Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Rrëshqitje e dheut në rrugën drejt Banjës, Komuna e Tetovës apelon qytetarët të mos qarkullojnë në këtë zonë

7 January 2026 at 20:46


Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rrugën drejtë Banjës në Tetovë ka pasur rreshqitje të dheut.

Nga Komuna e Tetovës informojnë se ekipet janë në terren, teksa bëjnë thirrje që deri në stabilizimin e situatës të mos qarkullohet në rrugën drejt Banjës.

Njoftimi i plotë:

Pas një thirrje në numrin emergjent 112, njoftohet se për shkak të reshjeve të shiut ka përsëri rrëshqitje të dheut në rrugën drejt Banjës.

Qytetarët lutën të mos qarkullojnë në këtë zonë deri sa situata të stabilizohet.

Ekipet komunale janë në terren dhe po e ndjekin situatën nga afër.

Tetova me çmimore të re për kyçje në ujësjellës dhe kanalizim

6 January 2026 at 20:45


Hyrja ne vitin 2026 u solli tetovarëve edhe çmimore të re për kyçjen e banesave në ujësjellës dhe kanalizim. Vendimi u soll në seancën e fundit të Këshillit Komunal. Drejtori i NPK “Sharri” e arsyeton duke thënë për kyçje në ujësjellës-kanalizim banesat kanë pasur të njëjtin çmim me atë të shtëpive, ndërsa me çmimoren e re pronarët e banesave do të duhet të paguajnë për çdo banesë dhe të njëjtit do të kenë edhe matës.

“Në qoftë se një qytetar për ujë dhe kanalizim ka paguar diku tek 800 apo 900 euro, një ndërtesë vetëm për kyçjen e ujësjellësit ka paguar 1500 euro dhe 1500 euro për kanalizim – që i ka ardhur diku tek tre mijë euro. Do të duhet të paguajnë për çdo banesë veçmas, si paguan për shtëpi individuale dhe do të duhet ta paguajnë edhe një taksë dhe një për një ujëmatës, pasi që Tetova ka qenë qyteti i vetëm që nuk e ka pasur këtë çmimore dhe të gjithë qytetet tjera e lanë pasur këtë çmimore vetëm Tetova ka qenë e anashkaluar në këtë pjesë”, tha Valon Zeqri – drejtor i NPK “Sharri”.

Opozita në Këshillin komunal e sheh vendimin si të padrejtë, pasi sipas tyre qyteti as nuk ka ujë të mjaftueshëm për pija, e madje as nuk është cilësor.

“Ata ë vitin 2026 kanë planifikuar e mbi 9 mijë orëmatësve në Tetovë dhe vendosja e orëmatësve në Tetovë është e papranueshme, derisa Tetova nuk ka ujë të pijshëm në Tetovë dhe jemi në një situatë absurde se po maten dhe faturohen qytetarët për një shërbim që realisht mungon dhe para çdo aparati komuna do të duhet të sigurojë furnizim të vazhdueshëm dhe cilësor me ujë dhe orëmatësit janë një barë shtesë për qytetarët dhe një dështim i pushteti lokal”, u shpreh Berat Murati – këshilltar i AKI-së në Tetovë.

Komuna e Tetovës ka paralajmëruar se do të ndërtohet edhe një rrjet i ri i ujësjellësit, ndërsa kryetari i Bilall Kasami deri më tani as e ka mohuar e as nuk e ka pohuar se planifikon që shpërndarjen e ujësjellësit ta jep me koncesion. /tv21

Kasami: Transporti publik bëhet falas për të gjithë ata që kanë shlyer obligimet ndaj Komunës

30 December 2025 at 19:22


Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar se transporti publik i qytetit do të jetë falas për të gjithë ata qytetarë që kanë shlyer obligimet ndaj Komunës.

Kasami poashtu ka sqaruar se si mund të përfitojnë edhe institucionet nga kyvendim i Komunës.

