Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) është përzgjedhur si Anëtar Kandidat për Zgjerim (Enlargement Candidate Member – ECM) në Komitetin Ekonomik dhe Social Europian (EESC), duke shënuar një angazhim të ri dhe të rëndësishëm në nivel europian.
Në këtë rol, KCSF do të kontribuojë drejtpërdrejt në punën e EESC-së, me fokus të veçantë në çështjet që lidhen me shoqërinë civile dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përfaqësuar perspektivën dhe interesin publik nga Kosova.
KCSF ka theksuar se do ta shfrytëzojë këtë angazhim për të avancuar rolin e shoqërisë civile në Kosovë, për të forcuar përfaqësimin e interesit publik dhe për të dhënë kontribut në procesin integrues jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Komiteti Ekonomik dhe Social Europian është institucioni i parë i Bashkimit Evropian që ka hapur dyert për përfshirjen e vendeve kandidate për anëtarësim, duke u dhënë atyre mundësinë të kontribuojnë në proceset këshillimore dhe vendimmarrëse në nivel europian.
Nga KCSF është shprehur mirënjohje për EESC-në për besimin dhe mundësinë e dhënë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit me institucionet e BE-së dhe avancimit të agjendës integruese të Kosovës.
Dje, në një prej sallave luksoze të hotelit ndërkombëtar me pesë yje, “Maritim Hotel Plaza, pranë qendrës historike dhe tregtare të Tiranës, Komisioneri për të Drejtën për Informim (dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale) zhvilloi konferencën propagandistike mbi transparencën, me mbi njëqind e pesëdhjetë të ftuar: ambasadorë, deputetë, ministra, prokurorë, anëtarë të organeve të larta të drejtësisë, kryetarë të bashkive të vendit, kryetarë të këshillave bashkiakë, koordinatorë të së drejtës për informim, nëpunës jo shtetërorë nga shoqëria civile dhe fare, fare pak gazetarë. Por i ftuari nr. 1 ishte Kryeministri Edi Rama.
Hotel “Plaza” është shndërruar prej kohësh në një ekosistem mikpritës për aktivitetet ceremoniale të Komisionerit, kostot e të cilave duhet të jenë në rritje, ndërsa dobia e aktiviteteve, në rënie.
Paketa propagandistike ofronte një atmosferë festive dhe solemne. Të ftuarit ishin ulur në formë rrethore. Të njëjtën simbolikë ofronte edhe skenografia në qendër të skenës, ku folësit specialë ishin ftuar të diskutonin rreth një tryeze të rrumbullakët, e pozicionuar disi më lart në platformë, mbi të pranishmit. Së bashku me ta, në të njëjtën tryezë do të qëndronte edhe Kryeministri.
Në përpjekje për të tërhequr vëmendjen edhe mbi përmbajtjen, organizatorët ishin kujdesur ta pagëzonin konferencën me një titulli të goditur: “Agora e Transparencës në Kohën e Integrimit”. Në këtë rast, simbolika i shërben qëllimit. Sa më i ngarkuar titulli figurativisht, aq më pak do të përpiqet publiku që të depërtojë nën stilistikën letrare të tij. Studimet kanë treguar se shpesh, ajo çka përcillet përmes titujve merret si e vërtetë, pa hulumtuar përmbajtjen. Madje edhe dizajni i ftesës tregonte grafikun e një rrethi.
Por le të qëndrojmë te fjala “Agora”.
Sikurse në Antikitet, ku me Agora në Athinën helenike nënkuptohej hapësira publike, në të cilën mblidheshin dhe diskutonin mes tyre qytetarë të barabartë, sot fjala ruan të njëjtën semantikë. Pra, sipas organizatorëve, tryeza në “Plaza” nënkupton të njëjtën gjë: një hapësirë ku pikëpamje të ndryshme debatohen për të arritur zgjidhje të arsyeshme. Por çështja është se askush nuk mund ta besojë kaq lehtë këtë përrallë moderne, përveç se nën efektin marramendës të një organizimi festiv prej pushtetit.
Keqkuptimi më i madh me konferencat është se publikut nuk i bën më përshtypje mungesa e debatit, fshehja e problemit dhe fabrikimi i një konsensusi të rremë. E tërë konferenca ndërtohet mbi një narrativë të kontrolluar e të gënjeshtërt.
Që manipulimi të ketë efekt, kontrolli duhet të zgjerohet në të tjera dimensione, duke përjashtuar nga pjesëmarrja kritikët. Të tillë ka në media dhe sa më të pavarur, aq më të rrezikshëm. Pra, në sallë nuk duhet të ketë zëra kritikë. Më së paku, Komisioneri u kujdes që të mos ftohej asnjë i tillë që mund të rrezikonte prishjen e atmosferës festive. Lista emërore iu kalua “Gardës” dhe ushtarakë me veshje civile në hyrje të sallës u kujdesën për sigurinë fizike, por edhe për moslejimin e askujt, emri i të cilit nuk ishte në listën e hartuar nga pritësi (Komisioneri).
Më tej, operacioni i manipulimit përparon drejt “gjithpërfshirjes”. Përpjekja është që gjoja të arrihet një pjesëmarrje diverse, por duke u siguruar që të ftohen gjithmonë të njëjtët njerëz; të njëjtat fytyra, të njëjtat retorika; të njëjtat falenderime, duartrokitje, veshje. E njëjta heshtje!
Rreth tryezës së rrumbullakët janë ftuar të diskutojnë si të barabartë, përfaqësues të organizatave joqeveritare (shumica mediatike). Për shumë njerëz, dallimi mes këtyre organizatave dhe organeve shtetërore po bëhet i vështirë. Është e vështirë të kuptosh ndryshimin mes një burokrati që nuk thotë asgjë dhe dikujt që në emër të korrektesës politike, nuk bën asnjë kritikë, nuk zhvillon asnjë debat, nuk jep asnjë zgjidhje. Të ftuarit rreth tryezës paguhen nga i njëjti donator: BE. Sa larg mund të shkojë kritika e tyre për qeverinë?
