Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 January 2026Main stream

Gonzato në zyrën e Brahos: Garantimi i standardeve të larta në hetime, vendimtare

By: xhir jeta
6 January 2026 at 16:39

Ambasadori i BE në Tiranë, zhvilloi këtë të martë një takim me kreun e SPAK, Klodian Braho. Në një postim në rrjetet sociale, ndërsa ndan detaje nga biseda me kryeprokurorin e posacëm, Gonzato shkruan se forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale, janë vendimtare për konsolidimin e progresit dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme.

“Takimi i parë me Kryetarin e ri të SPAK-ut, Klodjan Braho. E përgëzova për arritjet e SPAK-ut deri më sot dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale, janë vendimtare për konsolidimin e progresit dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme.

Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe sundimin e ligjit në Shqipëri,”-shkruan Gonzato./abcnews.al

Ministri Salla nga Durrësi: Hidrovori Spitallë në funksion, ndërhyrje të koordinuara për të mbajtur nën kontroll situatën

By: xhir jeta
6 January 2026 at 16:02

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi sot një inspektim në hidrovorin Spitallë, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, prefektin e qarkut dhe drejtorin e Ujitjes dhe Kullimit Durrës, për të monitoruar nga afër situatën e krijuar si pasojë e reshjeve intensive që kanë përfshirë zonën.

Gjatë inspektimit, Ministri Salla theksoi se Durrësi është përballur me një intensitet shumë të lartë reshjesh gjatë orëve të fundit, çka ka sjellë disa problematika të lidhura me përmbytjet dhe prurjet e shtuara. “Jemi në rezervuarin e Spitallës për të monitoruar nga afër situatën në të cilën ndodhet Durrësi sot, me reshje të rrëmbyeshme dhe problematika të evidentuara gjatë orëve të fundit,” u shpreh ministri.

Ai nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm mes institucioneve, duke theksuar se bashkëpunimi mes bashkisë, emergjencave civile, bordeve të kullimit, prefekturës dhe strukturave teknike është thelbësor për menaxhimin e situatës. “Duhet të vijojmë me të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, sidomos duke pasur parasysh se, sipas parashikimit të motit, reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim,” tha Salla.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se strukturat janë në gatishmëri për të ndjekur situatën në kohë reale dhe për të ndërhyrë sipas nevojës, me qëllim mbajtjen nën kontroll të prurjeve dhe parandalimin e përmbytjeve të mëtejshme.

Institucionet përkatëse do të vijojnë monitorimin e situatës në orët dhe ditët në vijim, në funksion të mbrojtjes së tokës bujqësore, infrastrukturës dhe sigurisë së qytetarëve.

Ndihmësi i Trump: Askush nuk do të luftonte me SHBA-në për Groenlandën

By: xhir jeta
6 January 2026 at 14:53

Një nga ndihmësit më me ndikim të Donald Trump ka thënë se Groenlanda duhet të bëhet pjesë e SHBA-së për të mbrojtur NATO-n dhe Arktikun.

I pyetur në një intervistë me CNN për të konfirmuar nëse SHBA-të do të përjashtonin përdorimin e forcës për të aneksuar rajonin gjysmë-autonom të Danimarkës, anëtare e NATO-s, Stephen Miller tha, “askush nuk do të luftojë me SHBA-në për të ardhmen e Groenlandës”.

Të dielën, Trump përsëriti këmbënguljen e tij se SHBA-të “kanë nevojë” për Groenlandën – me habinë e kryeministres daneze Mette Frederiksen, e cila tha se një sulm nga SHBA-të do të shënonte fundin e NATO-s.

Gjashtë aleatë evropianë u mblodhën në mbështetje të Danimarkës me një deklaratë të përbashkët të martën. “Groenlanda i përket popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Groenlanda mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Danimarkës.

Duke theksuar se ishin po aq të etur sa SHBA-të për sigurinë në Arktik, shtatë nënshkruesit thanë se kjo duhet të arrihet nga aleatët e NATO-s, përfshirë SHBA-në “kolektivisht” – duke “mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së, duke përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve”.

Në intervistën e tij me CNN, Miller tha se ishte “qëndrimi formal i qeverisë amerikane që Groenlanda duhet të jetë pjesë e SHBA-së”.

Ai vazhdoi: “Me çfarë të drejte Danimarka pohon kontrollin mbi Groenlandën? Cila është baza e tyre për të pretenduar Groenlandën si koloni të Danimarkës?”

Ndihmësi kryesor i Trump tha gjithashtu se SHBA-të “janë fuqia e NATO-s. Që SHBA-të të sigurojnë rajonin e Arktikut, të mbrojnë NATO-n dhe interesat e NATO-s, padyshim që Groenlanda duhet të jetë pjesë e SHBA-së”.

Çështja e së ardhmes së Groenlandës u rishfaq pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë, gjatë së cilës trupat elitare hynë për të kapur Presidentin e vendit Nicolás Maduro dhe për ta çuar atë në Nju Jork për t’u përballur me akuzat për drogë dhe armë. Pas bastisjes, Trump tha se SHBA-të do ta “drejtonin” Venezuelën për një periudhë të pacaktuar kohore.

Ai tha gjithashtu se SHBA-të po ktheheshin në një politikë të vitit 1823 të supremacisë amerikane në sferën e saj të ndikimit në hemisferën perëndimore – dhe paralajmëroi një numër vendesh se SHBA-të mund ta drejtonin vëmendjen e tyre ndaj tyre. Pas ndërhyrjes në Venezuelë, gruaja e Miller, Katie, postoi në mediat sociale një hartë të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan, së bashku me fjalën “Së shpejti”./abcnews.al

Nga problematikat e politikës penale te drafti për Kodin Penal/ Rama ndan pamjet nga takimi me ministrin e drejtësisë në Francë

By: xhir jeta
6 January 2026 at 14:31

Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të martë në Paris, në kuadër të samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Elysée.

Në prag të Samitit, kreu i qeverisë shqiptare, ka postuar në rrjetet sociale foto nga takimi me ministrin e  Drejtësisë së Francës, Gérald Darmanin, me të cilën shkruan se diskutoi ndër të tjera edhe mbi problematikat e politikës penale në Shqipëri dhe konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standartet e me praktikat më të mira europiane.

