Rezultate shqetësuese për ndotjen e ajrit janë regjistruar në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, sipas një studimi kombëtar, të kryer në stinë të ndryshme. Të dhënat tregojnë se cilësia e ajrit në Shqipëri mbetet shumë larg standardeve të Bashkimit Evropian dhe në raste të shumta, përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin […]
Në fillim të korrikut, landfilli i mbetjeve që duhej të përpunoheshin në inceneratorin jofunksional të Elbasanit u përfshi nga flakët. Ky nuk ishte një incident i veçuar, por një ngjarje e përsëritur për të disatin vit radhazi, ndërsa drejtuesit e kompanisë publike që menaxhon landfillin fajësuan mbushjen tej kapaciteteve dhe temperaturat e larta. Pasi shpenzoi […]
Aksioni i policisë për bllokimin e patinave elektrike (monopatina) ka ndezur një debat të gjerë mbi lirinë e lëvizjes dhe standardet e sigurisë në rrugët urbane. Prej 13 tetorit, qindra qytetarë janë ndaluar dhe mjetet e tyre janë konfiskuar, pa një afat të qartë se kur do të miratohet rregullorja e re dhe kur do të rikthehet përdorimi i tyre në rrugë.
“Ilegalë nga hiçi”
Besian Kozma, regjisor në Radio-Televizionin Shqiptar, prej vitit 2023 e përdorte patinën elektrike çdo ditë për të vajtur në punë. Për zonën ku banon, në kodrat e Liqenit të Thatë, monopatina ishte mjet praktik, më e lehtë se biçikleta për maloret dhe më e shpejtë dhe ekonomike se makina.
Çdo ditë ai përshkonte rreth 5 kilometra vajtje-ardhje pa shpenzime dhe stres trafiku apo parkimi.
“Ka qenë mjeti më i volitshëm që kam pasur ndonjëherë,” kujton ai.
Rutina u prish më 12 tetor, kur në rrjetet sociale pa videon e ministres së Brendshme Albana Koçiu, që paralajmëronte aksionin e bllokimeve. Megjithatë Besiani vazhdoi ta përdorte monopatinën edhe dy javë të tjera, derisa më 20 tetor, kur doli nga puna, u ndalua nga një patrullë në rreth-rrotullimin e rrugës “Papa Gjon Pali II”.
“Ndalova normalisht, sepse nuk kam asgjë kundër policisë, e cila bën detyrën,” tregon Besiani, i cili e përshkruan momentin e ndalimit të paqartë nga ana administrative.
“Kërkova arsyen e bllokimit dhe më cituan një urdhër verbal,” kujton ai. Monopatina iu mor pa i dhënë asnjë dokument apo procesverbal. Ai thotë se me këmbënguljen e tij, oficeri e vendosi mjetin në sediljen e makinës së patrullës dhe, aq.
Tre ditë më vonë, në Komisariatin e Policisë Rrugore, iu kërkua të dorëzonte kërkesë me shkrim për të marrë informacion.
Dy javë pas kërkesës, Besiani u thirr në komisariat.
“Mendova se do të ma kthenin monopatinën, por nuk qëlloi të ishte kështu,” kujton ai, teksa shton se në komisariat mori një shkresë dyfaqëshe ku thuhej se mjeti elektrik i ishte bllokuar për 30 ditë për: shkelje të rregullave të qarkullimit, pamundësi për të vërtetuar pronësinë dhe “refuzim për t’iu ndaluar policisë”.
“Të tria arsyet nuk qëndronin,” thekson ai. Për këtë Besiani dorëzoi ankesë dhe prej fundit të tetorit është ende në pritje të një përgjigje. Patinën e pati blerë rreth 550 euro dhe thekson se zotëron faturën, e cila ia vërteton pronësinë.
Ilustrim grafik/Citizens.al
Kontradikta mes praktikës së policisë dhe bazës ligjore
Aksioni i policisë nisi pa një bazë të qartë dhe pa sqarimet e nevojshme publike, duke lënë qindra qytetarë, përfshirë Besianin, në një situatë të cunguar.
Deri më 11 nëntor policia bllokoi 1,426 patina, ndërsa komunikimet zyrtare mbetën të pjesshme, shpesh të paqarta dhe pa shpjegime të plota mbi arsyet dhe zgjatjen e operacionit.
Veprimet e policisë u bazuan në një vendim të ministres Albana Koçiu, i cili u botua në Fletoren Zyrtare katër ditë pasi aksioni kishte nisur. Ministria e konfirmoi këtë në një komunikim për Citizens.al.
Përfaqësues të Policisë së Shtetit thanë për Citizens.al se aksioni mbështetej edhe në një urdhër të brendshëm të datës 9 tetor. Por, ky zinxhir vendimesh krijoi një precedent të rrezikshëm ku veprimi administrativ mori fuqi përpara detyrimit për t’u botuar në Fletore Zyrtare.
Pra urdhrat nisën të zbatoheshin pa u njoftuar ligjërisht publiku. Mjaftoi një dalje në Facebook. Kjo paqartësi operacionale duket se mbështetet nga një boshllëk edhe më i madh ligjor.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DSHTRR) konfirmoi për Citizens.al se “patinat elektrike lejohen të qarkullojnë në rrugë”, sepse neni 344 i VKM-së nr.153 i trajton ato “në analogji me biçikletat” në zbatim të Nenit 180 të Kodit Rrugor.
