PAKISTAN – Të paktën 177 të vrarë në përleshjet në Baluçistan
ISLAMABAD, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Forcat e sigurisë pakistaneze vranë 22 militantë në një operacion të vazhdueshëm, duke e çuar numrin e të vdekurve në 177 në përleshjet me një grup rebelësh që luftojnë për pavarësi në provincën më të paqëndrueshme të vendit në kufi me Afganistanin.
Burime të sigurisë thanë se ushtria, agjencitë e inteligjencës dhe policia kishin shtrënguar kordonin rreth militantëve dhe mund të kishte më shumë viktima.
“Gjatë 48 orëve të fundit, të paktën 33 civilë dhe 17 anëtarë të forcave të sigurisë u vranë gjithashtu”, tha ministri i Mbrojtjes Khawaja Asif në parlament sot në mbrëmje.
Shumica e civilëve u vranë në Gawadar ku Kina po ndërton një port, si pjesë e Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan (CPEC) me vlerë miliarda dollarë, i cili synon të lidhë rajonin kinez Xinjiang me Portin Gwadar përmes një rrjeti autostradash dhe shinash hekurudhore.
CPEC është pjesë e Iniciativës “Një Brez, një Rrugë” të Pekinit për të përmirësuar logjistikën globale.
Asif tha se si India ashtu edhe Afganistani fshiheshin pas rritjes së militantizmit në provincën më të madhe të vendit, Baluçistani.
“Udhëheqja e terroristëve është e vendosur në Afganistan dhe ata marrin mbështetje nga atje”, tha ministri.
Ushtria Çlirimtare e Baluçistanit (BLA), një grup rebel që lufton për pavarësinë e rajonit nga Pakistani, mori përgjegjësinë për sulmet e shumëfishta dhe të koordinuara në të gjithë provincën.
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e caktuan grupin separatist dhe krahun e tij të armatosur, Brigadën Majeed, si Organizata Terroriste të Huaja (FTO).
Baluçistani është provinca më e madhe e Pakistanit, që kufizohet me Afganistanin dhe Iranin.
Rajoni ka mbajtur barrën e një rritjeje të dhunës nga militantët islamikë dhe rebelët etnikë Baloç që luftojnë për pavarësi. //a.i/
The post PAKISTAN – Të paktën 177 të vrarë në përleshjet në Baluçistan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