“Përpara samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Elysée, u takuam me ministrin e  Drejtësisë së Francës, Gérald Darmanin, për të folur lidhur me pjesëmarrjen e partnerëve francezë, në grupin e reflektimit mbi problematikat e politikës penale në Shqipëri dhe konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standartet e me praktikat më të mira europiane.”- shkruan Rama.

SHBA nis procedurat për heqjen e shtetësisë ndaj një të dyshuari për krime lufte në Bosnje

By: xhir jeta
6 January 2026 at 14:06

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se ka dorëzuar një padi civile për heqjen e shtetësisë amerikane të Sead Milkoviçit, i njohur si Sead Dukiç, për fshehjen e identitetit të tij të vërtetë, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë ishte lëshuar fletarrestim ndaj tij për shkak të dyshimeve se ka kryer krime lufte.

Milkoviq është ish-pjesëtar i forcave të sigurisë të Autonomisë së përkohshme të Bosnjës Perëndimore (APZB), për të cilin gjykata në Bosnje dhe Hercegovinë kishte lëshuar fletarrestim për krime lufte ndaj civilëve, në kohën kur Qeveria amerikane i dha shtetësinë, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Ai kishte shkuar në SHBA në vitin 1996 dhe fitoi shtetësinë amerikane përmes natyralizimit më 2007. Por, sipas njoftimit, ai nuk kishte njoftuar autoritetet amerikane të emigracionit se kishte përdorur më shumë se një emër dhe se në kërkesat e tij të ndryshme kishte deklaruar më shumë se një datë dhe vend lindjeje, më shumë se një emër për babanë dhe më shumë se një grua si bashkëshorten e tij.

Fletarrestimi i lëshuar më 23 janar 2007 në Bosnje e Hercegovinë çoi në njoftimin e kuq të INTERPOL-it, në të cilin pretendohet se Milkoviç më 18 qershor 1994, teksa vepronte si pjesëtar i forcave të sigurisë së APZB-së, kishte keqtrajtuar fizikisht civilët që ishin kundër qeverisë së APZB-së, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Sipas njoftimit të kuq, Milkoviç dhe bashkëpunëtorët e tij rrahën 12 civilë me shkopinj druri dhe i mbyllën në morg për pesë ditë pa qasje në dritë ose ujë. Milkoviq ende nuk është paraqitur para gjykatës boshnjake për këto akuza.

“Kjo administratë nuk do të lejojë që të huajt të vijnë në këtë vend dhe të fshehin të kaluarën e tyre për të marrë dhuratën e çmuar të shtetësisë amerikane”, tha Bret Shumate, ndihmësprokuror i Departamentit të Drejtësisë në Degën Civile.

Autonominë e përkohshme të Bosnjës Perëndimore e shpalli në vitin 1993 në zonën e Klladushës së Madhe, dhe pjesë të rajonit Cazin biznesmeni i kontestuar nga kjo pjesë e Bosnjës Fikret Abdiç. Ky vendim u shfuqizua më 1995.

Barça fiton “el clasico” e koshit/ Real humbje e papritur në shtëpi nga rivalët e përjetshëm

By: xhir jeta
6 January 2026 at 12:52

Atmosfera ishte më shumë sesa festive.

Jo vetëm në Arenën e Madridit, porse në të gjithë Pallatet e Sportit të Spanjës, në ndeshjet e ligës së basketbollit në atë që cilësohet periudha e Krishtlindjeve.

Plot 263 000 spektatorë ishin të pranishëm, me mesataren 7 306 tifozë për çdo ndeshje, ndërsa kulmi I spektaklit u arrit në kryeqytet.

Mbi 11 700 njerëz kishin blerë biletën për “El Klasikon” e radhës mes Realit e Barcelonës.

Katalanasit ia dolën 105-100, në një nga derbit me më shumë pikë në histori.

Skuadra e drejtuar nga trajneri I rikthyer Çavi Paskual, udhëhoqi thuajse gjatë gjithë kohës, duke qenë në epërsi pas çdo periode.

Më I miri ishte Laprovitola, që ironikisht e nisi ndeshjen nga stoli, duke shënuar 19 pikë e duke shërbyer 9 asistë.

Mjaft mirë për Barçën edhe amerikani Panter, po me 19 pikë dhe 6 topa në tabela, Satoranski me 16 dhe Parra me 13 pikë.

Realit nuk I mjaftoi më I miri në fushë, kroati Hezonja që shënoi 27 pikë.

Argjentinasi Kampaso shtoi 15 pikë e 5 asistë, gjigandi Tavarez pati 10 pikë, po aq sa Felis, ndërsa Jul u ndal në kuotën 9 pikë.

Katalanasit ndaluan serinë prej 9 humbjesh radhazi ndaj rivalit të madh, dhe I dhanë fund ecurisë prej 37 fitores njërën pas tjetrës të madrilenëve në fushën e tyre.

Gjithsesi, Reali vazhdon të kryesojë kampionatin me 12 fitore e dy humbje, ndjekur nga Valencia, ndërsa Barcelona është në vendin e katërt aktualisht me 10 fitore e katër humbje.

Favoritët nuk zhgënjejnë/ Egjipti dhe Nigeria kalojnë në çerekfinalet e Kupës së Afrikës

By: xhir jeta
6 January 2026 at 12:48

Megjithëse në mënyra të ndryshme, dy favoritë të tjerë shpërblejnë parashikimet dhe kualifikohen në çerekfinalet e Kupës së Kombeve të Afrikës.

Egjipti dhe Nigeria nuk lejuan surpriza, duke fituar sfidat e tyre, për të vazhduar rrugën drejt trofeut. “Faraonët” vuajtën shumë dhe iu desh të luanin kohët shtesë për të kaluar 3-1 Beninin.

Koha e rregullt e sfidës u mbyll në barazim 1-1. Pas pjesës së parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, Atia kaloi Egjiptin në epërsi. Por në minutën e 83-të, Doso barazoi shifrat, duke e Doso barazoi shifrat, duke e çuar sfidën në shtesë.

Këtu doli sërish në pah kualiteti i egjiptianëve, që vulosën kualifikimin me dy gola të tjerë të shënuar nga Ibrahim dhe ylli i skuadrës, Mohamed Salah.

Në çerekfinale, “Faranonët” do të përballen me Nigerinë, që me lehtësi kaloi 4-0 Mozambikun. Në fillim Lookman dhe më pas Osimehen me golat e tyre, e vranë garën që në pjesën e parë.

