Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 19 January 2026Main stream

Begaj pritet nga Sandu: Mbështesim popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike

19 January 2026 at 16:55

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Moldavi, u prit sot në një takim nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Takimet kokë më kokë dhe më pas ai në praninë e delegacioneve përkatëse, u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, sigurinë rajonale, situatën e ndërlikuar gjeopolitike dhe unitetin evropian përballë këtyre sfidave.

“Shqipëria mbështet popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe evropiane, në një kontekst gjeopolitik dhe sigurie mjaft sfidues të shënuar nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe kërcënimet e sigurisë që burojnë prej tij”, u shpreh Presidenti Begaj.

Krerët e dy shteteve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Edhe në konferencën për gazetarët, Presidenti Begaj dhe Presidentja Sandu konfirmuan angazhimin për bashkëpunim në përmbushjen sa më shpejtë të agjendës evropiane, me synimin anëtarësimin në Bashkimin Evropian përmes progresit të bazuar në meritë dhe reforma.

Presidenti Begaj theksoi se “Shqipëria beson se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga instrumentet më efektive për garantimin e sigurisë, stabilitetit, begatisë dhe paqes së qëndrueshme në Evropë. Shqipëria shpreh mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë, Presidenti Begaj shprehu mbështetje ndaj Presidentes Sandu për politikat proevropiane në drejtimin e shtetit.

Presidenti Begaj vlerësoi qëndrimin e Moldavisë përballë ndikimeve keqdashëse, presioneve dhe fushatave dezinformuese, si dhe angazhimin e palëkundur për ndërtimin e një shteti demokratik, pjesë integrale të familjes evropiane.

Në këtë frymë, ai theksoi se Shqipëria synon thellimin e bashkëpunimit duke shfrytëzuar mekanizmat e krijuar në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për Integrimin Evropian të nënshkruar së fundmi.

“Shqipëria qëndron pranë Moldavisë si mike, si partnere dhe si aspirante e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së bashku, ne kontribuojmë për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe të bashkuar, të ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, lirisë dhe përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen tonë”, u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi, gjithashtu, angazhimin për thellim të marrëdhënieve në fushat ku ka potencial për bashkëpunim më të thelluar në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Midis dy vendeve ekziston marrëveshja për tregtinë e lirë, si dhe ajo për mbrojtjen e investimeve dhe shmangien e taksimit të dyfishtë. Sipas Presidentit Begaj kjo është një bazë e mirë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Një vëmendje të veçantë Presidenti Begaj i kushtoi gjatë kësaj vizite Kosovës. Presidenti vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Moldavia në lidhje me aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kontributin me trupa në misionin e KFOR-it.

“Në këtë frymë të bashkëpunimit, Shqipëria shpreson se Moldavia, kur ta gjykojë të arsyeshme, do të rishqyrtojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës. Ne i dimë problemet e brendshme që ekzistojnë, të lidhura me Transnistrian, por gjithsesi, është një çështje që ne mendojmë se do të sillte paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe besim te demokracia”, deklaroi Presidenti Begaj.

Në agjendën e sotme të Presidentit ishin edhe takimi me një përfaqësi nga Parlamenti i Moldavisë, drejtuar nga kryetari Igor Grosu, me të cilët u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy shteteve si edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare në Moldavi.

/gj.m/j.p/

The post Begaj pritet nga Sandu: Mbështesim popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

WEF: Punët kryesore dhe tregu i punës në vitin 2025

By: Megi Dumi
19 January 2026 at 14:20

Viti 2025 solli një përzierje paradoksale sfidash dhe mundësish për punonjësit dhe punëdhënësit në mbarë botën.

Transformimi dixhital po riformëson vendet e punës dhe mënyrën se si funksionon tregu global i punës, ndërsa inteligjenca artificiale (IA) po ndryshon kërkesën për aftësi në të gjitha nivelet.

Tregu global i punës hyn në vitin 2026 me papunësi historikisht të ulët në shumë ekonomi të zhvilluara, OECD raportoi një normë 4,9% në prill 2025, por me dallime të theksuara rajonale në paga dhe punësim.

Brazili regjistroi paga rekord, Japonia vijoi rënien e pagave reale, Mbretëria e Bashkuar pa ngadalësim të punësimit pavarësisht rritjes së pagave, ndërsa Afrika e Jugut arriti papunësi 32,9%.

Raporti Future of Jobs 2025 i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) tregon një fuqi punëtore në tranzicion: 41% e organizatave presin të reduktojnë role të ekspozuara ndaj automatizimit nga IA, por 70% planifikojnë të punësojnë për aftësi të reja të lidhura me IA-në.

Deri në vitin 2030 parashikohen 78 milionë role të reja neto, edhe pse 22% e vendeve aktuale të punës do të ndryshojnë strukturë.

Shumica e punëdhënësve po investojnë në rikualifikim, trajnim për IA dhe mirëqenie të punonjësve.

Një shqetësim i madh në 2025 ishte tkurrja e vendeve fillestare të punës. Që nga janari 2024, shpalljet për pozicione hyrëse ranë me 29%.

Papunësia e të rinjve u rrit ndjeshëm në SHBA, Indi, Kinë dhe Afrikën e Veriut, ndërsa konkurrenca për pak vende pune u ashpërsua.

Si përgjigje, të rinjtë po diversifikojnë të ardhurat dhe po orientohen drejt praktikave, formimit profesional dhe punëve manuale.

