Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Basha: Vendimi i Kushtetueses për Rashiçin bie ndesh me Kushtetutën

28 January 2026 at 22:43

PRISHTINË, 28 janar /ATSh/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se zgjedhja e Nenad Rashiçit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë antikushtetuese.

Basha e ka cilësuar këtë vendim me gabime thelbësore dhe në shpërputhje me Kushtetutën.

Në reagimin e tij, Dimal Basha ka ka shkruar se aktgjykimi bie ndesh me Kushtetutën dhe përmban, sipas tij, interpretime të gabuara të Rregullores së Kuvendit, duke shtuar se Gjykata ka tejkaluar kompetencat e saj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, reagon lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin përzgjedhjes së Nenad Rashiçit si nënkryetar.

“Më herët pranova Njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, dhe vlerësoj se i njejti është në shpërputhje me Kushtetutën (67.4) dhe përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse. E para, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit, sepse Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili “bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare.” Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat“, shkruan ai.

Sipas tij, Gjykata, në njoftimin e saj thekson se “z. Nenad Rashiç në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb”.

“Fillimisht, duhet theksuar se është e vërtetë që z. Rashiç nuk ka ardhur në pozitën e tij si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, dhe kjo në vetvete e vërteton se nuk ka pasur propozim nga shumica e këtyre deputetëve. Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar z. Rashiç, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre“, thuhet në reagim.

Ai ka tha po ashtu se si Kryetar i Kuvendit, ka kërkuar tri herë radhazi që të propozohej deputeti i vetëm që nuk i ishte nënshtruar votimit për pozitën e nënkryetarit, mirëpo propozuesi i shumicës së deputetëve nga komuniteti serb refuzonte propozimin dhe kërkonte që të kthehej radha e votimit për deputetët e njëjtë nga subjekti Lista Serbe.

“Kërkesa e propozuesit nga komuniteti serb ishte që të tejkalohej (të diskriminohej) deputeti i dhjetë nga komuniteti joshumicë serb, i cili kishte mbetur pa u propozuar si kandidat për nënkryetar asnjëherë të vetme. Ky diskriminim do të ishte antikushtetues, por madje edhe në kundërshtim me mekanizmin e debllokimit për propozim në më së shumti 3 herë të një kandidati sipas Aktgjykimit të datës 18.08.2025”, shkruan ai.

Pas kërkesës sime për tri herë radhazi për ta propozuar kandidatin Rašić – por që shumica serbe refuzoi ta bënte – ky mosveprim është konsideruar si refuzim i propozimit nga ana ime (pra mospropozim), pasi nuk kishte mundësi të interpretohej ndryshe. Për pasojë, kam aktivizuar procedurën e shortit, siç parashihet në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores, i cili shprehimisht përcakton se: “Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short… Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.”

“Rrjedhimisht, në harmoni me Kushtetutën dhe në përputhje me nenin 12, paragrafi 7 të Rregullores, vazhduam me votimin për deputetin e vetëm të papropozuar. Ky votim rezultoi i suksesshëm, ku me 71 vota “për”, deputeti Nenad Rašić u zgjodh Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e komunitetit joshumicë serb, duke u zbatuar në përpikëri Rregullorja e Kuvendit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese që rregullojnë procedurat e konstituimit të Kuvendit“, shkruan ai.

Përfundimisht, sipas tij, zgjedhja e deputetit Nenad Rashiç për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës ka ardhur vetëm pas mospropozimit nga propozuesi i komunitetit joshumicë serb. Me fjalë të tjera, pas dështimit si pasojë e moszbatimit të nenit 12, paragrafi 6, Rregullorja më ka obliguar drejt aktivizimit të nenit 12, paragrafi 7 për propozim përmes shortit.

“Prandaj, të gjitha pretendimet në Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza, dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e deputetit Nenad Rashiç në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës“, shkruan ai.

Gjykata Kushtetuese, bëri të ditur se procedura e zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

/KosovaPress//r.e/

The post Basha: Vendimi i Kushtetueses për Rashiçin bie ndesh me Kushtetutën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rubio: SHBA miraton çdo muaj buxhetin e qeverisë së Venezuelës

28 January 2026 at 22:38

UASHINGTON, 28 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria e përkohshme e Venezuelës ka rënë dakord t’i paraqesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për miratim një buxhet mujor, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Duke folur në një seancë dëgjimore të një komisioni të Senatit, Rubio tha se qeveria amerikane vendos se për çfarë mund dhe nuk mund të përdoren fondet, në kuadër të asaj që ai e quajti një “mekanizëm afatshkurtër”.

“Në fakt, ata janë zotuar të përdorin një pjesë të konsiderueshme të këtyre fondeve për të blerë ilaçe dhe pajisje drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke shtuar se drejtuesit e Venezuelës kanë qenë shumë bashkëpunues.

Në fillim të janarit, forcat amerikane sulmuan Venezuelën dhe kapën udhëheqësin e saj autoritar, Nicolas Maduro, si edhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, duke e futur vendin e Amerikës së Jugut në një fazë trazirash politike.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të ringjallë industrinë e madhe të naftës në Venezuelë dhe ka premtuar fitime të mëdha si për veten e tij, ashtu edhe për popullin venezuelian.

