Në një sallë të mbushur me banorë të Laprakës dhe Kasharit, deputetja socialiste Ogerta Manastirliu u ngjit në podium më 24 nëntor dhe udhëhoqi diskutimet për buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm. E shpallur si kandidate për kryebashkiake që prej shtatorit, Manastirliu foli sikur të ishte një kryetare e zgjedhur, drejtoi diskutimet […]
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot vendimin e qeverisë dhe Presidentit, që e shkarkonte nga detyra kryetarin e arrestuar të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke i konsideruar aktet të papajtueshme me Kushtetutën. Po ashtu, Gjykata shfuqizoi pjesërisht dekretin që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë e kryeqytetit.
Trupa gjykuese vendosi me shumicë votash, pesë “pro”, tre “kundër”, se aktet e Këshillit Bashkiak, qeverisë dhe të kreut të shtetit, kanë shkelur parimet kushtetuese që garantojnë vijimësinë e mandatit të një të zgjedhuri vendor.
Vendimi parashikon pezullimin e efekteve të tyre dhe rikthimin e Veliajt në detyrën e tij publike, pavarësisht faktit se ai ndodhet në paraburgim nën akuzë për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Gjykata vlerësoi kështu, se ndërhyrja e pushteteve të tjera në ndërprerjen e mandatit të një kryebashkiaku cenon ndarjen e pushteteve dhe parimin e legjitimitetit demokratik.
Kronologjia e zhvillimeve
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pas një beteje institucionale që nisi pasi SPAK i komunikoi Veliajt akuzat për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje sendesh të paligjshme në burg. Ai u mor zyrtarisht i pandehur më 22 korrik.
Një muaj e rreth dy javë më vonë, Kryeministri Rama njoftoi paraprakisht kandidimin e Ogerta Manastirliut për ta zëvendësuar në bashkinë e Tiranës.
Kjo vendimmarrje u komunikua më 11 shtator pas Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste dhe vijoi më pas me propozimin e socialistëve në Këshillin Bashkiak për shkarkimin e Veliajt me arsyetimin e mosparaqitjes në detyrë për një kohë më të gjatë se 3 muaj.
Veliajt iu mohua e drejta për të qenë i pranishëm në seancë, teksa nga qelia ai e komentoi këtë nismë si të padrejtë pasi mungesa prej 10 shkurtit, kur u arrestua, nuk kishte ardhur si rrjedhojë e vullnetit të tij.
Qeveria e miratoi propozimin unanim të Këshillit Bashkiak më 25 shtator dhe më pas Presidenti Begaj dekretoi datën 9 nëntor si datë të zgjedhjeve të pjesshme për Tiranën dhe pesë bashki të tjera: Vlora, Berati, Mati, Tepelena dhe Cërriku.
Nisur nga këto zhvillime, Veliaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke e konsideruar procesin të motivuar politikisht dhe në shkelje të Kushtetutës pasi shkarkimi, sipas tij, u parapri në organe partiake.
Arsyetimet e tij se askush nuk mund të privohet nga prezumimi i pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë, Veliaj i paraqiti në seancën e së premtes, datë 31 tetor, ku për gjatë 7 orësh Gjykata Kushtetuese dëgjoi palët.
Me vendimin e së hënës, Gjykata ndalon tashmë mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë dhe rikthen një ekuilibër të ri politik në kryeqytet, duke hapur debat mbi legjitimitetin e ushtrimit të mandatit nga një zyrtar i ndaluar me masë sigurie.
Juristët dhe aktorët politikë kishin paralajmëruar pasoja të gjera për marrëdhëniet mes pushteteve dhe për mënyrën se si trajtohen funksionarët e zgjedhur që përballen me akuza penale nëse procedura e shkarkimit të Veliajt do të legjitimohej nga Kushtetuesja.
Veliaj ndodhet nën masën e arrestit me burg që prej 10 shkurtit, dhe është në gjykim për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie, akuza që përfshijnë në disa raste edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, doli sot për herë të parë në publik rreth nëntë muaj pas arrestimit, për të ndjekur në Gjykatën Kushtetuese seancën mbi ankimin kundër vendimeve që çuan në shkarkimin e tij.
Një seancë me tension institucional
Veliaj mbërriti në ambientet e Gjykatës në orën 09:30, i shoqëruar nga policia e burgjeve dhe me pranga në duar, pasi u transferua nga paraburgimi i Durrësit mëngjesin e së premtes.
Ndryshe nga 10 shkurti, kur një numër i madh mbështetësish të Partisë Socialiste rrethuan mjediset e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), sot, vetëm tre-katër vetë u gjendën aty për të.
“Forca Lali!” thirrën ata teksa Veliaj zbriti nga furgoni i policisë dhe i përshëndeti me një buzëqeshje të thyer.
