Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kontroll në qelinë e të burgosurit në Burrel, shkak një audioregjistrim në Instagram (EMRI)

By: V K
14 January 2026 at 15:24

Drejtoria e Burgjeve, ka urdhër kontroll urgjent në qelinë e të burgosurit Fatmir Pjetri, në Burrel, i njohur si pjesë e bandës së ‘Babagjyshëve’.

Bëhet me dije se shkak është bërë publikimi në profilin e Instagramit të tij, të një audioregjistrimi ku akuzon Drejtorinë e Burgjeve se nuk e kanë lejuar që të botojë një roman që ka shkruar, pasi përmban akte dhune.

 

 

Por kontrolli do të ushtrohet për të zbuluar si është bërë ky regjistrim dhe si është postuar në Instagram.

Në vitin 2025, Pjetri ka tentuar që të arratisej ndërsa ndodhej në burgun 313. Ai së bashku me Arbër Çekajn, kishin thurur planin për t’u larguar me një çarçaf nga izolimi.

Në dosjen e siguruar tregohet se si Fatmir Pjetri, ka goditur me hekur në kokë gardianin dhe punonjësin tjetër të burgut.

“Rreth orës 14:20 ai është njoftuar nga përgjegjësi specialisti i trups Gëzim Rramushi se i paraburgosuri Lulzim Çepele kishte prerë damarët e dorës së djathtë. Për këtë shkak ai është dërguar në infermieri për ndihmë mjekësore, dhe më pas ai vetë ka shkuar atje dhe ka folur ndihmës mjeken që rekomandoi se Lulzim Çepele ka nevojë për qepje të plagës, gjë që duhej bërë në spital. Për këtë ai ka njoftuar sallën operative të Drejtorisë të Përgjithshme, Drejtorin e institucionit dhe Shefin e Policisë, për të bërë shoqërimin e Lulzim Çepeles për në Spitalin e Traumës.

Njëkohësisht ka njoftuar shoferin e ambulancës për të ardhur në IEVP dhe marrë të dëmtuarin. Gjatë kohës që ai ishte duke pritur ardhjen e personelit, rreth orës 14:55, ka parë se tek muri i godinës “A” në faqen veriore nga taraca e ajrimit ishte një person duke kacavjerrur me litar. Menjëherë ai ka bërë njoftimin dhe bashkë me një punonjës tjetër ka dalë në oborr menjëherë ku ka konstatuar se i paraburgosuri Fatmir Pjetri ishte në gjysëm lartësi duke zbritur me litar për tek shkallët e hyrjes të administratës.

Menjëherë ai është ngjitur vetë i parë për të ndaluar atë dhe kur ka qenë përballë me të ka parë se ai kishte në dorë një hekur në formë të harkuar. Ai i ka dalë parë tek sheshpushimi i shkallëve të administratës dhe në këtë moment Fatmir Pjetri e ka goditur me hekur duke e dëmtuar në anën e majtë te kokës. Pasi e goditi Fatmiri u hodh nga shesh pushimi i shkallëve në sheshin, ka goditur me te njëjtin hekur edhe punonjësin e ruajtjes të portës. Ai ka zbritur dhe i ka shkuar menjëherë nga mbrapa dhe bashkë me punonjësin e portës Hekuran Sina e kanë neutralizuar Fatmir Pjetrin.

Në këtë moment ai ka vënë re se i paraburgosuri tjetër Arbër Çekaj ishte duke zbritur me të njëjtin litar dhe pasi zbriti ju drejtua me vrap portës kryesore. Atij i ka dalë para punonjësit e sigurisë Gëzim Nikoqi dhe Gezim Ramushi të cilët e kanë neutralizuar dhe prangosur. Më pas të dy personat që tentuan të arratisen janë dërguar tek skaneri ku ju bë kontrolli fizik i tyre ku nuk u gjetën me vete sende të ndaluara dhe shoqërimi i tyre në dhomat e veçimit. Më pas ai ka njoftuar me pas drejtorin e institucionit, dhe shefin e policisë për këtë tentativë arratisje.

​Punonjësi i policisë Gëzim Nikoçi me detyrë punonjës i grupit të sigurisë deklaron se se rreth orës 15.00 është lajmëruar nga polici i kollonës 2-1 kati i dytë i godinës “A”, se i paraburgosuri me mbiemër “Çepele’ është dërguar në infermieri pasi kishte presë damarët e dorës. Ai dhe dhe kolegu i tij Vladimir Myrto shkuan në infermieri pasi i dëmtuari kishte shumë rrjedhje gjaku nga dora e djathtë tek pjesa e parakrahut. Pasi ka bërë mjekimin e parë ndihmës/mjekja Bejaze Jaho doli jashtë regjimit dhe komunikoi me mjeken e institucionit dhe u vendos që i paraburgosuri të shkojë në spital për tu qepur plagën e tij. Nga oficeri i informacionit shoqërimi i tij për në spital i është ngarkuar atij dhe Vladimirit.

Sapo ata u afruan tek porta hyrëse e regjimit të brendshëm që të çon tek zyra e specialistit të informacionit kanë dëgjuar zhurma e britma dhe në atë moment hapi derën ndihmësi i informacionit me mbiemër “Almeta” dhe nga specialisti informacionit kanë mësuar se kishte patur një tentativë për arratisje. Ai ja ka lënë të paraburgosurin Çepele kolegut të tij dhe ka dalë bashkë me Vladimirin me vrap në oborr ku kanë parë që Fatmir Pjetri ishte i shtrirë dhe i neutralizuar nga polici i godinës “B” dhe kurse Arbër Çekaj po zbriste shkallët që të nxjerrin jashtë në oborr.

​Ai bashkë me Vladimirin dhe Ali Almetën i janë hedhur përsipër duke e prangosur dhe futur tek dhoma e kontrollit bashkë më Fatmir Pjetrin dhe në këtë moment ka parë specialistin e informacionit Myfit Xheka të gjakosur në kokë dhe pas rreth 10 min ka ardhur dhe policia e shtetit në institucion.

​Nisur nga sa më sipër shtetasi Arbër Çekaj në bashkëpunim me Fatmir Pjetrin dhe kanë konsumuar në bashkëpunim mes tyre veprën penale të “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” të parashikuar nga neni 323/1-25 të Kodit Penal”, shkruhet në dosje.

40-vjeçari është nga Puka rezulton i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë. Pas ardhjes në Shqipëri ai në vitin 2013, u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”.

Ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e bëra nga banda e “Babagjyshëve”, që u shtrinë në të gjithë vendin, në Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç, Shkodër.

Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u grabit një argjendari.

 

The post Kontroll në qelinë e të burgosurit në Burrel, shkak një audioregjistrim në Instagram (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Kontrolli teknik i mjetit kërkohet edhe kur ndryshon pronari

12 January 2026 at 15:56

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Një udhëzimi i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për kontrollin teknik të mjeteve është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ky udhëzim parashikon se pas çdo ndryshimi të pronarit, mjeti duhet të nënshtrohet kontrollit teknik, pavarësisht nga data e fundit e kontrollit. Kontrolli kërkohet gjithashtu kur mjeti ka përshkuar 160 000 kilometra.

Udhëzimi i cili ishte në fuqi, parashikonte që autoriteti kompetent mund të kërkojë kontroll teknik përpara afatit të rregullt, në rastet kur mjeti ka pësuar aksidente që ndikojnë në komponentët kryesorë të sigurisë, si rrotat, suspensoni, zonat e deformimit, sistemet airbag, drejtimi ose frenat. Po ashtu, kontrolli mund të kërkohej kur janë kryer ndryshime ose modifikime në sistemet e sigurisë ose të mjedisit, ose kur siguria në rrugë është e rrezikuar.

Me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri, kontrolli teknik do të kërkohet edhe kur ndryshon pronari i mjetit.

Udhëzimi i ri parashikon gjithashtu përdorimin e platformave elektronike të Bashkimit Evropian për shkëmbimin e informacionit mbi certifikatat e kontrollit teknik, leximin e odometrit dhe historikun e aksidenteve, duke siguruar transparencë dhe monitorim më të mirë për inspektorët, pronarët e mjeteve dhe studiuesit e aksidenteve. /j.p/

The post Kontrolli teknik i mjetit kërkohet edhe kur ndryshon pronari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 81 mijë automjete nuk e kaluan kontrollin teknik gjatë 2025-ës

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ndotja mjedisore dhe problemet e sigurisë teknike të mjeteve mbeten shqetësime kryesore në qarkullimin rrugor.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga mbi 338 mijë testime të kryera gjatë vitit, 81.065 automjete u refuzuan, duke përbërë 23,5 për qind të totalit. Arsyet kryesore të refuzimit lidhen me shkarkimin e gazrave mbi normat e lejuara, defektet vizuale, problemet në sistemin e frenimit, si dhe mangësitë në drejtim dhe pezullim.

Konkretisht, 37,6 për qind e refuzimeve erdhën për shkak të ndotjes nga gazrat, 34,4 për qind për defekte vizuale, 15,2 për qind për probleme me frenat dhe 12,8 për qind për defekte në drejtim dhe pezullim.

DPSHTRR bën të ditur se, pas ndërhyrjeve dhe riparimeve, 73.230 automjete u ritestuan dhe kaluan me sukses kontrollin teknik, ndërsa 7502 mjete vijojnë të jenë ende në pritje të riparimit. Ndërkohë, 333 automjete u refuzuan përfundimisht gjatë vitit 2025, pasi u konstatua manipulim i odometrit, një shkelje që cenon drejtpërdrejt sigurinë rrugore.

DPSHTRR thekson se kontrolli teknik mbetet një element kyç për garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe reduktimin e ndotjes mjedisore, teksa i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë standardet e kërkuara për qarkullim të sigurt.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Mbi 81 mijë automjete nuk e kaluan kontrollin teknik gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – JD Vance: Operacioni ushtarak në Venezuelë rrit kontrollin mbi burimet e energjisë

7 January 2026 at 16:59

UASHINGTON, 7 janar /ATSH-AA/ – Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha të martën se operacioni ushtarak në Venezuelë synon të frenojë financimin për narko-terrorizmin dhe t’i japë Washingtonit kontroll më të madh mbi burimet globale të energjisë.

Duke folur për Salem News Channel, Vance tha se SHBA-ja dëshiron atë që është më e mira për popullin venezuelian dhe për popullin amerikan.

“Kushdo që të jetë udhëheqësi i atij vendi, do të duhet të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke theksuar se politikat e mëparshme të Venezuelës u kishin lejuar konkurrentëve të huaj qasje në energji të lirë, ndërsa përdornin të ardhurat për të financuar aktivitete që kërcënojnë SHBA-në.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 3 janar se operacioni ushtarak rezultoi në kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe gruas së tij Cilia Flores, dhe u zotua të vendoste kontrollin amerikan mbi Venezuelën për momentin, me trupa amerikane nëse është e nevojshme.

“Ajo që bëri presidenti, dhe në të vërtetë i gjithë ekipi e bëri të mundur, është të ndërpresë atë rrjedhë të parave të energjisë për narko-terroristët për të prerë më pas, sigurisht sasinë e narko-terrorizmit që po importohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Vance.

Ai shtoi se ky veprim pritet të ulë çmimet e gazit dhe energjisë për amerikanët, duke shpëtuar njëkohësisht jetë.

“Mendoj se do të shpëtojë jetë. Do të thotë çmime më të lira të gazit dhe energjisë për amerikanët. Dhe ndoshta më e rëndësishmja, do të thotë që ne kemi më shumë kontroll mbi burimet e energjisë që ekzistojnë në botë, gjë që na mundëson sigurisht, të arrijmë rezultate më të mira ekonomike për njerëzit tanë dhe t’i përdorim këto burime energjie si levë për të arritur paqe dhe prosperitet më të madh”, shtoi ai.

Zëvendëspresidenti amerikan e quajti operacionin “shumë të rëndësishëm” dhe vlerësoi ekzekutimin e tij si “të përsosur”.

Në anën tjetër lidhur me përdorimin e naftës nga Venezuela, Sekretari i Brendshëm Doug Burgum i tha Fox News se fuqia energjetike e SHBA-së i ka lejuar vendit të ndërmarrë veprime kundër kombeve me rezerva të mëdha nafte pa ndërprerje të mëdha në çmimet e karburantit vendas.

Burgum tha se rafineritë e ndërtuara nga SHBA-ja në bregdetin jugor të Gjirit të Meksikës janë projektuar për të qenë në gjendje të përpunojnë naftën e rëndë bruto të nxjerrë në Venezuelë, e cila krenohet me rezervat më të mëdha të provuara në botë të hidrokarbureve.

“Pastaj, duhet ta hollosh atë naftë të rëndë bruto me një produkt më të lehtë dhe sigurisht, ne kemi një tepricë të atij produkti më të lehtë këtu për shkak të vajrave të argjilit”, shtoi ai.