Menjëherë pas grushtit të shtetit, presidenti Trump njoftoi gjithashtu synimin për ta drejtuar Venezuelën në mënyrë tranzitore, pa sqaruar saktësisht se si e parashikonte këtë proces.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me zëvendëspresidenten e Maduros, Delcy Rodríguez, e cila ka marrë detyrën si presidente e përkohshme e vendit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Rubio: SHBA miraton çdo muaj buxhetin e qeverisë së Venezuelës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis studimi i fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan

28 January 2026 at 22:23

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi sot se investimet mbeten një element thelbësor për avancimin e reformës së menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, duke e cilësuar këtë proces si një prioritet të lidhur ngushtë me mbrojtjen e mjedisit, shëndetin publik dhe integrimin europian të vendit.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Ministrinë e Mjedisit, në bashkëpunim me partnerët francezë u bë e ditur se nisja e studimit të fizibilitetit për tri zona strategjike të vendit: Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan.

Këto zona përfaqësojnë rreth 65% të gjenerimit të mbetjeve urbane në Shqipëri.

Sipas ministrit Jaupaj, studimi synon të ofrojë skenarë konkretë dhe operativë për trajtimin e mbetjeve në të gjitha hallkat e zinxhirit, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për investime afatgjata në sektor.

“Fokusi ynë është i qartë: më shumë ndarje të mbetjeve në burim, më shumë riciklim dhe më shumë investime që mbrojnë mjedisin, shëndetin publik dhe promovojnë ekonominë qarkulluese”, u shpreh Jaupaj.

Ai nënvizoi se me miratimin e ligjit të ri për menaxhimin e mbetjeve, ligjit për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, si dhe me krijimin e “AKEM” si një shoqëri aksionere shtetërore, është përmbyllur faza e parë e reformës në këtë sektor.

Ministri shtoi se hapi i radhës lidhet me konkretizimin e investimeve, të cilat përbëjnë një nga shtyllat kryesore të Kapitullit 27, në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

/a.f/r.e/

The post Nis studimi i fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dobi pret përfaqësues të Expertise France, në fokus drejtësia për të mitur

28 January 2026 at 22:17

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi zhvilloi një takim me Pauline Girerd dhe Rania Fakhoury nga Expertise France.

Ministria e Drejtësisë njoftoi se gjatë takimit u nënvizua rëndësia bashkëpunimit të deritanishëm mes palëve, veçanërisht në fushën e drejtësisë për të mitur dhe asistimit të institucioneve të drejtësisë.

Po ashtu, sipas ministrisë të Drejtësisë u diskutuan mundësitë konkrete për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të ardhmen, në funksion të reformave dhe rezultateve konkrete në sigurimin e nje drejtësie më të afërt dhe në shërbim të qytetareve.

Expertise France, si një entitet publik mobilizon ekspertizën franceze dhe ndërkombëtare për të mbështetur në përcaktimin dhe zbatimin e politikave publike, që u përgjigjen sfidave institucionale, ekonomike, demografike dhe sociale. Expertise France ndihmon për një qasje të integruar të politikave publike.

1 nga 5

/m.q/a.f/r.e/

The post Dobi pret përfaqësues të Expertise France, në fokus drejtësia për të mitur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Asnjë arsye të dyshoj në shëndetin e presidentit Trump

28 January 2026 at 22:00

BERLIN, 28 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz hodhi poshtë sot dyshimet mbi aftësitë e presidentit amerikan Donald Trump për të qeverisur, ndërsa thashethemet për shëndetin e 79-vjeçarit vazhdojnë të qarkullojnë.

“Në bazë të takimeve që kam pasur me presidentin Trump, nuk kam asnjë arsye çfarëdolloj qoftë për të dyshuar në shëndetin e tij”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve.

“Kam përshtypjen se ai është, po, plotësisht i aftë për të kryer detyrat e tij. Nuk kam asnjë tregues që kjo të jetë ndryshe”, shtoi kancelari Merz.

Pavarësisht sigurimeve të përsëritura nga Shtëpia e Bardhë, shëndeti i Trumpit mbetet një temë e shpeshtë debati, me pyetje nëse presidenti po shfaq shenja normale të plakjes, simptoma të lodhjes si kreu i një shteti shumë të angazhuar apo diçka më serioze.

Mavijosje në dorën e tij, të mbuluara dukshëm me grim, janë vënë re në evente publike.

Trump ia ka atribuar këto shenja përdorimit të shtuar të aspirinës, ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kishte deklaruar më herët se ato ishin shkaktuar nga shtrëngimet e shpeshta të duarve.

Raporte mediatike kanë kapur së fundmi Trumpin duke mbyllur sytë gjatë paraqitjeve publike, por presidenti ka hedhur poshtë pretendimet se e kishte zënë gjumi duke thënë se po pushonte ose ishte i mërzitur./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post BERLIN – Merz: Asnjë arsye të dyshoj në shëndetin e presidentit Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 28 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Nafta në nivelin më të lartë të katër muajve nga tensionet gjeopolitike

28 January 2026 at 21:57

NJU JORK, 28 janar /ATSH-DPA/ – Çmimet e naftës kanë rritur në nivelin më të lartë të katër muajve të fundit, me një fuçi nafte “Brent” të Detit të Veriut për dorëzim në mars që u tregtua rreth 68,41 dollarë sot, 84 cent më shumë se një ditë më parë.

