Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 December 2025Main stream

Hyseni dhe Durmishi diskutojnë për realizimin e projekteve infrastrukturore në Gjilan

22 December 2025 at 14:40


Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim ministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishin, me të cilin ka diskutuar për projektet e realizuara dhe ato që janë në proces në këtë komunë.

Pas takimit, Hyseni dhe Durmishi kanë vizituar disa nga projektet infrastrukturore në terren, përfshirë rrugën “Hamdi Kurteshi”, ku po realizohet një investim në vlerë prej 2.4 milionë euro, si dhe segmentet e auto-udhës Bresalc–Banullë, pjesë e autostradës Prishtinë–Gjilan.

Kryetari Hyseni e ka falënderuar ministrin për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të ministrisë, duke theksuar se gjatë viteve të fundit janë realizuar dhjetëra projekte në dobi të qytetarëve të Gjilanit. Ai ka shprehur shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Hyseni ka bërë të ditur se aktualisht Komuna e Gjilanit po funksionon në një objekt tjetër, pasi ndërtesa e vjetër është rrënuar për t’i hapur rrugë realizimit të projektit “Bulevardi i Qytetit”, i cili konsiderohet investimi më i madh kapital ndonjëherë në Gjilan, me vlerë 18 milionë euro.

Gjatë vizitës në rrugën “Hamdi Kurteshi”, kryetari e ka informuar ministrin se kjo zonë më herët kishte qenë në gjendje të rëndë infrastrukturore, ndërsa tani po merr pamje të re me infrastrukturë të plotë përcjellëse.

Sa i përket autostradës Prishtinë–Gjilan, Hyseni ka njoftuar se katër kontrata për katër segmentet e kësaj rruge janë shkëputur, duke shtuar se me nënshkrimin e kontratave të reja pritet të përfundojë ky projekt i rëndësishëm për rajonin.

Nga ana e tij, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se vizita në Gjilan kishte për qëllim vlerësimin e projekteve në terren dhe urimin e kryetarit Hyseni për mandatin e tij të dytë. Ai theksoi se gjatë mandatit të kaluar janë ndërtuar dhe rehabilituar dhjetëra rrugë në këtë komunë, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe infrastrukturën.

Durmishi bëri të ditur se punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi” po zhvillohen me intensitet të lartë, ndërsa sa i përket autostradës Prishtinë–Gjilan, ai konfirmoi se janë shkëputur katër kontrata për katër segmentet.

“Sapo të nënshkruhen kontratat e reja, brenda një viti do të përfundojë autostrada e Gjilanit”, tha ministri Durmishi, duke shtuar se në të ardhmen mbështetja për Gjilanin do të rritet me projekte të reja zhvillimore. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Gjilani ndalon përdorimin e fishekzjarrëve gjatë festave të fundvitit - përjashtim vetëm në natën e ndërrimit të viteve

19 December 2025 at 10:03


Në prag të festave të fundvitit, Komuna e Gjilanit ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike, përkatësisht fishekzjarrëve, në hapësirat publike.

Vendimi është nxjerrë nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në bazë të nenit 13 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe nenit 78 të Statutit të Komunës së Gjilanit, me qëllim të rritjes së sigurisë publike dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

Sipas urdhëresës, ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve në vende të hapura publike, si tregje, rrugë dhe sheshe. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga data 20 dhjetor 2025 deri më 3 janar 2026.

Përjashtim nga kjo ndalesë bëhet vetëm në natën e ndërrimit të viteve, respektivisht nga ora 23:30 e datës 31 dhjetor 2025 deri në orën 00:30 të datës 1 janar 2026.

Në urdhëresë thuhet se personat që veprojnë në kundërshtim me këtë vendim do të gjobiten me 100 euro. Për zbatimin e masës do të kujdesen Drejtoria e Inspeksionit dhe Policia e Kosovës.