Agjentët e IA po kalojnë nga pilotimi në përdorim real. 82% e drejtuesve planifikojnë t’i adoptojnë brenda 1–3 viteve, duke automatizuar detyra rutinë në menaxhim dhe administratë.

Megjithatë, sfida mbeten qeverisja, siguria dhe besimi.

Paradoksi i aftësive po thellohet: tepricë në role tradicionale dhe mungesa të theksuara në aftësi kritike të IA-së.

94% e drejtuesve raportojnë mungesa të tilla, ndërsa punëtorët po rrisin vetë aftësitë e tyre në IA, analizë të të dhënave dhe kompetenca njerëzore.

Ky tranzicion ofron edhe mundësi për të ngushtuar hendekun midis gjinive në STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë).

Së fundi, konfliktet, emigracioni dhe fragmentimi gjeoekonomik po ndikojnë fuqishëm në tregun e punës.

Me mbi 122 milionë persona të zhvendosur globalisht dhe shkurtime fondesh në ndihmën humanitare, presionet mbi punësimin dhe modelet e biznesit pritet të vazhdojnë edhe në vitet në vijim. / WEF, Shqip.al

The post WEF: Punët kryesore dhe tregu i punës në vitin 2025 appeared first on Revista Monitor.

Kërkoi leje ta takonte në burg dhe kohë për t’u njohur me aktet, GjKKO rrëzon avokaten e kryebashkiakut Erion Veliaj

By: V K
19 January 2026 at 13:04

Këtë të hënë, Gjykata e Posaçme, ka rrëzuar kërkesën e avokates kryesisht të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Valentina Teodoresku, e cila ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me aktet ndaj tij.

Gjithashtu, GjKKO ka rrëzuar edhe kërkesën e Teodoreskut për t’u takuar me Veliajn në burgun e Durrësit, ku ai qëndron në ambientet e paraburgimit që prej shkurtit të vitit të kaluar.

Sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, në seancën e sotme paraprake në GjKKO, ka qenë i pranishëm edhe vetë Veliaj.

Kujtojmë se seanca paraprake ndaj Veliajt ishte planifikuar më 5 janar, por u shty për shkak të mungesës së dy avokatëve mbrojtës, mes tyre edhe avokatja e caktuar kryesisht për mbrojtjen e Veliajt.

Përmes një emaili, avokatja kërsoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se ndodhej jashtë vendit.

The post Kërkoi leje ta takonte në burg dhe kohë për t’u njohur me aktet, GjKKO rrëzon avokaten e kryebashkiakut Erion Veliaj appeared first on Albeu.com.

Policia kërkon bashkëpunimin me qytetarë për të dyshuarin për vrasje në tentativë - Egzon Reshani

19 January 2026 at 12:32


Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale në Prizren është duke zhvilluar hetime lidhur me veprën “Vrasje në tentative”, konkretisht 05.01.2026, rreth orës 22:50, policia ka pranuar informacion se në rrugën “Ali Hadri”, në Prizren, kishte të shtëna me armë zjarri.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se si pasojë e të shtënave kishte edhe persona të plagosur, të cilët ishin dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor.

"Sipas ekipit mjekësor, dy personat e plagosur ishin jashtë rrezikut për jetë dhe vazhdojnë trajtimin e mëtejmë mjekësor. Rasti është duke u hetuar dhe nga policia, janë identifikuar dhe arrestuar e personave të përfshirë në rast, por njeri nga të dyshuarit është ende në arrati, ai është: - Egzon Besim Reshani, i lindur më 05/07/1992, me banim në Rr. Shkelzen DRAGAJ, nr. 10 Prizren", thuhet nën njoftim.

Tutje bëhet e ditur se me qëllim të ndriçimit të rastit kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në arrestimin e të dyshuarit.

"Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kane çfarëdo informate apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Prizren në numrin 192, në rrjetet sociale, apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë", thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Berisha: Demokratët kanë faktuar se të pamundurën e bëjnë të mundur

18 January 2026 at 20:32

TIRANË, 18 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi sot me qytetarët në Kombinat (Tiranë), deklaroi se demokratët shqiptarë kanë treguar në mënyrë të përsëritur se të pamundurën e bëjnë të mundur, duke rikujtuar sfidat historike dhe sakrificat që ka kaluar vendi.

Berisha theksoi rëndësinë e përballjes me dy diktaturat që kanë shkatërruar jetën dhe lirinë e shqiptarëve.

“Diktatura e parë totalitare ishte më mizorja në Europë. Ajo pushkatoi me gjyq dhe pa gjyq mbi 7 mijë shqiptarë, internoi mbi 40 mijë dhe persekutoi mbi 100 mijë të tjerë. Diktatura e dytë, në 10 vite, përzuri nga vendi 1,1 milion shqiptarë dhe plaçkiti pasuritë publike dhe private, duke shndërruar drejtësinë në armë politike kundër opozitës dhe pluralizmit”, deklaroi ai.

Ai nënvizoi se qeverisja aktuale sillet ndaj pasurive të qytetarëve si një pushtues i keq, duke krijuar ndjenja lodhjeje dhe dëshpërimi te qytetarët. Megjithatë, ai bëri thirrje që demokratët dhe qytetarët të mbajnë gjallë frymën e vendosmërisë dhe të mos harrojnë historinë e rezistencës së tyre.