Burgum gjithashtu e cilësoi operacionin si një mundësi për ekonominë e Venezuelës.

“Venezuela ka një mundësi tani që të sjellë kapital dhe të rindërtojë ekonominë e saj”, tha ai, duke krahasuar potencialin e kombit të Amerikës së Jugut me pasurinë energjetike të Arabisë Saudite.

The post SHBA – JD Vance: Operacioni ushtarak në Venezuelë rrit kontrollin mbi burimet e energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKU vijon fushatën për etiketime të sakta ushqimore dhe siguri për konsumatorët

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon edhe në fillim të këtij viti të jetë në terren për të mbështetur dhe këshilluar operatorët e biznesit ushqimor, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.

Qarku Lezhë ishte ndalesa e radhës për zhvillimin e fushatës ndërgjegjësuese të AKU-së, e cila është fokusuar në etiketimin e produkteve ushqimore të paketuara. Gjatë takimeve në terren, specialistët e AKU-së informuan subjektet mbi kërkesat ligjore që duhet të plotësohen në etiketim në gjuhën shqipe, duke theksuar rëndësinë e informacionit të saktë dhe të plotë për konsumatorin.

Sipas AKU-së, etiketimi në përputhje me legjislacionin në fuqi nuk është vetëm një detyrim ligjor për bizneset ushqimore, por një garanci për sigurinë dhe shëndetin e konsumatorit, duke i mundësuar atij të bëjë zgjedhje të informuara mbi produktet që konsumon.

“Këto janë fushata ndërgjegjësuese që zhvillohen tek bizneset, të cilat shërbejnë si hallka ndërmjet prodhuesve ose distributorëve dhe konsumatorëve. Qëllimi është të nxisin operatorët të lexojnë dhe respektojnë etiketat e produkteve, duke informuar konsumatorin mbi përmbajtjen dhe karakteristikat e ushqimit që tregtojnë. Edhe pse produktet mund të kenë etiketa në nivel prodhuesi, kur ato copëtohen ose paketohen sipas kërkesave të konsumatorit, shpesh mungon etiketimi, ndaj dhe ndërgjegjësimi i bizneseve bëhet i domosdoshëm për garantimin e informacionit të saktë për konsumatorin”, thekson AKU në njoftimin e saj.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën të ditur se fushata ndërgjegjësuese do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, paralelisht me kontrollet rutinë, me qëllim rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore dhe forcimin e bashkëpunimit me operatorët e biznesit ushqimor.

/e.xh/r.e/a.f/

The post AKU vijon fushatën për etiketime të sakta ushqimore dhe siguri për konsumatorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Groenlanda nuk do të sjellë konflikt ushtarak

6 January 2026 at 10:41

UASHINGTON, 6 janar /ATSH-DPA/ – Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se pretendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë kontrollin e Groenlandës përbëjnë qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane, duke hedhur poshtë mundësinë e një konflikti ushtarak për ishullin arktik.

I pyetur nga CNN nëse Uashingtoni do të përjashtonte përdorimin e forcës për të marrë Grenlandën, Stephen Miller, zëvendësshefi i stafit të presidentit amerikan Donald Trump, tha se ”askush nuk do të luftojë ushtarakisht Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e Groenlandës”.

Ai shtoi se ishulli duhet të jetë pjesë e SHBA-së dhe se Trump e ka bërë të qartë këtë qëndrim që nga fillimi i mandatit të tij, gati një vit më parë.

Sipas Miller, si fuqia kryesore ushtarake e NATO-s, SHBA-ja ka nevojë për kontroll mbi Groenlandën për të garantuar sigurinë e rajonit Arktik.

Miller vuri gjithashtu në dyshim sovranitetin e Danimarkës mbi territorin, duke pyetur mbi çfarë baze ligjore Groenlanda i përket Danimarkës dhe pse ishulli duhet të mbetet një ”koloni e Danimarkës”.

Groenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, por gëzon autonomi të gjerë dhe nuk është anëtare e Bashkimit Evropian.

Ajo ka rëndësi strategjike për shkak të pasurive të saj me lëndë të para dhe rolit si bazë për kontrollin ushtarak të Arktikut.

Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja duhet të kontrollojë Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare, një qëndrim që e përsëriti edhe gjatë fundjavës.

Të shtunën, një postim në rrjetet sociale nga ish-këshilltarja qeveritare Katie Miller, bashkëshortja e Stephen Miller, shfaqi një hartë të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan dhe fjalën ”Së shpejti”.

Danimarka, vendet nordike, Britania e Madhe , Gjermania dhe Bashkimi Evropian i hodhën poshtë dje pretendimet amerikane.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se kërcënimet e Trump duhet të merren seriozisht dhe paralajmëroi se, nëse SHBA-ja zgjedh të sulmojë një vend të NATO-s, ”gjithçka ndalet”./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë: Groenlanda nuk do të sjellë konflikt ushtarak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSDKSH kontroll administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme

30 December 2025 at 18:17

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) informon opinion publik dhe median se ka nisur kontrollin administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme.

Në një reagim për mediet FSDKSH thekson se “ky kontroll synon mbrojtjen e interesit publik, garantimin e ligjshmërisë dhe përdorimin korrekt të fondeve publike”.
“Proceset e verifikimit janë iniciuar, ndër të tjera, edhe nëpërmjet kërkesave zyrtare të disa prej subjekteve farmaceutike dhe zhvillohen në bazë të kuadrit ligjor në fuqi dhe të dhënave nga sistemet zyrtare”, u shpreh FSDKSH.
Me kërkesë të Urdhrit të Farmacistëve, FSDKSH priti dje në një takim përfaqësues të urdhrit dhe rreth 50 subjekte farmaceutike, me qëllim sqarimin e çështjeve të ngritura.
Gjatë diskutimeve u theksua se nuk është marrë ende asnjë vendim përfundimtar, nuk ka ndëshkime kolektive dhe procedurat e kontrollit po zhvillohen në përputhje me ligjin.
Aktualisht, Fondi vijon punën për analizimin e informacionit dhe shqyrtimin e observacioneve të paraqitura nga subjektet farmaceutike, brenda afateve ligjore.
Sipas FSDKSH-së, në përfundim të procesit do të bëhet publik Raporti Përfundimtar i Kontrollit.
FSDKSH mbetet i përkushtuar për transparencë, dialog dhe bashkëpunim me të gjitha palët, duke garantuar zbatimin korrekt të ligjit dhe funksionimin e qëndrueshëm të skemës së sigurimit shëndetësor.
Ky kontroll po kryhet në kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, i cili rregullon administrimin e skemës së Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kryesisht ligjin “Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”.
/k.s/r.e/a.f/

The post FSDKSH kontroll administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Policia vihet në kërkim të autorit, pas dy të vrarëve në një universitet

14 December 2025 at 09:38

PROVIDENCE, 14 dhjetor /ATSH/ – Një kërkim policor është duke u zhvilluar, pasi dy studentë u vranë dhe nëntë persona të tjerë u plagosën, pas të shtënave në universitetin Brown në Providence, Rhode Island, sipas BBC.

