Shqipëria ka bërë hapa para në drejtim të transparencës fiskale, mirëpo ende ka mungesë në përfshirjen e qytetarëve dhe në llogaridhënien për mënyrën se si shpenzohet buxheti.
Këto janë gjetjet kryesore të Anketës së Buxhetit Transparent të vitit 2025 (OBS) për Ballkanin perëndimor dhe Turqinë, të cilat u prezantuan gjatë ditës së mërkurë në Tiranë.
Vendi ynë ka arritur të mbledhë 64 nga 100 pikë në indeksin për tansparencën fiskale, duke u renditur mbi mesataren rajonale prej 52 pikësh, duke u konsideruar si një ndër vendet me performancë më të mirë në Ballkanin Perëndimor.
Prej vitit 2015, kur ka nisur matja e transparencës, vendi ynë ka shënjuar rritje, nga 38 pikë në 2015, në 50 pikë në 2017, në 55 pikë në 2019, 52 pikë në 2021 dhe 57 pikë në 2023.
Burimi: Anketa e Buxhetit Transparent të vitit 2025 (OBS)
Megjithatë, raporti thekson se mbetet ende sfidë që të dhënat e buxhetit të jenë publike sa qytetarët dhe aktorët mbikëqyrës të ndjekin shpenzimet përgjatë gjithë vitit.
Sipas raportit, parlamenti dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë mandate zyrtarë për të monitoruar shpenzimet publike, mirëpo ka një boshllëk për aq kohë sa nuk zbatohen rekomandimet e lëna nga auditimi.
“Rezultati i përgjithshëm i mbikëqyrjes së Shqipërisë arrin 69 nga 100, me performancë më të lartë nga Institucioni i Lartë i Auditimit (78) krahasuar me mbikëqyrjen legjislative (64), duke treguar mbikëqyrje përgjithësisht të përshtatshme, por të pabarabartë në të gjitha institucionet”, thuhet në përmbledhjen e raportit.
Sa i takon pjesëmarrjes publike, Shqipëria vlerësohet me 17 pikë nga 100 në total, duke pasqyruar kufizim të qytetarëve për tu angazhuar në procesi ne buxhetit.
Krahasuar me vendet e tjera, vendin e parë për transparencën fiskale e mban Turqia me 65 pikë. Pas Shqipërisë vjen Kosova me 57 pikë, Mali i Zi me 54 pikë, Serbia me 53 pikë, Maqedonia e veriut me 396 pikë dhe Bosnje dhe Hercegovina me 30 pikë.
Burimi: Anketa e Buxhetit Transparent të vitit 2025 (OBS)
Raporti rekomandon që Shqipëria të përmirësojë zbulimin e rreziqeve fiskale, sidomos ato që lidhen me borxhin publik apo shpenzimet e prapambetura, si dhe të ofrojë raportim më gjithëpërfshirës në kohë për zbatimin e rezultateve të buxhetit.
Mes të tjerash, rekomandohet që raporti i zbatimit të fundvitit të pëfshijë raportim më të qartë për shpërndarjen e buxhetit dhe rezultatet për programet që synojnë grupet vulnerabël.
Të publikohet në platformën e-Albania “buxheti i qytetarëve” dhe të shpërndahet përmes bashkie apo organizatave të shoqërisë civile si dhe të ofrohet një raportim më i qartë mbi detyrimet e prapambetura dhe ndikimin e tyre në qendrueshmërinë fiskale.
Që nga 30 marsi, transporti urban pritet të reduktojë me 30% shërbimin e ofruar për qytetarët në Tiranë. Kjo vjen si pasojë e rritjes së vazhdueshme të çmimit të karburantit dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në kostot e operimit.
“Rritja e çmimit të naftës nga 145 lekë/litër para krizave të fundit në rreth 214 lekë/litër, pra një rritje prej afërsisht 70 lekë për litër, ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative”, citohet në deklaratën e bërë publike nga Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban dhe Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas.
Shoqatat kërkojnë nga institucionet ndërhyrje të menjëhershme përmes disa masave konkrete. Ato theksojnë nevojën për rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit, si dhe kërkojnë hartimin e një politike të veçantë për sektorin e transportit publik, që do të përfshinte edhe heqjen e TVSH-së.
Po ashtu, kërkohet vendosja e mekanizmave subvencionues ose kompensues, me qëllim garantimin e vijueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimit për qytetarët.
“Operatorët nuk synojnë reduktimin e shërbimit apo rritjen e çmimit të biletës, por vijueshmërinë dhe cilësinë e tij. Në kushtet aktuale, kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë pa mbështetje institucionale”, thuhet në deklaratë.
I kontaktuar nga Citizens.al, Dashnor Memaj tha se pas deklaratës publike, shoqatat janë në pritje të një takimi me Bashkinë e Tiranës për të gjetur forma të përbashkëta zgjidhjeje.
“Nuk po kërkojmë diçka të pabëshme, por diçka që vendet e rajonit e kanë bërë tashmë. Rritja e çmimit të karburantit është një krizë që prek drejtpërdrejt transportin publik”, vijoi Memaj.
Memaj kujton raste të ngjashme kur situata është menaxhuar mirë nga institucionet shtetërore, si për shembull në vitin 2022, kur për shkak të luftës në Ukrainë, shteti subvencionoi transportin publik për gjashtë muaj.
Kostandin Foni, drejtues i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, shpjegon se nëse institucionet përgjegjëse nuk marrin masa dhe nuk reagojnë gjatë kësaj jave, ulja e numrit të mjeteve do të jetë e pashmangshme.
“Jo se operatorët nuk duan të ofrojnë shërbim për qytetarët… Shteti duhet të ndërhyjë, qoftë përmes qeverisjes vendore apo asaj qendrore, ose duke ndryshuar çmimin e transportit, ose duke kompensuar vlerën e shtuar të karburantit”, përmbylli Foni.
Situata mbetet e paqartë dhe në pritje të vendimeve institucionale që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në vijueshmërinë e shërbimit.
Zgjidhja e shpejtë e këtij ngërçi konsiderohet thelbësore për të shmangur ndërprerjet dhe për të garantuar transportin publik për qytetarët.
Në Parkun Kombëtar të Shebenikut, një nga zonat më të pasura natyrore të Shqipërisë, një grup aktivistësh, përfaqësues të zonave të mbrojtura dhe të rinj u bënë bashkë për të mbjellë 50 fidanë pishe në një zonë të degraduar të parkut.
Aktiviteti, i zhvilluar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve ishte një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës, si dhe forcimin e lidhjes së komunitetit me natyrën.
Gëzim Shuli, nga organizata mjedisore lokale “AlbNatyra” tha për Citizens.al se u përzgjodh kjo zonë, pasi lidhet me nevojën për të rikuperuar zonat e eroduara të parkut.
“Me këtë synojmë që të kontribuojmë sado pak në shtimin e shumëllojshmërisë së këtij parku, por edhe pse jo të shtojmë sipërfaqen e gjelbër. Lloji që ne po mbjellim është pishë e zezë që është autoktone e këtij vendit këtu dhe po përpiqemi që në këto zonat e eroduara të shtojmë sado pak gjelbërimin”, u shpreh Shuli.
Sipas Gëzim Shulit, ky park është një nga parqet më të mëdha dhe më të mirë menaxhuara, ndaj është e rëndësishme të përçohet te komuniteti edhe përgjegjësia për ta ruajtur atë.
“Po përpiqemi që qoftë edhe me aktivitetet që ne po bëjmë të rrisim edhe sado pak ndërgjegjësimin e njerëzve, por edhe përfshirjen e komuniteteve dhe të rinjve në mënyrë që të lidhen më shumë me natyrën dhe ta mbrojnë atë për brezat që do të vijnë në të ardhmen”, u shpreh Shuli.
Pjesë e mbjelljes së fidanëve ishte edhe organizata LUMI. Besjana Guri, drejtuese e saj, vuri theksin te rëndësia konkrete e nismave të tilla.
“Janë zgjedhur patjetër pemë që i përshtaten terrenit dhe kanë shanse shumë të larta për të mbirë dhe për të mbijetuar dhe për të pasur për një periudhë rreth 10 vjeçare, një pyll në anë të rrugës, në fakt edhe një zonë që deri para pak kohësh ishte pre edhe e hedhjes së mbetjeve, pra ishte bërë një vendgrumbullim i paligjshëm”, u shpreh Guri për Citizens.al.
Sipas saj, ajo ç’ka synohet është që ky terren pas disa vitesh të ofrojë freskinë e parkut me pemët e rritura. Mes të tjerash, Besjana Guri, solli në vëmendje edhe përfshirjen e të rinjve në këtë proces.
“Është shumë e rëndësishme që brezat e rinj të jenë sa më shumë të angazhuar në punë konkrete. Ta njohin natyrën nga afër, ta duan atë, ta prekin, të dinë se si mund të mirëmbahen pyjet, se si ne mund të kontribuojmë konkretisht për mbrojtjen e parqeve tona kombëtare”, u shpreh Guri.
Pjesë e procesit të mbjelljeve në Parkun Kombëtar Shebenik ishin edhe përfaqësues të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Elbasanit.
Ardit Kullafi, drejtues i AZM-së Elbasan solli në vëmendje rëndësinë e parkut dhe shtrirjen e gjerë të tij. Ndërsa, nënvizoi rëndësinë për mirëmbajtje të parkut.
“Si çdo park edhe Parku Kombëtar Shebenik si pasojë e kushteve atmosferike dhe një pjesë përfshi edhe zonat e renduara dhe ka nevojë për mbjellje, për rigjenerim të natyrës. Dhe ky aktivitet i sotëm është një orientim i mirë, është një dëshirë e mirë e rinisë për këtë aktivitetet për shtimin e sipërfaqeve pyjore të parkut Shebenik”, u shpreh Ardit Kullafi për Citizens.al.
Për Xhek Nezhën, inxhinier mjedisi dhe pjesë e AZM-së Elbasan, qëllimi kryesor i parkut është konservimi i natyrës.
“Janë mbi 12 shtigje që janë markuar me sinjalistikë, ku përdoren për hiking (ecje). Kryesisht janë në drejtimet rreth liqeneve akullnajore, majat e Shebenikut, është shpella e akullit, shpella Eremitë e Kosharishtit”, u shpreh Xhek Nezha për Citizens.al.
Sipas Nezhës, parku ka një larmishëmri të madhe të biodiversitetit.
“Rreth 35% e florës së gjithë Shqipërisë ndodhet në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Kjo falë edhe disnivelit që ka, nga 270 metra mbi nivelin e detit deri në 2264 metra që është maja e Shebenikut”, nënvizoi Nezha.
Karakteristikë e veçantë e parkut është edhe përfshirja e pjesës jugore të tij në UNESCO.
“Në 2017 janë shpallur rreth 2200 hektarë trashëgimi natyrore botërore, pyjet e vjetra të ahut në zonën e Rrajcës. Kemi rreth 80% të bimëve medicinale që ndodhen në parkun Kombëtar të Shebenikut. Ka edhe pyje të tjera, pyje me halorë, pyje të pishës së zezë”, solli në vëmendje inxhinieri Nezha.
Të rinjtë që morën pjesë në mbjelljen e pishave, përshkuan më pas një pjesë të parkut, për të vizituar shpellën e akullit, një vendndodhje e shënjuar me sinjalistikë dalluese.
Parku Kombëtar i Shebenikut është shpallur i tillë në vitin 2008. Mban në vetvete dy lumenj kryesorë sikurse Bushtrica dhe Rrapuni si dhe 14 liqene akullnajore të vegjël, por me biodiversitet të larmishëm.
Pedagogët e Universitetit të Arteve janë në prag bojkoti, duke denoncuar mosnjohjen e titujve dhe statusit të tyre akademik, pavarësisht një vendimi qeveritar që e parashikon këtë njohje mbi bazën e kontributit profesional. Artistët e shohin këtë jo vetëm si problem formal, por prek drejtpërdrejt karrierën, pagesat dhe funksionimin e vetë universitetit.
Tenori me famë botërore Josif Gjipali, i njohur për interpretimet në skena ndërkombëtare nga La Scala deri në Pekin, nuk gëzon statusin e pedagogut në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Arsyeja lidhet pikërisht me moszbatimin e një Vendimi të Këshillit të Ministrave që parashikon njohjen e titujve mbi bazën e meritës dhe kontributit artistik.
Vendimi i miratuar në mars 2021 synonte të përfshinte në mësimdhënie figura me karrierë të spikatur, edhe pa ndjekur domosdoshmërisht rrugën e zakonshme akademike. Ai parashikonte që këta profesionistë të vlerësoheshin nga komisione përkatëse dhe të miratoheshin më pas nga Senati Akademik, duke krijuar një urë mes praktikës artistike dhe sistemit universitar.
Megjithatë, sipas pedagogëve, kjo skemë nuk po zbatohet. Për pasojë, dhjetëra artistë me emër dhe kontribute të çmuara mbeten në pozicione të ulëta akademike, pa njohje të plotë të kontributit të tyre dhe pa përfitime të denja financiare.
“Duke e lënë mënjanë modestinë, por me gjithë atë karrierë që kam unë dhe të jem asistent-lektor, nuk arrij ta kuptoj,” shpreh zhgënjimin e tij Gjipali teksa foli për Citizens.
Problematika prek rreth 50 profesionistë nga fusha të ndryshme të artit dhe ata paralajmërojnë bojkot të mësimit nëse kërkesat nuk adresohen.
Sipas tyre, përveç mungesës së njohjes së titujve, situata është përkeqësuar edhe nga kërkesa kontradiktore për doktoraturë, ndonëse vetë Ministria e Arsimit ka sqaruar se për këtë kategori ajo nuk është e detyrueshme.
“Deri më sot jo vetëm që nuk është bërë asgjë, por na është dërguar edhe një email ku thuhet se doktoratura është e domosdoshme. Ndërkohë, ne i kemi kërkuar Ministrisë sqarim dhe vetë ajo na ka konfirmuar se për ne doktoratura dhe titujt nuk janë të detyrueshëm,” shpjegon Gjipali.