Komuna e Gjilanit u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë këtë vendim, duke kontribuar në një festim më të sigurt dhe më të qetë për të gjithë. /Telegrafi/

Hyseni dhe Sveçla vizitojnë pikën kufitare tek Dheu i Bardhë, përgatitje për fluksin e mërgimtarëve

19 December 2025 at 08:33


Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë vizituar Pikë Kalimin Kufitar Dheu i Bardhë, një nga pikat kryesore të hyrjes në Kosovë, në prag të rritjes së fluksit të mërgimtarëve.

Gjatë vizitës, Hyseni dhe Sveçla u takuan me zyrtarë policorë, nga të cilët u informuan për përgatitjet e ndërmarra për menaxhimin e pritjes dhe qarkullimit të mërgimtarëve që po vijnë në vend për pushimet e fundvitit.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, theksoi se vizita kishte për qëllim të sigurohet që të gjitha institucionet janë të gatshme për përballimin e fluksit të shtuar në këtë pikë kufitare, përcjell Telegrafi. Ai uroi mërgimtarët për ardhjen në atdhe, duke thënë se janë gjithmonë të mirëpritur në shtëpitë e tyre.

Edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se gjatë vizitës u njoftuan nga afër me masat dhe përgatitjet operative të Policisë së Kosovës për këtë periudhë. Ai shtoi se pati rastin të takojë edhe mërgimtarë që sapo kishin hyrë në Kosovë, duke i uruar mirëseardhje në atdhe.

Institucionet kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë koordinimin për të siguruar qarkullim më të lehtë dhe shërbime sa më efikase për qytetarët dhe mërgimtarët në pikat kufitare. /Telegrafi/


Kryetari Hyseni pret presidenten Osmani – vizita në biznese dhe institucione të ndryshme

8 December 2025 at 15:32


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, qëndroi sot për vizitë zyrtare në Komunën e Gjilanit, ku u prit nga kryetari Alban Hyseni. Gjatë kësaj vizite, ata zhvilluan disa aktivitete dhe takime në institucione, biznese dhe organizata lokale.

Fillimisht, presidentja Osmani dhe kryetari Hyseni vizituan kompaninë “Interplast Trocal”, ku u njohën nga afër me proceset e prodhimit dhe kontributin e këtij biznesi në zhvillimin ekonomik të qytetit.

Kryetari Hyseni tha se bashkëbiseduan për rolin e ndërmarrjeve vendore dhe sfidat e tyre, duke falënderuar presidenten për mbështetjen dhe interesimin e treguar për projektet komunale, përcjell Telegrafi.

Më pas, ata u ndalën në Shkollën e Muzikës dhe të Arteve Pamore, ku ndoqën një performancë nga Kori i grave “Muza”.

Vizita vazhdoi në institucionin parashkollor “Integj”, ku u takuan me fëmijë dhe edukatore, si dhe në klubin e futbollit “Drita”, të cilin presidentja e përgëzoi për sukseset e fundit në arenën vendore dhe garat evropiane.

Presidentja Osmani e vlerësoi vizitën si të mbushur me energji dhe frymëzim, duke uruar kryetarin Hyseni për mandatin e tij të dytë. Ajo tha se diskutuan për projektet që do t’i sjellin Gjilanit më shumë zhvillim dhe mundësi të reja.

“Kemi kaluar çaste të paharrueshme me artistë, fëmijë dhe komunitetin sportiv. Një falënderim i veçantë për qytetin e Gjilanit për pritjen”, theksoi Osmani. /Telegrafi/


Qendra e re për të moshuarit në Gjilan drejt përfundimit

5 December 2025 at 08:15


Kryetari i komunës, Alban Hyseni së bashku me hoxhën dhe humanistin Halil Kastrati, ka vizituar sot Qendrën e re për të Moshuarit, një projekt i konsideruar si ndër më të rëndësishmit për ofrimin e shërbimeve dhe mbështetjes për gjeneratat e moshuara.

Sipas njoftimit, punimet në qendër janë drejt finalizimit, ndërsa objekti pritet të ofrojë një hapësirë të sigurt dhe të dinjitetshme për të moshuarit që kanë nevojë për kujdes dhe përkrahje institucionale.