Në sallën e gjykatës, ai u ul krah përfaqësuesve të Presidencës, Këshillit të Ministrave dhe Avokaturës së Shtetit, në një seancë publike që nisi në orën 10:00.
Veliaj gjatë shoqërimit në Gjykatën Kushtetuese/Citizens.al
Në hapje të seancës, Presidenca kërkoi që dekreti për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë të mos shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, me argumentin se ky akt është jashtë juridiksionit të saj. Argumenti u mbështet edhe nga përfaqësuesit e qeverisë.
Por mbrojtja e Veliajt këmbënguli se çështja është në kompetencë e Kushtetueses, pasi lidhet drejtpërdrejt me kushtetutshmërinë e procedurës së shkarkimit.
Pas një diskutimi procedural, Gjykata rrëzoi me vendim unanim kërkesën e Presidencës, duke deklaruar se dekreti presidencial “do të trajtohet në themel të çështjes”.
Për herë të parë pas arrestimit më 10 shkurt, Veliaj foli publikisht në sallën e gjyqit, duke e cilësuar procesin ndaj tij “një përçmim ndaj votës dhe demokracisë”.
Me syze të zeza, një bllok fletësh A4 në të cilat kishte përgatitur fjalën e tij me shkronja të mëdha, Veliaj theksoi se procesi ndaj tij ka qenë i padrejtë.
“Kam pritur 9 muaj për 9 minuta,” theksoi Veliaj.
“Jam rrëmbyer nga zyra ku më kanë zgjedhur qytetarët dhe jam mbyllur në një qeli me regjim më të rëndë se për një vrasës serial. Kam përjetuar shkelje të të drejtave themelore dhe përpjekje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri tre herë radhazi.”
Në fjalën e tij, Veliaj pyeti cilën shkelje të rëndë kushtetuese kishte kryer për t’u shkarkuar nga detyra.
“Populli ka vendosur që askush nuk mund t’i ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri përveçse kur ka kryer shkelje të rënda kushtetuese. Pyes: Cilën shkelje kam kryer unë jashtë ushtrimit të mandatit?”
Veliaj gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese/Citizens.al
Ai e përfundoi deklaratën me një apel drejtuar trupës gjykuese se nuk ishte në sallë për të mbrojtur veten, apo karrigen e pushtetarit, por “për të kërkuar që të mbrojmë së bashku demokracinë.”
Deklarata e Veliajt shënon një kthesë në komunikimet sa i përket mbrojtjes së tij. Në periudhën janar-mars ai u shfaq për publikun në emisionet televizive përmes inteligjencës artificiale.
Ndryshe nga ato dalje televizive ai tashmë është në një përballje politike për legjitimimin elektoral, duke u pozicionuar dukshëm si një “figurë e sulmuar nga sistemi”.
Vetë mënyrën se si Këshilli Bashkiak votoi shkarkimin e tij, ai e konsideroi si fyerje për faktin se erdhi edhe nga bashkëpunëtorët e ngushtë.
“Zot fali se nuk e dinë se çfarë bënë!” u shpreh ai teksa theksoi disa herë se në mënyrën se si u vendos për shkarkimin e tij është vënë në diskutim edhe prezumimi i pafajësisë.
Seanca në Kushtetuese shënon një moment kyç për raportet ndërinstitucionale mes Presidencës, qeverisë dhe pushtetit vendor.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet të përcaktojë nëse shkarkimi i një kryebashkiaku të zgjedhur mund të mbetet i vlefshëm gjatë një procesi penal ende në zhvillim.
Veliaj ndodhet nën masën e arrestit me burg që prej 10 shkurtit, dhe është në gjykim për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie, akuza që përfshijnë në disa raste edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
Nëse Kushtetuesja pranon ankimimin e tij, dekreti i Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të reja në Tiranë mund të shpallet i pavlefshëm, duke hapur një debat të ri politik dhe juridik mbi legjitimitetin e pushtetit vendor në kryeqytet.