Sipas tij, edhe procedura e miratimit të titujve, e përmbyllur në vitin 2024, është shoqëruar me kufizime të reja. Një prej tyre ndalon përfituesit të aplikojnë për pozicione drejtuese si dekan apo drejtor, çka, sipas grupit të pedagogëve, bie ndesh me vetë logjikën e njohjes së meritës.
“Ti më trajton si të veçantë për karrierën e spikatur dhe nuk qenkam unë i zoti të konkurroj për dekan?” vijoi me pyetje retorike tenori Gjipali, sipas të cilit kjo ngjan me një mënyrë për të mbajtur “status-quo”-në.
Përtej statusit formal, çështja ka edhe ndikim ekonomik. Gjipali thotë se pagesat e tyre janë të krahasueshme me ato të arsimit parauniversitar si Liceu Artistik, ndërsa artistë të institucioneve si Teatri i Operës apo Orkestra e Radio-Televizionit përfitojnë paga dukshëm më të larta, megjithëse formohen në këtë universitet.
Kauza është mbështetur edhe nga pedagogë të tjerë të Universitetit të Arteve, përfshirë ata që aktualisht e gëzojnë statusin akademik. Ata paralajmërojnë se moszbatimi i vendimeve po cenon jo vetëm të drejtat individuale, por edhe funksionimin institucional.
“Çdo vendim që merr parlamenti i universitetit, senati, duhet të zbatohet. Nëse ky vendim nuk zbatohet, prishet procesi i titujve, i akreditimit dhe i programeve. Është një emergjencë brenda universitetit,” u shpreh pedagogu dhe kuratori Ardian Isufi.
Çështja është marrë në shqyrtim edhe nga Sindikata e Pedagogëve, e cila kërkon ndërhyrje nga Ministria për të zgjidhur ngërçin. Sipas saj, mungesa e një zgjidhjeje rrezikon të thellojë krizën në promovimin akademik dhe të minojë standardet e sistemit universitar në art.
“Kërkojmë zgjidhjen e ngërçit nga instancat përkatëse për çështjen e promovimit akademik të personelit, qoftë brenda dhe jashtë universitetit, me ndërhyrjen e Ministrisë,” deklaron Sandër Kovaçi, kreu i Sindikatës së Pedagogëve.
Dokumente të siguruara nga Citizens.al tregojnë se projekti i “Parkut të Besimit” në Petrelë, i prezantuar publikisht si një hapësirë publike që do të mishërojë harmoninë fetare në Shqipëri, lidhet drejtpërdrejt me një territor që përfshin një monument kulture të kategorisë së parë: muret e qytetit antik të Persqopit.
Projekti u shpall fitues në tetor 2025 nga konkursi i çuar përpara prej Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Turizmit, Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT). Por procedurat për shqyrtimin e ndërhyrjeve në këtë zonë nuk rezultojnë të kenë nisur ende.
Ky kontrast mes promovimit publik të projektit dhe fazës në të cilën ai ndodhet në koordinimin me institucionet e trashëgimisë kulturore lë vend për diskutim se si është konceptuar dhe planifikuar zhvillimi i këtij projekti.
Çfarë thonë institucionet e kulturës
Projekti i “Parkut të Besimit,” konceptuar nga një grup arkitektësh të kryesuar nga Bjarke Ingels, parashikon kthimin në park publik të rreth 210,000m² troje kodrinore (21% e të cilave private) të Petrelës.
Koncepti nuk përfshinte aspekte teknike si koeficentët e shfrytëzimit të truallit, volumetria e ndërtimeve dhe sipërfaqet e sakta. Por nga propozimi kuptohet se ai do të ketë 10 struktura kryesore (1 muze dhe 9 pavijone fetare), të cilat do të shoqërohen me gjelbërim, shtigje të reja, struktura akomoduese, bare, restorante dhe një hotel.
Sipas preventivit paraprak, e gjitha do të kërkojë rreth 23.5 milionë euro investim. Nuk është e qartë se çfarë formule do të përdoret për zhvillimin e këtij projekti, por me gjasë do të jetë një tjetër thirrje nga Korporata për partneritet publik-privat.
Megjithatë, vlen të theksohet se projekti zhvillohet në perimetrin e mbrojtur të rrënojave të qytetit antik të Persqopit, një vendbanim i hershëm që ngrihet mbi kodra.
Renderë të propozimit të BIG për Parkun e Besimit/Citizens.al
Studiues të ndryshëm e kanë lidhur Persqopin me një vendbanim të rëndësishëm të periudhës ilire dhe helene, ndërsa mbetjet arkeologjike të zonës përfshijnë struktura mbrojtëse dhe një varr monumental.
Për shkak të vlerës historike, ky sit është vendosur në listat e monumenteve të kulturës së shtetit shqiptar që prej vitit 1948.
Sipas dokumenteve zyrtare, “Muret antike dhe varri i Persqopit” gëzojnë statusin e Monumentit të Kulturës së Kategorisë së Parë, një nga nivelet më të larta të mbrojtjes në legjislacionin shqiptar për trashëgiminë kulturore.
Për këtë monument, në vitin 2015 është përcaktuar gjithashtu edhe një zonë mbrojtëse, ku ndërhyrjet zhvillimore janë të kufizuara sipas një rregulloreje të posaçme.
Çfarë tregojnë dokumentet
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka konfirmuar për Citizens.al se projekti “Parku i Besimit” është përmendur në komunikimet institucionale në prill të vitit 2025.
Sipas dokumenteve, AKPT i është drejtuar IKTK-së me një kërkesë për informacion lidhur me zonën e mbrojtur të Persqopit në kuadër të këtij projekti: kërkesa për informacion me Nr.662 mban datën 16 prill 2025.
Përmes saj AKPT kërkonte të dhëna mbi aktet ligjore që rregullojnë zonën, kufijtë dhe rregullat që duhen respektuar për ndërhyrje të mundshme zhvillimi pranë monumentit. Por ka një problem.
Kjo kërkesë është bërë rreth 4 javë pasi Korporata kishte hapur thirrjen për zhvillimin e zonës (21 mars 2025) duke lënë të kuptohet se për këtë thirrje nuk janë respektuar të gjitha hapat e nevojshme.
Paralelisht, mos-përfshirja në organizim të Ministrisë së Kulturës (Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit MEKI; ristrukturuar pas shtatorit 2025 në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit MTKS) ngre pikëpyetje të tjera.
IKTK sqaroi për Citizens.al se Persqopi nuk klasifikohet si zonë arkeologjike, por si monument kulture i kategorisë së parë me perimetër të mbrojtur të përcaktuar me urdhër të ish-Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro Nr. 44 datë 2 shkurt 2015.
Një tjetër element i rëndësishëm që ITKT dha në përgjigjje ishte se deri më tani – pesë muaj pas konkursit – nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë aplikim formal për projektin pranë sportelit unik të IKTK-së.
Një projekt publik pa projekt teknik
Legjislacioni shqiptar për trashëgiminë kulturore parashikon procedura të detajuara për çdo ndërhyrje në zonat e mbrojtura të monumenteve.
Në rastin e monumenteve të kategorisë së parë, çdo projekt që parashikon ndërhyrje në zonën e mbrotjur duhet të paraqitet me dokumentacion të plotë teknik dhe të shqyrtohet nga këshillat përkatës të trashëgimisë kulturore.
Varri monumental i Persqopit/KISH
Dokumentacioni përfshin, ndër të tjera, projektet arkitekturore, koordinatat gjeografike të ndërhyrjeve, studimet teknike dhe specifikimet edetajuara të punimeve. Në shumë raste kërkohet gjithashtu kryerja e survejimeve arkeologjike paraprake ose monitorimi arkeologjik gjatë punimeve.
Pa ndjekjen e këtyre procedurave, institucionet e trashëgimisë nuk mund të shqyrtojnë dhe miratojnë ndërhyrjet në zona të tilla.
Nga dokumentet e publikuara rezulton se, ndonëse projekti është prezantuar publikisht dhe është zhvilluar një konkurs ndërkombëtar për masterplanin, në institucionet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore nuk është depozituar ende një projekt teknik për shqyrtim.
Kjo do të thotë se faza aktuale e projektit mbetet në nivel konceptual dhe nuk ka hyrë ende në procesin formal të autorizimit për ndërhyrje në zonën e mbrojtur të Persqopit.
Kjo krijon një diferencë të dukshme mes mënyrës se si projekti është komunikuar publikisht dhe fazës në të cilën ai ndodhet në procedurat institucionale.
“Parku i Besimit” u përmend si projekt madhor nga kuratorja Vanessa Norwood, në intervistën me Kryeministrin Edi Rama, që përgatiti për gazetën e Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanik (RIBA) me rastin e përfshirjes së tij në listën e nderit për vititn 2026.
Petrela është një nga zonat ku historia e hershme dhe zhvillimi urban i dekadave të fundit po ndërthuren gjithnjë e më shumë. Afërsia me Tiranën dhe potenciali turistik i zonës kanë nxitur interesin për projekte të reja zhvillimi.
Megjithatë, paralelisht këtyre ambicieve qëndron trashëgimia historike e ndjeshme, e cila kërkon studim dhe trajtim të kujdesshëm sipas procedurave që parashikon ligji.
Projekte si “Parku i Besimit” mund të sjellin vizitorë dhe investime në zonë, por mënyra se si ato ndërthuren me trashëgiminë kulturore mbetet çështje që kërkon transparencë, përfshirjen e komunitetit lokal, vlerësim profesional dhe debat të hapur publik.
Shqipëria vijon të klasifikohet si vend “pjesërisht i lirë,” nga “Freedom House”. Sipas raportit më të fundit për vitin 2025 vendi ka marrë 68 pikë nga 100 të totalit duke ruajtur të njëjtin nivel si një vit më parë.
Në një perspektivë pesëvjeçare, Shqipëria shfaq një stanjiacion të dukshëm mes së njëjtit vlerësim 67-68 pikë (2021-2025), luhatje që tregon mungesë progresi në cilësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit.
“Freedom House” është një organizatë ndërkombëtare me seli në Shtetet e Bashkuara. Ajo monitoron dhe vlerëson gjendjen e demokracisë, lirive politike dhe të drejtave civile në mbi 190 vende të botës.
Raportet e saj vjetore “Freedom in the World” konsiderohen ndër matësit më objektivë sa i takon cilësisë së demokracisë, duke u referuar gjerësisht nga institucione ndërkombëtare, studime dhe media.
Vlerësimet e kësaj organizate ndikojnë në perceptimin ndërkombëtar për vendet, si dhe përdoren shpesh për të analizuar prirjet demokratike, regresin apo progresin e një shteti sa i takon mirë-qeverisjes dhe sundimit të ligjit.
Raporti vlerëson çdo vit disa fusha kyçe të jetës publike, qeverisjen qendrore dhe vendore, procesin zgjedhor, mjedisin ligjor, funksionimin e shoqërisë civile, pavarësinë e medias dhe korrupsionin.
Ndër elementët pozitivë për Shqipërinë gjatëvitit 2025, raporti i “Freedom House” evidenton mbajtjen e zgjedhjeve konkurruese dhe pluralizmin politik, si dhe respektimin në përgjithësi të lirive fetare dhe të tubimit.
“Liria fetare dhe liria e tubimit përgjithësisht respektohen”, thuhet në raport.
Megjithatë, raporti thekson se polarizimi i lartë politik mbetet problem strukturor, ndërsa partitë politike nuk funksionojnë si organizata të hapura, por janë të përqendruara rreth figurave të liderëve të tyre.
“Korrupsioni dhe ryshfeti mbeten probleme të mëdha, megjithëse qeveria ka ndërmarrë hapa për të trajtuar korrupsionin në sistemin gjyqësor”, vlerëson raporti.
Si zhvillime pozitive përmenden puna e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK/GJKKO) në hetimin dhe gjykimin e zyrtarëve të lartë, si dhe avancimi i reformës në drejtësi, përfshirë procesin e vetingut që ka larguar nga sistemi gjyqtarë dhe prokurorë të dyshuar për korrupsion.
Nga ana tjetër, Shqipëria duket se vijon të marrë pikë të ulëta në fusha kritike si liria dhe pavarësia e medias, liria akademike dhe të drejtat e punëtorëve për organizim sindikal. Problem mbeten edhe çështjet e të drejtave të njeriut, përfshirë dhunën në familje.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria pozicionohet disi më mirë, por me të njëjtat problematika dhe vlerësim të përgjithshëm si vende “pjesërisht të lira”: Serbia është vlerësuar me 53 pikë, Bosnjë dhe Hercegovina me 54 pikë, Kosova 60 pikë, Maqedonia e Veriut 67 pikë dhe Mali i Zi 68 pikë.
Patronazhi politik është shndërruar në mekanizmin kryesor që po ushqen korrupsionin dhe po deformon qeverisjen në Ballkanin Perëndimor. Ky është përfundimi qendror i një raporti rajonal, i cili argumenton se skema e dikurshme “një votë për vend pune”, është shndërruar në një sistem kompleks varësie dhe kontrollesh politike që ka kapur shtetet.
Raporti, i titulluar “Patronazhi politik, një katalizator për korrupsionin dhe keqqeverisjen në Ballkanin Perëndimor,” vjen në një moment kur vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, janë angazhuar në reforma anti-korrupsion në kuadër të proceseve të integrimit europian, por që po kanë rezultate të kufizuara.
Analiza vjen nga “Southeast European Leadership for Development and Integrity” (SELDI) dhe sugjeron se arsyeja e këtij stanjacioni lidhet pikërisht me rolin e patronazhit politik, i cili vazhdon të funksionojë si një infrastrukturë paralele pushteti.
SELDI është një rrjet me mbi 30 organizata të shoqërisë civile në Evropën Juglindore, i cili prej më shumë se dy dekadash monitoron korrupsionin dhe politikat e qeverisjes në rajon.
Përmes instrumenteve të standardizuara, si “Corruption Monitoring System” dhe “State Capture Diagnostics,” ky rrjet ka ndërtuar një bazë të dhënash mbi mënyrën si funksionojnë institucionet dhe marrëdhëniet mes politikës dhe ekonomisë.
Raporti i fundit përfaqëson një vazhdimësi të këtyre analizave, por me fokus të drejtpërdrejtë te patronazhi politik si faktor kyç.