Berisha rikujtoi sfidat e vitit 1991 dhe krizën e vitit 1997, duke vënë në dukje se Partia Demokratike ngriti kokën për të korrigjuar gabimet dhe për të ruajtur besnikërinë ndaj qytetarëve dhe vlerave demokratike. “Ne u ngritëm me vendosmëri dhe moral, duke thënë të vërtetën për shqiptarët dhe duke fituar besimin e tyre në vitin 2001”, tha ai.

Berisha përmendi gjithashtu protestat e filluara me pjesëmarrje minimale, që sipas tij, u shndërruan në fitore për demokratët dhe pluralizmin politik në vend.

“Partia Demokratike është parti që ndau epokat, është parti e interesit kombëtar. Ne guxuam që çështjen kombëtare ta shpallim yllin polar të PD, ndërsa dinjitetin dhe liritë e qytetarëve i vendosëm si themelin e programit tonë”, tha Berisha.

Ai theksoi se opozita ka përballuar presione të mëdha dhe përpjekje për ta shndërruar në një fasadë, duke përfshirë edhe lobimin me aktorë ndërkombëtarë kundër liderëve të saj.

Berisha vuri në dukje se secili anëtar i PD ka firmosur një akt madhor për të kundërshtuar përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të kapur dhe korruptuar opozitën.

 

Foltore e PD në Kombinat
1 nga 4

/e.xh/r.e/

The post Berisha: Demokratët kanë faktuar se të pamundurën e bëjnë të mundur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Kievi përballet çdo ditë me sulme barbare

18 January 2026 at 17:24

TIRANË, 18 janar /ATSh/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi ditët e fundit një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, i cili vazhdon të përballet me sulme të vazhdueshme ruse gjatë këtij dimri të egër.

Spiropali ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita, duke rrëfyer për pasojat e luftës që i pa nga afër.

“Gjatë vizitës sime pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme”, deklaroi ministrja, duke shtuar se kishte takuar familje që jetojnë me mungesa, prindër që jetojnë me frikën e çdo dite dhe fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre.

Në kuadër të vizitës, ministrja Spiropali u nderua nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I, një nga dekoratat më të larta shtetërore të Ukrainës, për kontributin dhe mbështetjen ndaj vendit.

“Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë”, tha Spiropali.

Vizita e ministres shqiptare thekson përkushtimin e Shqipërisë për paqe, solidaritet dhe mbështetje humanitare në Ukrainë, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për qytetarët që vuajnë pasojat e konfliktit.


/e.xh/r.e/

The post Spiropali: Kievi përballet çdo ditë me sulme barbare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hiqet masivi shkëmbor/ Nis qarkullimi në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, fillimisht për banorët e zonës

18 January 2026 at 14:50

Në orët e mesditës së sotme është bërë e mundur hapja e aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë.

Nga pamjet e siguruara nga ABC News, shihet që subjekti ka kryer gjithë pastrimi masivit shkëmbor që u bë shkak i bllokimit të aksit rrugor.

Fillimisht aksi rrugor është i hapur vetëm për mjetet e banorëve të zonës.

Ndërkohë, prej ditës së nesërme pritet të jetë i hapur për të gjitha mjetet.

Aktualisht bëhet edhe inspektimi i këtij aksi rrugor dhe për të përforcuar relievet shkëmbore me rrjeta./abcnews.al

Moti sot i qëndrueshëm, me vranësira në zonat veriore dhe lindore

18 January 2026 at 07:30

TIRANË, 18 janar/ATSh/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit si dhe me alternime vranësirash mesatare deri të dendura, më të theksuara në zonën veriore e lindore të vendit.

Era pritet të fryjë me drejtim verilindje-juglindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era me shpejtësi deri në 14 m/s, shoqëruar me valëzimin në det 1-2 ballë./r.e/

The post Moti sot i qëndrueshëm, me vranësira në zonat veriore dhe lindore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendër multimodale me energji diellore dhe 353 vende parkimi pranë Stacionit të Trenit në Durrës

17 January 2026 at 14:34

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, kanë vijuar inspektimet e projekteve të rëndësishme urbanistike në qytetin e Durrësit.

Gjatë inspektimit, Rama dhe Sako ndaluan pranë parkimit të ri publik afër Stacionit të Trenit, ku ka përfunduar puna për godinën publike 7-katëshe, një investim i konceptuar si qendër multimodale në shërbim të qytetit dhe komunitetit.

Godina furnizohet me energji diellore dhe ofron 353 vende parkimi për automjetet, si dhe një stacion biçikletash. Krahas funksionit të parkimit, objekti përfshin edhe hapësira të dedikuara për zyra, ambiente për studentë dhe sipërmarrës të rinj në fushën e teknologjisë, si dhe hapësira për zhvillimin e aktiviteteve social-kulturore.

Projekti synon të lehtësojë qarkullimin dhe parkimin në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, duke krijuar njëkohësisht ambiente funksionale që nxisin inovacionin, aktivitetin rinor dhe jetën komunitare.

Ky investim është pjesë e projekteve të transformimit urban në Durrës, me fokus zhvillimin e infrastrukturës publike, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Kryebashkiakja Sako u shpreh se godina e parkimit është hapur në fund të dhjetorit.

“Këtu akomodohen rreth 353 mjete të parkua plus parkimet e biçikletave. Kemi edhe ambientet e zyrave, të cilat do të shërbejnë si qendër ku kompani të ndryshme inovatore, të rinj, të cilët punojnë me aplikacione, apo me inovacionin mund të akomodohen për të qëndruar këtu, për ta pasur si seli të vetën”, tha Sako.

