky transformim ka prekur edhe funksionin historik të Pazarit, i cili dikur ishte qendra e tregtisë së përditshme të qytetit.

“Qyteti nuk vjen më në pazar që të bëjë pazarin”, thotë Musai. Zona, sipas saj, është orientuar më shumë drejt turizmit, kafeneve dhe restoranteve, ndërsa ndërtimet shumëkatëshe përreth rrezikojnë ta kthejnë Pazarin e Ri në një “ishull të izoluar”.

“Sa mund të rezistojnë banorët?”

Për banorët që propozuan “Portat e Hapura”, çështja sot nuk është më vetëm fati i një projekti të parealizuar, por e ardhmja e vetë lagjes.

Xhimi Begeja thotë se institucionet duhet të luajnë rol në mbrojtjen e zonave që ende ruajnë elemente të Tiranës së vjetër.

“Shteti duhet të ishte frenues të paktën për zonat autentike, të cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore”, thotë ai.

Për të, vetë emri “Portat e Hapura” vinte nga mënyra si funksiononte dikur lagjja: oborre që komunikonin me njëri-tjetrin dhe marrëdhënie të drejtpërdrejta mes familjeve.

“Çdo oborr kishte porta që lidhej me fqinjët e me njerëzit tanë përreth. Dhe këtë filozofi ne donim që ta shtrinim edhe sot”, thotë Xhimi Begeja.

Doriana Musai shtron një pyetje tjetër përballë ritmit të ndërtimeve: “Sa mund të rezistojnë banorët?”

Sipas saj, kur mungojnë alternativat dhe mbështetja për ta ruajtur pronën ose për ta zhvilluar ndryshe, presioni ekonomik mbi banorët rritet vit pas viti.

Projekti që propozonte ruajtjen e vilave dhe oborreve të Tiranës së vjetër ka mbetur në letër. Në të njëjtën zonë, themelet e godinës së re 9-katëshe tashmë janë hapur.

Lexo më shumë:

The post “Portat e Hapura”, edhe një herë betoni fitoi mbi trashëgiminë appeared first on Citizens.al.

The Guardian: “Starkitektë shkoni në shtëpi”: Cila është e vërteta pas boom-it të ndërtimeve në Shqipëri?

2 October 2026 at 14:33

Oliver Wainwright, kritik i arkitekturës në gazetën prestigjoze “The Guardian”  publikoi sot një analizë të librit “The Albanian Files”, ku vetë arkitektët rrëfejnë se si u kontaktuan nga zyra e Kryeministrit, se si zhvilluesit që zgjedhin “arkitektët e tij” marrin leje, dhe se si në Shqipëri gjejnë një “liri” që në vendet e tyre do ishte e pamundur. Wainwright i lidh këto me ndryshimet në ligjin e 2024 për Zona të Mbrojtura, kritikat e BE-së dhe ngre një sërë pyetjesh për burimin e parave që i ka dhënë këtë hov sektorit të ndërtimit.

Artikulli citon hulumtimin e Citizens.al për lidhjet mes hetimeve të SPAK me projektet e listuara në Albanian Files. Në një shkrim të vitit 2022, Wainwright e nis historinë me kullën në formë koke të Skënderbeut në qendër të Tiranës, për të treguar lidhjen midis shembjes së vilave historike gjatë kohës së pandemisë me përgjimet e mafies italiane mbi rrokaqiejt e Tiranës.

***

* Përshtatur në shqip nga “The Gurdian” | Lexo këtu artikullin origjinal

Rreth 60 studio prestigjioze arkitekture nga e gjithë bota kanë propozuar 500 projekte të bujshme në Shqipëri, duke shkaktuar zemërim dhe protesta. Tashmë, këto projekte janë përmbledhur në një libër prej 800 faqesh, të cilin disa e cilësojnë si “provë komprometuese”.

Vjeshtën e kaluar, isha ulur në një kafene në Nju Jork me një arkitekt të njohur, kur telefoni i tij nuk pushonte së dridhuri nga mesazhet. Më në fund, ai i kontrolloi dhe qeshi. “Oh, grupi i bisedave Ushtria e Arkitekturës Shqiptare po zien sërish”, tha ai. “Duket se Edi ka disa projekte të reja për ne”.