Në këtë kontekst, patronazhi nuk trajtohet si një fenomen periferik, i kufizuar në nepotizëm apo punësime partiake. Ai përkufizohet si një sistem marrëdhëniesh ku burimet publike – nga vendet e punës te shërbimet, lejet e ndërtimit, licencat, tenderët, koncesionet dhe kontratat – shpërndahen jo mbi bazën e garës dhe meritokracisë por “bindjes dhe besnikërisë politike.”
Kjo krijon një rrjet varësie, ku qytetarët dhe punonjësit e administratës lidhen me pushtetin jo përmes marrëdhënieve ligjore, por përmes marrëdhënieve informale. Raporti argumenton se pikërisht ky sistem po e kthen korrupsionin në një praktikë të organizuar dhe të qëndrueshme.
Kështu, në vend që të jetë një devijim nga rregullat, korrupsioni po bëhet pjesë e funksionimit të përditshëm të institucioneve. Në këtë kuptim, “patronazhi politik” po shfaqet si “katalizator” që lidh mes tyre abuzimin me burimet publike, kapjen e institucioneve dhe manipulimin e proceseve demokratike.
Në nivel rajonal, gjetjet e raportit tregojnë një model të përsëritur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Administrata publike rezulton e politizuar, me ndryshime të shpeshta në varësi të proceseve zgjedhore, ndërsa burimet shtetërore përdoren për të siguruar avantazh elektoral.
Skema e patronazhit dhe nivelet e tij në rajon/Seldi; Citizens.al
Institucionet e kontrollit, si auditimet, Kontrolli i Lartë i Shtetit, apo drejtësia, thuhet se mbeten të ekspozuara ndaj ndikimit politik, duke kufizuar efektivitetin e tyre. Por, një element thelbësor që vë në pah raporti është normalizimi i këtyre praktikave në perceptimin publik, çka e bën sistemin më të qëndrueshëm dhe më të vështirë për t’u goditur.
Brenda kësaj panorame, Shqipëria paraqitet si një rast tipik i këtij modeli. Raporti evidenton se administrata publike në vend mbetet e lidhur ngushtë me partitë politike – partinë në pushtet, – ndërsa rotacionet shoqërohen me zëvendësime të gjera të stafit apo bordet drejtuese të kompanive shtetërore.
Kjo ka krijuar një strukturë ku karriera në sektorin publik varet më shumë nga lidhjet politike sesa nga meritokracia.
“[…] skenar praktik është manipulimi i proceseve të prokurimit: vendosja e kritereve të ngushta, përjashtimi i operatorëve konkurrues ose përdorimi i negociatave të drejtpërdrejta në favor të subjekteve të preferuara,” thuhet në raport.
“Këto praktika zbatohen përmes dokumentacionit teknik dhe procedurave që duken të ligjshme, por që në thelb synojnë të zvogëlojnë konkurrencën dhe të favorizojnë fituesit e lidhur politikisht,” vijon raporti.
Por, një nga aspektet më të ndjeshme lidhet me proceset zgjedhore. Përdorimi i burimeve shtetërore për mobilizim elektoral dhe presioni, shpesh indirekt, mbi punonjësit publikë për të mbështetur forca të caktuara politike, identifikohen si praktika që deformojnë edhe sistemin demokratik.
Në këtë mënyrë, patronazhi nuk shërben vetëm për shpërndarje përfitimesh, por edhe për mbajtjen dhe riprodhimin e pushtetit politik.
Po ashtu, raporti sugjeron se institucionet e pavarura në Shqipëri mbeten të brishta përballë ndikimit politik. Edhe pse në letër ekzistojnë mekanizma kontrolli, në praktikë autonomia e tyre kufizohet nga ndërhyrjet dhe presionet politike. Kjo situatë krijon një hendek të dukshëm mes kuadrit ligjor dhe zbatimit real.
Një nga gjetjet më të forta të raportit është dimensioni social i fenomenit. Në Shqipëri, si në pjesën tjetër të rajonit, patronazhi shpesh perceptohet si një mënyrë e zakonshme për të siguruar akses në shërbime apo mundësi punësimi. Kjo e bën sistemin vetë-riprodhues, pasi qytetarët, përballë mungesës së besimit te institucionet, i drejtohen rrjeteve informale si zgjidhje praktike.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, raporti sugjeron se Shqipëria ndan të njëjtat karakteristika strukturore, por me një theks të veçantë te lidhja e patronazhit me ciklet elektorale.
Kjo e bën sistemin më dinamik, por jo më pak të rrënjosur. Në vende si Serbia apo Mali i Zi, patronazhi paraqitet më i konsoliduar dhe i centralizuar, ndërsa në Shqipëri ai thuhet se “mbetet më fleksibël, por njësoj efektiv në ruajtjen e kontrollit politik”.
Në këtë kuadër, raporti ofron edhe një shpjegim për “dështimin relativ” të reformave anti-korrupsion.
Sipas analizës, shumica e reformave janë fokusuar te ndërtimi i institucioneve dhe përmirësimi i kuadrit ligjor, ndërsa kanë anashkaluar rrjetet informale të patronazhit që në fakt përcaktojnë mënyrën si funksionon pushteti.
Për këtë arsye, edhe ndërhyrjet e mbështetura nga Bashkimi Europian kanë prodhuar shpesh rezultate të kufizuara.
Në këtë kontekst raporti i SELDI-t sugjeron se korrupsioni në Ballkanin Perëndimor nuk është thjesht një problem i zbatimit të ligjit, por një model qeverisjeje i ndërtuar “mbi marrëdhënie patronazhi” dhe për Shqipërinë, kjo nënkupton se sfida nuk qëndron vetëm te forcimi i institucioneve formale, por te çmontimi i rrjeteve informale që vazhdojnë të përcaktojnë funksionimin real të shtetit.
Precedenti shqiptar me patronazhistët
Rasti më konkret që ilustron praktikën e patronazhit politik në Shqipëri doli në dritë në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, kur në media qarkulloi një databazë e madhe në format Microsoft Access me të dhëna të detajuara për qindra mijëra qytetarë.
Edi Rama pas suksesit në zgjedhjet e vitit 2021/Citizens.al
Publikimet raportuan se databaza përmbante rreth 910 mijë votues në Tiranë dhe zona të tjera, një shifër që përfshinte praktikisht pjesën dërrmuese të elektoratit aktiv në kryeqytet.
Dokumenti përmbante jo vetëm të dhëna bazë identifikimi – si emri, numri personal, adresa, vendi i punës dhe kontaktet – por edhe informacione politike të strukturuara si preferenca partiake, kategorizimin si votues “i sigurt”, apo “jo”, si dhe shënime të tjera që në disa raste përfshinin problematika personale apo në marrëdhënie me institucionet shtetërore.
Një element kyç i databazës ishte kolona që identifikonte për secilin qytetar një person përgjegjës – të ashtuquajturin “patronazhist”. Ky individ, zakonisht i lidhur me strukturat partiake në terren, kishte për detyrë të ndiqte, përditësonte dhe ndikonte sjelljen elektorale të votuesve të caktuar.
Kjo e bënte databazën jo thjesht një listë, por një instrument operativ për mobilizim politik.
Rasti u bë publikisht i njohur si “lista e patronazhistëve” dhe ngriti shqetësime të forta për përdorimin e të dhënave personale, përfshirë dyshimet se një pjesë e tyre mund të ishin marrë nga sisteme shtetërore, si tatimet, regjistrat e gjendjes civile apo dhe vetë kompanitë.
Institucionet e mbrojtjes së të dhënave dhe organet e drejtësisë nisën hetime, ndërsa çështja u shoqërua me debat të gjerë publik dhe politik, pasi fillimisht u ndoqën gazetarët dhe media që e botoi e para si skandal: Lapsi.al
Nga ana tjetër, reagimi i Kryeministrit Edi Rama ishte si “patronazhist” ndaj praktikës. Ai e relativizoi fenomenin duke e paraqitur si një metodë organizimi politik të përdorur edhe nga partitë dhe vendet e tjera, duke mohuar shkeljet sistemike. Sipas tij të dhënat ishin gjeneruar nga vetë anëtarët e partisë.
Megjithatë, përtej debatit politik, rasti i vitit 2021 mbetet ilustrimi më konkret i funksionimit të patronazhit politik në Shqipëri në formë të strukturuar dhe të dokumentuar.
Ai dëshmoi se marrëdhënia mes partive dhe votuesve nuk ndërtohet vetëm mbi programe apo bindje ideologjike, por edhe mbi një sistem monitorimi dhe ndikimi të drejtpërdrejtë, i cili ndërthuret me aksesin në burime dhe informacione.
Në këtë kuptim, “skandali i patronazhistëve” përbën një precedent kyç për të kuptuar se si koncepti i patronazhit, i trajtuar në raportin e SELDI-t në nivel teorik dhe rajonal, ka marrë në Shqipëri një formë konkrete, të integruar në praktikën elektorale, por jo vetëm.
Rrjeti SELDI beson se kapërcimi i sfidave të paraqitura nga patronazhistët kërkon një qasje komplekse dhe shumëdimensionale.
“Kjo qasje duhet të përqendrohet kryesisht në profesionalizimin e mëtejshëm të sektorit publik, masa më të forta për të luftuar kapjen e shtetit dhe transparencë të përmirësuar në qeverisje,” thuhet në raport,
Objektivi është që, krahas krijimit dhe promovimit të një shërbimi publik të bazuar në meritokraci dhe llogaridhënie në prokurimet publike të garantohet gara, transparenca duke rritur kështu besimin e qytetarëve në institucionet publike.
Gjykata Administrative e Apelit refuzoi kërkesën e organizatës “Drejtësi Sociale” për pezullimin e menjëhershëm të udhëzimit që ndalon mësuesit e punësuar pas vitit 2011 të japin provimin e kualifikimit pa kryer më parë provimin e licencimit.
Gjykata do të vijojë shqyrtimin e padisë në themel, pa vendosur një masë paraprake pezullimi.
Dy ditë më parë, organizata “Drejtësi Sociale” dorëzoi një padi, duke kërkuar shfuqizimin e udhëzimit nr. 12, datë 24 shkurt 2025, i cili detyron një kategori mësuesish të japin provimin e licencimit; në të kundërt, ata nuk mund të hyjnë në procesin e kualifikimit.
Gentian Sejrani, avokat dhe drejtues i organizatës “Drejtësi Sociale”, u shpreh se padia erdhi si pasojë e shqetësimeve të dhjetëra mësuesve, të cilët janë punësuar pas vitit 2011 dhe nuk kanë kaluar provimin e shtetit.
Sipas tij, një pjesë e mësuesve kanë kaluar fazën e parë të kualifikimit, ndërsa pengesa është shfaqur në fazën e dytë, që zhvillohet pas 10 vitesh pune në profesion.
Aktualisht, sistemi i kualifikimit të mësuesve parashikon tre nivele: pas 5 vitesh titullin “mësues i kualifikuar”, pas 10 vitesh “mësues specialist” dhe pas 20 vitesh “mësues mjeshtër”.
Këto nivele shoqërohen me rritje page përkatësisht 5%, 10% dhe 20%.
Sipas Sejranit, ky udhëzim krijon pabarazi të drejtpërdrejtë në paga dhe trajtim profesional, në krahasim me kolegët e tyre.
Kur ishte 28 vjeç, Luçiana Kokaj së bashku me bashkëshortin, u zhvendosën në Milano të Italisë. Si pjesa më e madhe e atyre që emigrojnë nga Shqipëria edhe ata “nuk po shihnin më dritë jeshile”.
Por, pas pesë vitesh, ajo është kthyer nga Italia për të mbrojtur tokën e familjes, siç e përshkruan, “për të mos e lënë që ta plaçisin”. Prej 45 ditësh Luçiana është shndërruar në një nga protestueset më mediatike dhe më të zëshme të “Rezistencës së Rrjollit”.
Kjo është një betejë që ajo e shikon si amanet të vjehrrit të saj dhe njëkohësisht si borxh ndaj familjes dhe djalit. Në një intervistë për Citizens.al ajo tregon sesi familja e saj ka luftuar për të nxjerrë dokumentet e pronave në Rrjoll, dhe pikërisht për atë kalvar mundimi ajo thekson se familja e saj nuk ka ndërmend ta braktisë atë, por të vazhdojë deri në fund për të nxjerrë në dritë të drejtën.
Rikthim si aktiviste
Kur e pyes Luçianën se çfarë mban mend nga dita e parë e protestës, ajo shpjegon se ditën e parë që ka protestuar ka qenë jashtë Prokurorisë së Shkodrës dhe më pas i është bashkuar protestave në kantierin e ndërtimit të kompanisë “Gener 2” në Rrjoll.
Luçiana udhëton çdo ditë me makinë rreth 15 minuta nga Velipoja drejt kantierit më të raportuar javëve të fundit.
“Në ’79 ka rënë një tërmet i fuqishëm dhe të gjitha familjet që humbën shtëpinë në Rrjoll, shteti i zhvendosi në Velipojë,” shpjegon Kokaj.
Ndër protestat në të shkuarën ajo ka qenë aktiviste dhe mbështetëse edhe në protestën e armëve kimike, por gjatë emigrimit thotë se u shkëput nga rruga e aktivizmit, duke i dedikuar më shumë kohë dhe energji djalit të saj.
“Në këtë periudhë kohe unë humbas të gjithë ditën nga fëmija im, pasi edhe kur shkoj në shtëpi më duhet të punoj,” tregon programuesja e webeve, që tashmë është aktiviste me kohë të plotë dhe për këtë ndjen faj që nuk ka shumë kohë për familjen.
Momentalisht bashkëshorti, Tur Shullani, për shkak të një urdhri nga Gjykata e Shkodrës nuk mund t’i bashkohet më protestës. Ai rrëfen për Citizens.al se ka Luçianën si “përfaqësi dinjitoze.”
Përveç tij, edhe 14 persona të tjerë kanë urdhër ndalimi për t’iu bashkuar rezistencës në vijim. Por Luçiana thekson se nuk e tremb pjesëmarrja e ulët në protestë, por mosreagimi i institucioneve të drejtësisë.