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli tha se, “kjo është qendër multimodale jo thjesht parkim, ku përveç hapësirave të parkimit që janë të automatizuara çdo gjë, janë dhe ambientet për të rinj, për start-upet”.

Kryeministri vizitoi start-upet e ndryshme që operojnë në këtë qendër multimodale si dhe takoi të rinj që zhvillojnë praktikat e punës në këtë qendër.

Parkimi i ri në Durrës
1 nga 5
Parkimi i ri në Durrës

/gj.m/a.f/

The post Qendër multimodale me energji diellore dhe 353 vende parkimi pranë Stacionit të Trenit në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Rritje e të ardhurave nga turizmi, ta përkthejmë me menaxhim të qëndrueshëm të destinacioneve tona

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja deklaroi sot se viti 2025 falë punës, bashkëpunimit dhe politikave të mirëqeverisjes u mbyll me rekorde tejet pozitive në fushën e turizmit.

Gjatë takimit me kryetarët e bashkive, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministri Gonxhja paraqiti  shifrat më të përditësuara të vitit 2025, duke sjellë një panoramë të qartë mbi ecurinë e turizmit dhe mbi trendet që e kanë ndikuar dhe karakterizuar këtë periudhë”.

“Sipas të dhënave, numri i vizitorëve të huaj në vitin 2025 ka arritur në 12,466,038, duke reflektuar një rritje prej rreth 6.6%, ose +769,960 vizitorë të huaj më shumë se gjatë vitit 2024. Kjo rritje është një tregues shumë rezultativ për sektorin dhe për ekonominë e vendit në tërësi”, informoi ministri Gonxhja.

Në të njëjtën kohë, sipas tij, është e rëndësishme të theksohet se rritja e këtyre shifrave i vendos përpara një përgjegjësie edhe më të madhe: për të garantuar jo vetëm vazhdimësinë, por mbi të gjitha për të siguruar që kjo rritje të përkthehet në të ardhura reale nga turistë që konsumojnë më shumë, që frekuentojnë ekonomi formale dhe shërbime cilësore, me standarde më të larta, organizim më të mirë dhe me menaxhim të qëndrueshëm të destinacioneve tona, për t’u rikthyer e për të ndjerë tërheqje më të fortë nga eksperienca e vizitës në Shqipëri

Gonxhja bëri të ditur se për 9-mujorin 2025 hynë 4.4 miliardë euro nga turizmi, 14,5% rritje e të ardhurave në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Më tej, Gonxhja u ndal tek plazhet publike, ku theksoi se “gjatë 2025 kishte rritje të konsiderueshme të plazheve publike me 17.4% krahasuar me 2024, ku plazhet publike janë shtuar me mbi 1.1 milionë metër”.

Duke u ndalur tek fluturimet, Gonxhja tha se “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shënuar një rritje të ndjeshme të flukseve turistike, me 3,589,137 vizitorë të huaj të regjistruar, ndërsa në periudhën janar–shtator2025 janë përpunuar mbi 9 milionë pasagjerë, duke konfirmuar një trend rritës gjatë gjithë vitit dhe muaj kulmorë me mbi 1 milion pasagjerë në muaj”.

Sipas tij, ky zhvillim mbështetet edhe nga operimi i 30 linjave ajrore në TIA dhe zgjerimi i rrjetit të fluturimeve me 70–80 destinacione direkte në 20 shtete, ku tregjet kryesore mbeten Italia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Benelux, Europa Qendrore dhe ajo Nordike.

“Po ashtu, zhvillime të rëndësishme priten me Ryanair, e cila do të hapë bazë në Tiranë nga prilli 2026 me 3 avionë të bazuar dhe 10 linja të reja, duke çuar në rreth 33 linja totale, ndërkohë që Wizz Air vijon të mbetet operatori kryesor me zgjerim të vazhdueshëm të frekuencave. Një hap historik është edhe njoftimi i linjës direkte Tiranë–Toronto, si linja e parë direkte transoqeanike, e planifikuar për sezonin veror 2026, që do të sjellë diversifikim tregjesh dhe turizëm me vlerë të lartë”, tha Gonxhja.

Sa i përket vizitorëve në sitet kulturore, Gonxhja tha se “1,523,587 vizitorë vizituan sitet e trashëgimisë kulturore si muze, kala, parqe arkeologjike”.

“Këto shifra kaq pozitive janë një arritje e rëndësishme dhe një tregues i qartë i besimit në rritje ndaj Shqipërisë si destinacion turistik, çka paralelisht ngre imazhin tonë ndërkombëtarisht, ndihmon perceptimin globalisht. Njëkohësisht, rekordet janë edhe një sinjal shumë i fortë se turizmi sot kërkon më shumë kapacitet menaxhues, profesionistë, edukim të tregut të punës, optimizim, sinergji dhe bashkëveprim”, tha Gonxhja.

/k.s/j.p/

The post Gonxhja: Rritje e të ardhurave nga turizmi, ta përkthejmë me menaxhim të qëndrueshëm të destinacioneve tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Bashkitë të bëhen sipërmarrëse, forcë lokale që merr pjesë në jetën ekonomike

17 January 2026 at 12:52

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se këtë vit, po bëhet një hap kuptimplotë në drejtim të bashkive sipërmarrëse, një qasje që i ndihmon bashkitë të jenë një forcë lokale vendore që merr pjesë në jetën ekonomike të territorit.