Në mungesë të një neni të posaçëm, rregullat e biçikletave funksionojnë si normë e huazuar për patinat: ato mund të lëvizin në rrugë dhe duhet të përdorin korsitë e biçikletave, kur ekzistojnë, duke respektuar të njëjtat rregulla të drejtimit, ndriçimit, sinjalizimit etj.
Ndryshimi i vitit 2021 e formalizoi termin “patina elektrike” në Kod Rrugor duke i lejuar për qarkullim. Por nuk u shoqërua me kuadër të plotë rregullator.
Kodi Rrugor nuk përmban nen të posaçëm për to, ndërsa bashkitë dhe policia nuk kanë akte nënligjore që të përcaktojnë qartë shpejtësinë, zonat e lejuara apo kufizimet teknike.
Në këtë amulli, qytetarët gjenden të penalizuar për përdorimin e një mjeti që ligji e lejon, por rregullat e zbatimit të tij mungojnë. Pikërisht këtu lind paradoksi: e drejta ekziston, por zbatimi i saj varet nga interpretimi i autoriteteve, duke e kthyer sigurinë rrugore në një proces të paqëndrueshëm dhe arbitrar.
“Aksion i tepruar dhe arbitrar”
Autoritetet e nisën aksionin pas një numri incidentesh. Ndërkohë, në dy raportime të mëparshme të Citizens.al u vu re konfuzion prej qytetarëve, protesta spontane dhe mungesë transparence.
Për të kuptuar ndikimin real tek përdoruesit, Citizens.al zhvilloi një pyetësor në të cilin u përgjigjën 40 qytetarë që ishin përballur direkt me operacionin policor, një prej të cilëve edhe Besian Kozma.
Pjesa dërrmuese e të anketuarve thanë se e përdornin monopatinën për lëvizje të përditshme, kryesisht për në punë (90%), ndërsa 10% për shërbime “delivery”. Ky profil i përdorimit sugjeron se monopatinat nuk janë thjesht mjete rekreative, por alternativë e lëvizjes urbane, veçanërisht për ata që nuk përballojnë dot kosto të larta transporti.
Ilustrim gjatë aksionit policor të datës 13 tetor/Citizens.al
Anketa vë në dukje mungesën e transparencës në zbatimin e aksionit policor pasi shumica (59%) e përdoruesve thanë se nuk morën asnjë dokument zyrtar në momentin e bllokimit.
Shumica u ndaluan në mëngjes, rrugës për punë (65%), duke e kthyer ndërhyrjen në një goditje direkte mbi lëvizshmërinë e qytetarëve, pjesa dërrmuese (90%) e të cilëve e konsideruan aksionin “të tepruar dhe të padrejtë”, si dhe bllokimin 30-ditor “arbitrar”.
Asnjë përdorues nuk e ka vlerësuar për Citizens.al aksionin si “të drejtë dhe të nevojshëm”. Kjo tregon një hendek të qartë midis perceptimit qytetar dhe justifikimit institucional për sigurinë rrugore.
“Për mua kanë vepruar shumë gabim, sepse na kanë dëmtuar në përditshmërinë tonë, mund t’i hartonin rregullat edhe pa bërë një aksion të tillë,” thotë Besiani.
Pothuajse të gjithë (93%) thanë se e kishin përjetuar këtë periudhë pa monopatinë si të kushtueshme në kohë dhe para. Qytetarët janë orientuar drejt transportit urban (43%) ose ecjes (45%), ndërsa 12% drejt taksive. Ky ndryshim ka krijuar ngarkesë financiare dhe kohore për përdoruesit aktivë të këtyre mjeteve.
“Për momentin lëviz ose me biçikletë ose me urban, por kjo periudhë ka treguar se çfarë efekti ka dhënë në lëvizje sepse të gjithë ne që kishim patina dhe na u bllokuan, ose po përdorim makinë ose urbanin duke ndikuar në trafik,” komenton Besiani.
“Problemi nuk janë mjetet, por mungesa e rregullave”
Shumica (62%) e të anketuarve besojnë se monopatinat janë problem vetëm kur përdoren pa rregulla. Vetëm 20% i konsiderojnë ato rrezik serioz. Në të njëjtën linjë, shumica mbështesin përdorimin në korsitë e biçikletave, por pranojnë se për këtë përdorim duhet të ketë kufizime.
“Të dalin ekspertë dhe ta vlerësojnë këtë gjë, normalisht të ketë rregulla dhe të ndëshkohet cilido që nuk i zbaton, jo të penalizohen të gjithë,” vijon Besiani.
Rekomandimet e të anketuarve nga Citizens.al synojnë balancimin mes sigurisë rrugore dhe të drejtës për lëvizje. Ata shprehen me dakordësi se patinat elektrike duhet të kenë kufizim moshe dhe shpejtësie, t’u kërkohet regjistrim, identifikim dhe siguracion mjeti, sidomos në rastet e përdorimit tregtar, dhe ndëshkim me gjoba dhe konfiskime në rastet e shkeljeve të përsëritura.