Imagjinoni, të ftuarit nuk bënë asnjë kritikë për Dervishin, megjithëse veprimet e këtij të fundit i kanë shkaktuar gazetarisë, veçanërisht asaj hulumtuese, dëme të mëdha. Me të drejtë dikush mund të pyesë: cili është dallimi mes tyre? Mos vallë u kompleksuan nga ftesa? Përse paska të drejtë që Komisioneri të seleksionojë media, për të zbukuruar punën e tij, ndërsa këto media nuk paskan mundësi që të ushtrojnë ndërshmërisht deontologjinë profesionale për të kritikuar veprimet dhe mosveprimet e Komisionerit, pikërisht në tryezën ku ndodhet edhe Kryeministri? A shqetësohen donatorët e shoqërisë civile se Bashkimi Evropian po pranon në gjirin e tij politik dhe kulturor, jo një aspiratë përpjekjeje të sinqertë të një kombi, por një tribunë me ngjyra të ndezura, poshtë së cilës, si dikur në Shqipërisë Socialiste, marshonin në rresht, qoftë me dëshirë, qoftë të imponuar, të gjithë, pa përjashtim? Mos ndoshta palët mendojnë njësoj? – Sekush të përfitojë për vete! Nëse është kështu, ata janë partnerë me Komisionerin…në krah të njëri-tjetrit, por kurrsesi përballë. Dhe në këtë moment tryeza shndërrohet, nga e rrumbullakët në një rreth vicioz, pak ose aspak e dobishme për publikun.
Krahas Ramës, Komisioneri për të Drejtën për Informim, Besnik Dervishi, është ndër të paktët individë që vijon të drejtojë të njëjtin institucion, prej më shumë se dhjetë vjetësh. Nën shembullin e Kryeministrit, edhe Dervishi është transformuar në një ekspert i spikatur konferencash dhe propagande, duke ngritur në heshtje dhe pa u lodhur, një mekanizëm korruptiv selektimi, duke favorizuar vetëm ato kërkesa për informacion që kontribuojnë, në radhë të parë, për imazhin e tij në funksion të begatisë personale; duke përzgjedhur për të bashkëpunuar një numër të ngushtë organizatash të shoqërisë civile, por duke përjashtuar të gjithë të tjerët. Sepse vetëm në këtë mënyrë, duke përjashtuar kritikët, duke mbyllur të gjitha çarjet e kësaj ngrehine të gënjeshtërt nga drita e së vërtetës, vetëm kështu mund të mbahet në këmbë struktura e pushtetit të korruptuar.
Dhe vjen gjithmonë ai çast i mërzitshëm, kur njerëzit fillojnë e besojnë te mashtrimi; fillojnë e besojnë se gjërat e vërteta janë ashtu si duken, ashtu si u serviren. Dhe pushojnë së menduari, sepse të menduarit shndërrohet në një kompleks psikologjik që rrezikon të diskriminojë qënien përballë shumicës së manipuluar. Në këtë çast njeriu dorëzohet dhe braktis çdo përpjekje për të depërtuar në thellësi. I tillë është efekti i propagandës.
Epidemia e konferencave po përhapet kudo në prag të integrimit, rreth kullave të reja të kryeqytetit, ky tryezat e rrumbullakëta të antikorrupsionit po shndërrohen në tribuna propagande që fshehin korrupsionin. Qëllimi nuk është transparenca, debati mbi qeverisjen, shpenzimet, abuzimet, por që të na bindin se flitet për to pa përmendur asgjë prej tyre.
Megjithatë, sado e sofistikuar makineria e “spining”, situata mbetet po aq shpresëdhënëse, sepse ne dimë dobësinë e tyre: fasadën; dimë mënyrën për ta rrëzuar, mënyrën për ta diskredituar atë; dimë si t’i shkundim njerëzit nga kënaqësia që prodhon opiumi i propagandës.
Por kjo nuk mjafton, nëse nuk reagohet publikisht; nëse nuk tregohet kurajo dhe guxim, të cilat nuk kanë çmim, ndaj dhe ata e kanë vështirë që t’i blejnë.
Një grup prej 22 organizatash të shoqërisë civile kanë reaguar për, siç e vlerësojnë ato, sulmet dhe denigrimin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit në vend.
Reagimi vjen pas një postimi të 9 nëntorit të përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, ku ai ka përdorur gjuhë nënçmuese ndaj gjyqtarëve dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Organizatat vlerësojnë se deklarime të tilla minojnë kredibilitetin e sistemit të drejtësisë dhe nxisin diskurs publik armiqësor ndaj gjyqtarëve. Ato i kërkojnë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të ndërpresë menjëherë sulmet ndaj institucioneve të pavarura, përfshirë gjyqësorin, mediat dhe organizatat joqeveritare.
“Ne kërkojmë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti që menjëherë të ndalojë sulmet ndaj sistemit gjyqësor dhe pushteteve tjera, siç janë mediat dhe organizatat e shoqërisë civile, sa herë që nuk pajtohet me to”, thuhet në reagim.
Në reagim rikujtohet se kundërshtimi i vendimeve gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes procedurave ligjore të apelimit, siç përcaktohet edhe me rekomandimin CM/Rec(2010)12 të Këshillit të Europës, i cili u bën thirrje pushteteve ekzekutive dhe legjislative të shmangin deklaratat që minojnë pavarësinë dhe autoritetin e gjyqësorit.
Organizatat theksojnë se gjyqësori mbetet një prej shtyllave kryesore të mbrojtjes së demokracisë dhe sundimit të ligjit. Reagimin e kanë nënshkruar:
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Lëvizja FOL
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti Musine Kokalari
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK)
Flutura Kusari, aktiviste
Iniciativa për Proges (INPO)
Iniciativa e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut(YIHR)
Qendra per Barazi dhe Liri (CEL Kosova)
KMDLNj
KIPRED
SHL-Kosova- Rahovec
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit 2025 e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”, IKD të martën publikoi promon “Kosova pa marrëveshje, pa qeveri, pa buxhet”, në të cilën theksohet se vendi ka mbetur i bllokuar si pasojë e mosformimit të Qeverisë dhe moskonstituimit të Kuvendit. Ndërkohë që tashmë jemi në prag të vitit të ri dhe vendi është pa buxhet e pa miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 votuan 966,283 qytetarë të Republikës së Kosovës.
Qytetarët ua dhanë besimin partive politike që të formojnë institucionet dhe të qeverisin vendin. Por ky besim nuk u shndërrua në qeverisje.