Pas pushimit, Osimhen shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën e tij. Adams plotësoi fitoren e Nigerisë, e cila konfirmon veten si një nga favorite për titullin kampion në kontinetin afrikan./abcnews.al

Gonzalo, “i përzgjedhur” për lavdi/ Mediat spanjolle ngrenë në qiell yllin e Akademisë madrilene

By: xhir jeta
6 January 2026 at 12:46

Topin e ndeshjes e mori me vete. Ajo që mendohej si thuajse e pamundur u realizua në “Santiago Bernabeu”, sepse lojtari I ndeshjes u shpall një 21-vjeçar që as nuk ishte menduar se do të luante.

Gonzalo Garsia u aktivizua në sfidën e La Ligës, Real-Betis, sepse ishte i dëmtuar titullari dhe ylli kryesor Kilian Mbape, pra mund të thuhet se ai hyri në fushë në majë të gishtave.

Gjithsesi, pasi shënoi tre gola I vendosi mirë këmbët në tokë, dhe këpucët e tij me taka pritet t’u japin tifozëve madrilenë kënaqësi të tjera edhe më të mëdha.

Pas shkëlqimit vjen edhe lavdia, vijnë hosanatë dhe komplimentet. E përditshmja madrilene, “Marka”, I kushton yllit të Akademisë së Realit një shkrim të veçantë dhe miklues që në titull.

“Është kaq shumë pak e mundur që një yll futbolli të jetë daltonik, të ketë një vëlla binjak, dhe të ketë lindur në 29 shkurt. Pra, kanterani “merenges” mund ta festojë ditëlindjen siç duhet vetëm një herë në katër vjet.

Pritshmëritë për Gonzalon janë të mëdha, ashtu si për çdo talent që nxjerr Akademia që mbiquhet “La Fabrika”. Gjithsesi, trajneri Shabi Alonso nuk ia ka dhënë mundësinë aq shumë, ndonëse e ka aktivizuar shpesh.

Njëzetenjëvjeçari ka luajtur në 14 ndeshje të kampionatit spanjoll, edhe pse vetëm në 11 për qind të rasteve ka qenë titullar dhe ka luajtur vetëm 15 për qind të minutave. Sidoqoftë, vëllai binjak me ditëlindje në 29 shkurt është për momentin në qiellin e shtatë dhe e sheh të ardhmen me optimizëm dhe me ngjyra krejtësisht rozë./abcnews.al

“Tym i bardhë” për Mehmetin/ Bristol lajmëron se ka lajme të mira për rinovimin e kontratës

By: xhir jeta
6 January 2026 at 12:45

Nuk bëhet fjalë për ta humbur. Bristol Siti nuk e ka të sigurt ngjitjen në Premier Ligë, por është e sigurt se tifozët duan që një futbollist si Anis Mehmeti të mos largohet.

Shefi ekzekutiv i atyre që mbiquhen “Robins” apo “Ushtria e Kuqe”, Tom Rouklif, deklaroi se ka bisedime mes klubit dhe lojtarëve, dhe se gjërat po shkojnë përpara.

Nuk jepet ndonjë hollësi për këto bisedime, por dihet se Bristol Siti mund të humbasë tre prej titullarëve si Mehmeti, Mark Sajks dhe Zak Vajner, kontratat e të cilëve përfundojnë në qershor.

Sipas rregullave të FIFA-s, ata kanë të drejtë të nisin bisedime me klube të tjerë që tani në janar. Ylli shqiptar mbërriti në stadiumin “Eshton Gejt” në janar të vitit 2023 me akord 3.5 vjeçar.

Këtë sezon ai ka qenë më I miri lojtar I ekipit, me 8 gola dhe 6 asistë në 26 ndeshje në Championship, pra në kategorinë e dytë angleze, dhe pretendon të fitojë Këpucën e Artë në të dyja renditjet.

Më herët, drejtori teknik, Brajan Tiniën, deklaroi se Mehmetit dhe Sajksit u janë ofruar kontrata të reja, por duket se deri tani nuk është arritur një marrëveshje./abcnews.al

Ramadani, në “top 3” të Europës/ Mesfushori, i treti në kontinent pvr ndërprerje të aksioneve

By: xhir jeta
6 January 2026 at 12:41

Vëmendjen këtë sezon e marrë dikush tjetër. Tek Leçe ka qenë Medon Berisha shqiptari më i dalluar me gola dhe asiste, e duke u shpallur tri herë lojtari më I mirë I ndeshjeve.

Gjithsesi, as nuk mund të mendohet se një luftëtar si Ylber Ramadani, mund të mbetet në harresë. Ka kaluar rreth gjysma e edicionit, dhe mesfushori tjetër kuqezi I puljezëve gjithashtu ka fituar respektin e të gjithëve.

Sipas agjencive të specializuara për statistikat, 29-vjeçari është në podium në klasifikimin e lojtarëve me më shumë ndërhyrje në ndërprerje të aksioneve kundërshtare, pra duke shpëtuar ekipet e tyre nga rreziku.

Ramadani ka realizuar deri tani 88 ndërhyrje të tilla duke qenë në vend të tretë në renditjen e pesë kampionateve kryesore të Europës, pra të Premier Ligës angleze, La Ligës së Spanjës, Serisë A italiane, Bundesligës gjermane dhe Ligës së Parë të Francës.

Shqiptari nga Maqedonia ka ndihmuar Leçen të ngjitet mbi zonën që të zbret në Serinë B, duke qenë tani në vend të 16-të ndër 20 ekipe, me dy fitore e një barazim në pesë sfidat e fundit.

Në vendin e parë në klasifikimin e pesë ligave kryesore europiane për interceptimin e aksioneve të kundërshtarit është një tjetër shqiptar. Ky është kapiteni I Zvicrës dhe I Sandërlendit në Premier Ligën angleze, shqiptari nga Kosova, Granit Xhaka./abcnews.al

Gjimshiti, lider te Atalanta/ Kapiteni i Kombëtares mbetet sërish nga lojtarët më të vlerësuar

By: xhir jeta
6 January 2026 at 12:35

Paraqitja e fundit bëri që të gjithë të kujtoheshin se për cilin lojtar bëhet fjalë. Berat Gjimshiti tregoi ndaj Romës se nuk ka humbur thuajse asgjë nga klasi i tij si futbollist, edhe pse vitet kalojnë dhe ai është tani 32 vjeç.

Mbrojtësi i qendrës që dy herë u diskutua për t’u larguar nga Atalanta, mund të mburret jo vetëm me këtë paraqitje, në fitoren 1-0 në Serinë A në Bergamo, por edhe për më shumë se kaq.

