Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 1 February 2026Main stream

Plagoset një person në Mitrovicë, arrestohet i dyshuari

1 February 2026 at 16:19


Sot rreth orës 14:00, Policia e Kosovës ka pranuar informatën për një person të plagosur në Mitrovicë nga arma e zjarrit.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Ilaz Kodra”, ka njoftuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Viktima i moshës madhore (mashkull) i plagosur është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

"Si rezultat i veprimeve të shpejta operative dhe hetimore, Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë një person të dyshuar, i cili dyshohet se ka plagosur viktimën. Në cilësinë e provës materiale, nga i dyshuari është konfiskuar një armë zjarri", ka shtuar Zahiti.

Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e rastit, janë duke vazhduar procedurat e mëtejme hetimore./Telegrafi/

Skijimi jashtë pistave në Brezovicë shkakton ortek bore, lëndohet një skiatorë

1 February 2026 at 15:18


Qendra e Skive në Brezovicë ka lëshuar një paralajmërim serioz pas një incidenti të ndodhur sot, ku tre skiatorë kanë hyrë jashtë pistave të shënuara, duke shkaktuar një ortek bore.

Sipas njoftimit të Qendrës së Skive në Brezovicë, dy nga skiatorët janë larguar vetë nga vendngjarja, ndërsa një tjetër ka mbetur në majë të një piste të pashënuar me këmbë të lënduar.

Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionalizmit të ekipit të shpëtimit, skiatori është transportuar në mënyrë të sigurt në ambulancë.

“Në këtë mënyrë, individët e papërgjegjshëm kanë rrezikuar jetën e tyre, si dhe jetën e shpëtimtarëve gjatë ndërhyrjes”, thuhet në njoftim.

Autoritetet kanë bërë të ditur se për incidentin është njoftuar edhe policia.

Qendra e Skive Brezovicë apelon tek të gjithë skiatorët dhe snowboarder-ët që të përdorin vetëm pistat zyrtare dhe të shënuara, pasi skijimi jashtë tyre përbën rrezik serioz për jetën e vizitorëve dhe të ekipeve të shpëtimit. /Telegrafi/

Fillojnë hetimet për manipulim votash edhe në Mitrovicë, pritet intervistimi i 43 kryesuesve të QKN-ve

1 February 2026 at 10:21


Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar intervistimin e 43 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit nga komunat Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Këto intervista po zhvillohen për shkak të dyshimeve për manipulim të numërimit të votave gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Autoritetet theksojnë se qëllimi i këtyre veprimeve është mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimit të çdo rasti të dyshuar, me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Rinumërimi i votave u krye pas dyshimeve për manipulime të kandidatëve për deputetë.

Gjatë këtij procesi, votat për disa kandidatë ndryshuan, në disa raste deri në 6 mijë për një individ, ndërsa votat për partitë mbetën të pandryshuara.

Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra dhe po vazhdojnë hetimet.

Përveç Prizrenit, Malishevës hetime po kryhen edhe në Ferizaj, Pejë dhe Drenas. /Telegrafi/

Protesta kundër lëvizjeve të fundit të administratës amerikane në Danimarkë dhe Itali

1 February 2026 at 08:55


Qindra veteranë danezë, shumë prej të cilëve luftuan përkrah trupave amerikane, organizuan një protestë të heshtur të shtunën jashtë ambasadës amerikane në Kopenhagë.

Demonstrata u zhvillua mbi komentet e administratës Trump që minimizuan kontributet e tyre luftarake dhe mbi kërcënimet për të marrë kontrollin e Grenlandës.

Mbledhja filloi në fortesën Kastellet të Kopenhagës, një vend historik që përdoret ende nga ushtria, nga ku ata marshuan drejt ambasadës aty pranë duke mbajtur flamuj danezë, transmeton Telegrafi.

"Danimarka ka qëndruar gjithmonë krah për krah me SHBA-në dhe ne kemi qenë të pranishëm në zonat e krizës në botë kur SHBA-të na kanë kërkuar ta bëjmë këtë", tha grupi danez Veterans & Veteran Support, grupi që organizoi protestën, në një deklaratë.

"Ndihemi të zhgënjyer dhe të tallur nga administrata Trump. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë sa shumë na dhemb që kontributet dhe sakrificat e Danimarkës në luftën për demokraci, paqe dhe liri po harrohen në Shtëpinë e Bardhë", u tha ndër tjera.

Pjesëmarrësit vendosën 52 flamuj danezë jashtë ambasadës, secili me emrin e një ushtaraku të vrarë në Afganistan ose Irak. Ndërsa emrat lexoheshin me zë të lartë, disa pjesëmarrës u prekën deri në lot.