Partitë politike sipas peshës dhe fuqisë politike që morën nga qytetarët e Kosovës, dështuan që votën e tyre ta kthejnë në qeverisje të mirë dhe vendimmarrje për të promovuar interesat strategjike të Kosovës.
Vetëvendosje, si parti e parë, në mungesë të vullnetit politik dhe bashkëpunimit të sinqertë për të formuar instituconet, filloi me manovra politike duke prolonguar formimin e institucioneve.
Ajo propozoi disa herë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por mori vetëm 57 vota. Dështuan edhe propozimet për Gërvallën, Muratin dhe Nagavacin, derisa në fund u zgjodh Dimal Basha.
Kosova mbeti për 179 ditë pa Kuvend të konstituuar, për faktin se procesi u zvarrit për shkak të moszbatimit të tre aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Më 26 qershor 2025, Gjykata urdhëroi konstituimin brenda 30 ditësh, por afati u anashkalua.
Më 7 gusht, konstatoi se deputetët nuk zbatuan Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, që Kryesuesi Dehari nga LVV nuk veproi në pajtueshmëri me Aktgjykimin e datës 26 qershor dhe që Kryetari duhet të zgjedhet përmes votimit të hapur.
Më 8 tetor, Gjykata konstatosi se seanca nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Moszbatimi i këtyre vendimeve e mbajti Kosovën të bllokuar për muaj të tërë.
Ky bllokim vazhdoi edhe në përpjekjet për formimin e Qeverisë: as Albin Kurti dhe as mandatari i dytë, Glauk Konjufca, nuk siguruan shumicën, dhe vendi shkoi në zgjedhje.
Tani, pasojat i paguajnë qytetarët. Pa Kuvend nuk ka mbikëqyrje të Qeverisë, nuk ka ligje të reja dhe reformat ndalen: drejtësia, ekonomia, skemat pensionale e sociale, si edhe administrata publike.
Ndërkohë, vendi hyn në vitin e ri pa buxhet; RTK mbetet pa financim, me 700 punëtorë pa paga; katër komuna pa buxhet; nuk u votuan marrëveshjet e Planit të Rritjes me rrezik mbi 800 milionë euro; dhe pa u miratuar mbeti edhe marrëveshja me Bankën Botërore.
Kjo është kostoja e mosbashkëpunimit. Kostoja që e paguan vendi dhe qytetarët./BetimipërDrejtësi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mirëpritur sot dy aderime të rëndësishme në listën zgjedhore të partisë: ekspertin e teknologjisë Astrit Desku dhe specialistin e sigurisë Muharrem Asllani.
Astrit Desku, doktor i shkencave kompjuterike dhe një nga profesionistët më të njohur të ICT-së në vend, i bashkohet LDK-së si figurë e profilit të lartë në inovacion, udhëheqje teknologjike dhe edukim universitar.
Ndërkohë, Major Muharrem Asllani, me mbi 20 vite përvojë në operacione emergjente, menaxhim të materieve të rrezikshme dhe bashkëpunime ndërkombëtare në fushën e sigurisë, i shtohet listës së LDK-së si një prej ekspertëve më të respektuar të FSK-së dhe Mbrojtjes Civile.
Abdixhiku tha se të dy aderimet përfaqësojnë vizionin e LDK-së për të përfshirë profesionistët më të mirë të vendit në funksion të një Qeverie më të aftë dhe më evropiane.
Organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim të thellë për siç thonë raportimet lidhur me përfshirjen politike të ambasadores së Republikës së Kosovës në Norvegji, Nita Luci në kampanja të partive politike.
Në reagim thuhet se prezenca e ambasadores së Kosovës në Norvegji në një takim të një partie të vetme politike mund të krijojë perceptimin e anshmërisë politike gjatë ushtrimit të shërbimit diplomatik në të mirë të një subjekti të caktuar.
“Kjo prezencë, sidomos në prag të zgjedhjeve, rrezikon të interpretohet si ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe bie ndesh me parimin e neutralitetit diplomatik. Për më tepër, ky rast ka potencial të dëmtojë imazhin dhe besueshmërinë e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës.
Audienca kryesore e ambasadorëve janë institucionet e shtetit pritës, organizatat joqeveritare, bizneset dhe qytetarët e huaj. Përfshirja e ambasadorëve në ngjarje partiake shkon kundër praktikave diplomatike dhe parimit të mosndërhyrjes, si dhe dëmton frymën e një gare demokratike të lirë dhe të ndershme. Gara mes partive politike nuk është hapësirë ku diplomatët duhet të gravitojnë”, thuhet në reagim.
OJQ-të theksojnë se ky rast nuk duhet lejuar të bëhet praktikë.
“Për të mbrojtur integritetin e përfaqësimit diplomatik, respektimin e ligjit dhe procesin zgjedhor, duhet të ndërmerren masa të qarta institucionale në pajtim me ligjin, duke forcuar llogaridhënien.
Në aspektin ligjor, ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili në Nenin 32 parasheh qartë obligimet e nëpunësve të shërbimit të jashtëm. Sipas këtij neni, nëpunësi i shërbimit të jashtëm është i obliguar ‘të pezullojë aktivitetin e tij në një parti, organizatë ose shoqatë politike gjatë periudhës së shërbimit të jashtëm’. Çdo përfshirje në aktivitete partiake nga një ambasador përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe cenim të rëndë të parimit të paanshmërisë dhe profesionalizmit të shërbimit diplomatik”, thuhet tutje.
“Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të reagojë pa vonesë, të sqarojë rastin publikisht dhe të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë dhe pa përjashtime. Mosveprimi institucional në raste të tilla përbën tolerim të shkeljes së ligjit dhe rrezikon normalizimin e politizimit të diplomacisë”, thuhet në reagim.
Ky reagim është i disa organizatave të shoqërisë civile, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti EPIK, Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Youth Initiative for Human Rights Kosova (YIHR KS), Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë (QKSS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). /Telegrafi/
TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, paraqiti sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, projektbuxhetin e vitit 2026.
Çako theksoi buxheti për vitin 2026 përfaqëson instrumentin kryesor financiar për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe rritjen e mbrojtjes ndaj fatkeqësive natyrore.