Nafta amerikane “West Texas Intermediate”  (WTI)  u rrit me 97 cent, duke arritur në 63,36 dollarë për fuçi.

Këto rritje i çuan të dyja referencat kryesore të naftës në nivelet më të larta që nga fundi i shtatorit.

Shkaku kryesor i rritjes duket të jenë tensionet gjeopolitike, ndërsa investitorët janë përqendruar te zhvillimet në Iran, një vend anëtar i grupit të prodhuesve të naftës OPEC.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Iranin për shtypjen e protestave të fundit kundër udhëheqjes autoritare të vendit dhe ka shtuar praninë ushtarake të SHBA-së në rajon.

Sipas ekspertëve të tregut të mallrave në Standard Chartered, ndjenja në tregun e naftës ka ndryshuar, me pritshmëri për luhatje më të mëdha të çmimeve sesa ishte parashikuar më parë.

Çmimet e naftës bruto janë faktori kryesor që ndikon në koston e karburanteve dhe të naftës për ngrohje, ndaj kjo rritje mund të përkthehet në shpenzime më të larta për konsumatorët./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Nafta në nivelin më të lartë të katër muajve nga tensionet gjeopolitike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Kremlini: Putin i hapur për takim me Zelenskyn në Moskë

28 January 2026 at 21:14

KIEV, 28 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për të takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar rreth luftës në Ukrainë, tha sot këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov.

“Rusia kurrë nuk e ka përjashtuar një takim të tillë”, tha Ushakov për televizionin shtetëror.

“Nëse Zelensky është vërtet i gatshëm për bisedime, ai mund të vijë në Moskë”, shtoi Ushakov, duke theksuar se Putin e ka thënë këtë disa herë më parë.

“Një takim i tillë duhet të përgatitet mirë dhe të fokusohet te rezultatet”, nënvizoi ai.

”Rusia do të garantojë sigurinë e presidentit ukrainas”, shtoi Ushakov.

Megjithatë, Ukraina e konsideron të papranueshëm një udhëtim të Zelenskyt në Moskë për arsye sigurie.

Ministri ukrainas i Jashtëm, Andrii Sybiha, kishte deklaruar më parë se Zelensky është i gatshëm të negociojë çështje të ndjeshme drejtpërdrejt me Putin, si pjesë e përpjekjeve për të ndalur luftën e Rusisë.

“Çështjet më të ndjeshme në kërkimin e një marrëveshjeje paqeje ende nuk janë zgjidhur,” tha Sybiha në një intervistë për portalin ukrainas “European Pravda”.

Këto përfshijnë pyetje territoriale dhe centralin bërthamor të Zaporizhias, i cili ndodhet nën kontrollin e  Rusisë.

Zelensky ka bërë disa herë thirrje për një takim me presidentin rus, ndërsa Moska ka qenë vazhdimisht e rezervuar.

Një takim mes dy liderëve ka qenë gjithashtu një temë e shpeshtë në bisedat telefonike mes presidentit Putin dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Fundjavën e kaluar, negociatorë nga Ukraina dhe Rusia zhvilluan bisedime direkte, për herë të parë pas disa muajsh, në Emiratet e Bashkuara Arabe me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Bisedimet pritet të vazhdojnë të dielën në Abu Dabi./  /Ad.Ab./

The post RUSI – Kremlini: Putin i hapur për takim me Zelenskyn në Moskë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dogana në Konferencën Ndërkombëtare të Teknologjisë në Abu-Dabi

28 January 2026 at 20:36

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po merr pjesë në Konferencën dhe Ekspozitën Teknologjike 2026 të Organizatës Botërore të Doganave (WCO), e cila nisi sot nën temën “Fleksibiliteti Doganor në një Botë Komplekse: Sigurimi dhe Lehtësimi i Tregtisë përmes Inovacionit”.

Ky eveniment treditor, që mbledh mbi 1500 pjesëmarrës nga më shumë se 100 vende, është një platformë ndërkombëtare për shkëmbimin e praktikave më të mira, promovimin e inovacionit teknologjik dhe forcimin e bashkëpunimit mes administratave doganore dhe sektorit privat.

Gjatë konferencës, u theksua roli i teknologjive inteligjente, bashkëpunimit publik-privat dhe përmirësimit të sigurisë së zinxhirëve të furnizimit, si faktorë kyç për një doganë moderne dhe efikase. Takimi synon rritjen e aftësisë së doganave për t’u përshtatur me rreziqet në ndryshim dhe për të lehtësuar tregtinë ndërkufitare në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë.

Ceremoninë e hapjes e drejtuan sekretari i përgjithshëm i WCO, Ian Saunders, dhe personalitete të larta të Emirateve të Bashkuara, përfshirë Ali Mohammed Hammad Al Shamsi, kryetar i Autoritetit Federal të Identitetit, Shtetësisë, Doganave dhe Sigurisë së Portit, si dhe Ahmed Abdullah bin Lahij Al Falasi, drejtor i përgjithshëm i Doganave dhe Sigurisë së Portit.