Nëse shikon faqen e specializuar të statistikave dhe vlerësimeve, “sofaskor”, lexon se nota mesatare e kapitenit të kombëtares shqiptare këtë sezon është 7.09.

Këtu përfshihen, Seria A, Champions dhe Kupa e Italisë, ndërsa për ekipin përfaqësues është edhe më lart. Kjo është diçka më poshtë sesa sezonin e kaluar, por gjithsesi, mbi mesataren e Atalantës që arrin në 6.85.

Vetëm lojtarë si portieri Karnezeki, mbrojtësi De Ron apo mesfushori De Keteler, mund të mburren se kanë vlerësim më të lartë sesa djali nga Presheva. Natyrisht, ka pasur edhe skaje në këto nota, nga 6.1 apo 6.2 që kanë qenë më të ulëtat, deri në 7.6, 7.7, 7.8 apo 8.9 siç ndodhi në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Romës. Gjimshiti ka shënuar një gol këtë edicion, dhe pikërisht në sfidën e Kupës së Italisë fituar 3-1 kundër Gjenovës./abcnews.al

Çfarë do të thotë kapja e Maduros për Rusinë?

By: xhir jeta
6 January 2026 at 12:32

Për Kremlinin, rezultati më i dukshëm i kapjes nga Shtetet e Bashkuara të Nicolas Maduros të Venezuelës është se kjo përbën një goditje ndaj ndikimit rajonal të Rusisë dhe ndaj krenarisë së Vladimir Putinit: një aleat i rëndësishëm i cili në maj kishte nënshkruar një marrëveshje të “partneritetit strategjik” me presdientin rus, papritur u rrëzua nga pushteti dhe ndodhet në një burg në Qytetin e Nju Jorkut.

Kapja e Maduros ndodhi pak më shumë se një vit pas rënies së Bashar al-Assadit, udhëheqësit sirian i cili i kishte siguruar Rusisë një pozicion të fortë në Lindjen e Mesme në këmbim të mbështetjes vendimtare në luftën kundër kundërshtarëve të tij – një tjetër goditje e madhe për përpjekjet e Putinit për të ringjallur praninë e Moskës në botë pas tërheqjes që pasoi shembjen e Bashkimit Sovjetik.

Jo vetëm kaq, por bastisja e SHBA-së në Venezuelë më 3 janar arriti brenda pak orësh diçka që Rusia nuk ka mundur ta bëjë në gati katër vjet që kur Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës dhe që shihej si një nga qëllimet e tij kryesore: largimin e një udhëheqësi shteti.

Por, përqendrimi i Rusisë në luftën kundër Ukrainës nënkupton se mbrojtja e Maduros nuk do të ishte realiste edhe nëse Moska do të donte ta bënte këtë, dhe dobia e Venezuelës për Rusinë ka rënë, të paktën në aspektin ekonomik, për shkak të sanksioneve dhe faktorëve të tjerë që kanë ulur prodhimin e naftës, një sektor ku Rusia ka interesa të mëdha.

Për Rusinë ka edhe anë pozitive. Moska mund ta përdorë operacionin amerikan si dëshmi se Uashingtoni kërkon t’u imponojë vullnetin e tij vendeve të tjera dhe shkel të drejtën ndërkombëtare kur i leverdis – një argument që për disa është bindës, pavarësisht luftës së Moskës kundër Ukrainës.

Në një deklaratë më 3 janar, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” për atë që e cilësoi si “akt të armatosur agresioni kundër Venezuelës” dhe i bëri thirrje SHBA-së “të lirojë presidentin e zgjedhur ligjërisht të një shteti sovran, dhe bashkëshorten e tij”.

Por, ajo që është edhe më e rëndësishme për Kremlinin sesa forcimi i këtij portretizimi të SHBA-së, thonë analistët, është shpresa se veprimet e Uashingtonit në Venezuelë dhe përqendrimi i presidentit amerikan, Donald Trump, në hemisferën perëndimore do t’i japin Moskës më shumë hapësirë manovrimi – si moralisht ashtu edhe ushtarakisht – për të vepruar, sipas dëshirës, në atë që e konsideron sferën e vet të ndikimit, veçanërisht në Ukrainë.

“Pavarësisht nga vendimet që merr Vladimir Putini në Ukrainë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që disa veprime të dënohen vetëm mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare”, i tha Radios Evropa e Lirë analistja politike me seli në Berlin, Alexandra Sitenko, e cila është eksperte për raportet e Rusisë me Amerikën Latine dhe rajone të tjera.

“Çfarë bëjnë fuqitë e mëdha”
Perceptimi i gjerë se operacioni amerikan e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare “nuk është aspak i keq për narrativin më të gjerë rus”, tha Mark Galeotti, analist për Rusinë dhe profesor nderi në Shkollën e Studimeve Sllave dhe Evropës Lindore të Kolegjin e Londrës, në podkastin e tij më 4 janar.

“Tek e fundit, këndvështrimi i Putinit në thelb është ajo se çfarë bëjnë fuqitë e mëdha dhe fuqitë e mëdha kanë sfera ndikimi. Dhe, nëse do t’i lejojmë Amerikës të ketë sferën e saj të ndikimit në Amerikën Latine, atëherë për rrjedhojë ne duhet të lejohemi të kemi sferën tonën sllave”, tha Galeotti.

Ndërkaq Sam Greene, profesor në Institutin e Rusisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës shtoi: “Çdo zhgënjim nga fakti që Maduro u largua nga Uashingtoni do të zbutet nga një premtim për bashkëdominim global, në të cilin Moska do të fitonte të drejtën të bënte të njëjtën gjë në fqinjësinë e saj”.

Ka prova se Rusia ka kërkuar një marrëveshje të tillë që shumë kohë përpara se të niste luftën e saj kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Gjatë një mosmarrëveshjeje në të cilën Rusia ndihmoi në mbrojtjen e Maduros përballë përpjekjeve të një udhëheqësi opozitar të mbështetur nga SHBA-ja për ta rrëzuar atë, “rusët… po sinjalizonin shumë fuqishëm se donin disi të bënin një marrëveshje shumë të çuditshme këmbimi mes Venezuelës dhe Ukrainës”, i tha një komiteti të Kongresit në tetor të vitit 2019 Fiona Hill, e cila ishte këshilltarja kryesore për Rusinë dhe Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Trumpit nga prilli i vitit 2017 deri në korrik të vitit 2019.