Reforma Territoriale ishte një nga temat e mbrëmjes së sotme në emisionin “Opinion”ku ishte i ftuar edhe Drejtuesi i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali. Përballë Arbjan Maznikut, i cili pritet të jetë bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar që do të ngrihet për Reformën Territoriale, Haxhimali tha se ai është për modelin e […]
“Ti Kreshnik, çfarë të ka penguar ty që të bësh hartën e zonave prioritare dhe ta dërgosh në qeveri?”- iu drejtuar kryeministri Edi Rama të enjten kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, ku ata morën urdhër të prerë që të dorëzonin hartat e zonave prioritare në qeveri për […]
Komisioni i Ligjeve mori në shqyrtim të enjten projektligjin e ri për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, i cili parashikon ngritjen e një superagjencie shtetërore që do të administrojë infrastrukturën e mbetjeve në vend, duke sjellë rritje të kostove dhe tarifave sipas parimit “ndotësi paguan”. Diskutimet e deputetëve u përqendruan tek kostot financiare dhe rrezikun […]
Kryeministri Edi Rama lajmëroi më 21 korrik se bashkitë e vendit do të ndiqnin shembullin e Bashkisë së Tiranës me një strukturë të re organizative, e hartuar mbi një konsulencë britanike që ai ia faturoi institutit të themeluar nga ish-kryeministri britanik, Tony Blair. Sipas Ramës, modeli do të adaptohej edhe nga bashkitë e tjera të […]
Reforma e prezantuar të enjten nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, u kritikua të premten nga Instituti për Bashkitë Shqiptare (IBSH), një organizatë joqeveritare që monitoron pushtetin vendor. Instituti për Bashkitë shpreh shqetësimin se, pavarësisht situatës së keqe të menaxhimit të mbetjeve, projekti i qeverisë përbën një kthim pas, duke centralizuar […]
Banorët e një fshati të Ersekës ankohen se kullotat e tyre po ua zë një kompani private, e cila ka fituar të drejtën për zhvillimin e një centrali fotovoltaik.
Fshatrat që po thahen nën hijen e paneleve diellore
Të enjten e parë të gushtit, në dalje të Ersekës, Petrit Zeqo na priti në fshatin e tij, Taç i Sipërm, rreth 2.5 kilometra larg qytetit.
Pavarësisht atmosferës së braktisjes, fshati kishte peizazh unik, shtëpi të grumbulluara dhe toka të punuara, ndërsa më në brendësi, një burim i vogël uji shërbente si çezmë publike.
“Këtë e ka sjellë një ushtar, për një vajzë të fshatit”, na tregoi Petriti simbolin e dashurisë së një periudhe tjetër, dëshmi që i ka qëndruar fshatit edhe sot.
Petriti na shoqëroi më tutje, pranë hijes së një arre të madhe ku po na priste një grup banorësh me vështrimin hedhur përballë makinerive të rënda që po sheshonin tokën.
Banorët e fshatit Taç/Citizens.al
Kullota, që banorët e përdornin për bagëtitë dhe si shteg për t’u lidhur me arat e tyre tanimë është shkretuar me dherat e dystuara mbi të.
Një central fotovoltaik, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike do të zërë vend pak muaj më vonë. Punonjësit në terren, të shqetësuar nga prania jonë si media, hezitojnë të tregojnë edhe emrin e kompanisë, me justifikimin se “janë veçse punëtorë”.
“Të tëra sinoret, ku kanë qenë e ku janë tani akoma, janë të fshatit me vendim gjykate”, tha për Citizens.al Rrushan Byrekasi, 77-vjeç.
Ndërsa renditi me emra se kujt i përkasin të gjitha ngastrat e tokave të fshatit, Rrushani na tregoi se me kërkesë të pleqësisë dhe një vendim gjyqësor të fillim viteve 2000, kjo kullotë i ka kaluar në bashkëpronësi banorëve të fshatit.
Vendimin na e tregoi Petriti, i cili e kishte printuar si dokument.
“Na jepte të drejtë që kjo pronë që aktualisht këta po e marrin, po e tjetërsojnë, është e jona. Domethënë penalizojnë një fshat dhe favorizojnë privatin. Kjo është e jona, me qitap e me të tëra”, theksoi ai.
Sipas vendimit të 26 tetorit 2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kolonjë, 37 banorëve të fshatit ju takon secilit nga 1/37-ta pjesë e barabartë e rreth 522 hektarëve kullota (340.5 ha) dhe pyje (181.8 ha).
“Këtu, ku po bëhet ky punim është baza e blegtorisë që del blegtoria jonë, baza e ujit që marrim, edhe ujë të pijshëm edhe ujit vaditës. Këta po e shkatërrojnë. Jemi të detyruar të shpërngulemi, por s´dimë ku të vemi”, u shpreh i revoltuar Ferdinand Agolli.
Përbri tokës, ku tanimë po kryhen punime për sheshimin e saj, 150 krerë bagëtish të imëta kalojnë njëra pas tjetrës të ndjekura nga një zonjë e fshatit.
“Bëni diçka, nuk kemi ku të çojmë bagëtitë, me këto mbahemi”, na tha ajo, ndërsa ndaluam ta përshëndesnim.
Bashkëshorti, Rakip Agolli, na tregoi se ka 30 vite që merret me blegtori dhe se ky zanat është e vetmja mënyrë jetese për zonën. Centralin fotovoltaik, ai e ndjen si kërcënim për t’u larguar, për aq kohë sa nuk ka hapësira ku të kullosin bagëtitë.
