Kur vjeshta lulëzon dhe pranvera ngrin, ndryshimet klimatike që po e shkundin bujqësinë
Shkruan: Uran Haxha
Mëngjesi i 9 prillit të vitit 2025 ishte tragjik për Habib Dinën nga Rahoveci. Në një hektar vresht në kodrat lindore të qytetit nuk kishte mbetur asnjë syth i padëmtuar.
Ngrica e orëve të para të mëngjesit, që zbriti nën -5 gradë, shkatërroi gjithçka.
“Kur kam dalë në vnesht, e kam pas krejt shkrumb… m’u ka dok si me i pas ra një mortajë”, thotë ai.
Ky fenomen goditi pjesën më të madhe të vreshtave të Rahovecit e Suharekës. Dëmi ishte i madh për të gjithë, pasi hardhitë e rrushit kishin filluar të lulëzojnë, pasi në mars temperaturat ishin mbi 20 gradë Celsius.
Përkundër përvojës familjare me breza, Habibi thotë se kishin të pamundur të parashikojnë një mot të tillë. Metodat tradicionale nuk pinë më ujë: kur bie shi, bie pafund duke shkaktuar vërshime, e kur fillon vapa, ajo zgjatë me javë pa asnjë rigë shiu.
Shkenca prapa "çmendurisë" së motit
Këto çrregullime janë derivat i drejtpërdrejt i ngrohjes globale, që e shkaktojmë vet ne njerëzit. Aktivitetet njerëzore, si djegia e lëndëve fosile, shpyllëzimi dhe bujqësia intensive kanë rritur emetimet e gazeve serrë si dioksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit.
Ironikisht, vetë bujqësia është edhe viktimë, edhe shkaktare në një masë. Çdo lëvrim toke liron gazra në atmosferë, ndërsa përdorimi i plehrave kimike dhe blegtoria rrisin praninë e oksidit të azotit dhe metanit.
Këto gazra krijojnë një shtresë në atmosferë që bllokon nxehtësinë e diellit, duke rritur temperaturën mesatare të planetit.
Krejt këto ç’rregullime kanë burimin tek ndryshimet klimatike, që dukeshin të largëta për njerëzit në Kosovë para disa viteve.
Megjithatë, një raport i vitit 2024 nga NATO për Ndikimin e Klimës në Siguri ngriti alarmin në Kosovë. Vendi ynë ishte në pikën e kuqe të rajonit, ku pritet të përballemi me rritje më të shpejtë të temperaturave sesa mesatarja botërore, duke përjetuar valë të nxehta të gjata, përmbytje të përsëritura dhe zjarre pyjore gjithnjë e më të rrezikshme.
Kjo situatë, e kombinuar me rritjen e popullsisë dhe me menaxhimin e dobët të burimeve ujore, rrezikon të çojë vendin drejt mungesës serioze të ujit në dekadat e ardhshme.
Sipas raportit, “parashikimet e temperaturave më të larta dhe rritja e rrezikut nga zjarret, ulja e reshjeve dhe shtimi i popullsisë tregojnë se deri në vitin 2050, katër nga pesë pellgjet ujore të Kosovës mund të përballen me stres ose mungesë uji, gjë që mund të ndikojë në furnizimin me ujë si për popullsinë lokale, ashtu edhe për trupat e KFOR-it”.
Raporti i NATO-s i vitit 2024 thekson se në Kosovë, numri i ditëve me temperatura mbi 35°C mund të rritet nga 4.4 ditë në vit në periudhën 2020–2039 në mbi 39 ditë deri në fund të shekullit, në skenarin më të keq.
Viti 2024 ishte viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në histori me rreth 1.55 gradë celsius mbi nivelin paraindustrial. Por, ky rekord po ‘thyhet’ vit pas viti nga 2015-ta, sipas Organizatës Meteorologjike Botërore.
Këto ç’rregullime vijnë si pasojë e ndryshimeve afatgjata në temperaturat dhe modelet e motit në shkallë globale, që shkaktohen nga vet njerëzit.
Ato ndodhin për shkak të rritjes së emetimeve të gazeve serrë si dioksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit, të cilat çlirohen nga djegia e lëndëve djegëse fosile, shpyllëzimi, bujqësia intensive dhe industria.