Anketa e Citizens.al tregon se pjesa më e madhe e përdoruesve të monopatinave nuk i kundërshtojnë rregullat, përkundrazi, i kërkojnë. Por bllokimi 30-ditor, pa paralajmërim dhe pa procedura të rregullta, është perceptuar si masë ndëshkuese dhe e padrejtë.
Kështu, debati për monopatinat nxjerr në pah një realitet të thellë: qytetet e mëdha si Tirana, kërkojnë politika të qarta dhe afatgjata të lëvizshmërisë dhe jo përndjekje me operacione të papritura policore.
Tonelata mbetjesh bashkohen me ndotjen rreth inceneratorit të Elbasanit, ndërsa në rrjedhën e Shkumbinit mbërrijnë plehra të tjera nga venddepozitimet anës përroit Papër. Më tej, në Peqin, grumbuj mbetjesh dhe inertesh derdhen direkt në lumë. Dikur me ujë të kristaltë, lumi i Shkumbinit është sot një nga më të ndoturit në vend. “I gjithë lumi […]
Në një podium të sajuar në Parkun Europa, krah Bashkisë së Tiranës, aktivistë të “Qëndresës Qytetare” organizuan sot një aktivitet ndërgjegjësues kundër zhurmës së shkaktuar nga përdorimi i lirë i fishekzjarrëve.
Duke denoncuar mungesën e qetësisë publike, sidomos gjatë orëve të natës, ata ndanë në mënyrë ironike, “medalje” për qytetarët më të durueshëm dhe kërkuan masa ndëshkuese nga bashkia.
“Çmimi i tretë” iu dha Armand Skuka, një qytetar që kishte arritur të flejë, pavarësisht shpërthimeve të përnatshme nën dritare.
“Ky është një njeri, që në vend të alarmit të mëngjesit, ka pasur fishekzjarrin e katit të parë,” tha me ironi aktivistja Jura Çitozi, e cila dorëzoi çmimet.
“Çmimi i dytë” iu dha Ines Mulellari, nënës që për dhjetë net rresht kishte përqafuar fëmijët e trembur nga zhurmat, duke u pëshpëritur: “Mos kini frikë, janë njerëz që s’kanë mësuar ende të festojnë me zemër, por me zhurmë.”
Ndërsa “Çmimi i parë i qetësisë kombëtare” iu dha Rea Xhukes, studente që për 30 net rresht kishte duruar shpërthimet pa reaguar me zemërim.
Aksioni ironik synoi të tërhiqte vëmendjen ndaj zhurmës së fishekzjarrëve, që hidhen lirshëm pa orar, një problem që është bërë pjesë e përditshme e jetës në kryeqytet.
Një nga zonjat e pranishme në protestë u shpreh për Citizens.al se ishte mjaft e shqetësuar nga zhurmat, sidomos për të vegjlit.
“Janë fëmijët që duhet të ruhen. Për mua, nuk duhen fishekzjarrët në atë mënyrë që të digjen, të vriten fëmijët, fëmijët nuk kuptojnë gjë,” tha ajo.
“Qytetarja më e duruar e Tiranës”, Rea Xhuke, tha se kjo nismë erdhi nga nevoja për të zgjuar ndërgjegjen qytetare.
“Për ne studentët që relativisht duam të mësojnë gjatë netëve, ajo është koha e vetme e qetë për t’u përqendruar. Këto zhurma e bëjnë të pamundur përqendrimin,” tha ajo, duke theksuar se protesta simbolike ishte një formë ndërgjegjësimi publik.
Peticion kundër zhurmës
Aktivistët njoftuan nisjen e një peticioni qytetar që do t’i dërgohet Këshillit Bashkiak të Tiranës, për vendosjen e gjobave ndaj përdoruesve të paautorizuar të fishekzjarrëve.
Medaljet e shpërndara kishin nga pas një kod që mundësonte qasjen në peticionin online.
Sipas Çitozit, nga kjo nismë qytetare kërkohet ndalimi i përdorimit të fishekzjarreve, sidomos gjatë orëve të natës (21:00-06:00) dhe shpallja e zonave të mbrojtura pranë spitaleve, qendrave sociale etj.
Në vitin 2018, tre ministri miratuan vendime që ndalojnë futjen dhe përdorimin e lirë të fishekzjarrëve e kapsollave, përveç rasteve të festave zyrtare.
Në prill 2024, ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla njoftoi masa penale dhe rregulla të reja për licencimin dhe magazinimin e tyre.
“Sot, në mbledhjen e qeverisë kemi miratuar rregulla të reja […] do të jemi shumë strikt në këtë drejtim,” u shpreh ai asokohe.
Megjithatë, situata në terren mbetet e pandryshuar. Fishekzjarrët vazhdojnë të shiten dhe hidhen lirshëm, sidomos në orët e vona, duke sjellë shqetësim dhe pasiguri për qytetarët.