Veteranët danezë thanë se ishin të zemëruar nga deklaratat e SHBA-së që shpërfillnin të drejtën e Grenlandës për vetëvendosje, dhe shpërfillnin rolin e Danimarkës në sigurimin e sigurisë në Arktik.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke folur më parë këtë javë në Davos të Zvicrës, kishte shpërfillur ushtarët aleatë. "Ne kurrë nuk kemi pasur nevojë për ta, ne kurrë nuk kemi kërkuar asgjë prej tyre".

"E dini, ata do të thonë se dërguan disa trupa në Afganistan, ose këtë apo atë, dhe ata e bënë, ata qëndruan pak prapa, pak larg vijave të frontit", shtoi ai.

Një veteran, Søren Knudsen, 65 vjeç, tha se komentet kishin ofenduar shumë nga ata që shërbyen.

"Kemi disa që vuajnë nga PTSD ose të ngjashme. Dhe kemi shumë veteranë që për fat të mirë nuk vuajnë nga asgjë, por ata ende ndihen të ofenduar nga deklaratat", tha ai.

Dyzet e katër ushtarë danezë u vranë në Afganistan, numri më i lartë i vdekjeve për frymë midis forcave të koalicionit, dhe tetë të tjerë në Irak.

Diku tjetër në Evropë, protesta u zhvilluan edhe në Itali, ku qindra u mblodhën në Milano për të kundërshtuar vendosjen e agjentëve të Imigracionit dhe Doganave (ICE) të SHBA-së gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të ardhshme.

Demonstruesit mbushën Piazza XXV Aprile, e emëruar për çlirimin e Italisë nga fashizmi nazist në vitin 1945, duke fryrë bilbila dhe duke valëvitur banderola që shkruanin "kurrë më do të thotë kurrë më për askënd" dhe "vetëm akull në Spritz", një referencë për aperitivin popullor.

Protesta u mbështet nga anëtarë të Partisë Demokratike, konfederatës sindikale CGIL dhe ANPI, e cila ruan kujtimin e rezistencës antifashiste të Italisë.

Kryebashkiaku Giuseppe Sala tha se agjentët e ICE nuk ishin të mirëpritur në Milano. Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi është thirrur në Parlament për të shpjeguar vendosjen.

Lojërat Olimpike Dimërore hapen më 6 shkurt, me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio midis atyre që pritet të marrin pjesë. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Vazhdon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tregu ilegal në Mitrovicë

31 January 2026 at 14:31


Edhe sot ka vazhduar aksioni i Drejtorisë së Inspekcionit për largimin e shitësve ilegal që ushtronin veprimtari tregtare në rrugë dhe trotuare në zonën e tregut.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të Komunës së Mitrovicës, ku ndër të tjera shkruhet se aksioni po zhvillohet nën udhëheqjen e Drejtorit të Inspekcionit, Mujë Igrishta, së bashku me inspektorët komunalë, në bashkëpunim me Policinë dhe KRM “Uniteti”.

“Drejtoria e Inspekcionit është e vendosur që të lirojë të gjitha hapësirat publike në gjithë qytetin dhe nuk do të tolerohet asnjë formë e uzurpimit të tyre nga shitësit ilegalë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, drejtori Igrishta ka thënë se: “Aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim vendosjen e rendit, garantimin e sigurisë dhe respektimin e ligjit”. /Telegrafi/


Kosovë/ Komunat në veri votojnë sërish për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

30 January 2026 at 23:18

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të premten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Kjo është hera e dytë që ato votojnë për këtë, pas votimit të 18 dhjetorit të vitit të kaluar.

Por, votimi i dhjetorit ishte shpallur i paligjshëm nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për shkak të parregullsive procedurale, pasi, ndër të tjera, propozimi ishte bërë nga kryetarët e komunave.

“Kjo praktikë bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (neni 47.2), i cili përcakton se vetëm anëtarët e kuvendit kanë të drejtë të kërkojnë shtimin e pikave në rendin e ditës gjatë seancës, dhe atë vetëm për çështje urgjente me rëndësi publike”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook pas votimit të dhjetorit.

Ai e kishte kritikuar Listën Serbe se me këtë votim po synonte “nxitjen e ndasive ndërmjet komuniteteve, përçarjen, mosbesimin dhe tensionet, duke treguar mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar me komunat e tjera në kuadër të Asociacionit”.