Njoftimi i plotë:

Sot në Këshillin Komunal u votua një vendim me rëndësi për qytetarët tanë!

Transporti publik bëhet FALAS për të gjithë ata që kanë shlyer obligimet ndaj Komunës.

Nga ky vendim do të përfitojnë edhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Gjithashtu edhe të gjitha shoqatat dhe institucionet që do të nënshkruajnë një momerandum bashkëpunimi me Komunën e Tetovës.

Një hap konkret për të shpërblyer përgjegjësinë qytetare, për të lehtësuar lëvizjen dhe për të ndërtuar një qytet më të drejtë për të gjithë.

Miratohet buxheti i Komunës së Tetovës, kap vlerën mbi 44 milionë euro

30 December 2025 at 16:40


Me 27 vota pro, Këshilli Komunal ka miratuar buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2026. Propozim-buxheti kap vlerën mbi 44 milionë euro, nga të cilat rreth 17 milionë euro janë të dedikuara për projekte kapitale.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se buxheti për vitin 2026 është më i madh krahasuar me vitin paraprak dhe se bëhet fjalë për një buxhet zhvillimor.

“Për herë të parë, rreth 40 për qind e buxhetit është e dedikuar për investime kapitale. Në buxhetet e mëparshme, 70 deri në 80 për qind shkonin për paga dhe shpenzime operative. Ky buxhet parasheh ndërtimin e shkollave të reja, pishina, rrugë, kanalizim, ujë të pijshëm dhe projekte të tjera në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve”, deklaroi Kasami.

Ai sqaroi se janë paraparë mbi 200 mijë euro për projektimin dhe depërtimin e një rruge të re në fshatin Shipkovicë, e cila do të jetë pjesë e lidhjes rrugore Tetovë-Prizren.

“Në Shipkovicë do të ndërtohet një qarkore, në mënyrë që rruga të mos kalojë përmes fshatit, pasi rruga ekzistuese nuk i plotëson kushtet. Janë ndarë mbi 200 mijë euro për projektimin dhe depërtimin e kësaj qarkoreje. Segmenti nga Tetova deri në Shipkovicë i plotëson kushtet, ndërsa pjesa nga Shipkovica drejt fshatrave të tjera do të zgjerohet”, shtoi Kasami.

Gjatë seancës, këshilltarët e Aleanca Kombëtare për Integrim akuzuan se edhe për vitin 2026 është paraparë një buxhet i konsiderueshëm për punësime, të cilat i cilësuan si punësime të militantëve partiakë. Këto akuza u hodhën poshtë nga kryetari Kasami, i cili deklaroi se në Komunën e Tetovës askush nuk merr pagë pa kryer punë.

Edhe Tetova përballet me ndotjen e ajrit, mjekët rekomandojnë për kujdes

19 December 2025 at 17:14


Shumë qytete në vend përballen me ndotje enorme të ajrit. Situata është e rëndë edhe në Tetovë. Mjekët thonë se ajri i ndotur ka rritur numrin e thirrjeve në Urgjencë. Mjekët thonë se në rastet kur ndotja është e lartë qytetarët rekomandohen të mos qëndrojnë për gjatë kohë në ambiente të hapura, sidomos në mbrëmë kur ndotja arrin kulmin.

“Sikurse çdo vit, edhe sivjet numri i personave që kërkojnë ndihmë me paraqitjen e ndotjes është rritur, me ç’rast më së shpeshti janë problemet me frymëmarrjen, sëmundje të mushkërive dhe shpesh ka edhe persona që marrin edhe infeksione”, tha Igor Malldenovski, Udhëheqës i Ndihmës së shpejtë Tetovë.

Nga Komuna e Tetovës thonë se do të kontrollohen sidomos kompanitë, ndërsa do të punohet edhe në drejtim të ngritjes së vetëdijes për përdorimin e transportit publik.