Nisma e re ligjore e qeverisë “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u miratua të enjten në Kuvend vetëm nga votat e mazhorancës, pa debat dhe pa sqaruar faturën financiare të zbatimit të tij. Ligji i ri parashikon kthimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, AKEM, në një shoqëri aksionere përgjegjëse për menaxhimin fundor […]
TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash në lidhje me disa aktivitete që do të zhvillohen në kryeqytet përgjatë këtyre tre ditëve.
Në këtë kuadër, policia informon qytetarët se: do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në Bulevardin e Ri, gjatë zhvillimit të tubimit të sotëm në sheshin “Skënderbej”, konkretisht prej orës 17:00 deri rreth orës 19:00.
Ndërkohë më datë 18.10.2025, gjatë aktivitetit “Maratona Fan Run”, nga ora 09:00 deri në 11:00, do të kufizohet lëvizja në segmentin nga sheshi “Nënë Tereza” deri te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Policia njofton më tej se më datë 19.10.2025, gjatë aktivitetit sportiv “Maratona e Tiranës 2025”, do të ketë kufizim të qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në 16:00, në zonat/segmentet rrugore: sheshi “Nënë Tereza”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, bulevardi “Bajram Curri”, kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, rruga “George W. Bush”, rruga “Abdi Toptani”, bulevardi “Zog I”, Bulevardi i Ri, rruga “Ded Gjo Luli”, Rruga e “Durrësit”, Rruga e “Kavajës”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Zhan D’Ark” (nga ura e Gjykatës deri te ura e “Taiwan”), bulevardi “Bajram Curri” (nga ura e Gjykatës së Rrethit deri te ura e “Taiwan”), rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Lek Dukagjini”.
Gjithashtu, policia informon qytetarët se për të garantuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, itinerari i mjeteve të transportit urban, do të pezullohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”, si dhe në të gjitha segmentet rrugore që kryqëzohen me itinerarin e sipërcituar, nga ora 08:00 deri në 16:00, të datës 19.10.2025.
Më tej, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve për transport të përzier, teknologjik dhe atyre për transport pasagjerësh (përveç mjeteve të transportit urban qytetas), në brendësi të Unazës së Madhe, më datë 19.10.2025, nga ora 08:00 deri në 16:00.
Informojmë se qarkullimi i mjeteve të Emergjencës dhe i Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha itineraret e lartpërmendura.
Policia e Tiranës fton qytetarët që të shmangin lëvizjen me mjete, në zonat ku do të ketë kufizime, të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë, në terren.
Ky është fakt. Mund ta quajmë si të duam, por situata kërkon një përgjigje dhe koha ka ardhur. Në Kuvend po diskutohet projektligji i ri i mbetjeve. Projektligji i jep fund monopolit të Sharrës, kompania e së cilës është vënë nën sekuestro; krahas tij, edhe komitetit famëkeq, i ashtuquajturi “Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve”, i cili shërbeu për shpalljen e emergjencave mjedisore që ndihmuan kryerjen e procedurave të mbyllura të prokurimeve publike, të cilat transferuan miliona euro të taksapaguesve në favor të koncensionarëve privatë. Këta të fundit, ministri Koka e të tjerë autorë, ndodhen në burg, ose në arrati. Por tani mesazhi i qeverisë është i qartë: jemi në prag të një reforme të re për mbetjet, pak përpara futjes së vendit në Bashkimin Evropian.
Në të vërtetë, nuk ka ndryshuar asgjë. Shqetësimet janë të njëjta: niveli i riciklimit është jashtëzakonisht i ulët; mbetjet groposen të patrajtuara; rikuperimi nuk ekziston, një pjesë e dokumenteve të planifikimit të mbetjeve, ende nuk janë hartuar; sistemi informacionit dhe kontrolli i sasisë së mbetjeve mungon, shumica e vend depozitimeve nuk kanë leje mjedisore, ndërkohë që mbi 200 vend depozitime mbetjesh ilegale, të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, kërcënojnë shëndetin e qytetarëve, peizazhin, turizmin dhe ekonominë kombëtare. Shkurt, 35 vjet nga falimentimi i Shqipërisë Socialiste, vendi nuk po arrin akoma që të menaxhojë mbetjet urbane.
Si përherë, propozimi për një të ardhme, shërben edhe për të mbuluar të shkuarën e dështuar përpara opinionit publik. Kumbaro, Klosi dhe Koka, tre ministrat e fundit të mjedisit janë larguar. Sofjan Jaupaj është ministri i ri, i vetë deklaruar si autor i projektligjit të mbetjeve. Por Jaupaj po tregohet i tërhequr qysh në fillim, duke ndaluar importin e mbetjeve. Argumenti i tij është disi naiv, pasi, sipas tij, të ashtuquajturat mbetje nga importi konsiderohen lëndë e parë dytësore (secondary raw material), por jo mbetje, kësisoj janë përjashtuar nga ky projektligj. Në thelb, pavarësisht nga gjuha (terminologjia), lënda e parë dytësore është produkt mbetjesh dhe trajtimi i mëtejshëm i saj kontribuon në reduktimin e mbetjeve të ardhshme, në uljen e emetimeve dhe të kostove të biznesit, biznes i cili në një tjetër kontekst (me miratimin e ligjit “Për zbatimin e përgjegjësive të zgjeruara të prodhuesit”) do të këtë nevojë për të. Njëkohësisht, projektligji parashikon “për herë të parë konceptin e ekonomisë qarkulluese”, një sistem i cili riciklon dhe redukton prodhimin e mbetjeve, i promovuar në përputhje të plotë me përkufizimin e ekonomisë qarkulluese në databazën e legjislacionit të Bashkimit Evropian, EUR-LEX. Por Jaupaj ka frikë nga dobësia e agjencive vendase ligjzbatuese të kontrollit dhe të inspektimit. Kjo tregon se edhe rendja pas “ekonomisë qarkulluese” nuk është e sinqertë. Nëse tregohemi mjaftueshëm seriozë, mund të gjykojmë se ndodhemi përpara një rreziku të ri i cili mund të na dërgojë drejt një dështimi të përsëritur: dobësimi industrisë së riciklimit shkakton rënien e riciklimit të mbetjeve. Në anën tjetër, ndalimi ka gëzuar disa pak “aktivistë” të shoqërisë civile të cilët ruajnë të njëjtin qëndrim të dhjetë viteve të shkuara për të ndaluar importin e mbetjeve, duke i besuar më shumë shtetit, sesa iniciativës së lirë.