Edi ishte Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë që prej vitit 2013, i cili ka udhëhequr transformimin e shpejtë të vendit ish-komunist përmes një sërë projektesh madhështore ndërtimi. Në Tiranë po ngrihen kulla me forma të përdredhura, krahas hapësirave publike që kanë fituar çmime ndërkombëtare, resorteve mbresëlënëse përgjatë bregdetit dhe shumë projekteve të tjera spektakolare që pritet të realizohen. Të gjitha këto janë përmbledhur tashmë në një libër të ri voluminoz, The Albanian Files.

Siç duket, transformimi i Shqipërisë koordinohet pjesërisht përmes një grupi në ëhatsApp, të quajtur shkurt Albanian ArchArmy (Ushtria Shqiptare e Arkitekturës), ku bëjnë pjesë disa nga arkitektët më të famshëm në botë.

Grupi shërben si një hapësirë ku ndahen arritjet, festohen projektet e reja dhe kryeministri, i cili luan edhe rolin e një patroni të arkitekturës, mbulohet me lavdërime për guximin dhe vizionin e tij. Arkitekti nga Nju Jorku e përshkruan këtë marrëdhënie sikur të ishte një film me superheronj: Rama jep sinjalin dhe starkitektët e botës mblidhen për të ardhur në ndihmë, duke sjellë projektet e tyre të guximshme.

Po të shikosh me kujdes, mund të dallosh madje edhe shqiponjën dykrenare shqiptare të projektuar në qiell.

Plani i zhvillimit të portit të Sarandës nga XDGA, paraqitur në librin The Albanian Files. Foto: Oliver Wainwright/Lars Müller Publishers
Plani i zhvillimit të portit të Sarandës nga XDGA, paraqitur në librin The Albanian Files. Foto: Oliver Wainwright/Lars Müller Publishers

Grupi i WhatsApp-it mund të jetë konfidencial, por The Albanian Files është gjëja më e afërt me të. Është një dokument i jashtëzakonshëm, si për nga ajo që synon të tregojë, ashtu edhe për ato që zbulon pa dashje. Në parathënien e tij, Rama e përshkruan librin si “një dëshmi të çmuar nga prapaskenat” e një procesi që “po e ngre Shqipërinë në një mënyrë që askush nuk e kishte parashikuar”.

Është një katalog mbresëlënës ëndrrash, ku 60 studio ndërkombëtare arkitekture (dhe asnjë e vetme shqiptare) paraqesin planet e tyre për më shumë se 500 projekte në të gjithë vendin.

Për kritikët e Ramës, megjithatë, libri prej 800 faqesh dhe 2.2 kilogramësh është një dosje dëshmish. 

Ata i referohen mungesës së transparencës në procesin e vendimmarrjes, shkatërrimit të trashëgimisë, dëbimeve me forcë, cenimit të peizazheve të mbrojtura, si edhe rolit të industrisë së ndërtimit në Shqipëri në pastrimin e parave të krimit të organizuar.

Publikimi përmban dëshmi të shumta të drejtpërdrejta nga arkitektët, të cilët dokumentojnë përvojat e tyre, ndërsa një deputet i opozitës e ka cilësuar librin si “prova e pakundërshtueshme” (smoking gun), megjithëse nuk ka asnjë pretendim se arkitektët janë përfshirë në ndonjë veprim të paligjshëm.

Rama ka të drejtë në një pikë: askush nuk e pa të ardhmen që po vinte. Shumica e projekteve të paraqitura në faqet e librit janë të panjohura për publikun vendas, i cili ka reaguar me zemërim.

“Starkitektë, shkoni në shtëpi!” – lexohej në një prej pankartave në një protestë të zhurmshme në qershor, përpara një salle në Tiranë, ku ishin mbledhur shumë prej arkitektëve të përfshirë në libër për një aktivitet ekskluziv, për të festuar punën e tyre dhe për të promovuar botimin. “Ku është publiku?”, shkruhej në një tjetër.

Biletat për festivalin e arkitekturës, të titulluar “Bukë e Zemër” kushtonin deri në 200 euro, në një vend ku paga mesatare mujore është 700 euro. Aktiviteti u zhvillua në një moment të tensionuar, vetëm pak javë pasi në mbarë vendin shpërthyen protesta masive kundër planeve shumë-miliardëshe për shndërrimin e rezervatit natyror të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit aty pranë në një resort luksoz, të mbështetur nga familja Trump.

