TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Policia e Lezhës ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për konfiskimin e shtatë pasurive të paluajtshme, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale.
Sipas njoftimit të Policisë së Lezhës, konfiskimi vjen në zbatim të vendimit të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Në zbatim të vendimit të GjKKO-së të vitit 2021, i lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në vitin 2022, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, kanë konfiskuar 7 pasuri të llojit “arë”, me sipërfaqe totale 15 028 m²”, njofton Policia e Lezhës.
Pasuritë e konfiskuara ndodhen dy në bregun e lumit Drin dhe pesë në fshatin Ishull Shëngjin.
Policia e Shtetit thekson se vijon bashkëpunimin me organet e drejtësisë për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe goditjen e pasurive që dyshohet se kanë origjinë kriminale.
/a.f/r.e/
The post Konfiskohen shtatë pasuri me burim të dyshuar kriminal në Shëngjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.