“Ky plan parasheh disa aktivitete apo masa, siç janë kontrollet inspektuese nëpër fabrika që janë me instalime të lejes A dhe të lejes B, kompani të kontrollit teknik, pra kontroll të djegies që bëjnë që të jetë dru i thatë dhe të mos përdoren goma apo plastika e tjerë. Si komuna jemi duke hartuar edhe planin e mobilitetit i cili parasheh linjë të veçantë të transportit publik që do ul ndotjen që vjen nga komunikacioni i tepërt nga veturat”, tha Albi Qamili, komuna e Tetovës.

Ndotja e madhe e ajrit që paraqitet së fundmi në Tetovë, ka të bëj edhe me numrin e madh të automjeteve të vjetra më shumë se 15 vite./Alsat/

Qyteti i Tetovës do të dekorohet për festat e fundvitit

13 December 2025 at 16:50


Në seancën të mbajtur sot në ora 15:30, Këshilli i Komunës së Tetovës ka miratuar me shumicë votash vendimin për zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit 2025.

Vendimi vjen pas një debati disaorësh mes këshilltarëve, ku u diskutuan aspektet financiare dhe organizative të dekorimeve festive.

Shumica e këshillit, e përbërë nga grupet këshilltare të VLEN dhe OBRM-PDUKM, votuan pro, duke i hapur rrugë nisjes së përgatitjeve për zbukurimin e qytetit.

Kundër vendimit votuan këshilltarët nga koalicioni AKI, ndërsa të përmbajtur ishin këshilltarët e, Më mirë për Tetovën, Levica dhe LSDM-ja.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Jusuf Abduli, konfirmoi miratimin e vendimit dhe theksoi se zbukurimet e këtij viti synojnë të krijojnë një atmosferë festive më të ngrohtë dhe më atraktive për qytetarët dhe vizitorët.

Komuna e Tetovës mbajti mbledhje komemorative në nderim të Shpat Kasapit

5 December 2025 at 18:40


Komuna e Tetovës mbajti sot mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës artistike të këngëtarit, Shpat Kasapi.

Në prezencën e kryetarit të Komunës, Bilall Kasami, familjarëve, miqve dhe kolegëve të artistit, Shpati u kujtua edhe një herë për punën e tij artistike dhe virtytet e tij njerëzore.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për ndarjen nga jeta të artistit, ai theksoi se familja Kasapi ka humbur njeriun e tyre më të dashur, ndërsa Tetova ka humbur një artist të madh që la gjurmë të pashlyeshme në skenën muzikore.

“U bëfsh lule Xhenneti, Shpat. Qyteti ynë sot është më i varfër pa ty”, shkroi Kasami në Facebook.

Kasami u shprehu mbështetje dhe forcë familjarëve në këtë moment të rëndë, ndërsa publiku tetovar i dha lamtumirën e fundit artistit të dashur.

Komuna e Tetovës thërret debat publik për buxhetin e vitit 2026

4 December 2025 at 21:55


Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar organizimin e një debati publik lidhur me buxhetin e komunës për vitin 2026.

Thirrja u bë përmes një komunikimi zyrtar, ku theksohet rëndësia e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe sektorit civil në procesin e planifikimit buxhetor.

Debati publik do të mbahet të mërkurën, më 10 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 14:00, në Sallën e Këshillit Komunal të Tetovës.

Komuna fton të gjithë qytetarët, shoqatat, organizatat joqeveritare, grupet e interesit dhe përfaqësuesit e sektorit civil që me idetë dhe propozimet e tyre të kontribuojnë në hartimin e buxhetit të ri.

Kasami theksoi se ky proces synon të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie, si dhe të përfshijë komunitetin në vendimmarrje për projektet që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve gjatë vitit 2026.

Kryetari i Gjilanit pret homologun e Tetovës – thellojnë bashkëpunimin mes dy komunave

1 December 2025 at 08:50


Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në një takim zyrtar kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili po qëndron për vizitë në Gjilan. Vizita nisi me homazhe në Kodrën e Dëshmorëve, ku të dy kryetarët nderuan sakrificën e të rënëve për liri.