Këto gazra grumbullohen në atmosferë dhe bllokojnë nxehtësinë e diellit brenda hapësirës tokësore, duke shkaktuar ngrohje globale. Si pasojë, ndryshojnë modelet e reshjeve, rritet frekuenca e thatësirave, përmbytjeve dhe valëve të nxehtësisë, gjë që ndikon drejtpërdrejt tek ne. E kështu vijnë ndryshimet klimatike, që një prej caqeve e kanë bujqësinë.
“Bujqësia s’është më si dikur”
Ecnim mes rreshtave të vreshtave në Rahovec bashkë me Habib Dinën. Ai ka një jetë në vreshta. Familjarisht gjithmonë kanë punuar. Duket që më lehtë ec mes hardhive se sa në asfalt.
Dëshira për ta avancuar jehonën e rrushit të qytetit të tij nuk e ka lënë edhe pa aktivitet shoqëror, duke e themeluar dhe udhëhequr Shoqatën e vreshtarëve.
Ai së bashku me vreshtarët e tjerë kërkuan ndihmë edhe për dëmin e shkaktuar nga ngricat e fillimit të vitit 2025.
Me ta u morën fillimisht Ministria e Bujqësisë e tutje Komuna e Rahovecit, por nuk u kompensua për dëmet e ngricave. Vizita në terren, raporte dhe aty përfundoi gjithçka. Në llogaritë e tyre nuk u derdh asnjë cent.
Habib Dina frikësohet se të tilla “sulme” nga natyra mund të jenë më të shpeshta, marrë parasysh trendin e 15 viteve të fundit.
“Nga viti 2010 e tutje ka filluar ndryshimi. Ka ra breshër shumë, gati çdo vit e shkatërronte një territor të vreshtave”, thotë ai, teksa kujton se si, në verat e fundit, reshjet e breshrit janë shndërruar në kërcënim të përvitshëm, shpesh duke rënë edhe natën.
“Para katër viteve ka ra breshër në ora 22:00. Natën nuk ka ra kurrë bre breshër, rrallë e rrallë herë. Kjo tregon se moti është ç’rregullu”, shton ai, duke tundur kokën.
Megjithatë, ai tregon për parashikimin tradicional që ju ka ndihmuar dikur, “nëse dita ka qenë e nxehtë e nata e çelne, gjasat për brymë janë 100%. Aty mundesh me e mbrojt hardhinë me tym, ose me ujë. Në shtetet e zhvilluara përdorin sisteme që lagin vreshtin gjatë natës. Kështu e heqin të ftohtin. Ne kemi ndezë kashtë edhe goma nëpër vresht dhe e kemi mujtë të ftohtit”, kujton ai, që në -6 gradë këto masa parandaluese nuk kryejnë punë.
Por, breshëri e ngrica janë vetëm fillimi i tregimit të tij. “Këto katër vitet e fundit ka nisë mos me pas borë gjatë dimrit”, shpjegon Habibi. “E bora ndikon në resurset nëntokësore që nuk ngihet toka me ujë. E kur nuk ngihet toka, nuk ka as pusetë që me nxjerr ujë për me ujit. Sistemet e ujitjes nuk janë të shpërndara më pas”.
Mungesa e ujit është ndër pikat më të brishta të bujqësisë në Kosovë.
Inxhinieri i bujqësisë, shumë vjet udhëheqës i programit të USAID-it për bujqësi, Fatmir Selimi shpjegon se nga 280 mijë hektarë me potencial për ujitje, vetëm rreth 20 mijë janë realisht nën ujitje.
“Sistemi i ujitjes përdoret vetëm në 10–15% të kapaciteteve ekzistuese”, thotë Selimi, duke theksuar se mungesa e dijes tek bujqit në shumë raste dhe mungesa e planifikimit për përdorimin e ujit e rëndon problemin.
Ai thotë se sistemet moderne të ujitjes, si ato pikë–pikë dhe digjitalizimi i tyre, po hyjnë ngadalë në përdorim, por pa një strategji të qëndrueshme për menaxhimin e ujit, çdo verë e nxehtë e kthen mungesën e ujit në krizë.