Ndër momentet e frikës, ajo veçon afrimin disa personave të dyshimtë pranë shtëpisë, që edhe i ka denoncuar, si dhe natën pas përfundimit të emisionit “Opinion” në Tv Klan ku familjet e Rrjollit u përballën me Fatmir Shpellzën, të cilin e akuzojnë se ka tjetërsuar pronat dhe më pas ia ka kaluar kompanisë “Gener 2”.
“Familja e Fatmir Shpellzës na bëri pritë në dalje të Klanit dhe të nesërmen doli dhe tha më sulmuan djalin, ndërkohë ka pamje filmike që djali i tij ka qenë në gjendje shumë të mirë,” tregon ajo versionin e saj për ngjarjen.
Drejtësia, si kauza e duhur
Luçiana më tregon rastin kur një fqinji të saj në një vend evropian iu desh një vit e gjysmë që t’i rishikohej kërkesa për ndërhyrje në çati për shkak se ndalohej ndryshimi i siluetës arkitekturore të fshatit.
“Këtu po bëhet një resort në 1,500 dynym tokë, po kundërshtohet çdo ditë nga banorët dhe institucionet nuk reagojnë,” vijon Luçiana.
Në 45 ditë protesta, ajo është shoqëruar tre herë në komisariat, ku ka qëndruar disa orë. Ndërkohë nga dhuna në protestë është lënduar disa herë, por nuk e ka raportuar.
Kur e pyes Luçianën nëse do rikthehet në Itali pas përfundimit të kësaj çështjeje, apo e gjitha kjo eksperiencë i ka ndryshuar pikëpamjen, ajo thekson se fatkeqësisht ndihet edhe më e zhgënjyer nga vendi i saj dhe të ardhmen e sheh jashtë.
Por ajo përmbledh se kjo eksperiencë ka përforcuar lidhjet e saj me banorët, pasi prej kohësh ata ishin shkëputur nga njëri-tjetri, duke u fokusuar secili te jeta individuale.
“Për të luftuar për drejtësi ia vlen në çdo vend të botës, sidomos në vendin tonë që ka humbur komplet besimi te drejtësia. Duhet të luftojmë shumë fort, sepse në qoftë se sistemohet drejtësia në Shqipëri, do të sistemohen shumë hallka të këtij shteti,” përmbyll Luçiana.
Teksa ikim e pyes nëse pas një viti e sheh resortin “Blu Borgo” drejt përfundimit apo jo, ajo thekson se “duam që prona të zhvillohet, por jo të përjashtohemi ne”.
Pas 45 ditësh protestë, situata në Rrjoll ka ndryshuar. Rezistenca vijon, por me një numër më të kufizuar protestuesish. Më 17 mars, Citizens ishte në terren, ku një pjesë e banorëve prisnin informacione nga “Kafe-Bar, Rrjolli” – rreth 3-4 minuta me makinë larg kantierit – mbi zhvillimet e projektit “Blue Borgo”.
“Çdo të hënë të fundit të muajit duhet të paraqitem në polici dhe nuk më lejohet të afrohem pranë resortit në ndërtim,” thotë Prek Molla, një zërat më aktivë të protestës.
Kjo vjen pas vendimeve të Prokurorisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila në disa procese ka vendosur masa ndaj 15 protestuesve, 10 prej tyre kanë detyrim paraqitje pranë organeve të rendit dhe u ndalohet t’i afrohen kantierit, ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim.
Grupi përbëhet kryesisht nga: Prekë Molla, Sandër Shullani, David Shullani, Alban Malaj, Altin Pjeshka, Pllumb Keçanaj, Sokol Keqanaj, Savjo Keqanaj.
Luçiana Kokaj shpjegon procesin e ndjekur ndaj bashkëshortit të saj, Tur Shullani dhe fqinjit tjetër Nard Malajt, ndaj të cilëve është vendosur ndalimi i afrimit dhe qëndrimit në kantier.
Sipas vendimeve të gjykatës, personat akuzohen për “shkatërrim prone”,“kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “plagosje të rëndë me dashje”. Banorët i kundërshtojnë këto akuza, duke i cilësuar si përpjekje për të dobësuar protestën. Ata thonë se gjatë përballjeve me policinë nuk kanë ushtruar dhunë ndaj personave specifikë, përkundrazi kanë qenë vetë ata që janë keqtrajtuar prej tyre.
Gëzim Pjeshka tregon plagët në këmbë, të marra gjatë përleshjeve me forcat e rendit.
Gëzim Pjeshka, i lënduar gjatë protestave në Rrjoll/Citizens.al
“Atë ditë kur më ndaluan policët, të gjithë me kapuça të zinj, më tërhoqën zvarrë, sikur të kisha bërë ndonjë masakër, vetëm se po mbroja tokën time,” rrëfen Sandër Shullani.
Edhe pse ata nuk mund t’i bashkohen protestave për shkak të masave të sigurisë, banorët thonë se qëndresa dhe mbështetja e tyre për kauzën do të vazhdojë. Prek Molla tha për Citizens.al se ata e kanë apeluar vendimin e gjykatës dhe presin që masat të rrëzohen dhe pas kësaj t’iu bashkohen sërish protestave.
“Kanë kaluar mbi 45 ditë. Njerëzit janë lodhur. Shumë kanë lënë pas angazhimet e përditshme dhe nuk është e lehtë të qëndrosh çdo ditë në protestë me të njëjtin intensitet,” tregon Luçiana.
Paralelisht, banorët po ndjekin rrugët institucionale. Ata janë grumbulluar tre herë në shenjë proteste para Prokurorisë së Posaçme, megjithëse kjo ka deklaruar se prej marsit 2025 çështja, për pretendimet e tyre për tjetërsim të pronave, i është deleguar Prokurorisë së Shkodrës.
Nga ana e saj, kompania “Gener 2,” e cila po zhvillon projektin, mohon të ketë shkelur të drejtat e banorëve apo ligjet në tërësi. Por një prej përfaqësuesve ligjor të banorëve ka treguar se sipërmarrësi Bashkim Ulaj ka qenë në dijeni të kontestimeve që ka pasur zona sa i takon pronave. Prandaj ai “nuk mund të justifikohet me idenë që ka lidhur marrëveshje me atë që ka certifikatë pronësie”.
Paraditen e së martës, aktivistë dhe përfaqësues të organizatave “Drejtësi Sociale” dhe “Qëndresa Qytetare” dorëzuan një padi në Gjykatën Administrative të Apelit. Ata kërkojnë shfuqizimin e një udhëzimi të Ministrisë së Arsimit që detyron një kategori mësuesish të japin provimin e licencës.
Udhëzimi prek mësuesit që kanë përfunduar studimet sipas sistemit 4-vjeçar, para vitit 2011, pra jashtë sistemit të Bolonjës – që parashikon tre vite Bachelor dhe dy vite Master. Shumë prej tyre kanë mbi 15 vite përvojë në arsim.
“Ne kemi diploma të katërvjeçarit, që na njohin si mësues. Titullin e kemi në diplomë ku thuhet ‘mësues i anglishtes,’ ose ‘italishtes.’ Për vite me radhë na është thënë se kjo diplomë është më e vlefshme [se të tjerat] dhe nuk kemi nevojë për licencim”, u shpreh një mësuese që kërkoi të mbetej anonime.
Sipas saj, problematika është shfaqur gjatë procesit të dytë të kualifikimit 10-vjeçar.
“Kaluam fazën e parë dhe çdo gjë mirë, u regjistruam, morëm pikët, 30 në dosje. Të nesërmen na u tha se jemi s’kualifikuar, sepse duhet licensimi. Kam 13 vite pune dhe më kërkohet të provoj sërish profesionin”, tregoi ajo për Citizens.al.
Avokati Gentian Sejrani, përfaqësues i “Drejtësi Sociale”, e konsideron udhëzimin të paligjshëm dhe diskriminues. Sipas tij ligji për arsimin parauniversitar nuk i jep ministrisë të drejtë të vendosë kritere për përjashtimin nga kualifikimi.
“Krijon trajtim të pabarabartë mes mësuesve që kanë përfunduar në të njëjtën periudhë, por trajtohen ndryshe”, argumentoi ai, “kolegëve të tyre nuk u kërkohet licenca apo provimi i shtetit për të dhënë provimin e kualifikimit, ndërsa këtyre po.”
Sipas Sejranit, një numër i madh mësuesish njihen në sistem si të tillë, por përjashtohen nga kualifikimi për shkak të këtij udhëzimi që organizatat e dërguan sot në Gjykatë Administrative.
“Disa prej tyre kanë kaluar edhe faza të mëparshme të kualifikimit. Tani u kërkohet provimi i shtetit për të marrë një titull që e kanë fituar më herët”, shtoi ai.
“Nuk e kuptoj çfarë lloj logjike ka nga ana e Ministrisë së Arsimit, për sa i përket titullit, sepse ata e kanë marrë titullin nëpërmjet kualifikimit që ka bërë ministria e arsimit.”
Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” theksoi se vendimi vjen në një moment kur sistemi arsimor përballet me mungesë mësuesish. Ai kujtoi se në qarqe si Dibra dhe Kukësi mungojnë mësues të matematikës dhe fizikës. Ndërkohë, 94% e mësuesve kanë mangësi në aftësitë digjitale.
Sipas Xhemollarit, udhëzimi vë në pikëpyetje edhe rolin e universiteteve.
“Ministria i thotë universitetit që kjo diplomë që ti u jep [mësuesve dhe], që i quan mësues, unë nuk e njoh, unë duhet t’i bëj edhe testin tim dhe pastaj t’i kualifikoj si mësues,” tha Xhemollari, sipas së cilit ministria ka marrë kompetencat e universitetit në kundërshtim me ligjin.
Aktualisht, sistemi i kualifikimit të mësuesve parashikon tre nivele: pas 5 vitesh titulli “mësues i kualifikuar”, pas 10 vitesh “mësues specialist” dhe pas 20 vitesh “mësues mjeshtër”.
Këto nivele shoqërohen me rritje page: 5%, 10% dhe 20%.
Në praktikë, për shkak të udhëzimit të vitit 2025, mësuesit që nuk kanë marrë provimin e licencimit mbeten jashtë procesit të kualifikimit. Kjo krijon pabarazi të drejtpërdrejtë në paga dhe trajtim profesional, krahasuar me kolegët e tyre.
Kur një institucion prestigjioz arkitekture vlerëson dikë, zakonisht nënkupton konfirmimin e një vizioni të suksesshëm, apo një arritje të rëndësishme për të cilin ai ka kontribuar. Ky duket të jetë edhe rasti i Kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi është përfshirë në listën e nderit (Honorary Fellows) të Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanik (Royal Institute of British Architects, RIBA).
Por, a është modeli i zhvillimit urban të Tiranës dhe Shqipërisë një arritje që meriton të studiohet dhe të përkrahet ndërkombëtarisht? Apo kemi të bëjmë me çmim që vjen nga një keqkuptim “lost in translation”, ose nëse e çojmë më tej, një vlerësim i ndikuar nga influenca politike e Kryeministrit dhe sektorit të ndërtimit që e mbështet?
Kontrasti mes imazhit ndërkombëtar dhe përvojës së përditshme urbane në vend më bën të them se është më shumë kjo e dyta.
Çfarë është lista e RIBA dhe paradoksi me Ramën
Instituti britanik, RIBA, njoftoi të enjten, datë 12 mars, se kishte përfshirë Ramën – dhe 26 të tjerë – në listën e anëtarëve të nderit.
RIBA, themeluar në vitin 1834, është një organizatë e vjetër me ndikim të gjerë ndërkombëtar në fushën e arkitekturës. Ky institut cilëson shpesh si anëtarë nderi individë që mund të mos jenë arkitektë, por që me punën e tyre kanë ndikuar në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin e arkitekturës apo edukimit arkitektonik.
Në teori, një vlerësim i tillë nënkupton se personi ka ndikuar pozitivisht në mënyrën se si projektohen dhe zhvillohen qytetet.
Por pikërisht këtu nis dhe paradoksi me rastin e Kryeministrit Rama. Çfarë është pozitive në zhvillimin që ai ka shtyrë përpara? Vertikaliteti? Xhentrifikimi? Zhdukja e hapësirave publike dhe identitetit historik?
Në diskursin ndërkombëtar, Rama e ka paraqitur veten si figurë e pazakontë politike: artisti që u bë ministër Kulture, pastaj kryetar i Bashkisë Tiranë, udhëheqës i Partisë Socialiste e më tej Kryeministër i vendit.
Rama u (ri)shfaq në politikën shqiptare në fundvitet ’90 si artisti dhe intelektuali i pavarur që kthehej nga mërgimi për të kontribuuar në vend. Projekti i parë publik i tij ishte ai për “të kthyer në identitet” vlerat arkitektonike të ndërtesave të ministrive në qendër të Tiranës, trashëgimi e arkitekturës fashiste.
Në fillim të viteve 2000, ndërhyrjet e tij urbane si kryebashkiak u bënë të njohura ndërkombëtarisht. Projekti i ngjyrosjes së fasadave të pallateve komuniste, hapja e shtratit të lumit Lana nga ndërtimet pa leje dhe krijimi i disa hapësirave të reja publike – “Parku Rinia”; “7 Xhuxhat” etj. – u interpretuan si përpjekje kreative për të ngjallur kryeqytetin nga tranzicioni i vështirë.
Kjo histori u përhap gjerësisht në mediat ndërkombëtare dhe në qarqet e arkitekturës si një shembull i një qasjeje të re urbane të një kryeqyteti post-komunist.
Por ndërsa ky imazh u konsolidua ndjeshëm jashtë vendit, prirja e zhvillimit urban në Tiranë, dhe më gjerë në Shqipëri, mori drejtim tjetër.
“Kumbari i kullave”
Në vitet që pasuan mandatin e parë si kryebashkiak të Ramës, zhvillimi urban në Tiranë u karakterizua nga një valë ndërtimesh. Pas pamjes prej çlirimtari vizionar dhe të rijetëzimit të hapësirave publike, Rama konformoi vrullshëm një bum të madh ndërtimi, të cilin e ushqeu me leje edhe për dy mandate si kryebashkiak i kryeqytetit.
