“Trusti i Zvërnecit”, ndërtime deri në 8 kate në zonën e mbrojtur
Edhe pse kanë kaluar dy javë nga denoncimi i parë i ambientalistëve për ndërhyrjen me makineri të rënda në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, institucionet vijojnë të ofrojnë transparencë të cunguar.
Në një përgjigje të mbërritur sot për Citizens.al, një pjesë e të cilës u nda edhe në fomën e një deklarate nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) bëhet zyrtarisht i ditur për herë të parë emri i kompanisë që po zhvillon punimet.
IKMT njofton se shoqëria “Zvërnec South Adriatic Developmenet” po kryen punime përgatitore rrethimi dhe ndërtimi të rrugëve me leje të Këshillit Kombëtar të Territorit, të miratuar me vendimin Nr. 5 të datës 29 prill 2026.
Institucionet janë kujdesur ta ndajnë këtë dokument me njëri-tjetrin, por jo me publikun. Megjithë ndjeshmërinë e lartë dhe shqetësimet e ambientalistëve për një “katastrofë mjedisore”, vendimi nr. 5 nuk gjendet në faqen e KKTU, por përmendet vetëm në rendin e ditës për mbledhjen e 29 prillit. IKMT sqaron se leja e zhvillimit për projektin nuk është lëshuar ende, dhe se kjo është një leje “përgatitore” në funksion të ndërtimit.
Projekti quhet “Zvërnec Peninsula” dhe sipas përshkrimit do të përfshijë godina nga 1 deri në 8 kate për banim, hotel, shërbime edhe sipas emërtimit edhe një port.
A po i besohet Zvërneci një kompanie “guaskë”?
Sipas dokumentave zyrtare, pas kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development” qendrojnë dy emra të panjohur për publikun shqiptar: Nikita Maximovich Vinogradov, shtetas holandez, i lindur në vitin 1991, dhe Zoya Georgieva Gyurova, shtetase bullgare, e lindur në vitin 1988. Ata janë pronarë përfitues me nga 50% të kompanisë që po kryen punime në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë.
Pronësia e kompanisë kalon përmes një zinxhiri shoqërish të regjistruara në Holandë, “Universal Properties Projects B.V”, “Blue Industries Investment Holding B.V” dhe “Dutch Trust Management B.V”, e cila shënohet në ekstrakt si subjekti që “ushtron kontrollin e fundit mbi trust”. Pra, kompania shqiptare që ka marrë lejen nga qeveria, kontrollohet përmes një strukture ndërlikuar me disa shtresa që e bëjnë të vështirë për t’u lexuar nga publiku.
Një nga zonat e fundit të mbrojtura e të pa prekura të bregdetit shqiptar po i besohet një kompanie me pronësi të fshehur pas disa hallkave me shtetas të huaj dhe një trust-i. Ndërsa punimet kanë filluar, asnjë nga dokumentet e projektit nuk është bërë i njohur për publikun.
Organizatat ndërkombëtare në alarm
EuroNatur dhe organizata të tjera mjedisore kanë reaguar ashpër ndaj situatës në Pishë–Poro–Nartë, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve, transparencë të plotë mbi lejet dhe procedurat e ndjekura, si edhe një hetim për të verifikuar nëse Shqipëria po respekton angazhimet e saj ndaj standardeve europiane të mbrojtjes së mjedisit.
Sipas organizatës EuroNatur dhe partnerëve të saj, punimet po kryhen pa një proces transparent, pa përfshirjen e publikut dhe pa respektuar standardet e vlerësimit të ndikimit në mjedis, çka konsiderohet shkelje e ligjeve shqiptare dhe e detyrimeve të marra në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Drejtori ekzekutiv i EuroNatur, Gabriel Schwaderer, deklaroi se këto ndërtime jo vetëm që rrezikojnë një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Europës, por edhe dëmtojnë besueshmërinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.
Reagim të fortë ka pasur edhe nga organizata BirdLife Europe, e cila deklaroi se fadromat po shkatërrojnë në mënyrë të paligjshme një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë. Organizata thekson se pylli bregdetar i Pishë Poro–Nartës është habitat i flamingove, pelikanit kaçurrel dhe një pikë kyçe ndalese për miliona zogj shtegtarë që lëvizin mes Europës dhe Afrikës.
BirdLife Europe përmend gjithashtu se në këtë zonë është planifikuar një projekt i madh zhvillimi i lidhur me Jared Kushner, megjithëse mbetet ende e paqartë nëse punimet aktuale kanë lidhje direkte me të.
Fundjavën e kaluar, më 7 maj, aktivistë dhe organizata mjedisore, përfshirë edhe Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), protestuan me thirrjen “Hiqni duart nga Vjosë–Narta”. Një tjetër protestë pritet të mbahet në fundjavën e 16 majit.
Aktivistët kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve në Pishë Poro–Nartë dhe transparencë të plotë mbi atë që po ndodh në terren. Ata kundërshtuan gjithashtu deklaratat e ministrit të Mjedisit, cili është shprehur se “në zonë nuk po ndodh asnjë degradim”, por vetëm rrethim i një prone private për arsye të survejimeve gjeologjike.
“Në vend që të merren masa të menjëhershme për verifikimin e situatës dhe ndalimin e punimeve, po vërehet një tendencë për t’i justifikuar këto ndërhyrje, ndërkohë që aktiviteti në zonë po intensifikohet”, deklaroi PPNEA.
Organizata kërkon gjithashtu që Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, IKMT dhe Policia e Shtetit të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre ligjore dhe të marrin menjëherë territorin në mbrojtje, duke ndaluar çdo aktivitet të paligjshëm brenda zonës së mbrojtur.
Lexo gjithashtu:
- Fadromat çajnë zonën e mbrojtur, Ministria i sheh si “punime brenda ligjit”
- Ende asnjë konfirmim zyrtar se kush po ndërton në zonën e mbrotjur Pishë-Poro-Nartë
- “Ligj me porosi” edhe për Jared Kushner?
The post “Trusti i Zvërnecit”, ndërtime deri në 8 kate në zonën e mbrojtur appeared first on Citizens.al.
