“Shteti si agjent imobiliar”, ankandet e 2025, nga Sazani te Zyber Hallulli
Viti 2025 ishte ambicioz për qeverinë dhe ndërmarrjen që po administron pronat publike. Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) e ka kthyer vendin në shtëpi ankandesh për partnerët privatët, të paktën “në renderë 3D”.
Nga ishulli i Sazanit, te kullat, stadiumet e reja dhe transformimet e thella urbane, vetëm në 2025 numërohen 31 projekte në Tiranë (16), Durrës (6), Vlorë (4), Elbasan (1), Korçë (2) etj.
Megjithë serinë e konkurseve me studio arkitekture dhe premtimeve për zhvillim, debati për punën e Korporatës u dominua nga shqetësime për transparencën, vendimmarrjen, konkurrencën e kufizuar dhe raportin e paqartë mes përfitimeve publike dhe atyre private.
Shqetësimet e para, mbyllja e ishullit të Sazanit
Viti nisi me lajmin se dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, kishte përfituar statusin e investitorit strategjik për të transformuar një pjesë të ishullit të Sazanit në resort luksoz.
Kushneri e pati zhvilluar këtë ide gjatë një vizite familjare verën e vitit 2023. Ai e bëri publik konceptin në pranverë 2024, në një kohë kur opinioni publik në Shqipëri nuk kishte asnjë informacion.

Në fund të qershorit 2025 qeveria krijoi kompaninë “Albanian State Development & Real Estate”, e cila nën menaxhimin e KISH do të përfaqësonte shtetin në partneritet me “Affinity Partners” të Kushnerit.
Pas këtij zhvillimi, nuk pati informacione të mëtejshme.
Paralelisht KISH prezantoi një sërë projektesh me synim “ridimensionimin e peizazhit urban” ku e përbashkëta e tyre ishte dhënia e hapësirave publike privatëve për ndërtime shumëkatëshe në të ashtuquajturën “Urat për Shqipërinë 2030”.
Në mungesë të një diskutimi të gjerë publik për mekanizmin që po përdorej, qeveria dhe KISH vijuan me dhënien e të tjera projekteve. Projekti i radhës ishte që i jep rezidencat qeveritare në Velipojë dhe Vlorë një kompanie private, për ti kthyer në hotele.
Në këtë periudhë, Citizens.al tregoi si thirrjet hapeshin “pa garë dhe pa llogari”, ndërsa procedurat konkurruese ishin të mangëta ose jo transparente.
Stadiumet dhe dështimi për Bibliotekën Kombëtare
Në fillim të pranverës, projekti i OMA-s u shpall fitues për stadiumin e ri Selman Stermasi, i cili përfshinte dy kulla dhe ndërtesa të reja në zonë, një lajm që ngjalli diskutime për shfrytëzimin e hapësirave publike jo vetëm për impiantin sportiv.

Qasja e njëjtë u kërkua të replikohej me stadiumet e Durrësit (51N4E), Vlorës (XDGA) dhe Korçës (CEBRA). Citizens.al raportoi se konkurset arkitektonike të këtyre thirrjeve kishin hije konflikti interesi. Disa aktorë të përfshirë në garë patën lidhje financiare me juritë, duke ngritur kështu pyetje për procedurat e vlerësimit.
Plani fitues për pallatin e sportit Asllan Rusi nga MVDRV u prezantua si një “top betoni 20-katësh”, i cili u komentua jo vetëm për volumetrinë, por edhe për marrëdhëniet institucionale që sollën projektin në tryezë pa garanci dhe konsultime të gjera publike.
Megjithatë, sfida për KISH u duk më qartë kur thirrjet për investitorë për Bibliotekën Kombëtare dështuan njëra-pas-tjetrës, duke sinjalizuar si problem faktin se zhvillimi i projekteve të gatshme, apo dhe kushti për t’i kthyer rreth 45% të sipërfaqes ndërtimore Korporatës nuk ngjallte interes.
Në këtë kontekst pati tërheqje nga investimi për VOID Tower (Andrea Caputo, te ish-ATSH-ja). KISH vijoi të negociojë me kompaninë e dytë që kishte shfaqur interes, teksa deri në dhjetor nuk pati asnjë njoftim publik për lidhje kontratash me ndokënd nga investitorët që fituan thirrjet e shpallura.
“Modeli KISH” edhe në zhvillimin e jetimores Zyber Hallulli
Pjesa e dytë e vitit 2025 u karakterizua nga një seri lajmërimesh nga thirrjet e KISH, që kthyen debatin mbi planifikimin dhe përdorimin e hapësirave publike.
Bjarke Ingels fitoi në Petrelë konkursin për “Parkun e Besimit” mbi zonën antike të Përsqopit, një projekt që premtonte zhvillimin kulturor dhe turistik, por që për shkak të intensitetit të ndërtimit shfaqi shqetësime serioze në raport me ruajtjen e trashëgimisë dhe identitetit të zonës.