“Vizitën e nisëm me homazhe te Kodra e Dëshmorëve, një moment reflektimi për ata që na lanë amanetin e lirisë dhe të qëndresës”, deklaroi kryetari Hyseni, duke e cilësuar vizitën si një takim miqësor dhe institucional me homologun e tij nga Tetova.

Pas homazheve, Hyseni dhe Kasami, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndoqën ndeshjen e Ligës së Konferencës mes Dritës së Gjilanit dhe Shkëndijës së Tetovës, një derbi shqiptar që përfundoi me fitoren e Dritës, përcjell Telegrafi.

“I shkëmbyem me kënaqësi fanellat e dy ekipeve tona, me urimin që në fushë të tregojnë vlerat e larta sportive. Bashkë u pajtuam njëzëri se futbolli na bashkon”, tha Hyseni.

Ai shtoi se fitorja e Dritës është një hap i rëndësishëm drejt kualifikimit, ndërsa vlerësoi edhe Shkëndijën për lojën korrekte.

“Urime djemve për paraqitjen fantastike”, u shpreh kryetari i Gjilanit.

Nga ana tjetër, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, e quajti vizitën në Gjilan të veçantë dhe falënderoi Hysenin për mikpritjen.

“E urova kryetarin Hyseni për rizgjedhjen në krye të Gjilanit. Biseduam për bashkëpunimin mes dy qyteteve tona, duke nënvizuar përkushtimin për thellimin dhe zgjerimin e projekteve të përbashkëta”, deklaroi Kasami.

Ai tha se shkëmbimi i fanellave të Shkëndijës dhe Dritës, si dhe ndjekja e përbashkët e ndeshjes me kryeministrin Kurti, ishin një moment simbolik i miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy komunave.

Kasami nënvizoi edhe rëndësinë e homazheve në Memorialin e Dëshmorëve në Gjilan:

“Kujtuam dhe nderuam sakrificën e mijëra shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Lavdi”.

Vizita përfundoi në atmosferë sportive e miqësore, duke forcuar lidhjet institucionale dhe kulturore mes Gjilanit dhe Tetovës. /Telegrafi/


Vdekja e Shpat Kasapit, e hëna ditë zie në Tetovë

30 November 2025 at 16:32


Për shkak të vdekjes së artistit, Shpat Kasapi, Komuna e Tetovës ka vendosur që dita e nesërme të jetë ditë zie në gjithë territorin e saj, informon Telegrafi Maqedoni.

Njoftimi ka ardhur nga Komuna e Tetovës ku theksohet se këngëtari Shpat Kasapi dha një kontribut të veçantë për zhvillimin e kulturës dhe muzikës.

Njoftimi i plotë:

"Nesër (e hënë), 01.12.2025, për shkak të vdekjes së këngëtarit Shpat Kasapi, Komuna e Tetovës do të shpall ditë zie në gjithë territorin e saj! Shpat Kasapi dha një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës dhe muzikës në Komunën e Tetovës, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në skenën muzikore shqiptare!Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë artdashësve!"

Kujtojmë se Shpat Kasapi u varros sot në varrezat e qytetit të Tetovës, pasi ndërroi jetë nga një sulm në zemër në moshën 40 vjeçare./Telegrafi/

Rrëshqitja e dheut në Shipkovicë, banorët kërkojnë që autoritetet të marrin masa

28 November 2025 at 11:50


Si pasojë e rrëshqitjes së dheut në fshatin Shipkovicë të Tetovës, banorët e disa shtëpive janë detyruar të evakuohen. Mumin Velia në një prononcim për TV21 tha se dheu ka rrëshqitur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme.

"Ka ndodhur në ora tre të natës, për momentin qëndrojmë te vëllai. Në të ardhmen nuk e di si do të jetë, por për momentin kështu është. Dëmi nuk e di sa është. Dje ishin përfaqësues nga Qendra për Menaxhim me Kriza, policia, përfaqësues nga komuna. Thanë se do të marrin masa dhe se do ta rregullojnë këtë mur, por nuk e di.