Personi i armatosur hapi zjarr në një klasë rreth orës 16:00 sipas orës lokale (21:00 GMT), të shtunën, në një ndërtesë ku po zhvilloheshin provimet.

Universiteti, një nga më të vjetrit dhe më prestigjiozët në SHBA, u vu në izolim ndërsa policia po kërkon personin e armatosur, i cili mbetet i lirë.

Studentëve në disa pjesë të kampusit po u thuhet vazhdimisht të strehohen në vend derisa policia t’i shoqërojë ata jashtë zonës.

Zyrtarët nga spitali i Rhode Island thanë se shumica e të plagosurve janë në një gjendje “kritike, por të qëndrueshme”.

Identitetet e të vrarëve ose të plagosurve nuk janë publikuar ende nga zyrtarët.

“Kjo është një ditë që shpresonim të mos vinte kurrë në komunitetin tonë. Është thellësisht shkatërruese për të gjithë ne”, tha presidentja e universitetit Brown, Christina Paxson, në një deklaratë.

Policia ka publikuar informacione të kufizuara rreth të dyshuarit mashkull, duke përfshirë identitetin ose motivin.

Nuk dihet nëse ai ka lidhje me universitetin.

Pamjet e kamerave të sigurisë treguan të dyshuarin duke dalë nga ndërtesa pas sulmit, por fytyra e tij nuk mund të shihet.

Zëvendësshefi i policisë së Providence, Tim O’Hara, tha se i dyshuari ishte veshur i gjithi me të zeza dhe mund të ketë mbajtur maskë.

Nuk dihet se çfarë lloj arme zjarri ka përdorur dhe ajo nuk është gjetur ende.

“Po përdorim çdo burim të mundshëm për të gjetur këtë të dyshuar”, shtoi ai, me burime shtesë të armatosura policore të thirrura për të kontrolluar zonën.

Zyrtarët boshatisën ndërtesën të shtunën pasdite, por nuk gjetën as të dyshuarin dhe as ndonjë armë./  a.jor.

The post SHBA – Policia vihet në kërkim të autorit, pas dy të vrarëve në një universitet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKU bllokon dy ngarkesa misri nga Serbia pas zbulimit të Aflatoksinës B1

4 December 2025 at 23:00

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi sot se ka identifikuar dy ngarkesa misri të destinuara për ushqim për kafshë, me origjinë nga Serbia, të kontaminuara me Aflatoksinë B1, si rezultat i kontrolleve të kryera në Pikën e Inspektimit Kufitar në Han të Hotit.

Kontrollet janë kryer në kuadër të Planit Vjetor të Kontrolleve Zyrtare, me qëllim monitorimin dhe garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore për produktet që hyjnë në vend.

Sipas AKU-së, mostrat e marrë nga të dyja ngarkesat iu nënshtruan analizave laboratorike, të cilat konfirmuan praninë e Aflatoksinës B1, një substancë kancerogjene që mund të shkaktojë dëme serioze në shëndetin e kafshëve dhe njerëzve nëse futet në zinxhirin ushqimor.

Në njoftimin zyrtar, Autoriteti bën me dije se njëra nga ngarkesat është kthyer në vendin e origjinës, duke i ndaluar hyrjen në territorin shqiptar.

Ngarkesa tjetër është bllokuar në ambientet e subjektit importues dhe do t’i nënshtrohet procesit të asgjësimit, sipas procedurave të përcaktuara në legjislacion.

AKU thekson se këto masa janë pjesë e angazhimit të institucionit për të garantuar standarde të larta sigurie ushqimore, duke siguruar që produktet e importuara të mos paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

“Çdo produkt ushqimor i importuar i nënshtrohet kontrolleve rigoroze, me qëllim garantimin e ushqimit të sigurt në mbrojtje të shëndetit të publikut”, nënvizon AKU në deklaratën e saj.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit apelon për bashkëpunim të vazhdueshëm me bizneset importuese dhe garanton se do të vijojë kontrollet intensive për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për sigurinë ushqimore.

/a.f/r.e/

The post AKU bllokon dy ngarkesa misri nga Serbia pas zbulimit të Aflatoksinës B1 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EMRI/ Lëvizte i armatosur, arrestohet 23-vjeçari në Lezhë

23 November 2025 at 12:37

LEZHË- Një 23-vjeçar nga Shkodra ka përfunduar në pranga të Policisë pasi mbante armë zjarri në automjet.

Ai u arrestua në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”, në fshatin Mabë. Gjatë kontrolleve, autoritetet ndaluan automjetin tip BMW që udhëtonte i riu i armatosur.

Gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit dhe të çantës që mbante me vete u sekuestrua një pistoletë, me krehër dhe municion luftarak.

Po ashtu pati kontroll edhe në banesën e tij në lagjen “Salo Halili”, në Shkodër, ku u sekuestrua një sasi të vogël lënde narkotike, e dyshuar kanabis.

I riu  Xhordan Cafi akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./abcnews.al

Kontrolle në 18 subjekte, 2 gjoba për shkelje me produktet për mbrojtjen e bimëve

21 October 2025 at 10:12

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë kontrolle të shtuara ndaj subjekteve që tregtojnë Produkte për Mbrojtjen e Bimëve (PMB), me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Gjatë ushtrimit të kontrolleve në 18 subjekte, janë vendosur në 7 subjekte masa administrative me “paralajmërim” dhe në dy subjekte janë vendosur masa administrative me “gjobë”.

Në një prej rasteve, subjekti tregtonte produkt PMB të paregjistruar duke rrezikuar sigurinë në bujqësi dhe ushqim. Për këtë arsye, u vendos bllokimi i produktit.

Ndërsa në rastin tjetër, subjekti ushtronte aktivitetin pa licencën përkatëse, çka solli ndërprerjen e aktivitetit deri në pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm.