Vendimi i ri i së premtes duhet t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për aprovim, pasi ajo është organi kryesor mbikëqyrës i komunave.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023. Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare./REL/

E gjeneruar kjo arratisje në vaskë nga kontrolli i policëve të ICE

30 January 2026 at 16:04

Pretendimi: Kjo video tregon një protestues që i shmanget policisë së emigracionit në një vaskë në Minnesota

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————–

Një video qesharake që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një protestues të veshur si viking në Minnesota, ShBA, i cili po i shmanget vrapit të një grupi të policisë së emigracionit (ICE).

Në disa qytete amerikane, përfshirë Minneapolis, kryeqytetin e Minnesota, ka pasur përplasje midis qytetarëve dhe agjentëve të ICE pas bastisjeve të ndryshme dhe operacioneve të kontrollit të imigracionit, dhe veçanërisht vrasjesRenee Nicole Good më 7 janar dhe vrasjes së protestuesit Alex Pretti në 24 janar nga agjentët e ICE.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon një incident të vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

‘Agjentët’ e ICE duken identikë dhe lëvizjet e tyre janë të panatyrshme. Ata nuk mbajnë veshur uniformat standarde. Këmbët e oficerëve nuk prekin tokën dhe siluetat e tyre janë të shtrembëruara. Ndërkohë, fytyrat e njerëzve në video janë të turbullta. 

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimsht në Instagram, Facebook, TikTok, dhe YouTube nga llogaria “Strange AI.”

Në videon origjinale vërehet një tjetër gabim i programit gjenerues: ora shfaqet si “4:06 PHM” në vend të “4:06 PM.” Ndërkaq, televizioni “POVART”, logo e të cilit shfaqet në këtë video, nuk ekziston si media.

Në profilin e YouTube, përdoruesi shpjegon se StrangeAI është një llogari ku “botët, krijesat dhe fantazitë e çuditshme të gjeneruara nga AI marrin jetë”. AI shton: “Nga transformimet e mahnitshme te paroditë mahnitëse të IA-së, kanali ynë është destinacioni juaj ideal për histori futuriste dhe krijime dixhitale të çuditshme.”

Përshkrimi i kanalit në Youtube StrangeAI

Në përshkrimin e llogarisë StrangeAI në Facebook, gjithashtu, thuhet: “Përmbajtja ime është tërësisht Inteligjencë Artificiale dhe e redaktuar nga unë”.

Përshkrimi i llogarisë StrangeAI në Facebook

Për më tepër, përdoruesi e ka etiketuar videon si “komedi” dhe “meme”. 

Për të mos lënë asnjë dyshim, menaxheri i faqes StrangeAI pranoi për Snopes se video ishte krijuar me Sora 2, një nga mjetet më të fundit të zhvilluara nga OpenAI për të transformuar tekstin në video shumë realiste.

Nuk ka raporte të tjera në shtypin vendas ose artikuj lajmesh që dokumentojnë ndonjë incident të ngjashëm.

The post E gjeneruar kjo arratisje në vaskë nga kontrolli i policëve të ICE appeared first on Faktoje.al.

Rikthehen moti i keq në juglindje të vendit, bora zbardh Boboshticën dhe Dardhën! Ja si paraqitet gjendja e rrugëve

By: Fax Web
29 January 2026 at 13:48

Rikthehet moti i keq me temperatura të ulëta dhe reshje të dëborës në juglindje të vendit.

Gjatë orëve të natës janë regjistruar reshje bore me intensitet të ulët në segmentet rrugore Korçë-Boboshticë-Dardhë.

Autoritetet rrugore kanë ndërhyrë menjëherë, duke kryer pastrimin dhe kriposjen e aksit për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës.

Aktualisht, qarkullimi i mjeteve vijon normalisht, pa probleme apo bllokime dhe po monitorohet për në vazhdim.

 

 

Pamje të reja të Alex Prettit 11 ditë para se të vritej - ai shkelmonte veturën e ICE

29 January 2026 at 08:52


Janë publikuar pamje të reja të Alex Prettit në një grindje me agjentët federalë në Minneapolis, 11 ditë para se të qëllohej për vdekje.

Videoja tregon Prettin , 37 vjeç, në cep të East 36th dhe Park Avenue më 13 janar, ku agjentët federalë po bllokonin një rrugë.

Kjo ndodhi vetëm katër ditë pasi një agjent i ICE qëlloi dhe vrau 37-vjeçaren Renee Good në automjetin e saj në Portland Avenue South aty pranë, dhe 11 ditë para se Pretti të qëllohej për vdekje nga agjentët e zbatimit të ligjit për imigracionin të shtunën e kaluar.

Familja e Prettit ka konfirmuar se është ai në pamjet e reja.

Çfarë tregon videoja?

Ndërsa agjentët fillojnë të largohen nga turma, Pretti duket se pështyn drejt automjetit dhe e shkelmon derën e pasme të tij.