Pjesëmarrja e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në këtë konferencë synon të forcojë shkëmbimin e eksperiencave ndërkombëtare, të njohë trendet më të fundit teknologjike dhe të përmirësojë kapacitetin e saj për të menaxhuar me efikasitet flukset e tregtisë ndërkombëtare.

/r.e/a.f/

The post Dogana në Konferencën Ndërkombëtare të Teknologjisë në Abu-Dabi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kushtetuesja rrëzon ankimimin Beqajt për masë “arresti me burg” nga GJKKO

28 January 2026 at 20:27

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Beqaj kërkoi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës “arrest me burg” ndaj tij; vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi masën “arrest me burg”; si dhe vendimin e Gjykatës së Lartë e cila rrëzoi rekursin ndaj tij.

Gjithashtu, Beqaj, kërkoi rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për çështjen e tij.

Ilir Beqaj prej 4 korrikut 2024 ndodhet në burg, pasi u arrestua me urdhër të SPAK për abuzimet me fondet e BE në SASPAC, kur ishte në krye të kësaj agjencie.

Ndërsa për dosjen e “Sterilizimit”, ish-ministri po ndiqet në gjendje të lirë.

/m.q/a.f/r.e/

The post Kushtetuesja rrëzon ankimimin Beqajt për masë “arresti me burg” nga GJKKO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ZAGREB – Plenkoviç: Kroacia nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes

28 January 2026 at 20:25

ZAGEB, 28 janar /ATSH-AFP/ – Kroacia nuk do të bashkohet me Bordin e Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi sot kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, pa dhënë një arsye për vendimin.

“Pas një analize të kujdesshme, qëndrimi i qeverisë (…) është se në këtë fazë Kroacia nuk do të bashkohet me Bordin e Paqes për arsye të shumta”, u tha Plenkoviç gazetarëve.

Ai shtoi se nuk do të specifikonte arsyet.

Qeveria kroate kishte treguar më parë se vendi ishte ftuar të bashkohej me strukturën e kryesuar nga Donald Trump.

Plenkoviç kishte deklaruar se Kroacia, një anëtare e Bashkimit Evropian, po priste që BE të harmonizonte qëndrimin e saj për këtë çështje.

I prezantuar javën e kaluar nga Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos Bordi i Paqes fillimisht ishte pjesë e planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në territorin palestinez të Rripit të Gazës.

Por, ambiciet e tij për zgjidhjen e konflikteve në të gjithë botën janë në fakt shumë më të gjera, gjë që, sipas kritikëve të tij, e bën atë një organizatë rivale të Kombeve të Bashkuara./ a.jor.

The post ZAGREB – Plenkoviç: Kroacia nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS- Merz: Ka ardhur koha për të finalizuar marrëveshjen doganore BE–SHBA

28 January 2026 at 20:20

BERLIN, 28 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje sot për një vendim përfundimtar në mosmarrëveshjen lidhur me marrëveshjen doganore mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke folur në Berlin përkrah kryeministrit rumun Ilie Bolojan, Merz tha se “tashmë janë hedhur themelet që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi”.

Megjithatë, kancelari paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të hedhin më dyshime” mbi marrëveshjen e arritur në korrik të vitit të kaluar.

Merz iu referua kërcënimit të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, tashmë i tërhequr, për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë përpjekjen e tij për të marrë nën kontroll Groenlandën.

“Shtetet e Bashkuara duhet të kenë interes që marrëveshjet të respektohen dhe të mos vihen në pikëpyetje nga ‘njoftime të përditshme’,” tha Merz.

“Ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë një përkeqësim të kësaj marrëveshjeje”,  theksoi kancelari gjerman.

Megjithëse marrëveshja BE–SHBA u arrit vitin e kaluar, ajo ende ka nevojë për miratimin e Parlamentit Evropian për t’u bërë zyrtare.

Parlamenti e vendosi formalisht marrëveshjen në pritje javën e kaluar, ndërsa tensionet për Groenlandën u përshkallëzuan.

Plani parashikon që mallrat industriale amerikane të importohen në BE pa tarifa doganore. Në këmbim të këtyre angazhimeve nga BE-ja, Trump pranoi të mos vendosë tarifa të posaçme.

Merz vuri në dukje se negociatat me Uashingtonin vazhdojnë ende në dy sektorë të ndjeshëm: çelikun dhe aluminin./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS- Merz: Ka ardhur koha për të finalizuar marrëveshjen doganore BE–SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Viti 2026, moment kyç për konsolidimin institucional dhe afrimin me BE-në

28 January 2026 at 22:10

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Presidenti Bajram Begaj zhvilloi mbrëmjen e sotme pritjen me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri. Gjatë fjalës përshëndetëse, Begaj i ftoi ambasadorët ta shohin Shqipërinë si shtëpinë e tyre.

Begaj i cilësoi marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përkatësinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut si themelet e sigurisë dhe orientimit tonë ndërkombëtar.

Kreu i Shtetit bëri të ditur qëndrimin aktiv të Shqipërisë përballë zhvillimeve komplekse botërore, orientimin e palëkundur euroatlantik dhe angazhimin për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, Begaj rikonfirmoi politikat e fqinjësisë së mirë, forcimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës, faktorit shqiptar në rajon dhe forcimin e lidhjeve me diasporën.