Po çfarë do të bëjë më mirë ligji i ri? Ashtu siç Rama deklaroi në shtator, riciklimi dhe rikuperimi i mbetjeve, së bashku më landfillet nuk do të jenë përgjegjësi e bashkive. Ky kalim pritet të thellohet (qartësohet) pas miratimit të draftit, me daljen e akteve nënligjore. Kjo mund t’i çlirojë bashkitë nga ankthi i trajtimit të mbetjeve, një dështim kronik i tyre, por, njëkohësisht, mund t’i privojë edhe nga një shumë e konsiderueshme të ardhurash që mund të sigurohen prej riciklimit. Këtej e tutje barra e riciklimit dhe e trajtimit fundor, i takon qeverisë. Se çfarë eficence do të ketë ky sistem hibrid menaxhimi, vështirë se mund të parashikohet qysh tani. Aktualisht vendi riciklon rreth 15% të totalit (rreth 800,000 kg gjithsej, kur grumbullohen deri në 98% të tyre). Është e besueshme se volumi i riciklimit do të rritet, por për këtë do të paguajmë që të gjithë; pra, përveç rezidentëve të një bashkie, edhe shtetasit e tjerë të Republikës. Është disi shqetësuese, pasi parimi “ndotësi paguan” shkelet, pa e kuptuar se deri në ç’pikë…
Bashkitë nuk kanë para të mjaftueshme për të menaxhuar mbetjet. Prioritet ka qenë politika elektorale e tarifave të ulëta për rezidentët. Por qeveria i ka përfshirë në skemën e transfertave të pakushtëzuara, duke plotësuar diferencën. Në këtë pikë kemi mbetur ku ishim, me të vetmin ndryshim: tani paratë do të menaxhohen nga Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM), përmes Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve. Shumë shpejt, menjëherë pas miratimit të projektligjit, agjencia pritet që të shndërrohet në një kompani shtetërore. Bashkitë kërkuan që të jenë aksionerë në të. Kjo u bë e qartë gjatë dëgjesave në Kuvend, por ministria nuk premtoi asgjë. Se ç ‘formë mund të ketë Operatori Kombëtar, do të shihet pak më vonë. Por përgjegjësia e tij për ndërtimin e infrastrukturës së mbetjeve mund të çojë, pashmangshmërisht, në bashkëpunimin me një mekanizëm të jashtëm (outsource). Një qeveri e cila edhe një instalacionin artistik, apo një muze, ua kalon kompanive të huaja, nuk lë vend për dyshime se këtë radhë do të veprohet ndryshe.
Për momentin, ajo ka vetëm një qëllim: miratimin e draftit dhe të ngritjes së infrastrukturës së mbetjeve. Sidoqoftë, kjo e fundit, mund të ishte ngritur edhe me ligjin e vjetër. Por dështuan. Tani s’na mbetet tjetër, veçse, sikurse historia na ka treguar: të shfrytëzojnë dështimin për të mësuar.
Në Tiranë është mbajtur Konferenca Ndërkombëtare për Politikat e Jetës Urbane, një platformë e rëndësishme për të diskutuar sfidat dhe vizionet për zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama theksoi transformimin rrënjësor që ka pësuar hapësira publike në kryeqytet dhe në vend, duke risjellë në vëmendje kontrastin mes së shkuarës dhe të tashmes.
Ai vuri në dukje se dikur ecja ishte mënyra kryesore e lidhjes mes njerëzve, ndërsa sot përballemi me pasojat e betonizimit dhe privatizimit të hapësirave publike. Rama kujtoi periudhën kur ishte kryetar bashkie, duke theksuar masat drastike që u morën për lirimin e hapësirave të zëna dhe rikthimin e gjelbërimit në jetën urbane.