“Kam pasur 300 krerë, tani 150, mot mund të kem dhe 30. Në fillim ishte mirë, nuk kishte vështirësi, kishte hapësirë, kullosnin. Tani ka vështirësi, vetëm me këtë dëmin që po na bëhet, me këtë diellorin, po na vjen në prag të shtëpisë, tani do detyrohemi të ikim,” tha Rakipi.
Sipas kryeplakut të fshatit, Ibrahim Byreku, ky shqetësim është ndjekur edhe në polici dhe pushtetin vendor, mirëpo sipas dokumenteve, kompania ndërtuese është në rregull.
“Kemi disa vendime gjyqi që i kemi pasur me sinore, por aktualisht sot, me dokumentacion (kullotat) nuk janë tonat. Kam vërtetuar dhe firmat dhe të tëra dhe për kaq sa di, ata zotërinjtë e kanë më vulë, me firmë me të tëra”, u shpreh i prerë Ibrahimi.
Në fshat ora kishte mbetur. Tek-tuk shikoje ndonjë shtëpi të re, të ndërtuar nga remitancat e emigrantëve, kryesisht në Amerikë dhe Kanada, ndërsa shërbimet e bashkisë zor se dalloheshin.
Vendgrumbullimi i mbeturinave në fshatin Taç/Citizens.al
Kjo kuptohej nga kodrat e krijuara me plehrat, të cilat sipas banorëve herë pas here digjen, pasi askush nuk vjen t’i marrë.
Ndërhyrjet e makinerive për të sistemuar kullotën për parkun e energjisë diellore dukej se kishin shkaktuar dëme në kanalin vaditës të fshatit.
“Vit për vit pastrohej nga ana e bashkisë, tani nuk na vjen më uji. Kopshtet që mbillnim një domate, një piperkë, sivjet e kemi problem për ujin. Kjo ka ardhur nga devijimi i punimeve që kanë bërë atje”, tregoi Rakip Agolli.
Procedura jo transparente për parqet diellore
Trokitjes sonë për informacion nisur nga shqetësimet e banorëve, bashkia Kolonjë iu përgjigj: “Nënkryetarja është në mbledhje dhe nuk mundet të përgjigjet”, ndërsa na referoi ti adresonim pyetjet me shkrim.
Të dhënat e shqyrtuara nga Citizens.al tregojnë se 27.6 hektarë kullota të fshatit Taç u proceduan për t’u dhënë me qira në kohën kur vendi ishte në fushatë zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Më 3 maj 2023, Bashkia Kolonjë i propozoi Këshillit Bashkiak dhënien e tyre me qira për projekte energjetike. Po atë ditë u shqyrtuan edhe dy kërkesa të tjera po për qëllime energjetike për kullotat dhe pyjet në Rehovë dhe Selenicë, duke e çuar totalin në 127 hektarë.
Punimet për centralin fotovoltaik në kullotat e fshatit Taç/Citizens.al
Afati i përdorimit u vendos 10 vjet, me qira minimale 2,100 euro për hektar në vit – rreth 60 mijë euro në vit për parcelën në fshatrat Taç-Agalli.
Sipas të dhënave të Open Data Albania, tenderi i 12 qershorit 2023 pati vetëm një ofertues: kompania “Get Solar Solution”, e cila ofroi pikërisht çmimin dysheme dhe fitoi, pavarësisht mungesës së konkurrencës.
E njëjta praktikë u ndoq edhe për rreth 100 hektarë kullota në Rehovë dhe Selenicë, të cilat iu dhanë kompanive MET Invest dhe Kail Energy.
Më 30 prill 2025, qeveria miratoi projektin e “Get Solar Solution” për central fotovoltaik me kapacitet 24 MW dhe afat operimi 49 vjet.
TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në një subjekt privat, ndërsa shkruan “ecim”.
Lirimi i hapësirave publike shihet si një pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”. Aksiono është i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Gjatë gjithë muajit gusht por edhe më tej, lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.
Qeveria i ka rritur vetes kompetencat sa i takon zhvillimit urban duke kufizuar më tej rolet e bashkive në vendimmarrje për ndërtimet. Në një vendim që zhvendos më tej balancën e autonomisë vendore, Kryeministri grumbullon më tepër fuqi ekzekutive mbi territorin, mjedisin dhe ekonominë.
Në tre vitet e fundit lejet për ndërtime deri në 8 kate jepeshin nga bashkitë, por me vendimin e datës 23 korrik të Këshillit të Ministrave, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) – i cili drejtohet nga Kryeministri – e uli këtë kufizim për objekte deri në 6 kate.