Kryeministri Rama në festivalin B&H/Citizens.al
Ai e amplifikoi këtë prirje pasi kapërceu pushtetin, drejt qeverisë. Kjo kuptohet nga fakti se në një dekadë si Kryeministër, Rama ka shqyrtuar ose miratuar rreth 140 projekte kullash në Tiranë, shumë prej tyre në zona me rëndësi historike dhe në shkelje me planet urbanistike.
Rezultati është një tjetërsim i katërciptë i siluetës urbane të Tiranës, ku kullat shumëkatëshe janë tashmë elementi dominues i peizazhit të saj.
Si për ironi, vetë tjetërsimi politik që ka ndërmarrë Rama mund të tregohet përmes gjymtimit që ai i ka bërë pikërisht projektit të parë që mori përsipër: ruajtjen e identitetit arkitektonik të Tiranës së vjetër.
Rama përçmoi dhe shembi me gjithë fuqinë e pushtetit të tij si Kryeministër godinën e Teatrit Kombëtar (2020) – trashëgimi e arkitekturës fashiste – vetëm e vetëm që t’i hapte rrugë projektit 34 katësh “Pixel Tower” (Bjarke Ingels/Fusha shpk) mbi një pjesë të pronës së teatrit.
Ngjashëm, për pallate e kulla, u rrafshuan shtëpi të vjetra tiranase rreth zonës historike të kryeqytetit, disa edhe pse kishin status monument kulture.
Ky transformim vertikal, vijoi duke bërë kurban edhe hapësirat publike. Nisi me stadiumin kombëtar “Qemal Stafa,” që u bë i pari stadium me kullë në Evropë (Archea Associati/Albstar shpk) përmes një skeme partneriteti me privatin ku në fund, publike mbeti vetëm fusha e futbollit.
Ndryshimi në qasjen urbane të Ramës vihet re te transformimi e hapësirave që dikur përfaqësonin filozofinë e hershme të tij, si për shembull parku “7 Xhuxhat”, që dikur mbante me krenari një pllakë me mbishkrimin: “U çel […] me nismën dhe mbështetjen e […], Edi Ramës”.
Sot ai park është betonizuar nga projekti i një parkingu nëntokësor dhe kullës 40-katëshe Downtown One (MVRDV/Kastrati shpk), të cilës Rama ia dha lejen “symbullur”përballë shkeljeve që u bënë aty apo edhe te ish-Sheratoni, gjatë ndërtimit.
“Starkitektët” që legjitimojnë qasjen urbane
Nëse do të kërkonim një element karakteristik të modelit të zhvillimit që ka prodhuar Rama, ai është roli i studiove ndërkombëtare të arkitekturës.
Shumica e kullave të reja në Tiranë mbajnë firmën e arkitektëve të njohur botëror (“starkitektë”), ndërsa arkitektët vendas kanë mbetur dytësor në këtë zhvillim – me përjashtim të dy-tre studiove të afërta me qeverinë.
Sigurisht, është gjë e mirë t’i hapesh një ekspertize ndërkombëtare. Por në këtë rast duket se modeli është kthyer në një skemë abuzive ku “starkitektët” sugjerohen nga Rama dhe lejet kushtëzohen vetëm nëse përfshihen ata që ai do.
“Starkitektët,” që në vendet e tyre të origjinës do ta kishin thuajse të pamundur të ndërtonin përbindsha betoni pa u vënë seriozisht nën trysni, përfitojnë dorë të lirë përimagjinatën e tyre dhe dëshirën e investitorëve për të kapur qiellin.
Duket si marrëdhënie “win-win,” Rama përfiton një “ushtri yjesh,” që i shërbejnë për diplomaci publike (askush prej starkitektëve nuk e ka kritikuar ndonjëherë Ramën për qasjen e tij të zhvillimit!), investitorët përfitojnë lirshëm projektet e tyre, pavarësisht se të gjitha shkelin planet urbanistike.
Në spektaklin politik që drejton Kryeministri, kjo marrëdhënie paraqitet si një lloj integrimi i Shqipërisë në arkitekturën botërore.
“Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se Evropa,” tha Rama vjet në festivalin e parë të arkitekturës, “Bukë dhe zemër,” (Bread & Heart), që qeveria organizoi me rreth 150 arkitektë nga e gjithë bota.
Ndërkohë, në shkurt, në themelimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes,” në Washington, ai tha se Shqipëria mund të ofrojë, “përveç parave, edhe arkitektë” me qëllimin e përbashkët, zhvillimin e një “oazi shprese ku e ardhmja të ngrihet dhe të formohet për brezat e ardhshëm të Palestinës”.
Nuk është e qartë çfarë ka nënkuptuar Rama me ofrimin e arkitektëve. Mbase e ka pasur fjalën për grupin e “starkitektëve” të festivalit “Bread & Heart”, që pas tetorit 2025, janë organizuar në fondacion dhe në janar të këtij viti “iu ofruan” në një takim konsultues Ivanka Trump-it kur ajo ishte për vizitë në Vlorë, si pjesë e takimeve për të diskutuar zhvillimin e Sazanit në një ishull turistik privat.
Kryeministri Rama duke diskutuar me arkitektë në festivalin B&H/Citizens.al
Kështu prirja për të përdorur “starkitektët,” mund të themi se krijon një formë legjitimiteti për projekte që në planin lokal janë shumë më të diskutueshme se zakonisht.
Emrat prestigjiozë të arkitekturës botërore krijojnë atë narrativën estetike të pakontestueshme, që shpesh e zhvendos debatin nga pyetjet më thelbësore: Kush përfiton nga këto ndërtime, sa të nevojshme janë, sa i shërbejnë ato qytetit, kush i merr përsipër risqet dhe sa transparente janë burimet e financimit të tyre?
Në një vend ku sektori i ndërtimit mbetet nën ujërat e turbullta të ekonomisë informale dhe rrjedhës së parave të krimit, këto pyetje do të duhet të bëheshin permanente.
Rama dhe qeveria e tij mund t’i shmangen sa të duan, madje dhe me vlerësime “alla-RIBA,” por trashëgimia që po lë pas në këtë drejtim, do ta përndjekë gjithmonë.
Një çmim edhe për betonizimin e bregdetit
Nëse Tirana ka qenë laboratori i modelit arkitektonik Rama, bregdeti shqiptar rrezikon të bëhet kapitulli i tij më i pakthyeshëm.
Në vitet e fundit, lejet për resorte turistike dhe komplekse të mëdha janë shtuar në mënyrë të ndjeshme. Në festivalin “Bread & Heart” kishte një kat plot me kësi projektesh vetëm për resortet.
Shpesh projektet po jepen edhe në territore me vlera të larta mjedisore, ose pranë zonave të mbrojtura. Organizatat e mjedisit kanë paralajmëruar prej kohësh shqetësimin se ky zhvillim pa kriter rrezikon të shkatërrojë asetet kryesore të natyrës shqiptare, ku ndër më të mëdhatë mbetet peizazhi bregdetar.
Çështjet më të nxehta aktualisht janë zonat portuale të kthyera në projekte madhore imobiliare: Marina e Durrësit, Vlorës, Sarandës, Porto Palermo etj.
Ato që nuk janë përtypur ende, janë resortet masive në zonën e Rivierës, nga Karaburuni në Himarë, të cilat po hasin vështirësi të kenë furnizim me ujë të pijshëm dhe për këtë qeveria Rama po ushqen idenë që këtë ujë t’ia marrë fshatrave si Tragjasi, Dukati, Kuçi etj.
Paralelisht, projekti madhor “Blue Borgo” (Stefano Boeri/Gener 2 shpk), që parashikon gjysmë milioni metra katrorë ndërtim pranë zonës ligatinore të Vilunit në Velipojë, është hapi i radhës që rrezikon ta kthejë edhe bregdetin e veriut me të njëjtën masivitet ndërtimi.
Lehtësirat fiskale që ka ofruar qeveria për “investitorët strategjikë” që janë pas këtyre ndërtimeve, i ka zhveshur ata nga taksa mbi ingrastrukturën duke rritur kështu kostot dhe barrën publike për t’i shërbyer këtyre projekteve.
Sigurisht, vlerësimi nga RIBA nuk është i parëndësishëm. Ai konfirmon se Shqipëria është bërë pjesë e një diskutimi ndërkombëtar për arkitekturën dhe transformimin urban.
Por pikërisht për këtë arsye, ai e bën edhe më të dukshëm kontrastin mes dy realiteteve: narrativës së jashtme për një lider që ka sjellë arkitekturën në politikë dhe përvojës së ne vendasve, që e jetojmë realitetin jo si turistë përballë një vendi që po ndryshon me ritme të shpejta por rrallë me transparencë dhe konsensus publik.
Në këtë kuptim, përfshirja e Ramës në listën e RIBA mund të interpretohet në dy mënyra: si një medalje për një vizion personal urban, por edhe si një pasqyrë që reflekton kontradiktat e thella të transformimit që ai ka udhëhequr në Shqipëri.
Një numër i konsiderueshëm ndërhyrjesh po ndikojnë në rrjedhën natyrore të lumit Vjosa, shpallur Park Kombëtar për veçantinë dhe rëndësinë që ka në ekosistemet përreth.
Sipas një studimi të realizuar nga organizatat mjedisore ndërkombëtare “Riverwatch” dhe “EuroNatur,” në kuadër të fushatës “Shpëtoni zemrën blu të Evropës” (Save the Blue Heart of Europe), përgjatë sistemit lumor të Vjosës janë identifikuar devijime të shumta të ujit, të cilat përdoren kryesisht për vaditje, por edhe për aktivitete të tjera ekonomike.
“Në total u identifikuan 20 stacione në dhe përgjatë lumit Vjosa dhe në degët kryesore si Shushica dhe Kardhiqi”, thuhet në studim, i cili thekson se sasia e dokumentuar e ujit të marrë arrin në të paktën 12.012 m³/s.
“Megjithatë, ky numër është padyshim më i lartë, pasi për shtatë vende nuk kishte të dhëna mbi sasinë e ujit të lejuar për nxjerrje”, argumentohet më tej.
Nxjerrja e ujit përmes kanaleve të vaditjes në pjesën e poshtme është dokumentuar si një faktor me ndikim të fortë në zonat e lagështa dhe habitatet brenda sistemit lumor. Gjatë periudhave të thatësirës, një pjesë e konsiderueshme e rrjedhës – gati gjysma e lumit – devijohet për qëllime bujqësore.
“Gjatë gushtit 2025, në kushtet e rrjedhjes së ulët në zonën e Poçemit, prurja e lumit ishte rreth 20 m³/s. Dy kanale kryesore vaditjeje, (p.sh: kanali Levan-Fier), morën rreth 9 m³/s”, thuhet në raport.
Sipas autorëve të studimit, kjo do të thotë se gjatë periudhave të verës ku lumi ka dhe rrjedhën më të ulët, midis një të tretës dhe gjysmës së prurjeve të Vjosës është devijuar për vaditje.
Gjatë punës në terren janë identifikuar pesë kanale vaditëse, 10 stacione të përdorimit të ujit nëntokësor – përfshirë burime dhe puse nxjerrjeje – si dhe tre stacione pompimi që nxjerrin ujë nga nëntoka dhe nga lumi për furnizim ose vaditje. Po ashtu janë identifikuar dy hidrocentrale që prodhojnë energji.
“Këto stacione përkojnë me pikat kryesore të nxjerrjes dhe devijimit të ujit për vaditje, duke dokumentuar përdorimin e tij për qëllime bujqësore përmes sistemeve të kanaleve me gravitet dhe atyre të projektuara inxhinierikisht”, thekson raporti.
Sipas studimit, për të menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme burimet ujore të Parkut Kombëtar të Vjosës duhet të zbatohet plotësisht procesi ligjor për nxjerrjen e ujit në Shqipëri nga institucionet përgjegjëse për menaxhimin e ujërave, kryesisht Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU). Gjithashtu kërkohet monitorim i vazhdueshëm dhe me kosto të ulët i nxjerrjes së ujit brenda parkut.
Në një reagim publik, organizata Eco Albania theksoi se në një kohë kur ndryshimet klimatike po rrisin rrezikun e thatësirave dhe presionin mbi burimet ujore, “menaxhimi i qëndrueshëm i ujit bëhet edhe më i rëndësishëm për ruajtjen e ekosistemeve natyrore.”
Prej tre vitesh, Vjosa është shpallur Park Kombëtar i Lumit të Egër, duke u bërë parku i parë kombëtar i një lumi të tillë në Evropë. Ky status u miratua më 15 mars 2023.
Sipas Eco Albania, gjetjet e studimit tregojnë nevojën për forcim të monitorimit të marrjes së ujit, rritje të transparencës në përdorimin e burimeve ujore dhe zbatim të plotë të kuadrit ligjor për menaxhimin e ujërave, në mënyrë që të garantohet mbrojtja afatgjatë e Vjosës dhe ekosistemeve të saj.
Zona e ish-Gardës së Republikës në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës po shndërrohet gradualisht në një “park kullash.” Zhvillimi më i fundit duket se po rëndon edhe një problem urbanistik të mbetur pezull prej vitesh: rrugën.
Në këtë hapësirë, që fillimisht u premtua se do të ishte park për qytetarët, prej vitit 2020 ishte parashikuar hapja e një lidhjeje rrugore mes rrugëve “Ibrahim Rugova” dhe “Dora d’Istria”. Kjo ndërhyrje do të krijonte një korridor qarkullimi dhe do të lehtësonte trafikun në një nga hyrjet më të ngarkuara të parkut.
Por, në vend të rrugës, sot gjashtë vite më vonë, po hapet një tjetër kantier ndërtimi për një kullë të re.
Projekti quhet “Garda Tower” dhe parashikon ndërtimin e një godine 33 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë, me lartësi rreth 120 metra. Ai po zhvillohet nga Artech Group në bashkëpunim me kompaninë El-Prom, e cila së fundmi ka ndryshuar emrin në Hasalami.
Koncepti arkitektonik është realizuar në bashkëpunim me studion gjermane Kuehn Malvezzi, ndërsa maketi i projektit u prezantua publikisht në festivalin e arkitekturës “Bread & Heart” në qershor 2025 (foto).
Projekti 3D i “Garda Tower”/Facebook.
Por për banorët e zonës, zhvillimi i ri ka ndikim të menjëhershëm: hapësira për të kaluar në rrugën “Adem Jashari” po u ngushtohet.