Ky ç’ekuilibër nuk përfundon më kaq. Vreshtaria është një nga sektorët më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Rrushi kërkon ekuilibër midis diellit dhe shiut, nxehtësisë dhe lagështisë.
“Thatësia ndikon në rendiment, në pjekje, në kohën kur del rrushi”, shpjegon Habibi, “nëse rrushi ka pas kushte normale me dalë me datën 1 shtator, nga thatësia ai s’mundet edhe mbetet i imët, nuk ka kualitet.”
Vera e vitit 2024, kujton ai, ishte ndër më të nxehtat ndonjëherë, “temperaturat kanë arrit deri në 44 gradë. Edhe nata ka qenë e nxehtë, e këtë vit veç pak më e flladitshme”.
Në kushte të tilla, prodhimi bie, cilësia ulet, dhe tregu humbet.
“Kur del rrushi pa kualitet, importi të mund. Tregtarët largohen, e humb klientin”, tregon ai.
Në mungesë të sistemit të ujitjes dhe pajisjeve mbrojtëse, fermerët përballen të pambrojtur.
“Nuk jemi të përgatitur, as nuk ka kushte. Qeveria nuk është interesu. Ne veç çka është prej Zotit”, thotë Habibi me një ton dorëheqjeje.
Për të, vreshtaria nuk është vetëm punë, por pasuri kombëtare që duhet ruajtur. “Vreshtaria e Kosovës është pasuri. Duhet me pas ligj për me e mbrojt”, thotë me bindje.
Këtë hall ai thotë se nuk e kishin menduar, pasi dikur ka qenë disi e projektuar të funksionojë si duhet.
“Atëherë ka qenë në vijë, si e programume, pritshe me ra shi qat javë, edhe bike. Borë ka pas. Ka pas stinë. E tash s’ke as pranverë, as vjeshtë”, thotë teksa buzëqesh lehtë, si të kujtonte një rend natyror që s’kthehet më.
“Pranvera po bëhet e ftohtë, po kthehet kah dimri, e vjeshta po merr nxehtë. Në vitin 2024 pemët kanë lulëzu në vjeshtë. Ajo ia ka prish ciklin. Çdo ndryshim që ndodh, patjetër që e ka efektin e vet”.
Sipas ekspertit të bujqësisë Fatmir Selimi, bujqësia e Kosovës nuk është përgatitur për një klimë që ka ndryshuar kaq shpejt.
“Bujqësia e Kosovës ka qenë e mësuar me kushtet përafërsisht të njëjta gjatë viteve dhe pasi ka filluar ndryshimi në këto 10 deri 15 vitet e fundit, bujqit po ndryshojnë dhe po tentojnë me ju përshtatë kushteve të reja”, thotë ai, duke treguar se përshtatja nuk po ndodhë e plotë.
Raportet e ministrisë
Tregimi i Habibit nuk është i vetëm. Ato që ai i ka bartë në shpinën e tij, e tregojnë edhe raportet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë. Pasojat e ndryshimeve klimatike lexohen qartë në Raportet e Gjelbra të viteve të fundit.
Në Raportin e Gjelbër të vitit 2023, sektori i pemëve paraqitet si një nga më të prekurit nga ndryshimet klimatike. Aty thuhet se rendimentet e mollëve, dardhave dhe kumbullave kanë rënë dukshëm për shkak të ngricave të prillit që dëmtuan frutat e hershme, ndërsa temperaturat ekstreme dhe mungesa e reshjeve në verë çuan në tkurrje të prodhimit në kulturat që kërkojnë lagështi të vazhdueshme, si rrushi dhe pjeshka.
Në të njëjtin raport, përmendet se rendimentet e grurit dhe misrit në rajonet e Dukagjinit e Anadrinit ishin më të ulëta për shkak të thatësisë gjatë fazës së pjekjes, çka solli kokrra më të vogla dhe cilësi më të dobët.