Kryetari ka falënderuar Halil Kastratin për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e këtij projekti, duke vlerësuar kontributin e tij në fuqizimin e shërbimeve sociale në komunë. /Telegrafi/


Po finalizohen punimet në rrugën “Pajazit Ahmeti” në Gjilan

2 December 2025 at 09:09


Rruga “Pajazit Ahmeti” në Gjilan po hyn në fazën përfundimtare të renovimit, ku krahas shtresës së re të asfaltit po realizohen edhe punimet në ndriçimin publik dhe ndërtimin e trotuareve të reja.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, inspektuan sot zhvillimin e punimeve në këtë aks rrugor.

Hyseni tha se projekti po ecën sipas planit dhe se shumë shpejt rruga do të marrë pamjen e re, duke përmirësuar qarkullimin dhe sigurinë për banorët e kësaj zone.

“Kemi intensifikuar punimet dhe rruga ‘Pajazit Ahmeti’ po asfaltohet. Së shpejti do të jetë plotësisht e përfunduar, me infrastrukturë moderne dhe të denjë për qytetarët e Gjilanit”, tha kryetari Hyseni. /Telegrafi/


Kryetari i Gjilanit pret homologun e Tetovës – thellojnë bashkëpunimin mes dy komunave

1 December 2025 at 08:50


Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në një takim zyrtar kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili po qëndron për vizitë në Gjilan. Vizita nisi me homazhe në Kodrën e Dëshmorëve, ku të dy kryetarët nderuan sakrificën e të rënëve për liri.

“Vizitën e nisëm me homazhe te Kodra e Dëshmorëve, një moment reflektimi për ata që na lanë amanetin e lirisë dhe të qëndresës”, deklaroi kryetari Hyseni, duke e cilësuar vizitën si një takim miqësor dhe institucional me homologun e tij nga Tetova.

Pas homazheve, Hyseni dhe Kasami, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndoqën ndeshjen e Ligës së Konferencës mes Dritës së Gjilanit dhe Shkëndijës së Tetovës, një derbi shqiptar që përfundoi me fitoren e Dritës, përcjell Telegrafi.

“I shkëmbyem me kënaqësi fanellat e dy ekipeve tona, me urimin që në fushë të tregojnë vlerat e larta sportive. Bashkë u pajtuam njëzëri se futbolli na bashkon”, tha Hyseni.

Ai shtoi se fitorja e Dritës është një hap i rëndësishëm drejt kualifikimit, ndërsa vlerësoi edhe Shkëndijën për lojën korrekte.

“Urime djemve për paraqitjen fantastike”, u shpreh kryetari i Gjilanit.

Nga ana tjetër, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, e quajti vizitën në Gjilan të veçantë dhe falënderoi Hysenin për mikpritjen.

“E urova kryetarin Hyseni për rizgjedhjen në krye të Gjilanit. Biseduam për bashkëpunimin mes dy qyteteve tona, duke nënvizuar përkushtimin për thellimin dhe zgjerimin e projekteve të përbashkëta”, deklaroi Kasami.

Ai tha se shkëmbimi i fanellave të Shkëndijës dhe Dritës, si dhe ndjekja e përbashkët e ndeshjes me kryeministrin Kurti, ishin një moment simbolik i miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy komunave.

Kasami nënvizoi edhe rëndësinë e homazheve në Memorialin e Dëshmorëve në Gjilan:

“Kujtuam dhe nderuam sakrificën e mijëra shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Lavdi”.

Vizita përfundoi në atmosferë sportive e miqësore, duke forcuar lidhjet institucionale dhe kulturore mes Gjilanit dhe Tetovës. /Telegrafi/


Gjilani përmirëson qasjen për personat me aftësi të kufizuara në objektin e administratës komunale

24 November 2025 at 11:26


Në Komunën e Gjilanit janë përfunduar disa ndërhyrje infrastrukturore që sigurojnë qasje më të lehtë dhe të barabartë për personat me aftësi të kufizuara në hapësirat e administratës komunale.