Duke iu referuar tranzicionit global, Begaj theksoi se Shqipëria e vlerëson atë me një përgjegjësi dhe vëmendje të shtuar.

“Përkatësia euroatlantike dhe bashkëpunimi me partnerët strategjikë”, theksoi Begaj, “nuk janë thjesht për llogari gjeopolitike, por zgjedhje identiteti dhe vlera të patjetërsueshme”.

Dhe këto parime, sipas Kreut të Shtetit, nuk mbeten në nivel deklarativ, por përkthehen në zgjedhje të qarta strategjike dhe aleanca të qëndrueshme.

Duke iu referuar marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Begaj u shpreh, ndër të tjera, se ky partneritet, më shumë se një aleancë politike e ushtarake, është një marrëdhënie e veçantë historike, e ndërtuar mbi mirënjohjen, besimin, vlerat e përbashkëta dhe angazhimin për lirinë dhe demokracinë.

Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës përmendi ftesën e presidentit Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Presidenti i Republikës e cilësoi atë si vlerësim të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë si një partner të besueshëm, të qëndrueshëm dhe të përkushtuar.

Duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Begaj theksoi progresin që është bërë së fundmi me grup-kapitujt e negociatave dhe reformat transformuese, të cilat kanë shënuar kalimin nga aspirata, në një angazhim të strukturuar dhe të bazuar në meritë.

Evropa, theksoi Kreu i Shtetit, mbetet një projekt paqeje dhe vlerash që ndërtohet mbi demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektin për liritë individuale.

Begaj e cilësoi prioritet forcimin e Aleancës Veriatlantike në një epokë ku siguria nuk mund të merret më e mirëqenë, e për këtë theksoi kontributin aktiv të Shqipërisë duke investuar në mbrojtje moderne dhe siguri kibernetike.

Për sa u përket zhvillimeve në rajon, Begaj e cilësoi Shqipërinë si një spirancë të orientimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar faktin se Shqipëria mbetet promotore e dialogut dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, e mbështet fuqishëm Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe angazhohet për fqinjësi të mirë, dialog dhe integrim evropian si horizont i përbashkët.

Një mesazh të veçantë Presidenti i Republikës përcolli edhe për diasporën, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e saj në hapjen e Shqipërisë për zhvillimin e turizmit, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve.

Duke iu referuar prioriteteve të këtij viti, Kreu i Shtetit theksoi se viti 2026 përfaqëson për Shqipërinë një moment të rëndësishëm konsolidimi institucional dhe afrimi me standardet evropiane.

“Synimi ynë është të thellojmë këtë hapje, të forcojmë besimin dhe të krijojmë kushte që lidhja mes Shqipërisë, diasporës dhe partnerëve tanë të përkthehet në zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të mëtejshëm evropian”, deklaroi Presidenti i Republikës, në pritjen e përvitshme me përfaqësues të Trupit Diplomatik në Shqipëri.

Presidenti Begaj pret trupin diplimatik në Tiranë
1 nga 6
Presidenti Bajram Begaj

/m.q/r.e/a.f/

The post Begaj: Viti 2026, moment kyç për konsolidimin institucional dhe afrimin me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Piantedosi: Agjentët e ICE-së nuk kanë fuqi operacionale gjatë Lojërave Dimërore

28 January 2026 at 19:40

ROMË, 28 janar /ATSH-DPA/ – Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi deklaroi sot se oficerët nga agjencia amerikane e imigracionit ICE, që do të jenë të pranishëm gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina d’Ampezzo, nuk do të kenë ndonjë autoritet operativ jashtë misioneve diplomatike amerikane dhe nuk do të veprojnë në territorin italian.

Ai theksoi se vetëm Italia është përgjegjëse për sigurinë jashtë hapësirave diplomatike, duke i qetësuar disa nga shqetësimet rreth pranisë së tyre.

Vendimi për të përfshirë ICE-në në sigurinë që lidhet me Lojërat Olimpike, të cilat fillojnë më 6 shkurt, u njoftua dje nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS).

Sipas DHS-së, një njësi do të mbështesë Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit, dhe nuk do të kryejë veprime të zbatimit të ligjit të imigracionit gjatë ngjarjeve.

Kjo nismë ka shkaktuar shqetësim dhe reagime të ashpra në Itali, sidomos pas një periudhe të tensionuar në Shtetet e Bashkuara  të Amerikës ku oficerë të ICE-së u përfshinë në dy incidente që rezultuan me vrasjen e dy qytetarëve amerikanë nga oficerë federalë në Mineapolis, MinnEsota.

Këto ngjarje kanë nxitur protesta të gjera dhe debate në SHBA mbi taktikat e ICE dhe përdorimin e forcës nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, ka qenë kundër pranisë së një force të tillë amerikane në qytetin e tij.

Ai e quajti ICE një “forcë policore private që vepron në mënyrë të paligjshme”, duke iu referuar incidenteve të fundit në SHBA, dhe tha se nuk dëshiron që kjo njësi të jetë prezent në Milano.