E njëjta gjendje pasqyrohet edhe në Raportin e Gjelbër të vitit 2022, ku Ministria konstaton se periudhat e zgjatura të thatësirës dhe temperaturat e larta gjatë verës kishin shkaktuar ulje të rendimenteve të drithërave dhe dëmtime të kulturave në perime. Po aty theksohet se breshëri dhe reshjet e forta në muajt maj–qershor kishin shkatërruar pjesërisht prodhimin në Rahovec e Suharekë, duke e lënë një pjesë të fermerëve pa të ardhura. Në raport, për herë të parë, përmendet se “ndryshimet klimatike po krijojnë pasiguri të madhe në planifikimin bujqësor”.
Në Raportin e Gjelbër 2021, kjo pasiguri shihet në mungesën të borës gjatë dimrit dhe në mungesën e reshjeve të pranverës që kanë ndikuar në uljen e rendimenteve. Ministria konstaton se rendimenti i grurit dhe misrit ishte më i ulët se në vitin 2020, ndërsa në sektorin e pemëve vërehet se “lulëzimi i vonuar dhe temperaturat e larta gjatë verës kanë ndikuar në cilësinë e frutave”. Raporti paralajmëron për “ndryshime të papritura të temperaturave” që shkaktojnë stres në bimë, një dukuri që bujqit tashmë e përjetojnë çdo sezon.
Nëse kthehemi edhe më herët, Raporti i Gjelbër i vitit 2019 kishte qenë një ndër të parët që kishte paralajmëruar drejtimin që do të merrte klima. Në të dokumentohet se temperaturat mesatare vjetore për periudhën 2002–2018 kishin shënuar rritje të ndjeshme, ndërsa sasia e reshjeve kishte rënë në mënyrë të vazhdueshme.
Ky raport lidh drejtpërdrejt këto ndryshime me rënien e rendimenteve në disa kultura bazë, si gruri dhe patatja, të cilat u përballën me mungesë uji dhe reshje të pakontrolluara gjatë sezonit të mbjelljeve. Ministria kishte paralajmëruar që “kushtet klimatike të paqëndrueshme po ndikojnë në ciklet prodhuese dhe në koston e prodhimit bujqësor”, një vërejtje që sot tingëllon si parashikim i përmbushur.
Sipas inxhinierit të bujqësisë Fatmir Selimi, shumë bujq kanë filluar të kuptojnë se ndryshimi është i pashmangshëm, dhe po e përballojnë atë me dije. Ai thotë se bujqit po modernizohen, po bëjnë analiza të tokës dhe ujit, po marrin këshilla teknike dhe po i përshtatin kulturat dhe teknologjitë me kërkesat e tregut dhe me klimën e re.
“Efikasiteti në prodhimtari është rritur pasi që bujqit kanë rritur njohuritë, këshillohen me ekspertë privat, marrin këshilla nga barnatoret bujqësore dhe përdorin inpute dhe teknologji të reja që të rrisin prodhimtarinë dhe kualitetin dhe të zvogëlojnë koston e prodhimit”, thotë ai.
Kjo përshtatje e bujqve sipas tij shihet tek gruri ku përdorimi i variteteve të reja ka sjellë rritje të rendimentit, teksa zhvendosja e prodhimtarisë në masë të madhe në sera edhe të digjitalizuara, farave hibride e plehrave cilësorë, po i mban bujqit në lojë.
Sidoqoftë, Selimi kujton se ndikimi i klimës i prek pothuaj të gjitha kulturat, por goditje më të fortë jep te pemët dhe perimet. Efekti është jo vetëm një sezonal, por që humbja e investimit nga dëmi që mund t’i bëj ngrica, breshëri apo thatësia, një bujk e demoralizon për të vazhduar tutje dhe ju shton frikë bujqve të rinj.
Ai tregon se “në vitet e fundit kemi pas reshje të tepërta në muajin maj dhe qershor që ka ndikuar në mospunim të tokës dhe zvogëlim të rendimentit”, duke shtuar se reshjet e tepërta çojnë në situatën kur kulturat bujqësore sulmohen nga sëmundje që shkatërrojnë gjithë rendimentin.
Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, hidrolog që përcjell ndryshimet klimatike, në analizat e tij ka treguar se nëse krahasojmë vitet 1991-2015 me vitet 2016-2024 rënia në sasinë mesatare të reshjeve është afër 14 milimetra. Gjithashtu, një krahasim në sasinë mesatare të reshjeve në nivel vendi nga 2015-2024 ka një rënie 4.4%. Megjithatë, nëpër vite edhe sikur sasia e reshjeve mos të ketë ndryshuar shumë, problemi që sjell ndryshimi klimatik është tek shpërndarja e reshjeve nëpër muaj.
“Pranvera po karakterizohet gjithnjë e më shumë me reshje intensive dhe të përqendruara në periudha të shkurtra. Këto shira të rrëmbyeshëm nuk arrijnë të përthithen nga toka, duke shkaktuar erozion, largim të lëndëve ushqyese dhe vështirësi në mbjelljet e hershme. Ndërkohë, numri i ditëve me reshje të moderuara po zvogëlohet, çka e bën furnizimin natyror të tokës me ujë shumë të paqëndrueshëm”, tregon Kastrati.
Rritja e reshjeve me intensitet të lartë dhe përmbytja si rezultat shpeshherë i këtyre reshjeve shihet si një prej efekteve të qarta të ndryshimeve klimatike, sipas një raporti të trupës së Kombeve të Bashkuara, Intergovernmental Panel on Climate Change (IPCC), vjen si pasojë e përshpejtimit të ciklit të ujit nën ngrohjen globale.
Duke u kthyer në Kosovë, Kastrati tregon që kur shihen modelet dhe diagramet e reshjeve, vërehet qartazi se vera është e thatë, e temperatura mbi 35 gradë me ditë të tëra.
“Të dhënat e paraqitura tregojnë se muajt verorë po shënojnë një rënie të rëndësishme të reshjeve, e cila në disa skenarë mund të arrijë deri në –50%. Ky deficit shoqërohet me temperatura më të larta, avullim më të madh dhe mungesë të ditëve me shi të njëpasnjëshme, duke krijuar kushte për thatësira agrometeorologjike”, tregon ai.
Regional Rural Development Standing Working Group kanë bërë një analizë për Ballkanin Perëndimor ku trajtojnë rrezikun e ndryshimeve klimatike. Ajo që parashikohet deri në vitin 2050 duke u bazuar në Shërbimin për Indikatorët e Ujit në Adaptimin ndaj Ndryshimeve Klimatike (SWICCA) për të ardhmen në aspektin e reshjeve është shqetësuese.
“Sipas kësaj parashikimi, shihet se gjatë periudhës qershor–tetor do të ketë më pak reshje, duke filluar nga 4.8% në qershor deri në 11.9% në korrik, ndërsa temperaturat do të rriten nga 1.5 në 3°C në të njëjtën periudhë. Në pjesën tjetër të vitit, nëntor–maj, reshjet do të rriten nga 7.6% në dhjetor deri në 17.6% në shkurt, gjë që mund të shkaktojë përmbytje”, thuhet aty. Ashtu sikur edhe nisi në 18 dhe 19 nëntor të viti 2025, kur brenda dy ditëve pati reshje dhe përmbytje në disa zona të Kosovës.
Këtë rrezik e konfirmon edhe Ministria e Bujqësisë, duke thënë se nëse trendet klimatike vazhdojnë, do të ketë rrezik serioz në ulje të rendimenteve, stres ujor e erozion, bujqësia do të përballet me rreziqe serioze (ulje të rendimenteve, ulje në të ardhura, stres ujor e erozion.
‘Bujqit presin shtetin që s’po u vjen’
Fakti i konfirmuar nëpër raportet e Gjelbra të ministrisë nuk përcillet me veprime që vërehen. Përveç subvencionimit dhe granteve, bujqit kanë nevojë për dorën e shtetit edhe në rastet kur kulturat e tyre bujqësore dëmtohen nga kushtet ekstreme natyrore.
Ngrica e prillit në vreshta bëri dëme shumë të mëdha. Në dokumentin e vlerësimit të dëmeve në terren nga komisioni i ministrisë, kemi parë që është mbi 7 milionë euro, duke prekur prej 20 deri 70% të varieteteve të vreshtave.
Duke ditur që bujqësia është një prej sektorëve kryesorë në Kosovë, për Fatmir Selimin fatkeqësisht deri tash ka pasur improvizime dhe jo një strategji serioze.