Para zyrave të Drejtorisë për Administratë dhe Drejtorisë për Shërbime Publike është rregulluar hapësira hyrëse, duke krijuar kushte më të përshtatshme për lëvizje.

Vetëm disa ditë më parë është vënë në funksion edhe ashensori i ri i dedikuar posaçërisht për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa janë rinovuar dhe përshtatur tualetet që plotësojnë standardet e nevojshme për këtë kategori qytetarësh. Po ashtu, sporteli i veçantë në Gjendjen Civile tashmë u ofron atyre shërbime më të shpejta dhe pa vonesa, përcjell Telegrafi.

Fadil Ademi, ushtrues detyre i shefit të sektorit të Gjendjes Civile në Drejtorinë e Administratës, tha se përmirësimet e bëra janë të vogla në kosto, por me ndikim të madh për qytetarët.

“Sigurojmë qasje të barabartë dhe të lehtë në hyrje të Drejtorisë së Administratës dhe Shërbimeve Publike, duke krijuar kushte më të mira për të gjithë qytetarët. Vazhdojmë me kryetarin Alban Hysenin”, u shpreh Ademi.

Komuna e Gjilanit ka paralajmëruar se investime të tjera në aksesueshmëri do të vazhdojnë edhe në hapësira të tjera publike. /Telegrafi/


Bie niveli i ujit në komunën e Gjilanit, Hyseni: Vazhdon monitorimi i situatës në terren

19 November 2025 at 08:49


Pas ndërprerjes së shiut, situata është stabilizuar në Komunën e Gjilanit, ku edhe ka rënë niveli i ujit.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të kësaj komune.

Derisa të martën si shkak i reshjeve të shiut me intensitet të lartë në Komunën e Gjilanit, në disa zona u shkaktuan probleme në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se gjatë gjithë ditës së martë, ekipet komunale kanë qenë të angazhuara në terren me kapacitet të plotë, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë aty ku ka qenë e mundur për të minimizuar dëmet nga reshjet e shiut.

“Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, disa zona në komunën tonë kanë hasur vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve”, tha Hyseni.

I pari i Gjilanit, i bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të lëvizin vetëm kur ka emergjencë dhe të përdorin rrugët e qytetit, duke shmangur rrugët qarkore dhe ato ku ka rritje të nivelit të ujit, përfshirë rrugën Malishevë–Gjilan, Livoç i Poshtëm dhe i Epërm, rrugën “Enver Miftari” dhe zonat pranë lumenjve.

Kryetari u bëri apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe për çdo rast emergjent të kontaktojnë qendrën 112.

“Komuna e Gjilanit, mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe do të vazhdojë monitorimin e situatës në terren”, tha Hyseni.

Drejtori për Shërbime Publike, Kushtrim Ibrahimi, tha se në shumicën e lokacioneve situata ishte nën kontroll, por ajo ishte ende në kufijtë e rrezikut.

Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani, ka kërkuar nga qytetarët të jenë të kujdesshëm, si shkak i rritjes së nivelit të ujit në disa zona.

Derisa ka kërkuar nga qytetarët që në raste të tilla të evitojnë zonat ku ka rritje të nivelit të ujit rreth lumenjve dhe të shfrytëzojnë rrugët alternative. /Telegrafi/

Lëshohet në funksion ashensori për personat me aftësi të kufizuara në Komunën e Gjilanit

10 November 2025 at 14:42


Në objektin e Drejtorisë së Administratës dhe Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit është lëshuar në funksion ashensori i ri, i cili u dedikohet personave me aftësi të kufizuara, duke u mundësuar atyre qasje më të lehtë dhe më të sigurt në shërbimet komunale.