"Apeli im është që sa më para të rregullohet dhe të shpëtojmë edhe ne edhe këta lart. Këta familjarët tjerë gjendjen ekonomike e kanë më të rëndë", tha banori.

Ndryshe, autoritetet dje njoftuan se është aktivizuar shtabi i krizave i Komunës së Tetovës, njerëz nga Komisioni Qendror Ushtarak, Drejtoria Rajonale e Tetovës dhe Inspektorati Ndërtimor Komunës së Tetovës./Telegrafi/

Jusuf Abduli u zgjodh kryetar i Këshillit në Komunën e Tetovës

21 November 2025 at 16:31


Pothuajse tre javë pas përfundimit të procesit zgjedhor konstituohet këshilli i Komunës së Tetovës.

Dështimi i deritanishëm ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve midis partnerëve të koalicionit VLEN për emrin e kryesuesit.

Në ditën e fundit të afatit ligjor, me 16 vota për dhe 11 kundër pas miratimit të mandateve, këshilli zgjodhi Jusuf Abdulin nga koalicioni VLEN, përkatësisht partia Alternativa si kryetar.

Këshilli komunal poashtu zgjodhi edhe komisionin për emërime si dhe komisionin për kurorëzimet./Alsat.,mk

Komuna e Tetovës: Do të largohet baraka pranë Xhamisë së Larme

14 November 2025 at 11:13


Komuna e Tetovës informon se do ta largojë barakën e cila ishte vendosur në parkun afër Xhamisë së Larme. Në një njoftim të shkurtët nga komuna, thuhet se baraka do të largohet me kërkesë të banorëve.

“Me kërkesë të banorëve, infoqendra do të largohet nga hapësira te Xhamia e Pashës”, informoi Komuna e Tetovës.

Ndryshe, për sot Komuna e Tetovës kishte planifikuar që ta promovojë këtë info-qendër, por pas reagimit të madh në opinion vendosën që ta largojnë.

Nga Iniciativa "Më mirë për Tetovën" dje thanë se është e papranueshme që kryetari i sapozgjedhur të lejojë shëmtimin e pamjes së Xhamisë së Larme./Telegrafi/

Vendoset barakë në parkun afër Xhamisë së Larme, reagon "Më mirë për Tetovën"

13 November 2025 at 14:17


Vendosja e një kontejneri në parkun afër Xhamisë së Larme në Tetovë, ka nxitur reagime në opinion. Më mirë për Tetovën thotë se kanë kërkuar sqarim lidhur me arsyen e shtrimit të bekatonëve, ndërsa thonë se kanë marrë përgjigje se në atë lokacion nuk planifikohet të vendoset barakë.

"Ajo për të cilën alarmuam, fatkeqësisht ndodhi: dje, në parkun e Xhamisë së Pashës u vendos një kontejner, i cili shëmton dhe poshtëron vlerën e këtij objekti kulturor-fetar. Të vetëdijshëm për mendësinë e kësaj udhëheqësie komunale dhe asaj që përgatisin, më datë 30.09.2025 i jemi drejtuar Komunës së Tetovës me kërkesë për sqarim lidhur me arsyen e shtrimit të bekatonëve në parkun pranë Xhamisë së Pashës".

"Ndaj kërkesës sonë, kemi pranuar përgjigje me shkrim nga Kryetari i Komunës, z. Bilall Kasami, i cili ka siguruar se në atë lokacion nuk planifikohet të vendoset barakë. Por sot qytetarët e Tetovës janë dëshmitarë që ai dje neve të gjithëve na gënjeu dhe pikërisht në Parkun e Xhamisë së Larme u vendos baraka".