Kreu i AKMC-së bëri të ditur se “me një vlerë totale 5.1 miliardë lekë ky buxhet reflekton rritjen në fondet e pagave dhe sigurimeve dhe zgjeron mbështetjen për bashkitë të cilat do t’i atribuojnë kërkesave të tyre për investime infrastrukturore, blerjen e makinerive në funksion të reagimit emergjent, rehabilitimin e digave si dhe fondet e kompensimit të qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore”.
Konkretisht sipas Çakos “buxheti prej 5.1 miliardë lekë reflekton një shtesë prej 66 milionë lekë për rritjen e fondit të pagave, ndërsa buxheti i dedikuar vetëm për funksionin e Agjencisë është 795.8 milionë lekë në të cilat 611.8 milionë lekë janë shpenzime koherente dhe 184 milionë të tjera investime”.
Çako tha se “fondet e tjera në masën 2.3 miliardë u transferohen njësive të vetëqeverisjeve vendore, ndërsa 2 miliardë lekë përbëjnë financimet e huaja. Pjesa e mbetur është buxheti i rezervave materiale prej 183.3 milionë lekë në drejtorinë e përgjithshme të rezervave të shtetit”.
Kreu i AKMC-së sqaroi se “nëse në krahasim me 2025 fondet e njësive të vetëqeverisjeve vendore 2.1 miliardë lekë ka shkuar në 2.3 miliardë lekë rritje kjo jo vetëm nga shtesa buxhetore, por nga përdorimi i fondit rezervë prej 200 milionë lekësh në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave”.
Për rrjedhojë, sipas tij, fondet rezerve për marrjen e masave parandaluese ndaj fatkeqësive në infrastrukturat e dëmtuara dhe në veprimtari të tjera në fushën e mbrojtjes civile për vitin 2026, shtohen edhe 500 milionë lekë të cilat janë në kërkesën mbi tavanet e paraqitura nga AMC në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes nisur dhe në vlerësim të situatave të kaluar qoftë edhe ditët e fundit gjatë përmbytjeve.
“Fondi prej 2.3 miliardë lekësh në njësitë e qeverisjes vendore detajohet në 1 miliard lekë në formën e transfertës së kushtëzuar. Masat e konsiderueshme e këtyre transfertave është e pakonsumuar. Kemi propozuar që ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe pas marrjes së dakordësisë së njësive të vetëqeverisjve vendore, Ministria e Financave të bëjë një rishpërndarjes së fondeve nga një njësi në tjetër në varësi të nevojave të njësive të vetëqeverisjeve vendore, të përdoret mbi bazën e vlerësimit të riskut”, tha Çako.
Çako shtoi se po kështu “1 miliardë lekë me objekt financimin e projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive, ku 344 milionë lekë janë financuar nga buxheti i shtetit të vitit 2025 dhe vlera tjetër 625 milionë lekë do të financohet nga fondet e 2026”.
Kreu i AKMC-së u shpreh se “duke marrë shkas edhe nga situata emergjente që përjetuam gjatë verës besoj se efektet dhe pasoja do të orientojnë një sërë prioritetesh të reja nga strukturat vendore të cilat përkthehen në lehtësimin rehabilitim dhe dëmshpërblimin e zonave të prekur nga fatkeqësitë”.
Çështje e rëndësishëm, theksoi Çako, “është mungesa e fondeve në dispozicion të Agjencisë, për likuidimin e detyrimeve të prapambetura të krijuara ndër vite ndaj qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore, një detyrim i mbartur për AKMC me një vlerë 195 milionë lekë si dhe në bazë të parashikimit ligjore deri në dhjetor të vitit 2019 i është akumuluar AKMC-së, por që është një kërkesë e shtuar në projektbuxhetin afatmesëm, buxhetin 2026-2028 për parashikim për likuidim”.
“Në kuadër të rritjes së kapaciteteve të përmbushjes së detyrimeve funksionale të emergjencave civile janë parashikuar kërkesa shtesë në investime në një total prej 5.1 miliardë lekë, ku fokus mbetet rritja e kapaciteteve të forcave dhe strukturave operacionale si dhe ndërtimi dhe funksionalizmi i 4 qendrave rajonale të emergjencave civile”, tha Çako.
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, foto: Andrin Hoxha
TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, paraqiti sot projektbuxhetin e vitit 2026.
Gjatë paraqitjes së projektbuxhetit, deputetët e opozitës ngritën shqetësimin në lidhje me përmbytjet e shkaktuara ditët e fundit si dhe menaxhimin e situatës nga Emergjencat Civile.
“Në të gjitha këto situata kritike shteti ka dështuar. Nuk e di sa duhet të jetë temperatura që qeveria të mirëqeverisë. Ne kemi pajisjet 40 deri në 50 vjet më të vjetra së Kosova dhe Maqedonia, arsyeja pse ndodhin këto është korrupsioni. Përgjegjësia kryesore e kësaj situate është e qeverisë”, u shpreh deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu.
Deputeti Flamur Naka bëri përgjegjës qeverinë për situatën e zjarreve dhe përmbytjeve.
“Në këto vitet e fundit në Shqipëri është bërë e udhës që kur ndodhin zjarret qeveria nuk ka faj, edhe kur ndodhin përmbytjet qeveria nuk ka faj. Për të gjitha qeveritë e botës kur ndodhin situata të tilla përgjegjësia merret nga qeveria. Ju kanë lënë ju që për faqe të zezë si askund tjetër, sheh zjarrfikës që të dhimbsen duke fikur zjarre me thupra. Me thupra do të fiken zjarret?! Nuk ka asnjë vëmendje shtetërore. Është dramatike, kjo situatë. Cinizmi që ka ndaj fatkeqësisë njerëzore. U premtuan avionë, nuk kemi avionë. Si shpjegohet se këto ura pa mbaruar dy vite duhen ribërë se i merr lumi?!”, tha Noka.
Në përgjigje të tyre, Çako tha se “flota e zjarrfikësve është përtërirë dhe vazhdon përtërihet. Ka dhe mjete të vjetra, nuk është bërë e mundur riaftësimi i të gjitha mjeteve në një kohë reale. Tirana ka mjetet më bashkëkohorë të mundshme”.