Gjatë takimit që po zhvillohet në Golem të Durrësit, me kryebashkiakët për sfidat e bashkive për 2026, Rama tha se bashkitë mund të jenë forcë ndikuese për zhvillimin ekonomik dhe në emër të interesit publik dhe funksionit publik të gjenerojë të ardhura.

“Vazhdojmë të mbetemi vendi i fundit në çdo lloj klasifikimi në Evropë, por në nivele shumë të ulta dhe në botë ku pushteti vedndor vetëm shfrytëzon taksat për të funksionuar, shfrytëzon taksat e shqiptarëve që i mbledh pushteti qendror dhe një pjesë të tyre e shpërndan për pushtetin vendor. Shfrytëzon tarifat vendore, por nëse pyetet cilido prej jush sa të ardhura i ka sjellë bashkia vetes me veprimtari ekonomike, shifrat janë qesharake dhe ato lidhen vetëm me qiratë”, tha Rama.

Sipas Ramës, hapësira është shumë e madhe për të futur bashkitë si një lojtar aktiv i zhvillimit ekonomik dhe si një përfitues nga ky zhvillim.

“Ne këtë gjë po e bëjmë edhe në nivel qendror, por edhe aty jemi shumë mbrapa, por janë krijuar kushtet. Do të kishte qenë tejet e vështirë më parë. Të fillojmë të krijojmë shtetin sipërmarrës, duke u bërë partner me sektorin privat, dhe duke marrë pjesë në fitimin e sipërmarrjes. Këtë gjë po e bëjmë në industrinë ushtarake, po e bëjmë me AIC, po përpiqemi ta bëjmë në çdo sektor duke vënë në dispozicion të iniciativave sipërmarrëse, asetet tona ose duke investuar para drejtpërdrejtë siç bëmë me investimin në start up-in e Mira Muratit që sot ka një vlerë më të lartë se vlera fillestare. Kur ne u bëmë partnerë shumë të vegjël me vetëm 10 milionë euro dhe ku sot vlera e përfituar llogaritet mbi 50 milionë euro, që është vlerë e aksioneve, nuk është vlerë që ne e kemi tërhequr sepse kjo ndodh sipas rregullave”, theksoi Rama.

Kreu i Ekzekutivit cilësoi se do të vazhdojnë kushtëzimet në shpenzimin e fondeve me çfarë kthehet mbrapa këtij fitimi, duke theksuar se është përgatitur një matricë për gjithë ministritë për të matur sa të ardhura jashtë buxhetit të shtetit krijojnë këto ministri.

“Është një fazë e re, nuk është diçka që kemi nevojë ta shpikim dhe ne na duhet të mësojmë nga praktikat më të mira dhe të shkojmë përpara. Deri dje kemi dhënë shumë asete falas. Janë dhënë dhe lënë rrugëve në të shkuarën asete që nuk numërohen, janë lënë në duar të pasigurta plot prona shtetërore që nuk janë përkthyer në investime serioze dhe të ardhura për ekonominë tonë”, tha Rama.

Rama shtoi se “janë dhënë pafundësi tokash për zhvillim dhe kjo gjë ka ndaluar përfundimisht”.

“Ne nuk japim asnjë metër katror tokë nëse një ndërtues gjendet në kushtet kur ka 95% të pronës dhe 5% është pronë shtetërore dhe në të shkuarën ndërtuesi paguante një çmim reference dhe merrte tokën. Për çdo metër katror tokë ku pronar është shteti, ne kemi kushtëzuar pjesëmarrjen si pronarë për të marrë mbrapsht atë që i takon shtetit”, tha ai.

“I vetmi motiv për të dhënë tokë me një kontratë simbolike që është 1 euro është hoteleria. Pra, në rast se ka dikush një pronë private dhe një pjesë është shtet, ose në rast se në një zhvillim të caktuar ka një resort turistik dhe aty ka një pjesë shtetërore, nuk bën vaki që pjesa shtetërore të jepet për vila e pishina, por vetëm hoteleri”, pohoi Rama.

Rama shtopi se në këtë drejtim bashkitë mund të marrin një rol të rëndësishëm në bashkëpunim me AIC mund të bëjnë projekte dhe mund të bëjnë zhvilime të jashtëzakoshme me përfitim që shkon nga ndërtimi i aseteve publike si zyra, shkolla, kopshte, deri te përfitimi i të ardhurave të drejtpërdrejta.

/e.i/j.p/

The post Rama: Bashkitë të bëhen sipërmarrëse, forcë lokale që merr pjesë në jetën ekonomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Flotë mjetesh për pastrimin e kanaleve kulluese, 20 milionë euro nga Emiratet e Bashkuara

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me kryebashkiakët për sfidat e bashkive u ndal tek niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse si kanalet e kullimit,  argjinaturat dhe hidrovoret duke theksuar se “nga Emiratet e Bashkuara është siguruar një fond prej 20 milionë euro në mbështetje të zhvillimit rural”.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se “niveli i rezistencës së infrastrukturës është rritur në mënyrë domethënëse në 10 vitet e fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon që ka pika ku rezistenca është më e dobët dhe për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturë mbrojtëse dhe nga ana tjetër për të adresuar të gjitha ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore”.