AKU thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin dhe u bën thirrje operatorëve të biznesit ushqimor të respektojnë legjislacionin për të garantuar produkte të sigurta për qytetarët. /j.p/

The post Kontrolle në 18 subjekte, 2 gjoba për shkelje me produktet për mbrojtjen e bimëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEKNOLOGJI – Meta u jep prindërve më shumë kontroll mbi ndërveprimet e adoleshentëve me IA-në

18 October 2025 at 19:02

LONDËR, 18 tetor /ATSH/- Meta po shton kontrolle prindërore për ndërveprimet e fëmijëve me chatbot-ët e inteligjencës artificiale (IA), duke përfshirë mundësinë për të fikur plotësisht bisedat individuale me personazhe të IA-së, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, sipas “Euronews”

Megjithatë, prindërit nuk do të jenë në gjendje të çaktivizojnë asistentin e IA-së të Metës, i cili, sipas kompanisë, “do të mbetet i disponueshëm për të ofruar informacion të dobishëm dhe mundësi edukative, me mbrojtje të përshtatura për moshën e adoleshentëve.”

Prindërit që nuk duan të fiknin të gjitha bisedat me të gjithë chatbot-ët do të kenë gjithashtu mundësi të bllokojnë vetëm disa prej tyre.

Meta njoftoi sot se prindërit do të mund të marrin “përmbledhje” mbi atë se për çfarë fëmijët e tyre po bisedojnë me personazhet e IA-së ,megjithëse ata nuk do të kenë qasje në përmbajtjen e plotë të bisedave.

Këto ndryshime vijnë ndërsa gjiganti i mediave sociale përballet me kritika të vazhdueshme për dëmet që platformat e tij mund t’u shkaktojnë fëmijëve.

Chatbot-ët me IA janë gjithashtu nën vëzhgim për mënyrën si ndërveprojnë me fëmijët, pasi disa padi pretendojnë se këto ndërveprime kanë çuar disa të rinj drejt vetëvrasjes.

Megjithatë, më shumë se 70 për qind e adoleshentëve kanë përdorur shokë virtualë të bazuar në IA dhe gjysma i përdorin rregullisht, sipas një studimi të fundit nga organizata jofitimprurëse “Common Sense Media”, e cila promovon përdorimin e arsyeshëm të ekraneve dhe mediave dixhitale.

Meta njoftoi se llogaritë e adoleshentëve në Instagram do të kufizohen automatikisht në përmbajtje të nivelit ”PG-13” dhe nuk do të mund të ndryshojnë këto cilësime pa lejen e prindërve.

Kjo do të thotë se fëmijët që përdorin llogari për adoleshentë do të shohin foto dhe video në Instagram të ngjashme me ato që do të shihnin në një film me vlerësim “PG-13” — pa seks, drogë apo skena të rrezikshme.

Meta tha se këto kufizime “PG-13” do të zbatohen gjithashtu edhe për bisedat me IA-në. /A.Ab./

 

The post TEKNOLOGJI – Meta u jep prindërve më shumë kontroll mbi ndërveprimet e adoleshentëve me IA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKU gjobit një subjekt në Fier, tregtonte pa licencë produkte për mbrojtjen e bimëve

17 October 2025 at 11:17

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka gjobitur dhe i ka bllokuar aktivitetin një subjekti në qarkun e Fierit, që tregtonte Produkte për Mbrojtjen e Bimëve (PMB) pa licencën përkatëse. Masa është marrë në kuadër të kontrolleve zyrtare të zhvilluara nga Drejtoria Rajonale e AKU Fier, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

AKU njofton se, gjatë inspektimeve të zhvilluara në 16 subjekte që tregtojnë PMB në këtë qark, 5 subjekte janë ndëshkuar me masa administrative me “paralajmërim”, ndërsa ndaj subjektit që operonte pa licencë është vendosur masë administrative “gjobë” dhe bllokim i aktivitetit deri në pajisjen me licencë.

AKU bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjithë territorin e vendit, për të mbrojtur shëndetin e konsumatorit dhe për të garantuar një treg të ligjshëm dhe të sigurt për produktet ushqimore dhe ato të mbrojtjes së bimëve.

/e.xh//r.e/

The post AKU gjobit një subjekt në Fier, tregtonte pa licencë produkte për mbrojtjen e bimëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

930 mijë euro të ardhura të fshehura,Tatimet kontroll restorantit në Berat

14 September 2025 at 15:48


TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Administrata Tatimore vijon kontrollet në kuadër të Planit të Turizmit, me qëllim sigurimin e një tregu të rregullt, të formalizuar dhe konkurrencë të ndershme.

Gjatë verifikimeve të kryera në qytetin e Beratit, u evidentua një restorant i paregjistruar me përgjegjësinë tatimore për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

“Taskforca në terren, pas kontrollit të kryer, konstatoi një sërë shkeljesh si: mall pa faturë, moslëshim fature, moslëshim autofature dhe administrim i blloqeve jotatimore”, bëri të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT).

Nga kontrolli, subjektit iu sekuestrua edhe pajisja kompjuterike, përmes së cilës u dokumentua fshehja e të ardhurave.

“Tatimpaguesi nuk kishte deklaruar në sistemin tatimor shumën prej 930 mijë euro të ardhura, të përfituara nga aktiviteti për periudhën 2019–2025, si dhe një sërë shkeljesh të tjera tatimore”, theksoi DPT.

Administrata Tatimore apelon bizneset që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të përmbushin detyrimet tatimore, duke shmangur kështu masat ndëshkuese që burojnë nga moszbatimi i ligjit.

Kontrollet e Administratës Tatimore zhvillohen edhe në kuadër të Planit sektorial të Turizmit dhe masave për rritjen e pagesave të sigurimeve shoqërore, në funksion të rritjes së pensioneve.

Në këtë drejtim, Tatimet po analizojnë pagat e punonjësve të deklaruar në listëpagesa nga subjektet e sektorit të turizmit, duke i krahasuar me pagat referencë për pagën minimale të përcaktuar më herët për këtë sektor. /j.p/

 

The post 930 mijë euro të ardhura të fshehura,Tatimet kontroll restorantit në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kontrolli më i rreptë i tensionit të gjakut shpëton jetë dhe ul kostot

23 August 2025 at 09:55

STAMBOLL, 23 gusht /ATSH-AA/ – Sipas një studimi të ri, objektivi për një kontroll më të rreptë të tensionit të gjakut mund të shpëtojë jetë dhe të kursejë para.