Deputeti Isuf Çelaj ngriti shqetësimin për dëmet nga fatkeqësitë natyrore në bashkitë e qarkut të Kukësit, ku sipas tij në këto bashki fondet janë minimale.
“Bashkitë Tropojë, Has dhe Kukës, që janë të ekspozuara ndaj përmbytjeve, rrëshqitjeve të dherave, nga dëbora apo edhe nga zjarre, vijojnë të financohen me logjikën e 10 viteve më parë. Fondet për përcaktuar janë minimale. Bashkitë e vogla nuk kanë mundësi dhe kapacitete njerëzore për t’i përballuar”, tha Çelaj.
Çako sqaroi se bashkitë “kanë qenë përfituese të projekteve për parandalimin e fatkeqësive natyrore”.
Gjithashtu Çako shtoi se ka një plan për ngritjen e qendrave rajonale në veri.
Në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga deputeti i Partisë Socialiste Ardit Bido, i cili kërkoi që të alokohet një fond emergjence për bashkitë Sarandë, Delvinë, Finqi, për dëmet nga përmbytje, Çako tha se “duhet të konstatohen fillimisht dëmet pastaj të bëhen dëmshpërblimet”.
“Jemi pothuajse në situatë emergjence pasi sot nesër dhe pasnesër janë tre ditë që parashikojnë të kenë reshje të konsiderueshme, jo në të njëjtat nivele që kanë qenë nga data 17 deri në 23. Tre bashkitë më të ekspozuara janë Saranda, Delvina dhe Finiqi, ku është përqendruar dhe gjitha kapaciteti i forcave operacionale për t’u ardhur në ndihëm banorëve”, tha Çako.
Bashkia Pogradec, në bashkëpunim me Emergjencat Civile, ka nisur shpërndarjen e paketave me ndihma ushqimore për familjet e prekura nga përmbytjet.
Vetëm në qytetin e Pogradecit do të trajtohen me paketa ushqimore 62 familje, të cilat kanë pësuar dëme të shumta në banesat e tyre si pasojë e vërshimeve të ujit.
Ndërkohë, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë Pogradec, Dritan Babasuli, në fshatin Rëmenj janë evakuuar 6 familje, të cilat do të përfitojnë bonus qeraje nga bashkia deri në momentin që banesat e tyre të rikonstruktohen dhe të bëhen sërish të banueshme.
Nga verifikimet paraprake në terren rezulton se janë prekur rreth 62 banesa, ndërsa janë evakuuar 6 familje. Janë dëmtuar gjithashtu 7 ura, si dhe është prekur rrjeti rrugor në disa akse, përfshirë rrugën për në fshatin Grunjas dhe rrugë dytësore në zonat rurale të njësive administrative Çërravë, Buçimas dhe Mokër.
Bashkia Pogradec bën me dije se situata vijon të monitorohet dhe ekipet janë në terren për vlerësim të plotë të dëmeve dhe ndërhyrje sipas nevojës.
Moti në Shqipëri është një bekim, nga 360 ditë, mesatarisht vendi ynë 300 ditë i ka me diell, por ajo që dora e njeriut ka ndërtuar keq, pa pasur një plan infrastrukturor, me thyerjen e barrierave mbrojtëse, ndërtimin në zona jo të duhura dhe një sërë faktorësh të tjerë, kanë bërë që ditët e para […]
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se pas ndërhyrjes së pandërprerë të forcave operacionale edhe gjatë orëve të natës, situata në të gjithë vendin paraqitet në përmirësim, pavarësisht se në disa zona reshjet e shiut kanë vijuar.
AKMC njofton se nivelet e ujit në disa zona kanë nisur të ulen, një pjesë e madhe e akseve rrugore, ku ka pasur probleme janë rikthyer të kalueshme, ndërsa ekipet e emergjencave civile, Forcat e Armatosura, OSHEE dhe strukturat vendore po vijojnë punën për stabilizimin e plotë të situatës dhe normalizimin e furnizimit me energji, pastrimin e rrëshqitjeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Situata sipas qarqeve:
QARKU VLORË
Niveli i lumit Vjosa në Novoselë vazhdon me tendencë ulje, aktualisht niveli është 7.65 m.
Po vijon puna në bashkitë; Delvinë, Finiq dhe Konispol, ku për shkak shirave ditën e djeshme ka pasur prezencë dherash në rrugët që lidhin disa fshatra.
Dje është punuar për rehabilitimin e aksit rrugor, që lidh fshatrat Kakodhiq dhe Lefterhor. Në mbështetje të bashkisë kanë shkuar 30 forca dhe 3 mjete nga FA.
Në fshatin Vrion është bërë evakuimi I banorëve në një banesë, për shkak të pranisë së ujit.
Hidrovorët e bashkisë Vlorë janë në punë me kapacitet të plotë.
QARKU FIER
Vazhdon të ketë ulje në lumenjtë Vjosë dhe Seman. , situata është si më poshtë:
Rreth 110 hektarë tokë është me prezencë uji në fshatrat Kashisht - Çerven dhe Ferras. Nuk ka patur evakuime të banorëve, por është punuar për largimin e ujit nga oborret e banesave ku gjatë ditës së djeshme është evidentuar kjo problematikë.
Autoritetet vendore janë në monitorim të argjinaturave pranë lumenjve, nga ku rezulton se deri në këto momente nuk ka pasur cënim të infrastrukturës kritike.
Strukturat vendore kanë kaluar në gatishmëri të plotë me gjithë kapacitet teknike e logjistike që kanë në dispozicion. Në afërsi të lumit Vjosë, në fshatin Ferras janë vendosur për mbështetje edhe kapacitetet e Ministrisë së Mbrojtjes, me mjete të kalueshmërisë së lartë, varka shpëtimi, trupa e të tjerë.
QARKU KORÇË
Ekipet në terren janë në monitorim të vazhdueshëm të prurjeve në lumenjtë Devoll dhe Dunavec.
Ka prani uji në toka bujqësore dhe në disa banesa në: Lumalas, Bulgarec, Shamoll, Çiflig, Turan, Vloçisht e Sovjan. Në Sovjan janë evakuuar 15 familje nga ekipet e emergjencave në terren.
Bashkia Pustec: Po mbahet nën kontroll situata në fshatin Shulin, ku uji herë pas here depërton në katet përdhese të banesave.