“Që 54 vjet më parë ishte një vend krejt i ndryshëm, ku nuk lejohej asnjë makinë private, ku numri i makinave që qarkullonin ishin 5 mijë në të gjithë vendin. Sot ndërkohë kemi një sfidë të madhe, sepse ajo që morëm si rezultat i 50 viteve jetese, në atë hapësirë të madhe, ku ecja ishte mënyra më e mirë për t’u lidhur me të tjerët. Pas rënies të atij sistemi, njerëzit e panë hapësirën publike, si hapësirë për t’u zënë dhe për t’u privatizuar, duke eliminuar çdo hapësirë të gjelbër.
Përveç liqenit që vazhdonte të ishte dhe shumicës së pemëve, ajo çfarë shohim sot nuk ishte më, çdo metër katror gjelbërim u varros. Lumi që kalon përmes kryeqytetit nuk ishte më i dukshëm, sepse ishte i zënë me ndërtesa, dhe 90% e pemëve që shihni sot nuk ishin. Kur isha kryetarbashkie shembën qindra ndërtesa. Gjatë atyre viteve mbollëm 55 mijë pemë, që sot janë të kudogjendura. Jemi ende të vetëdijshëm për sfidat dhe për atë që duhet të bëjmë, atëherë duhet të luftojmë.
Prandaj kjo është arsyeja që ne kemi çelur kapitullin për ta luftuar këtë gjë. Na duhet që të luftojmë ditë për ditë, për të hequr strukturat që kanë zënë trotuaret dhe hapësirat publike. Kemi shtuar më shumë pemë, dhe tashmë kemi një rregullore.
Kushdo që merr një lejë ndërtimi do të kontribuojnë në një numër të caktuar pemësh. Jam shumë i lumtur të ndaj me ju lajmin, që kemi arritur të marrim një hapësirë në një agjendë mjaft të zënë të një personi që ka bërë super blloqet në Barcelonë duke krijuar më shumë hapësirë me njerëzit që ecin, duke i detyruar makinat që ecin në këto blloqe të ecin me një shpejtësi shumë të ulët. Ne do të përpiqemi që të fusim më shumë prej kësaj gjëje në kryeqytetin tonë”, tha kryeministri Edi Rama./abcnews.al
Këtë të dielë, në kuadër të zhvillimit të garës sportive “Triathlon”, do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa akse kryesore të kryeqytetit. Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit kanë njoftuar se ndalimi i qarkullimit do të jetë nga ora 08:00 deri në 13:00. Rrugët ku do të ndalohet qarkullimi: Rruga e “Tuneleve” […]
Mbajtja e aktiviteteve sportive në Tiranë e kthen kryeqytetin në një “paralizë”, për shkak të bllokimit të rrugëve për qarkullimin e automjeteve. Këtë fundjavë në Tiranë do të mbahet gara “Triathlon”, sporti që bashkon tre disiplinat sportive në një garë të vetme: not, çiklizëm dhe vrap. Qindra sportistë, profesionistë ose jo, do të garojnë këtë […]
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetin social “Facebook”, ku tregon aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje që kanë zaptuar hapësirat publike.
Në postimin e tij, Rama thekson se ky proces është pjesë e nismës për transformimin urban të vendit, të cilën e quan “Rilindja Urbane 2.0”.
“Ecim, për të sjellë Rilindjen Urbane 2.0”, ka shkruar Rama./abcnews.al
Ujërat e Liqenit Artificial të Tiranës, që është pjesë e mushkërisë së vetme të gjelbër të qytetit ndoten në mënyrë sistematike nga shkarkime të paautorizuara.
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka në thelb të tij ndotjen e liqenit, hedh dritë mbi mungesën e koordinimit institucional dhe mosmarrjen e masave për të minimizuar dëmin.
“Edhe pse nga strukturat shtetërore është evidentuar që në muajin tetor 2024 (pra rreth 6 muaj më parë) se në Liqenin Artificial të Tiranës ka shkarkime të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara, aktualisht përveç korrespondencave shkresore, nuk janë marrë masa konkrete për evidentimin e shkaqeve dhe shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave për ndërprerjen e menjëhershme të shkaqeve që shkaktojnë ndotje, si dhe përmirësimin e situatës mjedisore në liqenin artificial të Tiranës. Bashkëpunimi ndërinstitucional për zgjidhjen e problematikës nuk ka funksionuar, fakt i shprehur edhe nga vetë strukturat e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit gjatë auditimit”, thuhet në auditim.
I njëjti dokument del në përfundimin se territori i Parkut të Madh të Liqenit nuk mbulohet nga rrjeti i kanalizimit, rrjedhimisht subjektet që operojnë brenda territorit të parkut e zgjidhin individualisht largimin e ujërave të ndotura urbane (p.sh. nëpërmjet gropave septike).
Por duket se UKT dhe institucionet e tjera të varësisë së Bashkisë Tiranë nuk kanë informacion mbi mënyrën e operimit të këtyre subjekteve lidhur me largimin e ujërave të ndotura urbane; – “Brenda territorit të Liqenit të Tiranës bazuar në kontratat e lidhura me UKT operojnë 10 subjekte private. Ndërkohë sipas përgjigjeve të APR rezulton se operojnë 14 subjekte, pra ndërmjet institucioneve nuk ka një evidencë të saktë të numrit të subjekteve të cilat operojnë në zonën e PMLAT, gjithashtu nga verifikimet në terren i grupit të auditimit rezultoi se brenda PMLAT ka më shumë se 14 subjekte, të cilat, në mungesë të rrjetit të kanalizimeve brenda territorit të PMLAT, operojnë me zgjidhje individuale (si gropa septike), të cilat janë të pamonitoruara nga institucionet shtetëror”, nënvizojnë audituesit e KLSH.