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, e cila njihet si një aleate e ngushtë e presidentit amerikan Donald Trump, ka tentuar të zbusë reagimet duke theksuar se roli i ICE-së do të jetë i kufizuar dhe i kontrolluar këtu në Itali.

Piantedosi gjithashtu u takua me ambasadorin amerikan në Romë për të diskutuar këtë çështje dhe për të sqaruar rolin e zyrtarëve amerikanë në lidhje me sigurinë e Lojërave Olimpike./  /Ad.Ab./

The post ITALI – Piantedosi: Agjentët e ICE-së nuk kanë fuqi operacionale gjatë Lojërave Dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejt fundit reformimi i Qendrës së Shërbimeve Arsimore, kthehet në entitet autonom

28 January 2026 at 19:39

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim me ekipin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Sipas ministres, takimi u zhvillua “për të bashkërenduar punën, komunikimin dhe informimin mbi organizimin e provimeve kombëtare, atyre të Maturës Shtetërore, regjistrimin e nxënësve, administrimin e provimeve të shtetit, të cilat janë vetëm disa prej shërbimeve që ky institucion mbulon”.

Kumbaro gjithashtu bëri të ditur gjithashtu se “përmes bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, është në fazën përfundimtare dokumenti ligjor që reformon Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Agjenci të Shërbimeve Arsimore”.

“Një entitet autonom që do të vijë me standarde të përmirësuara në zgjerimin e kapaciteteve dhe ofertës së shërbimeve, por edhe me metodologji të unifikuara ndërkombëtarisht si një tregues i qëndrueshëm dhe i suksesshëm drejt digjitalizimit të proceseve arsimore dhe përafrimit me kornizat evropiane të cilësisë”, shkruan Kumbaro.

/r.e/a.f/

The post Drejt fundit reformimi i Qendrës së Shërbimeve Arsimore, kthehet në entitet autonom appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Tension në rritje amerikano-iranian mbi çështjen bërthamore

28 January 2026 at 19:00

UASHINGTON, 28 janar /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë përfshirë sërish në një përshkallëzim të tensioneve, këtë herë për shkak të programit bërthamor iranian dhe mundësisë së ndërhyrjes ushtarake amerikane në Teheran.

Presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur retorikë të ashpër, duke paralajmëruar se një “armatë masive” e forcave amerikane, përfshirë aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln”, është duke u zhvendosur drejt Lindjes së Mesme për të rritur presionin mbi Iranin.

Trump ka theksuar në postimet e tij në platformën Truth Social se koha për një marrëveshje pa armë bërthamore po mbaron dhe se Irani duhet “të ulet në tryezë” dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se, nëse Irani refuzon, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për veprime ushtarake edhe më të ashpra sesa sulmet ndaj objektivave bërthamore iraniane që ndodhën në qershor 2025.

Autoritetet iraniane kanë refuzuar kërkesat e SHBA-së për kufizime ndaj programit të pasurimit të uraniumit.

Kreu i programit bërthamor iranian, Mohammad Eslami, tha se Irani ka të drejtën për përdorimin e teknologjisë bërthamore për qëllime civile dhe se kërkesat amerikane për kufizime janë të papranueshme.

Irani ka insistuar prej vitesh se programi i tij bërthamor është vetëm për përdorim civil, ndërsa SHBA-ja dhe disa vende evropiane e akuzojnë Teheranin për synime bërthamore ushtarake.

Në përgjigje të kërcënimeve të presidentit Trump, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka deklaruar se diplomacia e kombinuar me kërcënime ushtarake “nuk është as efektive e as e dobishme”.

“Shtetet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga kërcënimet dhe kërkesat e paarsyeshme nëse duan të zhvillojnë negociata” tha ai.

“Është e papranueshme dhe nuk mund të quhet diplomaci nëse njëra palë kërkon të arrijë qëllimet e saj me forcë”, shtoi Araghchi.

Analistët ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm, duke paralajmëruar se një konfrontim ushtarak mes SHBA-së dhe Iranit do të kishte pasoja serioze për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe për tregjet globale të energjisë.

Situata mbetet e paqëndrueshme, teksa tensionet brenda Iranit vazhdojnë për shkak të protestave të brendshme të shtypura me dhunë.

Ekspertët e politikës së jashtme po vëzhgojnë me kujdes zhvillimet e ardhshme, duke theksuar se çdo lëvizje e pamatur mund të çojë në një krizë më të gjerë ndërkombëtare.

Ndërkohë, diplomacia mbetet e sfiduar përballë kërcënimeve ushtarake dhe qëndrimeve të forta të të dyja palëve./ /Ad.Ab./

The post KOMENT – Tension në rritje amerikano-iranian mbi çështjen bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krijohet Agjencia “Innovation4Albania”, nxitje inovacionit dhe startup-eve

28 January 2026 at 18:40

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ngritjen e Agjencisë “Innovation4Albania”, një institucion publik buxhetor nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, me seli në Tiranë.

Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme, dhe ka si mision të nxisë dhe promovojë inovacionin në administratën publike, të mbështesë zhvillimin e ekosistemit të startup-eve dhe të bashkëpunojë me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë për futjen e teknologjive të avancuara.