Modeli për zhvillimin e pronave publike përmes partneritetit me privatët u shty përpara nga qeveria me idenë se nuk ka fonde të mjaftueshme dhe po kështu ruhen shpenzimet për zëra të tjerë.
Por thirrjet e KISH treguan se kjo qasje e humbi logjikën. Qeveria tregoi se nuk kishte para, ose më mirë të themi vullnet për të investuar, për zyra administrate, hapësira të reja për institucione sociale apo dhe objekte të trashëgimisë kulturore.
Rasti i parë ishte ai i jetimores Zyber Hallulli. Thirrja e korporatës tregoi synimin xhentrifikues për zhvendosjen e jetimores në një zonë te ish-vilat gjermane, për t’i hapur vend ndërtimit të një kulle. Kjo u përthellua kur u zgjodhën 5 finalistët për projektin dhe investimin.
Rasti në vazhdim ishte ai i Pallatit të Kongreseve, një objekt i rëndësisë së veçantë arkitektonike, por që për qeverinë nuk ia vlen të restaurohet tërësisht pa humbur hapësira publike. Përkundrazi në thirrjen e KISH, u nënkuptua se privatëve të interesuar do t’u jepet mundësia për të ndërtuar një objekt deri në 20 kate të lartë krah Pallatit të Kongreseve.
Bilanci vjetor me pikëpyetje
Ky është viti i dytë i punës konkrete të Korporatës, që pas riformatimit dhe marrjes në dorëzim të pronave publike nga qeveria.
Në periudhën 2024-25, konkurset e KISH kanë shpërblyer me të paktën 1.4 milionë euro grupet finaliste të arkitektëve që kanë marrë pjesë.

Por në një përgjigje për Citizens, Korporata pretendon se “të gjitha fondet […] do të përballohen nga partneri privat i zgjedhur [në fund të procesit] dhe nuk janë kosto për Korporatën”.
Në fund të vitit 2025, panorama që shfaqet nga KISH nuk lidhet aq me projektet që po hidhen për zhvillim, sesa me modelin politik që po konsolidohet: Prona publike shihet si aset për t’u “rijetëzuar” përmes privatëve, shpesh pa garë të plotë, pa analiza kosto-përfitimi dhe pa transparencë mbi vendimmarrjen dhe rrezikun që merr shteti.
Shumë thirrje mbetën në fazë ideje dhe kalohen në harresë ose në rubrikën “Thirrje të mbyllra”, ndërsa kontratat konkrete mungojnë, një sinjal se modeli nuk duket se bind investitorët, por as qytetarët që mbeten pa përgjigje.
Nëse kjo qasje vazhdon, rreziku nuk është thjesht arkitektonik apo urbanistik për tjetërsimin e zonave të ndryshme të qyteteve kryesore të Shqipërisë.
Por bëhet fjalë për një transformim të heshtur të interesit publik në raport me privatët, ku shteti duket se po kthehet në një lloj agjenti imobiliar duke humbur rolin e garantit dhe duke u kthyer në ndërmjetës të projekteve që prekin përherë e më shumë hapësirën e përbashkët, pa një vizion të qartë se kush fiton realisht në fund.
The post “Shteti si agjent imobiliar”, ankandet e 2025, nga Sazani te Zyber Hallulli appeared first on Citizens.al.