Bashkia Pogradec: Prurje të larta nga lumenjtë e Vërdovës, Rëmenjit dhe qytetit.
Ndërkohë po punohet për pastrimin e dherave në Dardhas, Proptisht, Çërravë.
Tek hidrovori i Tushemishtit po punohet për stabilizimin e situatës, vijon me kapacitet të plotë, janë 4 pompa në punë.
Strukturat e bashkisë, UKT dhe zjarrfikësit vijojnë në terren.
Bashkia Kolonjë: Rezervuarët e Helmesit dhe Kabash-Leskovik, po punojnë me kapacitet maksimal.
Po punohet në infrastrukturë për riparimin e disa urave në: Qafzezë, Shtikë, Gostivisht, Psar.
Pas disa orëve kërkime, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe të FA kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të zonjës 76 vjeç, në Progër.
QARKU LEZHË
Në të gjithë qarkun ka pasur ndërhyrje të përqendruar të forcave, për shkak edhe situatës më komplekse, të krijuar si pasojë e reshjeve të shumta.
Deri tani janë llogaritur rreth 220 ha sipërfaqe nën ujë; (90 ha në Zejmen,70 në Shënkollë dhe rreth 60 ha Barbulloje nga dëmtimi i argjinaturës në Tale).
Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Tales.
Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike vazhdon normalisht
Në bashkinë Lezhë
Të gjitha strukturat e MC janë në terren tek argjinatura në Lagunën Vain. Riparimi/mbyllja e argjinaturës së dëmtuar përfundoi si fazë e parë, por do të vazhdojë puna për ngritjen në lartësi të saj si dhe në ndarjen e ndihmave ushqimore për banorët, evakuim të personave të izoluar, etj.
Ekipet me varka kanë punuar për evakuimin e disa banorëve që kanë kërkuar ndihmë.
Në bashkinë Kurbin Prezencë uji, ka vetëm pjesërisht, në zonën e ulët të Gjormit.
Vijojnë punimet në shtratin e lumit Drojë, me eskavatorin e bashkisë.
Njëkohësisht, me mjetet e bashkisë, po punohet për sistemimin dhe rehabilitimin e rrugës alternative të fshatit Shpërdhet, që banorët të kenë akses dhe me mjetet e tyre.
-Vijon puna në aksin rrugor Skuraj-Vinjollë-Gallatë. Janë duke punuar, eskavatori me zinxhir i FA-se, Fadroma dhe një kamion i bashkisë. Aksi është i kalueshëm, pasi edhe ura është riparuar.
-Po ndërhyhet në shtratin e lumit Skuraj, (Vinjollë), për devijimin e rrjedhës në afërsi të rrugës.
Në bashkinë Mirditë Vazhdojnë ndërhyrjet për rehabilitimin e rrugëve të dëmtuara nga reshjet e shirave. Po punohet në njësinë administrative Rrëshen, Kaçinar dhe Fan.
Nuk ka dëme të konsiderueshme në kultura bujqësore.
QARKU DIBËR
Situata është në përmirësim.
Po punohet me mjete për thellimin e kanalit kullues dhe largimin e ujit në bashkinë Bulqizë, ku ka patur probleme në aksin rrugor mes qytetit të vjetër dhe qytetit të ri, te terminali.
Po mbahet nën monitorim situata në fshatin Urakë dhe në liqenin e Ulzës, ku ka rritje të nivelit të ujit. Në terren janë edhe mjete dhe forca nga FA, për të shmangur rrezikun e përmbytjes së banesave dhe për sistemimin provizor të argjinaturës.
QARKU SHKODËR
Në bashkinë Fushë-Arrëz situata paraqitet më problematike në njësinë administrative Qafë Mali, ku po punohet për pastrimin e dherave në disa segmente rrugore.
Në bashkinë Malësi e Madhe është konstatuar rritje e prurjeve të përroit të Thatë.
QARKU BERAT
Situata është në përmirësim.
Ka rënie të theksuar të nivelit të lumit Osum, i cili është brenda shtratit të vet dhe ujërat në tokat bujqësore ne fshatrat përreth.
Po ashtu edhe lumi Devoll ka shënuar rënie të nivelit.
Nga shërbimet e bashkisë Dimal dhe MZSh do të filloj puna për pastrimin e baltës dhe llumit nga rrugët dhe oborret e banesave.
QARKU GJIROKASTËR
Në bashkinë Dropull, ura që lidh aksin rrugor Kombëtar me fshatrat Glinë, Peshkëpi e Poshtme, Peshkëpi e Sipërme dhe Radat të bashkisë Dropull dhe fshatin Nepravishtë të bashkisë Libohovë, ka pësuar ulje si pasojë e reshjeve të shiut. Policia e Shtetit ka ndaluar qarkullimin mbi urë dhe nga bashkitë dhe bizneset private po merren masa për vënien në funksion të një rruge alternative, e cila do të mundësojë kalimin e mjeteve dhe banorëve.
-Në bashkinë Libohovë është punuar për riparimin e urës në fshatin Suhë.
Në Përmet është bërë i mundur riparimi i rrugës Frashër–Përmet (afër depos së ujit të fshatit, duke lejuar kalimin e mjeteve.
QARKU ELBASAN
Në Bashkinë Gramsh po punohet në segmentin e rrugës, në njërin krah të urës së Shëmrizës.
Punohet edhe në aksin rrugor Kodovjat -Mashan, ku ishte shembur një masiv dheu si dhe në aksin nacional Gramsh-Moglicë, në vendin e quajtur Mashan, ku pas ndërhyrjes, kalimi është I lirë.
Po punohet edhe në aksin rrugor nacional Elbasan-Peqin, tek vendi i quajtur kthesa e Broshkes për pastrimin e gurëve të rënë.
QARKU TIRANË
Po vijon monitorimi si pasojë e shtimit të prurjeve të lumit Shkumbin në Rrogozhinë, I cili dje doli përkohësisht nga shtrati.
Ekipet e OSHEE në terren janë duke punuar gjithashtu pa ndërprerje për rilidhjen e energjisë në ato zona, ku ka pasur ndërprerje, si pasojë e motit të keq.
Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha strukturat në varësi janë pa ndërprerje në terren për të siguruar jetën e banorëve, gjësë së gjallë dhe të pronës. Ju bëjmë thirrje banorëve të zonave të prekura të bashkëpunojnë me autoritetet, në rast të nevojës së evakuimeve!
TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka inspektuar sot situatën në urën e Mifolit, një nga pikat më të rrezikuara nga prurjet e larta të lumit Vjosë, ndërsa reshjet intensive të ditëve të fundit kanë shtuar shqetësimin për daljen e tij nga shtrati.
Gjatë inspektimit në zonën e Novoselës, Çako tha se kjo mbetet një pikë nevralgjike për shkak të shkarkimeve të larta të Vjosës, por theksoi se situata është aktualisht nën kontroll, duke u vlerësuar vazhdimisht në bazë të matjeve të prurjeve.
“Sistemi i mbrojtjes civile është në gatishmëri të plotë. Jemi në një situatë të monitoruar, dhe në Përmet kemi shënuar ulje të prurjeve” deklaroi ai.
Çako njoftoi se situata po ndiqet me intensitet të shtuar në qarqet Gjirokastër, Memaliaj dhe Vlorë, ku prurjet e lumit dhe reshjet e dendura mund të krijojnë problematika të reja.
Në qarkun e Vlorës, sidomos në Delvinë dhe Finiq, disa banorë janë evakuuar si masë paraprake sigurie.
“Ekipet kanë zhvendosur disa banorë për shkak të reshjeve me intensitet të lartë. Forcat e emergjencave dhe ato të armatosura janë në terren,” u shpreh Çako, duke garantuar se strukturat janë të përgatitura për çdo skenar.
Shefi i emergjencave theksoi se, nëse situata e Vjosës do të përkeqësohet, ekipet janë gati të ndërhyjnë edhe në fshatrat e Novoselës për evakuime të mundshme.
“Shpresojmë që prurjet të mbeten të kontrollueshme”, tha ai.
Aktualisht, niveli i lumit Vjosë në zonën e Mifolit ka arritur rreth 5 metra, çka kërkon monitorim të pandërprerë për të shmangur rrezikun e përmbytjeve.
TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Ekipet e emergjencave civile po vijojnë angazhimin maksimal në të 12 qarqet e vendit për koordinimin e punës në përballimin e pasojave të reshjeve intensive të orëve të fundit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur se strukturat në terren janë duke monitoruar zonat me risk dhe po ndërhyjnë për normalizimin gradual të situatës.
Forcat e Armatosura mbeten të angazhuara, së bashku me të gjitha strukturat lokale, qendrore dhe bashkitë, për normalizimin e situatës, sigurinë e banorëve dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm, theksoi Vengu.
Sipas autoriteteve, puna vijon në mënyrë të pandërprerë, ndërsa theksohet se institucionet janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar çdo situatë emergjente.
TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar.
Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje, pasdite dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të FA, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.
Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë.
Në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë, e cila ka dëmtuar linjat elektrike dhe ndërprerë energjinë. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh dhe forcat operacionale po punojnë për pastrimin e saj.
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika nga moti.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, në koordinim të strukturave për përballimin e pasojave të mundshme nga moti i keq.
Mbrojtja Civile apeloi banorët e zonave, ku mund të paraqiten probleme të kontaktojnë me autoritetet vendore.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë një bilanc të situatës në terren sa i takon motit të keq që ka përfshirë vendin. Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje, pasdite dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë […]
TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Qarku i Lezhës iu bashkua fushatës kombëtare “Mbrojtja Civile në Turne 2025”, e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Institucioni i Prefektit, me mbështetjen e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (PNUD) në Shqipëri.
Në këtë aktivitet sensibilizues morën pjesë strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile në nivel qarku dhe në nivel vendor.
Gjatë aktiviteti u improvizuan raste emergjente për të testuar dhe përmirësuar reagimin e e strukturave përgjegjëse në përballimin e emergjencave civile, veçanërisht në rastet e fatkeqësive natyrore.
Po ashtu u shpërndanë dhe fletë informuese për qytetarët, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe gatishmërisë për reagim në kohë në rast emergjencash.
TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Prefekti i Korçës, Nertil Jole mblodhi sot Komisionin e Mbrojtjes Civile në nivel qarku, ku u bë analiza e administrimit të emergjencave civile verore dhe marrja e masave përgatitore për administrimin e emergjencave në prag të dimrit.
“Të gjitha institucionet që janë pjesë e Komisionit të Mbrojtjes Civile, kanë marrë tashmë programin të përgatitur nga institucioni i Prefektit, i cili do të zbatohet e monitorohet me përgjegjësi e vigjilencë, për të garantuar shërbimet e duhura për banorët e qarkut tonë dhe një sezon të mbarë e të suksesshëm për turizmin dimëror”, u shpreh prefekti i Korçës.
Në programin e përballimit të emergjencave dimërore, Institucioni i Prefektit kujton subjektet kontraktore që mirëmbajnë akset kryesore nacionale dhe ato rurale në bashki te marrin masa parapërgatitore për administrimin e problematikave që mund të krijohen gjatë periudhës së dimrit.
Në të gjitha bashkitë e qarkut Korçë do të zhvillohen takime me Komisionet e Mbrojtjes Civile dhe të hartohen programe pune me masa e detyra konkrete për përballimin e situatave emergjente gjatë periudhës dimërore
Gjithashtu do të ketë kontrolle, vëzhgime dhe monitorim në bashki, subjektet kontraktore, lidhur me masat e marra për administrimin e Emergjencave Civile dimërore, venddepozitimin e kripës, gjendjen dhe gatishmërinë e automjeteve, të rezervuarëve dhe ujëmbledhësve, pastrimin e lumenjve kryesorë, kanaleve të kullimit, etj.
Komisariatet e Policisë Korçë, Pogradec, Kolonjë, Maliq dhe Devoll në bashkëpunim me shërbimet e MZSH-ve të bashkive dhe Shërbimin e Urgjencës Mjekësore do të përgatisin dhe mbajnë në gatishmëri grupe të përbashkëta për dhënien e ndihmës së menjëhershme dhe evakuimin e banorëve në zonat më me risk që mund të bllokohen gjatë periudhës së dimrit. Gjithashtu edhe komandanti i repartit ushtarak 1033 Drenovë–Korçë, gjatë kësaj periudhe do të mbajë në gatishmëri forcat dhe mjetet për t’i përdorur në situata emergjente sipas kërkesës së Institucionit të Prefektit.