“Kosova ka nevojë urgjente për Strategjinë e përballimit me ndryshime klimatike në bujqësi, për diversifikim të kulturave bujqësore dhe një politikë të qartë për përdorimin e ujit, tokës dhe pyjeve si burime natyrore”, thotë ai që për shumë vjet ka ndihmuar në këto aspekte përmes organizatave ndërkombëtare.
Këto politika, sipas Selimit, nuk mund të mbesin vetëm në letër, dhe jo vetëm në nivel qendror, por edhe në atë lokal.
Në nivel kombëtar ai sheh nevojën për ligje, rregullore dhe kritere të qarta që adresojnë ndryshimet klimatike, ndërsa niveli lokal duhet t’i zbresë këto në praktikë, përmes kushteve konkrete dhe këshillimit të bujqve.
Në anën tjetër ministria thotë se ata parashikojnë të gjitha këto në strategji dhe në planin e veprimit të tyre, në të cilin janë paraparë investime prej planeve të menaxhimit e deri te sigurimi e kompensimi.
Por, në këtë peizazh bujqësor, ngecjet më të mëdha ai i sheh pikërisht aty ku duhej të ishin zgjidhjet. Sipas tij, sektori bujqësor ka bërë përpjekje të modernizohet dhe të përdorë teknologji të reja për të zvogëluar dëmet nga klima, por institucionet kanë mbetur prapa.
“Ngecjet më të mëdha janë në zhvillimin e politikave përkrahëse që mund të zbatohen në praktikë dhe zhvillimi i informative të sakta dhe dijenisë se si duhet të ballafaqohet me këto ndryshime dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Kosovë”, thotë Selimi.
Një prej boshllëqeve më të mëdha është mungesa e një sistemi funksional të sigurimeve bujqësore, pikërisht në një kohë kur dëmet nga thatësirat, përmbytjet, breshëri dhe ngricat po rriten nga viti në vit.
Selimi kujton se “procesi i zhvillimit të sigurimeve bujqësore ka filluar nga viti 2014 nëpërmjet një studimi që ka zhvilluar programi për bujqësi i USAID-it NOA (New Opportunities for Agriculture) me kërkesë të Ministrisë së Bujqësisë”. Më pas, me mbështetjen e IFC/Bankës Botërore, është ndërtuar një model sigurimesh që është testuar dhe ka funksionuar deri në vitin 2023.
Por, ndryshimet ligjore e kanë lënë këtë sistem në ajër.
“Ministria e Bujqësisë ka vendosë me Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të zhvendosë sigurimet bujqësore nga përkrahja direkte/subvencionet në përkrahje me grante dhe deri më tani nuk ka arrit ta zbatojë këtë sistem të ri”, shpjegon ai.
Ministria nuk e zë në gojë këtë zhvillim, por ata qasen duke treguar rreth kompanive private të sigurimeve që prej 2023 e tutje nuk kanë ofruar më polica të sigurimit.
“Disa kompani të sigurimeve kanë ofruar polica të sigurimit bujqësor deri në vitin 2023. Megjithëse ekziston Masa për Sigurime Bujqësore, gjatë vitit 2024 këto kompani nuk kanë ofruar polica të sigurimit bujqësor”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Për Selimin, sigurimet janë një prej mjeteve të pakta që mund ta bëjnë bujqësinë më pak të rrezikshme në kohë krize klimatike. “Sigurimet bujqësore duhet të përkrahin bujqit që të zvogëlojnë rrezikun nga dëmet që nuk i kemi planifikuar dhe të mbulojë shpenzimet të cilat bujku nuk ka mundësi të i rekuperojë”, thotë ai.
Efekti ekonomik
Ndryshimet klimatike në një ambient sikur ky i Kosovës ku parandalimi dhe përballja me të është në nivel të ulët, aq sa Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë vlerësim të detajuar, të nivelit të humbjeve të fermerëve të shpërndara sipas thatësirës apo përmbytjeve, ngricave apo faktorë të tjerë, bëhen edhe më të dukshme.
E pasojat në ekonomi nga ndryshimet klimatike janë të shumta.