Të pagëzuara si “revolucioni i flamingove”, në referencë ndaj habitateve të brishta që, sipas kritikëve, do të dëmtohen nga projekti, protestat tashmë kanë vijuar për më shumë se 120 ditë, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e Ramës janë bërë gjithnjë e më të forta. Arkitektura e ka gjetur veten papritur në shënjestër të protestave. 

“Është sikur të jetosh në një mbretëri autokratike,” thotë Lorin Kadiu, drejtor i Citizens.al, një platformë investigative që prej vitit 2018 ndjek projektet e ndërtimit në Shqipëri. “Nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën e transparencës, por edhe për faktin se të gjithë ne duhet t’u nënshtrohemi shijeve estetike të një personi të vetëm. I gjithë vendi duhet të pikturohet sipas mënyrës që ai dëshiron.”

Rama, i cili është diplomuar për pikturë, u bë fillimisht i njohur si kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 2000, kur mori vëmendje ndërkombëtare me programin e tij për lyerjen me ngjyra të gjalla të blloqeve gri të stilit sovjetik. Ndryshimi i lirë dhe plot ngjyra funksionoi dhe Rama u vlerësua për qasjen e tij jokonvencionale artistike.

Por tani, shumë prej ish-mbështetësve të tij mendojnë se ambiciet e Ramës në fushën e arkitekturës kanë shkuar shumë larg. Një letër e hapur, e shpërndarë gjatë protestave, dënonte “pastrimin artistik të politikës së buldozerëve” dhe u drejtonte arkitektëve të mbledhur pyetjen nëse ata e shijojnë “lirinë për të bërë këtu atë që do të ndalohej, kundërshtohej apo në një mënyrë tjetër do të bëhej e pamundur në vendet tuaja?”

Nga arkitektët e kontaktuar nga The Guardian, vetëm njëri u përgjigj, duke thënë se nuk bëjnë në Shqipëri asgjë që nuk do t’u lejohej të bënin në një vend tjetër. Ai shtoi se “liria në Shqipëri është padyshim joshëse dhe, për këtë arsye, përgjegjësia personale është më e madhe.”

Siç shkruan Rama në mënyrë domethënëse në parathënien e The Albanian Files, arkitektët tërhiqen nga puna në Shqipëri për shkak të “lirisë nga ‘jo’-ja në të gjitha format e saj”.

Faqet e librit janë të mbushura me vizione për vija bregdetare ende të paprekura, pyje të gjelbëruara, duna dhe laguna të virgjëra. Në Gjipe, një gji që shumëkush e konsideron plazhin e fundit të paprekur në jug të Shqipërisë, studioja holandeze MVRDV ka propozuar një hotel me fasadë xhami pasqyruese që do të kapërcente grykën, “si një xhevahir në bregdet”. 

Ky projekt vjen menjëherë pas kullës që studioja ka projektuar në Tiranë, në formën e kokës së Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë (e cila, çuditërisht, ngjan shumë edhe me Ramën).

Në zonën e mbrojtur të dunave në Ranën e Hedhun, arkitekti i mirënjohur portugez Álvaro Siza ka hartuar masterplanin për një kompleks të ndërtuar në kodër, me teleferik dhe një kullë shumëkatëshe pranë plazhit.

Disa faqe më tej, mjeshtri zviceran Valerio Olgiati propozon një grup kullash prej betoni, që ngrihen nga rëra dhe janë të mbushura me dritare që të kujtojnë frëngjitë mbrojtëse. Të duket sikur po përgatitet të zmbrapsë një pushtim nga deti.

Transformimi luksoz i bregdetit vazhdon me projektuesin fiorentinas të jahteve luksoze, Luca Dini (misioni i studios: “të mahnisë edhe më kërkuesit”). Ai paraqet një udhëtim të ilustruar përmes 17 projekteve të tij, mes tyre Life Marina Complex , i shtrirë përgjatë shtatë kilometrave vijë bregdetare të paprekur pranë Sarandës, dhe resorti Atara, me një “kurorë” të artë që qëndron pezull mbi shkëmbinj, si një tjetër postë vrojtimi ushtarak.

