Tregu i energjisë, liberalizimi mbyll fazën finale
Procesi i liberalizimit në sektorin e energjisë që nisi në vitin 2018 është finalizuar me fazën e tij të katërt dhe të fundit, më 1 janar të këtij viti. Të paktën 2600 subjekte të lidhur në tension 6 kilovat kanë detyrimin që ta sigurojnë tashmë të vetëm energjinë. Pjesa më e madhe e tyre i janë bashkuar furnizimit nga Furnizuesi i Tregut të Lirë, ku bëjnë pjesë rreth 2300 subjekte, ndërsa për 300 të tjerë kjo pritet të bëhet në një moment tjetër, kur ata të kenë shlyer detyrimet e prapambetura që kanë ndaj Furnizuesit të Shërbimit Universal. Më herët, në treg të lirë dolën bizneset në tension 35 kv, 20 kv dhe 10 kv. Por çfarë shënon mbyllja e këtij procesi për tregun?
Nertila Maho
Nga 1 janari i këtij viti, në treg të lirë dolën 2300 biznese të lidhur në tension 6 kilovolt dhe këtij grupi pritet t’i shtohen edhe 300 të tjerë që fillimisht duhet të shlyejnë detyrimet e prapambetura ndaj Furnizuesit të Shërbimit Universal.
Ky hap shënoi hallkën e fundit të liberalizimit, një proces i parashikuar në vitin 2015 në ligjin “Për sektorin e energjisë”. Gjithsesi, zbatimi i fazës së parë e nisi në vitin 2018 kur dolën në treg të lirë mbi 70 subjekte të lidhura në tension 35 kv.
Në vitin 2022, pati tentativë për të nxjerrë në treg të lirë një grup më të madh biznesesh në tensionin 20 dhe 10 kv.
Por kriza e energjisë, që solli çmime të larta në tregje, “ngriu” reformën dhe shteti mori përsipër sigurimin e energjisë përmes përfshirjes së prodhimit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Kjo bëri që deri në fund të vitit 2023, grupi i bizneseve në 20 kv të kishte si opsion Furnizuesin e Mundësisë së Fundit, që është pjesë e Furnizuesit të Shërbimit Universal dhe nga 1 janari 2024 të ishte në tregun e lirë.
Në 1 janar 2025 këtij grupi iu bashkuan edhe 2600 subjekte të tjera të lidhura në tension 10 kv dhe së fundmi 1 janari 2026 shënoi mbylljen e procesit.
Tashmë këto mijëra biznese sigurojnë të vetëm energjinë nga furnizues privatë apo ai publik që është FTL, ku janë të lidhur shumica me një çmim prej 18.34 lekë/kWh.
Albi Gjenerali, administrator i FTL, pohon se tashmë janë mbyllur hallkat e liberalizimit dhe ndikimet e këtij procesi janë vetëm pozitive dhe se fokusi tashmë zhvendoset tek eficienca.
“Së pari, liberalizimi ka ulur ndjeshëm barrën financiare dhe ekspozimin ndaj riskut të ‘Furnizuesit të Shërbimit Universal’ SH.A, i cili më parë ishte i detyruar të furnizonte konsumatorët me çmime të rregulluara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).
Së dyti, liberalizimi ka përmirësuar disiplinën financiare të konsumatorëve jofamiljarë, përmes vendosjes së afateve më të shkurtra të pagesës (30 ditë), duke eliminuar praktikat e mëparshme që lejonin vijimin e furnizimit edhe në kushtet e vonesave të zgjatura në pagesa.
Së treti, tregu i energjisë elektrike po hyn në një fazë konsolidimi, ku pas përmbylljes së fazave të liberalizimit, fokusi zhvendoset drejt stabilizimit të mekanizmave të tregut, rritjes së transparencës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të eficiencës operacionale”, – shprehet z. Gjenerali.
![]()
Në treg të lirë janë 40 furnizues të licencuar nga ERE
Vit pas viti, numri i furnizuesve privatë është rritur si një efekt zinxhir i liberalizimit që ka nxjerrë në treg të lirë disa mijëra biznese. Enti Rregullator i Energjisë njoftoi në fund të dhjetorit se bizneset mund të zgjidhnin një prej furnizuesve të licencuar, të cilët aktualisht janë në total 40, ku përfshihen ata privatë por edhe publikë, siç është Furnizuesi i Tregut të Lirë apo ai Universal, pjesë e OSHEE Group.
Këta furnizues ku shumica janë privatë, por edhe FTL, janë në dispozicion të subjekteve që duan të lidhin kontrata për të siguruar energjinë në kushtet kur nuk janë më pjesë e tregut të rregulluar.
Sipas rregullores së Entit Rregullator të Energjisë bizneset duhet të deklarojnë brenda datës 15 dhjetor të çdo viti pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes furnizuesin që kanë zgjedhur.
Kjo bëhet për të alternuar proceset e tjera të nevojshme që kanë të bëjnë me menaxhimin e rrjetit, si dhe faturimet të cilat edhe për furnizuesit privatë i bën OSSH, që është pjesë e OSHEE. Në vitin 2023, në treg ishin 22 furnizues, ndërsa në fund të vitit 2024 rezultonin 36 të tillë.
Kjo rritje e vazhdueshme edhe gjatë 2025-s, kur në dhjetor rezultonin 40 të tillë tregon për një rritje të përgjithshme të tregut. Liberalizimi është cilësuar vazhdimisht, si një nga proceset që do të nxiste tregun e energjisë në disa aspekte si për sa u takon furnizueseve ashtu edhe investimeve qoftë për qëllime tregtimi të energjisë dhe qoftë për autokonsum, siç ka ndodhur masivisht te fotovoltaikët.
Lexoni edhe:
The post Tregu i energjisë, liberalizimi mbyll fazën finale appeared first on Revista Monitor.