Krahas kësaj, për këtë kategori është funksionalizuar edhe një sportel i veçantë në Zyrën e Gjendjes Civile, për marrjen më të shpejtë të shërbimeve administrative, përcjell Telegrafi.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Gjendjes Civile në Drejtorinë e Administratës, Fadil Ademi, tha se pas më shumë se 25 vjetësh, qytetarët e Gjilanit më në fund kanë kushte të përshtatshme për qasje në këtë objekt.

“Në qeverisjen e kryetarit Alban Hyseni kjo është bërë realitet. Me përkushtim për çdo qytetar, kemi mundësuar kushte më të mira edhe për personat me aftësi të kufizuara, të cilët tani përfitojnë nga ashensori i ri që siguron qasje të plotë në objekt”, deklaroi Ademi.

Ai shtoi se personat me aftësi të kufizuara tashmë marrin shërbime më shpejt e më lehtë në sportelin e veçantë të Gjendjes Civile, i cili është dedikuar posaçërisht për ta.

“Këto janë vepra konkrete që tregojnë kujdesin për çdo qytetar të komunës sonë. Vazhdojmë me punë e projekte që lehtësojnë jetën e njerëzve”, theksoi Ademi.

Po ashtu, në kuadër të përmirësimeve infrastrukturore në këtë drejtori, janë rinovuar dhe përshtatur edhe tualetet për personat me aftësi të kufizuara. /Telegrafi/


Përfundon numërimi i votave në Gjilan: Alban Hyseni i VV-së fiton ndaj Arbër Ismajlit të LDK-së

9 November 2025 at 20:59


Ka përfunduar numërimi i votave për zgjedhjet lokale në komunën e Gjilanit.

Nga 133 vendvotime të procesuara nga gjithsej 133, janë numëruar 36,472 vota nga gjithsej 107,892 të vlefshme, ose 33,80% e totalit.

Në garën për kryetar të Gjilanit, kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Alban Hyseni, ka fituar me 22,269 vota ose 61,06%, ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës – LDK, Arbër Ismajli, ka marrë 14,203 vota ose 38,94%.

Ky rezultat i konfirmon avantazhin e qartë të Hysenit dhe e vendos atë në krye të komunës së Gjilanit për mandatin e ardhshëm.

Exit Polli në T7 – Alban Hyseni merr mbi 58 për qind

9 November 2025 at 19:11


Exit Polli në Pressing në T7 tashmë ka publikuar matjet e veta për zgjedhjet e sotme të zhvilluara në Kosovë për kryetarë të 18 komunave, si pjesë e raundit të dytë.

Pjesë e këtyre matjeve është edhe komuna e Gjilanit, ku në balotazh janë Alban Hyseni nga VV dhe Arbër Ismajli nga LDK

Atje, sipas matjeve, Hyseni i VV i ka marrë 58.6% %

Ndërsa Ismajli i ka marrë 41.4 %


Alban Hyseni: Përkrahja e qytetarëve po e vulos fitoren tonë

7 November 2025 at 23:24


Në teatrin e qytetit, kandidati për Kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni ju bëri thirrje qytetarëve të Gjilanit që të votojnë për të mirën e qytetit.


Ai tha se programi i qeverisjes së tij që është duke u zbatuar tashmë, ka dëshmuar se puna e tyre është e ndershme dhe nuk ju shërben interesave të grupeve të caktuar.


Ndërsa Kryeminstri Albin Kurti u shpreh se janë orët e fundit të kësaj fushate deri në fitoren e Alban Hysenit.

Për përkrahjen e fuqishme të qytetarëve, Hyseni i falënderoi ata, duke thënë se kjo po e vulos fitoren madhështore më 9 nëntor.



Hyseni premton mbështetje më të madhe për mërgatën: Do ta krijojmë Zyrën e Mërgatës në Gjilan

5 November 2025 at 18:03


Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka deklaruar se mërgata mbetet pjesë thelbësore e shoqërisë gjilanase dhe se komuna do të vazhdojë ta forcojë lidhjen me qytetarët që jetojnë jashtë vendit.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Hyseni ka njoftuar për disa nisma të reja që synojnë përfshirjen dhe mbështetjen e mërgatës.