Rrethimi i kantierit ka lënë vetëm një anë trotuari, edhe ai tepër i ngushtë – rreth 40 deri në 50 centimetra – duke e bërë kalimin e këmbësorëve thuajse simbolik. Hapësira në krahun ku po ndërtohet, përdorej kryesisht për parkim makinash, por sidoqoftë linte vend për të kaluar.
Si u krijua parcela për kullën
Sipas planvendosjes së miratuar, projekti ndërtohet mbi bashkimin e nëntë parcelave të ndryshme, të siguruara përmes marrëveshjeve me pronarët e ndërtesave ekzistuese 1-3 kate në zonë – pjesa ku parashikohet të bashkohet rruga “Ibrahim Rugova” me “Dora d’Istria”.
Por zhvillimi nuk përfshin pesë parcela të tjera, ku ndodhen tre ndërtesa 2-6 kate (foto: harta topografike dhe planvendosja). Këto prona mbeten jashtë projektit dhe do të vazhdojnë të bllokojnë realizimin e korridorit rrugor që ishte parashikuar nga plani urbanistik (PDV) TR/169.
Kjo krijon një situatë paradoksale: një kullë mund të ndërtohet menjëherë, ndërsa rruga që justifikonte hapjen dhe zhvillimin e zonës mbetet pezull.
Kur Bashkia e Tiranës hartoi PDV-në TR/169, zona e ish-Gardës së Republikës u prezantua si një hapësirë që do t’i kthehej qytetit. Ideja ishte që kjo zonë të shërbente si zgjatim i Parkut të Liqenit Artificial.
Për këtë arsye, disa nga parcelat që ndodheshin mbi gjurmën e rrugës u klasifikuan si “nën-njësi për transferim”.
Në praktikën e planifikimit urban kjo do të thotë se pronarët mund të kompensohen duke zhvilluar një pronë tjetër në një zonë tjetër të qytetit.
Ndërtesat që pengojnë bashkimin e rrugëve “Ibrahim Rugova” dhe “Dora d’Istria”/Citizens.al
Ky mekanizëm përdoret shpesh për të shmangur kostot e larta të shpronësimit nga shteti.
Në shumë raste, autoritetet publike presin që zhvilluesit privatë të përfshijnë këto parcela në projektet e tyre dhe të kontribuojnë në krijimin e infrastrukturës publike – si rrugë apo hapësira publike – në këmbim të rritjes së intensitetit të ndërtimit.
Pra, më shumë kate, në këmbim të një hapësire për qytetin. Por në rastin në fjalë, intensiteti nuk po sjell infrastrukturë të re publike.
Për “Garda Tower” – por jo vetëm – mekanizmi duket se funksionon vetëm në një drejtim.
Duke përfshirë në zhvillim disa nga parcelat që ndodheshin mbi rrugën e projektuar, zhvilluesit kanë arritur të përfitojnë intensitet të lartë ndërtimi.
Gjurma e ndërtesës parashikohet të zërë një sipërfaqe prej 487.6 m2 – nga 1,220.71 m2 të shpërndarë në disa parcela – projekti parashikon një volum ndërtimi prej rreth 20,300 m2.
Por 5 parcelat e tjera që janë gjithashtu mbi gjurmën e rrugës kanë mbetur jashtë marrëveshjeve me zhvilluesit. Kjo do të thotë se korridori rrugor nuk mund të realizohet pa shpronësime publike ose negociata të reja zhvillimi.
Megjithatë, mënyra si po zhvillohet projekti nuk lidhet vetëm me zgjedhjet e zhvilluesit privat.
Leja e ndërtimit për “Garda Tower” është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pra qeveria, duke lejuar zhvillimin vetëm mbi parcelat e bashkuara nga investitori dhe duke anashkaluar logjikën e PDV-së së hartuar nga Bashkia e Tiranës, i cili parashikonte mekanizma transferimi për parcelat që binin mbi projekt-rrugën.
Në këtë mënyrë, instrumentet e planifikimit që synonin hapjen e korridorit rrugor u lanë në letër, ndërsa zhvillimi u lejua të ecë përpara edhe pa zgjidhur problemin urbanistik të zonës.
Me fjalë të tjera, një pjesë e kostos që do të duhej të zgjidhej në kuadër të zhvillimit privat mund të përfundojë duke u paguar nga buxheti publik dhe kjo nënkupton edhe më shumë kohë për t’u materializuar.
Planifikimi urban po i përshtatet projekteve
Organizimi i kantierit sugjeron se për një periudhë të gjatë, pjesa e rrugës që do të duhej të hapej për t’u bashkuar me “Dora d’Istrian,” do të mbetet e bllokuar.
Kompania ka shtrirë zonën e rrethimit deri pranë mesit të rrugës ekzistuese – që përkon dhe me kufinjtë e pronave të marra për zhvillim, por – duke e ngushtuar më tej hapësirën e qarkullimit. Nga zyra e saj, na u tha se kjo shtrirje do të jetë provizore “sa të bëhen shembjet” dhe më pas “kantieri do të tërhiqet deri në pjesën ku do të bëhen punimet e ndërtesës duke liruar dhe hapësirën për ndërtimin e rrugës”.
Kantieri i “Garda Tower” që zë ish-parkingun krah rrugës “Adem Jashari’/Citizens.al
Në planvendosje shihet gjithashtu se kulla e re ndërtohet shumë pranë një pallati ekzistues pesëkatësh, ndërsa korridori rrugor mbetet i paplotë.
Kjo do të thotë se edhe pas përfundimit të ndërtesës, realizimi i rrugës mbetet një çështje e hapur për të ardhmen.
Por, “Garda Tower” nuk është një projekt i izoluar. Zona e ish-Gardës së Republikës është kthyer tashmë në një nga nyjet më intensive të zhvillimit vertikal në Tiranë.
Aktualisht aty po ndërtohet “Platinum Tower”, një kullë rreth 35 kate, si dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë.
Në të njëjtën zonë është planifikuar edhe një ndërtesë e re për Bibliotekën Kombëtare, rreth 18 kate.
Procesi për gjetjen e investitorëve për këtë projekt është shpallur dy herë nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe ka dështuar, ndërsa zhvillimi i tij mbetet i paqartë – është thënë se ai do të ndërtohet nga kompania X-One.
Në krah të këtyre projekteve është propozuar edhe kompleksi “Grand Park Skyline”, një zhvillim me tre kulla që arrijnë deri në 71 kate, një nga projektet më të larta të planifikuara në kryeqytet, që pritet të ndërtohet mbi disa prej pallateve ekzistuese nga e njëjta kompani: X-One.
Së bashku, këto ndërtime po krijojnë një korridor vertikal përgjatë një prej hyrjeve kryesore të parkut të liqenit.
Projektet e kullave dhe QKKF-së në zonën e ish-Gardës/Citizens.al
Në planifikimet urbane, infrastruktura duhet të paraprijë zhvillimin. Rrugët, transporti, hapësirat publike dhe rrjetet e kanaleve të ujërave, energjisë elektrike dhe telekomunikacionit krijojnë bazën funksionale të qytetit, mbi të cilin më pas zhvillohet dhe densiteti urban.
Ky parim garanton që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm dhe të mos prodhojë probleme. Por në Tiranë ka ndodhur gjithmonë e kundërta.
Densiteti ndërtohet i pari, ndërsa infrastruktura lihet të zgjidhet më vonë dhe në disa raste, intensiteti i ndërtimit përdoret si mjet negocimi për të zhvilluar edhe infrastrukturën publike.
Rasti i “Garda Tower” dhe projekteve të tjera te ish-Garda e ilustron këtë logjikë. Projektet shtojnë volume të mëdha ndërtimi në një nyje urbane tashmë të ngarkuar, pa zgjidhur një nga problemet kryesore të zonës: lidhjen rrugore.
Në vend që të krijojë hapësira të reja publike apo të përmirësojë qarkullimin, projektet e shtojnë presionin mbi infrastrukturën ekzistuese. Në këtë mënyrë, zhvillimi që po i ofrohet zonës nuk jep zgjidhje urbane, por përthellon problemin kryesor të saj: mungesën e hapësirave.
*Informacioni për pjesën e gjurmës së projektit dhe shtrirjes së kantierit u saktësua pas komunikimit me kompaninë.
Shqipëria shënoi një përmirësim të dukshëm në renditjen globale për lirinë e medias gjatë vitit 2025, duke ngjitur 19 vende në Indeksin Botëror dhe duke u pozicionuar e 80-ta nga 180 shtete.
Megjithatë, sipas një raporti vjetor për vitin 2025, të realizuar nga organizata BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendrën Faktoje, ky përmirësim nuk reflekton një ndryshim të thellë në realitetin e përditshëm të medias në vend.
Perceptimi i gazetarëve për lirinë e medias
Sipas një sondazhi të realizuar me 106 gazetarë, shumica e tyre mendojnë se situata për lirinë e shprehjes është përkeqësuar gjatë vitit 2025. Rreth 64.2% e të anketuarve deklarojnë se liria e shprehjes ka pësuar rënie, ndërsa vetëm 17% raportojnë një përmirësim.
Edhe aksesi në informacion vijon të jetë problematik. Gjysma e gazetarëve të anketuar (50%) thonë se qasja e informacionit në institucione është bërë më i vështirë krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, 36.8% raportojnë përkeqësim të kushteve të punës në redaksi.
Të dhënat tregojnë gjithashtu dallime sipas rolit në profesion. Redaktorët raportojnë nivelet më të larta të përkeqësimit të lirisë së shprehjes dhe aksesit në informacion, çka sugjeron se gazetarët në pozicione vendimmarrëse përballen më drejtpërdrejt me kufizime që lidhen me pavarësinë editoriale dhe marrëdhënien me institucionet.
Po ashtu, 36.8% e të anketuarve raportuan se siguria e gazetarëve është përkeqësuar, ndërsa 44.3% u shprehën se nuk kishte pasur asnjë ndryshim, kundrejt 17% që thanë se ka pasur përmirësim.
“Edhe pse kemi një përqindje më të ulët që raportojnë përkeqësim krahasuar me vitin 2024 (54.7%),” thuhet në raport, “më shumë se një e treta e të anketuarve vazhdojnë të perceptojnë përkeqësim të kushteve të sigurisë.”
Kjo sugjeron se, ndonëse perceptimet për sigurinë mund të jenë stabilizuar disi në krahasim me vitin e kaluar, një pjesë e konsiderueshme e gazetarëve vazhdojnë të përjetojnë ose perceptojnë dobësi në mjedisin e tyre profesional.
Censura dhe kufizimet në raportim
Kufizimet në raportim mbeten realitet i përhapur për gazetarët në Shqipëri. Vetëm 9.4% e të anketuarve deklarojnë se kanë qenë gjithmonë në gjendje të raportojnë lirshëm, pa frikë nga censura apo hakmarrja.
“Në krahun tjetër, 40.6% raportojnë se me raste ndihen të kufizuar, 16% raportojnë shqetësime të shpeshta dhe 11.3% deklarojnë se nuk kanë qenë asnjëherë në gjendje të raportojnë lirisht. Në total, rreth 68% e të anketuarve kanë përjetuar një farë kufizimi gjatë vitit të kaluar”, thuhet në raport.
Raportimi për korrupsionin e madh konsiderohet tema më e ndjeshme. Rreth 61.3% e gazetarëve e identifikojnë këtë temë si të kufizuar, e ndjekur nga raportimi për krimin e organizuar dhe për praktikat e këqija të korporatave të mëdha.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se kufizimet kanë ndikim konkret në përmbajtjen e raportimeve. Vetëm 19.8% e gazetarëve thonë se nuk kanë braktisur kurrë një histori për shkak të presionit apo vetë-censurës, ndërsa rreth 80% e tyre kanë hequr dorë të paktën një herë nga publikimi i një materiali.
“Këto gjetje tregojnë se kufizimet e perceptuara nuk janë thjesht përshtypje subjektive, por kanë një ndikim të matshëm në raportimet e gazetarëve dhe në informacionin që i vihet në dispozicion publikut”, thuhet në raport.
Kërcënimet dhe siguria e gazetarëve
Sipas sondazhit, 40.6% e gazetarëve raportojnë se kanë përjetuar kërcënime ose kanosje gjatë ushtrimit të profesionit.
Ndërkohë, 12.3% e të anketuarve deklarojnë se janë sulmuar fizikisht të paktën një herë gjatë punës si gazetarë. Gazetarët që punojnë në televizione raportojnë më shumë raste kërcënimesh dhe sulmesh krahasuar me kolegët e tyre në mediat online.
“Burrat raportojnë numër më të madh të sulmeve fizike (18.8%) krahasuar me gratë (6.9%)”, thekson raporti, ndërsa reporterët duken më të prekur nga këto sulme.
Po ashtu, gazetarët e televizionit raportojnë se përballen më shpesh me sulme fizike dhe kërcënime krahasuar me gazetarët online.
Kërcënimet verbale janë forma më e zakonshme e presionit, të raportuara nga mbi 70% e gazetarëve që kanë përjetuar kanosje. Ngacmimi online është forma e dytë më e përhapur, ndërsa një pjesë e gazetarëve raportojnë edhe kërcënime me padi ligjore, telefonata ngacmuese dhe gjuhë fyese.
Sipas të dhënave, zyrtarët e qeverisë identifikohen si burimi kryesor i kërcënimeve, të ndjekur nga grupet politike, organizatat kriminale dhe pronarët e mediave.
Gazetaret dhe rreziqet me bazë gjinore
Gazetaret përballen gjithashtu me forma specifike të kërcënimeve që lidhen me gjininë. Rreth 17.2% e gazetareve të anketuara raportojnë se kanë përjetuar kërcënime ose ngacmime me bazë gjinore gjatë ushtrimit të profesionit.
Forma më e zakonshme është ngacmimi verbal, i ndjekur nga ngacmimi seksual dhe abuzimi online. Në disa raste janë raportuar edhe kërcënime fizike.
“Është e rëndësishme të theksohet se 60% e të anketuarave të kërcënuara raportuan se kanosje të tilla ndikuan në raportimin e tyre të paktën në një masë të moderuar”, analizohet në raport.