"Është e papranueshme që Kryetari i posa zgjedhur i Komunës, i cili ka për detyrë të mbrojë interesat e qytetarëve, të lejojë shëmtimin e pamjes së Xhamisë së Pashës, me një objekt për përfitime të vogla financiare. Tetova nuk meriton gënjeshtra dhe manipulime të ulta!", thonë nga "Më mirë për Tetovën".

Kasami: Gjatë mandatit tim, afër 300 mësues morën vendime të përhershme pune

9 November 2025 at 12:28


Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ishte pjesëmarrës së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në shkollën e Mesme të Mjeksisë, ku u mbajt një panel diskutimi mbi arsimin.

Kasami tha se po punohet vazhdimisht për një arsim sa më cilësor me kushte sa më të mira, duke theksuar se edhe depoitizimi i arsimit është çështje prioritare në Komunën e Tetovës, informon Telegrafi.

"Gjatë mandatit tim kanë marrë vendime të përhershme pune gati 300 mësues. Ne përkrahim depolizitimin e arsimit, prandaj duam që çdo mësimdhënës të ketë vendim pa qene i varur politikisht. Poashtu janë bërë edhe investime të tjera në arsim për kushte më të mira, ku edhe nxënësit furnizimin me libra e kanë pasur më të qasshëm dhe më praktik se në herët e kaluara. Kanë munguar vetëm disa libra nëpër shkollat e mesme profesionale, mirëpo ajo është çështje e cila do të rregullohet", tha Kasami.

Ai shtoi se po punohet që nëpër më shumë shkolla në Tetovë të zbatohet projekti i mësimit në një ndërrim.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se ministra ka treguar përkushtim në reformat arsimore dhe përmirësimin e kushteve si për nxënësit ashtu edhe për punonjësit në arsim.

Ajo paralajmëroi disa ndryshime ne tekste shkollore teksa tha se disa tekste shkollore do të bëhen gati për fazën e prodhimit dhe nxënësit do të furnizohen me të njejtat. /Telegrafi/

Kasami mori mandatin e dytë: Tetova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillim

7 November 2025 at 13:28


Bilall Kasami sot e ka marrë mandatin për udhëheqjen e Komunës së Tetovës në katër vitet e ardhshme. Në një postim në Facebook, ai shkruan se Tetova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillim.

"Sot zyrtarisht mora mandatin për të udhëhequr me Komunën e Tetovës në katër vitet e ardhshme. Është nder dhe privilegj i madh të jem në shërbim të qytetarëve tanë, të cilëve u jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen".

"Tetova jonë ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillim dhe tani është koha që këtë ta vazhdojmë edhe në Kapitullin e Dytë. Ftoj të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, të bashkohemi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Tetovën tonë", ka shkruar Kasami.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale në raundin e dytë ai fitoi ndaj Bajram Rexhepit të koalicionit AKI, me rreth pesë mijë vota dallim./Telegrafi/

Banorët kundër ndërtimit të ri në Tetovë, frikë se ndërtesa e re do të mbyllë rrugën dhe t’ua zërë dritaret

6 November 2025 at 16:42


Banorët e rreth 100 apartamenteve të tre ndërtesave në Tetovë po ankohen për miratimin e Planit të Detajuar Urbanistik të miratuar nga komuna, e që sipas tyre, mundëson ndërtimin e një objekti të ri.

Shqetësimi i tyre është se nëse ndërtohet një ndërtesë e re, rruga e vetme për hyrjen me automjet do të mbyllet.
“Rruga jonë ka qenë kjo që e shihni pas meje. Kështu kemi hyrë normalisht, siç duhet, dhe ka mundur të kalojë çdo automjet, qoftë ambulancë, zjarrfikës, kamion për dru, ose edhe automjet mortor.

Tani kjo nuk është më e mundur, për shkak të ndërtimit të këtij objekti pas meje, ku ata duan ta ngjisin ndërtesën për t’u bashkuar me këtë. Pra, duan ta bëjnë si një lloj ‘ngjitur’”, tha Blagoja Mirçevski – përfaqësues i Banorëve .