Gjithçka i afrohet parodisë kur ilustrimet e tij në stilin e komikëve përfundojnë me një super-jaht që fluturon mbi një panoramë urbane, ndërsa vetë projektuesi shpall nga kuverta: “[ne] krijojmë hapësira që harmonizohen me mjedisin.”

Ilustrime në stilin e komikëve. Pjesë nga projektet e Luca Dinit në librin The Albanian Files. Foto: Oliver Wainwright/Lars Müller Publishers

Redaktorja e librit, Anneke Abhelakh, u kërkoi arkitektëve të dorëzonin vetë tekstet e tyre dhe ato të bien në sy për sinqeritetin e tyre. Në disa momente, leximi të jep përshtypjen e një regjistrimi të drejtpërdrejtë të një bisede.

“Meqë nuk ka shumë rregulla dhe klientët e mi kujdesen shumë pak për kontekstin, ne detyrohemi t’i mendojmë gjërat përmes vlerave tona,” shkruan arkitekti me bazë në Berlin, Sam Chermayeff.

Ai rrëfen përvojën “vërtet të çmendur” të punës në Shqipëri, përfshirë mënyrën se si, krejt papritur, u telefonua nga një prej bashkëpunëtorëve të Ramës dhe shumë shpejt iu kërkua të projektonte dy kulla në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej 45,000 metrash katrorë- jo pak për një arkitekt që njihet më shumë për projektet eksperimentale të kuzhinave.

“Sigurisht që pranova,” shton ai, “pa e kuptuar vërtet se çfarë po ndodhte.”

I kontaktuar për koment, Chermayeff u përgjigj: “Unë u bëj klientëve shqiptarë të njëjtat pyetje që u bëj klientëve në çdo vend tjetër dhe marr të njëjtat garanci”, duke shtuar se, “ashtu si në Gjermani apo në SHBA, vërtet nuk di më shumë nga sa më thuhet” dhe se nuk punon në zona të mbrojtura ose pranë tyre. “Nuk bëj asgjë,” shtoi ai, “që nuk do ta bëja edhe në një vend tjetër.”

Arkitekti austriak Chris Precht tregon se si u kontaktua në Instagram nga vetë Rama, “duke e pyetur nëse do të ishte i interesuar të punonte në Shqipëri”. Tani ai ka 29 projekte në emër të tij, mes tyre një “Kopsht të Edenit” me vlerë 4 milionë euro, i ndërtuar në oborrin e vetë zyrës së Kryeministrit.

“Është një realitet i paimagjinueshëm,” thotë grupimi i arkitektëve dhe urbanistëve shqiptarë Arkitektët Shqiptarë, i cili ka krijuar një bazë të dhënash online me të gjitha projektet — të publikuara në shqip, ndryshe nga libri. “Një grup i ngushtë arkitektësh të huaj kontaktohet drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit dhe merr projekte pa një procedurë konkurruese.”

Arkitektët e huaj e përshkruajnë ndryshe këtë proces. “Rama nuk i përzgjedh vetë arkitektët, as nuk ua cakton projektet,” më thotë një anëtar i grupit ArchArmy. “Por ai i lidh ata me zhvilluesit. Dhe kuptohet se, nëse këta të fundit zgjedhin një nga arkitektët e tij, do të marrin lejen për të ndërtuar atë që duan.”

Rama i ka mohuar vazhdimisht këto akuza. Në një intervistë të tensionuar për CNN në qershor, ai i cilësoi pretendimet për korrupsion si “lajme të rreme”. 

Ai ka këmbëngulur prej kohësh se protestat më të gjera janë nxitur nga kundërshtarët e presidentit amerikan, përfshirë Iranin. “Po të mos ishte Jared Kushner, askujt nuk do t’i bëhej vonë për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është gjithë kjo urrejtje ndaj Trumpit ajo që krijon gjithë këtë vëmendje të imtësishme,” tha ai.

