TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, tha sot gjatë një konference për mediet, se Partia Demokratike është kundër zvogëlimit të numrit të bashkive, duke propozuar që ato të jenë edhe më të shumta.
Berisha theksoi gjithashtu se janë pranuar nga mazhoranca dy kushtet e opozitës për: pjesëmarrjen e OSBE/ODIHR në Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe përfshirjen e ekspertëve të Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Evropës në Komisionin për Reformën Territoriale, për të siguruar ekspertizën më të mirë në ndërtimin e pushtetit vendor.
“Për bashkitë jo, nuk jemi për zvogëlimin e tyre. Unë them të jenë më shumë, por ne kemi vënë një kusht që është pranuar. Kushti ynë është që në Komisionin për Reformën Zgjedhore i pranishëm të jetë ODIHR dhe të na ndihmojë.
“Në Komisionin për Reformën Territoriale të jenë ekspertët e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Europës, pranë Këshillit të Europës. Kanë ekspertizën më të shkëlqyer më të mirë në ndërtimin e pushtetit vendor”, u shpreh Berisha.
Gjatë konferencës për mediet Berisha u pyet edhe në lidhje me uljen e numrit të deputetëve.
Berisha propozoi krijimin e një Senati, si dhomë e dytë e Parlamentit, me funksion “frenues dhe jo bllokues”, duke theksuar se, nëse kjo realizohet, duhet të reduktohet numri i deputetëve për të mos rënduar buxhetin publik.
“Tani, ka dhe një mendim tjetër që është i kahershëm, nëse hyn në anale. Po, është 25-30 vite më parë, që vendi të bëhet me dy Dhoma. Të ketë dhomën e lartë, Senatin dhe Dhomën e parlamentit.
“Unë jam dakord me këtë variant, sepse sado pak, pak, por nëse e ndërton Senatin jo si një institucion bllokues, se me bllokim shteti nuk ndërtohet, por si një institucion frenues në njëfarë mënyre, atëherë i bën një të mirë vendit. Senati është i dobishëm, shumë vende e kanë, ka të tjera që nuk e kanë.
Shqipëria nëse vendos të ketë senat, atëherë pa diskutim që duhet të pakësojë numrin e deputetëve”, tha Berisha.
Kujtojmë se, Kuvendi votoi dje ngritjen e dy komisioneve të posaçme, një për Reformën Zgjedhore dhe një për Reformën Administrativo-Territoriale.
/m.q/r.e/a.f/
The post Berisha: Pro krijimit të senatit, kundër zvogëlimit të numrit të bashkive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.