Gjadri, simbol i dështimit në politikën me migracionin
Kur qeveritë e Shqipërisë dhe Italisë nënshkruan në vitin 2023 marrëveshjen për kampin e Gjadrit, projekti u promovua si “zgjidhje inovative” për menaxhimin e krizës së migracionit në Mesdhe.
Premtimi nga Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ishte i qartë: mijëra azilkërkues, të cilët do të kapeshin në det do të silleshin në Shqipëri, për t’u trajtuar dhe riatdhesuar me procedura të shpejtuara.
Ndryshe, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, theksonte se vendi ynë nuk do të kishte asnjë kosto, përkundrazi do të përfitohej mbështetje politike.
Rreth dy vite më vonë, tabloja e kësaj marrëveshjeje shfaqet komplekse: numër i papërfillshëm transferimesh, kosto në rritje, kritika të forta ndërkombëtare dhe heshtje e zgjatur nga Brukseli.
Në mes qëndron vetë kampi, thuajse bosh, i kthyer tashmë në “patate të nxehtë” për Melonin sa herë shfaqen kriza të pushtetit të saj në Itali.
Nisja e tjetërsimit të “projektit Gjadër”
Fillimi i vitit 2025 e gjeti Gjadrin thuajse bosh. Organizata italiane që menaxhonte disa pjesë të procesit pezulloi shërbimet duke pushuar një numër të konsiderueshëm punonjësish.
Ky ishte një sinjal se struktura nuk po funksiononte sipas planit fillestar.
Prej vjeshtës 2024 në Gjadër ishin sjellë rreth 80 refugjatë, shumica prej të cilëve të kthyer mbrapsht në Itali pasi gjykatat lokale kundërshtuan procedurat e shpejtuara të azilit dhe vendimin e qeverisë Meloni për të njohur si vende të sigurta disa shtete që nga Bashkimi Evropian (BE) nuk konsiderohen të tilla.
Në të njëjtën kohë, ish-kryeministri Matteo Renzi, i cili vizitoi kampin, kritikoi publikisht projektin, duke folur për “rreth 1 miliard euro të humbura kot”.
Në fund të marsit, qeveria italiane ndryshoi qasje. Nga Italia u njoftua se Gjadri do të përdorej gjithnjë e më shumë si qendër deportimesh (CPR) për emigrantët pa dokumente në Itali, e jo më si pikë pritjeje dhe verifikimi të shpejtuar të kërkesave për azil nga refugjatët që kapeshin në detin Mesdhe.
Ndryshimi i strategjisë nënkuptonte, praktikisht, pranimin indirekt se modeli i parë i planifikuar në marrëveshjen “Rama-Meloni” kishte dështuar.
Në të njëjtën kohë, raportimet nga qendrat migratore italiane evidentuan se emigrantëve u thuhej se “Do t’i çonin në Shqipëri” nëse nuk bashkëpunonin, duke e përdorur kështu Gjadrin si mjet presioni. Kjo ngre pyetje serioze për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Kritikat në rritje kundër kampit
Në fund të muajit maj, aktivistë shqiptarë u mblodhën jashtë kampit të Gjadrit për të kujtuar Hamid Badoui, emigrantin maroken që u vetëvra në një qendër në Itali, pasi kishte shprehur frikë nga transferimi drejt Shqipërisë.
Në Gjadër asokohe qenë raportuar për mbi 40 incidente që përfshinin mungesë garancish ligjore, kushte degraduese dhe vetëlëndime.
Në qershor, në Gjadër u soll kontingjenti i katërt i emigrantëve që pas ndryshimit të funksionit të kampit. Në total u sollën 15 persona me numrin e përgjithshëm të tre prurjeve të shkuara: 125.
Projekti që premtonte 3 mijë persona në muaj po operonte në kufijtë më minimalë të mundshëm.
Organizata ndërkombëtare si Human Rights Watch (HRW) kritikoi planet e BE-së për ta përdorur Evropën si “magazinë për emigrantët“.