Së pari, nëse një kulturë bujqësore nuk ka rendiment në Kosovë, menjëherë hapet rruga nga tregtarët për ta importuar atë. Importi i një kulture bujqësore do të thotë rritje e çmimit për atë dhe ndikim negativ në rritjen ekonomike.
Raportet e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e paraqesin këtë gjendje qartazi.
Tremujori i dytë i vitit 2025 tregon një rritje të çmimeve të prodhimeve bujqësore për 8% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Njëjtë edhe në tremujorin e tretë i vitit 2025, që e tregon se rritja vazhdon të jetë në nivel të njëjtë me vitin paraprak, duke shënuar 8.2% rritje.
Nëse analizojmë pemët dhe perimet si baza e shportës së konsumatorit, rritja në tremujorin e tretë, si muaj që mbushin tregun me pemë dhe perime, shihet qartazi rritja e cila është eksponenciale prej vitit 2020.
Vetëm importin e rrushit të tryezës për vitin 2025 në Kosovë për periudhën janar-nëntor, del se kemi importuar diku pak më shumë se 3 tonë rrush, me vlerë të mallit 3.34 milionë euro, që me taksë të doganës dhe TVSH, shkon në total diku 4 milionë euro.
Rasti me ngrica në prill na e nxjerr qartë efektin. Në vitin 2025 kemi importuar më shumë rrush se sa vitin 2024. Afër 1 ton rrush i freskët i tryezës është importuar më shumë se sa në vitin 2024.
Kurse për 2025 në periudhën janar-nëntor, vetëm speca të freskët, sipas Doganës së Kosovës, janë importuar afër 11.5 tonë speca të freskët, në vlerë të mallit afër 10.3 milionë euro, që i shtohen afër 130,000 euro taksë doganore, 1.8 milion euro TVSH dhe një pjesa tjetër e kostove të transportit.
Kështu ndikon mungesa e produktit vendor, duke u zëvendësuar me produkt të importit.
Sipas Fatmir Selimit, ndikimi ekonomik i ndryshimeve klimatike në bujqësinë e Kosovës është tashmë i dukshëm dhe po reflektohet drejtpërdrejt në të ardhurat e fermerëve dhe në stabilitetin e tregut ushqimor. Ai vlerëson se humbjet nga thatësirat, përmbytjet dhe valët ekstreme të nxehtësisë po rrisin koston e prodhimit, duke e bërë bujqësinë gjithnjë e më pak të parashikueshme financiarisht. Rendimentet e paqëndrueshme, sipas tij, po ndikojnë edhe në çmimet e produkteve bujqësore, duke rritur varësinë nga importi dhe duke dobësuar konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë.
Në shumë raste, dëmet klimatike nuk kompensohen, çka i shtyn fermerët drejt borxheve ose heqjes dorë nga prodhimi.
Bujqve kosovarë nuk u janë ulur të hyrat vetëm nga dështimi i zhvillimit të kulturave për shkak të ndodhive natyrore që shkaktohen nga ndryshimet klimatike. Atyre u janë shtrenjtuar edhe inputet që i përdorin për të punuar.
Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin e tyre për Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi 2020–2024, konstaton se ka një rritje të ndjeshme të kostove për inputet bujqësore, veçanërisht krahasuar me vitin bazë 2020. Sipas të dhënave, indeksi i përgjithshëm i inputeve bujqësore në vitin 2024 është rritur me 39.6% krahasuar me vitin 2020. Inputet që lidhen me investimet bujqësore, si makineritë, pajisjet dhe ndërtesat e fermave, kanë shënuar rritjen më të madhe. Indeksi i këtij grupi është rritur me 55.8% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2020.
Për bujqit tashmë është e nevojshme një linjë e qartë për investime vetëm në përballje me ndryshime klimatike, sikur janë sistemet e mbrojtjes nga breshëri, drenazhimet për t’i shpëtuar përmbytjeve, kanalet e ujitjes për luftë kundër thatësisë e forma të shpërndarjes së ujit apo ngrohësve për t’i shpëtuar ngricave.
Me shpresë të vogël, herë më mirë e herë më keq, bujqit vazhdojnë luftën e tyre ndaj ndryshimeve klimatike dhe luftën e mbijetesës me këtë veprimtari.