Për më tepër, KKTU merr kompetencën për vendime për çdo ndërtim në zonat bregdetare, pavarësisht kushteve dhe kritereve të zhvillimit. Nga ana tjetër qeveria ka ndaluar ndërtimin apo shfrytëzimin si parkingje apo me rrethime të hapësirave të destinuara për të qenë publike.
Ndërtimi nën pushtetin e qeverisë
Para vitit 2015, KKTU (asokohe thjesht KKT) ishte menduar si organ mbikëqyrës për planifikimin urban kombëtar.
Fillimisht, miratonte planet vendore dhe shqyrtonte projekte të rëndësisë kombëtare. Por me ndryshimet në ligjin Nr.107/2014 dhe ndryshimet në VKM 408/2015, profili i Këshillit ndryshoi rrënjësisht.
Prej vitit 2024, KKTU vepron si autoritet që vendos dhe zbaton, pa pasur kufizime lokale apo mjedisore. Ky transformim i KKTU-së u bë teksa po debatohej ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura.
Ky centralizim shqetësoi organizatat mjedisore të cilat e konsideruan KKTU-në “Zot të Zonave të Mbrojtura” pasi “rrëmben pushtetet dhe politikat për këto zona”. Kjo mund të shihet te kompetenca e përcaktimit si “zonë me prioritet ekonomik” edhe të pronave shtetërore duke anashkaluar shqyrtimin në nivel vendor.
KKTU kontrollohet nga qeveria dhe drejtohet nga kryeministri. Ajo përcakton zonat me prioritet ekonomik, turistik dhe industrial. Jep akses në prona shtetërore, me përjashtim të pyjeve, kullotave dhe tokave bujqësore.
Ka të drejtë të vendosë për shpronësime dhe konfiskime. Madje, mund të legalizojë objekte pa leje “për strehim social”.
Por, ky përqendrim kompetencash shtron pyetje serioze mbi balancën institucionale.
Për më tepër, KKTU merr vendime pa procese të hapura publike dhe shpesh pa konsultim me komunitetet lokale, apo banorët e zonave ku jepen lejet e zhvillimeve dhe ndërtimeve.
Citizens.al ka dokumentuar mungesën e transparencës në ndarjen e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit për rreth 140 kulla në Tiranë.
Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, favorizohen interesa private dhe klienteliste duke kufizuar më tej edhe të drejtën e zhvillimit.
Në letër, qeveria thotë se synon zhvillim të qëndrueshëm. Në praktikë, po mundohet të kontrollojë çdo rrugë investimi.
KKTU po zëvendëson pushtetin vendor dhe po përjashton qytetarët nga vendimmarrja. Në mungesë transparence, nuk ka garanci për interesin publik në planet e zhvillimit.
Qytetet dhe territori po drejtohen nga një institucion i vetëm: qeveria – me më shumë pushtet, por gjithnjë e më pak llogaridhënie.
Përballë kësaj qasjeje, nevojitet një trysni më e madhe politike nga opozita, shoqata e njësive vendore, ekspertët e ndërtimit, zhvillimit, administrimit urban si dhe shoqëria civile.
Protesta kundër ndërtimit të hidrocentralit “Doma” mbi lumin e Lusës në njësinë administrative Suç vijoi këtë të premte para Bashkisë Klos, me pjesëmarrjen e dhjetëra banorëve të fshatrave që preken nga investimi. Banorët kërkojnë pezullimin përfundimtar të punimeve dhe largimin e kompanisë ndërtuese nga terreni. Këtë të premte, kishte një prani të shtuar policore, ndërsa […]
Nisma më e fundit e kryeministrit Edi Rama për të “reformuar” administratën vendore të bashkive, përveçse ngjall shqetësime për shkelje të autonomisë së pushtetit vendor të garantuar me Kushtetutë, shihet nga analistë të politikës edhe si personalizim i të gjitha pushteteve në një dorë dhe rikthim i reminishencave të modelit të partisë-shtet. Mëngjesin e 3 […]
Këshilli i Ministrave miratoi dje krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor. Struktura do të ketë formën e një organizate jo fitim-prurëse që parashikon të trajnojë administratën e bashkive në të gjitha nivelet, duke nisur nga kryetarët e deri tek punonjësit.
Financimi për këtë akademi do të sigurohet nga kontributi i të gjitha bashkive përmes kuotave, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e kostove për tre vitet e para. Marrëveshja me bashkitë do të ndërmjetësohet nga Arbjan Mazniku, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, i cili së fundmi po etikohet edhe si “kryebashkiak” i Shqipërisë.
Agron Haxhimali, kreu i Shoqatës Shqiptare të Bashkive u shpreh sot publikisht se ky mekanizëm duket si një përpjekje për të spostuar rolin e shoqatave të pavarura e për t’i zëvendësuar ato me një organ të centralizuar të qeverisë.
