Krujë, afro pesë mijë vizitorë në Muzeun Historik dhe Etnografik gjatë janarit
TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës vazhdon të tërheqë vizitorë vendas e të huaj, duke shërbyer si një urë mes historisë dhe traditës shqiptare.
Vetëm gjatë muajit janar 2026, ky muze priti rreth 4948 vizitorë, sipas ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Muzeu Etnografik, i vendosur brenda kalasë së Krujës, funksionon në shtëpinë e familjes Toptani, një ndërtesë tip “çardak” e vitit 1764 dhe e kategorizuar si monument kulture i kategorisë së parë.
Brenda këtij muzeu, vizitorët mund të shohin një pamje të plotë të zejeve tradicionale shqiptare dhe të mënyrës së jetesës së paraardhësve tanë, që arrin deri 300 vite më parë.
Rreth 90% e objekteve të ekspozuara janë origjinale dhe 100% funksionale, duke përfshirë sende prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi dhe leshi.
Ekspozita përfshin qëndisma dhe punime artizanale të mjeshtërisë shqiptare, me moshë që varion nga 60 deri në 500 vjet. Muzeu u përurua më 20 nëntor 1989 dhe që atëherë është një pikë referimi për kulturën dhe traditën e Krujës dhe të gjithë Shqipërisë.
/r.e/a.f/
The post Krujë, afro pesë mijë vizitorë në Muzeun Historik dhe Etnografik gjatë janarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.