Raporti thekson gjithashtu se një pjesë e gazetareve ndihen të pambrojtura nga institucionet apo nga vetë mediat ku punojnë.
“19% e grave gazetare raportuan se shqetësimet e tyre për sigurinë nuk u trajtuan fare nga media për të cilën punonin dhe 31% raportuan se shqetësimet nuk u trajtuan në mënyrë të mjaftueshme”, thekson raporti.
Denoncimi dhe mungesa e besimit tek institucionet
Një nga problemet kryesore të evidentuara është mungesa e besimit të gazetarëve tek institucionet shtetërore. Vetëm 18.6% e gazetarëve që kanë përjetuar kërcënime i kanë raportuar incidentet tek autoritetet.
“Arsyeja kryesore për mosraportimin ishte mungesa e besimit tek autoritetet (63.9%), e ndjekur nga besimi se raportimi nuk do të sillte ndonjë ndryshim (27.9%)”, thuhet në raport.
Gazetarët gjithashtu theksojnë se presioni politik, presioni ekonomik nga pronarët ose reklamuesit dhe mungesa e mbrojtjes ligjore janë ndër sfidat kryesore për sigurinë e tyre profesionale.
Kushtet e punës në sektorin e medias
Rreth 36.8% e të anketuarve raportojnë përkeqësim të kushteve të punës, ndërsa 41.5% thonë se situata nuk ka ndryshuar.
Problemet lidhen kryesisht me kontratat e pasigurta të punës dhe mungesën e stabilitetit financiar në sektor.
Institucionet kanë ndërmarrë disa hapa për të përmirësuar situatën, përfshirë një memorandum bashkëpunimi mes Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës për monitorimin e kushteve të punës në media. Megjithatë, sipas raportit, zbatimi i legjislacionit mbetet i pabarabartë.
Mbulimi mediatik i zgjedhjeve dhe sfidat strukturore
Raporti thekson se fushata zgjedhore e vitit 2025 shërbeu si një test për lirinë e medias në vend.
Rreth 83% e gazetarëve të anketuar raportojnë se kanë mbuluar zgjedhjet, ndërsa shumica e tyre kanë hasur vështirësi gjatë procesit.
Rreth 70% e gazetarëve që mbuluan fushatën deklarojnë se u përballën me kufizime në aksesin në informacion. Përveç kësaj, 23.9% raportojnë presione ose kërcënime gjatë punës.
Kandidatët dhe anëtarët e partive politike identifikohen si burimi kryesor i këtyre presioneve.
Një pjesë e gazetarëve deklaron se është ndjerë nën presion për të përdorur vetëm materiale të ofruara nga partitë politike, duke kufizuar kështu mundësinë për raportim të pavarur.
Raporti thekson se problemet në sektorin e medias në Shqipëri janë kryesisht strukturore dhe jo raste të izoluara.
Presioni politik, përqendrimi i pronësisë së mediave, financimi jo transparent dhe pasiguria ekonomike e gazetarëve krijojnë një mjedis të brishtë për gazetarinë e pavarur.
Ndotja e ajrit dhe zhurmat në Tiranë e qytete të tjera të vendit vijojnë të jenë mbi normat e lejuara. Kështu tregoi një raport monitorimi alternativ për vitin 2025, prezantuar nga CoPlan në kuadër të projektit GreenAL. Si arsyet kryesore për ndotjen përmenden ndërtimet, trafiku dhe mungesa e vegjetacionit.
Anila Bejko, drejtuese e CoPlan, u shpreh se në dallim nga vitet e tjera, kur monitorimi është kryer vetëm në Tiranë, këtë vit janë përfshirë edhe qytete të tjera si Durrësi, Korça, Shkodra, Elbasani dhe Fieri.
“Falë më shumë se 800 pikave të lëvizshme të monitorimit në gjashtë qytete dhe 15 stacioneve fikse, këtë vit sjellim një pasqyrë shumë më të plotë të shëndetit të qyteteve tona”, tha Bejko.
I pranishëm në prezantimin e gjetjeve të raportit ishte dhe zëvendësministri i Mjedisit, Genti Gazheli, i cili u shpreh se mbrojtja e mjedisit është prioritet kombëtar dhe pjesë thelbësore e angazhimeve për integrimin evropian.
Sipas tij, kjo ishte një nga arsyet që çoi në krijimin e një ministrie të dedikuar për mjedisin. Megjithatë, sfidat mbeten të shumta.
“Sistemi i monitorimit kërkon përmirësime të mëtejshme teknike, si dhe zgjerimin e mbulimit për ndotës të rëndësishëm si metalet e rënda dhe hidrokarburet aromatike. Po ashtu, forcimi i kapaciteteve laboratorike dhe përmirësimi i transmetimit të të dhënave në kohë reale mbeten drejtime të rëndësishme për të ardhmen”, deklaroi Gazheli.
Ndotja e ajrit mbi normë
Në Tiranë, sipas raportit, 66.7% e pikave të monitorimit tejkalojnë vlerën referencë të dioksidit të azotit (NO₂). Ndikimi kryesor lidhet me trafikun rrugor dhe burimet e djegies në zona të caktuara urbane.
“Sasia e NO2 tejkalon 3-4 herë normën prej 40 mcg/m3. Pikat më problematike janë kryqëzimi i zgjatimit të bulevardit me Unazën, Materniteti i Ri, Ali Demi, Rruga e Elbasanit dhe zona e Kristal Center”, u shpreh Kejt Dhrami, eksperte e qeverisjes territoriale pranë CoPlan.
Po ashtu, në 98.3% të pikave të monitorimit nivelet e dioksidit të karbonit (CO2) rezultojnë mbi nivelin referencë.
“Rreth 95% më lart se standardi. Kjo lidhet me sisteme urbane shumë të ngarkuara, shkëmbimin e ajrit të ndotur të brendshëm me atë të jashtëm dhe mungesën e vegjetacionit”, tha Dhrami.
Sa i përket grimcave të imëta të pluhurit nga emetimet e automjeteve (PM2.5) dhe grimcave më të mëdha (PM10), raporti tregon se ato rrallë tejkaluan standardet në Tiranë për periudhën kur është kryer monitorimi, korrik-gusht 2025.
“Arsyeja është se kjo periudhë shoqërohet me lëvizje më të pakta të automjeteve dhe përdorim më të kufizuar të sistemeve të ngrohjes. Megjithatë ka zona ku vlerat i afrohen ose i tejkalojnë kufijtë maksimalë, si në Rrugën e Dibrës, Qytetin Studenti dhe zonën e Medresesë”, shtoi Dhrami.
Në Durrës, pluhurat rezultojnë mbi standardet.
“Zonat më të ndotura janë Vollga, Rruga e Spitalit, stadiumi dhe bulevardi. Kjo lidhet me intensitetin urban dhe aktivitetin pranë zonës portuale”, argumentoi Dhrami.
Në Elbasan rreth 91% e pikave tejkalojnë standardin për NO₂, ndërsa 95% janë mbi pragun referencë për CO₂.
Në Fier, 73% e pikave të monitoruara tejkalojnë standardin për PM2.5 dhe PM1, ndërsa 67% e pikave të monitorimit për NO₂ janë mbi standard.
Në më shumë se gjysmën e pikave të monitoruara në Korçë dhe Shkodër rezulton se grimcat e imëta në ajër tejkalojnë standardet.
Ndotja akustike, një realitet i përditshëm
Rruga e Dibrës, zona e Medresesë, Qyteti Studenti dhe Liqeni Artificial janë disa nga zonat ku niveli i zhurmës e kalon kufirin normal, sipas raportit.
“Gjatë ditës, 88% e pikave të monitoruara tejkalojnë kufirin prej 55 decibelësh, kryesisht për shkak të trafikut”, u shpreh Greta Shehu, eksperte mjedisi pranë CoPlan.
Sipas saj, gjatë natës tejkalimi është disi më i ulët dhe ndodh kryesisht në zona urbane si Astiri dhe zona e Doganës.
Në Durrës, 87% e pikave të monitorimit tejkalojnë nivelin prej 55 decibelësh, kryesisht në shëtitoren Vollga, zonën e portit dhe lagjet përreth.
“Gjatë natës, 92% e pikave të monitorimit e kalojnë standardin, duke krijuar probleme për shëndetin dhe cilësinë e gjumit”, tha Shehu.
Në Elbasan, zonat më të prekura janë autostrada, lagjja Skënderbeu dhe qendra e qytetit. Gjatë natës, 86% e pikave monitoruese tejkalojnë kufirin prej 45 decibelësh.
Në Fier, 61 nga 99 pika monitorimi janë mbi standard gjatë ditës, ndërsa gjatë natës 46 prej tyre e tejkalojnë kufirin.
Në Korçë situata paraqitet më e qëndrueshme, ku 37% e stacioneve tejkalojnë standardin gjatë ditës. Megjithatë gjatë natës 65% e tyre e kalojnë kufirin.
Në Shkodër, 89% e pikave të monitorimit tejkalojnë kufirin prej 55 decibelësh gjatë ditës, kryesisht në rrugët kryesore dhe rreth-rrotullime.
Cilësia e ujërave, e paqëndrueshme
Risi e monitorimit të vitit 2025 është edhe analiza e ujërave, që përfshiu 9 liqene, 5 rezervuarë, 4 përrenj dhe një sistem vaditjeje.
Sipas Imeldi Sokolit, ekspert i territorit dhe mjedisit pranë CoPlan, për analizën e ujërave janë përdorur 18 komponentë matës.
“Kanali Roskovec-Hoxharë, nga 18 komponentë të analizuar, 12 rezultojnë mbi normë”, tha Sokoli.
Ai përmendi gjithashtu disa kanale kulluese në Fier-Divjakë, ku është vërejtur rritje e përçueshmërisë elektrike për shkak të shkarkimeve urbane dhe aktiviteteve bujqësore.
Liqenet kryesore përreth Tiranës rezultojnë gjithashtu të ndotura.
“Liqeni i Bovillës, Liqeni i Farkës dhe Liqeni Artificial i Tiranës kanë ndotje të lartë organike”, tha Sokoli.
Sipas tij, edhe lumi i Tiranës ka shfaqur prani të metaleve të rënda. Edhe liqenet e Treganit, Bleshit dhe Tafanit rezultuan me nivele të larta ndotjeje.
Sokoli theksoi se duhen masa konkrete për përmirësimin e cilësisë së ujërave, përmes kontrollit të aktiviteteve minerare dhe reduktimit të shkarkimeve urbane.
Një kërkesë për pezullimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore” dhe ideja për një referendum popullor për shfuqizimin e tij kanë kthyer në debat kufijtë kushtetues të demokracisë direkte në Shqipëri.
Teksa disa grupime kërkojnë që ligji të sprovohet me votë popullore, juristët theksojnë se Kushtetuta ndalon referendumet kur bëhet fjalë për çështje që prekin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Nisma për referendum dhe arsyet pse kundërshtohet ligji
Më 30 dhjetor 2025, përfaqësuesi i Qendrës Konservatore “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”, Aklil Pano, publikoi në rrjetet sociale depozitimin e një kërkese në Gjykatën Kushtetuese me objekt: “Pezullimi i menjëhershëm i zbatimit të Ligjit nr. 64/2025 ‘Për Barazinë Gjinore’”.
Mbështetës të kësaj nisme janë bërë edhe Forumi Mysliman i Shqipërisë dhe “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, të përfaqësuara nga avokati Klodian Rado dhe Isuf Shehu.
I kontaktuar nga Citizens.al për mbarëvajtjen e procesit dhe për tentativën për të zhvilluar një referendum popullor lidhur me ndalimin e ligjit për barazinë gjinore, Pano theksoi se nuk jepte intervista “për gazeta të shkruara”. Por, për referendumin ai tha se do të vlerësohet si hap pas vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese.
Ndryshe, avokati Klodian Rado, pranoi të flasë më gjerë për Citizens.al ku renditi disa arsye pse grupimet e sipërpërmendura kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit.
Sipas tij, shkeljet kryesore procedurale lidhen me mungesën e konsultimit publik efektiv, mungesën e një raporti real financiar sipas nenit 82/1 të Kushtetutës dhe me mosrespektimin e procedurës kushtetuese të votimit nen për nen, sipas nenit 83.
“Diaspora për Shqipërinë e Lirë, pavarësisht se ka dërguar disa herë kërkesa, madje edhe në formë të shkruar, për të qenë pjesë e konsultimeve, nuk është thirrur asnjëherë në asnjë nga tryezat e diskutimit”, tha Rado për Citizens.al.
Ai shtoi se edhe “Qendra Konservatore/Koalicioni Pro Familjes dhe Jetës” dhe “Forumi Mysliman i Shqipërisë,” edhe në rastet kur janë ftuar në një ose dy takime, kanë pasur në praktikë një “pjesëmarrje formale”, pasi asnjë nga shqetësimet dhe sugjerimet e tyre – sipas Rados – nuk u reflektua as në raportin shoqërues të projektligjit dhe as në tekstin final.
Citizens.al kontaktoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të sqaruar këto pretendime.
Ministria theksoi se gjatë fazës së konsultimit publik, Koalicioni dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë kanë pasur mundësi të paraqesin mendimet e tyre përmes Regjistrit Elektronik të Konsultimeve Publike, “por nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë apo koment gjatë kësaj periudhe.”
Sipas ministrisë, vetëm pas miratimit të projektligjit në Këshillin e Ministrave “janë paraqitur dy kërkesa zyrtare nga këto grupe, të cilat synonin tërheqjen ose ndryshimin e dispozitave kryesore të ligjit për barazinë gjinore.”
Sipas Ministrisë, argumentet e tyre nuk përbënin komente teknike për përmirësimin e ligjit, por “qëndrime morale ose ideologjike kundër thelbit të nismës ligjore.” Për këtë arsye, këto kërkesa nuk mund të konsideroheshin pjesë e procesit formal të konsultimit publik, i cili kishte përfunduar para miratimit të projektligjit në Këshillin e Ministrave.
“Ministria mbetet aktori shpjegues dhe teknik i nismës, ndërsa vendimmarrja i kishte kaluar Parlamentit dhe për rrjedhojë kërkesa e grupeve të interesit për mospranimin e ligjit duhej t’i drejtohej Parlamentit”, përfundon në sqarimin e saj për Citizens.al, ministria.