Audituesit kanë rekomanduar që Agjencia Kombëtare e Mjedisit të marrë masat për kryerjen e monitorimit në stacionin e përcaktuar në Liqenin Artificial të Tiranës, sipas treguesve mjedisore, frekuencës dhe metodave të përcaktuara në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit dhe të vendosë në dijeni Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkinë Tiranë për rezultatet e këtyre analizave.
Po kështu që Bashkia Tiranë dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit të marrin masa për ngritjen e një grupi ndërinstitucional, me përfaqësi nga institucionet e varësisë të Bashkisë Tiranë dhe institucione të qeverisjes qendrore sipas fushëveprimeve përkatëse, për:
Evidentimin e të gjitha pikave të shkarkimit të ujërave të përdorura/ të ndotura (urbane, industriale, etj.), duke përfshirë, edhe pikat e evidentuara nga grupi i auditimit, me qëllim:
Ndjekjen e kanaleve të ujërave të shiut, për të evidentuar shkarkimet e jashtëligjshme të ujërave të përdorura në këto kanale;
Ndërprerjen e menjëhershme të lidhjeve të jashtëligjshme;
Evidentimin e ndotësve dhe marrjen e masave administrative sipas përcaktimeve ligjore kundrejt tyre./ Monitor
Norma e rrezikut të varfërisë në zonat urbane, qytetet e mëdha të Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Fierit, është rreth dy herë më e lartë se mesatarja e vendeve të BE-së.
Në Shqipëri, 41.8% e popullsisë urbane është e rrezikuar nga varfëria (të ardhura nën 60% të mesatares kombëtare), ndërsa në BE kjo normë luhatet rreth 21%, sipas të dhënave nga databaza e Eurostat.
Të dhëna tregojnë se Çekia ka nivelin më të ulët në Europë të varfërisë në zonat urbane, e ndjekur nga Sllovakia dhe Polonia me 11 deri 12%.
Në anën tjetër Shqipëria, Belgjika, Spanja dhe Italia kanë nivelin më të lartë të varfërisë në qytetet e mëdha.
Arsyet kryesore të varfërisë urbane në Shqipëri lidhen me të ardhurat e ulëta dhe informalitetin e lartë. Pagat në sektorët urbanë janë ende shumë më të ulëta krahasuar me standardet europiane dhe shumë punonjës në qytete punojnë pa kontrata dhe sigurime, duke i lënë ata jashtë skemave të mbrojtjes sociale dhe pensioneve.
Gjithashtu varfëria e lartë në zonat urbane të vendit tonë vjen edhe nga kosto e lartë e jetesës në qytete. Qiratë, energjia, uji dhe shërbimet bazë janë më të shtrenjta në qytete, por të ardhurat nuk janë në përpjesëtim të drejtë me këto kosto. Mungesa e strehimit social e bën më të vështirë jetesën për familjet me të ardhura të ulëta.
Ndërsa infrastruktura është më e zhvilluar në qytete, cilësia e shërbimeve sociale, arsimore dhe shëndetësore mbetet e paqëndrueshme dhe e pabarabartë.
Migrimi i brendshëm dhe urbanizimi i pakontrolluar ka ndikuar gjithashtu. Qytetet si Tirana, Durrësi dhe Elbasani kanë përjetuar migrim të brendshëm të vazhdueshëm nga zonat rurale.
Këto zhvillime kanë krijuar zonat periferike me strehim informal dhe mungesë aksesi në shërbime publike, duke rritur përqindjen e popullsisë në rrezik varfërie.
Nga ana tjetër mungojnë politikat efektive të mbrojtjes sociale. Skema e ndihmës ekonomike është shumë e kufizuar dhe shpesh nuk arrin të targetojë grupet më në nevojë.
Sistemi i taksave dhe përfitimeve sociale nuk ka efekt real tek shtresat në nevojë, ndryshe nga vendet e BE-së.
Shumë vende te BE-se e kanë zbutur varfërinë urbane duke ndërtuar banesa publike për familjet me të ardhura të ulëta. Funksionojnë skemat për subvencionim të qirasë për të rinjtë, çiftet dhe familjet me fëmijë.
Politika të tilla si fuqizimi i arsimit dhe trajnimeve profesionale në qytete për të përgatitur të rinjtë për tregun urban të punës, ndikon në zbutjen e varfërisë. Rritja e aksesit në çerdhe e kopshte që ndihmon veçanërisht gratë në punësim është mjet tjetër që përdor BE-ja.
Shembujt nga vendet e BE-së tregojnë se zgjerimi i skemës së ndihmës ekonomike dhe asistencës sociale me pagesa të drejtpërdrejta për familjet që jetojnë nën vijën e varfërisë urbane është një mjet efikas.