“Një nga gjërat që ka propozuar ministri Demo dhe ka gjetur mbështetjen tonë është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të çmuar të Emirateve të Bashkuara prej 20 milionë euro në mbështetje të zhvillimit rural të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që të vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit të gjithë kanaleve kulluese kryesore dhe të funksionojnë sipas nevojave të bashkive”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë përmendi si eksperiencë pozitive, projektin pilot të Fondit të Zhvillimit në qarkun e Dibrës ku është krijuar një shoqëri e përbashkët dhe ku është vënë në funksion një flotë e dedikuar qoftë për pastrimin e kanaleve kulluese qoftë për mirëmbajtjen e infrastrukturës rurale dhe shtrimin e rrugëve të bardha.

“Ka funksionuar më së miri dhe tani është koha që me këtë fond ne ta rrisim kapacitetin dhe të krijojmë një logjistikë që të jetë në dispozicion të bashkive sipas qarqeve”, vijoi Rama.

Kjo flotë, vijoi Kreu i Ekzekutivit, mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe në këtë mënyrë bashkitë do të ndjehen më të gatshme për ta përballuar emergjencën.

“Në ditët e punës normale do të jetë një forcë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për tu pastruar e mirëmbajtur sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave”, tha Rama.

Kryeministri Rama informoi se “është ministri Demo që do ta çojë përpara këtë projekt duke bashkëpunuar ngushtësisht me FSHZH dhe duke bërë një shpërndarje racionale të këtyre mjeteve që të jenë të stacionuara në të gjitha qarqet sipas nevojave dhe në kohën e emergjencave të mund të rialokohen aty ku është fronti më i vështirë”.

/k.s/j.p/

The post Rama: Flotë mjetesh për pastrimin e kanaleve kulluese, 20 milionë euro nga Emiratet e Bashkuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pasaportat më të fuqishme në botë në 2026, kush kryeson dhe ku renditet Shqipëria

By: Megi Dumi
16 January 2026 at 13:08

Pasaporta e një vendi është sot më shumë se një dokument udhëtimi: ajo pasqyron fuqinë diplomatike, stabilitetin politik dhe nivelin e besimit ndërkombëtar.

Sipas Henley Passport Index 2026, renditja globale që mat numrin e destinacioneve ku qytetarët mund të udhëtojnë pa vizë paraprake, në krye vazhdon të qëndrojë Singapori, me akses pa vizë në 192 destinacione .

Në vend të dytë renditet Japonia (188 destinacione), e ndjekur nga Koreja e Jugut dhe një grup vendesh europiane si Danimarka, Spanja, Suedia dhe Zvicra.

Në thelb, dominimi i Azisë Lindore dhe i BE-së lidhet me diplomaci aktive, marrëveshje reciproke për heqjen e vizave, stabilitet institucional dhe reputacion të ulët migracioni informal.

Europa vazhdon të jetë kontinenti me përqendrimin më të madh të pasaportave të forta. Austria, Gjermania, Franca, Italia, Holanda dhe Greqia janë të gjitha në top-5 global, me mbi 185 destinacione pa vizë.

Një zhvillim i rëndësishëm është pozicioni i lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe, që renditen në top-5, duke reflektuar strategjinë agresive të viteve të fundit për marrëveshje bilaterale dhe hapje globale.

Në Ballkan, dallimet janë të dukshme. Serbia kryeson rajonin me 136 destinacione pa vizë (vendi i 34-t në botë), ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ndodhen në grupin e mesëm të renditjes me rreth 128 destinacione. Bosnjë-Hercegovina ka akses pa vizë në 122 destinacione.

Shqipëria renditet në vendin e 43-të, me 121 destinacione pa vizë, duke qëndruar shumë pranë Bosnjës dhe pak mbi Moldavinë.

Ky pozicion reflekton përfitimet nga liberalizimi i vizave me BE-në, por edhe kufijtë e ndikimit diplomatik shqiptar krahasuar me vendet e BE-së apo me Serbinë, e cila ka ndërtuar marrëdhënie më të gjera jashtë Europës.

Renditja e pasaportave tregon se liria e lëvizjes nuk është thjesht çështje udhëtimi, por rezultat i politikave afatgjata, stabilitetit dhe besueshmërisë ndërkombëtare.

Për Shqipërinë dhe rajonin, përmirësimi i mëtejshëm mbetet i lidhur ngushtë me integrimin europian dhe forcimin e diplomacisë ekonomike dhe politike.

10 pasaportat më të fuqishme në botë (2026)

  1. Singapori – 192 destinacione
  2. Japonia – 188 destinacione
  3. Koreja e Jugut – 188 destinacione
  4. Danimarka – 186 destinacione
  5. Spanja – 186 destinacione
  6. Suedia – 186 destinacione
  7. Zvicra – 186 destinacione
  8. Austria – 185 destinacione
  9. Gjermania – 185 destinacione
  10. Franca – 185 destinacione

(Vendet me të njëjtin numër destinacionesh ndajnë të njëjtin pozicion në renditje)

Çfarë i bashkon këto vende?

  • Diplomaci aktive dhe marrëveshje të gjera bilaterale
  • Stabilitet politik dhe institucional
  • Nivel i ulët rreziku emigrator
  • Ekonomi të forta dhe besueshmëri ndërkombëtare

/ Henley Passport  Index

The post Pasaportat më të fuqishme në botë në 2026, kush kryeson dhe ku renditet Shqipëria appeared first on Revista Monitor.

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për grabitje

16 January 2026 at 11:23


Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e një personi që dyshohet për grabitje.

Policia thekson se për çdo informatë që mund të identifikojë të dyshuarin qytetarët mund t’i shkruajnë Policisë.

“Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën penale ‘Grabitje’. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

U shpall fajtor për pengim të autoriteteve dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, dënohet me 5 vite burg ish- presidenti në Korenë e Jugut

By: Fax Web
16 January 2026 at 08:41

Një gjykatë në Korenë e Jugut ka dënuar ish-presidentin Yoon Suk-yeol me pesë vjet burg, pasi e shpalli fajtor për pengimin e autoriteteve gjatë ekzekutimit të një urdhër-arresti, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në dhjetor të vitit 2024.

Sipas vendimit të gjykatës, Yoon u gjet fajtor gjithashtu për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe për shkelje të procedurave ligjore të kërkuara për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ky është dënimi i parë penal që lidhet drejtpërdrejt me deklaratën e dështuar të gjendjes ushtarake, një ngjarje që shkaktoi reagime të forta politike dhe institucionale në vend.

Ish-presidenti ka të drejtë të apelojë vendimin, ndërsa pritet që çështja të vazhdojë të jetë në qendër të debatit publik dhe politik në Korenë e Jugut.

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e personave të dyshuar

16 January 2026 at 08:47


Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve të cilët do të ndihmonin në identifikimin e personave që shihen në fotografi.

Sipas njoftimit të policisë bëhet e ditur se personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në veprën penale “Prezantim i rrejshëm si person zyrtar” dhe “Sulm”.

“Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personave që shihen në fotografi. Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në veprën penale ‘Prezantim i rrejshëm si person zyrtar’ dhe ‘Sulm’. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tyre, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Negociatat me BE-në, Lamallari: Adresuam 51 nga 64 boshllëqet kritike të “Themelorëve”

15 January 2026 at 22:13

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi sot një takim me Grupin Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian, ku u diskutua për ecurinë e negociatave në nivel teknik përgjatë vitit 2025.

Ministri vlerësoi se “falë bashkëpunimit serioz ndërinstitucional kemi arritur rezultate domethënëse duke adresuar 51 nga 64 boshllëqet kritike të grupkapitullit të Themelorëve, ndërsa pjesa tjetër është në proces të avancuar”.

Ndërkohë, Lamallari theksoi se Reforma në Drejtësi ka nevojë të konsolidohet më tej, ndërsa janë bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, në mbrojtjen e të drejtave themelore, në lirinë e medias dhe në përafrimin e legjislacionit penal me standardet e Bashkimit Evropian.

“2026 mbetet një tjetër vit sfidues për ecurinë e negociatave dhe për rrugën tonë pa kthim drejt përmbushjes së aspiratës për Shqipërinë në BE”, u shpreh Ministri i Drejtësisë.

/m.m/a.f/r.e/

The post Negociatat me BE-në, Lamallari: Adresuam 51 nga 64 boshllëqet kritike të “Themelorëve” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hakerimi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK dërgon për gjykim ish-drejtorin e Burgjeve, Agim Ismaili dhe dy persona të tjerë

By: V K
15 January 2026 at 12:39

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal, lidhur me hakerimin e sistemeve të saj informatike.

Të pandehur në këtë çështje janë tre shtetas, Agim ismaili, ish-drejtor i Burgjeve, Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni.

Ismaili hetohet në gjendje të lirë, ndërsa  Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni, ndodhen në masën e sigurisë “arrest me burg”.

Arnold Rrokaj, akuzohet për “hyrje të paautorizuar kompjuterike” dhe “përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, ai ka aksesuar në mënyrë të paligjshme materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme, një pjesë e të cilave i ka shpërndarë te bashkëpunëtorët e tij.

Zambak Gjoni, akuzohet për “përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike”, gjithashtu në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale.

Agim Ismaili, i cili hetohet në gjendje të lirë, akuzohet për të njëjtat vepra penale.

Sipas hetimeve, pasi u njoh me përmbajtjen e materialeve të siguruara në mënyrë të paligjshme, ai i ka shpërndarë ato më tej dhe ka kërkuar në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të sistemeve të SPAK, duke synuar sigurimin e të dhënave për persona të ndryshëm.

SPAK bën me dije se Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni u identifikuan dhe u arrestuan brenda 24 orëve, duke parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.

Si rezultat i veprimeve të shumta hetimore, akuzat u zgjeruan edhe ndaj shtetasit Agim Ismaili.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.277/1/1 datë 02.07.2025 në ngarkim të të pandehurve:

Arnold Rrokaj i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 192/b paragrafi 2, 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Zambak Gjoni i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Agim Ismaili i hetuar në gjendje të lirë dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

I pandehuri Arnold Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme tek të pandehurit, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shperndajnë ato më pas tek persona të tretë.

Shtetasit Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj, u identifikuan në një kohë të shpejtë (brenda 24 orësh) dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.

Si rezultat i veprimeve te shumta hetimore dhe analizimit te tyre, akuzat u zgjeruan dhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të shtetasit, Agim Ismaili, i cili pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.

The post Hakerimi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK dërgon për gjykim ish-drejtorin e Burgjeve, Agim Ismaili dhe dy persona të tjerë appeared first on Albeu.com.

Në kërkim të parkut teknologjik ”Durana”… 

By: FAKTOJE
14 January 2026 at 17:04

Sebi Alla – Nëse pyet, gjen Stambollin, por nëse kërkon për Parkun “Durana” në Xhafzotaj të Durrësit, askush nuk të orienton saktë.

Të gjithë ngrenë supet: “vallahi se dimë, çfarë është ky parku”?!.