Agjencia do të zhvillojë dhe zbatojë politika, programe dhe projekte në fushën e inovacionit, do të identifikojë koncepte dhe teknika të reja për përmirësimin e shërbimeve publike, do të asistojë institucionet publike në zgjidhjen e problematikave komplekse dhe do të menaxhojë fondet mbështetëse për nismat e startup-eve.

Ajo do të ofrojë shërbimin “one stop-shop” për startup-et, do të organizojë dhe promovojë aktivitetet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe do të monitorojë zbatimin e granteve dhe masave mbështetëse.

Pranë Agjencisë funksionojnë edhe njësitë e inovacionit në ministritë dhe institucionet qendrore, të cilat përfshihen në ciklin e “Inovacionit të hapur” duke identifikuar sfidat dhe mundësitë për zgjidhje të reja teknologjike, organizuar projekte pilot dhe aktivitete testuese, dhe duke përgatitur rekomandime për politikave publike.

Një rol këshillimor dhe bashkëpunues do të ketë edhe Këshilli i Inovacionit, ku Agjencia do të shërbejë si sekretariat teknik.

Agjencia drejtohet nga një drejtor i përgjithshëm, i cili emërohet nga ministri përgjegjës për inovacionin dhe mbështetet nga një zëvendësdrejtor. Përzgjedhja e stafit bëhet nëpërmjet procedurave konkurruese, ndërsa strukturat dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit.

Agjencia përfaqëson institucionet ekzistuese të inovacionit dhe startup-eve, duke transferuar punonjësit, asetet dhe fondet përkatëse, dhe shpenzimet për efektet financiare të vendimit për vitin 2026 përballohen nga fondet e miratuara për institucionet përkatëse.

Ky vendim shfuqizon vendimet e mëparshme për Agjencinë e Inovacionit dhe Ekselencës dhe Agjencinë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve dhe hyn në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

/a.f/r.e/

The post Krijohet Agjencia “Innovation4Albania”, nxitje inovacionit dhe startup-eve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shkollat e Shkodrës po rilindin me kujdesin që u ka munguar ndër vite

28 January 2026 at 18:35

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Bashkia e Shkodrës ka kryer një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturën arsimore të qytetit, duke synuar përmirësimin e kushteve, që nga shkollat 9-vjeçare e deri te fakultetet.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale disa foto nga shkollat në të cilat janë kryer ndërhyrje, ndërsa thekson se “shkollat e Shkodrës po rilindin me kujdesin që u ka munguar ndër vite”.

Ndërhyrjet nuk janë kryer vetëm në aspektin estetik, por për të rritur funksionalitetin dhe për të krijuar një mjedis më dinjitoz për nxënësit dhe mësuesit.

Ministria e Arsimit gjatë vitit 2025 për infrastrukturën shkollore në Shkodër ndau 7 milionë euro.

/m.q/a.f/r.e/

The post Rama: Shkollat e Shkodrës po rilindin me kujdesin që u ka munguar ndër vite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Marta Kos: Vota e parlamentit serb për kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit hap pas në rrugën drejt BE-së

28 January 2026 at 18:19

BRUKSEL, 28 janar /ATSH/ – Vota e Parlamentit të Serbisë për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit është një hap serioz prapa në rrugën e Serbisë drejt BE-së, tha sot në X eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.

”Në një kohë progresi të madh për zgjerimin, kur Mali i Zi dhe Shqipëria po ecin me shpejtësi, Serbia rrezikon të marrë drejtimin e kundërt”, theksoi ajo.

”Kjo nuk është ajo që duam”, përfundon Kos.

Parlamenti i Serbisë ka miratuar një paketë ndryshimesh ligjore për reformimin e sistemit gjyqësor, një hap i mbështetur nga qeveria nacionaliste e djathtë, por i kritikuar ashpër nga kundërshtarët si një goditje ndaj pavarësisë së drejtësisë.

Agjencia e lajmeve Beta raportoi sot se 138 deputetë votuan pro paketës ligjore, ndërsa 37 kundër.

Ligjet e ndryshuara i japin presidentit Aleksandar Vuçiç, të cilin kritikët e përshkruajnë si gjithnjë e më autoritar, mundësi më të mëdha për të ndërhyrë në punët e prokurorisë publike dhe të gjyqësorit.

Mes institucioneve të prekura nga reformat është edhe Prokuroria Speciale për Krimin e Organizuar (TOK).

Në dhjetor, kjo prokurori ngriti aktakuzë ndaj ministrit të Kulturës dhe njëherazi bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiçit, Nikola Selakoviç.

Ai akuzohet se ka falsifikuar dokumente për të siguruar heqjen e statusit të mbrojtur të një ndërtese në Beograd.

Bëhet fjalë për ish-selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, e cila u dëmtua rëndë nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999, dhe për të cilën kishte shfaqur interes dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Jared Kushner.

Megjithatë, Kushner u tërhoq nga projekti pasi Selakoviç u padit.

Në atë kohë, Vuçiç sulmoi ashpër TOK-un dhe e kërcënoi atë me masa të papërcaktuara.

Legjislacioni i miratuar së fundmi u paraqit si nismë individuale nga deputeti i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Ugljesha Mrdiç, gjë që lejoi kalimin e tij të përshpejtuar në parlament.