Kujtojmë se bashkitë e vendit së fundmi janë vënë në një shënjestër të një vale “shkarkimesh” nga Kryeministri Rama, veprim që ka ngritur shqetësime për ndarjen e pushtetit qendror nga ai vendor.
Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike i tha Citizens se ky është një rast që na tregon se sa e rrezikshme është kur pushteti i një partie politike dhe i një politikani kapërcen limitet ligjore që i ka dhënë Kushtetuta e Shqipërisë.
“Kryetarët e bashkive janë të ndërvarur nga vullneti politik dhe deri diku i janë nënshtruar këtij vullneti politik të Kryeministrit. Në rastin konkret do të duhet që ndonjë nga bashkitë t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të kishte raste konkrete nga Shoqatat e Bashkive dhe do të duhet të kishte veprim të Departamentit të Administratës Publike dhe të komisionerëve që mbrojnë nëpunësit publik, civil, të drejtat e njeriut dhe konceptet e shtetit ligjor në Shqipëri” – nënvizoi ai.
Parimisht kjo qendër do të ndihmojë të rris kapacitetet dhe performancën e stafit, në kuadër të integrimit në BE, por ekspertët shprehin dyshime mbi këtë. Krasniqi shpjegon për Citizens se kjo nisëm e qeverisë vjen në kuadrin e një fushate përgatitje të pushtetit vendor në funksion të zgjedhjeve të ardhshme lokale në Shqipëri.
Krasniqi thekson se kemi një mbivendosje të strukturave, pasi aktualisht kemi shkollën shqiptare të administratës publike, shkollën e drejtorëve e kurse të ndryshme të detyruara për administratën.
“Bashkimi Evropian ka vite që ka investuar për koordinimin e çështjeve të integrimit për pushtetin vendor në Shqipëri, duke hapur zyra lokale dhe trajnime të vazhdueshme, ka projekte të mëdha ndërkombëtare, shumë më të mëdha në buxhet sesa projekti i ri” – shton Krasniqi.
Krasniqi sugjeron se do të ishte e udhës që qeveria të prezantonte një draft strategjie në Parlament, ku do të duhet të kishte debat mbi sfidat e qeverisjes vendore në 10 vitet e ardhshme.
“Qoftë historia e akademisë së barinjve dhe qoftë historia e akademia e administratës publike dhe pushtetit vendor, janë nisma që duhen marrë më rezervë, janë të përkohshme, nuk janë afatgjata, nuk mendoj që do jenë efektive, por mbushje e boshllëkut ditor të akteve politike” – përmbyll Krasniqi.
Shteti trajnon shtetin
Kjo nuk është akademia e vetme që ka lindur rishtazi në vend. Qeveria e Partisë Socialiste duket se vazhdimisht ka kontribuar në riaftësimin e kastës së saj politike, nuk dihet nëse kjo lidhet me faktin se një pjesë e konsiderueshme e figurave të saj identifikuese janë nën hetim, apo për teka të pajustifikueshme të liderit.
Nga 20 Qershori deri më Korrik u mbajt akademia politike ku u trajnuan deputetët e rinj të PS-së, të cilët fituan mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Kjo akademi ofroi pesë module, të cilat kishin të bënin me rolin e deputetit dhe etika e përfaqësimit, funksionimin e parlamentit, marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare, komunikimi politik, si dhe “PS dhe vizioni 2030”. Ndërsa lektorë kanë qenë emra me kontribut politik në parti si Fatmir Xhafaj, Erjon Braçe dhe Niko Peleshi, Olta Xhaçka etj.
Sipas PS – së kjo formë edukimi intelektual do të ndikojë për krijimin e një brezi të ri deputetësh që do të kontribuojnë me përkushtim për vizionin për vitet në vijim, deri më 2030.
Një vit më parë, në Prill të 2024, u krijua Akademia Politike e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Aplikimet u hapën për të gjithë të rinjtë, për të mësuar më shumë mbi historinë, idetë dhe lëvizjet e partive progresiste. Shpesh të rinj të kësaj akademie kanë kontribuar në prodhimin e materialeve filmike për propagandën qeveritare, shpesh duke “zëvendësuar” edhe rolin e medias në funksion.Kjo akademia politike e cila fillimisht u përdor për të rinjtë, tashmë po përdoret për trajnimin e deputetëve të rinj, duke përdorur të njëjtat kanale online.
Në vitin 2021, ideja e Ministres së Bujqësisë Frida Krifca, për krijimin e një Akadmie për barinjtë e vendit. Pavarësisht reagimeve që ngjalli, qeveria i doli në mbrojtje kësaj ideje, por ajo nuk u materializua kurrë.
TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Anëtarja e kryesisë së Partisë së Lirisë, Miranda Rira tha sot në një deklaratë për shtyp, se dorëheqjet e drejtorëve në bashkitë Vlorë, Fier dhe Durrës janë minim i autonomisë vendore dhe demokracisë lokale.
Rira tha se ligji për vetëqeverisjen vendore, përbën kuadrin më të plotë ligjor për funksionimin dhe organizimin e njësive të qeverisjes vendore, ku flitet për një raport të qartë normativ të marrëdhënieve midis qeverisjes qendrore dhe vendore.
“Thelbi apo parimi kardinal i këtij ligji është ai i decentralizimit apo i ndarjes vertikale të pushteteve që nënkupton ngushtimin e pushteteve të qeverisjes qendrore, pra qeveria bëhet më e dobët dhe zgjerimin e kompetencave dhe pushteteve të njësive të vetëqeverisjes vendore, pra bashkitë bëhen më të forta”, tha Rira.
Sipas anëtares së kryesisë së PL-së, “pushteti rrjedh nga lart poshtë, duke synuar një qeverisje sa më efikase, sa më pranë qytetarëve, ku këta të fundit edhe marrin pjesë në qeverisje dhe vendimmarrje, me fjalë të tjera ata vetëqeverisen”.
“Kjo tregon për një rritje të demokracisë lokale, dhe sa më e shëndoshë demokracia lokale aq më e shëndoshë është demokracia në tërësi. Decentralizimi është parimi sipas të cilit përgjegjësia dhe autoriteti transferohen nga kabineti qeveritar drejt njësive të qeverisjes vendore. Në ligjin për qeverisjen vendore përcaktohet qartë në Nenin 1 se kush janë funksionet dhe kompetencat e njësive të qeverisjes vendore, se ç’është administrimi i njësive vendore, ç’është autonomia vendore”, vijoi ajo.
Rira tha se duke patur këtë “panoramë ligjore në mendje, duket se veprimet e kryeministrit Rama për të ndërhyrë në funksionimin të njësive të vetëqeverisjes vendore, për të shkarkuar administratën, qofshin ata drejtorë apo punonjës të thjeshtë, është një shkelje e hapur e ligjit të qeverisjes vendore dhe Kushtetutën e Shqipërisë lidhur me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore”.
“Shkarkimi i drejtorëve bashkiakë është atribut i kryetarit të bashkisë, i cili është edhe organi ekzekutiv në kuptimin e Kushtetutës dhe të ligjit 139/2015. I vetmi atribut që ka Kryeministri (kryetari i këshillit të ministrave) është ai i shkarkimit të kryetarit të Bashkisë në rastet kur ai kryen shkelje të rënda, kur dënohet për kryerjen e një vepre penale nga gjykata ose kur ka një propozim nga këshilli bashkiak përkatës për një periudhë 3 mujore”, cilësoi Rira.
Ndër të tjera, Rira theksoi gjatë deklaratës se “njësitë e vetëqeverisjes vendore u krijuan si entitete të veçanta, për t’i shërbyer më mirë dhe sa më shpejt qytetarëve, duke u mbështetur në dy parime baze, ai i autonomisë vendore dhe subsidiaritetit, pra ushtrimit të kompetencave vendore, në një nivel qeverisjeje sa më pranë komunitetit”.
“Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtën dhe përgjegjësinë e mbledhjes së të ardhurave dhe bërjes së shpenzimeve, të vendosin taksa vendore e tarifa si edhe të hartojnë, miratojnë dhe zbatojnë buxhetin e tyre”, tha Rira, ndërsa shtoi se reforma territoriale, kushtoi miliona euro, me qëllimin shkrirjen se 360 komunave dhe bashkive në vetëm 61 njësi të vetëqeverisjes vendore, për të patur një ndarje përfundimtare midis pushtetit vendor dhe atij qendror, për të rritur demokracinë lokale, për te sjellë shërbimet sa më pranë qytetarit.
Nga Andi Bushati Edi Rama nuk po lë rast pa i zhgënjyer idiotët e dobishëm që duan ta mbështesin duke predikuar se Shqipëria jeton ende në një sistem demokratik. Që pas 11 majit, kur është siguruar për një mandat të katërt, ai po shpërfill edhe ruajtjen sipërfaqësore të fasadës së një vendi ku respektohet shteti […]
“Kryetarët e PS, të gjithë kryetarët e njësive administrative duhet të shkarkohen dhe t’u rijepet mundësia bashkë me të tjerët që të tregojnë sa të zotët janë,” iu drejtua Rama kryebashkiakëve të zgjedhur gjatë zgjedhjeve për pushtetin vendor në 2023-in. Kjo deklaratë publike e kryeministrit vjen në vazhdën e akteve të tjera të ditëve të […]
TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Kampi veror RinCamp2025 në sesionin e tij përmbyllës bëri bashkë shumë të rinj, por edhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe atij qendror.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha se në këtë sesion përmbyllës të RinCamp2025 morën pjesë Enkelejda Muça, zv.ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Eriselda Sefa, kryetare e bashkisë Lushnjë, Besfort Lamallari, zv.ministër i Brendshëm etj.
