Marinsat e SHBA dhurojnë lodra për fëmijët e shtruar në QSUNT
TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Programi humanitar “Toys for Tots”, i realizuar nga Korpusi i Marinsave të Shteteve të Bashkuara, vijon të sjellë magjinë e festave për fëmijët në nevojë edhe në Shqipëri.
Këtë vit, përfaqësues të Marinsave amerikanë, në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, shpërndanë lodra për fëmijët e shtruar në Departamentin e Pediatrisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”.
Rreshteri i lartë në Trupën e Marinsave, Manuel Coronado, pjesë e Programit të Sigurisë në Ambasadë, shpjegoi se “Toys for Tots” është një nismë me histori të gjatë, e cila ka nisur në vitin 1947 nga një marins amerikan, me synimin për të bashkuar komunitetet dhe për t’u ofruar fëmijëve më pak fatlumë dhurata dhe shpresë në periudha të vështira ekonomike.
“Ne përfaqësojmë Korpusin e Marinsave dhe jemi krenarë që përmes këtij programi mund të sjellim buzëqeshje dhe gëzim për fëmijët”, u shpreh Coronado.
Ai theksoi se Marinsat amerikanë kanë shpërndarë lodra për fëmijët në Shqipëri që nga vitet 2000 dhe se kjo traditë do të vijojë edhe në të ardhmen, si pjesë e përkushtimit për të ndërtuar dhe forcuar marrëdhëniet me komunitetin vendas.
Nisma “Toys for Tots” mbetet një simbol i solidaritetit, bashkëpunimit dhe humanizmit, duke përcjellë mesazhin se edhe një lodër e vogël mund të sjellë shpresë dhe gëzim të madh.
/gj.m//a.f/
The post Marinsat e SHBA dhurojnë lodra për fëmijët e shtruar në QSUNT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.