Thelbi i mesazhit rus ishte: “Ju doni që ne të largohemi nga oborri juaj. Epo, ne kemi versionin tonë të kësaj. Ju jeni në oborrin tonë në Ukrainë”, u shpreh hill.

Faktori Ukrainë
Këtë herë, qasja e Rusisë dhe reagimi i saj relativisht i zbehtë ndaj kapjes së Maduros janë pjesë e një sërë zhvillimesh që tregojnë “se deri në çfarë mase dëshira e Rusisë për ta nënshtruar Ukrainën e dikton pjesën tjetër të politikës së saj të jashtme”, shkroi në X, Hanna Notte, drejtoreshë për Euroazinë në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes.

“Putini shmangu bashkëpunimin me [ish-presidentin amerikan Joe] Biden në përpjekje për ta detyruar atë të heqë dorë nga Ukraina. Gjatë vitit të kaluar, ai është përpjekur të jetë në anën e mirë të Trumpit, këtë herë për ta joshur që të marrë anën e Rusisë kundër Ukrainës”, shkroi Notte.

“Qoftë duke ushtruar presion apo duke lavdëruar një udhëheqës amerikan, qëllimi përfundimtar i Rusisë mbeti i njëjtë: të krijojë një përçarje mes SHBA-së dhe Ukrainës”.

Përderisa toni dhe përmbajtja e diplomacisë mbi Ukrainën mund të ndryshojnë shpejt, deri tani nuk ka pasur ndonjë sinjal të një ndryshimi të madh në qëndrimin e SHBA-së që nga kapja e Maduros, e cila ndodhi ndërsa zhvilloheshin një sërë rundesh bisedimesh mes SHBA-së, Ukrainës, Evropës dhe Rusisë në konfigurime të ndryshme, teksa administrata e Trumpit po synon të ndërmjetësojë përfundimin e luftës.

Në një konferencë për media disa orë pas operacionit në Karakas, Trump tha se nuk ishte “i kënaqur me Putinin. Ai po vret shumë njerëz”.

Më 4 janar, ai përsëriti përfundimin e CIA-s dhe tha se nuk besonte se Ukraina kishte shënjestruar një nga rezidencat e Putinit në një sulm me dron muajin e kaluar, pasi më parë dukej se kishte pranuar pretendimin që, sipas tij, presidenti rus kishte shprehur në një bisedë telefonike.

“A do të thotë fokusi mbi Venezuelën dhe hemisferën perëndimore se Shtetet e Bashkuara do të shpërqendrohen?”, pyeti Galeotti.

Përgjigja e tij: “Sigurisht që mund të lindin pyetje se si pretendimi se do të drejtojë Venezuelën mund të vihet në praktikë. Por, nga ana tjetër, një superfuqi mund të ecë dhe të përtypë njëherësh çamçakëz. Nuk mendoj se kjo do të ketë ndonjë ndikim të veçantë mbi atë që ndodh me Ukrainën”.

Greene sugjeroi se nëse Kremlini shpreson për një marrëveshje të gjerë midis fuqive të mëdha dhe liri të plotë për të vepruar në Ukrainë, ai do të zhgënjehet.

“Përveç nëse u jepet në mënyrë të menjëhershme një e drejtë e plotë për të vepruar në Ukrainë, Moska do ta konsiderojë këtë si hipokrizi tipike amerikane, gjë që ka të ngjarë të prishë koalicionin e supozuar të hegjemonisë globale midis Putinit, Trumpit dhe [presidentit kinez] Xi [Jinping]”, shkroi ai./rel

Rrënjët Dardane, Përzhita: Nuk ka me dilema, fis ilir, zemra dardane Kosova sot

By: xhir jeta
6 January 2026 at 10:50

Në studion e ‘Pas Mesnatë’, arkeologu Luan Përzhita thekson se nuk ka më dilema rreth prejardhjes ilire dhe dardane të Kosovës. Sipas tij, faktet historike dhe arkeologjike janë të qarta dhe të pamohueshme. Kosova e sotme qëndron mbi themele të lashta ilire, të dëshmuara nga një studim i gjatë dhe i thelluar.

“Studimet që kanë të bëjnë me Dardaninë kanë qenë gjithmonë me polemika të ndryshme që kanë të bëjnë rreth origjinës së fisit më të madh ilir, që ishin dardanët. Për ne studiuesit, nuk është një cështje që duhet të diskutohet e kam fjalën për origjinën ilire të dardanëve, sepse shumë autorë të asaj kohe përmendin dardanët si pjesë e trungut dhe fiseve të mëdha të Ilirisë. Ndaj në këtë drejtim nuk kemi asgjë të paqartë. Brenda kësaj teorie ka disa derivate që mundohen ta miksojnë me kultura të tjera” shprehet ai.

Perzhita ka zhvilluar një studim mbi 20 vite, të mbështetur në gërmime të shumta arkeologjike në mbarë territorin e Kosovës. Ai thotë se gjurmët e historisë janë të pranishme kudo, të ruajtura në nëntokën tonë, ndërsa thekson se çdo gërmim ka nxjerrë në pah dëshmi të qarta të vazhdimësisë iliro-dardane.

Ai thotë se gërmimet arkeologjike filluan menjëherë pas luftës, paralelisht me kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre. Interesimi i komunitetit ishte i madh.

“Pas luftës, me rikthimin e kosovarëve në shtëpi nisëm gërmimet. Gjetëm mirëkuptim të madh nga komuniteti, sepse njerëzit donin të njihnin rrënjët e tyre dhe na ofruan tokën për ta gërmuar”, thotë Perzhita.

Ai tregon se në disa raste edhe shtëpitë private u shndërruan në baza pune për arkeologët, si shtëpia e Fasli Thaçit.

Sipas gjetjeve, në territorin e Kosovës është dëshmuar vazhdimësia historike nga shteti ilir dhe ai dardan, deri te periudhat e mëvonshme, duke përfshirë edhe shtetin maqedonas, nga shekulli II deri në shekullin VI./abcnews.al

Homazh për viktimat e zjarrit në Zvicër/ Skiatorët krijojnë një zemër në Crans-Montana

By: xhir jeta
6 January 2026 at 10:37

Dhjetëra skiatorë krijuan një zemër në shpatet e Crans-Montana për të vajtuar viktimat e zjarrit vdekjeprurës në bar në natën e Vitit të Ri.