Nga Komuna e Tetovës për "TV21" thonë se plani urbanistik është miratuar me të gjitha procedurat dhe se të gjitha ndërtesat do të kenë hyrjet e tyre.

Certifikohen këshilltarët e rinj të Këshillit të Komunës së Tetovës

5 November 2025 at 14:00


Sot, në sallën e madhe të Komunës së Tetovës, është konstituohet Këshilli i ri Komunal pas zgjedhjeve lokale. Komisioni Komunal i Zgjedhjeve dorëzoi certifikatat e 31 këshilltarëve.

Këshilli i ri Komunal ka pësuar ndryshime të vogla krahasuar me përbërjen e mëparshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve, koalicioni VLEN fitoi 13 vende këshilltarë, ndërsa koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim ka marrë 12 vende këshilltarësh.

OBRM-PDUKM në zgjedhjet e fundit ka marrë tre këshilltarë, ndërsa LSDM tani ka vetëm një këshilltar në vend të dy që kishte në përbërjen e mëparshme të Këshillit.

Risi është se "E Majta" tani ka arritur të hyjë në qeverisjen lokale në Tetovë me një këshilltar. Gjithashtu lista e pavarur "Më mirë për Tetovën" siguroi një vend në Këshillin e ri të Komunës së Tetovës./Telegrafi/

Numërohen mbi 90% e votave në Tetovë, dallimi mbi pesë mijë vota në mes Kasamit dhe Rexhepit

2 November 2025 at 20:16


Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka nisur me publikimin e rezultateve të para për Komunën e Tetovës.

Me 94.65% e votave të numëruara:

Bajram Rexhepi ka marrë: 15.182 vota

Bilall Kasami ka marrë: 20.141 vota

NPK "Sharri": Uji në Tetovë është i sigurt për pije

29 October 2025 at 16:34


Pas një ndalese për përdorim të ujit për pije prej disa ditësh, analizat e sotme flasin se uji është i pastër në aspektin mikrobiologjik dhe i njëjti mund të përdoret edhe për pije. Këtë e bëri të ditur Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale Sharri i cili gjithashtu tha se dita e sotme shënohet edhe me rritjen e sasisë së ujit nëpër burimet e vendit.

“Sot kemi marrë gjitha analizat që i dërguam në datë 27 e deri më sot dhe këto analiza konfirmojnë se, nga sot uji mund të pihet nga gjithë qytetarët e Tetovës. Sot poashtu kemi një gjendje më të mirë, sepse nëse deri dje kemi pasur litra ujë në sekondë sot kemi afër 300 litra ujë nga gjithë puset”, tha për Alsat, Valon Zeqiri, Drejtor i NPK Sharri, Tetovë.

Sipas Zeqirit, kjo sasi e ujit është më se e mjaftueshme për gjithë qytetarët, por keqpërdorimi i ujit si dhe rrjeti i vjetërsuar në disa vende bën që i njëjti të humbet. Apelon për shfrytëzim racional.

“Për qytetin e Tetovës, edhe verës ku kemi 500 litra ka ankesa, por në bazë të studimit të bërë të mjaftueshme janë vetëm 250 litra ujë në sekondë për gjithë qytetarët e Tetovës, por rrjeti i vjetërsuar dhe harxhimi panevojshëm apo keqpërdorimet e tepërta bëjnë që mos ketë ujë për gjithë qytetarët. Apeloj gjithë qytetarët që sidomos në këtë periudhë të vjeshtës të kenë sa më shumë kujdes me përdorimin e ujit”, u shpreh Valon Zeqiri, drejtor i NPK Sharri, Tetovë.

Uji për pije në Tetovë u ndalua për përdorim para katër ditësh, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, të cilat sollën deri tek turbullimi i burimit të ujit në Leshnicë, ndërsa gjethet e rëna të kësaj stine, ndikuan që uji të kishte edhe një aromë.

❌
❌