Formalizimi i tregut të punës për të siguruar që punonjësit urbanë kanë sigurime dhe kontrata të rregullta është një mjet tjerë që ka funksionuar në BE për reduktimin e varfërisë urbane./ Monitor
Kryeqyteti gjeneroi në vitin 2024 mbi 257 mijë tonë mbetje, duke u bërë kështu bashkia me rekordin e mbetjeve për frymë në vit në vend.
Të dhënat e fundit nga institucionet, tregojnë se Tirana gjeneroi 14.52 kg mbetje për frymë në ditë ndërkohë që pas saj vjen Durrësi me 5.02 kg për frymë në ditë.
Të dyja bashkitë kanë nivele jashtëzakonisht të larta, madje Tirana qëndron gati 10 herë më shumë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian dhe këtë e citon edhe raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
“Përsa i përket sasive të mbetjeve për banore në ditë (kg/banorë/ditë), Tirana rezulton si bashkia me gjenerimin më të lartë për frymë, me 14.52 kg/person/ditë, ndjekur nga Durrësi me 5.02 kg/person/ditë.
Të dyja vlerat janë shumë mbi mesataren e çdo vendi europian (1,3 – 1,8 kg/person/ditë).Në tabelën e mëposhtme jepen sasitë e mbetjeve kg/banorë/vit për dhjetë bashkitë që kanë gjeneruar me shume mbetje gjate 2024”, thuhet në raport.
Në dhjetë bashkitë më të mëdha, raporti vlerëson se në vend të tretë ishte Fieri me 1.61kg për frymë në vit dhe pas saj Vlora me 1 kg për frymë në ditë.
Bashkia me më pak mbetje të gjeneruara, ishte Berati me 0.6 kg mbetje për frymë në ditë.
Tirana gjeneron 30% të mbetjeve në nivel kombëtar
Tirana sipas të dhënave zyrtare, gjeneron rreth 30 për qind të mbetjeve në nivel kombëtar që i korrespondon një shifre rreth 258 mijë ton2.
Bashkia e dytë është Durrësi, me 67,564 tonë. “Kjo tregon një përqendrim të lartë të gjenerimit të mbetjeve në kryeqytet dhe në Durrës, si zona me aktivitetin më të madh ekonomik në vend.
Vlora, Fieri dhe Shkodra janë tre bashkitë e tjera që kanë nivele të konsiderueshme të gjenerimit të mbetjeve, ndonëse më të ulëta se Durrësi. Kjo përkon me faktin se këto bashki kanë një aktivitet ekonomik më të zhvilluar krahasuar me pjesën tjetër të vendit”, thuhet në raport.
Në total për vitin 2024, janë menaxhuar rreth 870,883.59 ton mbetje në gjithë vendin, një shifër kjo me rritje krahasuar me vitin 2023, ku ishin menaxhuar 820,322 ton mbetje.
Tre bashki urbane, përkatësisht Tirana, Fieri dhe Saranda, raportojnë se shërbimi i pastrimit të mbetjeve mbulon 100% të territorit.
Ndërkohë, tre bashkitë rurale me mbulimin më të ulët të territorit me shërbim mbledhjeje mbetjesh janë Fushë Arrëzi, Hasi dhe Memaliaj, përkatësisht me 22%, 35.2% dhe 50%.
Vetëm 26 bashki kanë raportuar mbi menaxhimin e mbetjeve inerte.
Saranda, Elbasani dhe Durrësi, janë bashkitë me sasitë më të mëdha të mbetjeve inerte nga ato që kanë raportuar. Bashkia e Tiranës, nuk ka raportuar për mbetje inerte./ Monitor
“Bulevardi u degradua totalisht, nuk kishte rrugë tjetër,” thotë një specialist i zyrës së Urbanistikës në Dibër për të justifikuar ribërjen nga e para të bulevardit “Elez Isufi” në qendër të qytetit të Peshkopisë. “Ndërhyrja ishte e detyruar,” shton ai, ndërsa kërkon të mos citohet me emër. Bulevardi “Elez Isufi” – një pedonale rreth 700 […]
Një tjetër hapësirë publike është çliruar dhe kryeministri Edi Rama teksa ka ndarë pamjet, shkruan me ironi se një mur i madh kinez ra sot. ”Ja dhe një mur i madh “kinez” që ra sot, për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0 edhe për këtë komunitet të bllokuar pas “murit”, madje për të çliruar edhe pemët e mbyllura brenda në lokal”,-shkruan Rama. Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po…
Nga Geri Emiri, Erjola Azizolli, Bardha Nergjoni dhe Xhevahir Zhabina Në një rrip toke mes lumit Erzen dhe një ligatine të gjelbër në fshatin Shetël të Shijakut, grumbujt e mbetjeve urbane janë pjesë e pandashme e peizazhit. Dikur habitat për shpendë dhe gjallesa të tjera ujore, ligatina po e humbet funksionin e saj natyror për […]
Administratori i kompanisë Eco-Elb, Leli Kaja, që menaxhon zonën e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, duket se hoqi dorë njëherë e mirë nga vënia në punë e inceneratorit, ndërsa e konsideroi situatën emergjente gjatë një interpelance me Këshillin Bashkiak të qytetit më 29 korrik. “Duhet ndërtuar një landfill i ri. Sasia e mbetjeve ka arritur […]