Një agjent doli më pas nga automjeti, e kapi dhe e shtyu përtokë, shkruan skynews.

Gjatë përleshjes, agjentët qëllojnë gaz lotsjellës drejt turmës. Ata vazhdojnë ta mbajnë burrin nën kontroll përpara se të lirohet.

Një armë mund të shihet pas shpinës së tij ndërsa ai u bërtet zyrtarëve, të cilët po tërhiqen.

- YouTube www.youtube.com

Çfarë është thënë për pamjet filmike?

Një përfaqësues i familjes konfirmoi se burri në video është Pretti.

Steve Schleicher, avokati i familjes Pretti, tha në një deklaratë: "Një javë para se Alex të qëllohej me armë në rrugë - pavarësisht se nuk paraqiste kërcënim për askënd - ai u sulmua dhunshëm nga një grup agjentësh të ICE-së.”

"Asgjë që ndodhi një javë më parë nuk mund ta justifikonte vrasjen e Alexit nga duart e ICE më 24 janar", tha Schleicher.

Një zëdhënës i Sigurisë Kombëtare shtoi se ekipi i hetimeve po e shqyrton videon. /Telegrafi/

ITALI – Piantedosi: Agjentët e ICE-së nuk kanë fuqi operacionale gjatë Lojërave Dimërore

28 January 2026 at 19:40

ROMË, 28 janar /ATSH-DPA/ – Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi deklaroi sot se oficerët nga agjencia amerikane e imigracionit ICE, që do të jenë të pranishëm gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina d’Ampezzo, nuk do të kenë ndonjë autoritet operativ jashtë misioneve diplomatike amerikane dhe nuk do të veprojnë në territorin italian.

Ai theksoi se vetëm Italia është përgjegjëse për sigurinë jashtë hapësirave diplomatike, duke i qetësuar disa nga shqetësimet rreth pranisë së tyre.

Vendimi për të përfshirë ICE-në në sigurinë që lidhet me Lojërat Olimpike, të cilat fillojnë më 6 shkurt, u njoftua dje nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS).

Sipas DHS-së, një njësi do të mbështesë Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit, dhe nuk do të kryejë veprime të zbatimit të ligjit të imigracionit gjatë ngjarjeve.

Kjo nismë ka shkaktuar shqetësim dhe reagime të ashpra në Itali, sidomos pas një periudhe të tensionuar në Shtetet e Bashkuara  të Amerikës ku oficerë të ICE-së u përfshinë në dy incidente që rezultuan me vrasjen e dy qytetarëve amerikanë nga oficerë federalë në Mineapolis, MinnEsota.

Këto ngjarje kanë nxitur protesta të gjera dhe debate në SHBA mbi taktikat e ICE dhe përdorimin e forcës nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, ka qenë kundër pranisë së një force të tillë amerikane në qytetin e tij.

Ai e quajti ICE një “forcë policore private që vepron në mënyrë të paligjshme”, duke iu referuar incidenteve të fundit në SHBA, dhe tha se nuk dëshiron që kjo njësi të jetë prezent në Milano.

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, e cila njihet si një aleate e ngushtë e presidentit amerikan Donald Trump, ka tentuar të zbusë reagimet duke theksuar se roli i ICE-së do të jetë i kufizuar dhe i kontrolluar këtu në Itali.

Piantedosi gjithashtu u takua me ambasadorin amerikan në Romë për të diskutuar këtë çështje dhe për të sqaruar rolin e zyrtarëve amerikanë në lidhje me sigurinë e Lojërave Olimpike./  /Ad.Ab./

The post ITALI – Piantedosi: Agjentët e ICE-së nuk kanë fuqi operacionale gjatë Lojërave Dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjidhet problemi i ngrohjes në shkollën “Fazli Greiçevci” në Verrnicë të Mitrovicës

28 January 2026 at 14:54


Drejtoria e Arsimit ka zgjidhur problemin e ngrohjes në shkollën “Fazli Greiçevci”, paralelja e ndarë në Verrnicë, përmes vendosjes së një kaldaje të re, duke përmirësuar kushtet për nxënësit dhe stafin arsimor.

Sipas njoftimit, kaldaja është siguruar si donacion nga Drejtoria e Shëndetësisë, në kuadër të mbështetjes për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në komunë.

Drejtori i Arsimit, Shefki Begu, ka shprehur falënderim ndaj Drejtorisë së Shëndetësisë për këtë mbështetje, si dhe ndaj ekipeve punuese që mundësuan instalimin dhe vënien në funksion të kaldajës.