Kjo procedurë e shpejtë i privoi Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, dy organe të specializuara të sistemit të drejtësisë – nga mundësia për të dhënë opinionet e tyre mbi reformat.

Mrdiç argumentoi se ligjet e reja do t’i bëjnë procedurat ligjore më efikase dhe do t’ia rikthejnë shtetit dhe popullit një drejtësi të rrëmbyer.

Kritikët, nga ana tjetër, i shohin këto reforma si një hap tjetër larg objektivit të deklaruar të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Serbia ka nisur negociatat e anëtarësimit që në vitin 2014, por përparimi ka ngecur prej vitesh.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladan Petrov, e cilësoi procesin e përshpejtuar si një gabim.

”Çdokush që ngrihet në mbrojtje të ligjit dhe drejtësisë duhet të peshojë me kujdes çdo hap”, tha ai në një intervistë për televizionin proqeveritar ”Pink”.

Gjykata Kushtetuese përgjithësisht shihet si e bindur ndaj udhëheqjes së Vuçiçit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – Marta Kos: Vota e parlamentit serb për kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit hap pas në rrugën drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet fond shtesë për shpronësimin e pronave që preken nga hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas

28 January 2026 at 18:19

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi fond shtesë për kompensimin e pronarëve të pasurive private që do të preken nga rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Tiranë dhe lidhja me aeroportin e Rinasit.

Pronat private që shpronësohen do të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, e cila për pasuritë e llojit arë, truall dhe vreshtë arrin shumën 377 milionë lekë. Ky fond zëvendëson vlerën paraprake të miratuar më herët prej 280 milionë lekësh.

Në tabelën e shpronësimeve janë bërë ndryshime dhe shtesa, duke përfshirë pasuri të reja që do të shpronësohen.

Shpenzimet shtesë procedurale prej 50 mijë lekësh do t’i paguajë Hekurudha Shqiptare.
Vendimi do të zbatohet menjëherë dhe do të publikohet në Fletoren Zyrtare.

/a.f/r.e/

The post Miratohet fond shtesë për shpronësimin e pronave që preken nga hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Trump nuk i lyen më flokët: Një lëshim ndaj moshës!

28 January 2026 at 18:18

UASHINGTON, 28 janar /ATSH-ANSA/ – Nga biond në ngjyrë platini duke kaluar edhe në një fazë rozë, sidoqoftë, tani, sipas revistës ”New York”, presidenti amerikan, Donald Trump ka hequr dorë nga lyerja e flokëve.

”Është i vetmi lëshim ndaj moshës”, i ka thënë një burim nga Shtëpia e Bardhë gazetarit të së përjavshmes, i cili ka bërë një check-up të presidentit duke e intervistuar për shëndetin e tij.

Trump, i cili mbush 80 vjeç më 14 korrik, është i njohur si hipokondriak: prandaj nuk duhet t’i ketë pëlqyer shumë goditja e revistës, e cila e titulloi profilin e gjatë ”The Superhuman President” (”Presidenti mbinjerëzor”).

”Nëse do të shkruani një histori të keqe për shëndetin tim, do t’ju bëj keq me padi njëra pas tjetrës”, ka kërcënuar Trump intervistuesin, në prani të dy mjekëve.

”Jam në shëndet të përkryer dhe ndihem njësoj si 40 vjeç”, ka thënë manjati, edhe pse pas kuintave bashkëpunëtorë të tjerë kanë pranuar shenja rënieje: për shembull dëgjimi, pasi ai u kërkon shpesh bashkëbiseduesve të flasin më fort, edhe pse sipas të gjithëve vetë ai ”nuk është i vetëdijshëm që nuk dëgjon”.

Asgjë serioze gjithsesi, dhe asgjë që të konfirmojë thashethemet për probleme kardiake, të qarkullimit të gjakut apo mendore që kanë qarkulluar muajt e fundit (mavijosjet në dorë që i atribuohen shtrëngimeve të duarve dhe aspirinës në dozë të lartë, kyçet e fryra apo dremitjet gjatë mbledhjeve të qeverisë).

Duke folur për të atin, Fred, i vdekur në moshën 93-vjeçare, por i prekur nga Alzheimeri, në vitet e fundit të jetës, Trump pati një moment boshllëku:

”Kishte një problem. Në një moshë, rreth 86, 87 vjeç… filloi të kishte, si quhet ajo gjëja?”, pyet ai.

”New York” shkruan se në atë moment presidenti u kthye nga zëdhënësja, Karoline Leavitt për t’i sugjeruar termin.

”Alzheimer”, u përgjigj ajo.

”Diçka si Alzheimer”, pohoi Trump.

Trump ia ka atribuar shëndetin e tij gjenetikës.

”Gjenetikisht jam shumë mirë. Nëna ime dhe familja e saj kanë jetuar gjatë, shumë mbi të 90-at. Asnjë sëmundje zemre në familje. Kam një mik, nëna e të cilit ka vdekur 49 vjeçe dhe babai 50, të dy nga infarkti… Kundër gjenetikës nuk mund të bësh asgjë”, thotë ai./ a.jor.

The post SOFT NEWS – Trump nuk i lyen më flokët: Një lëshim ndaj moshës! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