Sipas ligjit të ri për barazinë gjinore, në një rast të denoncuar diskriminimi, ngacmimi apo dhunimi seksual, barra e provës bie te i akuzuari dhe jo më te viktima.
Ky ndryshim, cilësohet nga avokati Rado si problematik pasi krijon një mekanizm procedural që në praktikë mund të cenojë prezumimin e pafajësisë, duke devijuar nga standardet kushtetuese dhe ato të procesit të rregullt ligjor.
“Kur një person, institucion apo profesionist trajtohet sikur duhet të provojë pafajësinë e tij, ndërkohë që akuza ngrihet mbi ‘supozime’, kemi një devijim të rrezikshëm nga standardet kushtetuese dhe nga procesi i rregullt ligjor”, thekson ai.
Referendum për ligjin e barazisë gjinore?
Më 12 janar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi kërkesën për pajisjen me fletë tip për mbledhjen e nënshkrimeve për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore”.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e njeh referendumin si instrument të demokracisë pjesëmarrëse. Neni 150 parashikon se “qytetarët, nëpërmjet 50,000 shtetasve me të drejtë vote, mund të kërkojnë referendum për shfuqizimin e një ligji ose për çështje të një rëndësie të veçantë”.
Por, Dea Nini, avokate e të drejtave të njeriut, shpjegon se neni 151 i Kushtetutës përcakton kufijtë materialë brenda të cilëve referendumi mund të zhvillohet.
“Sipas kësaj dispozite përjashtohen çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Shqipërisë, kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, buxhetin dhe taksat e shtetit, vendosjen ose heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe deklarimin e luftës, paqes dhe amnistinë”, thekson Nini.
Pra, ndryshe nga neni 150, i cili hap hapësirën për referendum, neni 151 e kufizon atë hapësirë duke përcaktuar qartë çështjet që nuk mund t’i nënshtrohen referendumit.
“Shfuqizimi i këtij ligji, përmes referendumit, do të kishte si efekt juridik ndikimin mbi nivelin e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit, duke e vendosur objektin e kërkesës brenda kategorisë së çështjeve që neni 151, pika 2, i përjashton nga çdo referendum”, përfundon ajo.
Regres në rrugën drejt Bashkimit Evropian
Institucioni i Avokatit të Popullit i tha Citizens.al se shfuqizimi i një ligji që garanton standarde të avancuara ndërkombëtare, të ndërtuara mbi rekomandimet e organizmave ndërkombëtarë, do të përbënte një hap pas në mbrojtjen ligjore dhe institucionale të të drejtave dhe lirive themelore.
“Ky regres do të ishte domethënës për një shtet që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian, pasi procesi i afrimit me BE-në nuk nënkupton vetëm përafrim formal të legjislacionit, por mbi të gjitha respektim substancial dhe progresiv të standardeve evropiane në fushën e të drejtave të njeriut”, analizon Komisionerja nga Avokati i Popullit, Vilma Shurdha.
Ky institucion rikujton se ligji “Për Barazinë Gjinore” synon realizimin e barazisë në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, duke adresuar diskriminimin dhe duke promovuar mundësi të barabarta në një gamë të gjerë kontekstesh.
“Ligji përmban dispozita specifike në lidhje me çështjet e pagave, skemave të sigurimeve shoqërore, aksesit në punësim, formimit profesional, kushteve të punës, si dhe lejen e shtatzënisë dhe atë prindërore”, thuhet në përgjigjen e institucionit për Citizens.al.
Në lidhje me faktin nëse kjo strukturë do të mbajë një qëndrim publik mbi kërkesën për referendum popullor për shfuqizimin e ligjit, Avokati i Popullit thekson se çdo prononcim mbi përmbajtjen materiale të nismës duhet trajtuar me kujdes.
Kjo qasje argumentohet për të mos krijuar perceptimin e tejkalimit të kompetencave apo ndërhyrjes në një fushë që, sipas Kushtetutës, i takon ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
Ligji nr. 64/2025 “Për Barazinë Gjinore” u propozua nga qeveria gjatë vitit 2025 si pjesë nismave të përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Projektligji u konsultua në platformën e konsultimit publik dhe u kalua në të gjitha hallkat ligjore para se të shkonte në parlament. Por pasi ai u kalua për miratim pati reagime të ashpra online – shumë prej të cilave bazoheshin në keqinformim dhe gjuhë urrejtjeje.
Ligji i ri synon të forcojë mekanizmat kundër diskriminimit gjinor dhe të promovojë mundësi të barabarta në punësim, arsim dhe jetën publike. Ai përfshin dispozita që lidhen me barazinë në paga, aksesin në tregun e punës, mbrojtjen sociale dhe politikat e balancimit të jetës familjare dhe profesionale.
Vendimi i shumicës socialiste për të mos i hequr imunitetin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka nxitur reagime të partnerëve ndërkombëtarë, duke rikthyer fokusin te sfidat e vendit në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Me 47 vota “pro” dhe 82 “kundër,” mazhoranca vendosi sot të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit dhe caktimin e një mase shtrënguese, arrest, ndaj deputetes Belinda Balluku.
Pas këtij zhvillimi, zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, në një reagim për mediat, theksoi rëndësinë e krijimit të një mjedisi ku SPAK mund të veprojë efektivisht për të mbështetur progresin drejt anëtarësimit.
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë deklaroi mbështetjen për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE sipas dëshirës së qytetarëve, por theksoi si një kusht të domosdoshëm për progres ndjekjen efektive ndaj korrupsionit, përfshirë rastet e zyrtarëve të lartë.
“Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa”, u theksua në reagim.
Në të njëjtën linjë, Ambasada Britanike në Tiranë rikujtoi rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Sipas saj, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori mbeten partnerë të barabartë në avancimin e reformës në drejtësi, duke përfshirë funksionimin e SPAK-ut.
“Imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike dhe jo të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, citon Ambasada Britanike.
Ndërsa Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri theksoi se përparimi i Shqipërisë drejt BE-së varet nga ndjekja e efektshme e korrupsionit, edhe në nivelet më të larta, dhe nga funksionimi pa pengesa i drejtësisë.
Nuk munguan edhe qëndrimet publike të organizatave vendase. Qëndresa Qytetare shprehu shqetësimin për vendimin e shumicës parlamentare, duke theksuar se ai krijon rrezikun që një ish-zyrtare e lartë e akuzuar të ndikojë në procesin hetimor. Sipas tyre, vendimi bie ndesh me paralajmërimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe rrezikon procesin e integrimit evropian të vendit.
Pas reagimeve të partnerëve kryesor të Shqipërisë për integrimin, kryeministri Rama reagoi duke mbrojtur vendimin e mazhorancës. Kryeministri theksoi se Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe se hetimi duhet të vazhdojë pa ndërhyrje politike, duke shtuar se shumica parlamentare ka vepruar në përputhje me normat kushtetuese dhe ligjore, si çdo parlament demokratik në Evropë.
“Mazhoranca është plotësisht dakord me parimet e shprehura nga ambasadat, por e ka të pandryshuar synimin për anëtarësimin në BE brenda vitit 2030”, u shpreh Rama në platformën “X”.
Njohësi i politikës shqiptare, Afrim Krasniqi, njëherësh drejtues i Institutit të Studimeve Politike, e cilësoi këtë zhvillim si një fenomen të përsëritur, ku shpesh vendi merr vendime të gabuara, klienteliste dhe refuzuese ndaj parimeve të shtetit të së drejtës, ndërsa partnerët ndërkombëtarë apelojnë për ligj, drejtësi, antikorrupsion dhe standarde demokratike.
“Nuk duam votë, veto dhe as komisioner, nuk duam rol në vendimmarrje, ndaj si shkëmbim na pranoni siç jemi, pa ndryshuar, pa u reformuar, pa na gjykuar!”, ironizon Krasniqi.
Ashtu sikurse njoftoi në fillim të javës, shumica socialiste vendosi me forcën e kartonit të refuzojë në Kuvend kërkesën e Prokurorisë së Posacme (SPAK) për të autorizuar arrestimin e deputetes Belinda Balluku duke e kthyer çështjen e hetimit penal ndaj saj në një krizë edhe më të fortë politike.
Kërkesa e SPAK mori 47 vota “pro,” 82 “kundër” dhe asnjë “abstenim” duke i kursyer ish-zëvendëskryeministres një masë më të rëndë sigurie.
Seanca u zhvillua në klimë të tensionuar pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit në shenjë proteste, ndërsa shumica socialiste vijoi direkt në votim me procedurë të përshpejtuar dhe pa diskutime.
Vendimi konfirmon qëndrimin e mazhorancës të artikuluar prej ditësh se Partia Socialiste nuk do ta lejonte arrestimin e Ballukut, duke e konsideruar kërkesën e SPAK të pajustifikuar në kushtet aktuale politike dhe institucionale.
Argumenti i mazhorancës: “Balluku s’ka më funksion ekzekutiv”
Në emër të shumicës parlamentare, deputeti socialist Ulsi Manja argumentoi në seancë se “kërkesa e SPAK kishte humbur logjikën e saj juridike” pasi “Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive.”
Sipas tij, prokuroria e kishte ndërtuar kërkesën mbi argumentin e pezullimit nga detyra, por kjo masë nuk prodhon më efekt praktik pasi ajo tashmë është vetëm deputete.
“Deputetja në fjalë [Balluku] nuk ushtron më funksione ekzekutive. Për rrjedhojë masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon asnjë efekt real juridik”, theksoi Manja në Kuvend.
Ai shtoi se çështja e drejtësisë ishte transformuar në një “gjyq publik në sytë e qytetarëve”, duke nënkuptuar se debati politik kishte deformuar natyrën juridike të procesit.
Shumica socialiste e paraqiti vendimin si një vlerësim procedural dhe jo si mbrojtje politike të një prej ish-anëtareve kryesore të qeverisë, duke theksuar se “parlamenti nuk mund të autorizojë masa që nuk kanë më efekt praktik.”
Votimi s’pati prani të plotë
Edhe pse kryeministri Edi Rama kishte kërkuar mobilizimin e plotë të grupit parlamentar socialist për këtë votim, tre deputetë të shumicës munguan në seancë.
Mes tyre ishin ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhe dhe deputeti Fatmir Xhafaj.
Xhafaj raportohet se ndodhej jashtë vendit dhe kishte qenë i pamundur të merrte pjesë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar disa ditë më parë.
Megjithatë mungesat nuk ndryshuan rezultatin final, pasi shumica parlamentare siguroi votat e nevojshme për të rrëzuar kërkesën e SPAK.
Çështja e Ballukut është kthyer në një nga episodet më të ndjeshme të marrëdhënies mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri.
Në teori, reforma në drejtësi synonte pikërisht reduktimin e ndikimit politik në hetimet penale ndaj zyrtarëve të lartë. Por procedurat kushtetuese për arrestimin e deputetëve kërkon ende autorizim nga Kuvendi.
Ndërsa drejtësia deklarohet të jetë e pavarur për të hetuar, parlamenti mbetet filtri politik për masat ndaj deputetëve dhe rasti i Ballukut e ka ekspozuar edhe më qartë këtë tension.
Aktivistë dhe qytetarë protestuan mbrëmjen e sotme para Kuvendit kundër vendimit të mazhorancës për të mos hequr imunitetin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Protesta u thirr nga Lëvizja Bashkë, e cila kërkon që Balluku të përballet me drejtësinë pas kërkesës së SPAK që po e heton për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tenderë.
“Jo imunitet për hajdutët” ishte thirrja kryesore në protestë.
Vendimi i mazhorancës socialiste për imunitetin e Ballukut, sipas protestuesve, është përpjekje për të mbrojtur “pisllëqet që ka bërë me Edi Ramën, në kurriz të popullit shqiptar”.
Ata theksuan se mos-heqja e imunitetit për t’u hetuar dhe gjykuar e lirë nga drejtësia krijon hapësirë që ajo të kërcënojë dëshmitarët dhe të manipulojë provat.
“Ka një marrëdhënie informale të ngritur nga Edi Rama me oligarkinë ekonomike dhe me grupet kriminale. Prandaj Rama detyrohet t’i dalë në mbrojtje Belinda Balluku, sepse që ajo strukturë të funksionojë duhet të ekzistojë siguria që njerëzit e saj nuk preken nga drejtësia”, u shpreh Redi Muçi, deputet i Lëvizja Bashkë.
Për aktivistin Klodi Leka, “dramës Rama-Balluku” po i vjen fundi, ndërsa ai përmendi dosjen prej 16 mijë faqesh që ka SPAK.
“Edi Rama, që deri dje hiqej si babai, mbështetësi dhe dashnori më i famshëm i reformës në drejtësi, po shohim se si prej disa muajsh po sulmon institucionet e reja të drejtësisë me një gjuhë përditë e më të ashpër”, u shpreh Leka para qytetarëve.
Aktivistja Mirela Ruko renditi para qytetarëve të pranishëm në protestë padrejtësitë që, sipas saj, populli shqiptar ka përjetuar për shkak të klasës politike ndër vite.
“Kaq shumë duruam, por edhe durimit duhet t’i vijë fundi. Një popull mund të durojë, por nuk ka lindur për të qëndruar në gjunjë. Ndaj boll, ne nuk durojmë më. Ky është fundi!”, tha Ruko.
Kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, ironizoi në nisje të fjalës së tij se, sipas Ramës, lufta ndaj korrupsionit është shkelje e të drejtave të njeriut.
“Arsyet pse ai e mbron Ballukun janë dy: së pari, për t’u treguar qindra ‘Ballukëve’ të tjerë në PS që të vazhdojnë të vjedhin të qetë, sepse reforma në drejtësi i ka ditët e numëruara. Së dyti, sepse nuk do që nesër të jetë i detyruar të vetëdorëzohet para drejtësisë kur SPAK të kërkojë imunitetin e tij”, u shpreh Qori.
Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut pritet të votohet nesër në Kuvend. PS është shprehur se do të votojë kundër. Balluku akuzohet për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tenderë.
Kjo është protesta e katërt e mbajtur para Kuvendit nga Lëvizja Bashkë, me thirrjen për të “dorëzuar” Ballukun para drejtësisë.