E kontaktuar nga The Guardian, zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj në mënyrë të detajuar kërkesave për koment, por i cilësoi akuzat si “thashetheme” dhe “vlerësime të hidhura”. Gjatë një fjalimi këtë javë, me rastin e shpalljes së konkursit për një kullë të re, Rama këmbënguli se juritë e konkurseve përbëhen “kryesisht nga arkitektë, urbanistë dhe akademikë që janë plotësisht të lirë”, se “pala shqiptare është në pakicë” dhe se “nuk ka kurrë orientim apo ndikim” mbi jurinë. Ai shtoi se sot Shqipëria është “universiteti” më i madh i hapur i arkitekturës, pasi arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësinë “të takojnë, të ndjekin dhe të punojnë konkretisht me mjeshtra”.

Nëntitulli i librit është “Liria dhe Arkitektura”, dhe shumë prej projekteve të paraqitura japin përshtypjen se arkitektëve u është dhënë dorë e lirë. “Të punosh si arkitekt në Shqipëri është çliruese,” shkruan arkitekti belg Xaveer De Geyter, krahas propozimit të tij për një kompleks prej tre kullash gjigante në formë M-je në portin e Sarandës , “duke krijuar një shkallë lirie që ndonjëherë na lë me djersë të ftohta.”

Studioja spanjolle Arquitectura-G e vlerëson procesin e lejeve të ndërtimit në Shqipëri si “dukshëm më të shpejtë dhe më pak kufizues” se në vende të tjera, i nxitur nga “një vizion i qartë që vjen nga kryeministri”. Edhe arkitekti portugez Manuel Aires Mateus pajtohet: “Ka raste kur gjërat duhet të vijnë nga lart-poshtë.”

Ndjesia e fortë e emocionit që sjell ndërtimi mbi terren të paprekur është gjithashtu e dukshme. Arkitekti i njohur japonez Kengo Kuma përshkruan emocionin që përjetoi teksa fluturonte me helikopter mbi Shqipëri. “M’u duk shumë emocionuese,” shkruan ai, “pasi pjesa më e madhe e natyrës është ende e paprekur.” Në Azi, shton ai, “është shumë e vështirë të gjesh një projekt në një ‘tokë kaq të virgjër’”. Arkitektja me origjinë indiane, me bazë në Berlin, Anupama Kundoo, flet për mundësinë për të krijuar “pa barrën e trashëgimisë” së Evropës dhe vendeve të tjera “të zhvilluara”.

Kundoo po punon për masterplanin e një “vendbanimi laboratorik” për 50,000 banorë në parkun kombëtar të mbrojtur Divjakë-Karavasta. Një projekt i tillë është bërë i mundur vetëm falë një ligji të diskutueshëm të vitit 2024, i cili lejon ndërtimin e resorteve me pesë yje në zona të mbrojtura — një mundësi nga e cila përfiton edhe projekti i mbështetur nga familja Trump në Zvërnec.

Nuk ka asnjë pretendim se ndonjë prej arkitektëve të përmendur në këtë artikull po shkel ligjin.

“Zhvilluesit janë me nxitim,” thotë Kadiu. “Ka një garë për të ndërtuar sa më shumë që të jetë e mundur përpara se këto ligje të shfuqizohen.”

Presioni po rritet. Shqipëria ka hyrë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësimin në BE, por këto rregullore më pak kufizuese mbeten një pengesë. Si ligji i vitit 2024, ashtu edhe legjislacioni i vitit 2015, i cili u jep trajtim të privilegjuar “investitorëve strategjikë”, u kritikuan në një raport të BE-së vitin e kaluar, i cili i cilësoi ato si të papajtueshme me standardet e BE-së.

Një rezolutë e Parlamentit Evropian në qershor të këtij viti “shprehu shqetësim të thellë” dhe bëri thirrje për një “moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore” brenda zonave të mbrojtura. Rama vijon t’i mbrojë të dyja ligjet si politika pragmatike dhe modernizuese, të cilat synojnë të krijojnë një ekuilibër mes ruajtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik me vlerë të lartë.

Përtej frikës për mjedisin, si edhe proceseve jo transparente të lejeve dhe prokurimeve, mbetet edhe një pyetje tjetër thelbësore: si mundet një nga vendet më të varfra të Evropës të përballojë ndërtimin e këtyre projekteve ekstravagante? Çmimet e pronave janë rritur në mënyrë marramendëse, por pa një rritje të ngjashme të pagave apo të kredive hipotekore të dhëna nga bankat. Kjo ka bërë që kritikët të dyshojnë për përfshirjen e parave me origjinë të dyshimtë.