Muzhaqi tha se u prezantuan programet dhe mundësitë që ofrohen për të rinjtë në administratën publike, pushtetin vendor dhe në fushën e teknologjisë, përmes projekteve inovative dhe përfshirjes aktive në vendimmarrje.
Ministrja Muzhaqi shtoi se në këtë kamp veror u diskutua gjërësisht për procesin e negociatave në sektorë të ndryshëm, dhe si të rinjtë mund të bëhen faktorë në këto procese të rëndësishme.
Ky kamp, tashmë një traditë e përvitshme, mbledh në Jalë 100 të rinj nga e gjithë Shqipëria, dhe shërben si një platformë e mirë për të rritur socializimin dhe ndërveprimin rinor, përmes shkëmbimit të përvojave, përfshirjes në trajnime dhe aktivitete që fuqizojnë aftësitë e tyre personale, emocionale dhe shoqërore.
Përmes sesioneve të hapura të diskutimit me profesionistë të fushave të ndryshme, diskutime me përfaqësues të pushtetit lokal dhe të institucioneve qendrore, RinCamp 2025 synon të kthehet në një hapësirë frymëzuese ku të rinjtë jo vetëm marrin dije, por edhe japin ide dhe propozime konkrete për përmirësimin e politikave rinore.
RinCamp 2025 mbetet një shembull i mirë se si institucionet mund të krijojnë ura komunikimi të vërtetë me brezin e ri, duke e vlerësuar si partner strategjik në ndërtimin e një Shqipërie më të fortë, më të shëndetshme dhe më të përfshirë për të gjithë.
TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore zhvilloi në Tiranë aktivitetin zyrtar të nisjes së projektit Matra G2G, “Drejt qeverisjes lokale demokratike: Shqipëria dhe Holanda”, një iniciativë dypalëshe që synon të forcojë kapacitetet e qeverisjes vendore në Shqipëri, përmes rritjes së cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike në mënyrë gjithëpërfshirëse, transparente dhe me llogaridhënie.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se me këtë projekt, synohet forcimi i kapaciteteve të pushtetit vendor për shërbime më transparente, gjithëpërfshirëse dhe më cilësore për qytetarët.
Mazniku u shpreh se me këtë projekt hidhet një tjetër hap i rëndësishëm drejt integrimit europian, ku 70% e legjislacionit zbatohet në nivel vendor.
Takimi u zhvillua në prani të përfaqësuesve të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, me prezencë të Ambasadorit të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, përfaqësues të MEKI, AKSHI, ASPA, SHKBSH, SHKQSH, përfaqësues të bashkive Elbasan, Kavajë dhe Korçë, si dhe projekteve ndërkombëtare me fokus në pushtetin vendor.
Sipas ministrit Mazniku, projekti synon të mbështesë ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe funksionale përmes forcimit të institucioneve vendore dhe ngritjes së kapaciteteve në nivel lokal, me fokus tek ofrimi i shërbimeve më të mira për qytetarët, veçanërisht për gratë dhe grupet më të cenueshme të shoqërisë.
“Zbatimi i projektit do të përfshijë trajnimin e trajnerëve, organizimin e 24 seminareve në të gjitha bashkitë e vendit, si dhe mbështetje praktike në katër bashki pilot: Shkodër, Kavajë, Elbasan dhe Korçë. Fushat kryesore ku përqendrohet ndërhyrja përfshijnë qeverisjen digjitale, zhvillimin ekonomik lokal, integritetin dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Projekti zbatohet nga një konsorcium i përbërë nga Akademia e Hagës për Qeverisje Lokale, Helvetas Shqipëri dhe VNG International, me financim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, dhe do të zgjasë deri në fund të vitit 2028.
Ai synon të nxisë përmirësime të qëndrueshme në administratën vendore dhe të rrisë besimin e qytetarëve te institucionet publike.
Prezantimi i projektit Matra G2G, në prani të përfaqësuesve të institucioneve kombëtare dhe ndë...
Një takim me dyer të mbyllura, i mbajtur të enjten në bashkinë e Vlorës nga kryeministri Edi Rama, u pasua me një furtunë dorëheqjesh nga drejtuesit e kësaj bashkie, sipas raportimeve mediatike. Në takim ishin të pranishëm kryebashkiaku socialist, Ermal Dredha, ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe deputetë socialistë në këtë qark. Rama paralajmëroi […]