Studimi i kryer nga revista akademike ”Annals of Internal Medicine” zbuloi se mbajtja e tensionit sistolik nën 120 mm/Hg parandaloi më shumë sulme në zemër, goditje në tru dhe raste të insuficiencës kardiake krahasuar me nivelet më të larta, ndërkohë që mbeti efektive nga ana e kostos.

“Ky studim duhet t’u japë më shumë besim pacientëve me rrezik të lartë kardiovaskular dhe mjekëve të tyre që të synojnë një objektiv më intensiv për tensionin e gjakut”, tha autorja kryesore Karen Smith,, studiuese në spitalin Brigham and Women’s në Boston.

Smith theksoi se përfitimet mbeten të vlefshme edhe kur matjet e tensionit nuk janë të përsosura.

“Gjetjet tona sugjerojnë se objektivi intensiv, nën 120 mm/Hg, parandalon më shumë ngjarje kardiovaskulare dhe ofron vlerë të mirë”, shtoi ajo.

Analiza, e cila u bazua në të dhënat e sondazheve shëndetësore amerikane dhe në provën madhore SPRINT, vlerësoi se trajtimi me objektivin më të ulët kushtonte rreth 42 mijë dollarë për çdo vit jete të fituar, vetëm pak më shumë se objektivi nën 130 mm/Hg.

Megjithatë, Smith paralajmëroi se objektivat më të rreptë nuk janë të përshtatshëm për të gjithë pacientët.

“Duke marrë parasysh rrezikun shtesë të efekteve anësore nga medikamentet antihipertensive, trajtimi intensiv nuk do të jetë optimal për të gjithë. Pacientët dhe mjekët duhet të punojnë së bashku për të përcaktuar nivelin e duhur të trajtimit, bazuar në preferencat e pacientit”, tha ajo.   /os/

The post FOKUS – Kontrolli më i rreptë i tensionit të gjakut shpëton jetë dhe ul kostot appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kontrolli i Ministrisë së Financave – ILD, sistem efektiv të kontrollit të brendshëm

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ishte objekt kontrolli për sistemin e kontrollit të brendshëm nga Drejtoria e Harmonizimit të Menaxhimit Financiar, Kontrollit dhe Kontabilitetit e Ministrisë së Financave.

Përmes një njoftimi për shtyp, ILD bën të ditur se, gjatë javës së parë të qershorit 2025, ekipi i Ministrisë së Financave monitoroi proceset e punës në ILD, duke analizuar dhe vlerësuar me detaje gjendjen e sistemeve të kontrollit të brendshëm të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

U verifikua mjedisi i kontrollit, menaxhimi i riskut, aktivitetet e kontrollit, që synojnë reduktimin e risqeve, informacioni e komunikimi, si dhe monitorimi, pra tërësia e proceseve të rishikimit të aktivitetit të institucionit, duke u ekzaminuar baza dokumentare për secilën rubrikë të listës së kontrolleve.

Në përmbyllje të këtij procesi monitorimi e analizimi, raporti i Drejtorisë së Kontrollit Financiar të Ministrisë së Financave jep vlerësimin maksimal, bazuar në përgjigjet e 59 pyetjeve për ILD-në, duke u shprehur se “Sistemi i kontrollit të brendshëm në institucionin e ILD vlerësohet efektiv, me 59 pika të plotësuara nga lista e kontrollit të shoqëruar me dokumentacion justifikues”.

“Raporti vëren se sipas Metodologjisë për Vlerësimin e Cilësisë së Sistemit të Kontrollit të Brendshëm në Njësitë e Qeverisjes së Përgjithshme “Sistemi i Kontrollit të Brendshëm konsiderohet efektiv, nëse nuk janë zbuluar asnjë ose janë zbuluar shumë pak dobësi dhe mangësi të zbatimit të sistemit të kontrollit të brendshëm””, thuhet në njoftimin e ILD-së.

/e.xh//a.f//r.e/

The post Kontrolli i Ministrisë së Financave – ILD, sistem efektiv të kontrollit të brendshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia gjermane nuk kontrollon brutalisht udhëtarët në trena

1 August 2025 at 12:10

Pretendimi: Videoja tregon kontrollet që policia bën në transportin publik në Berlin

Përfundimi: Jashtë konteksti

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon një situatë të tensionuar brenda një treni në Gjermani, ku udhëtarët duken duke ngritur duart në ajër, ndërsa policia e armatosur rëndë hyn në vagon.

Përshkrimi i videos që qarkullon në gjuhën shqipe është: “Berlin – kontrolle në transportin publik”, duke lënë të kuptohet se kjo është një praktikë e zakonshme apo e përsëritur e autoriteteve në mjetet e transportit publik në Berlin.

Me një kërkim në rrjet përmes Google Reverse Image Search, Faktoje arriti të verifikojë burimin dhe kontekstin e videos përmes mediave gjermane dhe gjeti se ky në fakt nuk ishte një kontroll rutinë, por një aksion special policor i zhvilluar më 4 korrik 2025 në stacionin Wannsee të linjës S-Bahn në Berlin, pas një denoncimi për një person të armatosur në tren.

Sipas raportimit të mediave gjermane, një dëshmitar kishte njoftuar policinë se kishte parë një person me armë në një nga vagonët e linjës S7 që udhëtonte drejt Potsdamit. Pas kësaj, policia federale dhe ajo e landit ndërhynë me forca të shumta dhe armë automatike për të siguruar trenin dhe për të arrestuar të dyshuarin. Në videon e plotë të publikuar nga mediat dallohet momenti kur pasagjerët evakuohen në panik dhe disa ngrejnë duart në shenjë bindjeje ndaj urdhrave të policisë.

Pas ndërhyrjes, rezultoi se alarmi ishte i rremë. I dyshuari ishte një person i veshur për një festival dhe arma që mbante ishte një lodër që ngjante shumë me një armë të vërtetë. Ai u ndalua, por më pas u lirua, dhe autoritetet po shqyrtojnë nëse do të ngrihen akuza për shkelje të ligjit mbi armët apo ndonjë kundërvajtje tjetër. Pretendimi se videoja paraqet një kontroll të zakonshëm të transportit publik në Berlin është i pavërtetë dhe i nxjerrë jashtë kontekstit. Shpërndarja e kësaj videoje me përshkrime të pasakta mund të kontribuojë në dezinformim dhe nxitje të panevojshme të frikës.

The post Policia gjermane nuk kontrollon brutalisht udhëtarët në trena appeared first on Faktoje.al.

Citizens shpjegon pse nuk po lirohen hapësirat publike

11 July 2025 at 18:40

Kryeministri Edi Rama e quajti “rikthim te qytetarët” aksionin e nisur këtë javë për lirimin e hapësirave publike. Por në Tiranë, terreni tregon një realitet tjetër, ku kantieret e ndërtimit janë përjashtime.