Nga komuna bëhet e ditur se ky veprim dëshmon përkushtimin institucional për krijimin e kushteve të përshtatshme dhe të sigurta për procesin mësimor, si dhe për ngritjen e standardeve infrastrukturore në institucionet arsimore. /Telegrafi/


MPB me detaje për bastisjen në Bërvenicë, sekuestrohen armë, drogë dhe para - ndalohen pesë persona

28 January 2026 at 13:01


MPB Maqedoni njofton se sot (28.01.2026) në orën 06.40, oficerë policie nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës – Departamenti për Trafikim të Paligjshëm të Drogës dhe Armëve, kanë privuar nga liria I.J. (43), S.Z. (36), D.P. (69), D.P. (65) dhe S.Z. (42), të gjithë nga fshati Brvenicë.

Siç njoftojnë nga MPB, kontrollet u kryen në fshatin Brvenicë, në shtëpi, dhoma shërbimi dhe automjete pasagjerësh, në bazë të urdhrit gjyqësor të lëshuar më parë.

"Pesë pako me substancë pluhur të bardhë, 52 fishekë nga një pushkë automatike kalibri 7.62, dy fishekë nga një pistoletë kalibri të panjohur dhe një fishek nga një pushkë automatike u gjetën në I.J. Tek S.Z. (36) u gjetën dhe sekuestruan 20 fishekë nga një pushkë automatike kalibri 7.62, një pistoletë dhe një karikator me dy fishekë që i posedonte pa leje, si dhe një peshore dixhitale me mbetje të një lënde pluhur të bardhë".

"Tek D.P. (69) u gjetën dhe sekuestruan një pistoletë që e posedonte pa leje, si dhe një karabinë gjuetie, një pushkë gjuetie dhe një pistoletë që e posedonte me leje. Tek D.P. (65) u gjetën dy lista dhe një fletore shënimesh me emra personash, dy kompjuterë dhe afërsisht 31.640 euro, 3.400 franga zvicerane dhe 56.500 denarë. Tek S.Z. (42) u gjet një substancë pluhur e bardhë. Ata janë ndaluar në stacionin policor për procedura të mëtejshme, dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihen raporte përkatëse sipas nenit 396 dhe nenit 215 të Kodit Penal", thonë nga MPB.

Pranoi ryshfet nga një serb, polici i arrestuar në Vërmicë lirohet nga paraburgimi pas vendimit të Supremes

28 January 2026 at 12:15


Zyrtari policor Arton Krasniqi, i arrestuar nën dyshimet për marrje ryshfeti në pikën kufitare në Vermicë, është liruar nga masa e paraburgimit pas një vendimi të Kolegjit të Gjykatës Supreme.

Kolegji penal i Gjykatës Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Krasniqit dhe ka ndryshuar aktvendimet e mëparshme të Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, të cilat kishin caktuar paraburgimin ndaj tij.

Sipas arsyetimit të Gjykatës Supreme, vendimet e instancave të mëparshme nuk kanë dhënë arsye të qarta dhe të pranueshme ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi ato mbështeteshin vetëm në parafrazimin e dispozitave ligjore pa vërtetuar bazat konkrete ligjore të kërkuara sipas Kodit të Procedurës Penale.

Si pasojë, masa e paraburgimit ndaj Krasniqit është ndërprerë më 6 janar 2026 dhe ai është liruar nga burgu për t’u mbrojtur në liri deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Krasniqi ishte arrestuar më 22 dhejtor 2025 ku polici, duke shfrytëzuar uniformën dhe pozitën e tij zyrtare, kishte pranuar ryshfet nga shtetasi i Serbisë, Boshko Qermioviq që i njëjti të mund të kalonte kufirin. /Telegrafi/

Viktima e ICE-së nuk ishte një 'vrasës i mundshëm', thotë Trump

28 January 2026 at 09:57


Donald Trump duket se është distancuar nga vërejtjet kontroverse të anëtarëve të lartë të administratës së tij në lidhje me viktimën e të shtënave me armë zjarri në ICE, Alex Pretti.

Pretti, një infermier 37-vjeçar i kujdesit intensiv, u qëllua për vdekje nga agjentët e zbatimit të ligjit për imigracionin në Minneapolis në fundjavë, vetëm disa javë pasi një oficer tjetër nga njësia kontroverse vrau 37-vjeçaren Renee Good në të njëjtin qytet, transmeton Telegrafi.

Përgjigja nga zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, veçanërisht këshilltari i Trump, Stephen Miller, dhe Sekretarja e Sigurisë, Kristi Noem, ka provokuar një reagim të ashpër nga familja e Pretti, demokratët kryesorë, anëtarët e publikut dhe - gjithnjë e më shumë - politikanët republikanë.