“Mërgata jonë është pjesë e rëndësishme e shoqërisë së Gjilanit. Zotohemi se do ta vazhdojmë mbështetjen dhe do ta forcojmë lidhjen me mërgatën tonë. Do ta krijojmë Zyrën e Mërgatës, për t’i shërbyer më mirë dhe për të qenë më afër çdo qytetari tonë jashtë vendit”, ka shkruar Hyseni.

Ai ka theksuar se do të vazhdojë organizimin e Forumit Ekonomik të Mërgatës, me qëllim të sjelljes së investimeve të reja dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në komunë.

“Kemi në plan shumë aktivitete dhe nisma të reja për mërgatën tonë”, ka shtuar Hyseni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë mes institucioneve lokale dhe bashkatdhetarëve në diasporë.

Biblioteka “Fan S. Noli” në Gjilan pajiset me 150 iPad

28 October 2025 at 12:36


Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, bashkë me ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, nënkryetaren, Leonora Morina Bunjakun, drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqirin dorëzuan në Bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan iPad-ë të rinj.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha në bashkëpunim me Ambasadën e Bullgarisë në Kosovë, po e çojnë përpara digjitalizimin e plotë të Bibliotekës “Fan S. Noli” në Gjilan, përmes bashkëfinancimit të 150 iPad-ëve të rinj.

“Kjo nismë do t’iu mundësojë lexuesve tanë qasje në miliona libra elektronikë dhe artikuj shkencorë nga e gjithë bota”, tha Alban Hyseni.

I pari i komunës, theksoi se ky është hap i madh drejt një Gjilani që lexon, mëson dhe zhvillohet në hap me kohën dhe me teknologjinë.

Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, tha se ndihet i lumtur që është për herë të dytë në Gjilan, këtë herë për projektin e digjitalizimit të Bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli” përmes tabletëve të mençur.

Sipas ambasadorit tabletët e mençur, do të jenë në shërbim të atyre që janë të pasionuar pas leximit për qasje më të lehtë.

Gjilani pajiset me sistem kamerash për të rritur sigurinë në rrugë

27 October 2025 at 11:49


Në Gjilan janë vendosur sisteme kamerash të teknologjisë së fundit, të cilat kanë rezolucion të lartë dhe inteligjencë artificiale.

Ky sistem, mundëson identifikimin automatik të targave të automjeteve (ANPR) dhe integron të gjitha kamerat në një platformë të vetme menaxhimi, raporton Telegrafi.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se tash ka më shumë siguri për Gjilanin.

“Kemi pranuar një donacion të rëndësishëm nga miqtë tanë në Angli për zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të kamerave në qytet”, tha Alban Hyseni.

I pari i Gjilanit, theksoi se ky sistem i gjeneratës së fundit, me rezolucion të lartë dhe inteligjencë artificiale (AI), mundëson identifikimin automatik të targave të automjeteve (ANPR) dhe integron të gjitha kamerat në një platformë të vetme menaxhimi.

“Për momentin, këto sisteme kamerash ekzistojnë vetëm në Londër e New York, e nga sot edhe në Gjilanin tonë”, shtoi ai.

Kryetari i Gjilanit, më tej shtoi se një donacion shumë i vlefshëm si ky, do ta rrisë dukshëm sigurinë publike të qytetit tonë dhe është hap i madh për një Gjilan më të sigurt dhe më modern. /Telegrafi/

Nis asfaltimi i rrugëve në lagjen Fidanishte II të Gjilanit

24 October 2025 at 15:20


Kanë nisur punimet për rregullimin e infrastrukturës rrugore në ndërtimin në lagjen Fidanishte II.

Pos rrugës do të rregullohet edhe trotuari, kanalizimi fekal dhe atmosferik, ujësjellësi, ndriçimi publik dhe sinjalizimi horizontal e vertikal.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin për Shërbime Publike, Kushtrim Ibrahimi, kanë parë nga afër punët të cilat po zhvillohen në lagjen Fidanishte II.