Dyzet persona u vranë në barin ku filloi zjarri, ndërsa 116 të tjerë u plagosën.

Prokurorët zviceranë kanë hapur një hetim penal ndaj menaxherëve të barit Le Constellation.

Kryetari i bashkisë thotë se bari Le Constellation nuk kishte pasur asnjë kontroll sigurie, hetim apo auditim për pesë vjet.

Selfie dhe buzëqeshje: Koreja e Jugut kërkon ‘fazë të re’ në lidhjet me Kinën

By: xhir jeta
6 January 2026 at 10:29

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka bërë thirrje për një “fazë të re” në lidhjet me Kinën, ndërsa u takua me udhëheqësin e saj Xi Jinping në Pekin të hënën.

Siguria rajonale dhe heqja e ndalimit jozyrtar të Pekinit për kulturën pop koreane janë në krye të axhendës së Lee, ndërsa ai vazhdon udhëtimin e tij katër-ditor në Kinë. Ai do të takohet me Kryeministrin e Kinës Li Qiang dhe kryetarin e parlamentit, Zhao Leji të martën.

Kjo shënon vizitën e parë nga një udhëheqës i Koresë së Jugut që nga viti 2019. Marrëdhëniet dypalëshe ishin përkeqësuar nën paraardhësin e Lee, ish-presidentin e shkarkuar Yoon Suk Yeol, i cili ishte shumë kritik ndaj Kinës.

Ndërkohë, Xi është dukur i etur për të forcuar lidhjet me Korenë e Jugut mes një mosmarrëveshjeje diplomatike midis Kinës dhe Japonisë.

Koreja e Jugut është një aleat i sigurisë së SHBA-së – si Japonia – por gjithashtu mbështetet te Kina për tregti. Ekspertët thonë se Lee pritet të vazhdojë të ecë në një litar të tendosur diplomatik midis Pekinit dhe Tokios.

Vizita shënon herën e dytë që dy udhëheqësit takohen që nga nëntori kur Xi vizitoi Korenë e Jugut për një samit ekonomik rajonal.

Të hënën, Lee deklaroi se vizita ishte “një mundësi vendimtare” për “rivendosjen në shkallë të plotë të marrëdhënieve Kore-Kinë”, raportoi gazeta koreano-jugore Chosun. “Ne duam të hapim një fazë të re në zhvillimin e marrëdhënieve Kore-Kinë”.

Zyrtarë qeveritarë dhe kompani nga të dy vendet nënshkruan një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi mbi teknologjinë, tregtinë dhe mjedisin.

Lee gjithashtu bëri selfie me Xi, duke përdorur një telefon Xiaomi që presidenti kinez ia kishte dhuruar vitin e kaluar.

“Cilësia e imazhit është sigurisht e mirë, apo jo?” postoi Lee në X së bashku me fotot.

Xi vuri në dukje se “situata ndërkombëtare po bëhet më e trazuar dhe komplekse”.

Takimi pasoi kapjen e presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga SHBA-të gjatë fundjavës.

Xi i kërkoi Lee-së të “qëndrojë fort në anën e duhur të historisë dhe të bëjë zgjedhje të sakta strategjike”, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua e Kinës.

Ai përmendi gjithashtu historinë e përbashkët të të dy vendeve në rezistencën ndaj militarizmit japonez, duke thënë se Kina dhe Koreja e Jugut tani duhet të “punojnë krah për krah për të mbrojtur rezultatet e fitores së Luftës së Dytë Botërore dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Azinë Verilindore”.

Dëshira e Xi për t’u takuar me Lee sinjalizon presionin që ai përballet në gjetjen e një aleati rajonal, tha për BBC-në Park Seung-chan, profesor i studimeve kineze në Universitetin Yongin.

“Kina mund të flasë hapur, por kërkesa e saj është e qartë: të mbështesë Kinën dhe të denoncojë Japoninë.”

Gjatë udhëtimit të tij katër-ditor në Kinë, Lee pritet të mbajë një homazh përkujtimor në Shangai për aktivistët që luftuan për pavarësinë e Koresë nga Japonia.

Por, ndërsa Koreja e Jugut “ende po tregon gjithë respektin e saj ndaj Kinës”, ajo dëshiron të “forcojë marrëdhëniet e saj si me Japoninë ashtu edhe me Kinën”, tha zoti Park.

Thuhet se Lee planifikon të vizitojë Japoninë më vonë këtë muaj për të takuar kryeministrin Sanae Takaichi.

Udhëheqësi japonez është kritikuar ashpër nga Pekini për sugjerimin në parlament se Tokio mund të përgjigjet me forcat e veta të vetëmbrojtjes në rast të një sulmi kinez ndaj Tajvanit, ishullit të vetëqeverisur që Kina e pretendon si territor të saj. Siguria në Gadishullin Korean ka qenë gjithashtu pjesë e diskutimeve.

Lee është përpjekur të angazhohet diplomatikisht me Korenë e Veriut, por deri më tani ka pasur pak përparim. Ai ka nevojë për bashkëpunim kinez për të ushtruar presion mbi Kim Jong Un të Veriut që të heqë dorë nga armët e tij bërthamore. Pekini është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Phenianit, ekonomikisht dhe diplomatikisht.

Lee u zotua të hënën të punojë me Kinën për “alternativa të qëndrueshme për paqen në Gadishullin Korean”.

Të dielën, ushtria e Seulit tha se Pheniani lëshoi ​​raketa balistike në bregun e saj lindor. Dhe të hënën, agjencia shtetërore e lajmeve e Veriut tha se vendi testoi raketa hipersonike për të vlerësuar aftësitë e parandalimit pas zhvillimeve të fundit, në një referencë të dukshme për kapjen e Maduros nga SHBA-të.

Mbetet e paqartë se sa Lee do të jetë në gjendje ta shtyjë Kinën ndaj Koresë së Veriut. Në shtator, Xi ishte zotuar të forconte “miqësinë tradicionale” të Pekinit me Phenianin.

Dhe Seuli dhe Pekini nuk janë aleatë të natyrshëm.

Trupat amerikane janë stacionuar në Korenë e Jugut për dekada të tëra në rast të një sulmi nga Veriu, dhe vitin e kaluar të dy palët ranë dakord të bashkëpunojnë në ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore. Njoftimi shkaktoi paralajmërime nga Kina.