Duke folur të martën, Trump tha se dëshiron të "zbutë" situatën në Minneapolis pas bisedimeve me kryetarin e bashkisë dhe guvernatorin e shtetit demokrat, dhe e përshkroi vrasjen e Pretti si "shumë të pafat".

Kur u largua nga Shtëpia e Bardhë për një tubim në Iowa, Trump u pyet nëse ishte dakord që Pretti ishte një "vrasës i mundshëm" - siç e përshkroi Miller, transmeton Telegrafi.

"Jo, jo. Dëgjoni, nuk mund të hyni me armë. Nuk mund ta bëni këtë, por është thjesht një incident shumë i pafat", tha presidenti i SHBA-së.

Më vonë, kur foli me gazetarët para një tubimi në Iowa, Trump përsëriti pikëpamjen e tij se "sigurisht, (Pretti) nuk duhet të kishte mbajtur armë".

"Shikoni, në fund të fundit, të gjithë në këtë sallë, ne e shohim këtë si një incident shumë të pafat. Të gjithë, përveç nëse jeni budallenj", shtoi ai.

Sipas Amendamentit të Dytë të Kushtetutës së SHBA-së, të drejtat e qytetarëve për të mbajtur armë mbrohen. Kjo e drejtë tradicionalisht është mbrojtur me vendosmëri nga republikanët.

Zyrtarët lokalë në Minesota kanë thënë gjithashtu se Pretti mbante një armë zjarri ligjërisht.

Në një intervistë me Fox News, presidenti amerikan shtoi se do të "ulte tensionet" në operacionet federale të imigracionit në Minneapolis, por këmbënguli se kjo nuk ishte "një tërheqje, por një ndryshim".

Kjo ndodhi përpara një incidenti ku një burrë u hodh mbi përfaqësuesen demokrate të Minesotës, Ilhan Omar, gjatë një mbledhjeje bashkiake dhe u përpoq ta spërkaste me një substancë të panjohur.

Omar, e cila është përballur me sulme të përsëritura nga Trump dhe administrata e tij, dhe e cila ka bërë thirrje që ICE të shfuqizohet, nuk duket se është lënduar dhe vazhdoi të flasë më pas.

Ndërkohë, dy senatorë republikanë kanë dalë nga radhët e partisë dhe kanë bërë thirrje që Noem të japë dorëheqjen pas të shtënave.

I pyetur nëse kishte besim tek Noem, Thom Tillis, që përfaqësonte Karolinën e Veriut, u tha gazetarëve në Capitol Hill: "Jo, aspak. Mendoj se ajo duhet të largohet".

Senatori, i cili nuk po kërkon një mandat të dytë, shtoi se disa nga veprimet e sekretares treguan "procese mendimi amatoreske të asistent-menaxherit".

Senatorja nga Alaska, Lisa Murkowski, i tha NBC News: "Po, ajo duhet të largohet". /Telegrafi/

Nis programi për prindërit e rinj në Mitrovicë

28 January 2026 at 08:46


Drejtoria e Shëndetësisë në Mitrovicë ka njoftuar për fillimin e programit “Klasat për Nëna dhe Grupet për Prindrim (0–3 vjeç)”, i cili do të mbahet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, programi është konceptuar si mbështetje e drejtpërdrejtë dhe profesionale për nënat dhe baballarët gjatë viteve të para të jetës së fëmijës, një periudhë që konsiderohet ndër më të rëndësishmet dhe më sfidueset për zhvillimin e tij.

Këto klasa udhëhiqen nga profesioniste shëndetësore të përkushtuara, përfshirë infektologen Albulena Ramadani dhe maminë Fatmire Azemi, të cilat do të ofrojnë informata të sigurta dhe të bazuara në praktika mjekësore dhe evidencë shkencore.

Në kuadër të programit, prindërit do të kenë mundësi të marrin udhëzime të qarta për kujdesin ditor, ushqyerjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës, si dhe mbështetje emocionale, duke krijuar një hapësirë për pyetje, ndarje përvojash dhe diskutime të hapura.

Nga Drejtoria e Shëndetësisë theksohet se, në një kohë kur informacionet në internet dhe rrjetet sociale janë shpesh kontradiktore ose të pasakta, këto klasa synojnë të ofrojnë dije të besueshme dhe profesionale, të ndërtuara mbi përvojë dhe kujdes të vazhdueshëm për familjen.

Autoritetet shëndetësore ftojnë prindërit që të bëhen pjesë e këtij programi, duke theksuar se prindërimi i informuar kontribuon në rritjen e fëmijëve më të shëndetshëm dhe në ndërtimin e familjeve më të forta. /Telegrafi/


Lojërat Olimpike 2026 – Polemika në Itali mbi praninë e një divizioni amerikan të ICE-së

27 January 2026 at 17:49

MILANO, 27 janar /ATSH-AFP/ – Një divizion i Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) do të jetë i pranishëm në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina (6-22 shkurt) për të kontribuar në sigurinë e ngjarjes, por duke shkaktuar reagime të forta në Itali.