I pari i Gjilanit, tha se ka nisur asfaltimi i rrugëve në lagjen Fidanishte II.

“Lagjja Fidanishte, si një nga lagjet e reja të qytetit, po merr trajtimin që meriton. Po finalizojmë infrastrukturën rrugore me një gjatësi prej 428 metrash dhe gjerësi prej 6 metrash, me vlerë totale prej 291,724.36 euro”, tha Alban Hyseni.

I pari i Gjilanit, theksoi se projekti përfshin edhe punët tjera përcjellëse si kanalizimi fekal dhe atmosferik, ujësjellësi, ndriçimi publik dhe sinjalizimi horizontal e vertikal, me qëllim të krijimit të kushteve moderne për banorët e kësaj lagjeje. /Telegrafi/

Asfaltohen rrugët “Vëllezërit Frashëri” dhe “Fatmir Ibishi” në lagjen “Dheu i Bardhë” të Gjilanit

20 October 2025 at 11:26


Po vazhdojnë punimet për rregullimin e rrugëve dhe infrastrukturës përcjellëse në qytet.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin për Shërbime Publike, Kushtrim Ibrahimi, kanë parë nga afër punët të cilat po zhvillohen në lagjen “Dheu i Bardhë”, ku po asfaltohen disa rrugë, përcjell Telegrafi.



“Pas zgjedhjeve, vazhdojmë direkt në terren për të parë punimet në lagjen “Dheu i Bardhë”. Këtu ka filluar asfaltimi i rrugës 'Vëllezërit Frashëri' dhe 'Fatmir Ibishi'”, tha Alban Hyseni.

I pari i Gjilanit, theksoi se projektet, po vazhdojnë të bëhen realitet në çdo lagje dhe fshat të komunës. /Telegrafi/

Vetëm pak vota larg 50%, a do ta fitojë Alban Hyseni Gjilanin pa balotazh?

20 October 2025 at 08:12


Në Komunën e Gjilanit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni është shumë pranë të sigurojë mandatin për kryetar komune pa balotazh sipas rezultateve të deritanishme ku kryeson me 49.82% të votave.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që përfshijnë rezultatet nga Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) si dhe rezultatet e deritanishme nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përfshirë këtu votat me postë të numëruara deri tani, Hyseni kryeson bindshëm me 22,140 vota, shumë pranë pragut të 50% + 1 votë, që do ta siguronte fitoren pa hyrë në raundin e dytë.

Në vendin e dytë është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arbër Ismajli, me 34.30% apo 15,245 vota.

Megjithatë, fati përfundimtar i zgjedhjeve në Gjilan ende nuk është vulosur.

Pritet të numërohen edhe votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat mund të kenë ndikim në përqindjen e votave dhe të përcaktojnë nëse do të ketë apo jo balotazh.

Duke qenë se diferenca për të arritur 50% është shumë e vogël, mbetet të shihet nëse Hyseni do të arrijë të kalojë këtë prag me votat e mbetura, apo Gjilani do të shkojë në raund të dytë të zgjedhjeve.

Ndryshe sipas KQZ-së, Kuvendi Komunal i Gjilanit në bazë të numrit të popullsisë do të ketë 35 asambleistë. /Telegrafi/

Votat me postë dërgojnë Gjilanin në balotazh

18 October 2025 at 16:31


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën ka nisur publikimin e votave nga diaspora, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Në disa komuna veçse ka përfunduar procesi i numërimit të votave me postë.

Në Gjilan nga votat e diasporës, kur janë numëruar 85.71%, Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 687 vota, ndërsa Arbër Ismajli i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë 482 vota.

Kjo komunë me shumë gjasë do të shkojë në balotazh, edhe pse Hyseni ishte shumë afër ta kryente në raundin e parë. Ka mbetur numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta.

Sipas rezultateve preliminare, Hyseni në total, bashkë me votat e diasporës, ka 22.140 vota apo 49.84%, ndërsa Ismajli i LDK-së ka 15.245 vota apo 34.29%.

❌
❌