Lee gjithashtu është përpjekur t’i japë fund ndërtimit të strukturave detare nga Kina në ujërat midis dy vendeve. Pekini thotë se strukturat janë pajisje për kultivimin e peshkut, por ato kanë shkaktuar shqetësime për sigurinë në Seul.

Të dy udhëheqësit ranë dakord të hënën të vazhdojnë dialogun “konstruktiv” mbi këtë çështje, tha zëdhënësi presidencial i Koresë së Jugut. Një tjetër pikë e rëndësishme në axhendën e Lee janë kufizimet jozyrtare të Kinës për muzikën dhe dramat e Koresë së Jugut, të cilat kanë qenë në fuqi për një dekadë. K-pop dhe K-dramat ose nuk janë të disponueshme ose janë të vështira për t’u aksesuar në platformat mediatike kineze.

Ndërsa Kina nuk e ka pranuar kurrë një ndalim për artistët koreanë, besohet se kjo është një protestë kundër vendimit të Koresë së Jugut për të vendosur një sistem anti-raketash amerikan në vitin 2016, të cilin Kina e sheh si një kërcënim për operacionet e saj ushtarake në rajon.

Kina është një treg masiv për argëtimin korean, i cili është tashmë një sukses i madh global.

Në një forum biznesi Kore-Kinë të dielën, Lee inkurajoi bashkëpunim më të thellë dypalësh në produktet e bukurisë, ushqimin dhe përmbajtjen kulturore, duke përfshirë filmat dhe muzikën.

Një zëdhënës presidencial i Koresë së Jugut tha të hënën se të dy udhëheqësit ranë dakord të diskutojnë zgjerimin gradual të shkëmbimeve kulturore – pa specifikuar angazhime konkrete për K-dramat ose K-popin.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze u tha gazetarëve të martën se të dyja palët kanë rënë dakord të “kryejnë shkëmbime kulturore të rregullta, të shëndetshme dhe të dobishme”.

Duke folur para banorëve koreanë në Pekin të dielën, Lee tha se vizita e tij do të “shërbejë si një pikënisje e re për të mbushur boshllëqet në marrëdhëniet Kore-Kinë, për t’i rikthyer ato në normalitet dhe për t’i ngritur në një nivel të ri”./abcnews.al

Cilat vende mund të jenë në shënjestër të Trump pas Venezuelës?

By: xhir jeta
6 January 2026 at 10:16

Mandati i dytë i Presidentit të SHBA-së Donald Trump po formësohet nga ambiciet e tij të politikës së jashtme. Ai ka ndjekur kërcënimet kundër Venezuelës duke arrestuar presidentin e saj dhe gruan e tij nga kompleksi i tyre i fortifikuar në Karakas në një bastisje gjatë natës.

Kur përshkruante operacionin, Trump hodhi poshtë Doktrinën Monroe të vitit 1823 dhe premtimin e saj për supremaci të SHBA-së në hemisferën perëndimore – duke e riemëruar atë “Doktrina Donroe”.

Ja disa nga paralajmërimet që ai ka bërë kundër kombeve të tjera në orbitën e Uashingtonit ditët e fundit.

Groenlanda
SHBA-të tashmë kanë një bazë ushtarake në Groenlandë – Baza Hapësinore Pituffik – por Trump dëshiron të gjithë ishullin. “Ne kemi nevojë për Groenlandën nga pikëpamja e sigurisë kombëtare”, u tha ai gazetarëve, duke thënë se rajoni ishte “i mbuluar me anije ruse dhe kineze kudo”. Ishulli i gjerë Arktik, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, ndodhet afërsisht 2,000 milje (3,200 km) në verilindje të SHBA-së. Është e pasur me minerale të rralla të tokës, të cilat janë thelbësore për prodhimin e telefonave inteligjentë, automjeteve elektrike dhe pajisjeve ushtarake. Aktualisht, prodhimi i Kinës i mineraleve të rralla të tokës tejkalon shumë atë të SHBA-së. Groenlanda gjithashtu zë një vendndodhje strategjike kyçe në Atlantikun e Veriut, duke i dhënë akses në rrethin Arktik gjithnjë e më të rëndësishëm. Ndërsa akujt polarë shkrihen në vitet e ardhshme, pritet të hapen rrugë të reja transporti detar. Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, iu përgjigj Trump duke e përshkruar nocionin e kontrollit të SHBA-së mbi ishullin si një “fantazi”. “Mjaft me presion. Mjaft me insinuata. Mjaft me fantazi aneksimi. Ne jemi të hapur për dialog. Ne jemi të hapur për diskutime. Por kjo duhet të ndodhë përmes kanaleve të duhura dhe me respekt për ligjin ndërkombëtar”, tha ai. Çdo përpjekje e SHBA-së për të pushtuar Groenlandën do ta sillte atë në konflikt me një anëtar tjetër të NATO-s, duke e vënë aleancën në rrezik.

Kolumbia
Vetëm disa orë pas operacionit në Venezuelë, Trump e paralajmëroi Presidentin kolumbian Gustavo Petro të “kishte kujdes”. Fqinji perëndimor i Venezuelës, Kolumbia, është shtëpia e rezervave të konsiderueshme të naftës dhe është një prodhues i madh i arit, argjendit, smeraldeve, platinit dhe qymyrit. Është gjithashtu një qendër kyçe për tregtinë e drogës në rajon – veçanërisht kokainës.Që kur SHBA-të filluan të godisnin anijet në Karaibe dhe Paqësorin lindor në shtator – duke thënë, pa prova, se ato po transportonin drogë – Trump është përfshirë në një mosmarrëveshje në spirale me presidentin e krahut të majtë të vendit. SHBA-të vendosën sanksione ndaj Petros në tetor, duke thënë se ai po lejonte kartelet të “lulëzonin”. Duke folur në bordin e Air Force One të dielën, Trump tha se Kolumbia po “drejtohej nga një njeri i sëmurë që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara”. “Ai nuk do ta bëjë këtë për shumë kohë”, tha ai. I pyetur nëse SHBA-të do të kryenin një operacion që synonte Kolumbinë, Trump u përgjigj: “Më duket mirë”. Historikisht, Kolumbia ka qenë një aleat i ngushtë në luftën e Washingtonit kundër drogës, duke marrë qindra miliona dollarë çdo vit në ndihmë ushtarake për të luftuar kartelet.