“Në Lojërat Olimpike, Shërbimi i Sigurisë Kombëtare (HSI) i ICE-së do të mbështesë Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, si dhe vendin pritës, në vlerësimin dhe zbutjen e rreziqeve që lidhen me organizatat kriminale transnacionale”, njoftoi ICE në një deklaratë.

“Natyrisht, ICE nuk kryen operacione imigracioni jashtë vendit”, deklaroi agjencia, duke theksuar se “të gjitha operacionet e sigurisë mbeten nën autoritetin italian”.

Mijëra agjentë të ICE u vendosën nga presidenti Donald Trump në disa qytete amerikane si pjesë e një fushate kundër imigracionit të paligjshëm.

Veprimet e tyre kanë shkaktuar protesta të gjera, dhe vrasjet e fundit nga agjentët e tyre të dy qytetarëve amerikanë, Renee Good dhe Alex Pretti, të dy 37 vjeç, në rrugët e Minneapolis (veriu i Shteteve të Bashkuara), kanë provokuar zemërim.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare i ICE-së, i cili do të mobilizohet gjatë Lojërave Olimpike Milano-Cortina, lufton ndërkombëtarisht, veçanërisht kundër trafikut të drogës dhe terrorizmit, sipas faqes së internetit të ICE-së.

Agjentët e akuzuar për dhunë në Shtetet e Bashkuara i përkasin një divizioni tjetër (Operacionet e Zbatimit dhe Largimit), përgjegjës në veçanti për deportimet, por kjo nuk ka parandaluar polemikat në Itali.

“Ata nuk janë të mirëpritur në Milano, nuk ka dyshim për këtë”, deklaroi kryebashkiaku i qytetit, Giuseppe Sala, në radion RTL 102.5./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post Lojërat Olimpike 2026 – Polemika në Itali mbi praninë e një divizioni amerikan të ICE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta në Itali kundër përfshirjes së ICE në sigurinë e Olimpiadës Dimërore

By: nik
27 January 2026 at 14:33

Një njësi e agjentëve të zbatimit të imigracionit dhe doganave të SHBA-së (ICE) do të ketë një rol sigurie në Lojërat Olimpike Dimërore të ardhshme në Milano-Cortina, Itali, duke shkaktuar një valë zemërimi dhe peticionesh kundër vendosjes së tyre. Burime pranë ambasadës amerikane në Romë konfirmuan një deklaratë nga ICE, agjencia e përfshirë në një goditje brutale të imigracionit në SHBA…

Source

Gjermania me paralajmërim zyrtar për udhëtimin drejt SHBA-së

27 January 2026 at 14:49


Gjermania ka lëshuar një paralajmërim për udhëtimin për qytetarët e saj që udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara, duke përmendur rreziqet që lidhen me zbatimin e ligjit për imigracionin dhe situatat e rendit publik.

Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë tha në një njoftim të martën, se qytetarët gjermanë duhet të jenë të vetëdijshëm për demonstratat dhe përplasjet me autoritetet amerikane të migracionit dhe sigurisë.

"Në Minneapolis dhe qytete të tjera, demonstratat ndonjëherë çojnë në përplasje të dhunshme me autoritetet e migracionit dhe sigurisë", thuhet në deklaratë.

"Jini vigjilentë dhe qëndroni larg turmave ku mund të ndodhë dhunë", thuhet në të, transmeton Telegrafi.

Protesta janë mbajtur në Minneapolis, Minesota dhe qytete të tjera kundër veprimeve të oficerëve të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Patrullës Kufitare që zbatojnë masat e presidentit Donald Trump për goditjen e imigracionit. Të shtunën, agjentët federalë qëlluan për vdekje Alex Pretti në Minneapolis.

Gjermania tashmë kishte një njoftim për udhëtimin për stuhinë e rëndë që godet SHBA-në. /Telegrafi/

Si i shpëtoi Besim Sherifi arrestimit për 3 vrasje në Maqedoninë e Veriut

By: admin
27 January 2026 at 13:45

Pas gati dy dekadash në arrati, është arrestuar sot 52-vjeçari Besim Sherifi, i dyshuari kryesor për vrasjen trefishte të anëtarëve të familjes Jusufi në fshatin Kopanicë të Shkupit, ngjarje e ndodhur më 5 tetor 2007.