Megjithatë, teksa legjitimiteti i kampit mbetej i paqartë dhe nën kritika, Kryeministri Edi Rama e mbrojti sërish duke e cilësuar marrëveshjen me Melonin unike dhe të veçantë. Ndryshe, kërkesën britanike për ta replikuar atë, Rama e cilësoi si “kërkesë për të hedhur emigrantët në një vend tjetër”.
Por në gusht, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) vuri edhe më shumë në pikëpyetje marrëveshjen në fjalë. Me një vendim që pritej prej vitit 2024, ajo sqaroi se shtetet nuk mund të përdorin listat “formale” të cilësimeve “vendeve të sigurta” për të shmangur vlerësimet individuale për azil.
Mesazhi ishte i qartë: deportimi automatik është i paligjshëm. Vendimi e dobësoi politikisht projektin e Melonit, dhe me të, edhe funksionin e Gjadrit.
Por ndikimi real i vendimit të GJED-së do të shihet pas shtrirjes së funksionimit të rregullores së re të BE-së për emigracionin.
Rikthimi i protestave dhe cilësimit të Gjadrit si dështim
Nëntori riktheu protestat. Në dyvjetorin e marrëveshjes Rama-Meloni, aktivistë shqiptarë dhe italianë marshuan kundër planit, duke kërkuar shfuqizimin e kampit dhe politikave të saj lidhur me migracionin.
Banderolat kundërshtonin praktikën e qendrave migratore si “ilegjitime” dhe “kriminale”.
Pak ditë më vonë, në një analizë të Citizens.al shpjeguam se përkundër investimit rreth 100 milionë euro dhe kapacitetit për të pritur 3,000 refugjatë në muaj, kampi mbante vetëm rreth 20 persona në pritje të procedurave për deportim ose riatdhesim.
Analiza, e cila u shoqërua me një video-shpjegim, nënvizoi se modeli i Gjadrit u ndryshua dhe humbi qëllimin e tij fillestar.
Por në fund të vitit 2025, presioni u shtua. Komiteti i OKB-së kundër Torturës konstatoi mungesë transparence, hetimesh dhe mekanizmash mbikëqyrës për rastet e keqtrajtimeve dhe dhunës.
Në kritika ishte dhe Shqipëria, së cilës i theksohej se nuk ofronte të dhëna të besueshme. Qëndrimi i qeverisë shqitpare se kampi ishte nën juridiksionin italian, u cilësua i pajustifikueshëm në këtë drejtim.
Kërkesa ishte e prerë: të sigurohet akses i plotë, hetime të pavarura, ndjekje penale dhe dëmshpërblime për viktimat e mundshme.
Në të njëjtën kohë, ActionAid denoncoi parregullsi financiare duke argumentuar se fondet për projektin u rritën nga 39.2 milionë në 65 milionë euro. Ndërkohë që 61 milionë u disbursuan kryesisht me procedura të mbyllura, duke ngritur dyshime për tenderë të manipuluar dhe shpenzime të fryra.
Sipas organizatës, kampi ishte shfrytëzuar vetëm 39% deri në mars 2025, ndërsa kostoja për çdo person ishte gati trefishi i qendrave italiane.
Sot kampi i Gjadrit funksionon si pikë riatdhesimi, por me flukse minimale. Anijet nuk vijnë më rregullisht, ndërsa kritikat shtohen.
Opozita italiane e ka quajtur “obsesion ideologjik”, ndërsa kritikët në Shqipëri e shohin si precedent të rrezikshëm: një territor i dhënë hua për politikat shtrënguese të një vendi tjetër.
Në një klimë ku emigracioni mbetet temë qendrore politike për shumë vende të BE-së, viti 2025 tregoi se bashkëpunimi ndërkombëtar pa mekanizma llogaridhënieje dhe mbikëqyrjeje serioze mund të prodhojë më shumë probleme sesa zgjidhje.
Në mungesë të transparencës së plotë dhe rezultatesh të matshme nga autoritetet e të dyja palëve, Gjadri mbetet në diskutim si një model që funksionon dhe ia vlen të zgjerohet, apo një model që duhet thënë zyrtarisht që dështoi dhe të mos përsëritet më.
The post Gjadri, simbol i dështimit në politikën me migracionin appeared first on Citizens.al.