Citizens verifikoi se realisht zaptimi i hapësirave publike nuk kryhet vetëm nga baret apo restorantet, por edhe nga kantieret e ndërtimit.

Aksione me shtrirje selektive

Qeveria dhe bashkitë e vendit, sikurse dhe Bashkia Tiranë, kanë ndërmarrë aksione kundër zaptimit të hapësirave publike. Përgjithësisht, synimi është pastrimi i qytetit nga strukturat informale të bizneseve të vogla.

Ndërkohë, ndërtime shumëkatëshe të shtrira në gjithë kryeqytetin kanë zgjeruar kantieret e tyre në trotuare e madje dhe në rrugë.

Shembuj konkretë të zaptimit të hapësirave publike nga kantieret e ndërtimeve janë:

Qendra e Tiranës ku dallojnë:

  • kulla e Hotel InterContinental: ka marrë trotuarin dhe një korsi makine.
  • kompleksi “Book Building” pranë Sahatit ka pushtuar segmente të rrugës “28 Nëntori” dhe “Abdi Toptani”.

Zona e ish-“Ekspozitës Shqipëria Sot” ku dallojnë:

  • Kulla “Green Tower” në bulevardin “Gjergj Fishta” ka zënë të gjithë trotuarin.
  • Te rruga “Islam Alla” ndërtimet kanë zënë një segment të rrugës.

Pazari i Ri:

  • Në rrugicën “Riza Jasa” ndërtimet kanë kufizuar lëvizjen e banorëve dhe turistëve.
  • Në rrugën “Konstandin Kristoforidhi” kantieri i Bazaar Gate u ka ngushtuar rrugën e banorëve.

Rruga “Xhanfize Keko”:

  • Kulla “Filigree Tower” ka uzurpuar një korsi të plotë rruge, duke ndikuar ndjeshëm në trafik.

Qasja selektive ndaj zaptimeve ekspozon një standard të dyfishtë institucional. Ndërkohë që bizneset e vogla ndëshkohen dhe linçohen publikisht, ndërtimet e mëdha tolerohen në heshtje.

Kjo përzgjedhje e qëllimshme hedh dyshime për favore politike apo interesa të mëdha ekonomike. Zaptimi i trotuareve nga kullat nuk shihet si problem, ndryshe nga zaptimi nga një kioskë apo tavolinë.

Kjo politikë e njëanshme përkeqëson jetën urbane dhe rrit pasigurinë për qytetarët. Rikthimi i hapësirës publike te qytetarët duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Nëse misioni është sinqerisht urban dhe qytetar, ai duhet të përfshijë edhe kantieret e ndërtimeve dhe jo vetëm karriget, apo çadrat e bareve dhe restoranteve.

Përndryshe, aksioni kthehet në propagandë që prek më të dobëtit dhe kursen më të fortët.

Lexoni gjithashtu:

The post Citizens shpjegon pse nuk po lirohen hapësirat publike appeared first on Citizens.al.

Fatura që po shteron qumështin

15 July 2025 at 14:50

Nebiu* vjen çdo mëngjes nga Gjiri i Lalzit në Tiranë. Në bagazhin e makinës së tij nuk ka as fruta deti, as peshk dhe as produkte të importit me ambalazhe shumëngjyrëshe. Ka vetëm bidonë të mbushur me qumështin e pesë lopëve, që rrit me mund. Një rutinë që nuk i kishte ndryshuar prej vitesh: ndalej te dyqani i Valit, në një lagje të kryeqytetit, linte qumështin për klientët e tij besnikë dhe kthehej në shtëpi me ca para që i siguronin jetesën. Kjo, deri këtë të hënë.

Vali, pronarja e dyqanit, nuk i’a pranon më qumështin. 

“Më kërkojnë faturë. S’dua të kem punë me tatimet,” i tha ajo shkurt Nebiut. Dhe ky nuk është një rast i izoluar.  

Në fshatin Baldushk, Agroni* mban një tufë dhish. Prej kohësh qumështin e çonte te një agroturizëm që e kthente në djathë. “Tani më thanë duhet faturë,” rrëfen ai. Veterinari i zonës, i vetmi që e ka vizituar fermën e vogël të Agronit për ndonjë shërbim, i tha troç: “Nuk e pret kush faturën. Ti s’je subjekt”

Në mënyrë të beftë, këtë fillim korriku, qeveria lajmëroi nisjen e një aksioni të përbashkët mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Administratës Tatimore me fokus sigurinë ushqimore dhe informalitetin në sektorin ushqimor dhe bujqësor. Aksioni synon formalizimin e ekonomisë agroushqimore, rritjen e gjurmueshmërisë së produkteve bujqësore, si dhe garantimin e të drejtave të konsumatorit për produkte të kontrolluara dhe të sigurta.

“Nuk mund të lejohet më që t’iu shiten konsumatorëve tanë prodhimeve ushqimore të pa faturuara”, deklaroi kryeministri Edi Rama më 2 korrik, gjatë një dialogu për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

“Dhe pas një periudhe jo të gjatë, dy javore sensibilizimi, duhet të fillojë sekuestrimi i të gjitha mallrave ushqimore”, shtoi Rama. 

Aksion pa ndërgjegjësim

Por ndryshe nga sa deklaroi kryeministri, administrata tatimore u mjaftua me një periudhë 1-javore sensibilizimi. 

“Duke filluar nga sot (datë 7 korrik 2025) Administrata Tatimore bën me dije se pasi ka analizuar të dhënat mbi aktivitetin tregtar të këtij sektori, për një periudhë 1-javore do të sensibilizojë bizneset nëpërmjet kanaleve të saj të komunikimit apo vizitave informuese në terren për përmbushjen e detyrimit ligjor për të lëshuar faturë të fiskalizuar për produktet që tregtojnë”, theksonte njoftimi i tatimeve. 

Një javë më vonë, nga kulaçi kaluam tek kërbaçi.

“Ka hyrë në fuqi detyrimi për lëshimin e faturës tatimore për çdo shitje të produkteve ushqimore, përfshirë ato bujqësore dhe blegtorale, edhe nga fermerët”, lajmëronte ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.  

Nisma parashikon se çdo operator i biznesit ushqimor (përfshirë fermerët që tregtojnë prodhimin e tyre) të lëshojë faturë tatimore për çdo shitje. Ekspertët e fushës shpjegojnë se këto ‘aksione’ janë detyrime ligjore që vijnë nga integrimi evropian. 