Në fund, vetëm një banor na drejton drejt vendit ku ndodhet teorikisht, pasi një nga miqtë e tij kishte pasur tokën aty, të cilët thotë se ia morën ashtu “badihava” për “interesa publike”.

“…Durana Tech Park merr jetë dhe kalon nga plani dhe legjislacioni në letër, në realitetin e një numri jo të vogël kompanish që kanë shprehur interesin dhe që nga sot marrin dhe certifikatën e anëtarit të kësaj shoqërie të re digjitale, ku qëllimi ynë kryesor nuk është që të sjellim sa më shumë kompani të huaja, por qëllimi ynë kryesor është që të angazhojmë sa më shumë talente shqiptare…”, tha kryeministri Edi Rama më 2 prill 2025, teksa pas shpinës së tij paraqitej një projekt “3D” sesi ishte.

Por pjesë e “talenteve” që përfituan nga ky park (ende) virtual, janë edhe kompani teknologjike vendase që dyshohet se kanë përiftuar tendera të dyshimtë të zhvilluar nga AKSHI, për të cilën ka një hetim të thelluar dhe janë lëshuar tetë urdhër arresti.

“Parajsë fiskale”?

E vetmja “jetë” jo teknologjike por biologjike, është bari i egër në pellgje uji.

Këta janë “rezidentët” e vetëm, ndonëse për këtë park (deri tani) imagjinar janë dhënë çertifikata regjistrimi për kompani në fushën e teknologjisë digjitale.

Për parkun në fjalë u hodhën akuza nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj (në kërkim nga SPAK) dhe më pas edhe nga opozita.

Ata deklarojnë se ky park që ende nuk ekziston fizikisht u ndërtua si parajsë fiskale për të favorizuar kompani të përfshira në afera korruptive.

“…Këtu nuk ka asnjë ndërtesë, asnjë kompani reale, asnjë punësim, por ka një skemë të sofistikuar grabitjeje”, tha Berisha, duke treguar disa foto nga vendi ku do të ngrihet parku.

Faktoje verifikoi në terren nëse kishte jetësim të parkut siç kundërshtoi Berisha, por deri ditën e sotme, asnjë tullë, duke e kategorizuar deklaratën e tij si pjesërisht të vërtetë sa kohë që Faktoje mundi të vërtetojë vetëm  pjesën e parë, atë që lidhet me ndërtimin e parkut.

Në një reagim për A2 CNN, administratorja e parkut, Florensa Kovaçi Haxhi, tha se parku ndodhet aktualisht në fazën virtuale, ndërsa ndërtimi fizik do të realizohet brenda afatit 36-mujor të parashikuar nga ligji. “Parku ka hapur thirrjen në pranverën e vitit 2025 dhe kontrata e parë është lidhur në qershor 2025. Deri më sot janë 78 kompani të regjistruara ose në fazë përfundimtare regjistrimi, shumë më tepër se pritshmëria fillestare prej 11 kompanish në vitin e parë”, tha ajo

Ndërkohë, kompanitë e regjistruara marrin lehtësira të dukshme fiskale, sipas një ligji specifik për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike

Vendi ku eshte projektuar parku “Durana”

Parku 3D

Në vitin 2022 Korporata Shqiptare e Investimeve shpalli projektin për ndërtimin e Parkut të Teknologjisë, duke u bazuar në disa VKM si për formën e funksionimit ashtu edhe për vendin ku do të ngrihej.

Me emërtimin “Durana” (bashkim shkronjash të Durrësit dhe Tiranës), u vendos që fizikisht objekti të vendosej në Xhafzotaj.

Ndërtimi do të shtrihej në 140 mijë metra katrorë tokë, ndërsa vlera e punimeve është 20 milionë euro. Në të përfshihen sipërfaqe ndërtimore 21 000 metra me godina që shërbejnë për zyra, objekte banimi, hotel dhe parkim.

Bari

Aktualisht as edhe një rrethim nuk ka vendi ku do të ndërtohet ky park. Gjithçka në ajër.

Megjithatë, prej disa muajsh kompani të teknologjisë me qendër kryesisht në Tiranë, që ofrojnë shërbime IT dhe teknologjive të tjera elektronike, sisteme kamerazh vëzhgimi, kompjuterike, softueresh etj, janë rregjistruar si “rezidentë” në Xhafzotaj.

The post Në kërkim të parkut teknologjik ”Durana”…  appeared first on Faktoje.al.

Rama merr medaljen “Zayed”: Respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar

13 January 2026 at 17:02

TIRANË, 13 janar/ATSh/ Kryeministrit Edi Rama iu akordua sot medalja “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan.

Kryeministri theksoi se ky është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar.

“Thellësisht i prekur prej surprizës së paimagjinueshme dhe nderimit të jashtëzakonshëm nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan
akordimi i medaljes më të lartë të vendit mik, e cila mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara, Sheikut Zayed, është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar, që e mora përulësisht plot me krenari për Shqipërinë, e me mirënjohje të thellë për mikun e madh të shqiptarëve, lartësinë e tij Sheikh Mohammed bin Zayed, si edhe për çdo shqiptar që ma ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e atdheut tonë të përbashkët”, tha Rama.

Në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu-Dabi (Abu Dhabi) u zhvillua sot ceremonia e ndarjes së çmimeve “Zayed” të cilat nderojnë iniciativat humanitare të atyre që kontribuojnë në vendet në zhvillim.

Çmimet u akorduan për projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.

/m.m/j.p/r.e/

The post Rama merr medaljen “Zayed”: Respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