Dhjetra organizata të shoqërisë civile mbështetën të premten miratimin e ligjit për “Barazinë Gjinore”, si një moment historik për avancimin e të drejtave të barabarta, eliminimin e diskriminimit dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për barazinë gjinore në Shqipëri. Gjatë një konference për mediat, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) dhe Rrjeti i Fuqizimit të Gruas […]
Shumica socialiste miratoi të enjten, më 6 nëntor, projektligjin “Për barazinë gjinore”, teksa opozita, e cila votoi kundër, e cilësoi atë kërcënim për familjen tradicionale.
Ligji kaloi me 77 vota “pro” të PS-së, teksa jashtë Kuvendit, me mbështetjen e opozitës u organizuan protesta.
Shumica e votoi në bllok draftin, përfshirë deputetin Taulant Balla, njëherësh kryetar i grupit parlamentar të PS-së, i cili kishte propozuar ndryshime ndaj versionit të parë të hartuar në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare.
Gjatë votimit, Balla lexoi përcaktimin e ri të termit “gjini”, i cili përshtatet me Konventën e Stambollit.
“Gjini nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.”
Ky përcaktim, i përfshirë në nenin 4 të ligjit, u miratua bashkë me ndryshimet e tjera, duke kaluar ligjin në parim.
Vendimi u përshëndet nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, i cili kërkoi reflektim mbi debatet publike që shoqëruan procesin.
“Të gjitha shqetësimet, paragjykimet dhe keqkuptimet që shoqëruan miratimin e ligjit duhet të jenë pjesë e një analize të thelluar me aktorët e interesuar për të drejtat e njeriut.”
Në rrjetet sociale, avokatja e të drejtave të njeriut Dea Nini e cilësoi miratimin “fitore historike për barazinë”.
Ndërsa Mirela Arqimandriti nga “Gender Alliance for Development Center” (GDAC) tha se ky ligj përfaqëson një hap drejt një shoqërie që e zbaton barazinë si “detyrim kushtetues dhe standard evropian, jo si slogan”.
GDAC dhe organizata të tjera të shoqërisë civile njoftuan për një konferencë për shtyp më 7 nëntor, për të shpjeguar risitë që sjell ligji në fushën e punës, arsimit dhe përfaqësimit politik.
Sipas përfaqësuesve të organizatave, ligji garanton: mbrojtje të barabartë në vendin e punës për gratë dhe burrat; edukim dhe buxhetim me ndjeshmëri gjinore; njohje të punës së papaguar të kujdesit familjar; ndarje të drejtë të përgjegjësive familjare si dhe përfaqësim të barabartë në politikë dhe vendimmarrje.
Por, miratimi i ligjit nuk kaloi pa tensione. Pas seancës, disa dhjetëra protestues pritën deputetët socialistë në dalje të Kuvendit, me thirrjet “Turp!”, “Tradhtarë!” dhe “Shitët Shqipërinë!”.
Protestuesit, të lidhur me grupe konservatore dhe fetare, shprehën kundërshtinë ndaj ligjit që, sipas tyre, “rrezikon familjen dhe moralin publik”.
Citizens.al ka shpjeguar më herët se ligji nuk shton gjini të reja, nuk përfshin dispozita për martesat e të njëjtës gjini, dhe nuk prek ligjin për gjendjen civile apo Kodin e Familjes, që njeh dy gjini zyrtare: burrë dhe grua.
Ky sqarim është bërë pas fushatave dezinformuese të shpërndara në rrjetet sociale dhe media gjatë procesit të miratimit.
TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Aktivistë dhe përfaqësues nga shoqëria civile protestuan sot një përpara Parlamentit kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”.
Pak përpara nisjes së seancës plenare në Kuvend, ku në rend dite sot parashikohen edhe diskutime mbi këtë projektligj, qytetarë dhe aktivistë të thirrur nga “Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës” u mblodhën para Kuvendit për ta kundërshtuar duke u bërë thirrje deputetëve që mos ta votojnë.
Me pankarta në duar dhe thirrje pro familjes dhe gjinive binare burrë grua, pastori Akil Pano u shpreh se ky projektligj është një trup i huaj.
“Ky është një trup i huaj. Një kancer që do të shkatërrojë trupin tonë. Nëse ky projektligj do të kalojë atëherë jeni duke shkruar shkatërrimin e familjes, të fëmijës dhe Shqipërisë. Ky është projektligj më i tmerrshëm se sa rrëmbimi i pronës. Flasim për rrëmbimin e fëmijë, rrëmbimin e jetës dhe të copëzimit të strukturës bazë atomike që është martesa mes një burri dhe një gruaje”, tha Pano.
Protestës iu bashkuan edhe kryetari i PD, Sali Berisha dhe disa deputetë të opozitës si Klevis Balliu, Tedi Blushi, Belind Këlliçi, Tritan Shehu etj.
Projektligji “Për barazinë gjinore”, një nismë e qeverisë synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë të grave dhe burrave.
Prej disa kohësh, diskutimet për terminologjinë dhe ndikimin e tij në familjen tradicionale kanë qenë në qendër të debateve publike dhe në komisonet përkatëse ku projektligji është diskutuar.
Sipas mazhorancës, nisma nuk krijon “gjini të reja” dhe nuk cenon familjen tradicionale, por synon vetëm mbrojtjen nga diskriminimi dhe forcimin e barazisë mes burrave dhe grave. Qëllimi i këtij projektligji sipas mazhorancës është forcimi i demokracisë përmes barazisë gjinore, si pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Evropian duke përmirësuar kuadrin ligjor të vitit 2008 për barazinë gjinore.
Ndërsa, opozita e kundërshton projektligjin “Për barazinë gjinore” duke pretenduar se ky ligj “minon” vlerat e familjes dhe shoqërisë shqiptare. Opozita ka kërkuar që ky projektligj të kalojë me referendum, pra me votën e qytetarëve.
/e.i/
Protestë përpara Kuvendit kundër projektligjit për barazinë gjinore, foto: Florian Abazaj