“Janë katër faza që politika bujqësore në koordinim me BE-në ka hartuar në mënyrë që marrja e statusit vend anëtar të rezultojë me sa më pak humbje biznesesh. Integrimi Europian në Poloni, Bullgari, Rumani, Kroaci ka rezultuar me mbyllje të rreth 80% të operatorëve përpunues”, shpjegon Ilir Pilku. 

Po si mund të shmanget kjo situatë në Shqipëri? Pilku i mëshon ndërgjegjësimit. 

“Organizimi i fushatave të ndërgjegjësimit për përpunuesit e vegjël mbi standardet e BE-së, duke përfshirë Rregulloren për higjienën, për produktet me origjinë shtazore dhe kontrollin zyrtar. E dyta, realizimi i inspektimeve paraprake vullnetare nga AKU ose bashkitë për të identifikuar boshllëqet në infrastrukturë dhe procedura. Së treti, trajnimi i stafit mbi higjienën personale, praktikat e mira të prodhimit, gjurmueshmërinë dhe bazat e sistemit HAÇP. Dhe e fundit, ngritja e rrjeteve të komunikimit për ndarjen e praktikave të mira ndërmjet përpunuesve”, përfundon Pilku.

Mirëpo fermerët, tregtarët por edhe konsumatorët janë gjetur të pa-informuar. Dhe këtë e vërtetoi më së miri jo vetëm Nebiu dhe Agroni por edhe video virale e tregëtares së rigonit në Sarandë. 

Faturë, faturë, faturë…

Sipas ligjit nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, fermerët që shesin produkte bujqësore nuk janë të detyruar të lëshojnë faturë tatimore. Ata regjistrohen vetëm pranë tatimeve, pa qenë të detyruar të regjistrohen si biznese në QKB, të mbajnë kontabilitet apo të lëshojnë faturë.

Ky përjashtim është konfirmuar edhe në ligjin nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ku përcaktohet se detyrimin për lëshimin e faturës e ka blerësi i produktit që zakonisht është grumbulluesi, baxhoja ose përpunuesi.  

Autofatura lëshohet nga blerësi (përpunuesi apo grumbulluesi), në emër të shitësit (fermerit), në rastet kur fermeri është i pajisur me NIPT dhe bën shitje pa faturë TVSH-je për xhiron me vlerë deri 10 milionë lekë në vit.

Megjithatë, në praktikë, shumë prej tyre refuzojnë të lëshojnë autofatura pasi nuk përfitojnë më nga skema e mëparshme e kompensimit të TVSH-së. Me ndryshimet e fundit, blerjet nga fermerët janë me TVSH 0%, ndërsa shitja është me 20%. Kjo ka çuar në një situatë ku grumbulluesit dhe përpunuesit nuk arrijnë të rimbursojnë TVSH-në dhe shmangin formalizimin, duke i mbyllur rrugën prodhuesit.  

Ndaj, aksioni i ndërmarrë së fundmi prek drejtpërsëdrejti përpunuesit dhe grumbulluesit e produkteve bujqësore. Sipas udhëzimeve të administratës tatimore, këta subjekte janë të detyruar që, gjatë blerjes së produkteve nga fermerët, të përdorin autofaturën si mjet për dokumentimin e transaksionit, ku informaliteti tek ta ka rezultuar i lartë.

Përfundim

Nga viti 2014, numri i bagëtive në Shqipëri ka rënë me mbi 45%. Vendi ka gjithnjë e më pak lopë, më pak dele, më pak dhi, më pak mish e qumësht. Por mesa duket do të ketë më shumë fatura. Në vend që të ndihmojë prodhimin vendas, shteti kërkon llogari për një sistem që, sipas ligjit, nuk është përgjegjësi e bujkut, por e grumbulluesit apo përpunuesit. Vetëm se këta të fundit nuk duan të lëshojnë fatura sepse humbasin para nga skema e TVSH-së.

Në mungesë të një strukture që mbështet prodhuesin e vogël, Shqipëria po shkon drejt importit të bulmetrave dhe shkatërrimit të blegtorisë së mbetur.

Ndërsa, aksioni i ndërmarrë, pa fushata të vërteta informimi, pa trajnime, pa një kalendar tranzicioni të qartë dhe pa asnjë ndihmë teknike apo financiare për fermerin do të prodhojë penalizime. Dhe në një terren ku vetë institucionet kanë dështuar për vite me radhë të ndërtojnë një kulturë formalizimi, kërkesa kaq e prerë për faturë kthehet në barrë. Në mungesë të ndërgjegjësimit, zbatimi i ligjit i ngjan më shumë një ndëshkimi sesa një reforme. Dhe si çdo aksion që nis me forcë dhe jo me kuptim, rrezikon të dështojë jo vetëm në qëllimin, por edhe ‘drejtësinë’ që pretendon të sjellë.

*Emrat janë ndërruar për të ruajtur privatësinë e fermerëve që ndanë historinë e tyre me Faktoje.al

The post Fatura që po shteron qumështin appeared first on Faktoje.al.

Kujdesi për nishanet gjatë verës, dermatologia: Bëni kontroll, ja risku i mundshëm

11 July 2025 at 19:37

Ekspozimi i nishaneve në diell pa përdorur krem mbrojtës mund të bëhet shkak për shfaqjen e melanomës. Për këtë arsye mjekët dermatolog rekomandojnë që personat që kanë shumë nishanë, të bëjnë vizita tek mjeku përpara se të nisin pushimet dhe të ekspozohen në plazh.

“Para ekspozimit do të rekomandoja një kontroll të nishaneve sepse shpesh herë risku është më i lartë te disa individë për të transformuar këto nishanë në një melanomë ose për të patur sëmundje të tjera të lëkurës”, tha Monika Fida, dermatologe.

Por kush janë më të rrezikuar për të zhvilliar kancer lëkure apo melanomë?

“Individët që kanë predispozitë familjare, individët që kanë ngjyrë lëkure të çelur, individët që kanë mbi 50 nishane”, shtoi Monika Fida.

Edhe pse Shqipëria nuk ka shifra të sakta sa i takon kancerit të lëkurës apo melanomës, mjekët dermatolog thonë se në vitin 2024 kanë trajtuar 90 raste me melanomë, e cila nëse nuk kapet në kohë është jetëkërcënuese.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Kujdesi për nishanet gjatë verës, dermatologia: Bëni kontroll, ja risku i mundshëm appeared first on Euronews Albania.

❌
❌