Irani
Irani aktualisht po përballet me protesta masive antiqeveritare dhe Trump paralajmëroi gjatë natës se autoritetet atje do të “goditen shumë rëndë” nëse vdesin më shumë protestues. “Po e ndjekim nga afër. Nëse fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, mendoj se do të goditen shumë rëndë nga Shtetet e Bashkuara”, u tha ai gazetarëve në Air Force One. Teorikisht, Irani bie jashtë fushëveprimit të përcaktuar në “Doktrinën Donroe”, por megjithatë Trump e ka kërcënuar më parë regjimin iranian me veprime të mëtejshme, pasi goditi objektet e tij bërthamore vitin e kaluar.Këto sulme erdhën pasi Izraeli nisi një operacion në shkallë të gjerë që synonte shkatërrimin e aftësisë së Iranit për të zhvilluar një armë bërthamore, i cili kulmoi në konfliktin 12-ditor Izrael-Iran. Në një takim në Mar-a-Lago midis Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu javën e kaluar, u tha se Irani ishte në krye të axhendës. Mediat amerikane raportuan se Netanyahu ngriti mundësinë e sulmeve të reja kundër Iranit në vitin 2026.

Meksika
Ngjitja e Trump në pushtet në vitin 2016 u përcaktua nga thirrjet e tij për të “Ndërtuar Murin” përgjatë kufirit jugor me Meksikën. Në ditën e tij të parë në detyrë në vitin 2025, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të riemëruar Gjirin e Meksikës në “Gjirin e Amerikës”. Ai ka pretenduar shpesh se autoritetet meksikane nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar rrjedhën e drogës ose emigrantëve të paligjshëm në SHBA. Duke folur të dielën, ai tha se droga po “derdhej” nëpër Meksikë dhe “do të duhet të bëjmë diçka”, duke shtuar se kartelet atje ishin “shumë të forta”. Trump tha se është ofruar të dërgojë trupa amerikane në Meksikë për të luftuar kartelet, por Presidentja Claudia Sheinbaum ka hedhur poshtë publikisht çdo veprim ushtarak amerikan në tokën meksikane.

Kuba
Kombi ishullor, vetëm 90 milje (145 km) në jug të Floridës, ka qenë nën sanksione amerikane që nga fillimi i viteve 1960. Ai mbante marrëdhënie të ngushta me Venezuelën e Nicolás Maduro-s, e cila thuhet se furnizonte afërsisht 30% të naftës së Kubës në këmbim të mjekëve dhe personelit mjekësor që udhëtonin në drejtimin e kundërt. Me largimin e Maduros, Havana mund të ekspozohet nëse furnizimi me naftë bie. Trump sugjeroi të dielën se ndërhyrja ushtarake amerikane atje nuk ishte e nevojshme, sepse Kuba është “gati të bjerë”. “Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë veprim”, tha ai. “Duket sikur po ulet.” “Nuk e di nëse do të rezistojnë, por Kuba tani nuk ka të ardhura”, shtoi ai. “Ata i morën të gjitha të ardhurat e tyre nga Venezuela, nga nafta venezueliane.”

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio – i cili është djali i emigrantëve kubanë – ka bërë thirrje prej kohësh për ndryshim regjimi në Kubë, duke u thënë gazetarëve të shtunën: “Nëse do të jetoja në Havana dhe do të isha në qeveri, do të isha i shqetësuar – të paktën pak”. “Kur flet presidenti, duhet ta merrni seriozisht”, tha ai./abcnews.al

Yesterday — 5 January 2026Main stream

Europa “ngre krye” ndaj Trump/ Mbështetje Groenlandës: Kufijtë nuk ndryshohen me forcë

By: xhir jeta
5 January 2026 at 15:20

Europa ka reaguar ndaj deklaratave më të fundit të Donald Trump për Groenlandën, e cila sipas presidentit amerikan i duhet Shteteve të Bashkuara për çështje sigurie. Kryeministri britanik Keir Starmer shprehu mbështetjen për kryeministren daneze Mette Frederiksen, duke theksuar se ajo ka të drejtë për të ardhmen e Groenlandës.

Starmer tha se e ardhmja e Groenlandës u takon njerëzve që jetojnë atje dhe udhëheqësve të tyre në Danimarkë për të vendosur. Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se Groenlanda i përket Danimarkës dhe se NATO mund të diskutojë forcimin e mbrojtjes së saj nëse është e nevojshme.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë, dhe Gjermania po bisedonte me Danimarkën dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian për këtë çështje. Nga ana tjetër një zëdhënës i Komisionit uropian tha se Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë parimin e sovranitetit kombëtar dhe shprehu mbështetjen e plotë për Danimarkën.

Franca gjithashtu shprehu solidaritet, duke thënë se Groenlanda i përket popullit të saj. Presidenti Alexander Stubb i Finlandës tha se askush nuk vendos për Groenlandën dhe Danimarkën, përveç vetë atyre./abcnews.al

Maduro në gjykatë/ Kush është gjyqtari ortodoks hebre që do të kryesojë procedurat penale në gjyq

By: xhir jeta
5 January 2026 at 14:13

Çështja e bujshme kundër Nicolás Maduros i është caktuar gjyqtarit federal 92-vjeçar Alvin K. Hellerstein, i cili u emërua dhe u konfirmua nga Presidenti Bill Clinton në vitin 1998.

Hellerstein, një gjyqtar i lartë që nga viti 2011 në Distriktin Jugor të Nju Jorkut, ka kryesuar çështje që rrjedhin nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, si dhe çështje të tjera që përfshijnë terrorizmin dhe sigurinë kombëtare.

Gjatë verës, ish-gjenerali dhe kreu i inteligjencës venezueliane Hugo Carvajal Barrios u deklarua fajtor para Hellerstein për akuzat që lidhen me narkoterrorizmin dhe trafikimin e drogës.

Hellerstein ka bërë gjithashtu lajme vitet e fundit kur ai mohoi kërkesat e Trump për të transferuar çështjen e tij penale për heshtje në gjykatën federale. Hellerstein zbuloi se rimbursimi i Trump për Michael Cohen, i cili lehtësoi pagesat e parave për heshtje për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, nuk ishin akte zyrtare të lidhura me presidencën e tij. Trump ende po e lufton këtë vendim.

Në pranverë, Hellerstein nxori një vendim që e ndalonte administratën Trump të përdorte Aktin e Armiqve të Huaj për të deportuar venezuelianët dhe e kritikoi administratën për deportimin e njerëzve në një burg të huaj “me shpresë të zbehtë për proces gjyqësor ose kthim”.

❌
❌