Global Initiative Against Transnational Organized Crime e identifikon sektorin e pasurive të paluajtshme dhe atë të turizmit në Shqipëri si fusha të rëndësishme për pastrimin e parave, duke vënë në dukje se sektori i ndërtimit është “infiltruar thellësisht nga fonde të paligjshme”. Në një raport të vitit 2020, organizata vlerësonte se 1.6 miliardë euro “para të pista” ishin pastruar përmes pasurive të paluajtshme në Shqipëri gjatë tre viteve të mëparshme.

Siç raportova në vitin 2022, përgjimet e rrjedhura në media zbuluan persona të lidhur me mafien italiane duke diskutuar se bumi i ndërtimeve të larta në Tiranë përbënte një mundësi të artë për pastrimin e parave të tyre. Çmimet e ndërtimit prej rreth 500 euro për metër katror dukeshin modeste në krahasim me çmimet e shitjes që arrinin deri në 4,000 euro për metër katror.

SPAK-u, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, po shënon gjithashtu përparim. Në qershor, ajo sekuestroi pasuri me vlerë 150 milionë euro, përfshirë apartamente, vila dhe prona tregtare, të lidhura me një rrjet të dyshuar të trafikut të kokainës. Po në të njëjtin muaj, Pëllumb Gjoka, i cili dikur ishte shpallur “investitor strategjik” nga qeveria shqiptare dhe kishte marrë miratimin për të ndërtuar një resort prej 52 milionë eurosh në bregdet, u dënua me burg për porositjen e vrasjeve të lidhura me botën e krimit.

Hulumtimi i Citizens.al tregon se disa prej projekteve të përfshira në The Albanian Files janë të lidhura me hetime në vijim nga SPAK-u (asnjë prej arkitektëve të përmendur në këtë artikull nuk është i përfshirë në këto hetime), në të cilat pretendohet se kapitali kriminal është kanalizuar përmes kompanive guackë, kontratave të ndërtimit dhe transaksioneve të pasurive të paluajtshme. Më shumë se 40% e projekteve në libër nuk tregojnë as emrin e klientit, duke ngritur për shumëkënd pyetjen: pse gjithë kjo mungesë transparence?

Një ish-anëtar i ArchArmy shpreh keqardhje për mënyrën se si kanë përfunduar gjërat. “Ashtu si të tjerët, u bashkova me bindjen e sinqertë se kjo mund të ishte një ndryshim pozitiv për vendin,” më thotë ai/ajo. “Rama e dinte se Shqipëria do të zhvillohej shumë shpejt dhe nuk donte ta shkatërronte këtë proces. Është më mirë të përfshihen disa arkitektë të mirë për t’u siguruar që rezultati të jetë të paktën i denjë, sesa njerëzit të ndërtojnë apartamente gjenerike përgjatë bregdetit, pa asnjë kontroll.” Arkitekti thotë se u tërhoq pasi ishte pjesë e jurisë së një konkursi që “nuk i dukej demokratik”, si edhe sepse çështjet që lidhen me pronësinë e tokës “i dukeshin gjithmonë shumë të paqarta”.

Ata shtojnë: “Rama ende beson fort se po bën gjënë e duhur për vendin. Ky është një shembull klasik i asaj që ndodh kur mendon se je një udhëheqës dashamirës, por qëndron shumë gjatë në pushtet.”

Kjo ide përsëritet edhe nga një prej kontribuesve më zbulues të librit. Reinier de Graaf, nga studioja holandeze OMA, i drejton një letër të hapur Ramës – e menduar si një parodi, por humori i tij duket “i lodhur”.

 “Duke pasur parasysh statusin e pandryshuar të Shqipërisë si një mecenate e ndritur e arkitekturës,” shkruan ai, “profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të zhvillonte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju … do të vazhdonit të ishit president i përjetshëm – ndoshta edhe mbret.”

Ai shton: “Në një botë autokratësh, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës me shije?”

The post The Guardian: “Starkitektë shkoni në shtëpi”: Cila është e vërteta pas boom-it të ndërtimeve në Shqipëri? appeared first on Citizens.al.

❌