Ai fshihej prej kohësh në kryeqytet duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara në emër të një shtetasi nga Kosova. Ai u lokalizua dhe u kap në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, transmeton Albeu.com.

Fillimisht, në nëntor 2025, policia e Tiranës kishte marrë informacion në rrugë operative se një person i skeduar për vrasje fshihej në një apartament në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë.

Pasi kanë bërë identifikimin e tij, pala shqiptare ka kërkuar informacion tek autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe kanë konkluduar se 52-vjeçari Besim Sherifi ishte në kërkim ndërkombëtar, transmeton Albeu.com.

Pasi forcat operacionale ndërhynë në banesën që ai qëndronte me qira, 52-vjeçari u ka thënë “nuk jam un personi që kërkoni. Nuk kam kryer asnjë vrasje, jam shtetas kosovar”.

Por sipas burimeve, shenjat e gishtave zbuluan se personi në fjalë ishte Besim Sherifi.

Vrasja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në vitin 2007 në fshatin Kopanica, në Shkup ku janë vrarë 3 persona. Për të gjykata kishte caktuar arrest në burg në mungesë, që sipas legjislacionit penal në Maqenoninë e Veriut parashikon dënim me burgim të përjetshëm. /albeu.com/

The post Si i shpëtoi Besim Sherifi arrestimit për 3 vrasje në Maqedoninë e Veriut appeared first on Albeu.com.

Arrestimi pas dy dekadash i Besim Sherifit, si ndodhi rasti tragjik me tre të vrarë në Kopanicë të Shkupit?

By: admin
27 January 2026 at 13:22

Pas gati dy dekadash në arrati, është arrestuar 52-vjeçari Besim Sherifi, i dyshuari kryesor për vrasjen trefishte të anëtarëve të familjes Jusufi në fshatin Kopanicë të Shkupit, ngjarje e ndodhur më 5 tetor 2007.

Ai fshihej prej kohësh në kryeqytet duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara në emër të një shtetasi nga Kosova. Ai u lokalizua dhe u kap në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, transmeton Albeu.com.

Nga verifikimet rezultoi se Sherifi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Vrasja”, e cila parashikon dënim maksimal burgim të përjetshëm.

Por si ndodhi rasti tragjik me tre të vrarë në Kopanicë të Shkupit më 5 tetor 2007?

Vrasja katërfishe ndodhi pas një konflikti të ashpër mes dy familjeve, i cili kishte nisur pasi një vajzë nga familja Jusufi ishte larguar dhe ishte strehuar tek familja Sherifi. Tensionet kulmuan me përplasje të armatosur pranë varrezave të fshatit, ku fillimisht u vra Zija Jusufi (32), ndërsa më pas, gjatë sulmit në një shtëpi, humbën jetën edhe dy persona të tjerë, shkruan Albeu.com.

Për këtë ngjarje, më herët ishin dënuar me burgim të përjetshëm Sabri Sherifi dhe babai i tij Mitat Sherifi, ndërsa Fatmir Sherifi ishte dënuar me 10 vjet burg. Emri i Besim Sherifit kishte qarkulluar gjatë gjithë hetimeve, por ai nuk ishte përfshirë në aktakuzat për shkak të arratisë dhe pamundësisë për t’u arrestuar.

52-vjeçari Besim Sherifi bu arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut, ndërsa materialet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, po ndjek procedurat për ekstradimin e tij.

Si iu zbulua?

Fillimisht, dy muaj më parë, forcat Operacionale kishin marrë informacion në rrugë operative se një person i skeduar për vrasje fshihej në një apartament në zonën e Liqenit të Thatë. Pasi kanë bërë identifikimin e tij, pala shqiptare ka kërkuar informacion tek autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe kanë konkluduar se 52-vjeçari Besim Sherifi ishte në kërkim ndërkombëtar. Pasi forcat operacionale ndërhynë në banesën që ai qëndronte me qira, 52-vjeçari u ka thënë “nuk jam un personi që kërkoni. Nuk kam kryer asnjë vrasje, jam shtetas kosovar”.

Por sipas burimeve, shenjat e gishtave zbuluan se personi në fjalë ishte Besim Sherifi.
Vrasja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në vitin 2007 në fshatin Kopanica, në Shkup ku janë vrarë 3 persona. Për të gjykata kishte caktuar arrest në burg në mungesë, që sipas legjislacionit penal në Maqenoninë e Veriut parashikon dënim me burgim të përjetshëm. /albeu.com/

The post Arrestimi pas dy dekadash i Besim Sherifit, si ndodhi rasti tragjik me tre të vrarë në Kopanicë të Shkupit? appeared first on Albeu.com.

❌
❌